U dyfishuan psikologët në shkolla, por shërbimi po merret tek ‘privatët’

Ministrja e Arsimit, Evis Kushi njoftoi dyfishimin e psikologëve në shkolla. Por fëmijët dhe të rinjtë me probleme të shtuara gjatë pandemisë, raportohet se po e marrin shërbimin psiko-social privatisht. Një seancë tek psikologu kushton 2000-3000 lekë të reja, ndërkohë që për problematika të tilla mund të duhen deri në 10 seanca trajtim. Franca, një nga shtetet europiane që kufizoi më pak se të tjerët mbylljen e shkollave, sërish raporton një rritje me 40 për qind të rasteve me shqetësime psikologjike për kategorinë 3-17 vjeç. Për t’i ardhur në ndihmë familjeve, presidenti Macron njoftoi se këtë shërbim do ta paguajë shteti.

Më 29 nëntor të vitit të kaluar, ministrja e Arsimit Evis Kushi njoftoi:

“Risia e parë dhe lajmi i mirë është dyfishimi punonjësve psiko-socialë. Jam shumë e lumtur që nesër nuk do kemi një psikolog për tre ose katër shkolla, por për një numër të vogël, për dy shkolla ose për një”.

Shtimi i punonjësve psiko-socialë të cilët kanë qenë në mangësi të vazhdueshme tregohet edhe në grafikun ilustrues të paraqitur nga MASR.

Statusi i Ministres së Arsimit Evis Kushi

Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Ministrisë së Arsimit nëse ka të dhëna për ndikimin që ka shkaktuar te kategoria e nxënësve të sistemit parauniversitar, pandemia Covid-19.

Kërkesë për informacion drejtuar Ministrisë së Arsimit, 4 maj 2021

Ministria e Arsimit ktheu këtë përgjigje:

Bazuar në të dhënat e pyetësorëve rezulton se në sondazh morën pjesë:

• 108 143 nxënës

• 77 761 prindër

Në total për të dy instrumentet janë përfshirë 185 904 persona. Është e rëndësishme të theksohet se sondazhi është administruar tek prindërit e nxënësve të klasave 1-5 dhe tek nxënësit e klasave 6-12, kryesisht në arsimin rofes sondazhi nuk është aplikuar tek arsimi parashkollor dhe arsimi rofessional. Nga analiza e gjetjeve kryesore, ajo që vihet re është se një numër I konsiderueshëm I nxënësve të klasave kanë shprehur shqetësimin se ata vetë ose familjarë të tyre mund të preken nga COVID-19 (sipas të dhënave të pyetësorit rreth 40 për qind e nxënësve në klasat 1-5 dhe 55 për qind e nxënësve ne klasat 6-12) por vetem 9 për qind e tyre e shprehin gjithmonë këtë shqetësim.

Sondazhi I zhvilluar nga MASR

Shpesh një faktor me shumë ndikim në vështirësinë për t’u përqendruar në një aktivitet apo për të organizuar ditën, është veprimtaria në rrjetet sociale dhe 76 për qind e nxënësve në klasat 6-12 janë shprehur se janë gjatë gjithë kohës duke ndjekur lajme apo postime të ndryshme rreth përhapjes së sëmundjes në Shqipëri dhe në vende të ndryshme. Rreth 22 për qind e prindërve janë shprehur se gjatë dy javëve të para të distancimit social fëmijët e tyre kanë patur vështirësi për të fjetur. Edhe pse modernizimi i shoqërisë e ka ndryshuar mënyrën e jetesës së shumë familjeve shqiptare, të dhënat e mbledhura nga ky pyetësor treguan së familja në Shqipëri është ende një bërthamë e fortë me anëtarë aktiv që e kuptojnë dhe e ndjejnë pjesën e tyre të detyrimeve në familje. Edhe pse në një situatë të vështirë, shumë nxënës të klasave 6-12 (përkatësisht 85 për qind) janë shprehur se krahas mësimeve, kontribuojnë edhe në angazhime dhe detyra familjare. Një mundësi alternative kjo për të rritur larmishmërinë e veprimtarive brenda shtëpisë.

Gjendja psiko-emocionale e komuniteteve të përfshira është monitoruar vetëm për periudhën dyjavore para plotësimit të pyetësorit, ky studim nuk përpiqet të japë një panoramë për gjendjen e nxënësve në përgjithësi, por kufizohet vetëm në periudhën e izolimit dhe distancimit social.

Edhe nëse e marrim të mirëqenë dyfishimin e numrit të psikologëve në shkolla, marrja e shërbimeve prej tyre ka qenë e pamunudur, pasi shkollat kanë qenë të mbyllura prej pandemisë. Pikërisht mbyllja e shkollave dhe kufizime të tjera që solli pandemia, ndikuan qoftë edhe indirekt në shtimin e konsiderueshëm të fëmijëve në moshë shkollor me probleme psikologjike, thuhet në përgjigjen e MASR.

Shqetësimet psiko-sociale dyfishojnë terapitë tek psikologët

Komuniteti i prindërve dhe mësuesve është i pari që është përballur me një rritje të numrit të fëmijëve në moshë shkollore me shqetësime të tilla si shpërqendrimi, pasiviteti, neglizhimi i të mësuarit apo edhe ankthi, vetizolimi apo probleme të tjera të karakterit psikisocial.

Faktoje ka komunikuar me mësues, nxënës dhe prindër për të parë sesi e kanë kaluar këtë periudhe kufizimi, situatë e cila I ka penguar në shumë aktivitete por edhe në konsultimin me psikologun që ofron shkolla.

P.A mësuesë në qytetin e Laçit thotë për Faktoje:

“Duke qenë se ne i kemi ndryshuar skemat e mësimit 3 herë, ky ka qenë një çorientim total i fëmijeve. Sapo ata mësoheshin me një mënyrë mësimi, direkt ndryshonte. Për të mos folur për mësimin e kombinuar. Ai ishtë largim total nga shkolla dhe mësimet dhe tani në fund, kthimi në shkollë tregon se çfarë është bërë ndërkohë që edhe pse një vit shkollor iku pa asnjë rezultat. Fëmijet, të gjithë pa përjashtim edhe nxënësit e dalluar janë të shpërqendruar”.

Mamaja e një djali gjimnazist në Tiranë thotë e shqetësuar:

“Unë kam djalin tim në klasën e 10, gjatë këtij viti kemi pasur shumë probleme për sa i përket përqendrimit të tij në mësime apo dhe komunikimin me ne. Frika e pandemisë, distancimi, mësimi online dhe i kombinuar ndikoi negativisht tek djalin dhe bashkëmoshatarët e tij. Edhe pse ka psikologe në shkolle, ne u detyruam të marrim privatisht një psikolog. Duam shumë të mbarojë kjo situatë dhe t’i kthehemi normalitetit”. – tha ajo për Faktoje.

Psikologja Milena Turtulli Bregu e pyetur nga Faktoje, konfirmon një rritje të numrit të vizitave për fëmijët, sidomos gjatë pandemisë.

“Në punën time me moshat e vogla, deri në vitet e treta të shkollës se mesme, është vënë re një shtim i problematikave që kanë lidhje me ankthin, ataket e panikut, gjumi i shqetësuar, gjumi i munguar, probleme me oreksin, probleme me menaxhimin e zemërimit. Dyfishimi sa vjen edhe rritet, që me renien e termetit i cili ishte shkaku i parë më pas pandemia kanë bërë që kërkesat nga prindërit për femijet e tyre te rriten me ritme të shpejta. Shpesh herë kam hasur raste të fëmijëve me mendime negative për veten, rënie të vetëvlersimit, mendime negative të vazhdueshme në raport me vetëdemtimin, luhatje shumë të forta të humorit, çka shqetësojnë fëmijën vetë, adoleshintin dhe familjarët e tyre.

Prindërit afrohen me psikologun për të kërkuar ndihmë, fëmijet vetë kërkojnë ndihmë psikologëve të shkollave. Gjatë këtij viti pandemie mësimi online, mbyllja në shtëpi, ndërprerja e aktiviteteve sociale sigurisht nuk kanë ndikuar për mirë në këtë grupmoshe, e cila e ka të domosdoshme shkarkimin e energjive në një mënyrë të shendetshme.”– shprehet psikologia.

Ne u interesuam edhe për çmimin kundrejt të cilit ofrohet shërbimi psikologjik. Një seancë, sipas prindit të një djali adoleshent që nuk pranoi të identifkohej, tha se paguan 2000-3000 lekë për një seancë. Terapia e këshilluar për të përfshin 10 seanca, ose 20 000 deri në 30 000 mijë lekë, çmim që e konfirmojnë edhe psikologë në Tiranë që ofrojnë këtë shërbim.

“Është shërbim që kushton, por që do ta paguaj për të mirën dhe normalizimin e gjendjes së fëmijës” – thotë mamaja e një 16 vjeçari që prej pak kohësh ka nisur terapinë tek një psikolog privat.

Rritje shqetësuese e numrit të fëmijëve që kanë shfaqur probleme psikologjike, në shumë raste edhe të rënda, raportohen edhe në Francë, ndonëse është ndër shtetet që kufizoi në minimum mbylljen e shkollave gjatë pandemisë.

Disa javë më parë presidenti i Francës Emanuel Macron në një intërvistë televizive shprehu shqetësimin për ndikimin negativ që ka shkaktuar pandemia tek fëmijët në aspektin psikosocial, pasi u raportua se në grupmshat 3-17 vjeç raportohej rritje me 40 për qind e rasteve me probleme të këtij karakeri. Për këtë arsye Macron njoftoi se për rastet e tilla, të çertifikuara nga mjeku, shteti do të paguajë terapinë prej 10 seancash për secilin rast të cilët kanë kërkuar ndihmën e psikologut, nga kriza e shkaktuar. Kjo është një këmbanë alarmante për brezin e ri, të cilët nuk janë goditur drejtpërdrejt nga pandemia, por që janë prekur më shumë se të gjithë të tjerët.

Pavarësisht rrezikut nga pandemia qeveria franceze ka insistuar të mbajë hapur shkollat me arsyetimin se mësimdhënia në distancë nuk është produktive dhe krijon probleme edhe në formimin e grupmoshës shkollore.

Shqipëria, e cila përballet me probleme të theksuara qoftë në teknologjinë e mësimit në distancë apo varfëri pritet të ketë pasoja të konsiderueshme në formimin e brezave që u përballën me pasojat e pandemisë edhe në arsim.

*Ky shkrim është një produkt i Qendrës Faktoje!, zbatues të projekteve të financuara në kuadër të programit Investigative Network Albania (INA), një iniciativë e përbashkët e Qendrës Shqiptare për Gazetari Cilësore, Institutit Shqiptar të Medias dhe Qendrës FOL, mbështetur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, e cila ka për qëllim rritjen e kapaciteteve të gazetarisë hulumtuese në nivel lokal dhe kombëtar. Për më shumë informacion mbi asistencën financiare në kuadër të kësaj iniciative vizitoni faqen www.ina.media

SHARE THIS POST

Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin

RELATED POSTS