Si u rilicensua “Regency Casino” me një prej pronarëve mashtruesin e skemës “Gulf”

Autor: Ola Xama – Medialook

Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojrave të Fatit licencoi në shkelje të ligjit Regency Casino, ndërsa ndalimi që parashikon ligji i ri i lojrave të fatit nuk po frenon vendosjen e vrrullshme të kazinove në hotelet me 5 yje në qendër të kryeqytetit. Aksioni “Fundi i marrëzisë” nuk zbehu fenomenin e bixhozit, por duket se i ka shërbyer operatorëve të vjetër më të fuqishëm për të kontrolluar një treg që gjeneron nga 150-200 mln $ në vit. 

Ishte fundi i vitit 2018-të kur kryeministri Edi Rama zyrtarizoi në Kuvend luftën e shpallur që në fillim të mandatit të tij të parë ndaj sektorit të bixhozit. Kontrolli i kazinove elektronike dhe i pikave të bastit nisi në vitin 2013 si “fundi i marrëzisë”, për të vijuar më pas me punën për hartimin e një kuadri tërësisht të ri ligjor, zbatimi i të cilit u shty disa herë, derisa në fund të vitit 2018-të qeveria mori një vendim drastik: Të mbyllë tërësisht pikat e basteve dhe kazinotë!

Për të mbështetur këtë masë radikale në opinionin publik u përdor argumenti i “plagëve të rënda sociale që kishte shkaktuar ky sektor në shoqërinë shqiptare”. Vetë kryeministri Rama tha se nuk do të lejohej licensimi i asnjë kazinoje, me përjashtim të atyre që do të vendoseshin jashtë qyteteve, në zonat turistike për investitorët e hoteleve me 5 yje:

Nuk ka asnjë spostim në periferi, kazinotë do të jenë të mundura vetëm për hotelet apo resortet me 5 yje në zonat e definuara me vendim të qeverisë dhe të gjithë autoriteteve përkatëse të planifikimit të territorit si “zona turistike”. T’a përshpejtojmë procedurën, që sa më shpejt të mbyllet ky film dhe sa më shpejt në shtëpitë e shqiptarëve të shkojë mesazhi që ky film u mbyll!”,- deklaronte Edi Rama.

Por ndryshe nga kjo panoramë, Tirana sot ofron një realitet tjetër! Në zemër të kryeqytetit, kazinotë jo vetëm që po licensohen por ato nuk ka mundur ti ndalë as pandemia, sikurse ndodhi në shumë qytete evropiane.

Grand Casino Tirana e vendosur pranë Hotel Maritim Plaza sot funksionon edhe si një zonë lirie, ku përveç lojës mund të gjesh dhe ambientin festiv, një tabu kjo për shumë qytetarë që respektojnë masat e marra në kuadër të luftës ndaj Covid-19. Njerëz të moshave të ndryshme, duket se përveç dëshirës për të provuar fatin e tyre në lojërat që ofrojnë sallat me makina elektronike dhe tavolina loje, kanë një dritare ku mund të shijojnë ndopak dhe jetën e munguar të natës, mes pijeve dhe muzikës.

Fotot e marra ne Instagramin e Grand Casino Tirana mbi eventin e dt.30.04.2021

Për Profesor Arben Malaj, President i Institutit për Politika Publike dhe Mirëqeverisje kjo që po ndodh konfirmon një deformim të konkurrencës në tregun shqiptar. “Është një provë më shumë që po fuqizohen disa individë në mënyra të ndryshme në sferën publike, private, në fushën e kazinove, në lojërat e fatit, duke u përjashtuar nga rregullat e përgjithshme të shoqërisë tonë dhe me shkelje flagarante të rregullave të pandemisë”.

