Gjirokastra drejt rrënimit, si po zhduket qyteti muze

Autor: Brikena Metaj

Redaktor: Alma Janka

Dhjetëra monumente kulture të kategorisë së parë janë zhdukur përfundimisht nga lista e trashëgimisë kulturore si pasojë e mungesës së fondeve. Ekspertët ngrenë alarmin se Gjirokastrës i rrezikohet edhe statusi Qytet Muze, i mbrojtur nga UNESCO. Me një buxhet minimal prej 1 milion lekësh të reja, Drejtoria e Monumenteve të Kulturës në Gjirokastër e ka krejtësisht të pamundur të kujdeset për 545 objektet e trashëgimisë kulturore që ka në administrim.

Fasada e rrudhur e qytetit muze

Banesa 250-vjeçare e familjes Resaj në lagjen Dunavat është monument kulture i kategorisë së parë. E cilësuar si një nga shembujt e përkryer të banesës gjirokastrite me një krah, e dalluar për dekoracionet me piktura murale dhe vlerat e papërsëritshme në trashëgiminë kulturore, ajo është një banesë emblematike në nivel ballkanik; por kjo pasuri e rrallë rrezikon të zhduket, për shkak të mungesës së fondeve.

Gjurmët e para të gjunjëzimit banesa shekullore i ka dhënë që prej vitit 2013, kur u rrëzua plotësisht njëra prej dhomave të saj.

Trashëgimtarët e kësaj prone nuk kanë mundësi financiare për ta mirëmbajtur, ndërsa institucionet përgjegjëse prej dekadash i kanë harruar këto pasuri të rralla.

Nurihan Çollaqi, e bija e kësaj shtëpie, tregon se banesa monumentale ka dëmtime të rënda të çatisë, të mureve të saj, si dhe të pikturës murale dhe ornamenteve të drurit, elemente karakteristike të shtëpive të vjetra gjirokastrite.

Nga tetë dhomat që ka banesa madhështore, vetëm dy prej tyre janë funksionale, ndërsa dhomat e tjera kanë dalë jashtë përdorimit për shkak të dëmtimit të pakthyeshëm. Situata bëhet më e rëndë gjatë dimrit, pasi uji depërton brenda si pasojë e dëmtimit të çatisë së banesës.

“Shtëpia ka shumë pronarë, por asnjëri nuk interesohet. Unë dhe im vëlla nuk kemi mundësi financiare”, – rrëfen për INA njëra nga pronaret e këtij xhevahiri të trashëgimisë kulturore në Gjirokastër.

Nurihani rrëfen se specialistë të DRMK vijnë shpeshherë për kontrolle dhe riparime të vogla, por banesa ka nevojë për ndërhyrje të thelluar.

Banesa që po lë pas shekullin e tretë të jetës, nuk është e vetmja që po shkon drejt rrënimit. Me dhjetëra monumente të tjera të trashëgimisë kulturore rrezikojnë të shkojnë drejt zhdukjes në qytetin e gurtë.

Banesa të tilla, si KabilatëtSelfatëtLolomaniLitoTopulliHadërajKunaviÇeneSako etj., të gjitha në këmbë gjatë dekadës së kaluar, tashmë janë kthyer në rrënoja apo gjysmërrënoja.

Dy dekada më parë, kur ish-Drejtori i Përgjithshëm i UNESCO-s, Matsuura, vizitoi qytetin muze të Gjirokastrës, e cilësoi urgjente ndihmën që duhej të jepte UNESCO për qendrën historike të këtij qyteti. Ajo kishte filluar të dëmtohej e të tjetërsohej nga agjentët atmosferikë dhe nga pakujdesia njerëzore, si pasojë edhe e zhvendosjes së pakontrolluar të popullsisë.

Një dekadë e gjysmë më pas, ndërsa Gjirokastra celebroi përvjetorin e 15-të si pasuri botërore, situata është larg vizionit të një qyteti që mbart një titull të tillë.

Shtëpitë karakteristike, ato që i dhanë këtij qyteti statusin Qytet Muze, janë përherë e më shumë drejt humbjes, ndërsa specialistët pohojnë se ritmi i restaurimeve dhe i ndërtimeve të reja është disa herë më i ulët se ritmi i banesave që shndërrohen në rrënoja.

Ndonëse është vendndodhja më e madhe e trashëgimisë kulturore në Shqipëri, monumentet e Gjirokastrës po degradojnë me ritme të shpejta. Vetëm brenda një dekade, monumente me çati janë kthyer në rrënoja. Dhjetëra banesa muzeale janë shembur, ndërsa një pjesë e mirë e tyre po shkojnë drejt rrënimit si pasojë e braktisjes nga pronarët dhe mungesës së vëmendjes së thelluar institucionale.

Konstatimet e bëra nga specialistë të huaj dhe vendas tregojnë se qyteti i gurtë numëron mbi 600 objekte muzeale, një pjesë e konsiderueshme e të cilave është zhdukur nga harta e monumenteve.

Sipas specialistëve, më shumë se 200 shtëpi, monumente të kategorisë së dytë dhe të parë në Gjirokastër, janë shembur ose janë shpallur të pabanueshme gjatë dy dekadave të fundit.

“Në total në Gjirokastër niveli i konservimit bie me 30 objekte që kalojnë nga një gjendje e keqe, në gjendje shumë të keqe. Banesa si Kunavi apo Lica kanë humbur plotësisht. Gjithë zona midis Palortosë dhe Varroshit është e prekur rëndë nga neglizhenca, mungesa e mirëmbajtjes dhe një projekti afatgjatë ndërhyrjesh shpëtuese në qytet. Kjo gjë e rëndon shumë situatën në Gjirokastër, ku rreth 91 objekte prej vitit 2016 janë në gjendje të rrezikuar, në prag zhdukjeje”, – shprehet arkitekti Kreshnik Merxhani, një zë i fortë kritik mbi situatën e konservimit të arkitekturës së qytetit.

Harrohen lagjet, miliona euro për qendrën e Gjirokastrës

Mijëra euro janë investuar vitet e fundit në restaurimin e fasadave dhe Qafës së Pazarit, duke i dhënë një pamje të freskët zemrës muzeale. Restaurimi i ansamblit të Pazarit karakteristik në Gjirokastër, një projekt i financuar nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit, nisi punimet në fund të shtatorit 2016 dhe përfundoi dy vite më pas, duke arritur vlerën e 3.5 milionë dollarëve. Faza e dytë e këtij investimi përfshiu projektin e restaurimit të kalldrëmeve me një vlerë prej mbi 137 milionë lekësh. Pa përmendur këtu rreth 10 milionë euro të investuara në zona të tjera të qytetit deri në vitin 2016.

Aktualisht në Gjirokastër janë dy projekte të reja në hapat e parë të zbatimit. Bypass-i i Gjirokastrës, një investim me vlerë rreth 700 milionë lekë, dhe projekti i Sheshit të Çerçizit me një vlerë prej rreth 420 milionë lekësh.

Por krejt ndryshe është situata në lagjet e vjetra historike të Gjirokastrës. Ato numërojnë shtëpi-gjysmërrënoja dhe largimin masiv të banorëve të një qyteti që pothuajse ka humbur një pjesë të identitetit të vet kulturor.

Vlerësimet teknike evidentojnë të paktën 51 godina që rrezikojnë shembjen përfundimtare dhe që do të jetë e vështirë të shpëtohen.

Rezultatet janë të 6 viteve më parë, kur fondacioni Trashëgimi pa Kufij në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Monumenteve të Kulturës realizoi katalogimin e situatës së rreth 655 banesave në Gjirokastër. Në përfundim të këtij raporti evidentohej se nevoja për ndërhyrje është emergjente. Specialistët pohojnë se edhe sot situata vazhdon të jetë po kaq kritike sa gjashtë vite më parë.

“Monumentet e Gjirokastrës po degradojnë me ritme të shpejta, – thuhet në studim. – Vetëm në 8 vite, qindra monumente me çati janë kthyer në rrënoja”.

Sipas rezultateve të këtij studimi, 169 monumente kanë rezultuar të jenë në kategorinë e gjendjes strukturore shumë të keqe apo të dobët, 35 prej të cilave janë rrënoja. 51 monumente kanë nevojë për ndërhyrje të menjëhershme dhe 40 të tjera për ndërhyrje brenda një kohe shumë të shkurtër.

Vlerësimet teknike evidentojnë të paktën 51 godina që rrezikojnë shembjen përfundimtare dhe që do të jetë e vështirë të shpëtohen.

Rezultatet janë të 6 viteve më parë, kur fondacioni Trashëgimi pa Kufij në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Monumenteve të Kulturës realizoi katalogimin e situatës së rreth 655 banesave në Gjirokastër. Në përfundim të këtij raporti evidentohej se nevoja për ndërhyrje është emergjente. Specialistët pohojnë se edhe sot situata vazhdon të jetë po kaq kritike sa gjashtë vite më parë.

“Monumentet e Gjirokastrës po degradojnë me ritme të shpejta, – thuhet në studim. – Vetëm në 8 vite, qindra monumente me çati janë kthyer në rrënoja”.

Sipas rezultateve të këtij studimi, 169 monumente kanë rezultuar të jenë në kategorinë e gjendjes strukturore shumë të keqe apo të dobët, 35 prej të cilave janë rrënoja. 51 monumente kanë nevojë për ndërhyrje të menjëhershme dhe 40 të tjera për ndërhyrje brenda një kohe shumë të shkurtër.

Në rrezik statusi Qytet Muze

Për arkitektin restaurator, Reshat Gega, situata e monumenteve të kulturës në përgjithësi dhe ajo në qytetin e Gjirokastrës në veçanti, ka një përkeqësim në vazhdim, si nga pikëpamja e vëmendjes, ashtu edhe nga respektimi i kritereve, me të cilat duhet të trajtohet një monument kulture.

“Operohet dhe përqendrohet vëmendja dhe ndërhyrjet vetëm në rastet e monumenteve të veçanta, duke lënë në harresë morinë e banesave, kalldrëmeve, portave etj., pa të cilat nuk mund të pretendohet se kemi një qytet muze. Gjendja dhe situata e banesave prej kohësh ka dalë nga rruga e normales. Ka aq shumë bjerrje në këtë gjini monumentesh, sa është vënë në një vështirësi mjaft të madhe termi Qytet Muze për Gjirokastrën. Nga një unitet integral që paraqiste dikur ky qytet, ku e tërë panorama e tij ishte e mbushur me atë rrjet të dendur me banesa që spikasnin me arkitekturën e tyre mbresëlënëse, aktualisht kemi pamje të ndryshuar me pak njolla banesash që i qëndrojnë apo i rezistojnë akoma kohës dhe nëpërkëmbjes. Ky është një fenomen, i cili po çon përherë e më shumë drejt tjetërsimit të aspektit origjinal të Gjirokastrës, pa dyshim edhe drejt humbjes me shpejtësi të identitetit monumental”, – sqaron jo pa keqardhje arkitekti Gega.

Sipas Drejtorisë Rajonale të Monumenteve në Gjirokastër, numri i banesave monument kulture në rrezik shkon në 20, ndërkohë që është ndërhyrë vetëm në 30% të tyre. Por krejt ndryshe nga kjo panoramë zyrtare, në terren numri i shtëpive karakteristike gjirokastrite në rrezik është më i lartë.

Monumente dhe rrënoja

Pamundësia ekonomike e familjeve gjirokastrite për t’i mirëmbajtur shtëpitë e vjetra me përmasa të konsiderueshme, po i çon këto vlera historike drejt rrënimit të sigurt, ndërsa Gjirokastra po humbet pak e nga pak identitetin e saj. Banesa karakteristike në zonën historike të qytetit po shemben si pasojë e amortizimit. Të zotët e tyre nuk kanë mundësi ekonomike për t`i restauruar shtëpitë shekullore dhe duket se rrënimi është një fenomen që nuk po ndalet.

Dimri i lagësht dhe me reshje dëbore nxjerr në pah përkeqësimin e situatës së këtyre banesave. Çatitë e tyre kanë pësuar dëmtime të konsiderueshme, që sipas ekspertëve dyfishojnë peshën si pasojë e pranisë së lagështisë.

Vladimir Reso, pasardhësi 57-vjeçar i familjes Resaj, që për më shumë se gjysmë shekulli ka jetuar në këtë banesë, tregon se gjatë viteve të komunizmit në shtëpinë trikatëshe jetonin më shumë se 20 persona.

“Gjatë këtyre viteve banesa njohu ndërhyrje të dëmshme, që prishën strukturën e saj origjinale, ku përfshihet edhe mbyllja e tetë oxhaqeve të shtëpisë, si dhe mbulimi i pikturave të brendshme murale, shenjë dalluese e rangut të lartë shoqëror të banesave gjirokastrite. Ndërhyrja e fundit e përgjithshme në pjesën e çatisë është realizuar në vitin 1971, më pas janë kryer vetëm riparime të vogla”, – tregon Vladimiri.

Ai shton se objekti nuk mund të shpëtohet me të ardhurat e familjes, pasi restaurimi kërkon një plan të mirëfilltë shpëtimi dhe një shumë të konsiderueshme parash.

Gjendja kritike, ku ndodhen dhjetëra banesa në qytetin muze, pranohet edhe nga specialistët e Drejtorisë së Monumenteve.

“Gjirokastra është një pasuri e madhe me mbi 400 objekte të kategorizuara. Gjatë këtyre viteve, veçanërisht pas viteve ’92, një pjesë e këtyre banesave nuk kanë pasur kujdesin e duhur. Këto banesa të braktisura, të lëna jashtë vëmendjes së pronarëve, me kalimin e kohës janë amortizuar. Kushtet e rënduara atmosferike ndikojnë në përkeqësimin dhe degradimin e tyre”, – na shpjegon specialisti Vasil Polo.

Banesa Kikino në lagjen Manalat ka sot 56 pronarë që e kanë të vështirë të dakordësohen për restaurimin e banesës, që në vitin 2020 kremtoi 195-vjetorin e ndërtimit të saj.

Çifti i moshuar Kikino, që prej vitesh jeton në banesën shekullore, pohon se e shohin me dhimbje rrënimin e saj të përditshëm.

“Para disa vitesh erdhën nga fondacioni Trashëgimia pa kufij dhe vendosën disa përforcues për çatinë dhe restauruan disa piktura. Por kjo nuk mjafton”, – tregojnë ata.

Kristina, e zonja e shtëpisë, tregon se gjatë periudhës së monizmit shtëpia banohej nga katër familje dhe kjo pati pasoja, në radhë të parë te ndryshimi i strukturës së brendshme të banesës.

Odat e mëdha u ndanë me kompensatë, duke krijuar disa dhoma, tavanet dhe dyshemetë e drurit u zëvendësuan duke i shkaktuar humbje të konsiderueshme vlerash banesës gati dyshekullore.

Polo pranon se shqetësimi kryesor në krijimin dhe zgjidhjen e kësaj situate është prania e shumë pronarëve që nuk gjejnë gjuhën e dakordësisë, duke i lënë këto banesa të rrënohen për shkak të mungesës së investimeve.

Fondet me pikatore, qindra objekte drejt rrënimit

Çifti Kikino tregon se banesës do t’i duheshin të paktën 100 mijë euro që të dilte nga gjendja e emergjencës. Në Gjirokastër shprehja “Po iku çatia, iku shtëpia” duket se gjen vend pikërisht në shtëpitë e saj karakteristike. Inxhinieri Polo sqaron se konservimi i këtyre banesave duhet filluar domosdoshmërisht nga restaurimi i çatisë, që ka edhe koston më të lartë financiare.

Sipas tij, zgjidhja e çështjes së pronësisë për shumicën e tyre mund të parandalonte edhe rrënimin, por “ky problem specifik për Gjirokastrën kërkon zgjidhje politike dhe ligjore”, – shprehet ai.

Por, pavarësisht detyrimeve ligjore, shteti e ka larguar veten nga përgjegjësitë konkrete dhe mirëmbajtja e këtyre objekteve të rralla të trashëgimisë kulturore është lënë vetëm në dorën e pronarëve të shtëpisë. Rastet, kur kanë ndërhyrë institucionet, numërohen me gishtat e njërës dorë.

Për të parë se sa të rëndësishme e konsiderojnë institucionet përgjegjëse ruajtjen e statusit të Qytetit Muze, mjafton t’iu hedhim një sy financave të Drejtorisë Rajonale të Monumenteve të Kulturës në Gjirokastër, drejtori që është i vetmi institucion në varësi të Ministrisë së Kulturës, që ka përgjegjësinë për kujdesin dhe konservimin e monumenteve të kulturës. Për vitin 2020 ky institucion pati një fond prej vetëm 10 milionë lekësh të vjetra për mirëmbajtjen e monumenteve në të gjithë qarkun e Gjirokastrës, fond ky që nuk mjafton as për të bërë një verifikim të thjeshtë në terren, jo më të parashikojë ndërhyrje.

Sipas të dhënave zyrtare, në qarkun e Gjirokastrës janë 545 monumente kulture, 409 prej të cilave janë banesa popullore në Gjirokastër, 64 të kategorisë së parë dhe 345 banesa të kategorisë së dytë.

Kjo drejtori, me rol mirëmbajtësi, ka në varësi të saj vetëm 5 punonjës, të cilët kryejnë riparime të vogla, si prishje çatie, rregullim portash apo meremetime që kërkojnë riparime me vlera të ulëta financiare dhe krah të lehtë pune. Financimet e mëdha i janë lënë në dorë ministrisë. Ndërsa ligji parashikon një ndarje të shpenzimeve me pronarin, në rast restaurimi në 60% të vlerës shteti dhe 40% pronari.

Ligji aktual ka pësuar ndryshime, duke iu dhënë mundësinë pronarëve që të aplikojnë për mbështetje financiare, në kuadër të programeve të financuara nëpërmjet buxheteve të qeverisjes qendrore, neni 21.

Shteti lë në baltë pronarët, nuk i kompenson

Mungesa totale e fondeve po e cenon seriozisht këtë pasuri të rrallë. Mirëpo, ndonëse është kujdesur që të penalizojë ata pronarë që nuk përmbushin detyrimet për mirëmbajtjen e godinës, nga ana tjetër, edhe ata pak pronarë që investojnë, janë lënë në baltë.

Banesa Xheneti është sot një nga shembujt më të mirë të suksesit, jo vetëm në restaurimin e banesës duke ruajtur plotësisht origjinalitetin dhe elementet kryesore të banesës tradicionale gjirokastrite, por edhe si një rast model i gjenerimit të të ardhurave.

Banesës 231-vjeçare i janë dashur plot 30 vjet që të ndërtohej, prej vitit 1760 deri në vitin 1790. Vitet 2000 e gjetën banesën në një gjendje të rrënuar dhe shumë pranë shkatërrimit.

Një dekadë më vonë, në vitin 2010, Vangjel Vardhami vendosi të investojë në këtë banesë. E vetmja banesë me tri harqe në Gjirokastër, restaurimi i së cilës zgjati 4 vite, tashmë është kthyer në një prej hoteleve më të mira në qytet.

Vardhami tregon se një pjesë e mirë e elementeve të banesës janë ruajtur, duke nisur me tavanet, rozetat, dritaret origjinale, është rivënë në funksion stera, një element pothuajse i zhdukur nga banesa gjirokastrite, është konservuar piktura murale. Por, pavarësisht optimizmit dhe vullnetit pozitiv të pronarit të banesës, problemet nuk kanë të sosur.

Ende dhe sot ai nuk ka mundur të marrë kompensimin e pjesës së investimit që i takon nga shteti në bazë të ligjit të mëparshëm.

“Kam fituar gjyqin për rikthimin e 60% të vlerës së investimit, por ende nuk e kam marrë, ndërkohë që vazhdoj të shlyej kredinë që kam marrë për gjithë investimin e kësaj banese”, – tregon ai.

“Ne duam të investojmë, por kemi nevojë për mbështetjen nga shteti. Nëse ajo mungon, Gjirokastra do të humbasë”, – përfundon Vardhami.

Mirëpo, nga ana tjetër, nëse i referohemi nenit 23/2, duket se shteti ka vendosur të marrë situatën në dorë duke iu faturuar barrën financiare të investimit nga shteti pronarëve të objektit monument kulture.

Neni 23 Detyrimi për njoftim dhe kryerjen e ndërhyrjeve ruajtëse e mbrojtëse

  1. Në rastin e mosveprimit nga ana e pronarit, poseduesit të pasurisë kulturore dhe kryerjes nga ana e shtetit të projektimit e zbatimit të ndërhyrjeve ruajtëse dhe mbrojtëse, me fonde publike apo të siguruara nga partnerët e tij, bazuar në dispozitat e Kodit Civil për mjetet për garantimin e detyrimeve, për të siguruar arkëtueshmërinë e shpenzimeve të bëra, vendoset një barrë ligjore mbi pasurinë kulturore, e barabartë me vlerën e certifikuar të shpenzimit. Të drejtat e pronarit, poseduesit, sigurohen nëpërmjet zbatimit të procedurave të parashikuara në këtë ligj.

Monumentet e braktisura, në rrezik shembjeje, janë ato që kanë nevojë më emergjente për ndërhyrje, pasi, jo vetëm po zhduken nga harta e monumenteve, por janë kthyer edhe në një kërcënim serioz për banesat e tjera pranë tyre apo edhe për kalimtarët.

Sot në Gjirokastër ka 79 monumente të pabanuara, pa përfshirë në këtë numër monumentet e rrënuara. Nga 56 banesa të kategorisë së parë, 28 prej tyre tashmë janë të pabanueshme si pasojë e amortizimit të thellë dhe rrezikut të shembjes.

Mure rrënojash 5-6 metra të larta ngrihen kërcënueshëm mbi sokakët e ngushtë të lagjes Manalat në Gjirokastër. Banesat GoricaÇami dhe Baboçi, të rrënuara dhe të braktisura prej vitesh, rrezikojnë të shemben mbi rrugët krah tyre.

Një pjesë e konsiderueshme e banorëve të kësaj lagjeje janë larguar. Ata që kanë mbetur, e lidhin degradimin e objekteve me mungesën e investimeve, braktisjen dhe largimin e pronarëve.

Vetëm pesëvjeçarin e fundit lagjja Pazar i Vjetër ka humbur të paktën 6 monumente që u rrënuan për të njëjtat arsye, braktisja dhe amortizimi.

Gjirokastra humbi banesa të tilla si: banesa Kale apo Çami, gjysma e së cilës është rrënuar krejtësisht, Karalliu apo Lolomani, kategori e dytë, një objekt me vlera të jashtëzakonshme për historinë e qytetit, që sipas arkitektëve prezantonte një ndërthurje rrymash të shprehura më së miri brenda kësaj banese.

“Humbja e këtij objekti me daljet me gjunjë është një humbje e jashtëzakonshme e ansamblit arkitektonik, me shtresat dhe vlerat e veta historike”, – nënvizon arkitekt Merxhani, duke iu referuar banesës Lolomani.

Ai thekson më tej se “janë bërë disa raporte, duke bërë krahasime me studimin e studios italiane Toresi, ku evidentoheshin disa zona problematike, ndërsa deri tani është ndërhyrë vetëm në zonën e Pazarit”.

“Në zonën në hyrje të Pazarit të Vjetër, aty ku synonte të kalonte edhe bypass-i i parë, nuk është bërë asnjë ndërhyrje përforcuese dhe restauruese, edhe pse paraqitet si një zonë e rrezikshme nga pikëpamja gjeologjike, e mikroçarjeve tektonike, por edhe nga gjendja e rënduar e konservimit”, – thotë ai.

“Aty janë disa banesa që me sy të lirë shihen se po rrënohen”, – nënvizon arkitekt Merxhani.

Zhdukja pa kthim e pikturës murale

Në asnjërin prej ndërtimeve të reja, që ruajnë formën e banesës karakteristike në Gjirokastër, nuk gjen sot të praktikuar pikturën murale.

Shumica e kateve të sipërme të këtyre shtëpive janë të pikturuara me ngjyra të praruara, siç janë të pikturuara harqet mbajtëse dhe parmakët, por braktisja më se njëzetvjeçare ka lënë pas një tis vjetërimi dhe shkatërrimi të shpejtë”, – shkruajnë Jan Cora Gordon në shënimet e tyre të vitit 1925.

Në 58 banesa, ku janë identifikuar piktura murale që kanë skena floreale, skena lufte apo peizazhi qytetas, 20 prej këtyre pikturave janë të kërcënuara ose të zhdukura tërësisht. Për Merxhanin piktura murale në Gjirokastër është një pasuri shumë e kërcënuar dhe e patrajtuar.

“Nga viti 2016 deri sot janë identifikuar mbi 5 objekte me pikturë murale dhe kaligrafi që sot nuk ekzistojnë si: banesa Kale, xhamia e lagjes CfakëÇoçolatët etj. Një vlerë e jashtëzakonshme që nuk duhet ta kishim humbur”, – thotë Merxhani.

Banesa e Bakirajve në lagjen Palorto është shembulli tipik, jo vetëm i transformimit të dhunshëm të banesës gjirokastrite, por edhe e zhdukjes së pikturës murale. Kjo banesë shekullore ishte një ndër banesat me një fasadë të plotë, të pikturuar. Ajo u rrëzua qëllimisht nga pronarët pas vitit ’97, për t’u transformuar në një objekt betoni pa asnjë karakteristikë dhe vlerë arkitekturore.

E pasur me piktura të shumta murale është edhe banesa Kikino. Kolonat mbajtëse të divanit të shtëpisë janë të çara dhe në rrezik shembjeje si pasojë e rëndesës së çatisë së amortizuar dhe dyfishimit të peshës së saj nga lagështia. Dyert e saj të jashtme dhe të brendshme janë të pasura me dekoracione dhe figura të ndryshme, që ia shtojnë më shumë vlerën objektit shekullor.

Transformimi i dhunshëm i Gjirokastrës historike

Çfarë është ky qytet? Si është bërë kaq i madhërishëm? Nga vjen ky stil i veçantë?”

Jan & Cora J Gordon.

357 monumente iu janë nënshtruar ndërhyrjeve të jashtëligjshme dhe këto përfaqësojnë më shumë se gjysmën e ndërtesave të shpallura monumente. 122 prej këtyre 357 monumenteve kanë humbur pothuajse të gjitha karakteristikat e tyre monumentale, ndërsa 170 monumentet e tjera janë transformuar plotësisht.

Trashëgimia kulturore dhe vlerat historike të monumenteve kanë qenë nën efektin dëmtues dhe shkatërrues të zhvillimeve të reja urbane. Ndërhyrjet e gabuara restauruese apo ato pa leje kanë rrezikuar vlerat e vërteta, duke iu dhënë monumenteve funksione të tjera. Transformimi i monumenteve nëpërmjet ndërhyrjeve të paligjshme, sidomos në objekte të kategorisë së dytë, është një faktor shqetësues me ndikim të drejtpërdrejtë në humbjen e vlerave të trashëgimisë dhe cenimin e pasurisë historike të monumenteve. Objekte si Lani apo Mangaj, në hyrje të lagjes Dunavat, janë dëshmi e qartë e tjetërsimit të dhunshëm dhe të shëmtuar të objekteve.

Vitet ’90 shënuan edhe periudhën më tragjike për qytetin e Gjirokastrës dhe qendrën e saj historike. Ndërtesa të ndryshme me vlera historike e arkitektonike u dëmtuan pothuajse totalisht. Brenda zonës muzeale banorë të ndryshëm, për të rritur hapësirat dhe përmirësuar kushtet e banimit, bënë ndërhyrje ilegale duke shkaktuar ndryshime të aspektit arkitektonik dhe strukturor te banesat e kategorisë së parë dhe në përgjithësi në gjithë zonën muzeale të qendrës historike. Monumente qindravjeçare u shkatërruan duke u zëvendësuar me beton.

“Transformimet e mëdha demokratike u shoqëruan me anarki në organizimin shoqëror. Pasojat më të rënda duken në shthurjen urbane dhe gjendjen dramatike të monumenteve të kulturës. Sot në qytet për pasojë kemi një situatë të re urbanistike që kërkon vlerësime të thelluara për të dalë me vendime të drejta, për të shpëtuar sa më shumë nga ajo që ka vlerë dhe që na ka mbetur, si dhe për të korrigjuar atë që duhet e mund ta korrigjojmë”, – thekson inxhinieri arkitekt Agron Doraci.

Shembujt konkretë në terren janë të shumtë, ndërsa ende nuk ka një projekt afatgjatë rehabilitimi të ndërtimeve pa leje dhe harmonizimin e autenticitetit dhe rijetëzimit të tyre në përputhje me karakteristikat e zonës muzeale.

Vetëm gjatë vitit 2020 Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit vendosi 17 gjoba për ndërhyrje të paligjshme në zonën muzeale, ku kërkesa për ndërhyrje ka shënuar rritje vitet e fundit, duke rikthyer trendin e ndërhyrjeve pa kriter që kryesisht janë ndryshime të lehta dhe elemente që cenojnë origjinalitetin e banesës karakteristike.

Shumë studime dhe aspak reflektime

Studimi i vitit 2006, i realizuar prej specialistëve italianë të studio Toresi, dëshmon për situatën shqetësuese në të cilën gjendej qyteti dy dekada e gjysmë më parë. Sipas këtij studimi, pothuajse gjysma e monumenteve të kategorisë së parë kishte dëmtime të rënda dhe pjesa më e madhe e atyre në gjendje disi të mirë po degradoheshin me shpejtësi për arsye nga më të ndryshmet, ku më kryesorja mbetet braktisja. Por, ndonëse studimi shënonte nevojën e ndërhyrjeve emergjente për të frenuar rrënimin e monumenteve, ai nuk u mor asnjëherë parasysh, edhe pse prezantonte jo vetëm një panoramim të situatës. Studio Toresi hartoi një plan rikuperimi të qendrës historike të Gjirokastrës.

Ky studim i ndau në 5 klasa ndërtesat e qendrës historike, në bazë të periudhës së ndërtimit. Rreth 380 prej tyre janë para vitit 1900, ndërsa 250 të tjera janë të gjysmës së parë të shekullit XX. Perimetri i përcaktuar përmblidhte gjithë zonën e mbrojtur nga UNESCO si trashëgimi mbarëhumanitare dhe përfshinte një numër më të madh se 1400 ndërtesa.

Më shumë se 300 ndërtesa rezultuan të ruajtura në një gjendje të keqe ose shumë të keqe, duke e cilësuar situatën alarmante. Për specialistët italianë ky ishte një numër për t`u konsideruar në rritje të shpejtë dhe të vazhdueshme për shkak të degradimit progresiv të ndërtesave të privuara nga mirëmbajtja.

Kjo panoramë aspak optimiste e vitit 2006 vazhdon të jetë aktuale edhe sot, me ndryshimin e vetëm se sot kemi dhjetëra monumente më pak krahasuar me vitin 2006.

“Për fat të keq edhe në drejtim të ruajtjes dhe kurimit të peizazhit historik nuk ka patur fare vëmendje. Nuk ka asnjë iniciativë në pasqyrimin e komponentëve përbërës së të ashtuquajturit peizazh historik i qytetit të Gjirokastrës. Edhe në rast se diçka ka shpëtuar nga tjetërsimet apo eliminimet, kjo ka ndodhur vetëm rastësisht. Kurimi i peizazhit historik kërkon patjetër plan dhe rregullore të forta, të cilat duhet të kenë një status dhe qëndrueshmëri strategjike. Kjo mungon totalisht”, – vë në dukje arkitekti restaurator, Reshat Gega.

Gjatë viteve 2011-2013 fondacioni Gjirokastra zhvilloi projektin REVATO – Rijetëzimi në qytetet historike të Beratit dhe Gjirokastrës. Ndër të tjera ky projekt synonte të jepte kontribut në ruajtjen e autenticitetit të çative të Gjirokastrës.

Fati i tij ishte i njëjtë me atë të paraardhësve, duke mos u marrë asnjëherë në konsideratë.

REVATO identifikoi ndërhyrjet dhe ndërtimet pa kriter, si dhe pamjaftueshmërinë e theksuar të investimeve në fushën e konservimit dhe restaurimeve si probleme themelore të gjendjes shqetësuese në menaxhimin e Trashëgimisë Kulturore në Shqipëri. Sipas këtij projekti, tri ishin çështjet kryesore që pengonin përmirësimin e gjendjes. Së pari, çështja e pronësisë së saj private dhe mosregjistrimi kadastral i Trashëgimisë Kulturore. Së dyti, ekspertët që u morën me këtë projekt, evidentuan ndërgjegjësim të ulët publik dhe anashkalimin e rolit të qytetarit në procesin e ruajtjes dhe menaxhimin e Trashëgimisë Kulturore, i shprehur në mungesën e partneritetit publik-privat dhe së treti, mungon thuajse krejtësisht transparenca në vendimmarrjen e menaxhimit të trashëgimisë kulturore.

Dy projektet e reja të Gjirokastrës, arkitektët kundër

Dy projekte të reja me nga një vlerë prej 700 milionë lekësh secili i janë ofruar Gjirokastrës dhe tashmë presin nisjen e zbatimit të tyre. Ndërtimi i një bypass-i ka qenë temë e debatuar gjatë nga specialistët dhe komuniteti gjirokastrit. Për arkitektin Merxhani ky projekt ndërhyn brutalisht në territor duke cenuar peizazhin e tij historik.

“E pret të gjithë përroin e Cfakës, të Zerzebilit, ku janë tri ura monument kulture kategori e parë, të shpallura që në vitet `60-`70 me vlera të jashtëzakonshme për peizazhin historik dhe infrastrukturën që ka patur qyteti. Ne gjejmë financa marramendëse për një projekt bypass-i, në kohën kur me 1.9 milionë euro ne ndërhyjmë për shpëtimin e rreth 100 monumenteve”, – sqaron arkitekti Merxhani.

Gjatë takimit të tij të fundit në Gjirokastër, kryeministri Rama foli për një plan ndërhyrjeje në bashkëpunim me Turqinë, e cila do të sjellë këtu, jo vetëm financat, por edhe eksperiencën në restaurimin e zonave të vjetra historike. Ajo që ngrihet si shqetësim edhe në këtë rast, nisur edhe nga eksperiencat e mëparshme të restaurimit, është se sa do të mund të ruhet origjinaliteti dhe elementet e autenticitetit të banesës gjirokastrite.

A do të mund të shpëtohet Gjirokastra muzeale? Ekspertët janë optimistë.

Arkitekti Reshat Gega konstaton se ka një lloj zgjimi të vëmendjes për ruajtjen e së vjetrës apo origjinales nga vetë gjirokastritët. Ndonëse shenjat janë të mira, ai bën apel për të mos kaluar në teprime.

“Është rreziku që edhe këtu të influencojë për keq ideja dhe metoda e të bërit të “bukur”, arkitekturën, ambientin etj.”, – pohon ai pa e fshehur frikën.

Banesat karakteristike janë ato që i dhanë statusin Qytet Muze Gjirokastrës, duke u cilësuar si pasuri të trashëgimisë botërore pikërisht për shkak të vlerave të tyre të jashtëzakonshme universale.

“Po nuk mbrojtëm ato, bien të gjitha arsyet për çdo lloj bypass-i apo parkimi. Nëse nuk kemi monumentet, asgjë tjetër nuk ka vlerë”, – thekson Merxhani.

Ai nënvizon rëndësinë e një modeli të qëndrueshëm e të qartë mbi sjelljen me qytetin dhe reagimin konkret me buxhete të mirëpërcaktuara, në mbështetje të konservimit të këtyre banesave.

“Pa financa, pa organizim të mirë nuk mund të ketë zgjidhje për problemet reale që ka qyteti”, – shton Merxhani.

“Unë besoj se nuk është mbyllur drita në fund të tunelit. Ka akoma shpresë dhe mundësi për ta shpëtuar Gjirokastrën nga degradimi dhe për ta futur në rrugën e një jete plot gjallëri, ku të spikasin vlerat arkitektonike e urbanistike të hapësirës muzeale”, – shprehet me optimizëm arkitekti Reshat Gega.

SHARE THIS POST

Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin