Autore: Elira Kadriu | Citizens Channel
Bulevardi i Ri i Tiranës, një projekt i nisur 11 vite më parë mbetet ende sot larg realizimit. Projekti i studios “Grimshaw Architects” më shumë se sa një poli të ri të gjelbër të qytetit, i ngjan një bulevardi pa qytet. Bashkia e Tiranës i konfirmoi Citizens Channel përmes një kërkesë për informacion se Bulevardi i Ri ndërpritet me Lumin e Tiranës, i cili shërben si kufi administrativ midis dy bashkive së kryeqytetit dhe asaj të Kamzës.
Masterplani i krijuar në vitin 2012 nga studio “Grimshaw Architects”, kishte si qëllim të bënte lidhjen Liqenit të Tiranës me atë të Paskuqanit (sot pjesë e bashkisë Kamëz), por një histori e gjatë ndryshimesh dhe bllokimesh, të cilat analizohen në këtë artikull, e ndryshoi Bulevardin, duke e kthyer në një rrugë pa krye.
Arkitekti Endrit Marku, kujton se ka qenë pjesëmarrës si konsulent në konkursin e realizuar në vitin 2012, ku shton se projekti fitues propozonte një sërë ndërhyrjesh në qytet, të cilat humbën me kalimin e kohës.
“Ishte mjaft interesante kjo Tirana që mbaronte mes dy parqeve, Parku i Liqenit nga njëra anë dhe Parku i Paskuqanit nga ana tjetër. Mendoj ky ishte momenti që fitoi ideja e Bulevardit, pastaj edhe nga administrata e mëvonshme u pranua kjo ide dhe parku u largua si koncept për zhvillimin e qytetit dhe u afrua ky koncepti i bulevardit’”, shpjegon për Citizens Channel arkitekti Marku.
Reforma territoriale e vitit 2014 krijoi bashkinë e re të Kamzës, duke hequr nga harta komunën e Paskuqanit, për ta përfshirë atë nën menaxhimin e bashkisë të re.
Erlend Baballëku, drejtori i urbanistikës në Bashkisë Kamëz nuk pranon se ka pasur ndonjëherë një projekt që e shtrin Bulevardit në territorin e Paskuqanit, dhe se lidhja midis dy bashkive është paralizuar për vite për shkak të mungesës së komunikimit midis kryetarëve që vinin nga kampe të ndryshme politike.
“Mesa di unë ai bulevard mbaron aty, mbaron te Lumi i Tiranës, pas bulvardit vjen unaza dhe territori urban i Paskuqanit dhe liqeni bashkë me parkun”, shprehet Baballëku për Citizens Channel.
Një vendim i 2018 i KKT miratoi ndryshime në Masterplanin e Bulevardit ku mungon firma e kryetarit të Bashkisë së Kamzës, duke shënuar ndarjen përfundimtare të zonës përtej lumit me këtë projekt.
Rudina Toto, Planifikuese Urbane pranë Instituti “Co–Plan” shprehet se ndarja administrative Tiranë – Kamëz është një ndarje artificiale.
“Kur e mendoj Tiranën e mendoj bashkë me Kamzën sepse natyralisht gjithë struktura ndërtimore vijon në veri kështu që ai është një kufi administrativ që na sjell këto pasojat e financimit sot por nga pikëpamja e strukturës urbane nuk ka kuptim kjo ndarje”, thekson Toto.
“Bulevardi i Ri – një histori bllokimesh dhe përplasjesh politike”
“Ishte një shans i madh për ta zhvilluar qytetin në një mënyrë të duhur dhe u shpërdorua, që është dramatike mendoj”, tha për Citizens Channel Ulrike Bega, një nga anëtaret e jurisë përzgjedhëse për projektin fitues në konkursin e 2012.
Përfundimi i konkursit në vitin 2012, u pasua me shpalljen e një tenderi ndërkombëtar. “Projekti i Grimshaw parashikon që bulevardi të ketë tre sheshe, si sheshi Pallatit të Drejtësisë, sheshi komercial ku do të jenë qendra tregtare dhe shesin e kulturës. Mendohet që faza e parë e projektit të përfundojë brenda vitit”, u shpreh pas fitores Neven Sidor një nga drejtuesit e Grimshaw Architetects.
Financimi do të vinte nga një marrëveshje ndërmjet qeverisë së Shqipërisë dhe Fondit të Zhvillimit të Abu Dhabit, firmosur në datë 21 Prill 2013, me vlerë 54 milionë euro si edhe një grant prej 7 milionë eurosh nga qeveria e Katarit.
“Parku verior do të jetë një hapësirë e re e gjelbër për të gjithë qytetarët e Tiranës. Zgjerimi i qytetit nëse ushqehet nga emigracioni nga e gjithë Shqipëria. Këta janë njerëz që vijnë në Tiranë me shpresë për të ardhmen e tyre. Ky park do të bëhet simbol i asaj të ardhmeje për të mirëpritur qytetarët e rinj. Një sasi totale prej 750 000 pemësh do të krijojë pyje të reja urbane. Çdo banor do të mbjellë një pemë në park, duke ndjekur projektin e vetë bashkisë: Një qytetar, Një pemë”, thuhej në MasterPlanin Grimshaw 2015.
Ky park u hoq më tej nga projekti, ashtu si një sërë hapësirash të gjelbra, linja e tramvajit dhe pallatin e drejtësisë.
Ndryshimi i qeverive në zgjedhjet e vitit 2013 e la projektin pezull. “Bllokuar nga Edi Rama” ishte një tabelë e madhe e verdhë e vendosur nga administrata Basha në krye të gjurmës së Bulevardit Verior, aty ku më parë ishte stacioni i Trenit.
Në mars të 2014, Drejtoria e Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar (INUK) bllokoi punimet e Bulevardit të Ri si pasojë e ankesave të ardhura nga banorët e zonës në lidhje me shpronësimet, duke i konsideruar si të padrejta. Kjo tabelë qëndroi aty deri në gusht të vitit 2015, kur në krye të bashkisë Tiranë u zgjodh kryetari aktual.
Në vitin 2015, marrëveshja e qeverisë shqiptare me Fondin për Zhvillim Abu Dhabi u ndryshua, duke specifikuar se Fondi të mbulojë rehabilitimin e lumit, ndërtimin e pjesës së parë të bulevardit verior dhe shërbime të konsulencës, ndërsa pjesa e dytë e bulevardit do të financohet nga Bashkia e Tiranës. Segmenti u përfundua në vitin 2018.
Edhe pse projekti i Grimshaw ishte modifikuar duke fshirë lidhjen me Paskuqanin, duke tkurrur sheshet, Plani Vendor e modifikoi atë sërish, duke krijuar një projekt të veçante për rehabilitimin e zonës buzë lumit të Tiranës.
Kjo erdhi për shkak të miratimit në 2016 të Planit të Përgjithshëm Vendor “Tirana 2030” i punuar nga Stefano Boeri Architetti, i kontraktuar nga Ministria e Zhvillimit Urban me një kontratë me vlerë 56 milionë lekë.
Në zonën krah Bulevardit ka nisur të zbatohet një tjetër projekt i të njëjtës studio arkitekturore, i quajtur “Tirana Riverside” i cili prek mbi 222 pronarë, për të ndërtuar një lagje të re. Projekti i cili është një ndër çështjet më të nxehta sot, u përshpejtua pas tërmetit të vitit 2019, duke u miratuar me një VKM të veçantë dhe Plane të Detyruara Vendore, ndërsa ka ngjallur pakënaqësinë e banorëve, ndjekur nga dëbime të dhunshme dhe mosdakordësi.
Në nëntor të 2021 Kontrolli i Lartë të Shtetit publikoi një raport auditimin mbi projektin e “Ndërtimit të Bulevardit Verior dhe Rehabilitimin e Lumit të Tiranës”.