Sipas Malaj kjo tregon “se kemi një përqëndrim të pushtetit ekonomik në pak duar dhe kemi përqëndrim të pushtetit ekonomik për ndikime politike dhe keqpërdorimin nga politika të biznesit në dëm të konkurrencës, ekonomisë dhe demokracisë së vendit”

Pa ofertues të tjerë dhe në kohë rekord: Si u rilicensua me 10 vite “Regency Casino”

Një liçensë e fituar në vitin 2005 për një kohëzgjatje 15-vjecare, lejoi që Regency Casino të ishte e vetmja që ushtroi aktivitet në këtë fushë gjatë vitit 2019 dhe gjysmës së vitit 2020, gjatë periudhës së moratorumit që vendosi ligji i ri i lojërave të fatit. Përmes një gare të zhvilluar nga Ministria e Financave në ato vite, rezultoi fituese oferta e kompanisë “Hyat Regency Hotels and Tourism” me 51% të kapitalit dhe “Taiwan” me 49% të aksioneve. Oferta e këtij konsorciumi mes biznesit grek të kombinuar me kompaninë që zotërohej në një pjesë të konsiderueshme të aksioneve nga Besnik Sulaj, dominoi mbi ofertat e tjera.

Kur është dhënë licensa e parë që u shit në atë kohë, diskutohej veçanërisht mbi kriteret ligjore”, – kujton juristi Jordan Daci, i cili ka punuar në atë kohë si specialist pranë Ministrisë së Financave. Ai tregon, se mes disa kompanive në garë, konkurroi dhe një kompani nga Las Vegasi e cila propozoi një sistem tërësisht online: “Ajo çfarë e ndante këtë kompani nga të tjerat ishte se sikurse ndodh në të gjithë vendet e zhvilluara, çdo pajisje elektronike do lidhej online me Ministrinë e Financave dhe kontrollohej çdo qindrakë e xhiros në mënyrë automatike, pa patur nevojë për inspektorë atje, ndërsa sheh se sa përqind e asaj që luhet i kthehet lojtarit.”

Por duket se kjo ofertë ka qenë e parakohshme, pasi ende sot e kësaj dite për lojërat e fatit kemi një monitorim sistemi online të pjesshëm, i cili nuk pasqyron xhiron që luhet në sallat e lojës jo elektronike.

Licensa i kushtoi kompanisë “Regency Casino” në atë kohë 10 milion dollarë, shumë e cila është e njëjtë me koston e saj në ligjin e ri, por për një periudhë dhjetë vjecare për kazinotë që operojnë në zonat me rëndësi kombëtare dhe 700 mijë USD për ato që licensohen në hotele me 5 yje.

Juristi Daci shton se krahas garës së hapur në atë kohë, ku pati shumë oferta, paratë e licensës janë derdhur menjëherë në buxhetin e shtetit. Ndërkaq, sot, udhëzimi për taksat kombëtare taton në mënyrë përpjestimore taksën kombëtare të licensimit në këtë fushë. Gjatë vitit të rifitimit të licensës, “Regency Casino” ka paguar 229 mijë dollarë për periudhën tetor-dhjetor 2020 dhe 1 milion dollarë janë derdhur në datën 25 janar 2021 për të paguar tarifën e këtij viti.

Por viti 2019-ë duket se nuk ishte i vështirë për dy kompanitë e vetme të mbetura në tregun e lojërave të fatit: Regency Casino dhe Lotaria Kombëtare. Sipas të dhënave të siguruara përmes një kërkese për informacion pranë Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit ky treg kapi vlerën e 200 milion dollarëve, duke u rritur me 37 milion dollarë krahasuar me 2018-ën. Torta e kësaj xhiro ndahet në 6.5 milion dollarë për Llotarinë Kombëtare dhe 193.5 milion për “Regency Casino”, duke sjellë 15 fishim të të ardhurave për këtë të fundit.

Por pavarësisht rezultatit të mirë financiar, kjo nuk i ndali pronarët e Regency Casino, që të kërkonin shtyrje me disa muaj të licensës vitin që shkoi, si pasojë e dëmeve që iu shkaktua shoqërisë nga bllokimi i aktivitetit gjatë pandemisë së Covid-19 në gjysmën e marsit deri në muajin maj.

Të dhënat e siguruara nga Medialook tregojnë se me përjashtim të periudhës së masave kufizuese, aktiviteti i “Regency Casino” nuk është ndalur, ndërsa vetë Ministria e Financave i ka shtyrë periudhën e aktivitetit në fushën e lojërave të fatit, edhe pas mbarimit të afatit të licensimit.

Regency Casino e ka mbështetur kërkesën në uljen e të ardhurave gjatë periudhës së mbylljes së aktivitetit ekonomik për shkak të masave kufizuese të pandemisë, argumentim i cili është gjetur i arsyeshëm nga zyrtarët e Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, të cilët i kanë rekomanduar ministres Anila Denaj shtyrjen e afatit deri në fund të muajit shtator.

Parimi i shtetit të së drejtës dhe sigurisë juridike parakupton veç të tjerash besueshmërinë e qytetarëve tek shteti dhe pandryshueshmërinë e ligjit për marrëdhëniet e rregulluara, ligji nuk mund të përkeqësojë në mënyrë të paarsyeshme gjendjen ligjore të personave, të mohojë të drejtat e fituara ose të shpërfillë interesat legjitime të tyre”, – thuhet në shkresën e Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit drejtuar ministres së Financave. Ky arsyetim është konstatuar i drejtë nga ministrja Denaj, e cila dhe ka firmosur shtyrjen. (Shkarko faksimilen)

Vetëm disa javë përpara përfundimit të shtyrjes së afatit të licencës, Këshilli i Ministrave miraton me dy vite vonesë vendimin për përcaktimin e zonave me rëndësi kombëtare për dhënien e licensës kazino në kryeqytet, zonë e cila rrethon perimetrin ku ndodhet “Kompleksi Taiwan”, dhe kriteret për garën që do të licensojë subjektin në këtë kategori.

 

Më 22 shtator Autoriteti i Mbikëqyjres së Lojërave të Fatit hapi garën për dhënien e licensës në kategorinë “kazino” e cila rezultoi të kishte vetëm një ofertues, “Regency Casino” dhe 3 ditë pas shqyrtimit të ofertës, licensa për ushtrimin e veprimtarisë kazino për 10 vjet u firmos nga drejtori i Agjencisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, Zhani Çakulli.
Mashtruesi i skemës “Gulf” një nga pronarët e kazinosë së rilicensuar

Edhe pse ligji i lojërave të fatit ndalon licensimin e subjekteve me ortakë të dënuar penalisht ose që janë në ndjekje penale në fushën e krimit financiar dhe bizneseve të cilët kanë pronarë debitorë ndaj institucioneve shtetërore, të dhënat e siguruara nga Medialook tregojnë se Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit ka licensuar “Regency Casino” në një kohë kur ajo ka patur aksioner të një prej shoqërive të subjektit aplikues Albano Alikon, të njohur në Shqipëri për skemën e mashtrimit me tollonat e naftës “Gulf”.

Albano Aliko rezulton të jetë dënuar nga Gjykata e Tiranës më 25 mars 2021 me 4 vjet heqje lirie, të reduktuar në 2 vjet e 8 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar, ndërsa gjatë periudhës së licensimit të “Regency Casino”, ai ka qenë me masë sigurimi “arrest me burg”, dhënë me vendimin nr. 830, dt. 10.05.2018 të Gjykatës së Tiranës, pasi hetohej nga prokuroria për veprën e mashtrimit “vjedhje e pasurisë me anën e gënjeshtrës ose shpërdorimit të besimit e kryer më shumë se njëherë”:

Rezulton e provuar se i pandehuri A.A ka paraqitur fakte të rreme, konkretisht duke shitur tollona nafte, duke krijuar tek blerësit bindjen se mbi bazën e tyre ata do të mundeshin të blinin sasitë përkatëse të naftës, duke fshehur nga blerësit e tollonave faktin se shoqëria nuk kishte sasi nafte gjendje.”, – thuhet në vendimin e marrë nga gjyqtari Besnik Hoxha, të cilin MediaLook e disponon.

Gjykata ka faktuar se janë 20 biznese të mashtruar përmes shitjes së tollonave të naftës, ndërsa vlera e dëmit llogaritet në 140 mijë dollarë, pa llogaritur dhe arritur të faktojë dëmin real me kuponët e shitur ndaj qytetarëve.

Gjatë kohës së hetimit ka rezultuar se të mashtruar nga skema “Gulf” kanë qenë edhe autoritete publike si Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe Inspektorati Qendror pranë Kryeministrisë.

