Me një kërkesë drejtuar Gjykatës së Lartë, Zamira Vyshka, kërkon që përgjimet e kryera nga SPAK të shpallen të paligjshme, pasi ka shkelje të procedurës.Sipas burimeve të Qendrës FOL , gjyqtari që ka në dorë fatin e gjyqtares së Elbasanit është Sandër Simoni.
Me akuzën e korrupsionit në drejtësi, ish gjyqtarja e Gjykatës së Elbasanit, Zamira Vyshka, është marrë e pandehur nga SPAK.
Prokuroria e Posaçme i kërkoi Gjykatës që të gjykojë Zamira Vyshkën, avokatin Ilir Pashaj dhe 2 persona të tjerë, të kapur në përgjime duke u përpjekur të ulin masën e dënimit shtetasit Xhulio Musaji gjatë vitit 2021.
Sipas dosjes hetimore që disponon qendra “Fol”, hetimet për ish gjyqtaren nisën nga një letër anonime, e dërguar në SPAK dhe që qartësonte skemën korruptive që po përgatitej nga avokati dhe ish gjyqtari Ilir Pashaj, gjyqtarja Zamira Vyshkaj dhe dy familjarë të Xhuljo Musajt.
Pas letrës anonime e cila përmbante detaje të gjyqit dhe personave që ishin të implikuar, SPAK regjistroi procedim penale sepse Policia e Shtetit, konfirmoi se të dhënat e letrës ishin reale.
Disa muaj përgjime dhe vëzhgime ambientale, dokumentuan përpjekjet e Taulant Ramollari dhe Xhulio Musaj, ky i fundit në burg, për të marr një vendim i cili do e lironte shpejt nga qelia.
Por sipas përgjimeve, gjithçka u prish pasi në takimin ku Taulant Ramollari shkon sipas agjentëve me zarf për të dhënë 200 mijë lekë, avokati Ilir Pashaj, i kërkon edhe 200 të tjera. Në këtë takim, e ulur në kafe pak metra larg, ishte edhe vetë gjyqtarja Vyshka, sipas SPAK për të dhënë garancinë që paratë do i jepeshin asaj.
“Unë po bëja një dyshe gati, e futa prapë në sqetull edhe ika. Ngelën me gisht në gojë, i thashë mirupafshim”. Kështu sqaron Taulant Ramollari në telefon Xhulio Musajn, pasi i tregon se i ishte kërkuar shumë shtesë për të ulur vetëm 2 muaj dhe për kaq, sipas tyre nuk ia vlente, duke prishur marrëveshjen.
Një ditë pas takimit, rezulton se avokati Ilir Pashaj, i shkruan mesazh Ramollarit duke e pyetur se çfarë vendosën të bëjnë me letrat, fjali që sipas SPAK nënkuptonte marrëveshjen.
Por në përgjim nuk ra vetëm avokati dhe të afërmit e Xhulio Musajt, por edhe vetë gjyqtarja Vyshka.
Ajo komunikon me shtetasin Andrea Tirana, ky i fundit i marr nën hetim nga Prokuroria e Posaçme për këtë rast për moskallëzim krimi. Në këto komunikime, rezulton se Zamira Vyshka, i kërkon Tiranës ti rregulloj makinën, apo ti gjej shtëpi me qira për disa punonjës që ka marr për ndërtimin e një objekti.
SPAK thotë se këto komunikime, konfirmojnë edhe njohjen e mëparshme të Zamira Vyshkës me shtetasin Taulant Ramollari, i cili në skemën korruptive, sipas SPAK ishte një nga personat kryesor bashkë me avokatin Ilir Pashaj.