Erion Alibej, një personazh i njohur i botës së krimit në Elbasan dhe Leonard Palushi, ish shef i hetimit të krimit në këtë qytet, nuk i mohuan asnjëherë kontaktet me njëri-tjetrin përballë SPAK. Ndryshimi i vetëm ishte se njëri duhet të ishte në anën e ligjit . Por shkresat dhe rrëfimet , midis tyre jo vetëm e Alibej por edhe e Nuredin Dumanit zbërthejnë të vërteta që hedhin pikëpyetje jo vetëm ndaj oficerëve të nivelit zbatues, por edhe ndaj të tjerëve që ende nuk janë zbuluar se cfarë roli kishin në marrëdhënie me personazhet e krimit në qytetin e Elbasanit. Dokumentet hetimore që Qendra “FOL” disponon, tregojnë se edhe Palushi, që duhet të ishte një oficer karriere por edhe Alibej që sakaq po “qëronte’ kundërshtarët në krim pohuan se kishin 3 apo 4 takime. Disa prej të cilave ishin zhvilluar në banesën e Alibejt, teksa ai qëndronte në masën e sigurisë “Arrest shtëpie” pasi ishte vetëdorëzuar në vitin 2020.
Megjithëse Gjykata e gjeti fajtor për korrupsion, Palushi këmbënguli para drejtësisë me zë të lartë, se takimet që kishte zhvilluar me Alibejn ishin në kuadër të punës dhe për të ishin në dijeni drejtuesit më të lartë të Policisë të asaj kohe.
“Gjatë kohës që Erion Alibej ishte me arrest shtëpie, kam shkuar për ta takuar rreth 3-4 herë. Në çdo rast ka qenë me dijeninë e eprorëve. Me sa di unë, kanë qënë në dijeni drejtori i Departamentit për Hetimin e Krimeve, Z. Tonin Vocaj, si dhe drejtori i DVP-së Elbasan“, tha Palushi në SPAK. Ai shkon më tej në rrëfimin e tij, teksa pretendon se të dhënat e marra nga Alibej, i ka diskutuar me eprorët dhe madje i është bërë analizë edhe nga Drejtoria e Përgjithshme.
“Mbas çdo takimi me Erion Alibejn, kam diskutuar me eprorët, me drejtorin e DVP-së Elbasan. Informacionet ose të dhënat e marra nga Erion Alibej, janë diskutuar edhe me Drejtuesit e Departamentit për Hetimin e Krimeve në DP të Policisë së Shtetit, për të bërë një analizë të të dhënave“.
Por zyrtarët e policisë kundërshtojnë të kenë patur dijeni për takimet në fjalë dhe dëshmitë e tyre janë administruar nga prokurorët e posacëm, që gjetën me vend të ngrenë akuza e të vënë para përgjegjësisë Palushin. SPAK pranon se ka pyetur edhe Drejtorin e Policisë Kriminale të asaj kohe, Tonin Vocajt, zëvendësdrejtorin e policisë së Elbasanit, Alket Shatro dhe drejtorin e policisë së Elbasanit në atë kohë, Arjan Muça, që këmbëngulin të kundërtën e asaj që rrëfen oficeri Palushi.
Takimet dhe objekti i tyre, që pretendohet se lidheshin me vrasjet që kishin ndodhur në familjen e Alibejt, pranohen edhe nga ky i fundit.
“Në takimet që kam zhvilluar me Leonardin i kam dhënë atij informacione me vlerë në lidhje me personat, vendndodhjet e tyre, përfshirjet e tyre, në ngjarje që më kanë ndodh mua dhe familjarëve të mi“, ka thënë ai.
Alibej gjithashtu, pranoi se i ka bërë dhuratë Leonard Palushit, makinën për të cilën kishte rrëfyer Nuredin Dumani, bashkëpunëtori i drejtësisë, por shton se e ka bërë pasi ndihej mirënjohës ndaj tij, pasi e dëgjonte dhe po hetonte për vrasjen e vëllait të tij.
“Në një takim tjetër që kam bërë me Leonardin, në bisedë e sipër më thotë për makinën e tij që kishte në atë kohë, më thotë që ajo makinë po e lodhte nëpër servise dhe po shikonte të gjente një makinë benzinë që ta kthente në gaz. Mbaj mend që i them Leonardit që gazi është i rrezikshëm, por më tha që i interesonte me gaz për konsum të ulët. Në atë periudhë unë kisha dy makina që i kisha blerë pak kohë mbas ngjarjes së Endritit, mund ti kem blerë në shkurt-mars të vitit 2019. Të dyja makinat ishin Mercedes-Benz, C Class, me motorr 3000 benzin, mesa mbaj mend me vit prodhimi 2009-2011, njëra ishte me ngjyrë të zezë, kurse tjetra kishte ngjyrë mjalti, tip kafe e hapur, dhe me tapiceri ngjyrë bezhë. Të dyja makinat ishin me targa shqiptare të rregullta, por targat nuk ua mbaj mend. Për makinën C Class ngjyrë e zezë nuk e mbaj mend mirë sesi është bërë praktika e dokumenteve në kohën kur e kam blerë apo si është vepruar për ta shitur, por mbaj mend që kjo makinë është shitur në Kavajë, rreth 4000-5000 Euro. Nuk i mbaj mend personat që janë marrë me veprimet e shit-blerjes. Në lidhje me makinë C Class ngjyrë mjalti, mbaj mend që i kam kërkuar Sandër Bahos të më ndihmojë me një përson për arsye të veprimeve noteriale në kohën kur e kam blerë si mjet në fillim të vitit 2019, me qëllim për të patur dokumentacion të rregullt. Në lidhje me veprimet noteriale është marrë Sandër Baho, i cili më shpjegoi që dokumentat ishin në emër të një shoku të Klevi Bahos, vëllait të Sandër Bahos. Emrin e këtij personi që u regjistruar mjeti nuk e di, por di që është nga zonat afër shtëpisë ku banojnë Sandër Baho me prindërit e tij. Pas pak kohësh i kam thënë Leonardit mos kërko makinë se do të të gjej unë një makinë shumë të mirë. Kam komunikuar me Rigers Spahiu, vëllai i kunatit tim, një elektroaut shumi i njohur Elbasan, i cili tek një servis në autostradën Elbasan-Metalurgji, i ka vendosur një impiant gazi benzit c class, me ngjyrë mjalti. Pasi iu vendos impianti i gazit, kam komunikuar me Leonardin, i kam dërguar një foto të makinës dhe i kam thënë e ke gati, dhe me impiant gazi. I kam thënë që po ta dërgoj makinën tek zyra e noter Kevit me celësa brenda, shko e merre atje”, ka rrëfyer Alibej.
Sipas dëshmisë së këtij të fundit ish shefi i krimeve e ka pyetur gjithashtu sa lekë duhet të paguante. “Leonardi, para se të merrte makinën më ka pyetur sa duhej të paguante për makinën dhe kë duhej të paguante. Leonardit i kam thënë se nuk i detyrohesh askujt pasi e ke dhuratë nga unë. Kjo sepse e ndieja veten shumë borxhli ndaj Leonard Palushit, për aq sa kishte bërë në lidhje me veprimet e tij në rastin e arsenalit tek banesa e Ervis Dakës (Drakoviçit)”, ka përfunduar Erion Alibej.
Megjithatë dëshmia e Nuredin Dumani edhe ai bashkëpunëtor i drejtësisë, ka treguar se në një rast Palushi kishte shkuar në shtëpinë e Alibej ( që ishte nën arrest shtëpie) i shoqëruar nga një person tjetër . Të dy ata kishin vajtur në banesën e problematikut “me një makinë Discover të bardhë, dhe mbaj mend se Alibeaj shoqërohej edhe nga një person tjetër. Nëse e shikoj këtë person mund ta njoh”– deklaroi Dumani.
Por teksa SPAK i dha përgjigje korrupsionit të bërë nga Palushi, i cili kishte ndihmuar Alibejn në devijimin e hetimeve që po kryheshin për një vrasje që ai kishte paguar, SPAK nuk e ka gjetur ende se cili ishte personi tjetër që kaloi pragun e banesës së Alibej së bashku me Leonard Palushin.