Moskompetenca, instrumenti që “shpëtoi” hetimet për korrupsionin në zgjedhje

Nga Ermal Vija

Mes 149 kallzimeve të dorëzuara në SPAK  për krime zgjedhore dhe korrupsion zgjedhor gjatë 25 prillit, edhe për çështjen e nënkryetarit të bashkisë Pustec, Korçë dy prokurori dhe disa gjykata  u përfshinë në betejën e kompetencave. Një monitorim i Qendrës “FOL” tregon se  procedimi me numër 93 i vitit 2021  rregjistruar për korrupsion u zbut  duke atribuar një tjetër vepër atë të “marrjes ose përdorimit të paligjshëm të dokumenteve të identifikimit”. Arsyetimi ishte “fakti nuk egziston”. Prokuroria e Posaçme u përfshi në hetime dy javë para zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 25 prillit 2021, mbasi drejtuesi politik i Partisë Demokratike Edmond Spaho denoncoi kandidatin e Partisë Socialiste Andon Jani  si shkelës të ligjit. “Ai ka mbledhur karta identiteti të personave të ndryshëm në zonën e Bashkisë Pustec  duke u premtuar dhe siguruar banorëve  se do ti ndihmojë ata për të marrë pasaporta bullgare, në shkëmbim të votove për subjektin politik Partia Socialiste” – thuhej në denoncimin e atëhershëm. Dy muaj më vonë nga denoncimi, në muajin maj, SPAK bazuar në veprimet e policisë gjyqësore konsideroi se “gjendej në pamundësi për të vërtetuar këtë vepër  dhe në të njëjtën kohë edhe të veprës “marrje apo përdorim i paligjshëm i dokumentave”. Ndaj dhe shpall moskompetencën në 10 maj 2021. Me një vepër të re siç tregon monitorimi i qendrës “FOL” , dosja e pasaportave dhe marrjes së dokumentave bullgare  i kalon prokurorisë së Korçës si prokuroria kompetente në lëndë dhe në territor.

Edhe Korça njësoj!

Kjo e fundit, mbi bazën e vendimit të sipërcituar ka pranuar aktet e procedimit penal nr. 93, të vitit 2021, të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë dhe ka urdhëruar regjistrimin e  procedimit penal për veprën penale te “Marrjes ose përdorimit të paligjshëm të dokumenteve të identifikimit”, të parashikuar nga neni 331/a i Kodit Penal, si procedimi penal nr.349, viti 2021” shprehen për investigimin analistët e Qendrës “Fol” të cilët po monitorojnë çështjet e korrupsionit që hetohen, mosfillohen apo shpallet moskompetenca. Por edhe kjo vepër nuk u provua se ishte kryer. Në dokumenta prokuroria e Korçës deklaron; “Prokurori ka arritur në konkluzionin, në përfundim të hetimeve paraprake, se, procedimi penal duhet pushuar, pasi, bazuar në nenin 328/1, gërma “a”, të K.Pr.Penale, fakti nuk provohet se ekziston”. Në nëntor 2021 çështja kalohet përpara gjyqtarit paraprak në Korçë ku dhe duhej të shqyrtohej kërkesa e prokurorit për pushimin e hetimeve. Por gjykata vendos shpalljen e moskompetencës dhe dërgimin e akteve gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Si argument shtohet  veprimi i prokurorit të posaçëm i cili ndonëse e rregjistroi kallzimin e pasaportave bullgare si të dyshuar për korrupsion në zgjedhje, dy muaj më pas ai urdhëroi ndryshimin e cilësimit juridik në një vepër më të lehtë, në atë “ të marrjes dhe përdorimit të dokumentave të identifikimit”. Në vendimin që ju vendos në dispozicion Qendrës “FOL” shkruhet: “Gjykata vëren se Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar duke ndryshuar cilësimin juridik të veprës penale, si më lart parashtruar, i ka hequr mundësinë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për të vlerësuar nëse përmbushen kushtet dhe kriteret ligjore për të pushuar akuzën ose çështjen penale për veprën penale të “Korrupsioni aktiv në zgjedhje“, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal, pasi për këtë vepër penale, të hetuar, paraprakisht nga Prokuroria e Posaçme duhet të shprehet gjykata në seancë paraprake. Procedimi në mënyrë të tillë nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka sjellë si pasojë edhe parregullsitë në lidhje me gjykatën kompetente për shqyrtimin e çështjes”.

