Autor: Mario Brakaj
Në 7 vite qindra milionë detyrime ende të pashlyera dhe humbje e shpresës për një administratë profesionale
Të dhënat e përftuara pas kërkesave për informacion nga institucione në nivel vendor e qendror si dhe raportimet e buxhetit të shtetit, të analizuara nga INA, tregojnë se në 7 vitet e fundit u shpenzuan përmes pagesave nga thesari i shtetit më shumë se 13,3 miliardë lekë (rreth 108 milionë euro) për të shlyer faturat gjyqësore për pushime të padrejta nga puna të 14,487 punonjësve. Ministria e Financave dhe Ekonomisë i tha INA se detyrimet e prapambetura të institucioneve pas vendimeve gjyqësore kanë arritur në nivelin e më shumë se 9,3 miliardë lekëve (rreth 75,5 milionë euro), ndërsa vlera pritet të rritet pasi shumë procese të tjera ligjore janë duke u zhvilluar. Pas një kërkese për informacion, KLSH tha se në 7 vitet e fundit nuk kishte kallëzuar penalisht asnjë zyrtar megjithëse kishte konstatuar një dëm të konsiderueshëm ekonomik nga shkarkimet e padrejta nga puna. Ekspertë të ekonomisë, juristë, Avokati i Popullit apo edhe Komisioni Europian apelojnë për rregullime me qëllim frenimin e fenomenit i cili krijon ‘barrë’ financiare për taksapaguesit dhe ul shpresën për administratë profesionale.
Punësime ‘sezonale’ në administratën publike
Erti Korçari, në atë kohë 26 vjeç, fill pas ndryshmit të qeverisë në vitin 2013 e gjeti veten të papunë, pasi më herët kishte mbajtur detyrën e Inspektorit të Parë të Përpunimit të Deklaratave, Vlerësimit dhe Rimbursimit në Drejtorinë Rajonale të Tatimeve Fier.
Ai e kishte marrë atë pozicion më 5 qershor 2013, 18 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare dhe vendimi për pushimin e tij erdhi më 19 nëntor 2013, pak pas ndryshimit të qeverisë.
Më 20 dhjetor 2013 ai paditi Drejtorinë Rajonale të Tatimeve Fier në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Vlorë, e kjo e fundit vendosi që pala paditëse duhet ta dëmshpërblente atë me vlerën e tre pagave.
Vendimi i gjykatës u apelua nga Drejtoria Rajonale e Tatimeve Fier në Gjykatën Administrative të Apelit, ku kjo e fundit pas shqyrtimit të fakteve la në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Vlorë. Si përfundim ai, përmes përmbaruesit përfitoi dëmshpërblim financiar në vlerën e 3 pagave.
Erti nuk është i vetmi, dhe me shumë mundësi nuk ka për të qenë i fundit që shkarkohet padrejtësisht nga drejtoritë rajonale të tatimeve.
Pas një kërkese për informacion, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve i komunikoi INA se në harkun kohor 2014 – 2020 kanë qenë 313 punonjës që kanë paditur këtë institucion, ku me vendim gjykate, 197 prej tyre kanë përfituar dëmshpërblim financiar.
Ndryshim drejtuesish, shkarkim punonjësish
Saimir Mulgeci, i cili së fundi mbante detyrën e drejtuesit të burgut “Jordan Misja” në Tiranë, me vendim të ministrit të Drejtësisë të kohës, Nacip Naço u shkarkua më 22 tetor 2013, 41 ditë pasi Naço ishte dekretuar. Mugleci punonte në burgun “Jordan Misja” në kryeqytet prej vitit 2005 dhe kishte mbajtur disa pozicione aty.
Ai ankimoi vendimin dhe Gjykata e Administrative e Shkallës së Parë Tiranë. Kjo e fundit, me vendimin të datës 31 dhjetor 2013 rrëzoi padinë nën argumentin se ai nuk ishte shkarkuar me argumentin e masës disiplinore, por ishte liruar nga detyra.
Mugleci ankimoi vendimin e shkallës së parë në Gjykatën e Administrative të Apelit nga ku kjo e fundit i dha të drejtën e dëmshpërblimit me 8 paga.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ankimoi vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë dhe çështja shkoi në Gjykatën e Lartë. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë mori vendimin për lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, e kësisoj Mugleci u dëmshpërblye me 8 paga.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, pas të dhënave të përpunuara e krahasuara me institucionet e tjera, mbetet ndër më problematiket për sa i përket shkarkimeve të padrejta të punonjësve.
Vendimet e pajustifikuara të DPB për shkarkimin të punonjësve i ka në kushtuar buxhetit të shtetit 502 milionë lekë në 7 vitet e fundit.
Pas një kërkese për informacion, DPB i tha INA se në harkun kohor 2014-2020, pas vendimeve gjyqësore të formës së prerë janë dëmshpërblyer 625 punonjës.
Nga të dhënat, vërehet se vitet 2017 dhe 2018 mbartin numrin më të lartë të punonjësve të dëmshpërblyer. Në vitet 2017 dhe 2018 u dëmshpërblyen 280 punonjës të shkarkuar, për një vlerë totale prej 202,048,000 lekësh.
Viti 2017 përkon me mbajtjen e zgjedhjeve e përgjithshme parlamentare ku Partia Socialiste u shpall fituese pasi më herët ishte në koalicion qeverisës me Lëvizjen Socialiste për Integrim si dhe lëvizjet në administratë që pasuan ato.
Në konferencën e parë për shtyp pas marrjes së detyrës, në fillim të tetorit 2017, pak pasi PS kishte fituar zgjedhjet, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj njoftoi se kishte urdhëruar shkarkimin e 8 drejtorëve të burgjeve në Rrogozhinë, Lushnjë, Peqin, Sarandë, Lezhë, Berat, Durrës, Lushnjë dhe Tepelenë.
Nga verifikimi i vendimeve të Gjykatës Administrative të Apelit që INA bëri, rezulton se një pjesë e zyrtarëve të lartë të DPB janë shpallur fitues të proceseve gjyqësore pikërisht pas shkarkimeve në vitin 2017.
Vetë Ministria e Drejtësisë, ka paguar 47,644,966 lekë për dëmshpërblimin e të shkarkuarve nga puna pas proceseve gjyqësore në harkun kohor 2014–2020.
Pas një kërkese për informim, Ministria e Drejtësisë tha se ka trajtuar gjithsej 16 çështje gjyqësore administrative për heqje nga puna të punonjësve të administratës, për të cilët është dashur të paguajë dëmshpërblim financiar kundrejt palës paditëse.
Ministria e Drejtësisë raporton gjithashtu se ka akumuluar në kuadër të dëmshpërblimeve për shkak të pushimit nga puna në vlerën e 3,284,262 lekëve.
‘Fshesa’ e largimeve edhe brenda një mandati qeverisës
Largimet nga puna në administratën publike nuk ndodhin vetëm gjatë ndryshimeve të qeverive, por edhe brenda një mandati qeverisës.
Rasti tjetër që INA sjell, i përket një zyrtari të lartë në Ministrinë e Brendshme, i cili pas largimit nga detyra të Fatmir Xhafajt në fillim të nëntorit 2018 dhe emërimit të Sandër Lleshajt, e gjeti veten të papunë.
Pas ankimimit të vendimit në Gjykatën Administrative të Tiranës, ish-zyrtari i Ministrisë së Brendshme, i cili zotëronte edhe statusin e “Nëpunësit civil të nivelit të lartë drejtues” në bazë të Kodit të Punës u dëmshpërblye me 12 paga, duke u emëruar më pas në një tjetër institucion të administratës publike.
13,3 miliard lekë në 7 vite
Shpenzimet pas vendimeve gjyqësore për shkarkimet e padrejta nga puna i kanë kushtuar taksapaguesve shqiptarë 13,3 miliard lekë (rreth 108 milionë euro) në 7 vitet e fundit.
14,487 fatura të paguara
Sipas të dhënave nga Thesari i Shtetit rezulton se në 7 vitet e fundit janë dëmshpërblyer 14,487 punonjës të shkarkuar padrejtësisht.
Institucionet problematike
Nga përpunimi i të dhënave, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, Bashkia Tiranë, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Brendshme, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Kuvendi, Ministria e Mbrojtjes dhe ajo e Drejtësisë rezultojnë ndër institucionet më problematike për sa i përket dëmshpërblimeve për shkarkim të padrejtë të punonjësve.
Në total, për harkun kohor 2014 këto 10 institucione kanë shpenzuar 4,693,523,362 lekë (më shumë se 38 milionë euro).
Vetë Ministri e Financave dhe Ekonomisë, institucioni kyç në menaxhimin e financave publike raporton shpenzime të konsiderueshme për shkak të shkarkimeve nga puna të punonjësve.
Në harkun kohor 2014-2020, MFE ka shpenzuar 195,424,895 lekë në formë dëmshpërblimesh për shkarkimin e padrejtë të punonjësve.
MFE raporton gjithashtu se akumuluar 9,573,622 lekë detyrime të prapambetura për shkak të vendimeve gjyqësore për shkarkimet nga puna.
Presidenca rezulton ndër institucionet më pak problematike për sa i përket dëmshpërblimet për shkarkimin e punonjësve.
Në një përgjigje për INA, Presidenca komunikoi ka shpenzuar 838,824 lekë për dëmshpërblimin e vetëm një punonjësi me 14 paga në gjithë harkun kohor 2014-2020. Presidenca shtoi gjithashtu se nuk ka akumuluar detyrime të prapambetura për vendimet gjyqësore.
Qindra fatura ende të pa paguara
Ministria e Financave i tha INA se deri në fund të vitit 2020 vlera e detyrimeve të prapambetura pas vendimeve gjyqësore ishte në vlerën e 9,335,433,234 lekëve (më shumë se 75 milionë euro).
Fatura pritet të rritet pasi, siç raportoi në një përgjigje për INA Gjykata Administrative e Apelit Tiranë, një numër i lartë çështjesh për sa i përket shkarkimeve nga puna në administratën publike vijojnë të jenë në proces gjykimi.
Punësimet politike ulin shpresat për një administratë profesionale
Problematika me shkarkimet e padrejta nga puna u parashtrua në progres-raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë të publikuar në muajin tetor të vitit të shkuar.
“Për shkak të një kuadri legjislativ të fragmentuar, ende nuk ka standarde uniforme për rekrutimin, ngritjen në detyrë e bazuar në merita dhe shkarkimin në të gjithë administratën publike. Zbatimi i duhur i ligjit për nëpunësin civil kërkon më shumë përpjekje në nivelin vendor. Në vitin 2019 janë regjistruar 896 shkarkime të nëpunësve civilë, një rritje kjo e konsiderueshme krahasuar me 568 shkarkime në vitin 2018”, thuhej në progres-raportin e Komisionit Europian.
Institucionet nuk deklarojnë të gjitha detyrimet
INA pyeti Kontrollin e Lartë të Shtetit lidhur me auditimet dhe konstatimet në vite për sa i përket faturave për pagesat e dëmshpërblimeve e të shkarkuarve padrejtësisht nga puna.
“Vetëm për vitin 2019, vlera për largimin e padrejtë të punonjësve nga puna nëpërmjet llogarive të shpenzimeve operative vlerësohet në rreth 1,2 miliardë lekë”, tha KLSH.
KLSH i tha INA se problem mbeten edhe detyrimet e prapambetura si pasojë e vendimeve gjyqësore për shkarkimin e padrejtë të punonjësve.
“Kemi konstatuar devijanca në vlerat e raportuara të detyrimeve progresive thuajse nga të gjitha institucionet. Detyrimet e prapambetura dhe vendimet gjyqësore për largimet nga puna kanë qenë problematika të cilat janë trajtuar edhe në raportet mbi zbatimin e buxhetit të vitit 2017, 2018 dhe 2019, duke theksuar se vendimet gjyqësore të formës së prerë nuk raportohen në mënyrë të plotë dhe nuk deklarohen si shpenzim në kundërshtim me nenin 61 të ligjit “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në R.SH.”
Asnjë zyrtar i kallëzuar
Kontrolli i Lartë i Shtetit tha gjithashtu se në 7 vitet e fundit nuk ka depozituar asnjë kallëzim penal kundrejt ndonjë institucioni të pushtetit vendor apo atij qendror për shkak të heqjes së padrejtë nga puna të punonjësve të administratës publike.
Njëjtë si KLSH, edhe Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare ka vendosur të mbyllë sytë përballë këtij fenomeni. Në një përgjigje për INA ky institucion u shpreh se nuk kishte kryer asnjë kallëzim ndaj zyrtarëve, veprimet e të cilëve kanë sjellë dëm në buxhetit e shtetit.
Nga ana tjetër, Institucioni i Avokatit të Popullit i tha INA se në harkun kohor 2017-2020 ka regjistruar 127 ankesa nga individë të ndryshëm nën pretendimin e shkarkimit të padrejtë nga puna dhe ka bërë 7 rekomandime ndaj institucioneve të ndryshme mbi shkarkimet e padrejta të punonjësve.
Nevoja për përgjegjësi të zyrtarëve që shkaktojnë dëm ekonomik
Drejtuesi i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike, Zef Preçi argumenton se veprimtaritë arbitrare të zyrtarëve po krijojnë një gropë të madhe në buxhet.
“Institucionet në vend paguajë rreth 15 milionë euro çdo vit për të dëmshpërblyer të shkarkuarit nga puna. Këto janë shuma që shkojnë sa buxheti në një vit i disa institucioneve. Po krijohet një gropë e madhe në buxhet që po i shtohet dëmit të përgjithshëm ekonomik. Kemi evidentuar raste kur shkarkimet e punonjësve jo vetëm që janë kryer jashtë kuadrit ligjor, por edhe pa paralajmërim”, tha Preçi.
Preçi argumentoi gjithashtu se ndryshimet ligjore kanë bërë që detyrimet e prapambetura të kthehen në një ‘gangrenë buxhetore’.
“Ndryshimet ligjore që qeveria aktuale kreu krijojnë hapësira për shtimin e detyrimeve të prapambetura. Për aq kohë sa asnjë zyrtar nuk ngarkohet me përgjegjësi penale për shkaktim dëmi ekonomik institucionet përmes shkarkimit të padrejtë të punonjësve, zgjidhjet mund të jenë te ndryshim i kuadrit ligjor ose kalimi për kompetencë e këtyre lloj çështjeve te Gjykata e Lartë me qëllim që të krijohet një precedent”, thotë ai.
Avokati Ermal Hamataj, teksa pohon se një pjesë e konsiderueshme e çështjeve gjyqësore ku ai është i përfshirë bëhet pikërisht për shkarkimet e padrejta nga puna, argumenton se në shumë raste proceset kthehen në orvatje për paditësit.
“Ka raste ku institucioni i paditur, me vendim gjykate detyrohet të dëmshpërblejë palën paditëse. Zyrat juridike të institucioneve ankimojnë vendimet në shkallët e tjera të gjykatave me qëllim zvarritjen e procesit, edhe pse e dinë paraprakisht që vendimi i shkallës së parë do mbesë në fuqi, e deri këtu na ka problem. Problemi qëndron kur edhe pas vendimit të formës së prerë të gjykatës, institucioni nuk e dëmshpërblen paditësin e kështu ky i fundit edhe nëpërmjet përmbaruesit nuk arrin të marrë dëmshpërblimin brenda afateve të përcaktuara”, i tha INA avokati Hamataj.
Për juristin Adriatik Lapaj, mospasja e dispozitave ligjore të përcaktuara ‘inkurajon’ zyrtarët të ndërmarrin veprime joligjore që përkthehen më pas në kosto për taksapaguesit.
“Në Republikën e Shqipërisë nuk ka një ligj të posaçëm që të ketë si objekt të vetin të drejtpërdrejtë rregullimin e marrëdhënieve në rastet e përgjegjësisë për heqjet e padrejta nga puna. Aktualisht ekziston një rregullim i pjesshëm që bëhet nga neni 4 i ligji Nr. 8510, datë 15.07.1999 ‘Për përgjegjësinë jashtë kontraktore të organeve të administratës shtetërore’ i cili bën fjalë për përgjegjësinë vetjake të punonjësve të administratës shtetërore dhe konkretisht përcakton”, shprehet ai.
Lapaj thotë se mund dhe duhet të ketë rregullime ligjore me qëllim të frenimit të fenomenit të shkarkimit nga puna.
“Problematika është shqetësuese ndaj kërkon rregullim të posaçëm. Ligji duhet të rregullojë me kujdes këtë problematikë që i shkakton buxhetit të përbashkët miliarda lekë çdo vit dhe e gërryen administratën tonë duke mos e lënë të formatizohet. Ligji duhet të jetë i kujdesshëm që njëkohësisht të krijojë mekanizmat e duhura për të ndalur abuzimin nga drejtuesit në sektorë të ndryshëm të funksionimit të shtetit për heqjen e punonjësve padrejtësisht nga puna, por njëkohësisht nuk duhet të kthehet në mjet mes të cilit punonjësit abuzues të marrin mbrojtje që ta bëjë heqjen e tyre thuajse të pamundur”, argumenton Lapaj.