Hetimi i ndjekur nga Policia dhe Prokuroria e Tiranës përgjatë 1 viti me vëzhgime ambientale dhe përgjime, tregoi sesi të rinjtë, të mitur u përdorën nga rrjete të shpërndarjes së kanabisit në zonën e ish Parkut, e konsideruar si një nga pikat e nxehta të tregtimit në sasi të vogla të lëndëve narkotike.
Monitorimi i qendrës “Fol”, tregoi se hetimi u përqendrua në ndalimin e përdoruesve dhe pas marrjes së dëshmive të tyre, vijonte vëzhgimi dhe përgjimi i personave që kishin ngritur një skemë të njohur gjerësisht nga përdoruesit, duke treguar vijueshmërinë e aktivitetit.
“Pasi mbaroi ndeshja që po shikoja me një kushëririn tim dhe një tjetër person, shkuam të zona e ish Parkut, te një tunel për të marr nga një qese hashash. Aty kam pyetur se ku mund të gjej hashash dhe më thanë që të shkojë të hyrja e pallatit në afërsi të Shkollës. Aty me doli një djalë i veshur sportiv dhe me kapuç, pasi e pyeta sa kushton, me tha 1000 mijë lekë dhe mora dy qese, një për vete, një për kushëririn“, rrëfen kështu një prej përdoruesve të ndaluar nga Policia.
Me të njëjtën lehtësi e kishte gjetur vendin edhe një tjetër përdorues, që tregon të njëjtën skemë të shpërndarjes.
“.. u takova me një mikun tim që sapo kishte ardhur nga Gjermania dhe i thashë të shkonim të merrnim diçka për të pirë (hashash), se e di vendin se ku mund të gjejmë dhe pasi mora makinën tip SMART u nisëm drejt ish parkut të autobusëve. Aty na është afruar një djalë rreth të 18-ave dhe na pyeti sa donim? I kemi marr 2 qese dhe i kemi dhënë 1000 mijë lekë dhe më pas jemi larguar...”, përfundon ai.
Ndërkohë, një përdorues tjetër i ndaluar, zbuloi më shumë për funksionimin e mekanizmit të shpërndarjes së lëndës narkotike, ku sërish flitet për adoleshent.
“… unë prej 2 vitesh jam përdorues i lëndës narkotike dhe e blejë atë te vendi i përhershëm, pra te tuneli përballë Shqiponjës, te ish Parku, te persona të ndryshëm që riciklohen për të bërë të mundur funksionimin e mekanizmit“, rrëfen ai i cili më pas, identifikon se shitësi i radhës ishte mes të 18-22 vjeç.
Por adoleshentët nuk ishin të vetmit që përfshiheshin në skemë nga persona më të rritur.
Monitorimi i qendrës “Fol”, tregoi gjithashtu se edhe fëmijët të moshës 11-12 vjeç përdoreshin gjerësisht për transportin e lëndës nga baza, në pikat kyçe në zonën e ish Parkut, që diheshin nga përdoruesit.
“… konstatohen dy persona, një person i moshës 11 vjeç i veshur me xhup të zi dhe tuta të zeza dhe një person i moshës 12 vjeç i veshur me xhup të zi dhe xhinse të zeza, ku njëri prej tyre shkëmben diçka me shpërndarësin e lëndës narkotike dhe më pas këta fëmijë lëvizin drejt rrugës “Kongresi i Lushnjës”. Pranë tunelit konstatohen dy shitësit e lëndës narkotike, ku njëri prej tyre mban në dorë një qese farmaceutike e dyshuar me lëndë narkotike kanabis sativa. Pasi merr disa qese, qesen e bardhë ia jep shitësit tjetër dhe ai e fsheh në cepin e pallatit“, përfundon një nga raport vëzhgimet e Policisë.
Hetimi 1-vjeçar, çoi në pranga të paktën 18 të rinj dhe tregoi se si zona e ish Parkut në pika të ndryshme ishte kthyer në bazë shpërndarje të kanabisit me vlera që shkonin nga 500 deri në 1 mijë lekë.
Të rinjtë, e përfshirë qëndronin në këto pika dhe sapo personat e interesuar afroheshin, i pyesnin për sasinë.
Organizatorët e shpërndarjes, persona që në të shumtën e rasteve ishin me precedentë penal në fushën e narkotikëve, bëheshin edhe agresiv kur skema i rrezikohej nga ndonjë qytetarë, apo punonjës policie.
Hetimet për këtë dosje zbardhën gjithashtu djegien e makinës së një efektivi policie që jetonte në lagje.