Dritëhijet e programit IPARD, iu shërben fermerëve apo bizneseve? Procedurat e vështira për aplikuesit dhe pamundësitë për të plotësuar dosjet

Instrumenti për Ndihmën Para-Anëtarësuese për Zhvillimin Rural (IPARD) ka si objektiv afatgjatë përgatitjen e sektorit të agrobiznesit shqiptar në përmbushjen e kërkesave të ‘acquis communitaire’ dhe për të siguruar zbatimin efikas të programit dhe përdorimin e fondeve të Bashkimit Evropian.

Sektori bujqësor dhe rural në Shqipëri, në të gjithë historinë e tij është përballur me sfida të mëdha dhe një prej tyre është konkurenca e fortë rajonale dhe ndërkombëtare. Respektimi i standardeve mjedisore, sigurisë ushqimore dhe mirëqenies së kafshëve në sektorin e bujqësisë është ende i ulët.

Rudina Muça – Qendra ALERT

Një pjesë e madhe e fermave bujqësore nuk respektojnë standardet për shkak të burimeve të kufizuara financiare për të përmirësuar teknologjinë dhe mungesën e vetëdijes dhe njohurive mbi standardet.

Investimet në bujqësi janë shumë të ulëta për shkak të bujqësisë në shkallë të vogël, burimeve të kufizuara të brendshme të fermerëve dhe qasje e vështirë në kredi.

Sistemi bankar është ndërmjetësi kryesor financiar në Shqipëri. Dhënia e kredive ndaj sektorit bujqësor është shumë e ulët, si pasojë e problemeve strukturore të sektorit, përfshirë përmasat e vogla të fermave, plakja e popullsisë, mungesa e aseteve që do të ofrohen si kolateral, tregu i pazhvilluar i tokës, mungesa e informacionit në lidhje me gjendjen financiare të aplikantëve, etj.

Për ta çuar përpara është e nevojshme që të mobilizohen të gjithë aktorët përkatës, që ndikojnë drejtpërdrejt ose tërthorazi në zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë.

 

Çfarë është instrumenti IPA dhe si lidhet kjo me grantet e bujqësisë?

Me mbështetjen e IPA I, Shqipëria bëri një përparim të rëndësishëm në përgatitjen për zbatimi i IPARD -it. Projekti IPA 2011 për Mbështetjen e Bujqësisë dhe Zhvillimi Rural (SARD) përfshiu një skemë granti që pilotonte masa të ngjashme me IPARD-in për investimet në bujqësi dhe në përpunimin dhe tregtimin që synonte modernizimin dhe përafrimin gradual me standardet e BE -së. Në vitin 2013 u hapën tre thirrje për propozime, për të cilat u paraqitën 255 aplikime, investime që arrinin në 46 milionë euro. Një mësim i rëndësishëm i skemës së granteve të ngjashme me IPARD është se ka një kërkesë të konsiderueshme për mbështetje që konfirmon nevojat e identifikuara siç tregohet nga fakti se granti i kërkuar i aplikimeve të paraqitura tejkaluan trefishin e buxhetit në dispozicion të të gjitha thirrjeve të kryera për propozimet. Për shkak të informalitetit të lartë në sektorin e agro-përpunimit, kapaciteti i aplikantët për të respektuar procedurat e përcaktuara bazuar në legjislacionin kombëtar ishte i kufizuar, i cili ndikoi negativisht në thithjen e fondeve.

Në dhjetor të 2018, Shqipëria fitoi të drejtën për të përftuar 17 milion euro në vit, përfshi këtu edhe kontributin e qeverisë shqiptare, para të cilat do të shkonin në zhvillimin e bujqësisë, blegtorisë dhe agro-turizmit.

Kjo mbështetje financiare e grantit për çdo thirrje publike përbëhet nga 75% financim i siguruar nga instrumenti për ndihmën rurale të para-anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe 25% financim i siguruar nga buxheti i Republikës së Shqipërisë, si pjesë e marrëveshjes së MSA-së.

Por, pengesa e parë dhe më pothuajse më e pakapërcyeshmja në mbështetjen e sektorit të bujqësisë me grante ka të bëjë me mungesë e fondeve rezervë nga ana e fermerëve. IPARD nuk jep mbështetje financiare paraprake për të realizuar planin e investimeve. Kjo i detyron fermerët që t’i drejtohen për mbështetje sistemi bankar ose institucioneve mikrofinanciare, por këto dy institucione janë skeptike në lëvrimin kredive dhe ka shumë praktika burokratike. Kjo barrierë i lë jashtë skemave të mbështetjes financiare fermerët e vegjël. E gjithë kjo skemë bën që përfituesit e vetëm të jenë bizneset e mëdha agro-përpunuese dhe fermeri i vogël mbetet jashtë skemës së përfitimit nga fondet IPARD.

Që të përfitosh fonde nga Bashkimi Europian, që vijnë nëpërmjet programit IPARD, projekti teknik i fermerit duhet të kapë shifrën e plus 10.000 Eurove dhe jo më pak. E përkthyer ndryshe, një fermer duhet të bëjë të paktën10 mijë euro investime që të përfitojë nga IPARD. Ky instrument mbështetës iu garanton në fillim vetëm 10% të shumës që pritet të investohet në planin e biznesit. Pjesën tjetër të parave fermeri që shet domate dhe që kërkon të bëjë një serë, duhet ta sigurojë paraprakisht borxh nga të afërmit, ose mund t’i ketë kursime të jetës së tij dhe në rastin më të keq, mund të rriskojë të marrë kredi.

 

Nëse fermeri me ngastër të vogël nuk përthith fondet e Bashkimit Evropian, atëherë ku shkojnë këto para?

Në regjistrat e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, gjithësej kemi 354 mijë fermerë të regjistruar. Fermerët shqiptarë ndahen në tri kategori:

  • kategoria e fermerëve që prodhon për konsum vetjak dhe të blegtorisë që mbarështon;
  • kategoria e fermerëve që prodhon për konsum vetjak, për blegtorinë e vet dhe një tepricë prodhimesh për tregun vendas;
  • kategoria e tretë janë fermerët dhe subjektet tregtare që prodhojnë për tregun e vendit dhe për eksport.

Sipas ekspertëve, grupimi i parë dhe i dytë nuk kanë mundësi të përfitojnë drejtpërdrejtë nga programi IPARD. Këto dy grupime përbëjnë rreth 82% të fermerëve të regjistruar në Shqipëri, pra pjesë e IPARD mund të bëhen vetëm grupimi i fermerëve që zënë 18% të totalit.

Bujqësia kontribuon rreth 20% të prodhimit bruto dhe merr nga buxheti i shtetit afërisht 2.2% të vlerës. Paratë e akorduara nga buxheti i shtetit janë të pamjaftueshme për ngritjen e një bujqësie moderne që kërkon të konkurojë tregjet evropiane. Nga ana tjetër, paratë e Bashkimit Evropian shkojnë për ata operatorë ekonomike që kërkojnë ngritjen e subjekteve fizike ose linjave të përpunimit, fermeri që punon tokën duhet të mjaftohet me buxhetin e miratuar nga qeveria shqiptare.

Të punosh tokën, të mbarështosh gjë të gjallë pa ndihmë e subvencioneve kërkon mund. Bujqësia vendase është në tkurrje, mungesa e politikave mbështetëse, si dhe mungesa e tregut bën që të rinjtë shqiptarë të mos e shohin bujqësinë si të ardhmen e tyre.

Nevruz Halili nga fshati Dragot i Belshit thotë se tre fëmijët e tij e kanë lënë Shqipërinë 15 vite më parë. Deri në momentin që kishte fuqi, Nevruzi së bashku me bashkëshorten e tij Burbuqen të gjitha shërbimet e tokës ia bënin vetë, ndërsa sot janë në kërkim të punëtoreve, të cilëve iu jep2 mijë lekë të reja në ditë.

“ Unë jam 80 vjeç dhe sot po vjel rrushin. Kisha më shumë se një javë që kërkoja punëtorë, por askush nuk më vinte. U jam lutur punëtorëve për të ardhur sot këtu. Nëse nuk do t’i gjeja, rrushi rrezikohej të kalbej në pemë. Në fshat të gjithë janë si unë, të moshuar. Ne nuk kemi fuqi të punojmë”, tha fermeri.

Nevruzi, të gjithë jetën e tij ia ka përkushtuar tokës, dikur ka qenë një fermer i madh që kultivonte rrush, ullinj, misër, grurë si dhe mbante 100 kokë dhi. Ndërsa sot, çifti i të moshuarve punon vetëm tokën që ka pranë shtëpisë, pjesa tjetër është e lënë djerrë.

Ka ikur rinia. Unë kurrë nuk kam përfituar nga shteti diçka si fermer. Çfarë kam marrë, e kam nga krahët e mi. Shpenzimet i kam të mëdha, që nga ilaçet e deri tek plugimi dhe vjelja e prodhimit. Të gjithë merren me qytetin dhe rrugët, fshati nuk ka qenë kurrë në fokus. Për këtë arsye ikën dhe fëmijët e mi”, shtoi Nevruzi.

 

Kalvari i mbledhjes së dokumenteve dhe burokracitë e pafundme

Fondi i miratuar për programin IPARD II kap vlerën 94 milion euro. Nga viti 2018 e deri në vitin 2020 janë disbursuar si dhe janë në proces disbursimi e gjithë sasia e fondeve të programuara. Por, sipas Ekspertit të Bujqësisë, Ndoc Fasllia, IPARD nuk mund të sjellë zhvillim të bujqësisë. “Braktisja e tokës tregon që kjo skemë nuk po e tërheq fermerin vendas. Nëse do t’i referohemi të dhënave të INSTAT rezulton se, humbjen më të madhe të fuqisë punëtore e ka pikërisht bujqësia”, tha Fasllia.

Bujqësia, ndonëse ishte sektori me ecurinë më të mirë gjatë pandemisë, me një rritje minimale pozitive, (në raport me rënien -3.3% të gjithë ekonomisë) ka shënuan rritjen më të lartë të papunësisë. Vetëm në tremujorin e parë të këtij viti, në bujqësi humbën 35 mijë vende pune, në krahasim me fundin e 2020-s, duke dhënë ndikimin kryesor në përkeqësimin e treguesit të papunësisë.

INSTAT e mat punësimin në bujqësi përmes anketës së Forcës së Punës, ndryshe nga të dhënat e mësipërme që maten si mesatare tremujore e llogaritur me të dhënat e listë-pagesave të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Në total, bujqësia kishte 37.4% të totalit të vendeve të punës, sektori privat jo bujqësor 46% dhe ai shtetëror 16.6%.

Programi IPARD, është fond I financuar nga BE për të gjitha ato vende të cilat kanë statusin e vendit kandidat për BE, siç është Shqipëria. Kështu BE jep para për të zhvilluar sektorin bujqëore. Duke filluar nga viti 2013 Shqipëria ka përfituar çdo vit 10-12 milion euro grante për zhvillimin bujqësore dhe rural. Shqipëria tani po përfiton fondet e Programit IPARD II që shkojnë mbi 14 milion Euro në vit. Fondet të cilat jepen në formë granti nga BE, janë pothuajse sa fondi që përafron buxheti I shtetit. Kush është problemi me fondet e IPARDIT? Ato janë fonde që e ndihmojnë prodhimin bujqësore, por numri I përfituesve ka qenë tepër I vogël pasi kushtet janë të ekzagjeruar. Ndërkohë që Skema Kombëtare i jep mundësi të përfitoje çdo fermer. Duket se programi IPARD është bërë vetëm për grumbulluesit dhe përpunuesit“ , përfundon Ndoc Fasllia

Për të marrë pjesë në thirrjen e IPARD fermerit i duhet të dorëzojë një dosje që përmban 36 dokumente, ndërkohë që në Gjermani shteti ka besim tek fermeri dhe ia ka lehtësuar procedurat duke i kërkuar vetëm 4 dokumente. Subvencionet janë të pamjaftueshme për modernizmin e bujqësisë, nga ana tjetër edhe ata fermerë apo përpunues që kanë potencial ekonomik dhe vizion bujqësore në shumë raste tërhiqen pasi parcelizimi i tokës bujqësore dhe mungesa e aktit të pronësisë e mban atë larg skemave që financojnë shumë të mëdha parash.

Konsulenti bujqësor Ilir Pilku tha se, të rritet prodhimi vendas duhet të zhbëhen ligje e parlamentit shqiptar. Kjo reformë sipas tij do të ndikojë pozitivisht në zhvillimin bujqësor.

Të jesh konsulent bujqësor dhe të përgatisësh një dosje për të marrë pjesë në programin IPARD kërkon durimin e fermerit. Dokumentet janë të shumta dhe të tepërta. Shteti shqiptar duhet të ndryshojë ligjet. Për të verifikuar një person fizik që kërkon të investojë në bujqësi është e lehtësisht e verifikueshme. Nga ana tjetër koeficienti i shfrytëzimit të tokës është vetëm 20%, që do të thotë nëse fermeri ka një parcelë toke 1000 metra katrorë, ai sipas rregullave të IPARD ka të drejtë të përdorë vetëm 200 metra katrorë. Nga ana tjetër fermeri dhe ndërtuesi taksën e ndërtimit e kanë të njëjtë. Pasi për të marrë lejen e ndërtimit fermeri në bashki do të paguaj 6% të investimit si taksë infrastrukturë. Që të rritet prodhimi vendas duhet të zhbëhen ligje e parlamentit shqiptar”, tha konsulenti bujqësor, Ilir Pilku.

 

Dritëhijet e dyshimit për skemat e IPARD-it

Skema IPARD II është në shqyrtim të dosjeve që janë bërë në thirrjen e tretë. Sipas ekspertit të bujqësisë Ervin Resuli, Agjencia e Zhvillimit Rural dhe Bujqësor është institucioni përgjegjës që merret me shpërndarjen e fondeve të BE. Sipas tij, fermerët i qëndrojnë larg parave të Bashkimit Evropian, pasi ata dyshojnë në transparencën e shpërndarjes së fondeve.

Ervin Resuli

“ Nuk ka meritokraci. IPARDI nuk është për fermerin që e do tokën, por për ‘luanët’ e bujqësisë që kërkojnë të ushqehen me copa të mëdha. Fermerët i qëndrojnë larg IPARD-it pasi ndjehen të pafuqishëm përballë kërkesave që ka dosja për t’u përgatitur. Kam rastin e një fermeri, i cili i është përgjigjur thirrjeve nga IPARD II. Përgjigja që ka marrë nga AZHBR ka lënë hapësirë për hije dyshimi. Në të citohet se: ‘Dosja juaj është vlerësuar me 15 pikë nga 100 të mundshme. AZHBR në përputhje me procedurat e saj dhe me Udhëzuesin për aplikantët, është në proces shqyrtimi për aplikimet që janë brenda kufirit maksimal të buxhetit të thirrjes. Dosja juaj e aplikimit për momentin është jashtë kufirit maksimal të buxhetit të thirrjes, por mund të ndryshojë nga rezultatet e shqyrtimit të aplikimeve që aktualisht përfshihen brenda këtij buxheti’. Në këtë shkresë nuk kuptohet, nëse fermeri i ka plotësuar apo jo kriteret për ta përfituar grantin, por ka mungesë fondi”, përfundoi Resuli.

Programi IPARD është mbështetje financiare për bujqësinë dhe zhvillimin rural nga fondet e BE-së (75%) dhe qeverisë shqiptare (25%). Qëllimi i IPARD është:

  • Të rritet siguria ushqimore dhe aftësia e sektorit agro-ushqimor për të përballuar presionin e konkurrencës, si dhe për të përafruar progresivisht sektorin me standardet e BE, veçanërisht ato që lidhen me higjienën dhe mjedisin;
  • Të sigurojë mbështetje për investime përmes sistemeve të menaxhimit dhe kontrollit që janë në përputhje me standardet e mirëqeverisjes të një administrate publike moderne ekuivalente me ato në organizata të ngjashme në Shtetet Anëtare të Bashkimit Evropian;
  • Nxitja e punësimit përmes krijimit të vendeve të reja të punës dhe mbajtja e vendeve ekzistuese , përmes zhvillimit të aktiviteteve shtesë të biznesit, duke rritur kështu nivelin e aktivitetit ekonomik të zonave rurale dhe duke përmbysur shpopullimin rural.
  • Të rritet efikasiteti, konkurrenca dhe prodhimi i qëndrueshëm bujqësor në sektorin agro-ushqimor, duke arritur në mënyrë progresive standardet e Bashkimit Evropian, rritur pozicionin e fermerëve në zinxhirin ushqimor dhe duke mbështetur fermerët e rinj.
  • Për të përmirësuar përgjigjen e sektorit agro-ushqimor ndaj kërkesës së publikut për ushqim me cilësi të lartë, të sigurt, ushqyese dhe të qëndrueshme, si dhe mirëqenien e kafshëve.
  • Të kontribuojë në zbutjen e ndryshimeve klimatike, si dhe energjinë e qëndrueshme dhe të nxisë menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore, të tilla si uji, toka dhe ajri.
  • Objektivi i përgjithshëm është të mbështesë zhvillimin ekonomik, social dhe territorial, duke çuar në një rritje të , qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse përmes zhvillimit të infrastrukturës fizike.

 

Por sa janë arritur ato?

“Të investosh në bujqësi nuk do të thotë të krijosh godina të mëdha që shërbejnë si magazina të prodhimit bujqësor. Të investosh në linjat e përpunimit do të thotë që po rrit prodhimin vendas. Shembulli konkret janë linjat e përpunimit të qumështit. Ndërkohë mungesa e prodhimit vendas bën që në fabrikat e qumështit përpunimi të bëhet me qumësht pluhur ose me qumësht që si orgjinë ka Serbinë. Ne nuk provojmë pasi nuk mbështesim fermerin e vogël”, tha Ilir Pilku.

Të përgatisësh një dosje voluminoze me plan biznesi për të aplikuar tek skema IPARD, në zyrat e konsulencës kushton 3000-5000 euro dhe në rastin kur aplikuesi shpallet fitues, pagesa e zyrës së konsulencës përfshihet në grant. Por, nëse aplikuesi nuk është pjesë e listës fituese, atëherë fermeri sapo mori një goditje që i kushtoi jo pak.

Eksperti i bujqësisë dhe Kryetar i Këshillit të Agronizbesit, Agim Rrapaj thotë se, masat që paraqiten në skemën IPARD duhet të jenë më qarta dhe asnjë sektor nuk duhet lënë jashtë vëmendjes.

Problemet kryesore janë:

“ Në Programin IPARD duhen bërë disa korrigjime me qëllim që shërbimi i marrë nga fermeri të jetë sa më cilësor.

  1. Vonesa e tej zgjatur e procesit për periudhën e kualifikimit, si dhe për periudhën nga momenti përgjigjes që je shpallur fitues deri në momentin që fondet kalojnë në llogari.
  2. Probleme kemi me prioritetet e kufizuara te financimit dhe numrin e kufizuar të përfituesve.
  3. Nuk ka një program të qartë dhe konkret financimi, ku të koordinohet e përcaktohet mënyra e financimit, për të gjitha hallkat te zinxhirit, që përbëjnë atë që ne e quajmë “Ekonominë e Ushqimit”
  4. Asistenca ndaj përpiluesve të dosjeve për aplikim në programin IPARD dhe ndihma për kualifikimin e tyre ka qenë e pa mjaftueshme. Këto katër çështje mendoj se duhet të rishihen nga politik bërësit. Kjo ju vjen në ndihmë produkteve MADE IN ALBANIA të konkurrojnë në tregjet bujqësore të rajonit dhe ato evropiane, fokusi duhet të jetë tek fermeri që punon dhe kërkon të rritet. Makineria të garanton siguri ushqimore, por jo prodhim vendas”, tha eksperti Rrapaj.

SHARE THIS POST

Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin

RELATED POSTS