Tregu i fajdeve lulëzon mes krimit dhe pastrimit të parave

I fshehur pas kontratave për njohje të borxheve të vjetra, shit-blerjeve të aksioneve apo pasurive të paluajtshme, tregu i paligjshëm i fajdeve po e kanalizon paranë e pistë drejt bankave si të ligjshme. Ekspertët gjykojnë se ka të dhëna që dëshmojnë se “fajdetë” po përdoren nga grupet kriminale, duke krijuar një “ekonomi paralele”.

Autore: Bleona Metushi

Një borxh i marrë te një mik në formën e fajdeve rrezikoi ta çonte drejt humnerës financiare një 31-vjeçar nga qyteti i Tiranës. Pas 2 vitesh të mbushura me pagesa të larta përqindjesh, i riu vendosi ta denonconte “mikun e fajdeve”.

“I lashë peng orën time Audemars de Piguet, që kushtonte 2 mijë euro dhe makinën e së fejuarës”, – rrëfen për hetuesit 31-vjeçari për fajdenë e fundit që kishte paguar, para se të bënte denoncimin. Gjithçka nisi në vitin 2016, kur i mori me fajde një miku 2.300 euro.

“Ia kam kthyer shumën që i kam marrë borxh disa herë,madje kam paguar shuma disa herë më të mëdha se ajo që kisha borxh”, – përfundon rrëfimi i të riut, i zbardhur nga INA MEDIA nëpërmjet materialeve hetimore.

Në vitin 2020, dy vite nga kallëzimi, Gjykata e Tiranës e dënoi “shokun” e 31-vjeçarit me 100 mijë lekë gjobë për ushtrim të veprimtarisë financiare pa licencë.

Fenomeni i njohur gjerësisht në zhargonin e përditshëm si “fajde” po njeh një lulëzim të pazakontë. Një duzinë vendimesh që INA MEDIA disponon, tregojnë se tregu i fajdeve është përhapur në të gjithë vendin, ndërsa ekspertët e lidhin kryesisht me bosët e krimit dhe pastrimin e parave, por nuk mungojnë as rastet, kur shihet si një mundësi e fitimit të shpejtë.

Me interesa marramendëse, që shkojnë deri në 20% në javë, fajdetë shërbejnë si një skemë e mirëfilltë vjedhjeje për prona të paluajtshme apo biznese nëpërmjet kontratave fiktive të blerjeve apo dhurimit.

“Rastet kryesore, që ne kemi zbuluar, lidhen me eksponentë të krimit të organizuar, të cilët, krahas kësaj veprimtarie, janë të skeduar edhe për aktivitete kriminale të natyrave të ndryshme. Gjithsesi, kjo vepër kryhet edhe nga persona apo individë të veçantë, të paorganizuar, me lakmi për të shtuar paratë e pasuritë e tyre”, – pranon kreu i Krimit Ekonomik në Policinë e Shtetit, Lutfi Minxhozi.


Lutfi Minxhozi, Kreu i Krimit Ekonomik në Policinë e Shtetit

Shqetësimin se këto grupe kriminale, që veprojnë me dhënien e fajdeve për të krijuar terren për legalizimin e pasurisë, e ngre edhe eksperti i sigurisë, Fatjon Softa.

“Klanet mafioze shfrytëzojnë kushtet ekonomike dhe strukturore të vendit tonë për të depërtuar në strukturën e biznesit shqiptar dhe për të sistemuar bizneset e tyre të paligjshme. Duke vepruar kështu, ata krijojnë një “ekonomi paralele” në gjysmë të rrugës midis legales dhe së paligjshmes, të ashtuquajturën “zona gri”, – shpjegon Softa për INA MEDIA-n.

Lulëzimi i fajdeve

Lulëzimi i fajdeve ndihmohet nga terreni i vështirë, në të cilin po lëviz ekonomia shqiptare. Si pasojë, ato biznese, që nuk gjejnë rrugë ligjore për të marrë kredi nëpër banka për shkak të kritereve të rrepta, i drejtohen aktivitetit të paligjshëm të fajdeve.

