Pasuritë e krimit, shteti shqiptar harxhon miliona lekë për t’i mirëmbajtur

40 pasuri krimi, të sekuestruara përgjatë periudhës 2011-2020, i kushtojnë buxhetit të shtetit miliona lekë për mirëmbajtje. Mes betejës së vështirë me mitin e të fortëve që pengojnë zhvillimin e pronës, qendra shtetërore për menaxhim gjendet në vështirësi financiare për shkak të faturave të mirëmbajtjes. Paradoksalisht, në disa raste këto kosto janë më të larta sesa vlera e objektit.

Autor: Ermal Vija

Përpara se të mbajë shënim porosinë, Gerti Ndreu kujdeset që të pastrojë tavolinën e lokalit, KinFolk Coffee Library, një pasuri krimi që tashmë është shndërruar në qendër sociale.

24-vjeçari mbërriti nga Dibra në qytetin e Durrësit për të ndjekur shkollën e Infermierisë dhe mes vështirësive për të përballuar faturat, sapo iu ofrua një mundësi punësimi, ai nuk e refuzoi.

Deri në vitin 2012, vendi ku aktualisht shërben si kamerier, ishte një pasuri e dyshimtë, pasi pronari i saj, shtetasi Bledar Gogreja, një ish-i dënuar në Itali për trafik droge, u vu nën “lupën” e ligjit Antimafia.

Pa rënë ende në rrjetat e drejtësisë, objekti që gjendet në shëtitoren kryesore të Durrësit, ishte pagëzuar me emrin Fashion Club, një disko e nëndheshme, prej së cilës në rrjetet sociale kanë mbetur vetëm fotografitë e shkrepura në atë kohë, ku ekspozohej jeta e natës e të rinjve dhe adoleshentëve.

Ish-disko Fashion Club, 2012

Për Gertin kjo histori nuk ka aspak rëndësi. Atij nuk i intereson se si quhej trafikanti, por se çfarë mundësish po iu jepen të rinjve si ai, por dhe shoqërisë pas konfiskimit.

Ndonëse trafikanti u shpreh gjatë gjykimit se pasuria i përkiste së ëmës, pasi, sipas tij, “të ardhurat që fitonte, i çonte në shtëpi, ku i administronte nënë Nekija”, përgjimet e ekspozuan dhe treguan të kundërtën. Në një rast trafikanti shprehet i interesuar, duke thënë: “Më erdhën nga Tirana sot me urdhër prokurorie, me sekuestru çfarë ka lokali brenda. Thanë, “biznes i paligjshëm”.

Më tej, sipas vendimit, tregohet se trafikanti u përpoq ta tjetërsojë, një tentativë që u ndërpre nga vendimi i vitit 2017.

Faksimile, vendimi i konfiskimit të pasurisë së trafikantit Bledar Gogreja

Dy vite më vonë, kjo pronë kaloi në llogari të shtetit, duke u kthyer në një qendër sociale.

Nga viti 2013 deri në vitin 2019 në buxhetin e shtetit janë derdhur 866 milionë lekë nga shitja e pronave apo dhënia e tyre me qira. Ndërkohë, një fond i posaçëm përdoret për institucionet shtetërore, por edhe për organizatat jofitimprurëse që mbrojnë viktimat kundër krimit.

Zyrtarisht, deklarohet se gjatë vitit 2021 Policia e Shtetit, Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit dhe Qendra Kombëtare Pritëse e Viktimave kanë përfituar rreth 75 milionë lekë.

Nga disko e trafikantit, në librari

Mësova që KinFolk Coffee Library solli artikuj të shumtë librash për të rinjtë dhe shkova fillimisht për të lexuar, por më pas më ofruan punë, meqenëse vij nga familje me probleme ekonomike”, – i thotë Investigative Network Albania-s, studenti i Infermierisë, Gerti Ndreu.

KinFolk Coffee Library, dikur një pasuri krimi, aktualisht qendër sociale

KinFolk Coffee Library është një sipërmarrje sociale, e dyta pas Ke Bueno në qytetin e Fierit, që hapi dyert, pasi iu ishte vënë kyçi si biznese të krimit, të konfiskuara si të paligjshme. Të dyja këto qendra sociale mbështeten financiarisht nga Bashkimi Europian dhe synojnë punësimin e të rinjve të rrezikuar dhe të margjinalizuar, mes tyre edhe të grup-moshave në shërbim prove dhe që duan t`i shpëtojnë krimit.

E vështirë, por jo e pamundur 

Godina, ku gjendet KinFolk Library, është nën administrim të Agjencisë së Pasurive të Konfiskuara dhe Sekuestruara, e cila ia ka dhënë me qira zero Nensi Dragotit, tanimë një menaxher i kësaj sipërmarrjeje. Për dhjetë vite me radhë, prona për të cilën drejtësia vendosi shiritat, u degradua, jo vetëm për shkak të pamundësisë së kësaj agjencie për ta kthyer në njësi shërbimi, por edhe frikës së investitorëve. Dragoti vendosi të sfidojë. “Por, teksa po punonim, në atë ambient të degraduar, të mbushur me ujë dhe mbetje, mbërriti një person. U prezantua si ish-pronari. Ishte i qartë, tregoi që ajo pronë ishte e tij dhe ne duhet të dilnim prej aty. U mundova ta qetësoj, duke i thënë se jam thjesht një qiramarrës që ia ka marrë me qira Agjencisë së Pasurive të Konfiskuara dhe Sekuestruara”, – kujton menaxheri.

Në ditët që pasuan, problemi vijues, me të cilin u ndesh Nensi Dragoti, ishte vështirësia për të rekrutuar stafin.

Njerëzit ngurronin, kishin frikë dhe stepja buronte nga fakti që prona ishte e konfiskuar dhe për këtë arsye ata ndiheshin të rrezikuar”, – thotë Dragoti. Miti i të fortëve të Durrësit dhe influenca e tyre u thye nga insistimi i sipërmarrësit, që përdori, përveç njohjeve personale, edhe thirrjet në rrjetet sociale.

Por, teksa për pesë vitet e ardhshme administrimi i 174 metrave katrorë, që i përkisnin krimit, është vënë në shërbim të komunitetit, panorama nuk është kaq entuziaste për dhjetëra pasuri të tjera që deri dje iu përkisnin trafikantëve të drogës, të prostitucionit dhe të krimit të organizuar.

Nga lokali njëkatësh që i përkiste Kleidi (Klodian) Saliut, i vrarë në vitin 2005 gjatë hakmarrjeve të grupeve kriminale të Durrësit, kanë mbetur vetëm gërmadhat. Një pasuri e tillë, e cila ndodhet në Porto Romano, vlen miliona euro, jo vetëm për shkak të pozitës gjeografike pranë detit, por edhe për sipërfaqen e konsiderueshme ku shtrihet. Pasuria u sekuestrua në vazhdën e hetimeve të ligjit Antimafia (i vitit 2009), por përveç murit rrethues aty nga koha janë zhdukur edhe tabelat, ku paralajmërohej “pasuri e sekuestruar”.

Si është degraduar lokali i Kleidi Saliut, në Porto Romano, sekuestruar në vitin 2009

Kjo pasuri tanimë është konfiskuar sipas një vendimi, datë 31 maj 2011, të shpallur nga gjyqtarët Amarildo Laçi, Dhurata Haveri dhe Saida Dollani.

Hulumtimi i Investigative Network Albania zbuloi se gjykata rrëzoi sekuestron ndaj llogarive bankare të të afërmve të Kleidi (Klodian) Saliut, por kaloi në favor të shtetit pasurinë e mësipërme me sipërfaqe 500 metra katrorë, me adresë: Zona Rinia, Durrës, së bashku me bar restorantin me sipërfaqe 130 metra katrorë.

Faksimile e vendimit të gjykatës për konfiskimin e lokalit të Kleidi Saliut në Porto Romano

Megjithatë, 10 vjet pas këtij vendimi, askush nuk e ka blerë, askush nuk e ka marrë me qira dhe askush nuk i afrohet kësaj prone. Kreu i Agjencisë së Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, Qiriako Theodhori, pranon se kjo pasuri nuk është e vetmja që ka degraduar pa mundësuar rivitalizimin e saj. Një ndër faktorët frenues është historia e ish-pronarëve të tyre, që e kanë CV-në të mbushur me krime, por veç kësaj Theodhori nuk rezervohet të ekspozojë edhe problemet e tjera.

Pasuritë që ne marrim nën administrim, janë të tri formave, pasuri të paluajtshme, llogari bankare dhe biznese ose shoqëri tregtare. Një nga problemet më të mëdha për administrimin e pasurive është administrimi i një biznesi. Kur marrim një shoqëri, ose e administrojmë vetë, ose e japim me qira. Ne momentalisht administrojmë 6 pasuri që kanë ecur mirë. Një administrator, në momentin që fillon të menaxhojë biznesin, është i detyruar të zbatojë ligjet e shtetit, në momentin që do i duhet të shpenzojë për të furnizuar biznesin dhe nuk ka preferencat e privatit. Po iu jap një shembull: Në momentin që ne do bëjmë një blerje të një produkti, kur shkon një administrator për të bërë blerje, do të zbatojë ligjet e prokurimit publik, ndërsa një privat nuk i jep llogari njeriu për blerje dhe e bën menjëherë atë, duke na sfiduar”.

Megjithatë, përpara ligjit miti i njerëzve të botës së krimit me kalimin e kohës duket sikur zbehet. Veçanërisht kur ata hetohen në pjesën më të rëndësishme, pasuritë e përfituara me paligjshmëri. Shifrat zyrtare tregojnë se kryeqyteti kryeson me pasuri të fituara përmes krimit, që janë bllokuar nga drejtësia, me 68 objekte, lokale, shtëpi dhe sipërfaqe toke. Më pas qyteti i Vlorës rezulton në vend të dytë me 66 pasuri, mes të cilave hotele dhe apartamente. Duke parë shtrirjen e aseteve të vendosura nën “darën” e sekuestros, kuptohet se qytetet bregdetare dhe metropoli janë “parajsa” ku ata përpiqen t`i investojnë paratë e tyre, pasi Durrësi qëndron në vend të tretë, me 54 pasuri.

Në Shqipëri aktualisht janë “rrëmbyer” 536 pasuri në emër të ligjit me vlera disa milionë euro.

Sidoqoftë, përveç statistikave që tregojnë vlerën e madhe të aseteve të sekuestruara, shteti shqiptar njëkohësisht harxhon miliona lekë për t`i mirëmbajtur ato.

Nga investigimi i kryer rezulton se vetëm për mirëmbajtjen e Golden Resort, që gjendet në Shijak, shteti shqiptar harxhoi për çdo muaj 2 milionë e 800 mijë lekë si shpenzime për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e këtij objekti; por duke folur me statistika, llogaritet që ligji Antimafia të ketë dërguar para drejtësisë vetëm për gjashtë muajt e parë të vitit 2021 pasuri me vlerë 1 miliard e 44 milionë e 415 mijë e 463 lekë.

“Kemi 3 pasuri të konfiskuara për këtë vit, me një vlerë prej 1 milion e 735 mijë lekësh dhe kemi 2 pasuri të revokuara me një vlerë prej 2 milionë e 700 mijë lekësh, janë dy automjete”.

Por historiku i gjykimeve tregon se proceset e sekuestrove, nga faza kalimtare deri në konfiskimin përfundimtar, kërkojnë kohë. Kjo vonesë sjell një anomali tjetër financiare.

Kemi patur raste që një pronë e ka tejkaluar vlerën dhe pronari që e ka patur nuk e ka marrë më. Bëhet fjalë për një garazh të sekuestruar në qytetin e Beratit dhe shpenzimet e agjencisë e kanë tejkaluar vlerën e pronës, duke llogaritur pagën e personave që do ta ruanin objektin, naftën e harxhuar për udhëtimet e administratorit, që ka shkuar te prona; shpenzime këto që e kanë kaluar vlerën e saj. Duhet që gjykata të shprehet me vendim, se cila palë duhet t`i paguajë shpenzimet procedurale dhe ato të mirëmbajtjes”, – thotë për Investigative Network Albania, administratori Skënder Methasani.

Por rastet më flagrante tregojnë pasuri të tjera që tejkaluan vlerën për shkak të humbjeve nga kostot. Një ndër to është ngërçi për të administruar pasurinë e një trafikanti të kokainës, shtetasit Astrit Beqiri: një pulari, faturat e së cilës përfunduan në Gjykatën Administrative me palë të paditur shtetin. Më tej, problematike vlerësohet edhe mirëmbajtja e automjeteve të bllokuara që amortizohen, pasi mbahen stok, duke u ekspozuar në kushte atmosferike dhe pa u mirëmbajtur. Më të zakonshmet janë aktivitetet e blegtorisë.

Duhet një bashkëpunim i prokurorit dhe administratorit, i cili duhet të jetë në dijeni, madje të japë edhe mendim për pasuritë që janë të menaxhueshme dhe pasuritë e pamenaxhueshme.

Unë, në cilësinë e administratorit, mund të shkoj t`i kontrolloj pronat që marr në menaxhim, pasi një makinë, që ndodhet në një zonë të thellë malore dhe që është pothuajse e shkatërruar, nuk mund ta marr në administrim, pasi vlera e mirëmbajtjes dhe transportit e tejkalon vlerën e mjetit. Por të gjitha këto duhet të realizohen para vendimit të gjykatës mbi sekuestron e pronës. Gjithashtu, menaxhimi i blegtorisë është shumë i vështirë dhe specifik.”

Ata janë 10!

Administratorët e agjencisë pohojnë se pasuria më e lehtë për t`u mbajtur nën kontroll është likuiditeti bankar; për të tjerat, qofshin pasuri të luajtshme ose jo, të 10 administratorët e agjencisë kanë një emërues të përbashkët, që e hasin në fazën e parë të sekuestros preventive. Qytetarët ngurrojnë t’iu afrohen aseteve të krimit. I tillë është rasti i Golden Resort, i cili gjatë kohës që ishte nën sekuestro, ishte e pamundur të jepej me qira.

“Aktualisht është duke u ruajtur. Ne deri tani nuk e kemi dhënë me qira për shkak të frikës, besoj, të personave që e kanë patur dhe asnjë nuk e ka marrë me qira. Pengesë ishte edhe pandemia, për shkak se Golden Resort shërbente për organizime dasmash dhe gjatë asaj periudhe ky aktivitet u ndalua”, – thekson Qiriako Theodhori.

Për Golden Resort, vendosur nën sekuestro nën “mandatin” e OFL-së, shkalla më e ulët e gjykatës shpalli heqje të konfiskimit disa muaj më vonë dhe konkretisht më 12 mars 2021.

Faksimile e vendimit të gjykatës për heqjen e sekuestros ndaj Golden Resort

Kjo çështje u apelua nga SPAK në Gjykatën e Apelit. Seanca e parë u zhvillua më 9 qershor, ku u vendos riçelja pjesërisht e hetimit gjyqësor, si dhe u caktua një grup ekspertësh kontabël dhe më 17 qershor do të paraqiteshin gjetjet e tyre. Ndërsa në vendimmarrjen e gjyqtarit Sander Simoni përmendet një tjetër këndvështrim mbi pronën që u dyshua se i përkiste të shumëkërkuarit Altin Hajri.

Kjo pasuri nuk është në pronësi të shtetasit Altin Hajri, por në pronësi të ankuesit Arben Vodha dhe për më tepër nuk ka qenë asnjëherë në pronësi të subjektit Hajri apo familjarëve të tij”, – shprehet gjyqtari. Ky gjyqtar e konsideron të gabuar hetimin e SPAK-ut, me arsyetimin se “në rastin konkret, prokuroria nuk arrin të vërtetojë, nëse konfiskimi i kësaj pasurie është në interes të ligjshëm publik, apo nëse ky konfiskim bëhet për mbrojtje të të drejtave të të tjerëve dhe për më tepër kjo masë është në përpjesëtim të zhdrejtë me gjendjen që presupozohet se e ka diktuar atë, për sa kohë kjo pasuri nuk ka lidhje me hetimet e fundit dhe është një pasuri e hetuar më parë prej organit të akuzës”.

Për procedurë shpëtoi nga sekuestrimi edhe pasuria e Dashamir Gjokës, një 50-vjeçar i dënuar nga drejtësia italiane për bashkëpunim në organizatë kriminale dhe shfrytëzim prostitucioni.

I shpallur fajtor 21 vite më parë, pasi u akuzua se kishte shfrytëzuar katër gra në Milano, si dhe për kalimin klandestin të vajzave rumune për t`u prostituuar në Itali, Gjoka doli i paprekur në Shqipëri. Kompleksi në Xhafzotaj u hoq nga lista e pasurive nën sekuestro, bazuar në dokumentet bankare dhe huat e marra prej të dyshuarit dhe personave të lidhur me të.

Faksimile, vendimi i gjykatës për heqjen e sekuestros së kompleksit në Xhafzotaj, pronë e Dashamir Gjokës 

Edhe makina e blinduar e ish-anëtarit të bandës së Durrësit, Lulëzim Berisha, pasi u sekuestrua nga OFL, iu rikthye të zotit. Prokurori i posaçëm, Edvin Kondili, fillimisht i kërkoi gjykatës të sekuestrohej mjeti tip BMW, me targa AA505XA, por në fazën e konfiskimit i tha gjyqtares, Iliriana Olldashi, se “pasuria duhej t`i kthehej Berishës, pasi justifikoi burimin e të ardhurave”.

Në vendimin e datës 23.10.2020, numër 66, thuhet se “subjekti Berisha kishte barrën e provës që të provonte origjinën e ligjshme të pasurisë në vlerën monetare 1.000.000 lekë.

Subjekti Berisha provoi se vlera monetare e të ardhurave të tij ishte e ligjshme, të ardhura të krijuara nga puna e tij në aktivitetin privat, Bar Kafe, dhe si aksioner në shoqërinë Rajan 2007”.

Ish-Vollga, një test tjetër për drejtësinë

Në një nga zonat me strategjike të Durrësit qëndron si ngrehinë godina e ish-Vollgës, dikur hotel, e sot i kthyer në një mollë sherri, si fillim mes arabëve dhe familjes Kodra.

Mosmarrëveshjet për pronësinë u kthyen në simbol të dështimit të gjyqësorit, deri në pikën ku administratori, Ylvi Beqja, kontraktoi si “përmbarues” Emiliano Shullazin, i dënuar për grup kriminal me 12 vite burgim nga Gjykata e Shkallës së Parë.

Ish-Vollga

Avokati Vladimir Meçe, që përfaqëson Shullazin, këmbëngul se ish-Vollga nuk duhej të ishte bllokuar dhe aq më tepër të ishte konfiskuar, siç u shpreh Gjykata e Posaçme më 1 prill 2021.

“Nuk kemi çfarë burimesh të vërtetojmë në rastin e Emiliano Shullazit.

Një pjesë e ish-hotel Vollgës është dhuruar nga personi që ka pasur të drejtën ligjore për ta bërë dhurimin dhe për këtë ka kontratë dhurimi, të bërë përmes aktit noterial. Ky akt noterial deri në këtë moment nuk është goditur nga dhuruesi, sepse ai është i vetmi person që mund t`i godasë në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor, ku ushtron veprimtarinë noteri. Nga ana tjetër, është pretenduar që këto pasuri janë marrë me kanosje apo me dhunë, por edhe ky proces nuk ka përfunduar ende, pasi ndodhet në Gjykatën e Posaçme të Apelit dhe Shullazi mund të deklarohet i pafajshëm”, – sqaron avokati Meçe.

43-vjeçari Shullazi, së bashku me akuzat për grup kriminal dhe gjobëvënie, zotëron në Durrës në perimetrin e ish-Vollgës rreth 2400 metra katrorë tokë dhe ndërtesën me sipërfaqe 1129 metra katrorë, ku së bashku me të paraqiten si pronarë edhe shtetasit Fejzi dhe Marjeta Kodra, por dokumentet vërtetojnë se, përpara letrës që OFL i dërgoi Shullazit në burg, duke i kërkuar burimin e ligjshëm të pasurive dhe më pas t`i paraqiste ato para autoriteteve të IEVP, gjykata ishte shprehur për këtë pronë.

“Një nga ndalimet e aktit normativ është që pasuritë nën sekuestro nuk mund të sekuestrohen dhe të konfiskohen në bazë të aktit normativ të OFL-së. Gjykata këtë moment e kapërceu, sepse ishte e interesuar për të bërë publicitet, duke e konsideruar të shfuqizuar vendimin e mëparshëm të sekuestros, edhe pse nuk ka një vendim gjykate që ta shfuqizojë atë”, – thotë Meçe.

Investigimi i “Investigative Network Albania” zbuloi se agjencia shtetërore për administrimin e pasurive të tilla vetëm për mirëmbajtjen e ish-Vollgës shpenzoi rreth 67 milionë lekë të vjetra, ku përfshihen edhe pagat për rojet private, edhe pse ky objekt, veç mureve, nuk ka asgjë për t`u mbajtur nën ruajtje.

Kreu i institucionit, Qirjako, duke marrë shkas nga rasti i ish-Vollgës, shkon akoma më tej, duke cekur një tjetër shqetësim.

“Tashmë është bllokuar çdo kalim kapital që mund të bëhet në zyrat e Kadastrës.

Një administratori nuk i lejohet të marrë kredi, që për mua është një pikë e dobët e ligjit, pasi kufizojnë zhvillimin e pronës. Për këtë gjykatat duhet të përshpejtojnë procedurat, sepse të gjitha shpenzimet që ne bëjmë për ruajtje dhe administrim në këtë periudhë, na mbeten neve”, – thotë Qirjako.

Si fakt ai sjell konfiskimin e Santa Quaranta-s në Sarandë, kaluar në favor të shtetit gjatë vitit 2019, sipas një vendimi që ia hoqi nga duart pronën luksoze Klement Balilit.

49-vjeçari nga Stajri i Delvinës ishte vendosur nën hetim për afera narkotikësh, në të njëjtën kohë kur u emërua si drejtor i Transporteve në qytetin e tij. Përgjimet telefonike vërtetuan se njëherazi gjatë vitit 2016 ai organizoi trafikimin e gati 678 kilogramëve hashash, duke i dërguar përmes skafeve në brigjet greke. Gjatë shpalljes së vendimit të fajësisë së “Eskobarit të Ballkanit” gjykata radhiti faktet dhe provat e qëmtuara nga akuza mbi pronat, që në këtë rast trafikanti dhe ish-zyrtari i prodhoi nga aktivitetet e paligjshme ose i fshehu ato.

“I pandehuri, – vlerëson gjykata, – nuk deklaroi vlerën e banesës private dhe burimin e të ardhurave. Nuk deklaroi shpenzimet e energjisë elektrike, deklaroi një hua të dyshimtë prej 30 mijë eurosh, ndërsa e shoqja, Alma Balili, u zbulua si ortake në masën 50 për qind në shoqërinë “Balili Sh.p.k.”. Në fund gjykata i konfiskoi Balilit 40 për qind të pronës dhe pjesën tjetër ia ktheu, me argumentin se ishte krijuar me burime të ligjshme financiare. Tashmë Balili dhe familjarët e tij janë bashkëpronarë me shtetin, por ndarja fizike e këtyre pasurive e ka çuar sërish çështjen në dyert e gjykatave.

49-vjeçari dhe familjarët e tij kërkojnë të marrin në administrim 60 për qind të pasurisë, si dhe shumën monetare që agjencia ka fituar gjatë kohës që e ka mbajtur nën sekuestro, ndërsa agjencia e ka të vështirë të bëjë ndarjen fizike të pasurive. Përmes një vendimi të ndërmjetëm, më 28 maj 2021, gjykata rrëzoi kërkesën e Agjencisë së Administrimit dhe Sekuestrimit të Pasurive që kërkonte miratimin e një akt-marrëveshjeje me familjen Balili.

Sipas kësaj kërkese, “në datën 20 prill 2021, Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara paraqiti para kësaj gjykate kërkesën për miratimin e aktmarrëveshjes noteriale, nr. 959 rep., nr. 581 kol., datë 19.04.2021, të lidhur mes saj dhe shtetasit Bashkim Balili, kërkim që u shqyrtua në seancën gjyqësore në prani të palëve ndërgjyqëse, ndër të cilat kjo gjykatë thirri në proces si persona që lidheshin me këtë çështje, Prokurorinë e Posaçme, subjektin e ligjit parandalues, Klement Balili dhe shoqërinë Balili-Ko sh.p.k., me administrator shtetasin Bashkim Balili”, – thuhet në vendimin e gjykatës.

Shumë vende europiane i kanë dhënë zgjidhje këtij problemi, duke i shitur menjëherë pasuritë e vendosura nën sekuestro dhe, në rast se gjykata ia kthen sërish pronarit, i jep atij shumën e parave.

“Këtë e zgjidh komiteti ndërinstitucional prej 9 anëtarësh, që mund të marrë vendim për pasuritë. Ky komitet mund të vendosë për të gjitha kalimet e pronësive, pasi ato konfiskohen, ose mund të shiten, ose mund të përdoren nga institucionet ose OJQ-të përmes financimeve të Bashkimit Europian”, – sugjeron kreu i kësaj Agjencie, Qirjako Theodhori.

SHARE THIS POST

Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin