Ndalimi rastësor i shtetasit E.Sh. në zonën e “Selitës së Vjetër” në Tiranë teksa ishte duke transportuar me makinë 72 bimë kanabisi, çoi në zbulimin një banese të përshtatur si laborator, por edhe të dy kultivuesve “rastësor” të hashashit.
Policia pas veprimeve te para hetimore beson se E.Sh., G.D. dhe I.S. kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin në përshtatjen e një banese të marr më qira nga E.Sh në laborator të rritjes së kanabisit kku u gjetën edhe 52 bimë të tjera, kjo për shkak se sipas dëshmive dhe rrethanave ata kanë lidhje miqësore dhe ekonomike, si dhe në tri banesat e tyre janë gjetur fara kanabisi dhe bimë të kultivuara.
Rasti është duke u monitoruar nga qendra “Fol” prej disa javësh. 3 të dyshuarit janë lënë në burg nga Gjykata, ndërsa dy prej të ndaluarve e kanë justifikuar lëndën narkotike me rastësinë duke mos pranuar se kishin dijeni për laboratorin në banesën e marr me qira nga E.Sh..
Sipas dokumenteve që disponon qendra “Fol”, ky i fundit ka refuzuar të flas për hetuesit. Ndërsa sipas veprimeve hetimore ka dyshime se i riu pasi i kultivonte bimët në banesë i transportonte ato drejt serës që kishte në Baldushk për rritjen përfundimtare.
“Rastësia mbret i botës”
Ndërkohë gjatë marrjes në pyetje nga Policia G.D. dhe I.S. kanë deklaruar se kanë gjetur rastësisht fara kanabisi në rrugë e lokal. “Farat që gjetët në banesë i kam gjetur rastësisht në rrugë një vit më parë dhe mbolla vetëm një bimë në vazo”, tha G.D. në Polici, teksa shton se është përdorues i lëndës narkotike që prej 5 vitesh.
I pyetur nga hetuesit për njohjen me E.Sh., i dyshuari tha se e njeh për shkak të punës dhe sa herë ka shkuar në banesën e tij ka hyrë vetëm në kuzhinë e nuk e dinte çfarë kishte në dhomat e tjera. Por ky variant bëhet edhe më i vështirë për tu besuar nga hetuesit për shkak të dëshmisë së dhënë nga i hetuari tjetër, I.S., i cili ka thënë se te sera e E.Sh. kishte parë edhe G.D..
Ndërkohë në një kodër pranë banesës së I.S. në Baldushk, gjatë kontrollit janë gjetur 9 bimë kanabisi të kultivuara. Edhe I.S. pranoi para hetuesve se bimën e kishte mbjell ai, duke shtuar se farat e kanabisit i kishte gjetur rastësisht në një lokal në rrugën e Kavajës. “E njoh E.Sh. pasi ai ka një serë ku kultivon fruta perime në tokën që ka marrë te unë me qira”, tha ndër të tjera I.S., I cili gjithashtu rezultoi I pabesueshëm për hetuesit dhe po hetohet për bashkëpunimin me 2 personat e tjerë.