Kriminalizimi i të miturve, e ardhmja e zymtë për fëmijët shqiptarë

Statistikat e siguruara nga Investigative Network Albania tregojnë se 1600 të mitur u dyshuan si autorë të veprave penale përgjatë vitit 2021. Sipas ekspertëve, dobësitë në familje janë pikënisja e “aventurave” të të miturve, që gjithnjë e më shumë po përfshihen edhe në krime të rënda, siç janë ato seksuale apo trafikimi i lëndëve narkotike.

Autor: Eni Ferhati

Në orët e vona të 26 shtatorit 2019, forcat “Shqiponja” ndaluan një grup të rinjsh që qëndronin të ulur në stolat e Bulevardit të Ri në Tiranë. Në bazë të kërkesës për gjykim, që disponon Investigative Network Albania, njërit prej tyre policët i gjetën në xhep 8 qese farmaceutike me hashash.

Sipas dëshmisë së të riut, drogën e kishte marrë te një i afërm i tij, i cili rezultoi të ishte shtetasi i mitur E. D., 17 vjeç. Një ditë më pas policia gjurmoi adoleshentin dhe e arrestoi në flagrancë në zonën e Babrrusë së bashku me shokun e tij 15-vjeçar, A. C., me 16 qese farmaceutike cannabis sativa.

Në automjetin ku u ndaluan, të miturit shoqëroheshin nga dy të rritur, njëra prej tyre femër, e cila në gjykim do të deklaronte se nga i mituri A. C., kishte blerë edhe kokainë.

Me dyshimet se kishin të bënin me një rrjet të shpërndarjes së drogave, policia ushtroi një kontroll në banesën e të miturit A. C., ku gjeti një sasi tjetër hashashi, mbi 300 gramë, e ndarë në doza, në kavanoza, gati për shitje.

Ndërkohë, në banesën e shokut të tij, po të mitur, E. D., u gjet një dorezë hekuri dhe disa fishekë.

“A… merret me shitjen e lëndëve narkotike, kanabis dhe kokainë. Ai më ka thënë disa herë që ka lëndë narkotike në shtëpi dhe, në momentin që i ka thënë E… që i duhet drogë për çunin e dajës, F… është përgjigjur: “Ta sjell unë lëndën narkotike”, – do të deklaronte i mituri, E. D.

Të miturit fillimisht u hetuan me masë sigurimi “Arrest me burg” dhe më pas me “Arrest në shtëpi”, ndërsa në gjykatë kërkuan gjykim të shkurtuar, duke pranuar akuzat.

Historia e këtyre dy të miturve është vetëm një nga qindra raste, që sipas të dhënave të siguruara nga Investigative Network Albania çdo vit vihen nën akuzë për vepra të ndryshme, duke filluar që nga shitja e narkotikëve e krimet seksuale e deri te vjedhjet.

Sipas raportimeve vjetore të prokurorive në vend, gjatë vitit 2020 janë marrë të pandehur për vepra të ndryshme, penale rreth 600 të mitur.

Ndërkohë, të dhënat e raportuara nga Policia e Shtetit flasin për një situatë edhe më dramatike mes të miturve. Përgjatë vitit 2021, sipas Policisë së Shtetit, janë evidentuar rreth 1600 të mitur, të dyshuar si autorë të veprave penale.

Shqetësim i madh mbetet numri i lartë i të miturve recidivistë, pra që gjenden disa herë në konflikt me ligjin.

Gjatë vitit 2020 Prokuroria e Durrësit mori të pandehur 59 të mitur, pjesa më e madhe e të cilëve është e grup-moshës 16-18 vjeç, nga të cilët 21 prej tyre rezultuan përsëritës.

Në raportin e kësaj prokurorie, që ka siguruar INA MEDIA, thuhet se këta të mitur kanë qenë të dënuar më parë dhe në rastet e kapjes në flagrancë të kryerjes së një vepre tjetër, penale është proceduar dhe me arrestimin e tyre.

Prokuroria e Durrësit e lidh numrin e lartë të të miturve recidivistë me vështirësitë e mëdha ekonomike të të miturve, mungesën e institucioneve speciale dhe braktisjen nga prindërit.

“Për këtë problematikë bëhet shkak mosekzistenca e institucioneve përkatëse për trajtimin e këtyre të miturve, të cilët në njëfarë mënyre edhe janë braktisur nga prindërit e tyre dhe si mënyrë mbijetese kanë kryerjen e veprave penale, kryesisht atë të vjedhjes”, – hedh alarmin raporti i Prokurorisë së Durrësit për vitin 2020.

 

Çfarë krimesh kryejnë të miturit

Vjedhje, drejtim i automjetit pa patentë, shpërndarje e narkotikëve, plagosje me mjete të mprehta janë veprat kryesore, penale, ku përfshihen të miturit; Më shqetësues është fakti se, sipas të dhënave, në një pjesë dërrmuese të tyre këto vepra kryhen në bashkëpunim, pra nga 2 ose më shumë të mitur.

Vjedhja është vepra më e shpeshtë ndër të rinjtë, ku dyshohen si autorë në 40% të rasteve dhe në rreth 20% të rasteve ata akuzohen për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Paradoksalisht, në këto raste automjetin e sigurojnë përgjithësisht nga prindërit.

Krimet seksuale, shpërndarja e narkotikëve apo plagosja është një tjetër gamë shqetësuese veprash penale, ku përfshihen të miturit, duke zënë 40% të totalit të veprave.

Fillimisht gjithçka nis si aventurë, nga ku rezulton se e kanë të vështirë të dalin.

Foto ekskluzive: Të rinj duke vjedhur marketin

“Të miturit, të cilët përfshihen në vjedhje, në fillim e nisin si aventurë, nuk e kuptojnë se çfarë po bëjnë, iu pëlqejnë të ardhurat, ndihen euforikë për veprimin që kanë kryer dhe e përsërisin atë ose mendojnë se janë të pakapshëm. Ndikim mjaft të madh ka edhe rrethi shoqëror, ku nxisin njëri-tjetrin ose bashkëpunojnë për t`i bërë këto veprime”, – tregon për INA MEDIA-n psikologu i policisë, Elidon Shehu, i cili ka asistuar qindra raste.

Por shqetësim për ekspertët, që merren me të miturit, mbetet numri gjithnjë në rritje i të rinjve të përfshirë edhe në krime që klasifikohen si të rënda. Një ndër krimet më të shpeshta janë krimet seksuale.

“Referuar praktikës gjyqësore, personalisht rastet më impresionuese të krimeve, ku janë përfshirë të miturit si autorë apo edhe viktima të tyre, kanë qenë krimet seksuale. Për fat të keq krimet seksuale, të kryera nga të miturit si autorë dhe ndaj të miturve si viktima të abuzimit seksual, janë në një nivel raportimi në rritje”, – thotë për Investigative Network Albania Tereza Merkaj, gjyqtare në Gjykatën e Tiranës, në fushën e drejtësisë për të mitur.

“Kanosja e të miturve për t’i detyruar që të kryejnë veprimtari seksuale kundrejt publikimit të fotove intime apo videove me përmbajtje të akteve seksuale, ku i mituri është përfshirë me pëlqimin e tij me partner/in/en apo të dashur/in/ën, janë të shumta kohët e fundit. Në këto raste autori madhor ose i mitur, duke e kanosur viktimën me zbulimin e një fakti, që do ta dëmtonte rëndë nderin ose reputacionin e saj apo të personit të lidhur ngushtë me të, e ka imponuar të përfshihet në marrëdhënie seksuale me të apo dhe me persona të tjerë”, – shton më tej profesoreshë Merkaj.

 Tipologjia e të miturve që përfshihen në krim

 Të miturit, që përfshihen në fushën e narkotikëve, gjithnjë e nisin si shaka, si diçka prej së cilës nuk kanë ose nuk do të kenë varësi. Një pjesë e konsiderueshme e nisin si sfidë ndaj bashkëmoshatarëve, por më pas ngecin në këtë kurth dhe përfundojnë edhe në shpërndarës.

