Mes procedurave të dyshimta, një sipërfaqeje të majme prej 95 mijë metrash katrorë pyll dhe rërë në zonën e Zvërnecit i ka dalë pronari. Investigative Network Albania siguroi dokumente nga Agjencia e Kadastrës, Ministria e Turizmit, Policia dhe Prokuroria, që faktojnë të gjithë zinxhirin se si u përfitua kjo sipërfaqe rëre në pronë private. Ndërkohë, dy qytetarë, të cilët prej 15 vitesh shfrytëzonin plazhin shtetëror në Zvërnec, u gjendën befas përgjatë verës së vitit 2021 në “luftë” me pronarët e rërës…
Autor: Sokol Çobo
Verën që lamë Dritan Koçirajt, i cili prej 15 vitesh ka me leje një kabinë prej dërrase në plazhin e virgjër të Zvërnecit, iu desh ta kalonte në luftë me “pronarin” e plazhit.
Gjatë muajit maj 2021, teksa aplikoi si çdo vit për leje për ushtrimin e aktivitetit në këtë zonë, i njoftuan se pronës-shtet i kishte dalë “pronari”, ndaj leja për shfrytëzimin e plazhit iu refuzua.
Kabinën, duke filluar nga muaji maj i çdo viti deri në fund të shtatorit, Dritan Koçiraj e kthen në një restorant të vogël, me disa shezlonë përreth. Në këtë biznes ai ka punësuar edhe familjen e të vëllait dhe me të ardhurat mundëson arsimimin e dy fëmijëve.
Të dhënat e siguruara nga Investigative Network Albania tregojnë se pronar i 95 mijë metrave katrorë pyll dhe rërë buzë detit në Zvërnec është bërë Kreshnik Tepelena, ish-drejtuesi i portit të Durrësit deri 6 muaj më parë.
INA MEDIA ka zbuluar se Tepelena u bë pronar i kësaj sipërfaqeje të majme nëpërmjet një kontrate të paqartë dhurimi nga Artur Shehu, i cili përflitet për lidhje me botën e krimit dhe dyshohet se qëndron pas grabitjeve të mijërave hektarëve tokë në zonën e Nartës dhe Zvërnecit. Prej dy dekadash ai jeton në Amerikë, pasi u arratis nga Shqipëria në vitin 1999, pas një përplasjeje me armë zjarri në lokalin e tij në Vlorë.
Burime konfidenciale për INA MEDIA-n bëjnë me dije se Kreshnik Tepelena, të cilit i është besuar kjo pronë mjaft e lakmuar, është i afërm i Artur Shehut.
Pas marrjes së pronësisë, Kreshnik Tepelena iu ka hapur luftë dy bizneseve të vogla, që funksionojnë në këtë zonë me leje të rregullt prej më shumë se 15 vitesh.
“Pas 15 vitesh na thonë se deti dhe rëra janë pronë private”, – thotë Dritan Koçiraj për Investigative Network Albania, teksa mban në duar një “thes” me letra.
Në të njëjtën situatë ndodhet edhe fqinji i tij në këtë plazh, Sotir Tafili, i cili këtë verë e ka kaluar nëpër gjyqe e duke bërë kallëzime penale.
“Na kanë lodhur. Ne nuk pretendojmë pronë në rërë dhe det, po të na linin që të punonim me qira, siç kemi punuar çdo vit”, – thotë Sotir Tafili, i cili ashtu si Dritani ka rreth 17 vite në të njëjtën zonë.
“Kam 17 vite që e shfrytëzoj me qira çdo verë. Nëse do të ishte pronë private, pse u kujtuan tani?! Kjo është det, rërë dhe pyll”, – vijon ai, ndërsa denoncon se para fillimit të sezonit veror 2021 i ka shkuar një qytetar tjetër për t`i bërë një ofertë që të linte lokalin.
