Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor tenderoi 489.9 milionë lekë pa TVSH për rikonstruksionin e pikave të kolaudimit të automjeteve, në një kohë kur investimi duhej të ishte bërë nga koncesionari. Kjo shumë është disa fish më e lartë se investimi fillestar, i bërë nga SGS, që sipas kontratës arrinte në 293.6 milionë lekë. Thuajse në të gjitha rastet shuma e shpallur fituese nga DPSHTRR është 100% e fondit limit.
Autorë: Ervin Postoli, Fatmira Bajrami dhe Emi Kalaja
Dhjetorin e vitit 2020, Hyseni duhej t’i drejtohej Qendrës së Kontrollit Teknik, për të rinovuar certifikatën e kolaudimit, por ai u përball me një sërë paqartësish në procedura. Shërbimi ishte në proces transferimi nga kompania koncesionare, Société Générale de Surveillance (SGS), te institucionet shtetërore.
“Ishte gati fundi i vitit dhe kishte informacione kontradiktore për kolaudimin. S’dinim ç’të bënim”, – kujton ai.
Ngjashëm me Hysenin të gjithë drejtuesit e mjeteve, që duhet të rinovonin certifikatat e kontrollit teknik të automjeteve në atë periudhë, nuk kishin njoftim të saktë se si duhet të vepronin. Vetëm në ditët e para të vitit 2021 përmes një ndërhyrjeje të qeverisë u përcaktua zgjatja me 3 muaj e afatit të vlefshmërisë së kësaj certifikate.
E teksa shërbimi u pezullua, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor ndërmori një proces rikonstruksioni të godinave të kontrollit teknik të sapo-transferuara, duke i hapur rrugë tenderëve qindra-milionësh me paratë publike.
Të dhënat e mbledhura nga Investigative Network Albania tregojnë se këto investime ishin kryer më herët nga koncesionari, çka reflektohet edhe në gjendjen fizike të QKT-ve në terren. Paralelisht, gjatë gjithë periudhës së koncesionit nuk ekziston asnjë penalitet nga shteti për kompaninë private, çka, sipas ekspertëve, ka “certifikuar” cilësinë e shërbimit.
Koncesion dhe tenderë
Kontrata e koncesionit, “Për shërbimin e kontrollit të detyrueshëm, teknik të mjeteve rrugore me motor dhe rimorkiove të tyre”, u lidh në shtator të vitit 2009, midis kompanisë SGS dhe Ministrisë së asaj kohe të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit.
Koncesioni nënkupton që fillimisht privati kryen investimin dhe pas përdorimit për një periudhë të caktuar duhet t’i transferojë shtetit një shërbim funksional.
Për këtë arsye kontrata e vitit 2009 përcakton se koncesionari duhet të investonte rreth 561 milionë lekë, nga të cilat 267.4 milionë lekë për pajisjet elektromekanike dhe kompjuterike.
Gjithashtu, koncesionari detyrohej që brenda 3 viteve të fundit të periudhës së koncesionit të ri-investonte një shumë prej 172 milionë lekësh me qëllim mirëmbajtjen e makinerive, pajisjeve dhe sistemit kompjuterik të QKT-ve.
Kjo normë ri-investimi duhet të siguronte që Qendrat e Kontrollit Teknik të jenë gjithnjë në funksionim të mirë.
“Kjo vlerë është kusht i panegociueshëm i kontratës dhe nuk mund të ndryshohet në rast të ndryshimit të kontratës”, – theksohet në dokument.
Për ekspertët e ekonomisë këto janë klauzola të njëjta për çdo marrëveshje koncesionare, që e detyrojnë koncesionarin që t`ia lërë investimin shtetit në gjendje të mirë pune.
“Ka një parim që, në momentin që koncesionari mbaron periudhën e koncesionit në favor të pronarit-shtet, ai është i detyruar të kujdeset që gjendja, në të cilën po lëshon objektet, asetet dhe çdo gjë që lë në posedim të pronarit-shtet, të jetë në gjendjen më të mirë të mundshme, operative”, – shpjegon eksperti i ekonomisë, Pano Soko.
Në fakt, kontrata e koncesionit për shërbimin e kontrollit teknik të automjeteve përcakton qartë se, në momentin e dorëzimit qendrat duhet të jenë në gjendje të arsyeshme mirëmbajtjeje, pastërtie dhe pamjeje, duke marrë parasysh vjetërsinë dhe amortizimin e arsyeshëm, si dhe brenda parametrave teknikë për një funksionim normal në përputhje me destinacionin e tyre.
Por, ndryshe nga këto përcaktime, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, si institucioni i autorizuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për kryerjen e procedurave të transferimit të koncesionit, thotë zyrtarisht se shumica e godinave të marra në dorëzim janë të papërmirësuara, me lagështirë, jo të mirëmbajtura dhe të amortizuara.
Asnjëherë nuk mund të bëhet transferimi nga koncesionari te pronari-shtet, duke e lënë asetin në një gjendje të papranueshme dhe jo-operative. Nëse kjo nuk zbatohet, jemi në shkelje të ligjit”, – e komenton situatën Soko.
E pyetur nga INA MEDIA se cilat prej këtyre godinave i paraqesin këto kushte, DPSHTRR nuk pranoi t’i identifikojë ato.
“Pothuajse në të gjitha qendrat e kontrollit teknik në drejtoritë rajonale janë gjendur ambiente me lagështirë, jo të mirëmbajtura dhe të amortizuara, për të cilat Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor ka marrë masat për kthimin e tyre në normalitet”, – thuhet në përgjigjen me shkrim.
Në këtë kuadër, ky dikaster ka finalizuar procedurat tenderuese për rikonstruksionin e 11 godinave, nga 15 që janë në total.
Tenderë janë hapur për rikonstruksionin e kapanonit për kryerjen e identifikimit teknik dhe fizik të mjeteve në Gjirokastër, Fier, Dibër, Shkodër, Vlorë, Laç, Korçë, Sarandë, Dimal dhe dy degët e Tiranës.
Shuma e tenderuar kap vlerën e 489.9 milionë lekëve pa TVSH, disa fish më e lartë se investimi fillestar, i bërë nga SGS, që sipas kontratës, duke zbritur shpenzimet për blerje pajisjesh kompjuterike e mekanike, arrinte në 293.6 milionë lekë.
Ajo që vihet re thuajse në të gjitha rastet shuma e shpallur fituese është 100% e fondit limit.
Por, ekspertët thonë se transferimi në këto kushte i një koncesioni është i pajustifikuar dhe bie në kundërshtim me kontratën që ofron garanci për palën shtetërore, në rast se koncesionari lë një shërbim jofunksional.
“Vazhdimi normal i aktivitetit është detyrimi bazë që kanë të gjitha palët e përfshira. Analiza se përse ndërmerret ky investim, në një kohë që po të vazhdonte privati, do të vazhdonte me atë investim të kryer dhe të certifikuar po nga pala shtetërore, ngre pikëpyetje të mëdha mbi legjitimitetin, argumentimin, bazueshmërinë dhe nevojën reale”, – thotë eksperti i ekonomisë, Zef Preçi.
Ndërkaq, Investigative Network Albania pa edhe nga afër shumicën e qendrave të kolaudimit, për të cilat janë zhvilluar tenderët e rikonstruksionit, duke përfshirë Tiranën, Shkodrën, Korçën, Vlorën, Gjirokastrën, Fierin apo Dimalin.
Pamjet e siguruara, përpara se në këto godina të niste rikonstruksioni, tregojnë qartë se gjetja e godinave të amortizuara është tejet e vështirë. Vetëm në rastin e Dimalit dhe të Fierit sheshi përpara godinës ishte me gropa, por në brendësi qendrat ishin në kushte normale shërbimi. Qendrat e kolaudimit në Dibër dhe në Laç ishte e pamundur të verifikoheshin, pasi në kohën e realizimit të këtij shkrimi kishin nisur punimet e rikonstruksionit.
Nga ana tjetër, të dhënat e siguruara nga INA MEDIA tregojnë se kompania ka zbatuar detyrimet kontraktuale, për të kryer edhe ri-investimin në 3 vitet e fundit të kontratës.
Sipas bilanceve të depozituara nga kompania SGS pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit, rezulton se në vitin 2017 është kryer ri-investim në vlerën e 121.9 milionë lekëve, ndërsa në vitin 2018, një investim prej 80.97 milionë lekësh, me një total prej rreth 203 milionë lekësh apo 30 milionë më tepër nga sa përcaktohej në kontratë.
Ndryshe nga këto të dhëna, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë pretendon se kompania SGS ka derdhur në Thesar vlerën e munguar të ri-investimit. Por, i pyetur nga INA MEDIA se sa është kjo vlerë, ky dikaster “vlerësoi se dhënia e këtij informacioni është në kundërshtim me dispozitën e konfidencialitetit të kontratës”.
“Në këto kushte, ndodhemi në rastin e kufizimit të informacionit të kërkuar, pasi konsiderohet konfidencial”, – thuhet në përgjigjen e MIE.
Paralelisht, ministria thotë se gjatë periudhës së koncesionit janë zhvilluar monitorime të vazhdueshme dhe “kundrejt konkluzioneve të paraqitura në akt-monitorime, shoqëria koncesionare ka bërë ndërhyrje për përmirësime në lidhje me cilësinë e inspektimeve, pajisjen e personelit me mjete mbrojtëse dhe zbatimin e rregullave të tjera të sigurisë, mbikëqyrjen e inspektimeve nga stafi drejtues i QKT-ve dhe riparimin në kohë të pajisjeve inspektuese”.
Ndërkohë që në asnjë rast nuk janë vendosur penalitete.
“Kontrata e koncesionit përcaktonte dhe penalitetet e zbatueshme për mospërmbushje të detyrimeve. Gjatë periudhës së koncesionit nuk ka patur ezaurim të procedurës së penaliteteve”, – thuhet në përgjigjen e MIE.
Ndërkohë që sipas Preçit, fakti që asnjëherë nuk janë ndërmarrë penalitete, tregon se shërbimi është certifikuar nga institucionet shtetërore.
“Pavarësisht se është ushtruar ky lloj shërbimi nga një kompani private, ky lloj shërbimi ka qenë i monitoruar hap pas hapi nga enti publik, përkatës (ministria dhe rregullatori), dhe në të njëjtën kohë ka qenë i raportuar te Tatimet, Taksat etj., dhe çfarëdolloj argumenti që mund të përdoret sot për investime serioze në infrastrukturë, në rastin konkret godina, ha diskutim për bazueshmërinë ligjore, sepse janë të njëjtat agjenci shtetërore që kanë certifikuar funksionimin e derisotëm”, – thotë eksperti.
Në fakt, edhe për ekspertët e sigurisë rrugore rikonstruksioni i godinave nuk sjell ndonjë vlerë në drejtim të rritjes së cilësisë së kontrolleve të automjeteve.
Po ashtu, ata shtojnë se deri më tani shërbimi i kolaudimit, edhe nga kompania SGS, ka garantuar sigurinë në rrugë.
“Nëse nuk do të kontrollohen dhe do të ndodhë një defekt teknik, për shkak se nuk është kontrolluar, siç duhet, është enti, i cili do të përgjigjet, sepse ka bërë një veprim jo konform procedurave dhe rregullave përkatëse, me të cilat rregullohet dhe disiplinohet veprimtaria e tyre”, – shpjegon eksperti i sigurisë rrugore, Artur Sulçe.
“Në këtë këndvështrim, nëse do të shikojmë statistikat në lidhje me defektet teknike të mjeteve, të cilat kanë qenë të kolauduara, janë shumë të vogla. Statistikat tregojnë se janë 0.001%, domethënë janë shumë pak “, – shton ai.
Investime ekzistuese
Kompania SGS nuk iu përgjigj një kërkese për koment mbi pretendimet e DPSHTRR për gjendjen fizike të qendrave të kontrollit teknik të automjeteve.
Por, një raport mbi ecurinë e veprimtarisë për vitin 2020, i depozituar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, thotë se “SGS ka ndërtuar apo rinovuar çdo QKT me standarde të larta dhe kushte mbi mesataren e tregut, duke iu ofruar kështu, jo vetëm klientëve, por edhe punonjësve një ambient sa më të sigurt, motivues, praktik dhe kushte të nevojshme për eficiencë dhe efektivitet sa më të lartë në shërbimin që ato ofrojnë”.