“Në pjesën më të madhe e nisin përdorimin në grupe shokësh ose festa, ku edhe kontrolli është më i vogël. Më pas duan që të duken më të rritur ose më guximtarë se bashkëmoshatarët dhe e shpeshtojnë konsumimin e këtyre lëndëve. Disa të tjerë fillojnë të merren me shitje, pasi sigurojnë të ardhura të mira. Siguria që iu japin tutorët e tyre, por edhe pavarësia ekonomike ka një ndikim mjaft të madh te këta persona kundrejt moshatarëve të tyre”, – thotë psikologu Elidon Shehu.

Po ashtu, të miturit, që përfshihen në konflikte me bashkëmoshatarët e tyre, janë një fenomen mjaft shqetësues, për shkak të agresivitetit dhe përmasave që marrin. Sherret nisin përgjithësisht online dhe më pas përfundojnë duke u “sqaruar” me grushte e thika.

“Në pjesën më të madhe këta të mitur i nisin konfliktet në rrjetet sociale, pas këtyre debateve ata caktojnë një vend për t`u “sqaruar”, ku nisin konfliktet e dhunshme ndërmjet tyre. Këto konflikte kryesisht ndodhin pranë ambienteve të shkollave të mesme. Nga këto konflikte ka pasur edhe të mitur të dëmtuar rëndë, por edhe me fatalitet për jetën”, – thotë Shehu.

Çudia me sjelljen prindërore shkon deri aty, sa të rriturit i japin automjetin një të mituri, edhe pse e kanë të qartë që po shkelin ligjin.

“Rezulton edhe që personat, që iu besojnë mjetet këtyre të miturve, janë prindërit, të afërmit ose shoqëria e tyre, që nuk e kuptojnë rrezikun që mund të kenë këta të mitur. Shqetësues është edhe modeli që jepet te shoqëria, duke u ekspozuar në rrjetet sociale dhe shpeshherë kthehen në trendy për të rinjtë”, – thotë zyrtari i Policisë së Tiranës.

 

E ardhmja e zymtë

Statistikat në rritje të të miturve, që përfshihen në krime, janë evidente pothuajse në çdo qytet të vendit.

Grafiku i çështjeve me të mitur në konflikt me ligjin, Elbasan

“Është shumë e rëndësishme që t`i kushtohet një vëmendje dhe kujdes i veçantë të miturve, pasi individët, që kryejnë veprime jo të ligjshme në moshë shumë të re, janë më të predispozuar për t’i përsëritur ato, duke u bërë kështu më vonë të rritur problematikë”, – thotë në një intervistë për INA MEDIA-n kreu i Prokurorisë së Elbasanit, Kreshnik Ajazi.

Rreziku tjetër është që të miturit mund të përdoren nga të rriturit në aktivitete kriminale dhe rastet nuk mungojnë.

“Ata mund të shtyhen dhe të shfrytëzohen me lehtësi nga madhorët, duke u përdorur prej tyre në kryerjen e krimeve të ndryshme. Madhorët i shfrytëzojnë të miturit për të kryer krime të diktuara prej tyre përgjithësisht nëpërmjet përdorimit të elementit të gënjeshtrës, mashtrimit, shpërdorimit të besimit, joshjes, manipulimit, dhunës fizike, psikologjike apo dhe emocionale”, – thotë për INA MEDIA-n gjyqtarja e specializuar për drejtësinë për të mitur, Tereza Merkaj.

“Shpesh krimet kanë shtrirje kohore dhe vijojnë të kryhen nga i njëjti i mitur për llogari të një madhori, duke e vendosur në raport varësie”, – sqaron më tej Merkaj.

Drejtuesi i Prokurorisë së Elbasanit thotë se “Shtytja e të miturit në krim” parashikohet nga neni 129 i Kodit Penal dhe gjatë viteve 2018-2021 ka pasur vetëm 3 procedime me përmbajtje të kësaj vepre, por ai apelon që, pavarësisht kësaj shifre të vogël në dukje i duhet kushtuar kujdes.