“Erdhi Kreshnik Tepelena dhe më ofroi 50 mijë euro që të lija biznesin. Natyrisht, unë e refuzova. Me këtë biznes të vogël, që s`i kam lënë gjë mangët shtetit pa paguar, mbaj familjen me bukë. Kam 3 fëmijë të mitur”, – thotë Sotiri, ndërsa tregon edhe sorollatjet shumëvjeçare për të bërë letra.
95 mijë metrave katrorë pyll dhe rërë iu del pronari
Por, si u bë pronë private pylli dhe rëra në Zvërnec?!
Dokumentet, që zotëron INA MEDIA, tregojnë një procedurë të paqartë, por që ka mjaftuar për ta bërë Tepelenën pronar të kësaj prone.
Fillimisht INA MEDIA i dërgoi një kërkesë për informacion Zyrës Rajonale të Kadastrës në Vlorë për të na vënë në dispozicion dokumentin e origjinës së regjistrimit të kësaj prone, por kjo zyrë në asnjë rast nuk denjoi të jepte informacionin e kërkuar.
Pavarësisht heshtjes së Kadastrës së Vlorës, Investigative Network Albania arriti të sigurojë dokumentet e regjistrimit të kësaj prone nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Vlorë, në emër të Kreshnik Tepelenës, i cili tashmë është ligjërisht pronar i rreth 95 mijë metrave katrorë pyll dhe rërë në plazhin e Zvërnecit.
Më konkretisht, sipas dosjes që disponon INA MEDIA bëhet fjalë për tri prona dhe më konkretisht pasuritë me nr. 47/227, nr. 47/228 dhe ajo me nr. 47/229, të cilat rezultojnë të kenë kaluar në favor të Kreshnik Tepelenës përgjatë vitit 2020. Ndërkohë, më datë 25.11.2020 janë lëshuar certifikatat e pronësisë për të tria këto pasuri.
Duke iu referuar dosjes së kësaj prone, që INA MEDIA disponon, vihen re mjaft pasaktësi.
Konkretisht, ASHK, Vlorë thotë se pasuritë rezultojnë në zonën kadastrale 8604, por jo në Zvërnec, ndërsa zëri i tyre kadastral është pyll dhe jo ranishte; ndërkohë që nga plani i rilevimit duket qartë se pjesë e pasurisë është edhe një rrip ranor.
Siç duket edhe nga harta, prona e Tepelenës është e rrethuar me vijë të kuqe, ndërkohë që shtrihet deri në pjesën ranore të detit Adriatik.
“Të tria pasuritë janë në emër të Kreshnik Tepelenës dhe janë përfituar me kontratë dhurimi dhe me kontratë shkëmbimi nga Artur Shehu në favor të z. Kreshnik Tepelena”, – pohojnë burimet nga ASHK, Vlorë. Ky akt dhurimi rezulton edhe në kartelat përkatëse, por mënyra se si është regjistruar kjo pronë ngre pikëpyetje të forta për skandalin e pronave në këtë zonë.
Referuar dosjes së kësaj pasurie, nga e cila INA MEDIA ka siguruar të gjithë referencën e pronës për të tria pasuritë, mungon dokumenti fillestar i origjinës së regjistrimit të pronës.
Në këtë dosje, që INA MEDIA e disponon, rezulton se në referencë janë vetëm këto dokumente: “aplikim, faturë, kartelë për ref. harte, kontratë dhurimi/shkëmbimi, formular tatimi”.
Por, në asnjë rast nuk ka një dokument fillestar, që të tregojë se si u regjistrua kjo pronë në ASHK, Vlorë nga dhuruesi Artur Shehu.
Dokumenti fillestar i regjistrimit është një dokument bazë që vërteton pronësinë dhe origjinën e pronës, ndërsa në dosjen e zotëruar nga INA MEDIA ky dokument nuk ekziston, por vetëm bëhet një akt dhurimi nëpërmjet pesë kontratave.