Në këtë vlerësim rezulton se:
- Mungon Dokumenti i Vlerësimit të Projektit (PAD), i cili është një nga dokumentet me thelbësore/rëndësishme të projektit, ku përcaktohen paraprakisht se sa është kosto totale e projektit.
- Projekti ka kapërcyer afatet e parashikuara për përfundimin e tij, duke u shtyrë me një periudhë 55 mujore.
- Rritje e kostos së projektit si pasojë e ndryshimeve. Ndikimi më negativ ka ardhur nga rritja e shërbimeve të konsulencës (për mbikëqyrjen e punimeve).
Këto tre fotografi tregojnë ndryshimet që projekti Grimashaw ka pësuar në planin Urbanistik Tirana2030, duke u ndërprerë përpara parkut verior, si edhe situatën e sotme në terren, që mbetet shumë larg të dy projektimeve:
1. Projekti Grimshaw 2015 për Bulevardin e Ri dhe Rehabilitimin e Lumit të Tiranës”
2. Bulevardi i Tiranës në Planin Urbanistik “Tirana 2030” të studios Stefano Boeri
3. Gjendja reale e Bulevardit të Ri të Tiranës në muajin shkurt 2022
A do të sjellë Bulevardi i Ri i Tiranës një clirim të ndërtimeve nga qendra apo do të jetë një pol i dytë ndërtimesh?
Me vendimin Nr. 1, date 26.07.2018 Këshilli Kombëtar i Territorit përfshiu 21953.42 m2 hapësirë nga Bulevardi i Ri i Tiranës zonë me përparësi zhvillimin e turizmit në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Ky vendim e vendosi këtë gjurmë territori të Bulevardit të Ri krah zonave me rëndësi kombëtare si Mali i Dajtit, Lugina e Vjosës, Mali i Tomorrit, Kanionet e Osumit dhe Alpet Shqiptare. Kjo zonë përputhet vetëm me pikën 5 të funksionit për të cilin shpallen këto zona, që lidhet me investimin në strukturat akomoduese me 4-5 yje.
“Ata kanë ndërtuar vetëm për të pasurit deri tani, ky është një fenomen i njohur i quajtur “banka e betonit”. Në Shqipëri ndërtimi është një mënyrë e mirë për të pastruar paratë e pista” u shpreh Ulrike Bega. Ajo shton se do të ishte mirë që në Bulevardin e Ri të ketë ndërtime për shtresën e mesme, pasi ato nuk do të jenë në gjendje të përballojnë këto projekte të kushtueshme që janë ndërtuar në vitet e fundit.
Sipas Planit Urbanistik TR030, nënjesia strukturore TR/456 që i përket Bulevardit te Ri, ka sipërfaqe 128.36 ha, me intensitet ndërtimi të papërcaktuar në planin e përgjithshëm vendor, duke ia lëne Planit të Detajuar Vendor ta përcaktojë. Kështu në masterplanin e miratuar, Intensiteti i Ndërtimit varion nga 2.2 në 4.2. Sipas këtij plani, sipërfaqja totale e ndërtimit mund të kalojë 3 milion metrat katrorë
“Çmimet janë gjithmonë në rritje, ndërkohë që popullsia e Tiranës është në rënie. Ka shumë njerëz që emigrojnë dhe largohen, realisht se kush është tregu që blen është e vështirë ta vlerësosh” vlerëson Rudina Toto.
Ekspertët përfundojnë se plani realisht ka nevojë për një rishikim dhe se nuk ka përparuar për shkak se pjesa tjetër e qytetit është zhvilluar me shpejtësi të paparashikueshme.
“Plani ka nevojë për një rishikim, sepse plani është shumë i dendur dhe nuk mendoj se do jetë e suksesshme sikur edhe aty të ndërtohen godina të larta dhe kjo do sjelli pa zhvillim sepse nuk nevojitet më”, përfundon Ulrike Bega.