“Duhet kushtuar vëmendje dhe kujdes i veçantë që të miturit të mos bien pre e të rriturve e të mos shfrytëzohen nga ata për kryerjen e krimeve të ndryshme”, – shton drejtuesi i Prokurorisë së Elbasanit.

 

Problemi nis nga familja

Në shumicën dërrmuese të rasteve rezulton se të miturit në konflikt me ligjin vijnë nga familje me probleme të ndryshme.

Rastet zyrtare në polici dhe në gjykatë tregojnë se një pjesë e fajit rëndon edhe mbi prindërit.

“Ne hasim më shpesh të mitur me probleme social-ekonomike dhe fëmijë që nuk frekuentojnë rregullisht shkollën. Ajo që vërehet më shumë te të gjitha rastet është se, kur prindërit vihen në dijeni se fëmija i tyre është i përfshirë në një vepër penale, ata iu kundërvihen autoriteteve, duke i paragjykuar dhe duke mos pranuar veprimin, ku është përfshirë fëmija i tyre”, – thotë psikologu i Policisë së Tiranës, Elidon Shehu, për INA MEDIA-n.

Edhe avokatët, që kanë trajtuar raste të ndryshme, kanë vënë re se dobësitë në familje janë pikënisja e “aventurave” të të miturve.

“Të miturit i detyron, mund të themi, gjendja e vështirë ekonomike, gjendja e vështirë në familje; kur ka probleme midis prindërve, mosmarrëveshje të ndryshme, p.sh., kur prindërit janë në proces divorci dhe krijohen situata të vështira, sociale në familje”, – thotë avokati Edvis Gorishti

Por, shpeshherë pjesë e këtyre statistikave janë edhe fëmijë, të cilëve nuk iu mungon asgjë, te të cilët prindërit kanë besim të tepruar, që kanë liri të pakufizuar, duke iu lënë shuma të mëdha parash në duar, që në mosha shumë të vogla.

Edvis Gorishti, avokat

“Nga ana tjetër e medaljes janë edhe familjet me gjendje shumë të mirë ekonomike, për shkak të tolerancës së pakufizuar që tregojnë prindërit ndaj fëmijëve, duke iu dhënë liri në çdo veprimtari të dëshiruar; duke iu lejuar shpenzime të paarsyeshme për moshën e tyre dhe në mungesë të kontrollit prindëror. Janë familje që prezantojnë në shoqëri të mitur me predispozicion të lartë përfshirjeje në kriminalitet”, – mendon gjyqtarja e specializuar për të miturit, Tereza Merkaj.

Të miturit u morën me kultivim kanabisi

Gama e veprave penale, ku rezulton se përfshihen të miturit, është e larmishme, por tashmë zyrtarisht janë evidentuar edhe si kultivues kanabisi.

Vetëm në Fier janë evidentuar 3 raste përgjatë vitit 2020.

“Nga të dhënat statistikore ka rezultuar se këtë vit ka përfshirje të të miturve në veprat penale të kultivimit të narkotikëve”, – thuhet në raportin vjetor të kësaj prokurorie.

Avokati Gorishti mendon se kjo lidhet edhe me zonën ku jeton i mituri.

“Kur i mituri banon në një komunitet, ku ka shkallë të lartë kriminaliteti, është thuajse i pashmangshëm implikimi i tyre, pasi janë një kategori shumë delikate. Si pasojë, ndikohen e përdoren me lehtësi nga më të rriturit, të cilët janë aktorë apo, të themi, pjesë e komunitetit të krimit”, – shprehet Edvis Gorishti, avokat.

“Më e komplikuar është, kur të miturit janë përdorues të lëndëve narkotike, që është shumë e vështirë apo, të themi, e pashmangshme dalja e tyre nga kjo situatë”, – sqaron më tej ai.

