7 vite pasi reforma e re, territoriale e ktheu në njësi administrative Bashkinë e Leskovikut, hallet e banorëve janë shtuar. Kjo ndarje e re, jo vetëm nuk e përmirësoi cilësinë e jetesës, por privoi banorët nga shërbimet më të domosdoshme, duke rrezikuar kështu shpopullimin. Me vetëm një fëmijë të lindur këtë vit dhe 10 vite pa pasur një dasmë, Leskoviku po shndërrohet në një qytet “fantazmë”.
Autor: Dhorjeta Cule
Myriban Zere, 68 vjeç, po pret furgonin e linjës Leskovik-Tiranë që t’iu dërgojë disa ushqime mbesave të saj, studente në kryeqytet. Bashkë me to do të dërgojë edhe 400 euro, me të cilat dy studentet do të mbulojnë shpenzimet e muajit. E moshuara, e cila jeton në Leskovik së bashku me nusen e djalit dhe dy nipërit e vegjël, tregon se 4 fëmijët i ka në emigracion, një në Gjermani dhe tre në Greqi. Myribani i ka refuzuar kërkesat e fëmijëve për të lënë qytetin e lindjes, ndaj njëri nga djemtë e ndan jetën mes emigracionit për punë sezonale në Greqi dhe punëve të vreshtarisë në qytetin e lindjes.
“Derisa të jem gjallë unë, fëmijët nuk do t’i lë ta braktisin Leskovikun, siç kanë bërë shumica. Gjërat kanë ndryshuar vitet e fundit dhe Leskovikut i kanë ikur njerëzit”, – tregon e moshuara.
Ashtu si qindra të rinj të tjerë që e kanë braktisur qytetin për shkak të mungesës së perspektivës, edhe Myribani është e shqetësuar se mbesat e saj, pas mbarimit të universitetit, nuk do duan të kthehen më në Leskovik.
I braktisur thuajse krejtësisht, në fillim të viteve 1900 Leskoviku kishte rreth 10 mijë banorë dhe ishte një qendër e rëndësishme e shkëmbimeve tregtare. Prej vitit 1920 deri në mbarim të Luftës së Dytë Botërore ishte nënprefekturë në varësi të Prefekturës së Korçës, ndërsa deri në vitin 1956 ishte i organizuar si rreth, por me ndarjen e re administrative nga bashki ai është kthyer në njësi administrative në varësi të Bashkisë së Kolonjës. Si pasojë, të gjitha shërbimet janë zhvendosur në bashki, duke e bërë edhe më të pamundur jetesën në qytezën e vogël të Leskovikut. Popullsia është rrudhur në 4 mijë banorë, por më shumë se gjysma kanë ikur jashtë, në kërkim të të ardhurave për mbijetesë.
Reforma territoriale shtoi hallet
Reforma territoriale, jo vetëm që nuk ua lehtësoi procedurat, por iu shtoi hallet banorëve të Leskovikut.
Pas gati 7 vitesh, si pasojë e kësaj reforme, banorët ndihen të privuar nga një sërë shërbimesh jetike. Për çdo hall, që lidhet me shëndetësinë, arsimin, lejet e ndërtimit, ujësjellësin apo energjinë elektrike, ata janë të detyruar të udhëtojnë drejt Ersekës.
Procedurat shpesh nuk përfundojnë brenda një dite dhe kjo nënkupton kosto të shtuara dhe humbje kohe për ta.
“Për certifikatat e trungut kam shkuar në Ersekë. Nëse duhet të lidhësh kontratën e ujit apo të dritave, apo të vjen një faturë gabim, prapë duhet të shkosh në Ersekë. Jo gjithmonë mbarojmë punë brenda ditës. Transporti kushton, por edhe ditën e punës do ta lësh. Kur ishim bashki, ishte ndryshe situata. Aktualisht, vetëm të moshuarit kanë mbetur.”, – vijon rrëfimin Vangjeli, i cili jeton i vetëm, pasi dy nga fëmijët e tij janë prej vitesh në Greqi, ndërsa njëri jeton në Tiranë me familjen.
“Kemi 10 vjet që nuk bëhet një dasmë. Në ditët e zakonshme Leskoviku i ngjan një qyteti fantazmë, që gjallërohet vetëm për zgjedhje ose kur bëhet ndonjë festë nga bashkia, që vijnë njerëz nga Erseka”, – ankohet më tej Vangjeli.
Leskoviku është shembulli që as strategjia dhe as vizioni i qeverisë nuk u përmbushën as në minimumin e atyre që ishin parashikuar.
“Duhet të shkojmë në bankë në Ersekë, posta mungon, duhet të shkosh në bashki për leje ndërtimi, nga aplikimi deri te miratimi. Për riparime, rikonstruksion ndërtese, të prishësh një dritare, të shtosh një dhomë, do shkosh në Ersekë. Për një punë në Hipotekë duhet të shkosh deri në Korçë”, – thotë Vitori Miçi, një e moshuar nga Leskoviku.
Ende pa u miratuar harta territoriale, banorët e Leskovikut e kundërshtuan shkrirjen e bashkisë së tyre, me argumentin se kjo do t’i privonte nga vëmendja e qeverisë dhe shumë shërbime të tjera, por reagimi i tyre nuk u mor në konsideratë.
Në vitin e 7 të zbatimit të reformës efektet e shërbimeve të pakësuara dhe të investimeve të munguara janë reflektuar në disa drejtime, ku më shqetësuesi mbetet shpopullimi i zonës.
“90% e dokumenteve merren në Ersekë dhe 10% merren këtu. Ne paguajmë ndriçimin e qytetit, por këtu nuk ka elektricistë. Administratorja i lajmëron dhe ata vijnë, kur të duan, sepse varen nga bashkia. Këtu nuk kemi as investimet e vogla, llambat, tubat, fshesat e pastrueseve janë në Ersekë”, – thotë më tej Miçi.
“Me këtë gjendje që është, më keq do bëhet Leskoviku, nuk ka perspektivë”, – thotë Pandora Baze, e cila gjithashtu jeton e vetme në Leskovik dhe që shqetësim akoma më të madh ka shërbimin shëndetësor.
“Spitali ka vetëm një mjeke familjeje. Ajo është drejt pensionit dhe nuk po vjen askush. Duhet një pediatër, një mjek i përgjithshëm. Unë për një dhimbje të veshkës apo për çdo specialitet duhet të shkoj në Korçë. Distanca të detyron që të flesh në Korçë dhe kjo është kosto”, – shton më tej ajo.
Të rinj pothuaj nuk gjen fare në qytetin e braktisur të Leskovikut. Ata, ose emigrojnë, ose nisin studimet e larta, por pas përfundimit të tyre nuk kthehen më.
“Nipi im ishte infermier dhe iku në Gjermani, kurse nipi tjetër mbaroi Akademinë e Sporteve. Vendi i punës ishte i lirë dhe shpresoja që do të kthehej në qytet, por ata e mbyllën pozicionin. Tani ai s’ka më asnjë arsye që të kthehet këtu”, – thotë Anesti Mici, pronari i një bujtine në qendër të Leskovikut, duke theksuar se leskoviqari sot është në çdo shtet të botës, vetëm në Leskovik nuk është.
Edhe numri i nxënësve ka rënë në mënyrë drastike. Këtë vit në shkollën e Leskovikut mësimi po zhvillohet në klasa kolektive, ndërsa prindërit dhe gjyshërit e fëmijëve, të cilët e kundërshtuan zhvillimin e mësimit në këtë formë, e gjejnë arsyen te kalimi i bashkisë në njësi administrative.
“Leskoviku para demokracisë ka pasur 2 gjimnaze, një të përgjithshëm dhe një bujqësor. Kishte 1260 nxënës, ndërsa sot u mbyllën klasat, se mbetën vetëm 100 nxënës. Sivjet u bashkua klasa e tretë me klasën e pestë. Kanë nga 6 nxënës secila, sepse numri është ulur. Para viteve ’90 Leskoviku kishte 100 lindje në vit. Tani po u bënë 3 me gjithë fshatrat, jemi të lumtur”, – thotë e dëshpëruar Manushaqe Koroçi.
Banorët nuk shohin asnjë perspektivë për Leskovikun, madje shqetësohen, se qyteti mund të pësojë të njëjtin fat si fshatrat përreth tij.
“Solla nusen, që të takojë prindërit, sa pa nisur dimri. Të gjithë po ikin, por ata janë pensionistë dhe nuk duan ta braktisin fshatin. Fshati Lashovë tani ka vetëm 2 familje nga 45 që ka pasur. Radova kishte 40, sot ka vetëm 1 familje. Vrepcka, nga 100, ka vetëm 2 familje. Radanji, nga 80, sot janë vetëm 10 dhe vetëm pleq. Poda kishte 100 shtëpi dhe sot janë 6 familje. Zona mbaroi, ikën të gjithë.”, – thotë Iliri, i cili, pasi ka lënë bashkëshorten te shtëpia e prindërve, ka dalë të pijë një kafe në qytet.
Ai shpjegon se mungesa e shërbimeve ka bërë që banorët e fshatrave të zhvendosen në qytete të tjera, madje prej tyre disa kanë zgjedhur të banojnë edhe në Ersekë, por jo në Leskovik.
Shqetësimin e banorëve për braktisjen e qytetit Bashkia e Kolonjës e sheh si një fenomen të pashmangshëm dhe nuk jep asnjë alternativë për zgjidhjen e tij.
E pyetur përmes kërkesës për informacion se si ka ndikuar reforma territoriale në shpopullimin e Leskovikut dhe nëse bashkia ka një strategji apo politika të posaçme për të penguar largimin e banorëve apo për rikthimin e tyre, kjo e fundit u përgjigj thatë.
“Lëvizjet migratore dhe emigratore janë fenomene, jo vetëm kombëtare për Shqipërinë, por dhe ndërkombëtare, pra nuk mund të jetë determinant një faktor, por janë një sërë faktorësh”, – thotë Bashkia e Kolonjës për INA MEDIA-n.
Nga ana tjetër, eksperti i pushtetit vendor, Agron Haxhimali, është kritik për mënyrën se si reforma territoriale ndikoi te bashkitë e vogla si Leskoviku, që u kthyen në njësi administrative.
“Janë gjithsej 12 bashki, që pas reformës nuk ekzistojnë më apo janë thjesht njësi administrative. Për këto bashki është dashur të mendohej pak më shumë, para se të mbyllen apo shkrihen”, – sugjeron eksperti Haxhimali.
Bashkë me ligjin për reformën territoriale qeveria miratoi edhe strategjinë ndërsektoriale për decentralizimin dhe qeverisjen vendore 2015-2020, e cila kishte si synim fuqizimin e qeverisjes vendore dhe të procesit të decentralizimit, me qëllim që të sigurohet një efikasitet më i lartë i vetëqeverisjes vendore dhe rritje e autonomisë financiare dhe funksionale.
Në VKM nr. 691/2015 ndër të tjera thuhet se, “për të arritur vizionin e saj qeveria do të rrisë cilësinë dhe do të përmirësojë shërbimet publike, të siguruara nga qeveria vendore, në bazë të standardeve evropiane, duke iu përgjigjur të drejtave dhe nevojave të qytetarëve”.
Në përfundim të afatit të kësaj strategjie, eksperti Haxhimali rendit disa aspekte, ku reforma territoriale nuk arriti të përmbushë as minimumin e pritshmërive.
“Mendoj se u gabua në disa drejtime. Së pari, reforma u bë në një kohë shumë të shkurtër, për rreth një vit. Së dyti, nxitimi për të mbyllur reformën, në mënyrë që të bëheshin zgjedhjet e radhës me ndarjen e re, krijoi konfuzione.”, – thotë ai.
“Ajo duhet të shoqërohej me mbështetje financiare shumë herë më të madhe nga ajo që bashkitë përfitojnë”, – shton më tej ai.
Kryetarja e Këshillit të Qarkut të Korçës, Ana Verushi, veç avantazheve të reformës konstaton se, nëse ka problematika në ofrimin e shërbimeve apo cilësinë e tyre, kjo lidhet më së shumti me delegimin e menjëhershëm të kompetencave bashkive të reja. Ky proces, sipas saj, duhet të vinte gradualisht dhe të bëhej në mënyrë paralele me rritjen e kapaciteteve njerëzore.
Peng i rrugës, vetëm 10 km të shtruara
I shndërruar në një qytet “fantazmë”, të gjesh punë në Leskovik, është thuajse mision i pamundur. Banorët mbahen kryesisht me të ardhurat nga emigracioni, ndërsa gratë merren me vreshtari. Por, edhe produktet që marrin nga toka, iu mbeten pa shitur. Si pasojë, ata marrin rrugën drejt tregut të Korçës, por kostoja e transportit është 2.5 herë më e lartë sesa vetë kostoja për litër e verës ose e rakisë.
“Rruga deri në Korçë na kushton një mijë lekë të reja, ndërsa 1 kg raki nuk e shesim dot më tepër se 400 lekë. Unë kam 20 kuintalë raki dhe nuk e kam shitur dot.”, – thotë Myribani, e cila ka një vresht të vogël në pronësi të familjes së saj.
Të harruar dhe të braktisur, banorët e Leskovikut nuk kanë as edhe një rrugë të shtruar. Si pasojë, gjatë dimrit ata e kanë të pamundur të lëvizin, ndërsa furgoni i fundit mbyllet në mesditë; kjo pasi rruga që lidh qytetin e Leskovikut me Ersekën, thuajse gjysmën e vitit është e pakalueshme për shkak të reshjeve të borës dhe amortizimit të skajshëm.
Nga Korça deri në Leskovik bëhet fjalë për një rrugë me gjatësi 77 km, por, për shkak se prej vitesh nuk është bërë asnjë investim, në disa segmente mjetet e vogla kalojnë me shumë vështirësi. Situata është dramatike për sa i përket rrugëve në të gjithë territorin e Bashkisë së Kolonjës. Kjo pranohet edhe në Planin Lokal të Zvogëlimit të Riskut nga Fatkeqësitë në Bashkinë e Kolonjës të vitit të kaluar, në të cilin thuhet se në Bashkinë e Kolonjës vetëm 10 km rrugë janë të shtruara.
Më konkretisht, sipas këtij plani, në rrethin e Kolonjës janë 619.8 km rrugë, nga të cilat 500.3 km janë rrugë lokale, të asfaltuara, megjithëse është ndërhyrë në disa prej tyre me shtresë të presuar çaklli; rrugë bujqësore janë 35.6 km; rrugë dytësore urbane janë 6.9 km dhe 77 km rrugë interurbane dytësore, të cilat, sipas këtij raporti, paraqiten të amortizuara.
“Analiza e cilësisë së infrastrukturës evidenton se në Bashkinë e Kolonjës vetëm 10 km rrugë janë të shtruara, kurse pjesa tjetër është e pashtruar. Pra, vetëm 7% e totalit të infrastrukturës është në kushte optimale”, – thuhet në analizën e cilësisë së infrastrukturës në këtë bashki, e cila më tej saktëson se shumë rrugë të fshatrave bëhen të pakalueshme gjatë dimrit si pasojë e shembjeve.
Por, jo vetëm në infrastrukturë, por kthimi i bashkisë në njësi administrative ka zhdukur edhe investimet që mund të rigjallërojnë jetën e qytetit të Leskovikut dhe rrethinave.
Të vetmet pará që kanë mbërritur në Leskovik, janë pesë projekte të Rilindjes Urbane, nga 15 që u realizuan në Bashkinë e Kolonjës.
“Në Njësinë Administrative, Leskovik janë bërë këto investime, të cilat zënë 40 % të investimeve të kryera në Bashkinë e Kolonjës: pedonalja e qytetit të Leskovikut në kuadër të Rikualifikimit Urban të qendrave të qytetit, ujësjellësi i qytetit të Leskovikut, shkolla “Jani Vreto”, banesa sociale, nënstacioni elektrik”, – tha në përgjigjen e kërkesës për informacion Bashkia e Kolonjës.
Sheshi qendror i Leskovikut u rilind në vitin 2017 dhe kushtoi 404.896 euro ose 50.288.066 lekë. Për të arritur te ky shesh, që ka kushtuar shumë, por i ka vlejtur pak komunitetit të vogël të qytetit, duhet të udhëtosh përmes një segmenti të vështirë, që është rruga Korçë-Ersekë-Leskovik.
Banorët e mbetur të Leskovikut tregojnë se investimi në qendër nuk ka sjellë asnjë impakt në përmirësimin e jetës apo të ardhurave të tyre. Ata rrëfejnë se, për ato familje që nuk kanë njerëz në emigracion, jetesa në Leskovik është shumë e vështirë.
Adriana jeton me djalin 30-vjeçar, i cili është i papunë e po ashtu edhe nusja e tij. Familja ka edhe një foshnjë të sapolindur, për të cilin gjyshja thotë se është i vetmi fëmijë i lindur këtë vit në Leskovik. Me 3000 lekë nga ndihma ekonomike, kjo familje i mban shpresat te ndihmat nga fondacionet e ndryshme.
“Jetojmë me qira, jemi të mbytur në borxhe. Djali u bë 30 vjeç dhe akoma nuk ka gjetur një punë që ta ketë sistematike. Ka shkuar në Greqi me ditë, kur i gjejnë shokët ndonjë punë, por shumicën e vitit rri në shtëpi”, – ankohet e dëshpëruar ajo.
Pas ndarjes së re territoriale banorët e Leskovikut detyrohen shpesh të udhëtojnë drejt Ersekës, qendra e Bashkisë së Kolonjës, ku është përqendruar shumica e shërbimeve. Pasi iu hoq statusi i bashkisë në vitin 2015, nga Leskoviku iku edhe një pjesë e konsiderueshme e shërbimeve, duke bërë që edhe një pjesë e banorëve të largohen, ndonëse ende e kanë gjendjen civile në Leskovik.
“I duhej një certifikatë nuses së djalit dhe ia mora unë. Ata jetojnë në Tiranë dhe gjendjen civile e kanë këtu, se nuk duan ta heqin. Nga Leskoviku jemi dhe e themi me krenari, por fëmijët detyrohen të ikin vetëm për arsye pune, për asgjë tjetër.”, – thotë Vangjel Çipi.
Vizioni për turizmin nuk e frenon dot braktisjen
I fshehur mes maleve dhe fare pranë pikës së kalimit kufitar të Tri Urave edhe Leskoviku i ka sytë nga turizmi, por pa politikat e duhura turistët, që zbulojnë Leskovikun, janë thjesht rastësorë.
“Turistët janë thjesht kalimtarë. Vetëm 2 muaj kemi punuar. Janë ata kureshtarët që vijnë për llixhat. Nata kushton 1000 lekë. Kam 20 vjet që e kam hotelin, nuk është se kam punë, por sa për të mbajtur frymën. Rruga është copë dhe kjo është një nga arsyet kryesore që nuk ka zhvillim”, – thotë Anesti Mici, i cili është i vetmi biznes që vazhdon ende këtë lloj aktiviteti e për të cilin ankohet se paguan taksa të pajustifikuara.
“Paguaj 30 mijë lekë të reja në vit për pastrimin, kur as rruga para meje nuk pastrohet. Më mbahen taksa për 2 biznese, sepse poshtë e kam lokal dhe lart kam dhoma për fjetje. Shërbimet për biznesin nuk i marrim më këtu, por në Ersekë dhe kjo na shton kostot”, – thotë ai.
Pavarësisht se është zhytur në harresë dhe Leskoviku thuajse nuk ekziston fare në guidat e turistëve, çdo familje e këtij qyteti taksohet prej dy vitesh për turizmin.
Sipas Bashkisë së Kolonjës kjo taksë është miratuar në Paketën Fiskale të vitit 2020 nga Këshilli Bashkiak në vlerën 400 lekë për çdo familje dhe është një taksë e përkohshme, që do të përdoret për zhvillimin e turizmit.
“Zona e Leskovikut është një zonë me potencial për zhvillimin e turizmit, veçanërisht Sheleguri dhe llixhat, ku Bashkia e Kolonjës është në proces të një projekti me financues të huaj, i cili do t`i japë zhvillim kësaj zone”, – tha bashkia, pa dhënë detaje të mëtejshme për konkretizimin e këtij projekti.
Për kryetaren e Këshillit të Qarkut Korçë, Ana Verushi, ligji për reformën territoriale duhet të parashikonte veç bashkive edhe fuqizimin e këshillave të qarqeve, duke iu dhënë më shumë kompetenca.
“Këshillat e qarqeve aktualisht janë në udhëkryq për shkak të reduktimit të kompetencave. Ata duhet të riorganizohen sipas modelit të rajoneve të vendeve fqinjë, si për shembull Greqia, ku kryetarët e rajoneve nuk emërohen, por zgjidhen”, – përfundon Verushi.
Zgjidhja që japin ekspertët në kushtet aktuale ka të bëjë me ndërhyrje korrigjuese në riorganizimin e ndarjes territoriale, duke mbajtur parasysh efektivitetin e shërbimeve publike dhe demokracinë vendore.
“Unë mendoj se ka vend për korrektim të hartës territoriale. Duhet të korrigjojmë, aty ku nevojitet, kryesisht tek ato bashki që janë tejet të shpërndara gjeografikisht dhe kanë një territor me një kontroll jo efektiv sa duhet”, – përfundon eksperti Haxhimali, duke sugjeruar që për qarkun e Korçës të rikthehet Bashkia e Leskovikut.
E pyetur lidhur me aspektet e reformës që nuk dhanë rezultatet e pritshme dhe parashikimin e efektit të shpopullimit për Leskovikun, pasi u hoq nga harta e bashkive, deri në ditën e publikimit të këtij shkrimi Ministria e Brendshme nuk iu përgjigj kërkesës për informacion.