Monitorimi i Qendrës “FOL” hedh dritë mbi fatin e mëtejshëm të dosjes. Në 5 maj 2022 edhe Gjykata e Posaçme në Tiranë në rolin e gjykimit paraprak kundërshton gjykimin me një kërkesë proceduriale drejtuar Gjykatës së Lartë e cila do të angazhohet se cila është gjykata kompetente. Në vendimartje gjyqtarët antikorrupsion deklarojnë se  “ Në rastin konkret, nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk është ngritur asnjë akuzë, por është kryer vetëm regjistrimi i procedimit penal për veprën penale të parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal pika 2 e nenit 287/2 të Kodit të Procedurës Penale – sipas të cilës, “Kur gjatë hetimeve paraprake ndryshon cilësimi juridik ose ndonjë rrethanë e kryerjes së veprës penale, prokurori urdhëron pasqyrimin e tyre në shënimet e bëra sipas paragrafit 1 të këtij neni.” – i njeh kompetencën prokurorit që të kryejë ndryshimin e cilësimit juridik të veprës penale, për  të cilën vetë prokurori ka urdhëruar shënimin në regjistrin e njoftimeve të veprave penale, duke i pasqyruar ndryshimet në regjistrin përkatës”.

Rezulton se në 5 korrik 2022, Gjykata e Lartë vendos që kallzimin e Edmond Spahos ta përcjellë drejt gjykatës së Korcës. “ Mbi këtë bazë arsyetimi konkludohet se Gjykata e Rrethit Gjyqësor, Korçë – gjyqtari i seancës paraprake pranë kësaj Gjykate – ka pasur detyrimin e pashmangshëm për t’u prononcuar lidhur me kërkesën e paraqitur nga prokurori pranë asaj Gjykate për “pushimin e çështjes” se regjistruar, duke “operuar” në të gjitha drejtimet dhe duke shfrytëzuar te gjithë “hapësirën” dhe “instrumentet” e nevojshme, të garantuara nga përcaktimet e nenit 332/dh/1 te K.Pr.Penale në funksion të verifikimit të kërkesës së Prokurorit për pushimin e çështjes penale, përfshirë edhe prononcimin lidhur me kompetencën e tij për të gjykuar këtë kërkesë, duke përjashtuar “alibinë” e mosprononcimit të tij lidhur me kërkesën, nën pretekstin e ometimit të Gjykatës speciale – gjyqtarit të seancës paraprake – pranë saj – për t’u prononcuar paraprakisht – lidhur me “vendimin e Prokurorit special i cili, kishte vendosur dërgimin e procedimit për hetime të mëtejshme në Prokurorinë kompetente – të identifikuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Korçë.” shprehen gjyqtarët e lartë Ilir Panda, Sandër Simoni dhe Sokol Binaj. Monitorimi tregon se gjykata e Korcës nuk ka vendosur ende nëse do ta pushojë hetimin , apo do ta kthejë për veprime të mëtejshme.

Çfarë thotë SPAK për zgjedhjet?

Por moskompetenca për zgjedhjet vihet re edhe për cështje të tjera. SPAK konfirmon për Qendrën “Fol” se nga 45 cështje që mbajti për hetime të mëtejshme  u deleguan gjatë kësaj kohe edhe 18 procedime të tjera që iu lanë  prokurorive të rretheve për mungesë competence. Më të të shumtat pranë Prokurorisë së Tiranës. Për të njëjtën periudhë kohore, të dhënat e siguruara pranë kësaj të fundit, tregojnë se në 13 raste akuza e kryeqytetit i ka dërguar SPAK materiale hetimore që lidhen me dyshimet për Korrupsion zgjedhor. Ndërkohë në total ka pasur në hetim 26 kallëzime penale përfshirë edhe për vepra të tjera ndryshe nga korrupsioni, për të cilat vetëm një person është dërguar në gjykim dhe ende nuk ka një vendim gjykate. Monitorimi i Qendrës “FOL” dhe të dhënat e marra në rrugë zyrtare pranë SPAK, treguan se aktualisht në këtë strukturë nuk ka asnjë emër personi nën hetim për korrupsion në zgjedhje.

Po politika?

Për këshilltarin ligjor të grupit parlamentar të Partisë Demokratike Marash Logu, subjekti politik që ai përfaqëson ka kallëzuar në prokuroritë e rretheve dhe SPAK të gjitha shkeljet e ligjit të konstatuara para dhe gjatë procesit zgjedhor të 25 Prillit 2021. Në një intervistë për Qendrën “FOL”, ai ka treguar se është vërejtur një mungesë vullneti dhe angazhimi nga ana e prokurorisë për të hetuar në mënyrë të shpejtë, të plotë dhe të gjithëanshme pretendimet e ngritura nga PD-ja.

Në të shumtën e rasteve, prokurorët kanë vendosur mosfillimin ose pushimin e çështjes penale pa kryer asnjë veprim hetimor ose duke kryer veprime krejt sipërfaqësore. Kallëzimet e PD-së përmbanin të dhëna lidhur me njerëz, vende dhe veprime konkrete. Prokuroria nëpërmjet mjeteve të posaçme kishte mundësinë të verifikonte në kohë vërtetësinë e këtyre pretendimeve.”

Këshilltar ligjor i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Marash Logu

Sipas Logut prokuroria nuk ka kryer asnjë veprim hetimor dhe sugjeron që  ndaj krimeve zgjedhore të ketë një tjetër qasje.

Ne kemi kallëzuar persona konkretë, të cilët në vende të caktuara, kryenin blerje të votave përkundrejt parave. Mjaftonte që një hetues të shkonte në vendin e caktuar dhe do ta konstatonte këtë fenomen. Në vend të kësaj, thuajse në mënyrë qesharake, është vërejtur se prokuroria fillonte kryerjen e  veprimeve hetimore pasi zgjedhjet kishin përfunduar. Afërmendsh që pas 25 Prillit, nuk do të arrish të gjesh prova për veprimet e paligjshme, kryerja e të cilave ka përfunduar dhe efektet janë ezauruar. Është e nevojshme pra, një riorganizim ndryshe i punës për krimet zgjedhore, hetimi i të cilave ka element thelbësor kohën. Nëse hetimet nuk kryhen në mënyrë të shpejtë, energjike dhe duke shfrytëzuar mjetet e posaçme (vëzhgimi, përgjimi etj.), do të vazhdojmë të jemi në kushtet që e dimë se krimet ndodhin, por prokuroria nuk i zbulon e ato mbeten të pandëshkuara”.

Dosje që flasin …

Filmimet e publikuara në media për shkak të të cilave unë jam arrestuar i kam bërë unë. E pranoj faktin se videot i kam regjistruar dhe publikuar për shkak të sistemit zgjedhor që egziston në Shqipëri me shitblerje votash. Për shkak edhe të gjendjes së vështirë ekonomike kam marrë lekë, por e gjitha kjo për të denoncuar fenomenin e shitblerjes së votave. Shuma e parave që i kam marrë Etionit ka qenë 100 (njëqind) Dollarë. Videot e regjistruara nga ana ime i kam dorëzuar me anë të një CD tek Zyrat e Top Channel  në Kashar….videot e regjistruara në banesën e Edison Babos, nuk kanë qenë për të denoncuar Edisonin por fenomenin që ka qenë shitblerja e votës”.

Kjo është dëshmia e Elis Babos i dënuar nga Gjykata e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit me një vit heqje lirie me akuzën e “Korrupsionit pasiv në zgjedhje”. Nga hetimet e prokurorisë të nisura kryesisht pas publikimit në media të disa pamjeve filmike, ka rezultuar se Babo ka rregjistruar një video në celularin e tij ku shfaqet kandidati për deputet në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, Etion Joka që i premton një shumë parash në këmbim të votës. Edhe Joka, që ishte kandidat për deputet i partisë Lëvizja Socialiste për Integrim është dënuar më 1 vit burg nga gjykata me akuzën e “Korrupsionit aktiv në Zgjedhje”. Ai ka mohuar të këtë dhënë para për shit-blerjen e votës, pasi nuk ka asnjë fakt që të jetë përfshirë në një veprimtari të tillë. Joka deklaroi në gjykatë se,  kundërshtarët e tij politikë kanë paguar për të stisur një situatë të tillë, me qëllim që kundërshtari i tyre të mënjanohej nga gara zgjedhore, qëllim të cilin e realizuan me anën e të pandehurit Babo dhe mediatizimit kriminal të një situate të paqenë korrupsioni zgjedhor.

Kallëzimet politike, pushohen nga prokuroria

Kryetari i Partisë Demokratike në qytetin e Lushnjës Saimir Korreshi ka denoncuar një rast të shitblerjes së votës në Bubullimë të Lushnjës, përmes një video që i është vënë në dispozicion prokurisë së Lushnjës. Në pamje shfaqen tre persona ku dy prej tyre pretendojnë se kanë zbuluar një rast të shit-blerjes së votës në këmbim të 20 mijë lekëve.

