Shkeljet dhe abuzimet nuk mungojnë as në institucionet e reja të drejtësisë. Një kallëzim i Këshillit të Lartë të Prokurorisë për Drejtorin e Përgjithshëm të Shërbimeve Mbështetëse i identifikuar si shtetasi F.D. shkoi në gjykim në Gjykatën e Tiranës me akuzën e vjedhjes duke shpërdoruar detyrën.
Në dokumentet që qendra “Fol” disponon në kuadër të procesit të monitorimit, procesi gjyqësor ende nuk ka prodhuar një vendim, ndërsa Prokuroria pas hetimeve të kryera pretendon se F.D., në kushtet kur deri në shtator të 2019-ës ka qenë në administratën e KLP i vetëm pasi ende nuk kishte nisur rekrutimi i stafit, nuk ka kryer detyrën konform ligjit, duke e shpërdoruar atë dhe mos mbajtur asnjë faturë për shërbimet dhe objektet e blera, si dhe duke mos shënuar në asnjë rast në procesverbale veprimet ekonomike që janë kryer.
Sipas të dhënave shkeljet konsistojnë në shpërdorimin e tollonave të naftës, blerjet e të cilave janë bërë me firmën e shtetasit F.D., por në shkelje me parashikimet ligjore, në një kohë që nuk kishte autorizim për lëvizje të mjeteve nga KLP dhe nuk është evidentuar në asnjë rast konsumi dhe shpërndarja e 5800 litrave naftë.
Gjithashtu, nga KLP me shkresa të firmosura nga F.D. janë tërhequr në kundërshtim me ligjin në vitin 2020, në formën e tollonave edhe 3700 litra naftë, kur në bazë të një vendimi të Këshillit të Ministrave administrimi i karburantit do të bëhet vetëm nëpërmjet një karte elektronike personale për secilën makinë të KLP.
Një tjetër shkelje e gjetur nga hetimet është edhe mosinventarizimi dhe marrja mase për ruajtjen e disa mjeteve të dhuruara nga Ambasada Amerikane për punën e KLP. I vetmi dokument që ekziston pranë Këshillit për këto objekte është vetëm memo e marrëveshjes, mes KLP-së dhe Ambasadës, ndërsa detyra e F.D. ishte inventarizimi dhe ruajtja e këtyre objekteve që konsistojnë në 2 kompjutera, 2 monitorë dhe disa pajisje të tjera elektronike që kapnin vlerën e 550 242 lekë.
Këto pajisje nuk janë gjendur dhe nuk dihet nëse janë marrë nga I pandehuri, por sipas Prokurorisë që ka ngritur dyshimet për vjedhje duke shpërdoruar detyrën, ish zyrtari i KLP me veprimet dhe mosveprimet e tij përgjatë muajve të punës ka konsumuar veprën penale.