Kontrata e parë e dhurimit i referohet pasurisë me nr. 47/229 në zonën kadastrale 8604. Janë 1200 metra katrorë pyll dhe është vulosur nga noterja Belona Seraj.
Kontrata e dytë e dhurimit i referohet pasurisë me nr. 47/227 dhe i dhuron Kreshnik Tepelenës 10 mijë metra katrorë pyll, ndërsa kontrata e tretë i dhuron pasurinë me nr. 47/226, që ka një sipërfaqe prej 10.800 m2 pyll, ndërsa pasuria me nr. 47/226 e bën pronar Tepelenën të plot 60.150 m2 pyll buzë detit të Zvërnecit, ndërsa dhurimi i pasurisë nr. 47/228 i jep edhe 12 mijë metra katrorë të tjerë, duke e çuar totalin në 95 mijë metra katrorë pronë të dhuruar.
Në dokumente thuhet se prona e Artur Shehut, e dhuruar më pas për Kreshnik Tepelenën, i cili ka mbajtur disa detyra shtetërore dhe së fundmi ka qenë një ndër drejtuesit e lartë në portin e Vlorës, është bërë në muajin nëntor 2020. Në të pesta kartelat e pasurisë thuhet se prona është “pyll”, ndërkohë që në asnjë rast nuk figuron ranishte, ndryshe nga sa e tregon plani i rilevimit.
Kadastra e Vlorës ka qenë shpesh në qendër të akuzave për tjetërsim të pronave në bregdet, duke u kthyer në mallkim për drejtuesit e këtij institucioni, i cili ndërroi 10 drejtues në më pak se një vit. Njëri prej tyre madje shënoi edhe rekordin si drejtuesi më jetëshkurtër, duke qëndruar vetëm 4 ditë në pozicionin e drejtorit të Kadastrës së Vlorës.
Ngërçi u pranua edhe nga vetë kreu i kadastrës, Artan Lame, duke e cilësuar Vlorën si më problematiken, si pasojë e çështjeve të mbartura në dekadat e fundit.
“Kadastra e Vlorës është institucioni më problematik në vend. Ne po heqim kusuret e 25 vjetëve tallje me njerëzit”, – deklaroi Lame më 2020.
Në gusht të vitit 2021, SPAK zbarkoi në Kadastrën e Vlorës dhe sekuestroi disa nga dosjet më të nxehta të pronave në jug. Pak kohë më pas, në tetor të vitit 2021, u arrestua edhe ish-drejtuesi, Klodian Troci, si pjesë e një grupi që falsifikon dokumentet e pronave në Dhërmi.
Rëra u kthye në “molle sherri”
Zona, në të cilën operojnë Sotiri dhe Dritani, është në afërsi të detit Adriatik, në veri të Vlorës, një zonë e njohur si pylli i Zvërnecit.
Të dy qytetarët prej shumë vitesh janë pajisur me leje shfrytëzimi për hapësirën e plazhit, fillimisht nga ish-komuna Qendër në Vlorë dhe pas reformës territoriale, nga Bashkia e Vlorës.
“Gjithmonë ka qenë pronë shtetërore, publike. Asnjëherë private”, – këmbëngul Sotiri, ndërsa shfleton edhe vendimet që ka marrë në të kaluarën.
Sipas dokumenteve që disponon Investigative Network Albania, Sotir Tafili është pajisur me leje shfrytëzimi të hapësirës së plazhit në Zvërnec, Vlorë, në vitin 2020.
Është një certifikatë e përdorimit të stacionit të plazhit, e cila i është lëshuar me adresë “Plazhi i Nartës, Vlorë”. Certifikata është e vlefshme deri në datën 15 nëntor 2020, ndërkohë që në fund mban firmën e ish-ministrit, Blendi Klosi.
Pas kësaj certifikate, Tafili është pajisur me leje mjedisore nga Qendra Kombëtare e Biznesit, ndërsa ka paguar edhe tarifat e vendosura nga Bashkia e Vlorës.
“Asnjëherë s`më thanë se është pronë private”, – thotë ai, teksa ka vijuar ta ushtrojë aktivitetin.
Sipas një dokumenti tjetër, të datës 17 mars 2021, Sotir Tafili ka mësuar se në emrin e tij është lëshuar një procesverbal i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit të Bashkisë së Vlorës për konstatimin e kundërvajtjes.
“Objekt me konstruksion druri, i mbuluar me çati, rreth 230 m2, i ndërtuar prej kohësh”, – thuhet në dokument.
“Menjëherë pas këtij lajmërimi, që më erdhi nga IMT e Bashkisë së Vlorës, kam mësuar se territorit, ku ushtroja aktivitetin, që është deti, rëra dhe pishat, i kishte dalë pronari. Pronën e pretendonte Kreshnik Tepelena, i cili më kërkoi që t`ia shisja atij aktivitetin”, – thotë Sotir Tafili për INA MEDIA-n.
Në të njëjtën periudhë ka mësuar edhe për gjendjen e pronës së fqinjit të tij, Dritan Koçiraj.
“Na tregoi disa fotokopje të disa kartelave të pasurisë, të shoqëruara me harta, që prona, ku operojmë ne, është private. Nuk e di, kush i ka lëshuar këto dokumente”, – thonë ata.
Duke iu referuar planit të rilevimit të kësaj zone duket qartë se prona e tjetërsuar përfshin edhe një rrip ranishteje, ndërkohë që ligji e përcakton qartë se rëra buzë detit nuk mund të ketë pronar.
Ndryshe nga sa ka ndodhur me këtë pronë, Ligji 8743, i vitit 2001, për “Pronat e paluajtshme të shtetit”, në nenin 3, thotë: “I përkasin shtetit dhe bëjnë pjesë në pronat e paluajtshme publike a) vija bregdetare për të hyrë në tokë, ujërat territoriale dhe brigjet e lumenjve, të përrenjve e rrjedhave të tjera ujore, liqeneve, lagunave dhe rezervuarëve natyrorë ose artificialë, ishujt dhe grumbullimet e rërës, të gurëve dhe dherave në shtretër të lumenjve, të liqeneve e rezervuarëve, ashtu siç është përcaktuar sipas ligjeve në fuqi.”
Ndërkohë, në pikën 2 të këtij neni thuhet se “janë gjithashtu prona të paluajtshme, publike edhe pyjet, kullotat dhe livadhet, si dhe çdo lloj tjetër prone e paluajtshme, e ndërtuar mbi to, që i shërben drejtpërdrejt mbrojtjes dhe zhvillimit të tyre”.
Pra, në nenin 3 përcaktohet se zona ranore është e shtetit, ndërkohë që thotë se “pylli është pronë shtetërore”.
Pika 20 e nenit 4, Ligji 20, i vitit 2020, përcakton qartë se “rërë bregdetare” dhe “plazh” janë sipërfaqet e tokës përgjatë brezit bregdetar dhe që përbëjnë pronë publike, të patjetërsueshme, sipas Kodit Civil dhe legjislacionit për pronat e paluajtshme të shtetit”.
Po, çfarë është prona e patjetërsueshme, publike? Pika 19 e po këtij neni qartëson se “Pronë publike e patjetërsueshme” janë pasuritë publike që nuk mund të kalohen në pronësi të subjekteve të së drejtës private”, nen, i cili është shkelur nga Kadastra e Vlorës në regjistrimin e kësaj pasurie.
Institucionet i hodhën “benzinë zjarrit”
Përplasja për “pronësinë” ka çuar edhe në përplasje të ashpra për shfrytëzimin e këtij plazhi mes Kreshnik Tepelenës dhe Sotir Tafilit e Dritan Koçirajt, madje të shoqëruara me kallëzime dhe padi penale dhe civile.
Në vitin 2021 Tafili dhe Koçiraj aplikuan sërish për shfrytëzimin e plazhit në Ministrinë e Mjedisit dhe Turizmit dhe në Bashkinë e Vlorës.
Por, pas aplikimit Sotir Tafilit i vjen një përgjigje nga Ministria e Mjedisit dhe Turizmit, ku shkruhet: “Lidhur me aplikimin tuaj nr. 60a45157002df për Stacion Plazhi nr. VL-41, ju njoftojmë se: Aplikimi juaj është refuzuar! Aplikimi juaj është refuzuar, pasi parcela është pronë private”.
INA i kërkoi informacion Bashkisë së Vlorës, duke e pyetur për procedurat që duhet të ndjekin qytetarët për pajisjen me leje shfrytëzimi të plazheve për vitin 2021.
“Bashkia Vlorë nuk është institucioni kompetent që mund t’ju përgjigjet, pasi që prej majit të vitit 2022 menaxhimi i hapësirave publike – plazh – kryhet nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit së bashku me Agjencinë Kombëtare të Bregdetit”, – thuhet në përgjigjen e Bashkisë së Vlorës.
Më tej, pyetjes se, a quhet rëra dhe pylli pronë publike, kjo bashki i përgjigjet: “Prona publike quhen të gjitha pronat, të cilat gëzojnë statusin juridik – shtet – dhe që ndodhen në pronësi ose në administrim të një organi të caktuar, shtetëror”. Por, pa specifikuar, nëse rëra e bregdetit Adriatik është apo jo pronë publike.
INA kontaktoi edhe me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, e cila thotë se, në zbatim të VKM-së me nr. 1172, të datës 24.12.2020 “Për kushtet dhe kriteret e ushtrimit të veprimtarisë së stacionit të plazhit, i ndryshuar…”, aplikimi për stacion plazhi bëhet në e-albania.
Sipas saj, Agjencia Kombëtare e Bregdetit bën miratimin e stacioneve.
“Nga verifikimet e AKB-së rezulton se (GTSHA), si autoriteti përgjegjës për shqyrtimin e aplikimeve për ushtrimin e veprimtarisë si stacion plazhi, ka dërguar pranë AKB-së miratimin për subjektin Dritan Koçiraj, parcela VL-29, për një periudhë 1-vjeçare. Lidhur me subjektet Sotir Tafili dhe Kreshnik Tepelena, AKB nuk ka informacion për sa i përket aplikimit të tyre, pasi nuk ka marrë miratim nga (GTSHA) për të vazhduar me procedurat e mëtejshme për nënshkrimin e kontratës”, – thuhet në përgjigje.
Ndërkohë, Tafili thotë se ka shkuar disa herë pranë Bashkisë së Vlorës për të marrë faturën, por i thonë se ka aplikuar edhe Kreshnik Tepelena, që ka pronë.
“Duhet të kesh foto, që të aplikosh. Ai ka përdorur fotot e lokalit tim me emrin e tij dhe ka aplikuar që ta marrë këtë stacion plazhi me gjakun tim. Tani, unë si mund ta quaj këtë?! Grabitje, kërcënim, që ti nesër s’do jesh?!”, – pohon Sotiri, ndërsa thotë se edhe për këtë problematikë ka pasur dijeni edhe Bashkia e Vlorës, pasi “prona e Tepelenës shtrihet në pjesën ranore”.
Pavarësisht situatës konfliktuale, as Kadastra, as Bashkia e Vlorës dhe as Ministria e Turizmit dhe Mjedisit nuk ndërhynë që ta shuanin këtë përplasje. Me veprimet dhe mosveprimet ato i hodhën “benzinë zjarrit”, duke e agravuar situatën.
“Lufta e shezlonëve”, policia numëron kallëzimet dhe përplasjet
Verën e vitit 2021 Tafili dhe Koçiraj, nga qershori 2021 e deri në fund të sezonit, e kaluan mes përplasjesh të forta me “pronarët” e rërës.
“Kanë përdorur çdo mjet që të na largojnë që këtej”, – thonë njëzëri Koçiraj dhe Tafili, teksa pohojnë se janë përplasur edhe fizikisht me Kreshnik Tepelenën, çështje këto që kanë shkuar në dyert e Prokurorisë dhe Policisë së Vlorës.
Referuar përgjigjes zyrtare për Investigative Network Albania, duket qartë se Policia e Vlorës vetëm sa ka numëruar ngjarjet kriminale për “shezlonët”.
“Në përgjigje të kërkesës suaj për informacion, bëjmë me dije se Policia e Shtetit i ka referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Vlorë, për disa raste në këtë zonë”, – thotë policia.
Sipas saj, më 17 qershor 2021 është proceduar penalisht shtetasi Kreshnik Tepelena për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, pasi dyshohet se ka falsifikuar dokumente për përfitimin e një sipërfaqeje pylli në Zvërnec.
Ndërkohë, është proceduar Sotir Tafili më 30 qershor 2021 dhe më 6 korrik 2021, “pasi është konstatuar duke zënë hapësirën publike, duke vendosur çadra plazhi pa lejen e organeve kompetente në plazhin e Zvërnecit”.
Të njëjtin procedim e ka pasur edhe Koçiraj, i cili është proceduar në datën 8 dhe 14 korrik “duke zënë hapësirën publike”. Në të gjitha referimet policia thotë se “kanë zënë hapësirën publike” dhe jo “kanë zënë hapësirën private”.
Gjithashtu, policia thotë se në datën 25 korrik 2021, është proceduar penalisht shtetasi Kreshnik Tepelena për veprën penale “Pengime për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës”, pasi ka kryer veprime në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Administrative, duke penguar shtetasin Sotir Tafili që të ushtronte aktivitetin në stacionin e tij të plazhit, si dhe shtetasi Josif Koçiraj për veprën penale “Vetëgjyqësia”, pasi nuk ka lejuar shtetasin Kreshnik Tepelena që të ushtronte aktivitet në stacionin e tij të plazhit.
Por, cili është stacioni i plazhit që ka Kreshnik Tepelena?
Agjencia Kombëtare e Bregdetit sqaron për INA MEDIA-n se “subjekti Tepelena nuk ka marrë miratim”, që do të thotë se Kreshnik Tepelena nuk ka një stacion plazhi të miratuar, duke i bërë nul veprimet e Policisë së Vlorës.
Në listën e procedimeve policia shpeshherë është e paqartë, teksa një herë procedon Kreshnik Tepelenën për falsifikim dokumentesh dhe herë të tjera shfrytëzuesit e plazhit për zaptim të “pronës publike”.
Ndërkohë, INA kërkoi informacion edhe në Prokurorinë e Vlorës, e cila në përgjigje thotë se “janë referuar materiale për veprën penale të “Pushtimit të tokës”, për të cilat janë marrë vendime të mosfillimit të çështjes nga ana e prokurorëve”.
Më tej prokuroria pohon se nga “verifikimi në regjistër nuk rezulton të ketë procedim penal për këto fakte ndaj shtetasit Kreshnik Tepelena, pasi në disa raste ai është kallëzues për veprën penale të “Pushtimit të tokës”. Pra, dy institucionet ligjzbatuese japin përgjigje të ndryshme.
INA MEDIA tentoi që të kontaktonte me Kreshnik Tepelenën, por nuk ishte e mundur. Por, në një prononcim për mediat ai do të deklaronte disa muaj më parë, se “prona ime shkon deri në pjesën ranore”.
Dhe, pas muajsh përplasjesh me institucionet, dy qytetarët janë dorëzuar.
“Nuk mundëm, na proceduan dhe na kërcënuan. Megjithëse pronë publike, shtetërore, na larguan me forcë prej andej. Ia arritën qëllimit”, – përfundojnë Tafili dhe Koçiraj.