Thoma Gëllçi, ish drejtori i Radio Televizionit Shqiptar kërkon në Gjykatën e Lartë pafajësi.
Ai ka dorëzuar rekurs ndaj vendimit të Apelit të Posaçëm, që la në dhjetor të 2022, në fuqi vendimin e fajësisë për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” dhe dënimin e tij me 1 vit e 4 muaj burg.
Gjatë gjithë procesit, Gëllçi edhe pse kërkoi të gjykohej me procedurë të shkurtuar, mohoi akuzat dhe kërkoi nga dy Gjykatat ti rrëzonte pretendimet e SPAK.
Rekurs kundër verdiktit të dy shkallëve të gjyqësorit kanë bërë edhe 3 të bashkëpandehurit e Gëllçit, Julian Tapia, Ervin Muraj dhe Alban Malaveci, të cilët u gjetën fajtor dhe u dënuan me nga 1 vit burgim.
Të gjithë të hetuarit në këtë dosje, tashmë kanë shlyer dënimet e dhëna nga Gjykatat e Posaçme dhe janë liruar. Beteja në Gjykatën e Lartë mbetet vetëm për pafajësinë dhe heqjen e dënimit plotësues, atë të përjashtimit për 5 vite nga funksione publike.
Ish drejtori i Përgjithshëm i RTSH-së, ka pretenduar se ka zbatuar vetëm ligjin në tenderin e hapur për plotësimin me pajisje të kanalit RTSH Agro, ashtu si edhe 3 zyrtarët e tjerë.
SPAK këmbënguli se me në krye Gëllçin, 3 zyrtarët e tjerë, anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave kanë kryer shkelje ligjore në procedurën e prokurimit, për blerjen e materialeve për hapjen e kanalit RTSH Agro.
Ish drejtori i RTSH- së dhe 3 punonjësit e tjerë u arrestuan në tetor të 2021, pas një hetimi të nisur fillimisht nga Prokuroria e Tiranës dhe më pas ndjekur nga SPAK.