Akuza për aferë korruptive me inceneratorët është një ndër temat më të diskutuara muajt e fundit në Shqipëri. Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe krimit të Organizuar po heton prej rreth dy vitesh akuzat e ngritura nga opozita për aferë korruptive me kontratat e inceneratorëve. SPAK ka arrestuar ish-Ministrin e Mjedisit, Lefter Koka, dhe ka kërkuar arrestimin e dy drejtuesve të kompanive konçesionare, Klodian Zoto dhe Stela Gugallja, të cilët janë shpallur në kërkim ndërkombëtar. Hetimet vazhdojnë.
Në këtë dokumentar do të njiheni me akuzat për shkelje në kontratat konçesionare për inceneratorin e Elbasanit dhe të Fierit. Nis tek origjina e problematikës, me shkeljet ligjore që kanë kryer institucionet shtetërore në raport me direktivat e Bashkimit Evropian për menaxhimin e mbetjeve. Me pas renditen hap pas hapi të gjitha shkeljet ligjore, shoqëruar me dokumentet që vërtetojnë akuzat për abuzimin me kontratat konçesionare ndërmjet institucioneve shtetërore dhe kompanisë konçesionare për ndërtimin e inceneratorit të Elbasanit dhe Fierit, akuzat për implikime të drejtuesve të lartë të institucioneve shtetërore të përfshira në këtë proces, faturat e pajustifikuara financiare për llogari të kompanive konçesionare, dhe roli i secilit titullar të ministrive që lidhen me kontratat koncesionare për inceneratorin e Elbasanit dhe të Fierit.