Krimi i organizuar ka ecur në këtë drejtim dhe eksperti i sigurisë, Fatjon Softa, është i bindur se fajdetë, njësoj si zhvatja, janë pjesë e një skeme të gjerë, që organizatat kriminale zbatojnë për të përfituar avantazhe ekonomike apo për të marrë pushtet përmes dhunës dhe kanosjes.

“Një ndryshim thelbësor midis këtyre dy krimeve është objektivi: zhvatja funksionon më mirë dhe më efektivisht në territoret me vitalitet të lartë ekonomik, në krahasim me fajdenë, e cila përkundrazi lulëzon në kushtet e një krize dhe vështirësish ekonomike”, – shpjegon Fatjon Softa.

“Krimi në fakt është në gjendje t`i identifikojë nevojat e njerëzve dhe bizneseve, duke ofruar financime ndaj atyre,të cilëve iu refuzohet ndihma nga kanalet ligjore të kredisë”, – shton më tej ai.

Të dhënat e Policisë së Shtetit, të siguruara nga INA MEDIA nëpërmjet kërkesave për informim, tregojnë një trend rritës të referimeve në prokurori gjatë 4 viteve. Në vitin 2019, policia thotë se ka zbuluar në të gjithë vendin 39 raste të dhënies së parave me fajde, me 64 autorë, mes të cilëve 29 janë arrestuar. Në vitin 2020, numri i rasteve të zbuluara është 49, me 56 autorë. Në vitin 2021, janë zbuluar 54 raste, me 60 autorë dhe viti 2022 duket se ka kurbën më të lartë. Deri në muajin shtator janë zbuluar 49 raste dhe janë referuar 66 autorë.

Nga ana tjetër, të dhënat zyrtare nga prokuroritë e rretheve tregojnë se numri i procedimeve në krahasim me referimet e policisë është shumë më i ulët. Gjatë viti 2022, nga 49 raste të referuara, vetëm 12 janë regjistruar si procedim, me 5 të pandehur. Që prej vitit 2019 e në vijim prokuroria ka pasur të regjistruara çdo vit nga 17 deri në 22 raste të hetimeve për çështje që lidhen me fajdetë, ndërkohë referimet kanë qenë shumë më të larta.


Fatjon Softa, Eksperti i Sigurisë

Për drejtuesin, Lutfi Minxhozi, problemi kryesor në goditjen e kësaj veprimtarie është mungesa e referimeve në polici dhe prokurori.

“Të dyja palët bien në marrëveshje mes tyre,si pala që jep pará me fajde, ashtu edhe pala që e merr”, – thotë Minxhozi, i cili shpjegon se rastet e denoncuara janë ato që kalojnë në kanosje dhe kërcënime nga mungesa e shlyerjes së borxhit.

Edhe pse Policia e Shtetit beson se rritja e rasteve të goditura nuk tregon përhapjen e fenomenit, të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se trendi i borxhit informal, parasë së marrë në dorë, ka ardhur po ashtu në rritje.

Anketat e bëra përgjatë vitit 2019 me mbi 2 mijë familje, treguan se në 43% të rasteve kishin marrë borxh në dorë, jashtë sistemit bankar. Në vitin 2020 anketa u bë me mbi 1 mijë familje dhe në rreth 46% të rasteve huamarrja deklarohej në formën e parasë në dorë. Ndërkohë, në vitin 2021 gjysma e mbi 1 mijë familjeve të anketuara deklaruan se kishin marrë borxh dhe e kishin marrë atë në formën e parasë në dorë në 51% të rasteve.

Edhe pse jo i gjithë borxhi i marrë jashtë sistemit bankar është në formën e fajdeve, ai krijon terrenin që ky fenomen të jetë i shtuar.

Për ekspertin e ekonomisë, Pano Soko, mbi 90% e borxhit informal është pará e marrë nëpërmjet fajdesë ose në forma të ngjashme me të.

“Aktualisht që flasim, mbi 90% e borxhit efektiv, që jepet jashtë sistemit formal të kreditimit, është në formë fajdeje apo në forma shumë të ngjashme me të”, – shpjegon Soko.


Pano Soko, Ekspert Ekonomie

“Në shumë raste borxhi, që shohim në deklarime pasurish, deklarime të ardhurash të tipit “mora x mijë euro borxh te vëllai dhe bleva dy apartamente”, është fiktiv, nuk është marrë realisht. Prandaj, zhveshur nga kjo, nëse i referohemi borxhit real, të dhënë jashtë sistemit, me pará në dorë, mbi 90% e tij është fajde ose një formë e ngjashme me fajdetë”, – shpjegon më tej Soko.

Krimi Ekonomik në Policinë e Shtetit ka tashmë një hartë të qyteteve, ku veprimtaria e paligjshme e fajdeve është më problematike. Shkodra kryeson listën, e ndjekur nga Tirana, Fieri e Lezha.

Eksperti i ekonomisë, Zef Preçi, e shikon me shqetësim këtë fenomen, i cili, sipas tij, ka disa arsye që po fiton terren.

“Kriza ekonomike, botërore dhe ndikimi i saj mbi ekonominë shqiptare, vështirësimi i kushteve të marrjes së huave të ligjshme në bankat tregtare, paqartësia e politikave fiskale dhe nxitja e tërthortë e zgjerimit të kriminalizimit të ekonomisë përmes shpalljes së të ashtuquajturës “amnisti fiskale” të aseteve, si dhe penale, janë ndër motivet kryesore të kësaj situate”, – argumenton Preçi.


Zef Preçi, Eksperti i Ekonomisë

“Borxh janë 175.000 euro, pa fajde. Tashti, 65 janë marrë në Luksemburg, i kam marrë me duart e mia. Ia kam pru Tanit 65.000 euro dhe 100.000 euro lekë cash, pa fajde. Fajde janë 40.000 euro”, – është kjo një nga bisedat e shumta, të regjistruara nga Prokuroria e Shkodrës, në përpjekje për të zbërthyer një rrjet që jepte pará me fajde në këtë qytet dhe që INA MEDIA e zbardh nëpërmjet dokumenteve hetimore.

Denoncimi u bë nga biznesmeni i njohur në Shkodër, Paulin Radovani, i cili nuk arriti ta përballonte presionin që i bëhej, për shkak se djemtë e tij kishin marrë pará me fajde. Të dhënat e siguruara nga Prokuroria e Shkodrës për këtë dosje tregojnë se vlerat monetare jepeshin me interesa shumë të larta, që varionin nga 3%-20% në javë dhe në rast të mos-shlyerjes nëpërmjet kontratave të dhurimit apo blerjes fiktive ata merrnin në posedim prona dhe biznese.

Interesat e larta, sipas Fatjon Softës, përdoren, me qëllim që personi, që ka marr huan, të mos e shlyejë dot.

“Norma e interesit bëhet vetëm një nga mjetet e shumta që krimi shfrytëzon për të përvetësuar bizneset dhe për të hyrë në tregun e ligjshëm, duke depërtuar në strukturën e biznesit”, – thotë Softa.

Nëpërmjet shifrave të rrëfyera nga vetë Paulin Radovani, por edhe të kapura në përgjimet e prokurorisë, vlera monetare e qarkulluar cash në formën e fajdeve, vetëm nëpërmjet fëmijëve të Radovanit, shkon në afro 1 milion euro, shifër që rritet me përqindjen në kthim.

INA MEDIA mësoi se 2 nga personat e hetuar në këtë dosje janë dënuar me marrëveshje fajësie, duke e zgjedhur më pas vetë masën e dënimit. Për 6 të pandehur të tjerë ende nuk është dalë në një përfundim, që nga nisja e hetimeve në mars të vitit 2019.

Në materialet që INA MEDIA disponon, Policia dhe Prokuroria e Shkodrës thonë se personat e implikuar në këtë veprimtari kanë qenë dhe janë të skeduar edhe për krime të tjera.

“Janë përfshirë në disa ngjarje të tjera kriminale në drejtim të krimeve kundër personit, si plagosje me armë zjarri, kanosje, vetëgjyqësi në shtrëngimin e personave në marrjen e parave në shuma të mëdha,duke i detyruar në rast moskthimi të shumave të parave të dhëna, që të lënë peng pasuritë, si dyqane, banesa, automjete”, – theksohet në materialin hetimor.

Në një pjesë të konsiderueshme të rasteve, fenomeni i fajdeve është i pandarë nga aktivitete të tjera kriminale të individëve që e ushtrojnë atë. Nëpërmjet kësaj forme gjurmohet edhe nga policia. Por, kategorizimi si një kundërvajtje penale çon në dënime shumë të ulëta edhe për individë apo persona që kanë një të shkuar dhe përfshirje në aktivitet kriminal.

“Kur ky fenomen ushtrohet nga grupet kriminale, strukturat përgjegjëse për veprat penale më të rënda ndjekin edhe veprat e tjera më të lehta. Ushtrimi i aktivitetit financiar pa licencë është në kufijtë e kundërvajtjes penale”, – thotë kreu i Drejtorisë së Krimit Ekonomik.

Fajde me noter

Policia e Shtetit arrestoi shtetasin kosovar, Qerim Krasniqi, me dyshimet se kishte mashtruar një biznesmen që vepronte në fushën e hotelerisë në Tiranë. Kur çështja shkoi në gjykatë, u zbulua se përveç mashtrimit për marrjen e një shume me premtimin e investimeve në kripto-monedha, ishin dhënë edhe pará me interes. Para gjykatës Krasniqi pranoi se shuma e marrë ishte 70 mijë euro, por për shkak të interesit kontrata ishte firmosur jashtë zyrës për 160 mijë euro.

Kontratat noteriale u konstatuan se ishin përdorur si mjet për të ligjëruar paratë dhe pronat e fituara nga fajdetë, edhe në dosjen voluminoze në Shkodër. Dhjetëra kontrata noteriale, të firmosura me persona që nuk ekzistonin apo që ndodheshin jashtë vendit, por edhe me identitetet reale të përfituesve, u gjetën si fiktive dhe të bëra në shkelje nga noterët.

Nënkryetari i Dhomës Kombëtare të Noterëve, Fatmir Laçej, pranon për INA MEDIA-n se rastet, kur fajdexhinjtë kërkojnë të noterizojnë borxhet, kohët e fundit janë shtuar. Megjithatë, ai shton se ato kanë ekzistuar gjithmonë në shoqërinë tonë dhe noterët nuk kanë shumë për të bërë në këto raste.

“Është një problem goxha i zgjeruar kohët e fundit. Janë të shumta rastet. Kryesisht vijnë si deklarata për njohjen e një borxhi ose dhënie huaje”, – thotë Laçej, i cili shton se noteri nuk mund t’i refuzojë, por ka detyrimin t`iu kujtojë ligjin.


Fatmir Laçej, Nënkryetar i Dhomës së Noterëve

“Noteri ka detyrimin t’iu kërkojë palëve që çdo gjë të jetë formale, t`iu sugjerojë që transaksionin ta bëjnë në bankë, si dhe që shuma nuk duhet të përmbajë përqindje”, – sqaron ai.

Ligji për “Parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit” i detyron noterët, në rastet kur shumat janë të mëdha, të vënë në dijeni Drejtorinë e Pastrimit të Parave.

Kontratat për njohje borxhi kanë qenë më të shpeshta, në kohën kur të hapura kanë qenë lotot dhe bastet. “Vinin gjithmonë pasdite, deklaronin vlera të ulëta dhe bënin disa deklarata të tilla në noterë të ndryshëm, që vlera monetare të mos kalonte 1 milion lekë të reja,kështu noteri nuk e deklaron si pará fizike në Drejtorinë e Parandalimit të Pastrimit të Parave”, – shpjegon Elona Saliaj, notere.

Për Saliajn një akt nënligjor, që thekson rëndësinë e kujdesit, që duhet të tregojnë noterët në të tilla raste, është i nevojshëm.


Elona Saliaj, Notere

Saliaj shpjegon se kontratat kryesisht bëhen të kamufluara për njohje borxhi apo kthim borxhi të vjetër. Sipas saj, duhet bërë dallimi midis “borxhit” mes familjarëve apo miqve dhe atyre që jepen për arsye kriminale.

“Gjatë gjykimit mund të dalë edhe arsyeja e vërtetë e dhënies së këtyre vlerave. Mund të jenë me interes, në mashtrim, me penalitet të lartë ose janë bërë për qëllim përfitimin e një pasurie në emrin e tyre, e cila me çmim tregu është më e lartë sesa detyrimi që ata i kanë personit që ia njohin huan. Kjo ndodh, nëse personi huamarrës është në pamundësi pagese ose shtresë vulnerabël”, – shpjegon ajo.

Tregues që kontratat noteriale për njohje, dhënie dhe kthim borxhi fshehin edhe fajde, janë edhe proceset gjyqësore.

“Personat shkojnë në gjykatë dhe kërkojnë, jo vetëm principalin, por edhe interesat,që nuk janë gjë tjetër veçse fajde të përcaktuara në mendjen e tyre dhe në marrëveshjet jashtë zyrës”, – aludon nënkryetari i Dhomës së Noterëve.

Pastrimi i parave

Kontratat për njohje dhe shlyerje të borxheve të vjetra apo shit-blerja e pronave të paluajtshme, e makinave, marrja e aksioneve në kompani, e kanalizon paranë e pistë drejtë bankave si të ligjshme. Drejtuesi i Krimit Ekonomik në Policinë e Shtetit, Lutfi Minxhozi, pranon për INA MEDIA-n se fajdetë mund të prodhojnë edhe krime të tjera kundër jetës, por më shqetësuesi mbetet pastrimi i parave.

“Origjina e këtyre parave është e dyshimtë dhe e lidhur ngushtë me veprimtarinë e personave apo grup-personave,të cilët ushtrojnë aktivitetin e fajdeve. Kjo përbën dyshim më vete dhe indicie për nisje të hetimeve”, – shpjegon Minxhozi, i cili thotë se në 9 muaj kanë referuar 29 raste, ku është kërkuar hetim për pastrim parash me bazë veprën penale të ushtrimit të aktivitetit financiar pa licencë.

Sipas tij, rastet që kanë pasur në hetim, kanë treguar se këto pará e kanë origjinën nga trafiqet, nga lojërat e fatit, por edhe nga aktivitete të tjera, kriminale. Lëvrimi i parasë së pistë dhe injektimi i saj në treg është problemi kryesor edhe për ekspertët e ekonomisë.

“Burimi kryesor i të ardhurave, që përdoren për dhënie fajdesh, janë pará që vijnë nga aktivitete informale dhe shpesh kriminale. Ky është një problem shumë i madh, sepse nëpërmjet fajdeve arrin të mbahet në qarkullim dhe të shumëfishohet paraja e pistë, që përdoret për të prodhuar edhe më shumë pará të pistë”, – këmbëngul Soko.

Sipas tij, institucionet financiare nuk kanë asgjë në dorë për ta kufizuar këtë fenomen, pasi bankat nuk mund të ekspozohen më tepër sesa një nivel i caktuar risku, qoftë në procedurë apo në kohën e dhënies së kredive.

“Të vetmet, që mund të bëjnë diçka për ta frenuar fenomenin, janë policia dhe prokuroria. Bankat dhe institucionet financiare nuk mund të bëjnë asgjë”, – shpjegon eksperti e ekonomisë.

Fajdet kopjojnë tregun e kredive

Dy qytetarë në Tiranë, të lidhur me tregun e fajdeve, si persona që kanë marrë pará me interes, thonë se sjellja e personave, që japin fajde, ndryshon në raport me ata që i marrin ato.

“Personat që kanë garanci, marrin trajtim më të mirë. Nëse ke një pronë, të cilën e lë garanci, edhe përqindja javore është më e ulët dhe toleranca në pritje më e gjatë”, – tregon në kushtet e anonimatit i riu, afër të 35-ave. Ai u përfshi në rrjetën e marrjes së parave me fajde për shkak të lojërave të fatit dhe iu deshën të paktën 6 vite për të dalë nga skema.

“Ditën që ke këstin, ata të marrin në telefon. Personat, që nuk japin garanci dhe janë të përfshirë për shkak të bixhozit, marrin përqindje më të larta dhe, nëse kalon data, shkon deri në 500 euro dita”, – tregon më tej ai.

Një sipërmarrës në fushën e ndërtimit rrëfeu gjithashtu se për disa vite me radhë kishte qenë i lidhur me disa persona nga Laçi, nga të cilët merrte pará me fajde për menaxhimin e biznesit.

“Në këto vite 400 mijë euro kanë qenë vetëm interesat e paguara”, – tregon ai për INA MEDIA-ndhe shton se përqindja ka qenë deri në 7%.

Fajdetë në fushën e ndërtimit nuk janë më raste të izoluara. Për noterin Fatmir Laçej, edhe pse në këtë sektor shkohet shumë rrallë drejt kontratave noteriale për shkak të shumave marramendëse, fenomeni është i ditur.

“Rastet, kur ato futen në sipërmarrjet e ndërtimit, janë të zhvilluara, por pak të evidentuara nga noterët, pasi bëhet fjalë për shifra jo të vogla. Zakonisht marrëveshja bëhet mes njëri-tjetrit dhe pagesa bëhet në natyrë, me sipërfaqe ndërtimi”, – shpjegon ai.

Por, një pjesë e qytetarëve shkojnë drejt fajdeve për shkak të lehtësirave në kohë.

“Marrësit e fajdeve në të shumtën e rasteve janë hallexhinj, por edhe persona që kanë nevojë për pará, pasi bëjnë jetë mbi kapacitetet e tyre financiare. Ata kanë ambicie për të kapur paranë e madhe, bixhozxhinj apo përdorues droge”, – thotë Lutfi Minxhozi,

Lehtësirat në lëvrimin e parasë shihen si “kurthi” që gjithnjë e më shumë po i drejton qytetarët drejt parave në dorë, me interes.

“Një fajde e merr për një orë, për një kredi të duhen të paktën 3-4 ditë minimumi. Një fajde e merr thjesht me njohje, pa pasur nevojë të paraqesësh prova kolaterali, analizë të ardhurash, mbështetje kolaterale etj.;një fajde e merr, edhe nëse ke marrë 3,4 apo 5 fajde të tjera apo nëse ke qenë apo jo korrekt me shlyerjen e lekëve te fajdexhinjtë e tjerë”, – argumenton Pano Soko.

Sipas tij, fenomeni i fajdesë lidhet me “tablonë e panoramës së vendeve të pazhvilluara” apo vendeve të varfra, me nivel kulturor dhe emancipim të ulët,financiar, por me nivel të lartë informaliteti dhe institucione të dobëta, ligjzbatuese.

“Ky është sfondi, ku këto fenomene gjejnë tokë pjellore për t`u rritur”, – përfundon ai.

SHARE THIS POST

Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin

RELATED POSTS