Të dhënat e Qendrës Kombëtare të Biznesit tregojnë se Albano Aliko ka 5% të aksioneve të kompleksit “Taiwan”, i cili zë 22% të kapitalit të “Regency Casino”. Aliko rezulton prej vitesh i lidhur në marrëdhënie biznesi me vëllezërit Sulaj, të cilët kanë 90% të aksioneve të “Taiwan Park Center” e cila zotëron plotësisht kompaninë “Gaming Invest”, të dy këto shoqëri bashkë “Taiwan” kanë aksionet e “Regency Casino”.

I pyetur nga Medialook për licensimin e “Regency Casino”, Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit u përgjigj se “Në momentin e pajisjes me leje ushtrimi aktiviteti (Licensë), për të gjithë aksionarët e shoqërisë “Regency Casino” sh. a., janë depozituar vërtetime që nuk janë në ndjekje penale dhe dëshmi penaliteti. Në dokumentacionin e depozituar nuk është konstatuar që janë në ndjekje penale apo dënime.

Por ndërsa në dosjen e aplikimit, subjektet juridike figurojnë të pastra, ligji nr.155/2015 “Për lojërat e fatit” në nenin 36/6 pika “a” detyron AMFL-në që të marrë “dokumente shkresore për të provuar të dhëna për aksionarët e shoqërisë dhe pronarët përfitues” me qëllim zbulimin e individit fundor që përfiton nga kjo licencë. Por pavarësisht se AMFL-ja është njohur me faktin se një prej pronarëve përfitues, konkretisht ai i shoqërisë “Taiwan” është aksioneri Albano Aliko, i njohur botërisht për skemën e mashtrimit “Gulf”, përsëri ka vendosur licensimin me 10 vite të “Regency Casino”.

Mbi vendimin e këtij autoriteti ngrihen akoma më shumë pikëpyetje, kur i njëjti nen për licensimin e subjekteve në pikën “ç” të tij, në rastet kur shoqëria ka aksionerë individë, kërkon detyrimisht një vërtetim se “aksionerët e shoqërisë nuk janë në ndjekje penale“, vecanërisht në fushën e “krimit ekonomik, evazionit, vjedhjes.,” ku përfshihet dhe aksioneri i shoqërisë “Taiwan”, i dënuar me vendim gjykate.

Rasti i aksionerit Aliko, nuk është i vetmi që Komisioni i Vlerësimit të Ofertave ka anashkaluar gjatë shqyrtimit të aplikimit për “Regency Casino”.

Ligji për lojërat e fatit ndalon licensimin e subjekteve që kanë ortakë, përfaqësues ligjorë ose anëtarë të organeve drejtuese, subjekte që rezultojnë debitorë ndaj institucioneve shtetërore.

Përmes hulumtimit të të dhënave, Medialook ka arritur të gjejë se të paktën 1 anëtar i Këshillit Drejtues të kompanisë Trading Petrol & Drilling, Adrian Selenica, është dhe anëtar i Këshillit Drejtues të “Regency Casino”, ndërsa anëtari i bordit të kompanisë TPD, Mitat Sulaj ka mbajtur deri më qershor të 2019-s postin e administratorit të “Regency Casino”.

Kompania TPD klasifikohet si një nga kompanitë më të mëdha debitore në Shqipëri ku në bazë të një raporti të Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë në fund të vitit 2015, vit i cili është i fundit që ka dorëzuar bilanc kontabël, rezulton të ketë 55.2 milion dollarë borxhe. “Borxhet ndaj bankave janë 8.7 milion USD. Borxhet ndaj furnitorëve përfshirë edhe detyrimet fiskale (ndaj tatimeve dhe doganave) arrijnë 46.4 milion USD, ku 44.8 milion USD janë ndaj furnitorëve dhe 1.58 milion USD janë ndaj tatimeve e punonjësve.” thuhet në raport. Që prej dorëzimit të këtij bilanci, ndaj shoqërisë TPD kanë vërshuar urdhrat e sekuestros, përfshirë dhe një për detyrime të papaguara nga Drejtoria e Tatimpaguesve të Mëdhenj dhe një nga Inspektorati Shtetëror Teknik.

Aplikimi për licensë, bëri që pas 8 vjetësh subjekti Taiwan të paguajë debinë që kishte pranë bankës “Alpha”, detyrim i cili kishte vendosur nën sekuestro që në gusht të vitit 2012 22% të kuotave që kompleksi Taiwan ka pranë Regency Casino.

Më datën 10 tetor 2020, 20 ditë pas hapjes së garës për dhënien e licencës kombëtare “kazino”, është bërë pagesa e detyrimit që Taiwan kishte ndaj Alpha Bank, ndërsa përmbaruesi ka hequr dhe urdhrin e sekuestros duke përmbushur kërkesën ligjore për licensimin e subjekteve në këtë fushë.

Çdo licensë duhet t’i nënshtrohet rregullave të prokurimit publik, kjo është fryma e ekonomisë së tregut. Prokurimi publik si ligj në vetvete ka si kusht që të mos ketë subjekte që ndiqen penalisht”, – thekson juristi Jordan Daci, ndërsa shton se “nuk duhet të kemi elementë të botës kriminale që hyjnë në këtë proces, sidomos në fushën e lojërave të fatit e cila ka një risk të shtuar sa i takon pastrimit të parave të pista.

Ndërsa Profesor Malaj kërkon një kontroll më të fortë të shtetit, veçanërisht në zbatimin e kritereve të licensimit në këtë sektor: “Vetëm para disa ditësh një nga bankat në Holandë është penalizuar nga autoritetet përkatëse për pastrim parash për një shumë parash që shkon në 486 milion euro. Në vendet me institucione të forta shkeljet penalizohen, ne nuk kemi ndonjë rast konkret që një institucion licensues ose një institucion financiar apo bankar të jetë penalizuar për pastrim parash apo për shkelje të kritereve strikte të licensimit në fushën e kazinove apo aktiviteteve të tjera, të cilat me ligj janë të mbikëqyrura nga shteti. Jo më kot tregje specifike janë të mbikëqyrura, dhe jo të gjithë tregjet kanë nevojë për kontroll, por pjesë të veçanta duhet të kenë monitorim pasi mund të dëmtojnë interesat publike dhe ato të konsumatorit final.”  – përfundon ai.

Rikthimi i lojërave të fatit

Në ndryshimet që mazhoranca socialiste i bëri ligjit të lojërave të fatit në vitin 2018, vendosi një objektiv të ri: Parandalimin e varësisë ndaj lojërave të fatit, basteve dhe krijimin e kushteve të përshtatshme për një luftë efektive kundër kësaj varësie.

Ky ishte viti i fundit që në Shqipëri u lejua të luhen baste sportive, bingo, kazino elektronike dhe gara në pistë. Ndryshimet lanë të hapur rrugën vetëm për licensimin e kazinove dhe resort kazinove të cilat do të vendoseshin në zonat me rëndësi kombëtare ose hotele me 5 yje. Në kuptimin e ligjit zona me rëndësi kombëtare konsiderohen “zonat turistike, të cilave, sipas ligjit përkatës të turizmit dhe projekteve të zhvillimit, u është dhënë përparësi zhvillimi dhe investimi në fushën e turizmit”.

Por gjatë rrugës, në kohën që dhjetëra biznese u mbyllën me synimin që të mos lejohej bixhozi brenda në qytet, të vetmet kazino të licensuara sot janë në qendër të Tiranës: “Regency Casino” dhe “Grand Casino Tirana” pranë Hotel Maritim Plaza, ndërsa pritet edhe aplikimi për një licensë të re nga Hyatt Hotel i njohur si ish-Sheraton dhe Marriott International Hotel pranë stadiumit “Air Albania”. Asnjë prej këtyre licensave nuk kanë si vendndodhje lokacione turistike.

Licensa e parë e dhënë për ushtrimin e një aktiviteti në fushën e lojërave të fatit pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri që ndaloi bixhozin, është ajo e Hotel Maritim Plazza-s, leje e firmosur disa ditë pas përfundimit të masave drastike kufizuese të pandemisë së Covid-19 në maj të vitit 2020-ë.

Burime për MediaLook tregojnë se përveç emergjencës që pati procesi për një licensë të firmosur gjatë kulmit të krizës së pandemisë, vendimi i komisionit që propozoi miratimin e aplikimit është bërë në mungesë të bazës ligjore, pasi ligji kërkon domosdoshmërisht nxjerrjen e një akti zbatues që të tregojë mënyrën se si aplikohet, kriteret për të licensuarit dhe mënyrën e miratimit të licensës.

Ligji për lojërat e fatit detajon mënyrën se si jepet licensa për kategoritë Kazino dhe Resort Kazino, por jo për kazinotë që ushtrojnë aktivitet në hotelet me 5 yje. “Një hotel i klasifikuar sipas institucioneve përgjegjëse klasifikohet automatikisht si subjekt që mund të marrë licensë kazinoje.” thuhet në ligj, por që kjo të arrihet duhet të përcaktohet me një procedurë se si do të bëhet aplikimi dhe shqyrtimi i dokumentacionit.

Në një përgjigje për Medialook, Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit mohon nevojën e publikimit të një vendimi të Këshillit të Ministrave për mënyrën e pajisjes me licensë kazinotë në hotelet me 5 yje: “Përsa i përket vendimit të Këshillit të Ministrave në lidhje me licensimin e lojërave të fatit në kategorinë “Kazino të vendosura ne Hotele me 5 yje” ju bëjmë me dije se ligji nuk ka autorizuar Këshillin e Ministrave të nxjerrë një vendim të tillë.” thuhet në përgjigje të interesimit tonë.

Ndryshe nga pretendimet e AMLF, një projektvendim i cili qarkulloi për mendim në disa ministri përpara se të depozitohej në Këshill të Ministrave për t’u miratuar, pranon ekzistencën e një kapitulli shtesë i cili detajon mënyrën si bëhet licensimi për kazinotë që vendosen në këto hotele. (shkarko faksimile)

“Kreu V ka përcaktuar procedurën për pajisjen me licensë për kazino në hotel me 5 yje, ku duhet të ketë një kontratë marrëveshje të aplikanitit me kohëzgjatje minimale sa afati i licencës”, – thuhet në relacionin e këtij projektvendimi, i cili nuk arriti që të merrte miratim final nga Këshilli i Ministrave.

Edhe nëse ka hapësirë boshe në ligj është mirë të plotësohet, por dhe mungesa e këtij duhet të çojë që vendimet zbatuese të ligjit të plotësojnë këtë hapësirë që ka mbetur bosh.”, – shpjegon juristi Daci.

Duke interpretuar ligjin Daci argumenton se “licensimi i hoteleve me 5 yje që ishte një risi e asaj kohe nuk nënkuptonte licensim automatik, se nëse marrim ligjin e lejeve dhe licensave nuk mund të ketë licensim automatik në heshtje”.

Në vijim të kësaj analize, ai shton se “kazinoja është një aktivitet që ka risk të lartë në disa sektorë, si pastrimi i parave, financimi i terrorizmit apo dhe aktivitete të tjera të paligjshme të karakterit financiar.” Për këtë arsye juristi evidenton se kjo lloj veprimtarie nuk mund të ushtrohet në mënyrë autonome: “Ne kemi pika këmbimi valutor dhe sa kritere mbikëqyrje ka e sa sisteme mbikëqyrje ka! Imagjinoni kazinonë që mund të ketë dhjetëra sisteme exchange brenda, sa i përket shumave që xhiron. Kjo lloj veprimtarie nuk mund të imagjinohet të zhvillohet në mënyrë të pakontrolluar, dhe hallka e parë është licensimi ndërsa çështja e parë është pastërtia e pronarëve.”, – përfundon Daci.

Kazino të reja me aktorët dominues të tregut të vjetër!

Të dhënat publike në Qendrën Kombëtare të Biznesit tregojnë se shoqëria Adria Entertainment e cila u licensua 1 vit më parë në ushtrimin e veprimtarisë kazino pranë ambienteve të Hotel Maritim Plazza, nuk rezulton që të ketë pronarë të hotelit aksionerë të saj. Vetë hoteli zotërohet nga Agna Group dhe Tirana Development Hotel me përfitues fundorë Vasil dhe Aleksandër Naçi, Kosta Sotiri dhe Behar Male.

Kompania Adria ka operuar edhe më parë në fushën e lojërave të fatit dhe ka qënë një prej bizneseve të penalizuara nga mbyllja e tregut të bixhozit. Aktiviteti i saj daton që në vitin 2010, ndërsa sot kapitalin e saj e zotërojnë 3 kompani të cilat po ashtu kanë operuar më parë në Shqipëri dhe janë penalizuar nga ligji i mbylljes. Deri në vitin 2019-ë emri i subjektit ishte Apex-Al, ndërsa më vonë u ndryshua në Adria Entertainment. Që prej këtij viti, kompanisë iu shtuan edhe aksionerët Green Line Holding, WSI dhe SIG Holding, të cilat po ashtu kanë ushtruar më parë aktivitet në fushën e lojërave të fatit.

Gjatë këtij viti një nga sipërmarrjet që ka patur një peshë të konsiderueshme në tregun e kazinove elektronike, VLT Albania, u bë pjesë e Adria Entertainment përmes procedurës së bashkimit në përthithje. Xhiro e Apex-Al dhe VLT Albania në vitin 2018 ishte 34 milion dollarë, dukë zënë 20% të tregut të lojërave të fatit.

Një ish-zyrtar i lartë në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë i cili foli në kushtet e anonimatit, tha se gjatë kohës së hartimit të ligjit të ri, futja e konceptit të kazinove në hotele me 5 yje u sponsorizua nga vetë pjesëmarrës të tregut të lojërave të fatit, të cilëve u interesonte ulja e numrit të kompanive në këtë fushë dhe rimodelimi i tregut: “Si nisi ideja e ushtrimit të aktivitetit kazino në hotele me 5yje? Ishin pikërisht këto biznese që kërkuan ngushtimin e tregut me qëllim ndarjen e një pjese më të madhe në tortën e parave që luhen dhe mbylljen e më të vegjëlve. Ata madje ishin të interesuar edhe të financonin në ndërtimin e këtyre strukturave akomoduese me 5 yje.”, – tha burimi.

Ky fakt përforcohet edhe nga juristi Daci i cili ka qënë këshilltar ligjor në Ministrinë e Financave gjatë kohës që ishte duke u hartuar ligji për lojërat e fatit dhe pohon se gjatë periudhës së punës për hartimin e ligjit të ri “kishte disa qëllime të nënkuptuara që nuk ndiqnin qëllimin e interesit publik. Kishte dhe interesa të programuara deri diku, por që nuk mund t’i akuzoja sepse teksti nuk e thoshte në mënyrë të shprehur atë gjë”. Juristi shton se “nga njëra anë ne e kishim qëllimin që të hapnim tregun dhe mbronim lojtarin, por nga ana tjetër kishte dispozita që binin ndesh me këtë.”

Ndërsa për Profesor Malaj “ për çdo qindarkë që del nga paratë e taksapaguesve shqiptarë dhe për çdo detyrë që kanë institucionet licensuese rregullatore të mbikëqyrjes në lojërat e fatit, tregun bankar, në tenderët publikë, kemi të bëjmë me një parim i cili e ndihmon mirëqeverisjen e vendit dhe kur rregullat shkelen, konfirmojmë nënshtrimin e politikës dhe politikëbërjes nën interesat jo ligjore dhe përfituese në mënyrë abuzive të individëve të caktuar, të cilat nga raste individuale kthehen në një fenomen tipik të një shoqërie me probleme me sistemin ligjor.

Aksioni “Fundi marrëzisë” që lindi si një përpjekje për t’i dhënë fund dramave sociale në shoqërinë shqiptare duke i mbyllur bastet, lojërat elektronike dhe kazinotë, duket se po shfrytëzohet nga operatorët e vjetër dominues si një mekanizëm për të kontrolluar të vetëm një treg që qarkullon nga 150-200 milion dollarë në vit.

 

*Ky shkrim është një produkt i Medialook, zbatues të projekteve të financuara në kuadër të programit Investigative Network Albania (INA), një iniciativë e përbashkët Qendrws Shqiptare pwr Gazetari Cilwsore, Institutit Shqiptar tw Medias dhe Qenndrws Fol, mbështetur nga Ambasada e Shteteve tw Bashkuara nw Tiranw, e cila ka për qëllim rritjen e kapaciteteve të gazetarisë hulumtuese në nivel lokal dhe kombëtar. Për më shumë informacion mbi asistencën financiare në kuadër të kësaj iniciative vizitoni faqen www.ina.media

SHARE THIS POST

Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin

RELATED POSTS