Flluska e mbylljes së basteve sportive, biznesi i paligjshëm që po lulëzon online

Autor: Klevis Paloka, Adelina Ahmeti dhe Adrian Kerimi

Bastet sportive të ndaluara në Shqipëri dhe Kosovë, qytetarët gjejnë mënyra alternative ilegale online, e disa udhëtojnë drejt Maqedonisë së Veriut

Të ndaluara me ligj, tregu i zi i basteve sportive po lulëzon online. Një investigim i INA sjell fakte se si po zhvillohet me ritme marramendëse ky lloj biznesi i ri i paligjshëm në Shqipëri, Kosovë. Agjencitë përgjegjëse, ndihen të pafuqishme për të ndërprerë këtë aktivitet në rritje, që gjen skema të reja për të mbijetuar. Ndërsa kompanitë e basteve arkëtonin çdo vit rreth 35 milionë ero në buxhetin e shtetit në formën e taskave dhe tatimeve, aktualisht i gjithë aktiviteti është zhvendosur në të zezë. “Fundi i Marrëzisë” aksioni që kishte si moto të shpëtonte shqiptarët nga veset, në fakt rezultoi një parajsë fiskale për kompanitë e basteve, pasi tashmë ata nuk paguajnë më asnjë taksë.

Ermiri, një 28 vjeçar nga Lezha, ia ka lejuar vetes të bëhet menaxher i një pike bastesh online. I vetëdijshëm se ky lloj aktiviteti konsiderohet i paligjshëm, ai megjithatë nuk ka ndërmend të heqë dorë.

Dikur vetëm një lojtar i thjeshtë, ky lloj biznesi është kthyer në burim të ardhurash për të dhe familjen e tij. Dhe gjithçka është e pa taksuar.

Kam fitim prej 6 milion lekësh në muaj. Më ka ndryshuar jeta. Skedina më e madhe që është luajtur me para cash është 20 milionë lekë”, rrëfen për “INA” Ermiri.

I riu nga Lezha tregon se e mori këtë nismë vetëm një vit më parë, pasi vetë kishte ngelur në këtë grackë si lojtar. Dhe klientët nuk i kanë munguar.

Iu futa këtij biznesi një vit parë, në fillim isha vetë një lojtar dhe aty u josha. Aktualisht kam 25 përdorues që luajnë online me llogaritë e vet, por ka edhe të tjerë që preferojnë të vendosin me lekë në dorë”, na tregon Ermiri.

Ermiri nuk është i vetmi që po korr frutet e këtij biznesi të paligjshëm që po lulëzon në Shqipëri.

Nga 1 janari nuk do të ngrihet më asnjë qepen për baste dhe kazino elektronike në asnjë zonë të banuar”, ishte kjo deklarata e kryeministrit Rama në tetor të vitit 2018.

Si pasojë e këtij vendimi, qindra lokale fizike bastesh dhe bastet online, lojërat e fatit u shpallën të paligjshme në Shqipëri dhe më 1 janar 2019 ulën qepenat. Të njëjtin fat patën edhe kazinotë në mbarë vendin.

Mbyllja e pikave fizike ka sjellë lulëzimin e tregut të zi, online. Megjithëse edhe kjo formë e ndaluar, qindra të fiksuar pas basteve sportive i kanë tashmë në aplikacionet e celularëve.

Një investigim i INA Media prej tre muajsh dokumenton sa e lehtë është të kesh akses për t’u pajisur me një adresë personale për të luajtur. Mjafton të gjurmosh dhe të lidhesh me personat që merren me menaxhimin e këtyre faqeve.

Për të vërtetuar se bastet online funksionojnë normalisht dhe pas asnjë lloj kontrolli nga shteti, ne provuam të hapim një llogari në një adresë bastesh online. Pasi gjetëm personat e duhur na u deshën vetëm 20 minuta për tu pajisur me një llogari të re.

Nëse në fillim, për të hapur një llogari duhej ta rimbushje minimalisht me 50 mijë lekë, tani për shkak të përhapjes mjafton edhe 5 mijë lekë për të hapur një llogari.

Pasi arritëm të siguronim llogarinë ne provuam të vendosnim skedina për disa ditë të ndryshme. Ajo çfarë vumë re gjatë këtij vëzhgimi ishte se na u ndryshua dy herë adresa dhe website ku duhet të luanim. Kjo është një skemë që menaxherët e përdorin për të ti shpëtuar kontrolleve nga Policia por edhe nga institucionet e tjera që merren me mbikqyrjen e domaineve që ofrojnë të luash baste sportive.