Paralelisht, Preçi thotë se, “sektori i ndërtimit në vendin tonë është nga më të kompletuarit në drejtim të standardeve”.
“Periudha kur duhej ndërtuar nga koncesionari dhe standardi përkatës janë të njohura paraprakisht dhe përgjithësisht objektet e ndërtimit jetojnë në periudha prej disa dekadash. Shkojnë 100 vjet ndërtimet zakonisht, për të cilat llogaritet amortizimi etj., dhe shpenzimet janë shpenzime mirëmbajtjeje për një periudhë të gjatë kohe”, – thotë eksperti.
“Nevoja për rikonstruksione të thella, që në thelb shoqërohen me investime prej miliona eurosh, ka nevojë për një argumentim të thelluar, sidomos në periudhë krize, ku janë shkurtuar edhe shpenzime shumë të rëndësishme, që lidhen me grupet në nevojë, që lidhen me ofrimin e shërbimit shëndetësor, spitalor, arsimor etj.”, – shton më tej ai.
Tenderët fiktivë të rikonstruksionit
Ekspertët e ekonomisë thonë se tenderët abuzivë për rikonstruksione të godinave janë një praktikë e njohur në vendin tonë.
“Është shndërruar në praktikë: ndërrohet ministri, edhe pse 2 vjet më parë mund të jetë bërë rikonstruksion godina e ministrisë, bëhet një tender i madh. Kështu ndodh në shumicën e institucioneve shtetërore dhe nuk mungojnë dhe agjenci, ku rikonstruksionet janë më të mëdha se vlera e ndërtimit të saj të plotë, edhe pse të kryera gjatë një periudhe të shkurtër kohe: 1 dekadë apo 2 dekada”, – shton ai.
Edhe për ekspertin Pano Soko nuk ka kuptim që të paguhet aq shumë, që të merret mbrapsht një investim i amortizuar. Ai akuzon se kjo është një skemë e njohur tashmë, ku nëpërmjet tenderëve fiktivë institucionet tenderojnë miliona lekë në mënyrë korruptive.
“DPSHTRR apo kushdo që është përgjegjës për pikat e kolaudimit, normalisht e ka gjetur këtë mënyrë për t’i përdorur këto asete për të përfituar pas tenderëve që nuk kanë asnjë kokërr vlere, por kanë një çmim shumë të lartë, sepse këto janë tenderë pa vlerë dhe me çmime shumë të larta”, – akuzon eksperti Pano Soko.
Kjo skemë korruptive e tenderëve të rikonstruksionit ka qenë një kritikë e përhershme edhe e raporteve të Kontrollit të Lartë të Shtetit.
“Vëzhgimet tona, sa i takon procesit të prokurimit dhe shmangieve ligjore, por edhe raportet zyrtare, të ofruara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit nga auditi i jashtëm, dëshmojnë se përgjithësisht entet prokuruese përdorin rikonstruksionin si një mënyrë të pamatshme të kostos për njësi, – thotë Preçi, – por janë të kontrollueshme, nëse do të ketë vullnet nga agjencitë përkatëse.”
Edhe sipas Sokos, “natyrisht që bëhen tenderë në mënyrë abuzive, në mënyrë të padrejtë, të panevojshme, me synimin e thjeshtë që vetëm disa njerëz të përfitojnë shuma financiare në mënyrë të padrejtë”.
“Kjo është një praktikë që ne e kemi vënë re shpeshherë, sidomos vitet e fundit. Sa herë që vjen një aset, ai thotë: “Do ta rindërtoj, do ta rimobiloj nga e para, do ta rilyej nga e para”.
Më fal, po paratë të babës i ke?! Jo! Atëherë, nëse ajo është në gjendje të mirë, lëre në gjendje të mirë, por, nëse ti do të bësh një tender, për të fituar vetë personalisht, kjo është tjetër gjë pastaj. Këto gjëra duhet të shkojnë në prokurori”, – përfundon ai.