Kodi i Drejtësisë Penale për të Mitur

Ky kod i miratuar me Ligjin nr. 37/2017 është risi në drejtësinë shqiptare dhe ka një qasje miqësore me të miturit, si qëllim kryesor ndërgjegjësimin, shmangien e tyre nga ndjekja penale dhe jo ndëshkimin.

Fletushka informuese e Qendrës së Parandalimit të Krimeve të të Rinjve dhe të Miturve (QPKRM)

“Është fakt që legjislacioni i ri i drejtësisë penale për të miturit garanton dhe mbron të drejtat e të miturve në nivelin maksimal të sanksionuar nga standardet ndërkombëtare në fushën e mbrojtjes së të drejtave të të miturve, parashikon lehtësi ligjore në trajtimin dhe korrigjimin e tyre me masa alternative sanksionesh, por nga ana tjetër këto parashikime nuk kanë sjellë efektet e pritura në minimizimin e fenomenit të kriminalitetit në rritje te të miturit dhe as në drejtim të shmangies së recidivizmit të tyre”, – thotë për INA MEDIA-n gjyqtarja Merkaj.

“Duhet të themi se është fillimi, pra është herët të marrim rezultate maksimale, pasi kjo duhet bërë nga të gjitha hallkat e sistemit, si nga ana e organeve ligjzbatuese, që janë të parat që fillojnë ndjekjen e procedimit, ashtu dhe nga ana e gjykatave, që ndjekin procesin në vijim apo edhe organeve për ekzekutimin e vendimeve penale. Mund të themi që zbatohet, por ka problematika gjatë këtij procesi”, – thotë avokati Edvis Gorishti për INA MEDIA-n.

Qendra për Parandalimin e Krimeve të të Miturve

Qendra e Parandalimit të Krimit të të Miturve dhe të Rinjve është një institucion i ri në varësi të Ministrisë së Drejtësisë, që e shtrin veprimtarinë e saj në të gjithë territorin e vendit dhe organizohet në nivel qendror.

Misioni kryesor i qendrës është të realizojë veprimtarinë rehabilituese dhe ri-integruese nëpërmjet mbikëqyrjes dhe mbrojtjes së të miturve/të rinjve pas kryerjes së dënimit. Aktualisht kjo qendër po ndjek 3 të mitur që kanë përfunduar dënimin.

“Minimalisht ne do t`i trajtojmë 6 muaj të miturit pas kryerjes së dënimit, por në varësi të situatës kjo periudhë mund të zgjasë edhe më shumë, referuar nevojave. Kemi vendosur kontaktet me 3 të miturit e parë, të cilët së fundmi kanë fituar lirinë me kusht nga Instituti i të Miturve në Kavajë. Në bazë të planit individual dhe në bashkëpunim me institucionet e tjera përkatëse, janë marrë masat për përmbushjen e nevojave të këtyre të miturve”, – thotë drejtoresha e qendrës, Brezeida Manofi.

Brezeida Manofi, drejtoreshë e QPKMR

Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për muajin nëntor 2021, si të paraburgosur dhe të dënuar në Institutin e të Miturve në Kavajë mbahen 6 të mitur të grup-moshës 14-16 vjeç dhe 13 të tjerë të grup-moshës 16-18 vjeç.

Kodi i ri parashikon që për të miturit të ketë edhe një databazë të posaçme. Por, megjithatë gjyqtarja Tereza Merkaj është skeptike, nëse këto politika do ta minimizojnë përfshirjen e të miturve në krim.

“Krijimi i institucioneve të reja dhe shërbimeve të specializuara për zbatimin e parashikimeve të KDPM, si Qendra për Parandalimin e Krimeve të të Miturve dhe të Rinjve, përfshirë këtu dhe krijimin e sistemit të integruar për të dhënat e drejtësisë penale për të miturit, nuk është i mjaftueshëm për të minimizuar dhe për të parandaluar kriminalitetin e të miturve”, – përfundon gjyqtarja Tereza Merkaj.

SHARE THIS POST

Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin