Ekspertët e Qendrës “Fol” i kanë kushtuar vëmendje të shtuar studimit dhe analizës së të dhënave të prodhuara nga procedimet penale dhe vendimmarrjet e pushtetit gjyqësor, në luftën ndaj korrupsionit. Nisur nga këto të dhëna konstatojmë se ky fenomen mbetet një fenomen në rritje të vazhdueshme, i cili bashkëshoqëron zhvillimin kulturor, social dhe ekonomik të shoqërisë shqiptare. Në raportimin studimor 6 mujor të publikuar nga Qendra “Fol” janë bërë publike të dhëna konkrete rreth këtij fenomeni.[1] Nga analiza e të dhënave të rasteve të konstatuara kohët e fundit, ekspertët kanë arritur në disa konkluzione kyçe rreth përmasave që ka marrë zhvillimi i këtij fenomeni:
|
Nëse fajtor në përfshirjen në një akt korruptiv është qytetari apo punonjësi i veshur me tagra e kompetenca shtetërore, është një dilemë të cilës ka qenë e vështirë që t’i jepet një zgjidhje nga ana e autoriteteve proceduese, duke ja lënë vlerësimin e rrethanave të faktit në dorë përfaqësuesve të sistemit të drejtësisë.
Nga rastet e proceduara penalisht rezulton se 480 raste të kategorizuara nën fushën e veprave penale të “Korrupsionit” janë regjistruar pranë organeve proceduese gjatë periudhës 9 mujore 13 Nëntor 2020 – 13 Gusht 2021. Deri në Gusht 2021 janë regjistruar 404 procedime ose rreth 84%, ndërkohë gjatë periudhës 1 mujore të fundvitit të 2020 janë regjistruar 76 raste ose rreth 16%. Nisur nga rrethanat e faktit të këtyre rasteve konstatohet se qytetarët zgjedhin të paguajnë vlera monetare duke filluar nga 10 euro ose 1000 lekë (të reja) për të përfituar nga paligjshmëria. Në rastet e konstatuara vërehet se punonjësit e veshur me tagra shtetërore, qofshin ata punonjës të Policisë së Shtetit apo punonjës të Pikave të Kalimit Kufitar kanë reaguar në mënyrë aktive duke kallëzuar qytetarët pranë organeve proceduese, me qëllim vënien e tyre para përgjegjësisë. Një praktikë e tillë vlerësohet si pozitive, duke mbajtur parasysh qëllimin dhe objektivin që synohet të arrihet për të reduktuar korrupsionin. Në 3 raste, qytetarët e arrestuar nga ana e Policisë së Shtetit kanë pranuar marrëveshjen e propozuar nga ana e prokurorit pranë SPAK për pranimin e fajësisë dhe caktimin e dënimit, sipas neneve 406/d e vijues të K.Pr.Penale. 2 nga këta shtetas janë përfshirë si subjekte në akt korruptiv për shkak se kanë dashur të kalojnë kufirin në cënim të rregullave dhe kushteve të përcaktuara për udhëtimin në zonën Schengen. Punonjësit e policisë kufitare kanë referuar rastet pasi qytetarët kanë tentuar që t’i korruptojnë respektivisht me shumat monetare 50 – 100 euro. Në të dyja këto raste konstatohet se marrëveshja për pranimin e fajësisë e propozuar nga ana e prokurorit ka qenë e njëjta, pra konsistonte në dënim prej 7 muaj burgim, e cila u konvertua me 120 orë pune në interes publik. Ndërsa në rastin tjetër, qytetari i cili është identifikuar si përdorues i lëndës narkotike të llojit hashash, ka tentuar që t’i largohet punonjësve të Policisë, por në momentin që është neutralizuar dhe ndaluar prej tyre ka tentuar që të korruptojë punonjësit me dy kartmonedha 1000 lekëshe, me qëllim që të mos e shoqëronin në ambientet pranë Drejtorisë së Policisë Tiranë. U vendos dënimi i tij prej 7 muaj burgim, masë dënimi e cila u pezullua për shkak të arritjes së marrëveshjes së fajësisë duke u konvertuar në periudhë prove për 1 vit e 2 muaj, me kusht që të mos kryente vepër tjetër penale. Qëllimi për shmangien e ndëshkimit me masa administrative në rastet e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor është një tjetër arsye “e fortë” e cila i ka shtyrë qytetarët që të ofrojnë të vlera monetare në adresë të punonjësve të Policisë së Shtetit. Në rreth 5% e rasteve të proceduara ose 22 qytetarë kanë ofruar shuma prej 1000 lekë të reja deri në 8000 lekë të reja, për të mos iu nënshtruar detyrimit për të bërë testin e alkoolit, për të mos u ndëshkuar me masë administrative apo për të mos vijuar procedurat për pezullimin apo anulimin e lejes së drejtimit të mjetit etj. Të gjithë këta shtetas rezulton të jenë arrestuar në flagrancë, pasi më parë janë arrestuar nga ana e Policisë së Shtetit për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, por me qëllim shmangien nga përgjegjësia penale apo administrative kanë ofruar shuma monetare drejt efektivëve. Qytetarët e përfshirë në kategorinë e sipërcituar janë proceduar penalisht si të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 244 K.Penal. Ndaj 11 qytetarëve ose rreth 50% e rasteve të proceduara nën këto vlera monetare, prokurori ka kërkuar caktimin e masës së sigurimit personal të llojit shtrëngues “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” sipas nenit 234 K.Pr.Penale. Kjo kërkesë e prokurorit është lënë në fuqi edhe nga ana e sistemit gjyqësor në shkallën e parë. 3 prej qytetarëve janë shfaqur të penduar gjatë dhënies së deklarimeve të tyre në Gjykatë, ndërkohë që kanë hedhur poshtë pretendimin për korruptimin e efektivëve të policisë me argumentimin se vlerat monetare “janë ngatërruar me dokumentacionin e mjetit”. Për 11 rastet e tjera, duke qenë se kanë ndodhur kryesisht në harkun kohor të ditëve të fundit, ekspertët nuk kanë mundur ende të procedojnë të dhëna analitike rreth vijueshmërisë së procedurave të ndërmarra. Në një rast, qytetari është ndaluar nga ana e efektivëve të policisë për shkak se ka qenë duke drejtuar mjetin në shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, më konkretisht në drejtim të mjetit në gjendje të dehur. Ai ka tentuar t’i japë 1000 lekë të reja policit, ndërkohë që prej këtij të fundit i është bërë me dije se pasi qytetari t’i nënshtrohej testit të dytë me drager ndaj tij do të vendosej masë administrative. Në ato momente, qytetari ka dalë nga mjeti dhe ka hedhur në automjetin e policisë kartmonedhën, duke iu drejtuar me fjalët “Na merrini këto dhe pini ujë, e mos rrini t’i vendosni gjobë njerëzve këtu”. Pas paralajmërimit nga efektivi i policisë është ekzekutuar arrestimi në flagrancë i qytetarit, ndërkohë që prokurori ka kërkuar masën e “detyrimit për t’u paraqitur pranë policisë gjyqësore” e cila është aprovuar nga ana e Gjykatës. Edhe në deklarimet e dhëna nga ana e qytetarit është pranuar veprimi i kryer me pretendimin se qëllimi ka qenë që efektivët “t’i qeraste me disa pije freskuese”. Në raste të tilla, kur autori i dyshuar është në gjendje të dehur, fakt lehtësisht i provueshëm nga të dhënat e testit të realizuar, ekspertët sugjerojnë se politika penale duhet të ketë ndikim parandalues të veprave me pasoja më të rënda në shëndetin apo jetën e personave. Në raste të ngjashme, do ishte e rekomandueshme që personi nën hetim t’i nënshtrohej masës alternative të dënimit sipas nenit 59 K.Penal “Pezullimi i ekzekutimit të vendimit me burgim dhe vënia në provë”, ndërkohë që gjykata të detyronte shtetasin që të mos drejtonte automjete të caktuara brenda periudhës së provës. Mungesa e vendosjes së rripit të sigurimit, si një nga format e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor mund të sjellë pasoja jo vetëm për drejtuesin e mjetit dhe udhëtarët, por edhe për kalimtarët. Sipas ndryshimeve të majit 2021, në nenin 170 të Kodit Rrugor parashikohet përgjegjësia administrative me gjobë për drejtuesin e mjetit edhe në rast se pasagjerët nuk respektojnë rregullat e fiksimit apo vendosjen e rripit të sigurimit. Ndër shtetasit e sipër përmendur, në 6 raste qytetarët janë ndaluar nga ana e efektivëve të policisë për shkak se nuk kanë vendosur rripin e sigurimit. Për shmangien nga masa administrative kanë tentuar të korruptojnë policët me vlera monetare nga 1000 – 2000 lekë të reja, veprim i cili është pasuar me arrestimin në flagrancë të tyre. Nisur nga rrethanat faktike të analizuara, ekspertët konstatojnë se zbatuesit e ligjit në përgjithësi kanë mbajtur një qëndrim konform legjislacionit në fuqi, duke nxitur një politikë penale fleksibël dhe duke shmangur caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg” si një reagim i drejtpërdrejtë në luftën ndaj korrupsionit. Nisur nga rastet në rritje në ditët e fundit, fenomeni i korrupsionit i cili prek të gjitha sferat dhe fushat e jetës po “ushqehet” edhe me vlera të ulëta monetare. Proaktivizmi i efektivëve të Policisë mbetet për t’u vlerësuar, ndërkohë që ekspertët janë të qëndrimit se një qasje e tillë duhet të shtrihet me qëllim sensibilizimin e përfaqësuesve shtetërore në të gjithë sektorët e administratës publike, me synim për t’i thënë “JO KORRUPSIONIT” si zgjidhja më e mirë e mundshme në favor të emancipimit të interesit publik.
|
[1] https://fol.org.al/6-mujore/
|
|