“Pozitivët e rremë”, testi i drogës në polici “peshkoi” vetëm të sëmurët

Me vetëm një të përjashtuar, vetting-u i drogës në polici “kapi” vetëm të sëmurët. Rezultatet e laboratorit privat u bënë të goditshme gjyqësisht dhe nuk morën formën e provës. Ato u refuzuan nga pothuajse të gjithë efektivët, që rezultuan përdorues droge, që konsiderohen ndryshe si “pozitivët e rremë”.

Autor: Ermal Vija

Elefterios (polic)

  • Ku je ti?

Numri i telefonit …667

  • Jam këtu, te Shena.

Elefterios

  • Do ikësh një çikë te shtëpia e Xhevit, Davidit. Do marrësh një gjë e do vish këtu, si e ka ky hoteli…

Numri i telefonit …667

– Atje, në autostradë..?

Elefterios

  • Bravo, bjeri nga Sauku, se vjen direkt.

Kjo bisedë, në dukje e thjeshtë, ka si bashkëbisedues një efektiv policie, Elefterios Sulën, dhe një shpërndarës droge. Dosja, që disponon ekskluzivisht INA MEDIA, tregon se si pas porosisë polici i Shqiponjave dyshohet se mori një dozë lënde narkotike.

Duke ndërhyrë shpesh te kolegët, që bashkëpunëtorët e tij në fushën e shpërndarjes së drogës të mos ndëshkoheshin me gjoba, polici i ri shfaqet vazhdimisht në përgjimet e prokurorisë. Në një moment Elefterios i thotë shpërndarësit: “Thuaji, jam shoku i Elios (Elefterios). Ej, jepu një kafe të vogël e ik, se s`të thonë gjë, po të thanë gjë…”

Në fakt në dosje shkruhet se personi, që efektivi i Shqiponjave po ndihmonte, është një shtetas me emrin Mikel Zhegu, i kartelizuar në aktivitetin e paligjshëm të shpërndarjes së drogës.

Gjatë vëzhgimeve nga agjentët në terren ai evidentohet në shumë raste, duke marrë porosi për blerjen e kësaj lënde. Shpërndarësit komunikojnë me kode, herë iu kërkohet “gjysmë birre”, e herë të tjera “Marlboro të bardha”, që në të gjitha rastet nënkuptojnë lëndën narkotike, të llojit kokainë.

Për të provuar se polici i ri ishte aktiv në këtë rrjet trafikantësh, prokuroria disponon vëzhgime dhe përgjime, derisa polici dhe shpërndarësi ndalohen në Rrugën e Kosovarëve.

Siç thotë fashikulli, ata “kishin destinacion lëvizjeje dorëzimin e porosisë”. Në akt-konstatim përmendet: “Mjeti, me të cilin po lëvizej për të shpërndarë drogë, drejtohej nga Elefterios Sula, pasagjer ishin Mikel Zhegu dhe Eris Tafa”.

Kur kolegët e konstatuan, polici i ri nuk harroi t’iu përmendte atyre se ishte djali i shefit (P. S.,) dhe ata e lanë të lirë, pasi pretendojnë se makina e kolegut të tyre nuk kishte gjëra të dyshimta.

Në dosje thuhet se, nisur nga provat e grumbulluara ka dyshime që polici, jo vetëm e favorizonte Mikel Zhegun që të shpërndante lëndë narkotike në Tiranë, por efektivi ka marrë edhe vetë pjesë aktive në shpërndarjen e lëndës narkotike, pasojë që solli edhe arrestimin e policit Elefterios Sula në korrik të vitit 2021.

Në një klimë dyshimesh, se shumë policë përdorin drogë, pak pasi mori detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Gledis Nano, urdhëroi kryerjen e testit antidrogë te të dyshuarit.

Procesi delikat i vetting-ut të drogës në polici shkoi keq që në fillim. Shtatë muaj pas testimit të parë statistikat flasin vetëm për një të përjashtuar nga radhët e policisë dhe dhjetëra kontestime, që kanë rrëzuar rezultatet e laboratorit privat. Një pjesë madje kanë përfunduar edhe në gjykatë.

Jozyrtarisht thuhet se “dështimi” ka lidhje me kontrollin e “të moshuarve”, gra dhe burra, në polici.

Nga ana tjetër, emra të përfolur si përdorues droge në të vërtetë nuk dolën përdorues dhe madje në celularët e tyre nuk mbërriti telefonata e beftë, që i urdhëronte për testin e drogës.

Përzgjedhja e dyshimtë

Në krye të 22 viteve si polic i shtetit shqiptar, M. R., 54 vjeç, u telefonua nga eprorët e tij, me kërkesën që t’i bashkohej grupit të efektivëve nga Komisariati Nr. 3, për t’iu nënshtruar testit të drogës.

Biseda e beftë telefonike u krye në mesin e muajit dhjetor 2021.

“Dy nga më të rinjtë në polici më pyesnin me shaka: “Hë, mo plak, ke tymos gjë?”, – rrëfen M. R., për INA MEDIA-n, pa e ditur se ky test do ta ndryshonte rrënjësisht jetën dhe karrierën e tij.

Nga të gjithë policët e testuar atë ditë, 17 të tillë, vetëm ai rezultoi pozitiv, pra përdorues droge.

Për 54-vjeçarin përgjigjja ishte tronditëse dhe po aq shokuese, sa “edhe drejtimi i një arme gjatë aksionit për kapjen e një grabitësi në kryeqytet vite më parë”.

“Më ra tavani në kokë. Kurrë në jetën time nuk kam përdorur drogë, madje nuk pi as duhan”, -thotë për Investigative Network Albania-n efektivi, që nën kushtin e konfidencialitetit pranon të rrëfejë përvojën e testimit antidrogë.

“Kur më telefonoi eprori për të më njoftuar rezultatin e testit, fjalët kishin marrë dhenë. Ishte shokuese! Ndërsa po shkoja në komisariat, u ndjeva sikur më kishte vdekur dikush, një i afërm”, – rrëfen jo pa trishtim efektivi i Komisariatit 3, i cili për disa javë rresht jetoi në stres të vazhdueshëm, derisa iu nënshtrua një testi të dytë.

Pasi ka marrë “kartonin e kuq” të përkohshëm në detyrë, polici këmbëngul se procesi nuk ishte transparent dhe as i drejtë.

Teksa tregon recetat e medikamenteve për dy ndërhyrjet kirurgjikale, që iu është nënshtruar, njëra prej të cilave vendosja e një proteze, ai rrëfen se përpara urdhrit për testin e drogës askush nuk i pyeti, nëse kishte apo jo policë që kuroheshin për sëmundje të ndryshme.

Si pasojë, kakofonia u krijua që në ditët e para të zbatimit të urdhrit të Drejtorit të Përgjithshëm, Gledis Nano, për vetting droge për policinë.

“Jam nën kurim të vazhdueshëm, por askush nuk na pyeti e as e morën në konsideratë këtë gjë”, – thotë ai.

Pas testit pozitiv antidoping, M. R., u pezullua përkohësisht nga detyra, derisa mblodhi të gjitha recetat dhe kërkoi sërish analiza laboratorike. Këtë herë testi doli negativ dhe vërtetoi se “nuk kishte tymosur ndonjëherë”, duke e rikthyer sërish në detyrë, por M. R., nuk është i vetmi që vuajti pasojat e një testi të “rremë”.

Përdorues droge vs të sëmurë

Të konsideruar “pozitivë të rremë”, dhjetëra efektivë rezultuan pozitivë ndaj testit të drogës. Pjesa më e madhe ishin nën kurim për probleme shëndetësore, si diabeti, tensioni apo sëmundje të tjera, duke u kthyer shpejt në një problem serioz për drejtoritë vendore të policisë.

Zyrtarisht, nga datat 22 nëntor 2021 deri në fund të muajit prill, u testuan, nëse janë apo jo përdorues droge 1935 efektivë policie.

“Prej këtyre 45 policë kanë rezultuar pozitivë, pra përdorues droge”, – thuhet në përgjigjen zyrtare të Policisë së Shtetit për INA MEDIA-n.

Por, pavarësisht kësaj shifre, Investigative Network Albania mëson se deri më tani është përjashtuar vetëm një punonjëse policie.

“Ajo i përket Drejtorisë vendore të Elbasanit”, – thotë zyrtarisht policia.

Efektivja me inicialet A. P., mbante gradën e inspektores dhe ishte pjesë e policisë së Elbasanit prej katër vitesh. Policja e re rezultoi e varur nga droga e llojit kokainë, ndaj nuk u paraqit në Komisionin e Disiplinës dhe as e kundërshtoi rezultatin, duke u përjashtuar automatikisht.

Por, pjesa më e madhe e efektivëve nuk e kanë pranuar rezultatin dhe e kanë ankimuar atë.

Hetim administrativ për “pozitivët”

Rezultatet e laboratorit privat u bënë të goditshme gjyqësisht dhe nuk morën formën e provës, pasi u refuzuan nga pothuajse të gjithë “pozitivët”.

Efektivët, që rezultojnë pozitivë në testin e drogës, iu nënshtrohen hetimeve administrative nga Drejtoria e Standardeve Profesionale.

Në vijim të hetimit administrativ për kategorinë e të dyshuarve pozitivë zhvillohet një test i dytë, për tu siguruar, nëse janë përdorues të lëndëve narkotike.

Përgjatë kësaj periudhe ata janë urdhëruar që të mos ndryshojnë apo të fshijnë informacione mbi përgjigjen e testit të drogës.

Referuar Rregullores së Policisë së Shtetit, miratuar me V.K.M. nr. 750/2015, pikërisht neni 213, “Përdorimi i lëndëve narkotike”, saktëson se “nëse një efektiv del pozitiv për përdorim të lëndëve narkotike, konsiderohet një shkelje mjaft e rëndë nga punonjësit e policisë”.

Përfshirja e policëve në çështje droge e “detyroi” Policinë e Shtetit t`i kalojë në skaner të gjitha uniformat, me qëllim pastrimin nga përdoruesit e drogës dhe për të konfirmuar se ata, që gjenden në radhët e saj, nuk kanë probleme me drogën, por dosje të shumta dëshmojnë se policët i fusin duart në kontrabandën e drogës.

Efektivi i forcave Shqiponja, Lavdosh Metaj, u arrestua, duke shpërndarë kokainë në lokalet dhe hotelet luksoze të qytetit të Sarandës.

Në dosjen e prokurorisë, që INA MEDIA e disponon, thuhet se efektivi i Shqiponjave shpërndante lëndë narkotike gjatë ushtrimit të detyrës, duke bashkëpunuar edhe me kamerierë në hotelet më të njohura në qytetin bregdetar.

“Lavdoshi bashkëpunon me persona të tjerë, që i sigurojnë lëndën narkotike, transportin e së cilës më pas e kryen vetë me automjetin e tij, të cilit i ka bërë modifikim dhe i ka bërë vende të fshehta”, – thuhet në dosjen hetimore.

Ka rezultuar se shpërndarja kryhej më shumë në muajt e verës, kur qyteti mbipopullohet nga pushues e turistë të shumtë, mes të cilëve ka edhe përdorues të lëndëve narkotike.

Pozitat e efektivit special rëndohen edhe më tepër, pasi organi i akuzës ka siguruar prova se, përveç trafikimit të kokainës, ai transporton edhe kanabis sativa nga qyteti i Fierit drejt Sarandës, për ta trafikuar më pas përtej kufirit, drejt Greqisë. Metaj mbahej nën survejim nga agjentët në terren.

Pasi doli nga banesa në lagjen 4 të qytetit të Sarandës, bashkë me dozat e radhës gati për t’i shitur, ai u arrestua.

“Gjatë kontrollit personal të të dyshuarit, Lavdosh Metaj, rezultoi se atij iu gjetën 11 doza të futura në qese plastmase, transparente, të mbyllura me djegie, brenda të cilave kishte pluhur të bardhë, i ngjashëm me lëndën narkotike kokainë”, – thuhet në dosje.

Pas kontrollit të banesës në jelekun që mbante mbishkrimin “POLICIA”, u gjetën edhe tri doza të tjera kokaine.

“Nuk jam në gjendje të mirë shëndetësore për të dhënë shpjegime, jam përdorues kokaine. Droga, që u gjet në banesë, është e imja dhe familjarët nuk kanë dijeni”, – deklaroi Metaj pas arrestimit.

Në kushtet kur mjaft policë shpesh herë joshen nga krimi për të përfunduar vetë në shpërndarës, për kreun e Sindikatës së punonjësve të policisë, Sadedin Fishta, testi i drogës ishte i nevojshëm, por ka mangësi ligjore.

“Në rregulloren e policisë nuk thuhet se cila është masa që merret ndaj efektivëve, kur konstatohen si përdorues droge, – thotë Fishta. – Ligji i Policisë së Shtetit nuk e parashikon testin e drogës, parashikon testin dhe shenjat e gishtave, si dhe ekspertizën balistike të armës”, – sqaron Fishta për INA MEDIA-n.

Sadedin Fishta, Sindikata e policisë

Krejt ndryshe nga statistikat zyrtare, që nuk “zunë mat” asnjë peshk të madh, një zyrtar i lartë i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore flet për një tjetër realitet mes radhëve të drejtuesve, lidhur me përdorimin e lëndëve narkotike.

Zyrtari i lartë i tha INA MEDIA-s se inspektorë të këtij institucioni kishin siguruar informacion se 100 punonjës policie, që mbajnë gradën drejtues të parë, ishin përdorues të kokainës.

“Ky informacion iu përcoll Policisë së Shtetit për të nisur menjëherë testin në radhët e policisë. Ata sugjeruan që të parët të testohen drejtuesit e lartë të policisë dhe efektivët e moshave të reja”, – sqaron zyrtari i lartë.

Në kushtet e konfidencialitetit zyrtari tregon se testi nuk është kryer si duhet, pasi policia gaboi në përzgjedhjen e moshës, teksa duhej t’i jepte përparësi moshës nga 22-56 vjeç.

Vrasja e një efektivi policie brenda Komisariatit Nr. 3 në Tiranë nga kolegu i tij, të hënën e 23 majit 2022, solli debate të ashpra edhe në Komisionin e Ligjeve.

Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula, madje akuzoi se një përqindje e madhe e policëve janë përdorues droge.

“30%-40% e policëve të rinj janë përdorues të lëndëve narkotike. Është imediate që Policia e Shtetit t`i largojë elementët e rekrutuar jashtë kritereve”, – tha ai në Komisionin e Ligjeve.

Laborator privat apo publik?

Testi i parë i drogës në radhët e uniformave blu u realizua më 6 dhjetor të vitit të kaluar pranë laboratorit privat, Intermedica.

Sipas një marrëveshjeje të nënshkruar më 15 nëntor 2021 mes drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nano, laboratori privat merrte përsipër kryerjen e analizave pa asnjë kosto për punonjësit dhe për Policinë e Shtetit.

Lënia e këtij procesi tejet delikat në dorë të një laboratori privat shkaktoi pakënaqësi dhe mosbesim mes radhëve të policisë. Ai u kundërshtua thuajse nga të gjithë “pozitivët”, ndërsa një pjesë tjetër, që rezultuan përdorues, gjetën shtigje për të shmangur përjashtimin nga policia.

I themeluar në vitin 1996 si laboratori i parë privat, Intermedica, i cili aktualisht ofron një gamë prej 3 mijë testesh, i tha INA MEDIA-s se testi i drogës për qytetarët kushton 4 mijë lekë të reja, ndërsa Policia e Shtetit ka njoftuar zyrtarisht se efektivët e kanë përfituar falas këtë shërbim.

Në kushtet e një klime kundërshtuese nga efektivë mbi 50 vjeç, shumica e të cilëve merrnin medikamente, mes tyre edhe gra në menopauzë, tërheqja e parë e Drejtorit të Përgjithshëm të policisë, Gledis Nano, u njoftua zyrtarisht më 1 mars 2022.

Këtë herë “barra e provës” iu besua Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML), i cili është i vetmi institucion që lëshon ekspertiza të vlefshme dhe në formën e provës. Marrëveshja e lidhur saktësonte atë “vakancë” që krijoi partneriteti i parë me një subjekt privat dhe institucionit shtetëror për kontrollin toksikologjik.

Referuar marrëveshjes së re, të gjithë ata efektivë, që kanë rezultuar pozitivë në laboratorin privat, do të shkojnë për konfirmim pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore, që është edhe institucioni që vulos përgjigjen përfundimtare.

“Këtij ekzaminimi do t’i nënshtrohen ata punonjës policie që kanë rezultuar të dyshuar pozitivë në përdorimin e lëndëve narkotike pas testit të kryer nga laboratori mjekësor privat, Intermedica” – thotë zyrtarisht Policia e Shtetit.

Për juristin Mikel Çipi marrëveshja me IML-në e fut në hulli testin e drogës, duke marrë kështu edhe formën e duhur, ligjore.

“Instanca, që ka siguri dhe besueshmëri ligjore, është instanca shtetërore, e cila kombinon njohuritë mjekësore me elemente të tjera të ligjit. Testi i drogës pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore është bërë, pasi subjektet private nuk janë ligjërisht të përshtatshme dhe të besueshme, kur çështja shkon në gjykatë”, – sqaron ai.

Mikel Çipi, jurist

Për të larguar nga radhët e policisë një efektiv, drejtuesit e policisë bazohen në Rregulloren e Policisë së Shtetit dhe ligjin për Policinë e Shtetit, në nenin 213/2.

Punonjësi është përgjegjës për përdorim të lëndëve narkotike, nëse:

  1. Mban lëndë narkotike.
  2. Konstatohet se përdor lëndë narkotike.
  3. Refuzon t’i nënshtrohet testit për përdorim të lëndëve narkotike.

Kreu i Sindikatës, Sadedin Fishta, pranon se në radhët e policisë janë evidentuar elementë problematikë.

“Ne kemi me dhjetëra raste të tejkalimit të forcës së policisë te qytetarët. Testi i drogës është i domosdoshëm, sepse nuk mund ta pranojë qytetari, që të ketë përplasje me një punonjës policie, i cili rezulton të jetë përdorues droge”, – këmbëngul Fishta.

Megjithatë, ai mendon se vetting-u i drogës në polici duhet të ishte menduar më mirë, pasi ka efektivë të policisë, të moshës mbi 50 vjeç, që kanë rezultuar përdorues droge në testin e parë, por në të vërtetë kjo ka ndodhur si pasojë e përdorimit të medikamenteve.

“Një numër i konsiderueshëm punonjësish policie, që kanë kaluar moshën 50 vjeç, kanë rezultuar përdorues droge, por nga informacionet, që disponojmë, ata e kanë ankimuar përgjigjen, me argumentin se kanë përdorur medikamente, kryesisht në periudhën e Covid-19”, – saktëson ai.

Vetë zyrtarët e lartë të Drejtorisë së Standardeve Profesionale pranojnë për INA MEDIA-n se testi i parë, që u realizua pranë laboratorit privat, kishte disa mangësi ligjore.

“Ky test linte vend për gabime dhe përgjigjja e tij nuk mund të konsiderohej provë për të përjashtuar përfundimisht një punonjës policie nga radhët e saj; kjo, pasi kalonte një kohë e gjatë nga testi në privat, pastaj pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore” – shpjegojnë burimet nga Drejtoria e Standardeve.

Kjo diferencë kohore i jepte kohë një punonjësi policie, që mund të ishte përdorues i lëndëve narkotike, që të ndërpriste konsumimin e tyre dhe të përfitonte një përgjigje negative, duke shmangur përjashtimin nga policia.

Përzgjedhja e atyre, që i nënshtrohen testit, është e befasishme.

Menjëherë pas shërbimit punonjësit do të njoftohen dhe më pas do të dërgohen pranë laboratorit për të realizuar testin. Të gjithë ata efektivë, që kanë rezultuar pozitivë në testin e parë dhe refuzojnë të kryejnë testin e dytë pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore, do të përjashtohen menjëherë nga policia.

Ekzaminimi final i Institutit të Mjekësisë Ligjore me seli në Tiranë bazohet në mostrat biologjike dhe në përcaktimin e lëndëve narkotike, psikotrope, sipas kërkesave të Policisë së Shtetit.

Në urdhrin numër 229 u miratua gjithashtu edhe procedura standarde e testimit laboratorik për përdorimin e drogave. Në të njëjtën kohë Drejtori i Përgjithshëm, Gledis Nano, pranoi mes rreshtash se IML është i vetmi institucion i specializuar, shtetëror në këtë aspekt.

“Me anë të kësaj marrëveshjeje, Policia e Shtetit dëshmon besimin e saj ndaj institucionit të IML-së dhe ndaj profesionalizmit, me të cilin stafi juaj do t`i kryejë këto analiza dhe do të ruajë privatësinë e të dhënave të punonjësve të policisë”, – u shpreh ditën e nënshkrimit të marrëveshjes me Institutin e Mjekësisë Ligjore, Drejtori i Përgjithshëm, Gledis Nano.

“Që në ditët e mia të para në këtë detyrë jam fokusuar në ndërmarrjen e nismave ligjore për ta pastruar Policinë e Shtetit nga ata punonjës që abuzojnë me detyrën, duke qenë përdorues të lëndëve narkotike”, – ishte mesazhi që dha Nano.

Paanshmëri dhe konfidencialitet siguroi edhe zyrtari i Institutit të Mjekësisë Ligjore në Tiranë, Bledar Xhemali.

“Ju siguroj se IML-ja do të jetë tërësisht e pavarur, e pandikuar dhe tepër profesionale, me qëllim përmbushjen e kushteve të marrëveshjes së bashkëpunimit. Është interesi ynë publik pasja e një policie sa më dinjitoze dhe sa më të besueshme për qytetarët”, – garantoi Xhemali.

INA MEDIA kërkoi informacion edhe pranë prokurorisë mbi kallëzimet e policëve, që ndërkohë kanë pretenduar vepër penale nga laboratori privat, por deri në publikimin e këtij shkrimi nuk mori përgjigje.

Ndërkohë, uniformat blu vijojnë të vuajnë pasojat e një testi “pozitiv”.

Faksimile e dokumentit që njofton pezullimin e efektivit të policisë

Specialisti për hetimin në një nga komisariatet më të rëndësishme të kryeqytetit u njoftua zyrtarisht përmes kësaj shkrese se u pezullua nga detyra, pasi rezultoi përdorues i lëndëve narkotike.

Inspektori 56-vjeçar, emrin e të cilit Investigative Network Albania nuk e bën publik, u pezullua nga Drejtoria e Standardeve në Policinë e Shtetit dhe u njoftua sa ndaj tij ka nisur një hetim disiplinor.

Në dokument thuhet se, shkelja e konstatuar është e rëndë dhe gjatë periudhës së pezullimit duhet të bashkëpunojë ngushtë me drejtuesit e Drejtorisë së Standardeve në Policinë e Shtetit, në të kundërt përjashtohet menjëherë nga radhët e policisë.

“Nuk mund ta pranoja një rezultat të tillë, ndaj e ankimova. Pas kësaj iu nënshtrova testit të dytë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore dhe dola i pastër, ashtu edhe siç jam në të vërtetë, por ama dëmi u bë. Nuk mund ta imagjinoni se çfarë stresi më ka shkaktuar testi pozitiv nga laboratori privat”, – përfundon inspektori 56-vjeçar.

SHARE THIS POST

Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin

RELATED POSTS