637 shtetas shqiptarë u vendosën në qendër të atentateve për shkak të konflikteve për pronat. Prej tyre 185 janë vrarë dhe 208 u plagosën rëndë. Për 244 të tjerë plani për t’i vrarë mbeti në tentativë. Shifrat shqetësuese për krimet që vijnë nga ‘lufta’ për tokën llogariten nga viti 1998 e në vazhdim. Ato raportohen zyrtarisht nga Policia e Shtetit.
Me procese që kanë kaluar dy dekada, ligje që janë ndryshuar vazhdimisht, mosmarrëveshjet e pronave futën në armiqësi njerëzit më të afërt të familjes, lidhje krushqie dhe kushërinj apo trashëgimtarë. 12 mijë shtetas shqiptarë janë aktualisht nën procese civile në të gjitha gjykatat në vend dhe me fashikuj e harta topografie këmbëngulin se kanë të drejtë ata dhe jo pala tjetër. 2 mijë prej tyre janë pjesë e stokut në Gjykatën e Lartë. Nuk ka një statistikë nga prokuroritë se sa është numri i të dënuarve për akuzën e falsifikimit dhe të tjetërsimit. Megjithatë falsifikimi i dokumentave, që ktheu tokën bregdetare rërë në tokë buqësore, tokën e trashëguar në truall që ishte shitur tek të panjohur, mbetet krimi i përditshëm.
Lulë Zefi një 67-vjeçare e cila prej vitesh ka nisur betejën për Tokat. Nuk e humbi durimin në prokuroritë që i mbyllnin derën vazhdimisht. Ajo këmbënguli ngado se kishte përballë një grup kriminal të rrezikshëm që u përpoq ta vrasë dhe kur francezët sollën transkriptet e grupeve kriminale që komunikonin në SKY me prokurorë e shefa policie dhe kundërshtarin e saj të indentifikuar si Pëllumb Gjoka, kallzimi i gruas gjendej ndërkohë në SPAK.Lulë Zefi: Erdhën për të më vrarë. Vrasësit me pagesë i ngeci arma.
Lulë Zefi : Unë jam Lulë Zefi kam lindur në Grizhë të Shkodrës dhe e martuar këtu në Gurëz, Kurbin. Jam grua e ve me gjashtë fëmijë. Unë nuk di si ta filloj këtë problemin që kam për pronat, kam hetuar që nëna ime ka prona sepse ne nuk na kishte treguar kush, se babi ka vdekur ka shumë vite. Nëna quhet Drande Hotaj. Në 25 Qershor 2017, unë kam shkuar tek mamaja ime ta pyes. Nëna jetonte bashkë me vëllain. Shkova ta pyes por nëna ime rrinte e frikësuar nuk fliste. Kurse vëllai më tha nuk di gjë për tokat të betohem në kishë. Janë bërë gjyqe për tokat i thashë. Ato toka nuk ka për ti gëzuar kush, as Pëllumb Gjoka, askush. Ato toka do i gëzojmë ne fëmijët.
Anila Hoxha: Kush është Pëllumb Gjoka?
Lulë Zefi: Djali i vëllait, dy vite ka që ne shkonim si mezor, vetëm kur binte ndonjë rast në fis.
Anila Hoxha: Nga i trashëgoi tokat?
Lulë Zefi: Nëna nuk ka asnjë lloj letre se kush ja ka trashëguar. Por janë 390 dynymë. Toka që thuhet në letra janë të Dranes që në 1935.
Anila Hoxha: Sa fëmijë jeni?
Lulë Zefi: Jemi katër fëmijë.
Anila Hoxha: Ju filluat t’i kërkoni të gjithë?
Lulë Zefi: Ne filluam por ata nuk vazhduan më tej. Vazhdova e vetme. Me 28 Qershor të vitit 2017 kanë dërguar vrasësin me pagesë për t’më vrarë.
Anila Hoxha: Mund të na e kujtosh pak?
Lulë Zefi: Ishte ora 09:00 – 09:15, personi kishte sjellë makinën në fund të shkallës ngjit me ballkonin dhe vjen brenda me armë në dorë. As çfarë më ke bërë, asgjë drejt dhe me armë në fytyrë. Nuk kishte maskë asgjë. Është kthyer përsëri me armë, ma vinte pistoletën në ballë e hiqte, e vinte e hiqte. Me lot në sy i thashë “Kush je ti dhe çfarë borxhi të kam ty?” Ai më ka thënë jam nga Tirana, u spostua një hap mbrapa të shikonte jashtë. Nuk i shkrepte arma i ra nga dora, është kthyer përsëri dhe prapë nuk i ka shkrepur. Kam rënë në gjendje të fikëti dhe kur jam përmendur kam njoftuar fëmijët. Është kapur personi nga policia. Në bazë të targës së makinës dhe nuk e kam njohur fare personin fare. Vetëm kur ka thënë “jam filani”, i kam mbajtur mend mimikën. Ju kam thënë që këtë person e ka dërguar Pëllumb Gjoka, sepse para tre ditësh kam qenë tek nëna ima dhe kërkova të di për tokën dhe se këto toka na i ka marrë Pëllumb Gjoka. Ata shkruanin si ata. por të gjitha kanë dalë të gjitha në shesh se me kë ka lidhje. Të gjitha çfarë kam thënë deri më sot kanë dalë egzakte.
Anila Hoxha: Nisët gjyq për tokat?
Lulë Zefi: Kam mbaruar gjyqin për tokat civile mbasi mbarova këtë penalen. Vazhdova gjyqet. Në qershor erdhën të më vrasin. Në gusht bëjnë tjetrën, sikur nëna ime dhuron të vëllait të gjitha tokat. Kërkuam dosjen. Nuk na i dhanë thanë “e ka marrë prokuroria, hetuesia”. Testamenti doli i falsifikuar. Por prapë ne nuk e fituam gjyqin. Humba në shkallën e parë. Shkuam në apel.
Tjetra, katër fëmijë gjallë ne dhe prokurën ja japin Ardian Becit, që ai bëhet zotëruesi i tokave të nënës, çdo gjë që duhet ta bëjë ky shtetas.
Anila Hoxha: Kush është ky shtetas?
Lulë Zefi: Nuk e njoh, nuk e di. Edhe sot nuk e njoh, ai mori tokat e nëns ka bërë si ka dashur ai.
Në 2017, pesë vjet pas dhe dy muaj pasi më bënë atentat, vazhdova unë të kërkoj tokat e prindërve të mi se nuk i takojnë askujt se unë jam fëmija e nënës time.
Anila Hoxha: A hetoi prokuroria?
Lulë Zefi: Për të gjithë këtë skemë që është bërë prokuroria asnjë akuzë, çdo gjë i nxirrte ata fitimtarë.
Anila Hoxha: Cilat prokurori?
Lulë Zefi: E Shkodrës.
Anila Hoxha: Më pas ku shkoi çështja?
Lulë Zefi: Më pas shkoi në apel në Shkodër.
Anila Hoxha: Tani ku është çështja?
Lulë Zefi: Në apel në Tiranë. Po pres atje dhe të gjitha gjykatave botërore do i drejtohem. Nuk e fal dhe do i drejtohem kujtdo. Vetëm një gjyq kam fituar në Shkodër, atë të Kadastrës. Sepse jam e bija dhe duhet të hetohet kadastra. Nëna ndërroi jetë në prill të 2022, kishte shenja në fytyrë dhe ja kam parë atë ditë. Ka vdekur pa thënë kush a është e sëmurë a jo. Më kanë njoftuar në dhjetë të natës, mi kanë rënë telefonit. Tre herë më kanë njoftuar. Më thanë “Drania është e sëmurë shumë”. Ju kam kthyer përgjigjje, nuk kisha besim të dilja natën, me atë gjendje të mafiozëve. Ju kam thënë “me Dranen veproni si të doni, mua më lini të qetë”. Është zhvarrosur. Një vdekje e papritur. Kishte shenja në fytyrë.
Anila Hoxha: Ndërkohë ti kërkoje të hetohej dhe nuk hetohej? Ti e dije se kë ke përballë?
Lulë Zefi: Unë e dija se kë kam përballë, e dija që kam përballë Pëllumb Gjokën. E dija që ka marrë tokën e prindërve tanë dhe se bën ligjin. Por jo gjithkund. E bën në prokurori në gjykata dhe në një pjesë të policisë.
Anila Hoxha: I kishe thënë këto gjëra në gjykatë për këtë shtetas dhe në prokurori i kishe denoncuar?
Lulë Zefi: Po, po dhe kur kam bërë gjyqin për testamentin e nënës i kam thënë të gjitha këto në gjykata por nuk më ka dhënë drejtësi.
Në Shqipëri juristët pranojnë se konfliktet për tokat prodhuan krime të sofistikuara, ku u përfshinë edhe nëpunës të shtetit. Çështja më e bujshme ajo e Ranës së Hedhur në Velipojë, dhe të tokave të Zvërnecit. Apo edhe dosje të mbyllura pa sukses nga akuza si tokat e Karaburunit. Noterja ka kryer një studim për të gjithë problemet që kanë ligjet nga njëra anë dhe fenomenin me të cilin prej dekadash po ndeshen noterët.
Ekspertja: Grupet kriminale po pastrojnë para me dhurimin e tokave.
Elona Saliaj: Rastet e dhurimit të tokave, janë raste të cilat direkt nga ana jonë raportojnë në parandalimin e pastrimit të parave sepse gjatë gjithë kohës ne shikojmë raste të dhurimit të tokave në masë të madhe personave të cilët nuk i njeh, aq më tepër që kam evidentuar dhe kam parë edhe vetë janë dhurime që i bëhen shoqërive. Është e çuditshme se si një individ i dhuron shoqërisë kur duhet të ndodhë e kundërta. Shikojmë dhe rastet kur na dalin problematikat kur jep kredi banka. Banka kërkon me detaje se si ka rrjedhur ajo tokë dmth nga kush është dhën nga komsioni, janë të gjitha firmat sepse një nga problemet që ne hasëm në 2013 kur TAP donte të investonte pamë që aktet e marrjes së pronësisë kishte vetëm njërën vulën por jo të dyja dhe kjo solli problemin tjetër që aktet mund të ishin të falsifikuara. Akti i marrjes së tokës në pronësi, pra nuk kishte garanci juridike për atë që ishte prodhuar.
Anila Hoxha: Çfarë duhet ndryshuar në këndvështrimin tuaj?
Elona Saliaj: Mendoj se është vetëm inisiativë e legjislatorit për të ndryshuar. Nuk ka shumë pa u rregjistruar, kuptohet që janë zonat bregdetare ose zona e malësisë së madhe duhet të ketë një VKM të rregjistrohet dhe të bëhen me certifikata pronësie. Njëri më tha po bëhemi tre breza dhe ne ende nuk kemi një certifikatë pronesie, vazhdojmë jetojmë këtu por nuk na njihet ajo që kemi investuar.
Noterja Elona Saliaj tregon se veç konflikteve dhe pastrimit të parave, një krim tjetër bazuar në trashëgiminë gjinore vijon të jetë present. Është ajo e dorëheqjes së grave nga e drejta e pronësisë.
Elona Saliaj: Të gjithë anëtarëve, pra një familja bujqësore iu dha kryefamiljarit për shkak se kishte pesë fëmijë dhe iu tha që “do të të jepet 10 000m2 sepse aq e kishte mundësinë psh. Nga 2 000 m. Ka pasur vende që janë ndarë edhe nga 6 000 m sepse kishte tokë, sikurse në Malësi të Madhe apo në zonën e veriut nuk kishte shumë tokë, janë ndarë edhe më pak. Jepej pasuria e paluajtshme dhe i thuhej që do të jap kaq m2 për shkak se ti ke kaq anëtarë. Kjo ishte ndarja e tokës, ndërkohë ligjet më vonë, përfshij atë të 98’ për shitblerjen e tokës bujqësore thonë që për ta shitur tokën duhen të gjithë që e morën tokën sipas familjes bujqësore dhe në çastin e shitjes së tokës vumë re në zonën e Fierit në Korcë, në Berat, të cilët ishte koha kur TAP-i do shtronte tubat dhe evidentuam që në shumë raste bënin heqje dorë.
Anila Hoxha: Ka lidhje me mentalitetin?
Elona Saliaj: Mentaliteti patjetër e kemi edhe në trashëgimi mentalitetin jo vetëm tek prona, sepse vajza që martohet nuk mund të kërkojë pronë thonë, por në fakt ligji u ka dhënë të drejta të barabarta vajzave dhe kam patur raste që i kam trajtuar të zonjave që vinin duke qarë që thonë, jam detyruar nga vëllai, babai, burri që të heq dorë nga pronësia mbi token në mënyrë që unë most ë rezultoj fare në certifikatë sepse jam e martuar. Më takon apo nuk më takon ligjërisht?
Anila Hoxha: Ndodh ende heqja dorë nga pronësia? Fenomeni i heqjes dorë nga gratë prej pronësisë?
Elona Saliaj: Ndodh jashtë mase sado që jemi në vitin 2023, legjislacioni është përmirësuar sepse është detyruar si noteri, institucioni që të marrin bashkëshortin si bashkëpronar por kini parasysh që tentativat nga bashkëshorti, nga vëllai, nga babai për të hequr dorë fëmija sidomos e gjinisë femër është shumë e lartë.
SPAK pranon se si përmes postës, kur sakaq kishte kërkuar hetime në Malin e Zi, në prokurorinë e Shkodrës, në prokurorinë e Lezhës, Lulë Zefi përcolli kërkesën e radhës për hetime dhe drejt Tiranës. Dosja “Metamorfoza” provoi se megjithë përballjen me grupet, 67- vjeçarja nuk u dorëzua.
Anila Hoxha: A ke frikë për jetën e fëmijëve?
Lulë Zefi: Gjithçka mund të ndodhë. Pëllumb Gjoka nuk jam as e para as e fundit, ai ka qëlluar, ka vrarë të tjerë ne Velipojë, nuk e di.
Anila Hoxha: Dërgove kallëzim në SPAK? Ti u binde që kishe përballë një grup kriminal, çfarë të dhënash kishe ti?
Lulë Zefi: Unë që kërkova drejtësi në SPAK, i kisha provuar të gjitha gjykatat. Nuk po gjeja rezultat. Nuk po më jepnin drejtësinë askërrkund. Sepse mua më nxinë jetën. Jo një ditë, po çdo ditë duke më dale përpara. Çdo ditë të më vrasin.
Anila Hoxha: Ka qenë vetëm apo ka patur ndihmës sipas teje?
Lulë Zefi: Ka qenë përherë me ndihmës. Që e kam parë vetë, përherë ka dërguar të paguarit e vet. Grupet kriminale të tij.
Anila Hoxha: E humbe shpresën në Shqipëri?
Lulë Zefi: E humba shpresën në Shqipëri. Sepse në Shqipëri si me thënë ai bënte ligjin. Në çdo shtet të botës, fëmija e gëzon trashëgiminë e prindërve jo çdo kush. Këtë ligj do ta gjejmë dikund. Dosjen time hetimore e ka pas Gëzim Spahia, Gëzim Spahisë ja hoqën këtë të drejtë, ja dhanë Franceskina Lekanit, prokurore. Dhe është zhvilluar gjyqi pa prezencën e saj. Duhet të ishte sesbën se prokuroja duhet. Këto janë bërë të gjitha me shkelje ligjore.
Anila Hoxha: Marrëdhëniet me kushëririn tënd ishin normale deri kur u zbulua çështja e tokave në Velipojë?
Lulë Zefi: Ishin normale deri tek testamenti. Qysh kur u dha testamenti e pas, na kanë shmangur.
Anila Hoxha: Më the që një njeri i armatosur të vuri pistoletën në kokë dhe këtë e hetuan edhe institucionet, e dënuan?
Lulë Zefi: U dënua minimalisht ky person, çështja është në apel. Sot i ka nxjerrë dosja hetimore në shesh. Që Pëllumb Gjoka ka telefonuar Ervis Martinin, që Ervis Martini ka gjetur Gëzim Çelën, Gëzim Çela i është përgjigjur. Më kanë ardhur natën, më kanë ardhur ditën, më kanë ardhur me makina, por fëmijët më kanë vendosur kamera. Nuk kam patur ndonjëherë problem në jetën time vetëm për tokat.
Anila Hoxha: Del apo del gjithmonë e kontrolluar?
Lulë Zefi: Nuk dal. Nuk dal thashë, vajtja ime është prokurori, gjykatë polici dhe në Kishë. Dhe njeriu deri në momentin e fundit rri me shpresë tek drejtësia, por e vështirë është mjaft sepse ata që janë në prokurori, në gjykatë, në polici, në kadastër nuk i lexojnë ligjet.
Anila Hoxha: Tek toka me kamera, në kuzhinë me kamera
Lulë Zefi: Po, tek kisha janë kamerat, janë rojet.
Anila Hoxha: I ke denocnuar ti këta nënpunës?
Lulë Zefi: Kam denoncuar plot. Mor prokurorë, mor gjyqtarë, kam denoncuar mjaft.
Anila Hoxha: Cili ka qenë rezultati?
Lulë Zefi: Vtëm kjo që arriti te SPAKU. Asnjë gjë tjetër. Ku është ajo notere? Ku janë ata hetues? Ku janë ata prokurorë aty? Ku janë ata që i kanë mbrojtur dhe i kanë dhënë drejtësi Pëllumb Gjokës. Që nuk thonë: “Ku i ka fëmijët kjo nënë, duhet të ishin të gjithë fëmijët aty prezentë.”
Anila Hoxha: Kur pe dosjen që nxorri SPAK–u u trembe?
Lulë Zefi: Jo, nuk u tremba fare se është një gjë që e kam përjetuar vetë. Unë kam shkruajtur çfarë kam përjetuar dhe nuk kam shpifur asgjë dhe të gjitha këto janë në polici të dokumentuara dhe të regjistruara.
Anila Hoxha: Do ta gjesh të drejtën ngado dhe në Strasburg?
Lulë Zefi: Nuk e di, nganjëherë i drejti humb. Drejtësia gjendet vështirë por edhe pse i vdekur do dalë drejtësia. Edhe mbasi të vdesësh.
Kthehemi në studio ku kemi të ftuar gjyqtarin e lartë Sokol Sadushi, njëherazi kryetar i Gjykatës së Lartë, drejtimin e të cilës e mori mbasi u votua nga trupa e gjyqtarëve të lartë. Zoti Sadushi ka një përvojë 37- vjeçare në këtë fushë, midis të cilave anëtar i Gjykatës Kushtetuese, prokuror dhe drejtues i Shkollës së Magjistraturës dhe jo vetëm…Ka dhënë kontribut të paçmuar në fushën e jurisprudencës, pra midis të cilave edhe në Reformën në Drejtësi.
Anila Hoxha:Në fillim faleminderit Zoti Gjyqtar që pranuat ftesën për të folur së bashku mbi problemet e pronësisë, mbi paditë e shtetasve që kanë depozituar kërkesa duke pretenduar secili cënim të kësaj të drejte.
Sa është stoku i dosjeve në Gjykatën e Lartë?
Sokol Sadushi: Faleminderit Anila për ftesën, stoku i Gjykatës së Lartë është i lartë. Duke u nisur nga momenti kur ne filluam detyrën në vitin 2020 që gjetëm 36 mijë dosje tashmë jemi goxha optimist sepse ky numër është ulur ndjeshëm dhe ka arritur në rreth 25 mijë. Duke menduar që Gjykata e Lartë nuk ka qenë funksionale në tërësinë e saj me gjyqtarë por ka qenë pjesërisht dhe nga viti në vit është plotësuar, tashmë kemi arritur numrin e plotë prej 18 gjyqtarësh. Kjo ulje e ndjeshme është për t’u mbajtur në konsideratë, sepse tregon trendin që me këtë ritëm ndoshta për pak vite do të kemi një ulje shumë të theksuar të numrit.
Anila Hoxha: 25 mijë çështje zoti Gjyqtar janë mjaftueshëm dhe një stok i konsiderueshëm por sa prej tyre janë për pronat?
Sokol Sadushi: Në fakt, për pronat i kemi të ndërthurura sepse çështjet e pronave duhen parë në dy drejtime. Çështjet e pronave që është në konflikt shteti dhe çështjet e pronave që është ndërmjet individëve. Nëse do të fokusohemi tek çështjet me konlikt me palë të paditur organet shtetërore që janë të ndara midis Kolegjit Civil dhe Kolegjit Administrativ shkojnë përafërsisht rreth 2000 çështje. Ndërkohë që pjesë e konsiderueshme është një mosmarrëveshje që krijojnë midis vetë individëve.
Kjo është në fakt një shifër shumë e lartë duke menduar që pjesa më e madhe në konfliktet në fushën civile janë rreth 14 mijë në tërësinë e tyre ku përfshihen edhe konfliktet familjare, konfliktet tregtare etj. E zënë konfliktet e pronës.
Anila Hoxha: Midis qytetarëve ku secili ka një pretendim të caktuar për pronësinë, keni ju një fashë kohore se cilit vit i përkasin këto procese?
Sokol Sadushi: Po, për të gjitha kolegjet kemi një statistikë shumë të qartë të situatës në të cilën ndodhet Gjykata e Lartë. Konkretisht në Kolegjin Civil jemi duke përfunduar çështjet e vitit 2015 dhe së shpejti kalojmë në çështjet e vitit 2016. Në fakt janë shumë të hershme, kemi gjetur çështje që i perkisnin vitit 2010. Duhet të mendojmë që është bërë një punë kolosale në këtë vit. Vitet më të vështira dhe më të ngarkuara janë 2016 – 2017- 2018, pastaj ka një ulje të ndjeshme të tyre. Nëse ne fokusohemi tek këto tre vite jam i bindur se ky numër do të jetë në ulje.
Ka një numër të ndjeshëm të çështjeve të konflikteve të prones brenda vetë individëve, ajo që të vjen keq është fakti që si ka mundësi të ketë kaq shumë konflikte dhe brenda familjes.
Anila Hoxha: A mund të quhet një shifër shqetësuese?
Sokol Sadushi: 2000 çështje me palë të paditur organet shtetërore, kam parasysh çështjet me ish-komisionin e hetimit të pronave apo me ish-agjencinë e kthimit të pronave tashmë me agjencinë e trajtimit të pronave, sigurisht edhe me pjesën e agjencisë shtetërore të kadastrës, duke pasur parasysh që bëhet fjalë për vitet 2016 e në vijim është një numër i konsiderueshëm por besoj që nuk është dhe aq i lartë sa numri i konflikteve mes individëve.
Unë shtrova edhe pyetjen nga se vjen dhe ndoshta në radhë të parë është mos pasja e një koncepti të qartë apo një respekti për pronën dhe është çështje mentaliteti. Ku çdokush mendon që mund të bëhet pronar me të gjitha llojet e mënyrave dhe kjo ndoshta ka gjetur vend edhe për faktin se organet e administratës publike janë le të themi shkaktaret kryesore të kësaj situate. Pa përjashtuar organet gjyqësore, të cilat e kanë thelluar shumë më tepër këtë konflikt. Kjo është një situatë për të ardhur keq por ka një diçka që në fund të fundit konfliktet brenda familjes apo brenda fisit duhet të shmangen maksimalisht, mënyrat janë nga më të ndryshmet. Ne duhet të kemi respekt për vetveten dhe për njëri-tjetrin me qëllim që të mendojmë që prona që fitohet me djersë duhet të gëzohet. Arsyet janë sa sociale edhe ekonomike mes familjeve.
Anila Hoxha: Pse është e vështirë të gjykosh konfliktet e pronësisë?
Sokol Sadushi: Çdo lloj konflikti është i vështirë për t’u zgjidhur. Normalisht konfliktet e pronësisë janë në përmasa më të mëdha dhe e bëjnë akoma dhe më të vështirë edhe situatën. Unë mendoj që nisin edhe nga mënyra se si reagon shteti, që nga fakti se si shteti ka bërë pronar kë, që nga mënyra se si është zhvilluar procedura për t’i dhënë pronën dikujt. Pikërisht mos qenia korrekt e organeve shtetërore në zbatimin e dispozitave ligjore dhe nënligjore sa i përket dhënies së pronësisë. Problematikat që janë midis vetë familjeve shqiptare apo vetë qytetarëve shqiptarë dhe për më tepër mënyra se si gjykatat i kanë zgjidhur çështjet janë shkaku kryesor i të gjithë kësaj situate. Me fluksin dhe ritmin më të shpejtë të gjykimit të këtyre çështjeve ne themi se ka vajtur drejt uljes. Duke u nisur edhe nga fakti që Gjykata e Strasburgut ka mbajtur shumë qëndrime sa i përket çështjes së pronave në Shqipëri.
Ne jemi të bindur se ky problem nuk do të jetë më si ka qenë dhe si është. Numri prej 2000 çështjesh që unë përmenda nuk janë të gjitha thelbësore, disa ndoshta janë edhe teknikalitete që e bëjnë qytetatrin të rropatet në dyert e gjykatës.
Anila Hoxha: Ju i nderuar keni një karrierë të gjatë në gjyqësor, çfarë do të veçonit nga kjo fushë? Mund të përmendim ne problematikën ku shumë procese gjyqësore sjellin shkresa edhe para 45 dhe pretendojnë se shkresat janë të falsifikuara, ka pretendime nga më të ndryshmet deri kur ndonjëherë qytetarë që thonë në seanca gjyqësore që edhe anëtarë të grupeve kriminale ja kanë dalë mbanë që të falsifikojnë praktikën. Sa prezante është kjo? E keni vërejtur ju si një njeri i së drejtës?
Sokol Sadushi: Padyshim, këto janë fenomene që ne i ndjejmë, i kuptojmë dhe i shohim nga mënyra se si zgjidhen çështjet. Ndoshta një pjesë e krimeve që ndodhin në Shqipëri lindin për shkak edhe të mënyrës se si organet shtetërore dhe gjykatat zgjidhin çështjet. Unë e kam përqëndruar vëmendjen tek studentët që organet e administratës publike kanë një peshë shumë të rëndësishme në zgjidhjen e konflikteve. Ndodh që organet publike bëjnë një hetim të përciptë që përqëndrohet në një seancë në administrative ku mbyllet çdo gjë pa një ballafaqim të provave edhe të gjithë dokumentave shkresore. Duke patur në vëmendje që një pjesë prej tyre mund të kenë qenë edhe të falsifikuar dhe të gjitha këto krijojnë hapësirën për të përfituar dikush pronën në mënyrë të padrejtë. Tani unë mund të them se ka një efektivitet në gjykim, është e vërtetë që gjykatat kanë qenë shkaktare të një pjese të mirë të konflikteve por mos harrojmë që gjykatat kanë bërë një punë kolosale sa i përket evadimit të këtyre çështjeve.
Në aspektin e pronave po ashtu edhe në çdo aspekt tjetër elementi kriminal përfiton dhe është e kuptueshme por këtu është roli vigjilent që duhet të ketë organi publik dhe në mënyrë të veçantë gjykata për të parandaluar dhe për të ndëshkuar.
Anila Hoxha: Sa është koha mesatare për të zgjidhur një proces civil pronësie dhe përmendëm deri diku edhe institucionet që nuk funksionojnë në këtë fushë, a mund t’i veçojmë ne se cilat janë?
Sokol Sadushi: Duke qenë më tepër i profilizuar në fushën e së drejtës administrative, mund të them se Gjykata Administrative e shkallës së parë ka një lloj efektiviteti që është për t’u vlerësuar. Sepse nuk shkon më tepër se dy muaj zgjidhja. Por kjo nuk ndodh në gjykatën e juridiksionit të zakonshëm, ku për shkak të procedurave, mentalitetit, të mënyrës se si sillen palët, një lloj neglizhence që tregojnë gjykatat proceset zgjaten shumë. Çështjet mund të marrin më shumë se një vit por është shumë. Qytetatrët kanë një avantazh, që të nisin një procedurë për të konstatuar gjykimin e çështjes përtej këtij afati dhe për të dëmshpërblimin sa i përket tejkalimit të afatit për gjykimin e çështjes. Këto mekanizma lehtësojnë situatën e efektivitetit në gjykim.
Organi që ndeshet më shpesh në konflikt gjyqësor, tashmë është Agjencia shtetërore e kadastrës sepse ka përmbledhur të gjitha organet e mëparshme të regjistrimit të pasurisë së paluajtshme. Natyrisht nuk lëmë mënjanë edhe Këshillin e Ministrave i cili është organi që bën shpronësimin përfundimtar të pronës së qytetarit dhe ka konflikte jo të pakta edhe në këtë aspekt.
Anila Hoxha: Gjykata e lartë ka shpallur një vendim unifikues, që thotë se nuk varet procesi civil nga ai penal. Mund ta shpjegojmë thjeshtë për qytetarët?
Sokol Sadushi: Nuk mund të pranojmë në mënyrë kategorike që proceset civile, penale, administrative apo disiplinor pengojnë njëri-tjetrin. Ligji parashikon që kur një proces është i varur nga një process tjetër pa përfundimin e të cilit nuk mund të përfundojë procesi konkret padyshim që çështja mund të mbetet pezull dhe kjo është në funksion të drejtësisë së zgjidhjes së çështjes. Por jo domosdoshmërisht një process civil është i varur nga një penal. Dokumenti i falsifikuar nuk është e thënë që të zgjidhet patjetër me një vendim gjyqësor të formës së prerë sepse po e kanalizove çështjen në marrjen e një zgjidhje përfundimtare nga gjykata penale për një vendim lidhur me falsifikim të dokumetit atëherë çështja do të mbetet ndoshta e pazgjidhur për shumë vite. Në gjykatën civile e ke të mundur, sepse vetë gjykata kur i paraqitet një dokument i falsifikuar të pretendohet nga pala falsiteti i këtij dokumenti dhe gjykata nëpërmjet ekspertizës të përcaktojë nëse kemi të bëjmë me falsifikim.
Anila Hoxha: Nga njëra anë ne kemi problematikën e ish-pronarëve dhe nga ana tjetër kemi kaosin e krijuar nga instituionet për mbivendosje pronash pothuajse në të gjithë vendin, kemi tjetërsime pronash, falsifikime dhe kështu me radhë kemi çështje të pazgjidhura. Mund të ketë një zgjidhje kjo situatë?
Sokol Sadushi: Ka një zgjidhje, ju përmendët të gjitha këto fenomene që më shumë i përkasin viteve të mëparshme sepse nuk ishte procesi i digjitalizimit. Ky problem nuk ekziston më sepse digjitalizimi i të gjithë procesit të pronave dhe në mënyrë të veçantë mënyra se si noterët punojnë për të shitur një pronë, për tjetërsimin e një prone tashmë janë evidentuar maksimalisht.
Anila Hoxha: Zoti Sadushi, ju falenderojmë…
*Podcast-i është pjesë e projektit të Qendrës “FOL” që mbështetet financiarisht nga Zyra e Marrëdhënieve me Publikun e Ambasadës së SH.B.A. në Tiranë .Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë të autor-it /ve dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.
Për më tepër klikoni në linkun e mëposhtëm;
https://www.topalbaniaradio.com/v7/12-mije-qytetare-gjyqe-per-pronat-2-mije-ne-lufte-me-shtetin-2/