Personi A: Kush ti dha lekët re? Sa lek të dha? Kush dhe sa lek të dha, ja se tani marr policinë.

Shtetasi A. P., : Ku di gjë unë.

Personi A: Kush është ai që ti dha lekët?

Personi B: Arbër Foni ti dha lekët, sa lek të dha?

Shtetasi A. P: Lërmëni eeee.

Personi B: Arbëri eee, sa lek të ka dhënë?

Personi A: Është telefoni në inçizim, 20 mijë lek i ke në kamër çoje direkt në Komisariat.

Kjo është video e rregjistruar në 25 prill të vitit 2021 ditën që po mbahedhin zgjedhjet parlamentare. Ky material iu vu fillimisht në dispozicion shefit të komisariatit të Lushnjës përmes deputetit Korreshi e më pas prokurorisë së këtij qyteti. Edhe pse prokuroria e Lushnjës ka referuar rastin në prokurorinë e posaçme, këta të fundit me vendimin që mban datën 10.05.2021 urdhëruan pushim të hetimeve. Sipas prokurorisë, personi që shfaqet në video shtetasi më inicialet A. P., që dyshohet se ka marrë 20 mijë lek në këmbim të dhënies së votës është person me probleme mendore dhe për këtë janë pushuar hetimet.

Një numër të lartë kallëzimesh janë rregjistruar në prokurorinë e posaçme nga Partia Demokratike. Nuk kanë munguar kallëzimet as për kryeministrin Edi Rama për “Korrupsion aktiv në zgjedhje”,  “Shpërdorim detyre” dhe “Përhapja e informative të rreme që ngjallin panik”. Në kallëzimin e subjektit politik Partia Demokratike të datës 23 prill 2021 thuhet se “Gjatë një takimi në 30 mars të vitit 2021 të Kryeministrit Edi Rama në Lezhë ai është shprehur se: “ Ska më doza  kështu si tani po ikëm ne.” Kryeministri iu bëri thirrje qytetarëve të votojnë kandidatët e partisë socialiste, pasi ndryshe, qeveria pasardhëse nuk do të mund të sigurojë aq vaksina anti-covid 19 si ai dhe kabineti i tij. Me anë të kësaj deklarate të bërë publikisht dhe drejtuar të gjithë shqiptarëve nëpërmjet një informacioni të rremë të deklaruar në një nga  momentet  më delikate të vendit, kryeministri në funksion të mekanizmit të votës ka ngjallur gjendje frike dhe pasigurie e paniku tek qytetarët. Po kështu kryeministri Edi Rama ka konsumuar elementë të veprës penale të “Korrupsionit aktiv në zgjedhje” pasi iu ofron të gjithëve vaksinim në këmbim të votës”, thuhet në kallëzimin e depozituar në SPAK nga Partia Demokratike.

Por prokurori i posaçëm  Dritan Prençi në vendimin që Qendra “FOL” e disponon, ka pushuar hetimet pasi nuk ka rezultuar të jetë kryer ndonjë nga format e mësipërme, si element i figurës së veprës penale të korrupsionit aktiv në zgjedhje.

Për përfaqësuesin ligjor të Partisë së Lirisë, Altin Kaziaj edhe pse në kallëzimet referuar prokurorive ka patur prova të mjaftueshme që implikojnë zyrtarët e Partisë Socialiste, prokuroria nuk ka kryer vepime të thelluara.

Përfaqësues ligjor i Partisë së Lirisë Altin Kaziaj

Nga informacionet e referuara në formën e kallëzimit penal në mendimin tonë ka pasur mjaftueshëm element të veprimeve që çojnë në përgjegjësi penale të përfaqësuesve zgjedhor të Partisë Socialiste. Veprimet hetimore të prokurorisë në rastet më të mëdha kanë qenë veprime jo të thelluara duke paragjykuar kështu vendimmarrjen e prokurorive.”

Sipas Kaziajt organi procedues ka kryer hetime të pa plota, duke mos marrë në pyetje as personat që kanë depozituar kallëzimet për korrupsion në zgjedhje.

Normalisht kjo vendimmarrje në mendimin tim, ka qenë e cënguar dhe nuk përmbush element të një procedure hetimore të mirëfilltë. Nuk janë pyetur as kallëzuesit, as të kallëzuarit po vetëm është administruar kallëzimi në rastet më të shumta”.

SHARE THIS POST

Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin