Një vizitë në nëntokën e Bulqizës të jep ndjesi që vështirë se i harron për shumë kohë. Atje ndjen trishtim dhe ankth, frikë për jetën, merr ndjesinë e klithmave që të duket se kërkojnë ndihmë. Nënat e Bulqizës e ndjejnë këtë frikë e trishtim si askush tjetër. Ditët e një nëne bulqizake kalojnë mes frikës për jetën e bijve në galeri, dhimbjes, trishtimit dhe varfërisë së tejskajshme. Sepse galeria është i vetmi burim jetese në këto anë.
Në këtë dokumentar do të njiheni me historinë e grave të këtij qyteti, të cilat kanë humbur bijtë e tyre dhe janë të detyruara të vazhdojnë të jetojnë me frikën se mund të humbasin djemtë e tjerë që vazhdojnë të punojnë në thellësitë e galerive. Do të gjeni histori minatorësh që rrëfejnë mundimet në thellësinë e tokës dhe kujtimet e trishta për miqtë e tyre minatorë të vdekur në galeri.
Çfarë ndodh pas një aksidenti në galeritë e Bulqizës? Cili është roli i institucioneve të ngarkuara për të kontrolluar kompanitë që menaxhojnë minierat, çfarë i garanton shteti një minatori dhe çfarë ndodh kur një minator kur humb jetën në galeri?!… Cili është roli i prokurorisë dhe si ia dalin të fajësojnë gjithmonë viktimën dhe jo fajtorin për qindra minatorë që mbetën galerive për 30 vjet.
“PAKTI ME VDEKJEN”, historitë e trishta të nënave shamizeza të Bulqizës!, është një dokumentar i financuar në kuadër të projektit Investigative Network Albania (INA), një iniciativë e përbashkët e @QJournalism, @albanianmediainstitute dhe @Qendrafol.al, mbështetur nga @usembassytirana, e cila ka për qëllim rritjen e kapaciteteve të gazetarisë hulumtuese në nivel lokal dhe kombëtar. Për më shumë informacion mbi asistencën financiare në kuadër të kësaj iniciative vizitoni faqen www.ina.media