Autor: Albana Agolli
Shëtitorja buzë detit në Vlorë, qendra e Elbasanit dhe projekti Kalaja në Tiranë i “harron”. Mungojnë rampat, trotuaret janë të larta dhe të ngushta
Jetesa e 170 mijë personave me një lloj aftësie të kufizuar në vend ka mbetur peng e mungesës së infrastrukturës dhe e ligjeve që nuk zbatohen. Dështimi i Planit të Veprimit 2016-2020 nxori në pah se edhe pas 3 dekadash institucionet janë dobëta dhe ligjet e aktet nënligjore mbeten kryesisht në letër, për shkak se nuk planifikohet buxhet për këtë kategori.
Dëshmi e “harresës” së kësaj kategorie është edhe projekti ambicioz i Rilindjes Urbane, i cili nuk është shoqëruar me infrastrukturë speciale për të gjithë ata, të cilëve liria e lëvizjes iu kushtëzohet nga një rampë apo semafor akustik.
Zef Lleshi, 58 vjeç, nga fshati Blinisht shkon vazhdimisht në Lezhë për t’u takuar me njerëz që ndajnë të njëjtat shqetësime si ai. Pavarësisht moshës apo statusit social, ata i bashkon i njëjti hall.
Zef Lleshi
Zefi e ka humbur shikimin plotësisht në moshën 26-vjeçare, si pasojë e një sëmundjeje degjenerative të retinës. I diplomuar në Ekonomi-Turizëm, nuk ka mundur ta ushtrojë kurrë profesionin. Të vetmet ditë pune që ka të shënuara në librezën e punës, janë ato në kooperativën bujqësore para vitit 1990. Baba i katër fëmijëve, Zefi rrëfen për INA-n se në këtë udhëtim të tij të vështirë mbështetësja e vetme ka qenë familja.
Zef Lleshi me nipat
Blinishti është rreth 13 km larg qytetit të Lezhës, por Zefi nuk e përdor thuajse kurrë i vetëm transportin publik.
Ligji nr. 93/2014 përcakton se një nga aspektet që siguron jetesën e pavarur për personat me aftësi të kufizuara është edhe transporti. Në germën “ë”, të pikës 2, të nenit 5, të ligjit nr. 93/2014, parashikohet se: “Politikat shtetërore mbështetin personat me aftësi të kufizuara që të kenë akses në të gjitha sferat e jetës e, ndër të tjera, të kenë akses përkatësisht: ….ë) në transport….”, por realiteti është krejt tjetër.
Të harruar dhe të braktisur nga shteti, personat që vuajnë nga një lloj paaftësie, të vetmen shpresë kanë familjen. Kështu ka ndodhur edhe për Zefin.
Ai rrëfen se, sa herë i duhet të shkojë në qytet, i duhet të kërkojë ndihmë, herë pranë familjes, e herë miqve, të njohurve, ashtu siç ka edhe raste që niset i vetëm, duke i besuar instinktit të krijuar prej vitesh.
“Familja është ajo që më ka mbështetur në çdo situatë. Jam një njeri që dua të kem një jetë aktive, edhe pse nuk është hiç e lehtë”, – thotë Zefi.
Sipas Shoqatës së të Verbërve në vendin tonë janë rreth 10 mijë persona që kanë statusin e të verbrit, por infrastruktura për këtë kategori thuajse nuk ekziston.
Semaforët me audio, trotuaret e dedikuara për përdorimin e shkopit të bardhë, apo audio në transportin publik janë një mision i pamundur, që kufizon jetesën e kësaj kategorie.
Ndonëse ligji e parashikon, transporti publik në Shqipëri nuk përfshin elementet audio, që do të njoftonin automatikisht stacionin ku ndodhet, vendin dhe ndalesën pasardhëse.
Të gjitha këto elemente do ta ndihmonin Zefin e të tjerë si ai të ishin të pavarur, nëse do ta përdornin këtë shërbim, duke e bërë këtë kategori të varet nga të tjerët në çdo hap që hedh.
Nganjëherë Zefi e përdor shkopin për të lëvizur, ndonëse në Lezhë, ashtu si thuajse në çdo qytet të vendit, nuk ekziston trotuari i dedikuar (shiriti i verdhë), për “Shkopin e bardhë”.
“E përdor ndonjëherë shkopin, por jo gjithmonë. Nuk ka infrastrukturë të përshtatshme, jo në Lezhë, po as në qytetet e mëdha të Shqipërisë”, – thotë Zef Lleshi.
Nëse do të kishte patur infrastrukturë të posaçme, por edhe mundësi për të punuar, Zefi mendon se do të kishte qenë më i pavarur dhe më kontribuues në jetën familjare. Me gjithë vështirësitë, ai nuk ka hequr dorë nga kënaqësitë e vogla të jetës. E kalon kohën mes njerëzve të familjes, del shpesh me miqtë e nganjëherë shoqëron gruan në tokën e tyre bujqësore.
Çdo vit, më 15 tetor, në Ditën e Shkopit të Bardhë, Shoqata Kombëtare e të Verbërve ka gati një listë të gjatë me kërkesa që prekin anëtarët e saj në çdo qytet të vendit e ca më shumë në zonat rurale.
Mungesa e një infrastrukture të përshtatshme rrugore, semaforët pa sinjal akustik, trotuaret e dedikuara, por edhe mungesa e transportit publik me sistem audio janë “thembra e Akilit” që kufizojnë pavarësinë e 10 mijë personave me statusin e të verbrit.
Prej vitesh shoqata iu drejton të njëjtat kërkesa institucioneve shtetërore për të krijuar infrastrukturën e nevojshme për ta, por realiteti është shumë larg premtimeve në letër. Aq e vërtetë është kjo, sa i vetmi segment në kryeqytet, ku ata kanë trotuar të dedikuar, është 200 metra i gjatë, në Unazën e Vogël të Tiranës (pas Hotelit Tirana).
Pengesa të ngjashme ka edhe Suela Lala, e cila prej më shumë se 20 vjetësh lëviz me karrocë me rrota. Ndonëse ndërhyrjet në infrastrukturë janë më së shumti për personat tetra ose paraplegjikë, edhe në ato raste kur ekzistojnë, nuk janë eficiente.
“Mungojnë rampat në hyrje të institucioneve, mungojnë tualetet e përshtatura, dyert e gjera, ndriçimi nuk është i mjaftueshëm për personat që nuk shikojnë. Trotuaret janë të larta dhe mungon aksesi në transportin publik”, – tregon Suela peripecitë e saj të përditshme nëpër rrugët e Tiranës.
Por këto mungesa sjellin izolimin e një komuniteti që përllogaritet të shkojë deri në 14 mijë individë para dhe tetraplegjikë.
“Ne përjashtohemi, izolohemi, margjinalizohemi për shkak të mospasjes mundësi për të përdorur të gjitha shërbimet publike si gjithë qytetarët e tjerë, kështu që aksesueshmëria është parakusht për të gëzuar të drejta. Mungesa e saj na kushtëzon, na mbyll, na izolon”, – thotë Suela Lala, e cila drejton fondacionin “Së Bashku”.
Suela Lala, Drejtoreshë Ekzekutive e fondacionit “Së Bashku”
Personat me aftësi të kufizuara, që kanë nevojë për kushte të posaçme për të qenë pjesë e shoqërisë, nuk janë pak. Janë me mijëra mes nesh. Sipas censusit të vitit 2011 (e dhëna e fundit statistikore, zyrtare), rreth 6.2% e popullsisë në Shqipëri përbëhet nga persona me aftësi të kufizuara, që do të thotë afro 170 mijë vetë. Nëse i referohemi të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, sipas së cilës rreth 15% e popullsisë ka një aftësi të kufizuar, atëherë kjo shifër do të ishte më e madhe; ndërsa sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale numri i atyre që trajtohen me mbështetje financiare është rreth 73.200 persona me aftësi të kufizuara dhe 74.400 invalidë pune.
“Nëse aktet ligjore në fuqi do të zbatoheshin, gjendja e personave me aftësi të kufizuara do të ishte ndryshe”, – na thotë Suela.
Dështimi i Planit Kombëtar
Plani Kombëtar i Veprimit për Personat me Aftësi të Kufizuara, 2016-2020 ishte shumë ambicioz. Me synime të qarta, ai parashikonte ndryshime që do ta përmirësonin cilësinë e jetës së kësaj kategorie. Garantimi i aksesit është ndër çështjet që merr më shumë vëmendje. Sipas këtij plani brenda një periudhe 4-vjeçare të gjitha godinat, ku ofrohen shërbime publike, duhet të ishin të aksesueshme.
Në të vërtetë, pas katër vitesh të vënies në zbatim të këtij dokumenti ndryshimet janë bërë me pikatore. Nuk është e vështirë të gjesh godina të paaksesueshme.
Fondacioni “Së Bashku” përmes një monitorimi në 3 bashki, Durrës, Shkodër dhe Mat, ka evidentuar një sërë godinash zyrtare të paaksesueshme plotësisht ose pjesërisht nga personat me aftësi të kufizuara.
Gjetje të monitorimit të fondacionit “Së Bashku”
Durrës – Në Bashkinë e Durrësit mungojnë: shiriti me reliev paralajmërues për shkallët, rampa në hyrje, parmakët në anë të shkallës, shiritat orientues për personat e verbër, ashensori ose platforma lëvizëse për të aksesuar katet e sipërme. Godina të tjera, ku mungojnë elemente të aksesueshmërisë, janë: Zyra e Gjendjes Civile, Zyra e Mbrojtjes Sociale, Zyra e Shërbimit Postar, Poliklinika, Biblioteka publike, Teatri “Aleksandër Moisiu”, Muzeu i Dëshmorëve, Drejtoria Rajonale e Tatimeve.
Shkodër – Në Bashkinë e Shkodrës mungojnë shiritat me reliev të verdhë për personat që nuk shikojnë, parmaku në anë të rampës ekzistuese. Institucione të tjera, ku mungojnë elementet e aksesueshmërisë: Zyra e Aleatit për shërbimin e pajisjes me pasaporta, Zyra e Shërbimit Postar, spitali dhe qendrat shëndetësore, Muzeu Marubi.
Mat – Godinat, ku mungojnë elementet e aksesueshmërisë, janë Bashkia e Matit, Zyra e Shërbimit Postar, Zyra e Gjendjes Civile, zyra e Aleatit për shërbimin e pajisjes me pasaporta, spitali dhe qendrat shëndetësore, Muzeu Historik.
Lista e godinave të paaksesueshme për personat me aftësi të kufizuara do të ishte shumë më e gjatë, nëse do t’i referoheshim 61 bashkive të vendit. Garantimi i aksesit në transportin publik për çdo individ është një tjetër objektiv i papërmbushur i Plan-Veprimit.
Rilindja Urbane diskriminon personat me aftësi të kufizuara
Paradoksalisht, as projekti i Rilindjes Urbane, një projekt ambicioz i qeverisjes socialiste, i cili transformoi qendrat e një sërë qytetesh, nuk e ka marrë në konsideratë aksesin për 170 mijë persona që janë të prekur nga një lloj paaftësie.
Një vendim i Këshillit të Ministrave i vitit 2015 (VKM Nr. 1074), përcakton se “çdo projekt infrastrukturor, i realizuar me fonde publike, duhet të ketë elementet e aksesueshmërisë për personat me aftësi të kufizuara”.
Ndonëse ky projekt është mbikëqyrur nga vetë kryeministri Rama, ligjet janë shkelur me të dyja këmbët, kur vjen puna te këto kategori speciale.
“Hartohen ligje, VKM, por që nuk zbatohen. Ne kemi projekte të Rilindjes Urbane, një nga nismat më pompoze të qeverisë shqiptare, të cilat nuk e kanë respektuar këtë VKM, këtë rregull që e ka vendosur vetë shteti”, – sqaron Lala.
“Kemi rastin e projektit të Vlorës, që është një nga krenaritë e fundit të qeverisë dhe, po të shohësh trotuaret, janë të larta, të ngushta, janë ndërtuar në një formë që nuk është aspak e përshtatshme për personat me aftësi të kufizuara. Rast i ngjashëm është parku në qendër të Elbasanit, si dhe zona e njohur si Kalaja në kryeqytet. Ashtu si të gjithë qytetarët e tjerë, ne kemi të drejtë ta gëzojmë mjedisin tonë të përbashkët, edhe si taksapagues në fund të fundit, sepse këto ndërhyrje publike ndërtohen edhe me paratë tona, të familjarëve tanë, me kontributin e të gjithëve ne. Situata është, jo vetëm diskriminuese, por edhe fyese”, – thotë për INA-n Suela Lala.
Suela Lala, Drejtoreshë Ekzekutive e fondacionit “Së Bashku”
Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Sociale, institucion që duhet të monitorojë zbatimin e këtij akti ligjor, nuk ka konstatuar asnjë shkelje gjatë dy viteve të fundit.
“Gjatë vitit 20l9-2020, ISHPSHSH-ja nuk ka evidentuar shkelje të VKM-së nr.1074, datë 23.12.2015 “Për përcaktimin e masave për mënjanimin e pengesave në komunikim dhe infrastrukturë, në ofrimin e shërbimeve publike për personat me aftësi publike.”, – është përgjigjja që ky institucion i ka kthyer kërkesës tonë për informacion.
Por, fakti që institucioni monitorues nuk ka konstatuar asnjë shkelje, nuk do të thotë se të tilla nuk ka pasur. Zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Bardhylka Kospiri, pranon se aksesueshmëria është ndër pikat e dobëta sa i përket zbatimit të të drejtave të personave me aftësi të kufizuara. Për gjendjen zonja Kospiri fajëson pushtetin vendor dhe institucionet monitoruese. Ajo thotë se objektivat do të mbeten të njëjta edhe në planin e veprimit për katër vitet e ardhshme, që nga rritja e aksesit e deri te shtimi i mundësive për punësim. Forcimin e penaliteteve në kuadrin ligjor zonja Kospiri e sheh si element që do të garantojë zbatimin e planit të ri.
“Është e vërtetë që kemi probleme me aksesueshmërinë. Objektivi i përshtatshmërisë ka qenë objektivi numër një i Planit të Veprimit për Personat me Aftësi të Kufizuara, 2016-2020. Nuk jemi të kënaqur me rezultatet, por ka patur edhe hapa pozitivë. Mjafton të them që të gjitha qendrat shëndetësore që ndërtohen ose rikonstruktohen, janë të aksesueshme për personat me aftësi të kufizuara. Nuk është bërë ende më e mira, prandaj edhe në Planin e Veprimit 2021-2025, që po hartojmë, pjesa e aksesueshmërisë do të vazhdojë të mbetet në vëmendje. Pasi bëmë një vlerësim se pse ka munguar zbatimi i masave për aksesin, kemi përcaktuar hapat se si duhet ecur, që kanë të bëjnë edhe me rishikimin e legjislacionit për ta bërë më të detyrueshëm, edhe pse legjislacioni ekziston, mbase duhen marrë disa masa që të ketë penalitete më të forta”, – thotë zëvendësministrja Kospiri.
Pavarësisht vështirësive të shumta, janë shumë pak persona me aftësi të kufizuara që i drejtohen Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Gjatë vitit 2019 në këtë institucion ka patur 20 ankesa nga kjo kategori dhe vetëm 9 ankesa në vitin 2020. Sipas Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, shumica e ankesave kanë të bëjnë me aksesueshmërinë, shërbimet dhe punësimin.
Drejtuesja e fondacionit “Së Bashku”, Suela Lala, e cila është edhe juriste, thotë se përgjegjësia kryesore për certifikimin e projekteve infrastrukturore pa elemente të aksesueshmërisë bie mbi pushtetin vendor.
“Ligji i vitit 2015 për Rregullimin e Territorit thotë që nuk mund të jepet leja e ndërtimit, nëse projekti nuk i ka elementet e aksesueshmërisë. Në fund, kur objekti të ketë përfunduar, qoftë ky privat apo publik, nuk duhet të certifikohet, nuk duhet të marrë certifikatën e përdorimit, nëse nuk ka elementet e aksesueshmërisë. Ky është faji i drejtpërdrejtë i bashkive që e japin certifikimin, edhe nëse nuk ka elemente të aksesueshmërisë.”, – thotë Suela Lala.
Duke mos i dhënë akses në hapësira e shërbime publike, kësaj kategorie i është mohuar e drejta për t’u arsimuar, për t’u punësuar e për të jetuar si gjithë të tjerët.
Një palë rampa lënë pa shkollë qindra fëmijë
Nikolaos Dylgjeri, një 21-vjeçar me çrregullime të spektrit autik, është sot student i vitit të parë në Akademinë e Arteve. Niko, ashtu siç e thërrasin familjarët e miqtë, ka kaluar ciklet e para të arsimit përmes një rrugëtimi aspak të lehtë për kushtet që ofron Shqipëria.
“Niko ka ndjekur shkollën publike “Niket Dardani” nga klasa 1-5, por në atë kohë e kemi regjistruar me përpjekje të mëdha, sepse drejtuesit e shkollave ishin kategorikisht kundër pranimit të fëmijëve me aftësi ndryshe”, – tregon Egla, e ëma e Nikos, e cila drejton Klubin Kombëtar të Prindërve të Fëmijëve me çrregullime të spektrit autik dhe PAK.
Falë talentit në muzikë, Niko është ndër rastet e pakta të suksesit të arsimimit të personave me aftësi ndryshe, pasi në shkolla publike nuk mungon vetëm infrastruktura për fëmijët me nevoja të veçanta, por edhe përgatitja e stafeve pedagogjike. “Niko pati fat me mësuesen e ciklit të ulët, Luljeta Xhemollari, por më pas ka qenë shumë e vështirë. Prandaj ne, prindërit e fëmijëve të kësaj kategorie, kemi kërkuar që mësuesit e përgjithshëm të bëjnë lëndën e psikologjisë për një vit të plotë akademik”, – thotë Egla Bajrami.
Nikolaos Dylgjeri, me të ëmën dhe mësuesen e fillores, Luljeta Xhemollari
Ndër objektivat e Plan-Veprimit ishte edhe sigurimi i një arsimi cilësor dhe gjithëpërfshirës për të gjithë fëmijët me aftësi të kufizuara. Shtimi i mësuesve mbështetës pritej ta ndihmonte sistemin të performonte më mirë. Në vitin 2020 numri i mësueseve ndihmës arriti shifrën 1000.
“Niko ka patur mësues ndihmës vetëm në klasën e 11-të. Është e vërtetë që është shtuar numri i mësuesve mbështetës, por ende nuk jemi aty ku ishin parashikimet, që të kishte 1 mësues për 2 nxënës. Problem për ne është edhe fakti që mësuesi ndihmës ndërrohet çdo vit, sepse në disa raste kjo do të thotë regres për fëmijën”, – thotë Elga.
Sa i përket elementeve të aksesueshmërisë në shkollat publike, Egla Bajrami, e cila drejton Klubin e Prindërve të Fëmijëve me çrregullime të spektrit autik dhe PAK, thotë se ato mungojnë në shumicën e shkollave.
“Infrastruktura e përshtatshme për fëmijët me aftësi të kufizuara ekziston vetëm në shkollat e reja, ndërsa në shkollat e ndërtuara prej vitesh mungon përshtatshmëria. Për fëmijët me aftësi të kufizuara motorike shpesh shkollat janë të paaksesueshme”, – thotë Egla Bajrami.
Sipas një studimi të World Vision dhe Save the Children, të publikuar në prill të vitit 2018, 1 në 10 fëmijë në Shqipëri ka aftësi të kufizuara.
“1 në 2 fëmijë me aftësi të kufizuara përjeton diskriminim në komunitet (52,9%), në institucione arsimore (52,4%), dhe gjatë lojës me bashkëmoshatarë (54,9%); ndërsa 1 në 3 fëmijë me aftësi të kufizuara diskriminohet në shërbimet e tjera publike, si ato shëndetësore ose shoqërore.”, – thuhet në këtë studim.
Punësimi, ëndrra e personave me aftësi të kufizuara
Zef Lleshi po i afrohet moshës së pensionit, por nuk ka punuar as edhe një ditë prej 30 vitesh. “Para vitit 1990 punoja në kooperativë bujqësore. Kjo ishte jeta e fshatit. Pas ’90-ës nuk kam punuar, por jo se nuk dashur. Unë edhe sot jam njeri aktiv, por nuk m’u krijua asnjëherë mundësia”, – thotë Zefi.
Një monitorim i World Vision, i shtrirë në Dibër, Lezhë, Korçë dhe Berat, ku u përfshinë mbi 500 persona me aftësi të kufizuara dhe rreth 80 përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, tregon se punësimi mbetet një ëndërr për shumë prej atyre që i përkasin kësaj kategorie.
“85.6% e personave me aftësi të kufizuara dhe familjarët e tyre shprehen të pakënaqur me nivelin e punësimit”, – thuhet në këtë raport, të financuar nga BE.
Plani Kombëtar i Veprimit ndër objektivat e tij ka edhe rritjen e numrit të personave me aftësi të kufizuara, të përfshirë në programet e nxitjes së punësimit, si dhe rritjen e numrit të të rinjve të kësaj kategorie që punësohen në administratën shtetërore.
Ligji “Për nxitjen e punësimit”, i ndryshuar në vitin 2019, detyron çdo punëmarrës, shtetëror apo privat, të punësojë një person me aftësi të kufizuara për çdo 50 punonjës. Nga viti 1995-2019 kjo kuotë ka qenë 1 në 25 persona dhe për 24 vite nuk është zbatuar.
Të parat që nuk e respektojnë këtë detyrim, janë institucionet publike. Nga të dhënat e mbledhura nga disa institucione rezultoi se asnjë prej tyre nuk e kishte zbatuar këtë detyrim ligjor. (Shiko tabelën)
“Nga studimet që kemi bërë, rezulton se privati, i cili logjikisht është më i nxitur nga fitimi dhe produktiviteti i punonjësve të vet, punëson më shumë persona me aftësi të kufizuara sesa sektori publik, që duhet të japë edhe shembullin”, – thotë Suela Lala, ndërsa shton se në këto institucione në shumicën e rasteve mungojnë elementet e aksesueshmërisë.
“Një rregull që është i barabartë për të gjithë, nuk vlen për personat me aftësi të kufizuara. Për këtë kategori duhen krijuar disa lehtësira. Nëse themi që institucionet tona publike janë ende të paaksesueshme, të mobiluara në një mënyrë që ne nuk lëvizim dot lirshëm, padyshim që kjo është një formë përjashtimi”.
Zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Bardhylka Kospiri, e shikon me optimizëm punësimin e personave me aftësi të kufizuara. Sipas saj, falë Planit të Veprimit 2016-2020, ky numër është në rritje.
“Numri i personave të punësuar që nga fillimi i zbatimit të Plan-Veprimit 2016-2020 është rritur 50%, por ka ende shumë për të bërë. Ka rritje të numrit të personave me aftësi të kufizuara që regjistrohen pranë zyrave të punës si punëkërkues. Ky është tregues i rritjes së besimit të publikut”, – tha zëvendësministrja Kospiri.
Të dhënat e Agjencisë Kombëtare të Punësimit tregojnë se në fund të vitit 2020 në zyrat e punës ishin regjistruar si punëkërkues 641 persona nga kjo kategori. Ndërsa gjatë vitit 2020 përmes zyrave të punës u punësuan 48 vetë (persona me aftësi të kufizuara). Viti 2014, viti i parë i hyrjes në fuqi të ligjit “Për Nxitjen e Punësimit”, mban shifrën rekord të punëkërkuesve me aftësi të kufizuara, të regjistruar në zyrat e punës, 2000 vetë.
Ligjërisht mundësitë për punësimin e kësaj kategorie ekzistojnë, por, siç ndodh rëndom, problemet nisin, kur ligji nuk zbatohet.
Qeveria harton plane, por nuk jep buxhet
Plani Kombëtar i Veprimit për Personat me Aftësi të Kufizuara është dokumenti strategjik, që adreson nevojat e kësaj kategorie. Hartimi i tij nuk erdhi thjesht si nevojë për t’i bërë vend në shoqërinë tonë kësaj kategorie, por si pjesë e procesit të integrimit europian. Pas ratifikimit të Konventës së OKB-së për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara në vitin 2012 dhe pas marrjes së statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE në vitin 2014, qeveria përgatiti këtë Dokument Politikash për Përfshirjen Sociale.
Plani i Veprimit 2016-2020, i hartuar pas konsultimesh edhe me grupet e interesit, adreson më së miri 8 fusha kryesore, që do të garantonin gjithëpërfshirjen e personave me aftësi të kufizuara.
Por, nga ajo që thuhet në letër, pak materializohet në realitet.
“Ne kemi qenë pjesë e konsultimeve. Problemi nuk është te parashikimet që shkruhen në letër. Ne e dimë që ato parashikime janë më shumë si listë dëshirash, se sa pritshmëri reale. Vetë raporti i ndërmjetëm, i bërë nga ministria për Plan-Veprimin 2016-2020, rezultoi që ishte gjerësisht i pazbatuar. Nuk zbatohej për shkak të institucioneve të dobëta, vullnetit të paktë, vëmendjes së paktë, por edhe të mosbuxhetimit, sepse, nëse ne themi qytete të aksesueshme, padyshim që duhet të ketë parashikime në buxhet”, – thotë Suela Lala.
Në buxhetin e shtetit nuk ka një zë të veçantë për personat me aftësi të kufizuara. Ata përfshihen në zërin e Përkujdesit Social, ku janë edhe grupe të tjera që përfitojnë mbështetje financiare. Në buxhetin e shtetit llogaritet vetëm mbështetja financiare që i jepet kësaj kategorie, e cila shpesh është e pamjaftueshme.
“Unë marr 12 000 lekë në muaj. Përfytyro, sikur të blej një kompjuter, që ta kem me programin që iu duhet të verbërve. A e blej dot?! Jo, nuk e blej dot”, – thotë Zef Lleshi.
Por nevojat e personave me aftësi të kufizuara nuk lidhen vetëm me mbështetjen financiare. Nevoja për akses nuk shoqërohet me një buxhet të veçantë. Në buxhetet e bashkive nuk ka një zë të posaçëm për ndërhyrje në infrastrukturë, me qëllim sigurimin e aksesit nga personat me aftësi të kufizuara.
Edhe World Vision, në monitorimin e zbatimit të këtij dokumenti, vëren se ai nuk ka ndikuar në jetën e personave me aftësi të kufizuara. “Plani nuk ka sjellë mjaftueshëm ndryshim në cilësinë e jetës së personave me aftësi të kufizuara”, – tha Artina Morava, drejtoreshë operacionesh në World Vision Albania.
Zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Bardhylka Kospiri, pranon vështirësitë në zbatimin e Plan-Veprimit për PAK. Ajo thotë se në disa fusha është bërë progres, por ai ka qenë i ngadaltë dhe për të një pjesë të mirë të përgjegjësisë për moszbatimin e tij e kanë institucionet vendore.
Pa bërë ende një raport se përse dështoi Plani i Veprimit 2016-2020, ka nisur hartimi i planit të ri 2021-2025.
“Te ky projekt-plan kemi një vëmendje më të veçantë për të rritur bashkëpunimin me pushtetin vendor. Aty janë të gjitha shërbimet dhe të gjitha përgjegjësitë për të shkuar sa më pranë përfituesve”, – tha zëvendësministrja Kospiri.
Rruga e pakonsumuar që iu mbetet personave me aftësi të kufizuara për të fituar të drejtat e tyre, të shprehura në ligjet e këtij vendi, është ajo gjyqësore, por ajo është një rrugë e mundimshme, që pakkush do të kishte guximin ta ndërmerrte.
“Një mundësi është Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, që vendos gjobë, i kërkon institucionit të përmirësojë situatën, por nuk të dëmshpërblen, ndërsa rruga gjyqësore është shumë e gjatë në kohë, e kushtueshme dhe kërkon energji e burime që organizata të vogla apo vetë individët nuk i kanë”, – u shpreh Suela Lala.
Edhe në rast se gjykata do të jepte vendime në favor të personave me aftësi të kufizuara, ata mund të përfitojnë dëmshpërblim, por kjo nuk do të thotë se do të rritet aksesueshmëria, mundësitë e punësimit e arsimit. Për të bërë të mundur zbatimin e Plan-Veprimit dhe ligjeve, do të duhej vullneti i institucioneve të ngarkuara me zbatimin e tyre, që nga bashkitë e deri tek institucionet monitoruese, si Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Sociale.
Zef Lleshi, teksa i afrohet të 60-ave, nuk ka më shpresë të nisë një punë apo të ketë aksesin e munguar në gjithë këto vite.
“Shpresa ime e vetme është që ligjet të zbatohen për të tjerë si puna ime. Ka plot të rinj që Zoti i ka dënuar në këtë mënyrë, të paktën të mos i dënojë edhe shteti”, – përfundon ai.