Agustini e vuri skedinën e parë kur ishte vetëm 13 vjeç. Pas mbylljes së lokaleve të basteve ai u vu në kërkim të mënyrave të reja për për të luajtur sërish skedina.

Mu desh rreth 2 muaj për të gjetur sërish një vend për të luajtur skedina, pasi e kisha të pamundur të qëndroja pa luajtur prej varësisë që kam krijuar. Sapo mora vesh që dikush në qytetin e Laçit kishte filluar të vendoste sërish skedina në mënyrë të fshehtë, u përpoqa që të gjeja një pikë kontakti. Po ‘vdisja’ për të vënë një skedinë”, na rrëfen 23 vjeçari nga Kurbini.

Me shpresën se do ti vijë skedina e duhur, ai është zhytur në borxhe.

“Ndoshta mund të kem shpenzuar më shumë se 30 milionë lekë”, na rrëfen i riu. – Ky lloj vesi më ka bërë që të mos flas as me shokët e mi, për shkak se iu kam kërkuar para borxh dhe u kam premtuar se do ua kthej brenda 1 javë, por kanë kaluar muaj edhe unë nuk ua kam kthyer. Jam detyruar që të marr borxh tek një shok për të larë borxhin tek një shok tjetër”, – rrëfen i riu nga Kurbini.

Sipas tij një nga truket e kësaj skeme është ndryshimi i vazhdueshëm i llogarive online, në mënyrë që të mos gjurmohen nga autoritetet.

Është kjo arsyeja se përse kanë dështuar të gjitha përpjekjet për ti vënë nën kontroll bastet online, si nga Policia e Shtetit, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, ashtu edhe nga Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit.

Artan Shytaj, i cili në kohën kur bastet funksiononin mbante postin e kreut të shoqatës së basteve në Shqipëri, thekson se mbyllja e basteve në mënyrë të rreptë ka treguar se është e vështirë ta mbyllësh këtë lloj aktiviteti.

Një aktivitet të tillë është më mirë ta ligjërosh sesa ta mbyllësh, pasi përvoja ka treguar në të gjithë botën në këto lloj aktivitetesh e transferon në paligjshmëri. është e pamundur për të mbyllur në të gjithë botën. Shumat më të mëdha, edhe në kohën kur bastet ishin të lejuara luheshin në mënyrë online, madje luheshin në kompanitë e huaja. Nga statistikat tona 95% e skedinave në pikat fizike të basteve ishin nga shuma 2-4 mijë lekë, ndërsa pjesë tjetër preferonin online”, – thotë Shytaj.

Institucionet dështojnë, e pamundur mbyllja e basteve

Janë me mijëra faqet që Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit ka kërkuar të mbyllen, pasi zhvillojnë aktivitet të paligjshëm të basteve online. Por ekspertët duket se janë përballë një sfide të pamundur.

Numri total i faqeve që i kemi dërguar AKEP për bllokim janë: 3833 në total për vitet 2019-2020, ku viti 2019 – 3735 faqe dhe viti 2020 – 98 faqe”, – thuhet në përgjigjen e AMLF-së për “INA”.

Ndryshe nga AMLF-ja, AKEP shprehet se është numri i faqeve/domaineve që është kërkuar të mbyllen është shumë më i madh.

Që nga hyrja në fuqi e ndryshimeve ne Ligjin për bastet, ky Autoritet ka kërkuar mbylljen e aksesit për rreth 8500 faqe/domaine dhe AKEP i ka përcjellë këto kërkesa tek ofruesit e shërbimit internet (ISP-të). Pra, bllokimi i aksesit në internet i këtyre faqeve/domaineve, bëhet nga ISP-të dhe jo nga AKEP. Kësisoj në Shqipëri, këto faqe/domaine, nuk mund të aksesohen. Domaini ka qenë pjesë e listave të ardhura në AKEP dhe është dërguar për mbyllje tek ISP-të”, theksohet në përgjigjen e AKEP-it.

Por ndërsa kontrollet ashpërsohen, ata që janë të interesuar të zhvillojnë këto lloj biznesi gjejnë zgjidhje të tjera.

Eksperti kibernetik Ermir Pina, që ka qënë pjesë e AKEP-it, tregon se mbyllja e shumë faqeve është e vështirë për shkak të shumë zgjidhjeve teknike që gjenden në treg.

Këto faqe janë të vështira për t’u identifikuar, pasi AKEP administron vetëm ‘domain.al’ dhe nëndomainet e tyre, shumica e këtyrë faqeve janë ndërkombëtare me prapashtesë ‘.com’ apo çfarëdo prapashtesë tjetër. Për mbylljen e këtyrë faqeve të cilat nuk janë në ‘domain.al’, praktikisht është shumë e vështirë pasi çdo operator i bllokon ato në nivel DNS dhe në treg egzistojnë shume zgjidhje teknike të cilat mund të shmangin këto bllokime. Praktikisht është një punë e vazhdueshme”, – shprehet eksperti Pina.

Që nga koha kur janë ndaluar me ligj bastet online, janë arrestuar në flagrancë 339 persona dhe janë proceduar penalisht 555 të tjerë, për veprat penale ‘Organizmi i lotarive të palejuara’ dhe ‘Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara’. Zonat ku janë evidentuar më shumë raste për zhvillimin e lojërave online kanë qenë Tirana, Elbasani dhe Korça.”, – shpjegohet në përgjigjen zyrtare të Policisë së Shtetit që ka mbyllur edhe 21 lokale ku zhvilloheshin baste online.

Por Prokuroria e Përgjithshme na jep statistika të ndryshme nga ato të Policisë së Shtetit.

Sipas Prokurorisë për veprat penale për zhvillim të palejuar të lojërave të fatit në vitin 2019 janë rregjistruar 133 procese gjyqësore dhe janë dënuar vetëm 64 persona, ndërsa për 9 mujorin e vitit 2020 janë rregjistruar 77 procese gjyqësore dhe janë dënuar 31 përsona.

Por duket se gjërat nuk kanë shkuar ashtu siç duhet. Dy vite pasi ligji hyri në fuqi dhe pikat e basteve u mbyllën, Fidel Ylli, një prej deputetëve që votoi pro, mendon se ligji duhet rishikuar.

Votën pro asokohe ai e argumenton me faktin se ky aktivitet kishte dalë jashtë kontrollit. Ai pranon se mbyllja e basteve i ka shkaktuar jo vetëm një dëm ekonomik shtetit, por ka rritur tregun e paligjshëm, pasi tashmë paratë qarkullojnë në të zezë.

Kompanitë e basteve paguanin në arkën e shtetit rreth 35 milion euro taksa çdo vit dhe kjo është një humbje e konsiderueshme të ardhurash. Ka shkaktuar edhe krizë sociale, pasi shumë punonjës të këtyre kompanive mbeten pa punë, ndërkohë që me punën ata mbanin familjet e tyre me bukë. Tanimë, paratë qarkullojnë sërish, por ata janë në të zezë. Nuk paguhet asnje taksë, asnjë tatim, asnjë sigurim shoqëror a shëndetësor, tatim në burim, apo tatim të ardhurash nga punësimi dhe është për të ardhur keq për këtë”, shprehet deputeti i mazhorancës.

Kritik për zbatimin e ligjit, ai e cilëson mbylljen e basteve si një flluskë sapuni derisa aktiviteti i basteve vazhdon i pacënuar.

Mbyllja drastike e menjëhershme e basteve, na doli të ishte një flluskë sapuni, përsa kohë që aktiviteti i basteve vazhdon i pacënuar, i pa shqetesuar dhe totalisht në të zezë. Edhe sot, që bastet janë të ndaluara, ata ende e zhvillojnë aktivitetin e tyre, nëpër bar-kafe, nëpermjet aplikacioneve nëpër telefonat celulare”, e mbyll Ylli.

Edhe eksperti i ekonomisë, Zef Preçi është i mendimit se buxheti i shtetit ka humbur shumë nga mbyllja e këtij aktiviteti.

Dy vjet mbas ndalimit me ligj të basteve vihet re, domethënë vazhdimi i pjesmarrjes së shqiptarëve në të njëjtin treg në vendet fqinjë dhe luajtja në platformat online. Edhe pse mungojnë shifrat zyrtare të vlerësimit të fluksit të parave që shkojnë jasthë vendit në këtë treg tashmë informal dhe të paligjshëm, përsëri ka indicie që ekonomia shqiptare humbet shuma të konsiderueshme parash për këtë shkak”, shprehet eksperti i ekonomisë.

Kosova ndalon lojërat e fatit, qytetarët pëlqejnë më shumë kazinotë

Në Kosovë, për dallimnga Shqipëria lojërat e fatit janë të ndaluara të gjitha. Ndalimit të lojërave të fatit i kishin paraprirë dy vrasje të cilat kishin ndodhur në mars të vitit 2019 në dy kazino një në Suharekë, e një tjetër në Lipjan.

Këto ngjarje ngritën alarmin për amullinë ku funksionin pikat e basteve dhe çuan deri në miratimin e një ligji që ndalon veprimtarinë e këtyre bizneseve. Në maj të 2019-ës në Kosovë hyri në fuqi Ligji që ndalon të gjithë lojërat e fatit në Kosovë.

Dosjet në Polici e Prokurori tregojnë se të implikuar në organizimin e lojërave të fatit në Kosovë ishin edhe zyrtarë policorë, disa të arrestuar se ndihmuan biznesmenë që të kishin një terren të sigurtë me kazino ku zhvilloheshin këto lojëra. Disa të tjerë  u bënë pjesë e rrjetit që funksiononte në formë online e ku hidheshin baste me para.

Aksioni më i madh kundër lojërave të fatit në Kosovë konsiderohet të jetë në fshatin Karaçevë.

436 pika të lojërave të fatit të cilat ishin të licencuara e shumë të tjera të palicencuara u mbyllen për një periudhë prej 10 vjetësh.

Disa javë pasi në Kosovë, lojërat e fatit u shpallën të jashtëligjshme, veprimtaria në terren e këtij biznesi ndërroi formë.

Nga bastet tradicionale të cilat zhvilloheshin në lokale apo pika bastesh ato u transferuan në sistem online.

Në këtë skemë paratë dorëzohen tek personat që hapin llogaritë onlinë ndërsa edhe loja zhvillohet po ashtu në mënyrë online.

Në rast se paratë fitohen ato do të dorëzohen në dorë në pikat ku janë dhënë fillimisht paratë.

Në Kosovë nuk dihet saktë se sa është numri i përdoruesve që kanë hapur llogari të tilla dhe se sa është qarkullimi financiar i këtij biznesi.

Ervini një djalosh i ri i cili për një të kohë të gjatë luajti baste online nga telefoni i tij personal, vendosi të denonconte në polici një person tjetër, pasi që ky i fundit nuk po i jepte shumën e fituar nga bastet që kishte vënë.

Herën e fundit kam humbur jo më pak se 70 euro, nga 120 sa kisha gjithsej në llogarinë timeGjithmonë jam nisur me atë se ndoshta mos po kap më shumë para, sepse ne njerëzit asnjëherë nuk kënaqemi me pak sa fitojmë”,-  tregon Ervini deri sa shpjegon se paratë që i merrte nga puna ditore që e bënte e në disa raste merrte edhe borxh, i shfrytëzonte që të luante online duke menduar se mund të fitonte më shumë.

Ka ndodhur që në lojëra online kam fituar edhe nga 1 mijë euro se kam fat, jam fans i futbollit dhe vazhdimisht i përcjelli të gjitha lojërat. Për një muaj ka ndodhur që deri në 800 euro me luajt e nuk kam fituar as edhe një gjë”, – tregon tutje djaloshi që rregullimin e kaldajeve e ka punë ditore.

Një aksion i shpejtë i Policisë së Kosovës, arriti që ta prangoste “shefin” i cili mirëmbante ëeb-faqen e lojërave online, ndërsa i njëjti do të ndiqej penalisht për kryerje të veprës penale.

Një tjetër rrëfim i cili tregon humbjet e mëdha financiare dhe varësinë ndaj basteve online është ai i një kosovari 28 vjeçar. Ai thotë se me paratë që kishte humbur sa kishte vënë baste, do të mund të blinte një banesë në Prishtinë.

Unë kur i kam pasur 19 vjet kam arrit me pas borxh në baste rreth 20 mijë euro. Ka qenë gradualisht, për dy javë kam lujt me 1 mijë, 2 mijë, me 500 euro edhe ka ardh deri në një moment të caktuar kur pronari i pikes së basteve me ka kërkuar që ta paguaj borxhin komplet e unë nuk kam pas asnjë para në xhep, as edhe një”, – rrëfen 28 vjeçari.

Edhe pse ka hequr dorë nga shumat e mëdha, ai sërish i është kthyer zanatit të vjetër.

Jemi bërë ortak me një shok edhe kemi vazhduar të luajme bashkë. Një shok tjetër e ka pasur një pikë basti në një vend tjetër dhe kemi shkuar te ai dhe kemi pasur barazim çdo muaj. Vetëm për një muaj kemi bërë qarkullim në atë pikë basti diku afër 80 mijë euro, do të thotë vetëm për dy persona”, – vazhdon rrëfimin ai duke u shprehur se ka arritur të fitojë vetëm 900 euro për atë muaj.

Në Prokurorinë e Shtetit në Kosovë që nga ndalimi i lojërave të fatit janë ngritur 79 aktakuza ndaj personave të cilët dyshohet se kanë kryer veprën penale të organizimit të skemave piramidale.

Edhe në Policinë e Kosovës gjatë viteve 2019-2020 janë iniciuar 209 raste të veprave penale të organizimit të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm.

Eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu tregon se Kosovë po eksperimentohet me ligje ndërsa problemi qëndron në zbatimin e këtyre ligjeve pas miratimit.

Besoj që ka qenë një vendim që ka dëmtuar Kosovën në forma të ndryshme, në aspektin ekonomik, social por mbi të gjitha në aspektin biznesor kur dihet se shumë vende në këtë drejtim kanë hyrje të mëdha.”, tha Gërxhaliu që e ka kundërshtuar me argumentin se rrit informalitetin.

Sipas tij, se është koha që qeveria e re ta rishqyrtojë ilegalitetin e lojërave të fatit.

Që nga mbyllja e lojërave të fatit përveç mijëra punëtorëve që kanë mbetur pa punë Kosova ka humbur miliona të shumta, që kanë mundur të paguhen në emër të tatimit dhe çka është më  e keqja, adhuruesit e lojërave të tilla shkojnë në vendet e rajonit dhe po shihni se Kosova po shndërrohet si një vend i eksportit të parave të gatshme dhe jo të importit të tyre”, tregon tutje Gërxhaliu duke shtuar se në këtë çështje mund të veprohet ndryshe.

Shqipëria dhe Kosova i mbyll, në Maqedoninë e Veriut lulëzojnë bastet sportive

Përveç se të luajnë në mënyrë të paligjshme, shqiptarët dhe kosovarët pranë kufirit me Maqedoninë e Veriut kanë gjetur një rrugë tjetër për vesin e tyre. Të udhëtojnë drejt shtetin fqinj vetëm për të luajtur baste sportive.

Gjatë vitit 2019 dhe 2020, pas mbylljes së basteve në Shqipëri dhe Kosovë me forcën e ligjit, në Maqedoni të Veriut është rritur numri i basteve. Megjithëse nuk bëhet fjalë për numër të madh, informacionet thonë se një numër i konsiderueshëm i shtetasve nga Shqipëria dhe Kosova kanë frekuentuar pikat e basteve në Maqedoni të Veriut kryesisht gjatë fundjavës.

Juliani nga Prrenjasi tregon se ka shkuar vazhdimisht në Maqedoninë e Veriut për të luajtur baste dhe kazino dhe se shuma që ka harxhuar brenda një ditë ka qënë rreth 300 euro.

Kam shkuar vazhdimisht deri tani, si për baste ashtu edhe për kazino. Ka qenë e shpeshtë, nuk ka qenë çdo muaj le të themi. Ka pas raste një javë rresht, pastaj një muaj dy muaj kam shkuar përsëri, pas tre muajsh përsëri kështu. Për futboll kam vendos baste shuma të pakta, ndërsa për kazino ka qenë 200-300 euro në ditë”, shprehet 29 vjeçari që tregon se ka vështirësi në marrjen e parave pas fitimit të ndonjë skedine.

Po ashtu edhe Adonisi nga Kaçaniku rrëfen se ka shkuar në shtetin fqinj për të luajtur skedina, ndërsa shuma më e madhe ka qënë 50 euro.

Prej kur shteti i mbyllet bastet tek neve, nuk ka më pika për baste dhe kemi mbet shumë keq. Zakonisht gjatë fundjavave, kur ka ndeshje, vijmë me shok dhe miq dhe hedhim ndonjë bast. Varet nga 20-30 euro, por ndodh edhe 50 euro”, rrëfehet 34 vjeçari i cili punon si menaxher i një bar kafeje në qytetin e tij, që ndryshe nga Juliani nuk ka probleme në tërheqjen e parave.

Shtimin e shqiptarëve dhe kosovarëve që shkojnë në Maqedoninë e Veriut për të luajtur baste e konfirmon edhe kryetari i Asociacionit të Basteve Sportive, Vasko Ilieski.

Bastet në vendin tonë ndodhen në lokacione më qarkulluese. Shtetasit nga vendet si Shqipëria dhe Kosova kryesisht vijnë në zonat urbane për të vënë baste”, deklaroi për INA Media, Ilieski.

Por ndërsa dy qeveritë, si shqiptare dhe ajo kosovare, e konsideruan arritje të madhe mbylljen me ligj të basteve sportive, faktet tregojnë krejt të kundërtën. Maqedonia e Veriut po korr frytet. Shqiptarët dhe kosovarët i kanë gjetur mënyrat e tyre për të luajtur sërish baste, edhe pse të paligjshme.

 

SHARE THIS POST

Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin

RELATED POSTS