“100 fshatrat” në Gjinar është realizuar vetëm në letër

Autor: Brejdon Xhavara – Community Reporters Albania

Si për nga vlerat turistike, apo trashëgiminë kulturore, Gjinari është një nga pikat kryesore të bashkisë së Elbasanit. Natyra është treguar shumë bujare me gjithë zonën e Shpatit. Por për cilësinë e jetesës në këtë vend, nuk mund të thuhet e njëjta gjë. Sapo hyn në këtë fshat përballesh me problemet e energjisë elektrike, ujit të pijshëm dhe të rrugëve që lidhin fshatrat e zonës me atë çka quhet “qendra turistike”.

Dhe ato pak iniciativa private që po zhvillohen në zonë në fushën e turizmit ndikohen negativisht nga këto mungesa bazike, të cilat janë një barrë më tepër për ata që duan të zhvillojnë zonën duke hapur bujtina. “Turistët u detyruan të largoheshin nga bujtina”, tregon menaxheri i një biznesi të vogël privat për Community Reporters, duke sjellë rastin e disa pushuesve të cilët kishin shkuar për të shijuar natyrën e zonës në një fundjavë, por që nuk mundën ta shijonin vizitën e tyre për shkak të ndërprerjes së vazhdueshme të energjisë elektrike.

Gjinari bën pjesë në projektin “100 fshatrat” të qeverisë shqiptare i cili synonte të kthente 100 zona rurale në Shqipëri në atraksione turistike. Mirëpo në zonë nuk shihet asnjë gjurmë e dukshme e ndonjë investimi serioz për të thithur turistë.

Projekti “100 fshatrat” do të ndërhynte duke investuar në 100 zona rurale për të realizuar këto objektiva:

  1. Përmirësimi i infrastrukturës publike(mbështetja për infrastrukturë rrugore, rivitalizime hapësirash publike/urbane, infrastrukturë komunitare, shërbime publike, infrastruktura mjedisore, turistike, monumente të trashëgimisë kultutrore, qendra multifunksionale komunitare, peizazhi mjedisor etj.)
  2. Zhvillimi ekonomik nëpërmjet diversifikimit të aktiviteteve ekonomike( përmirësimi i potencialit turistik në hapësirat rurale, agroturizëm dhe turizëm rural, investimet në përmirësimin e shërbimeve tregtare, investime në prodhimin e produkteve tradicionale dhe shërbime te tjera ekonomiko-financiare etj. Mbështetja për inkubatorë të produkteve rurale tradicionale, promovim dhe marketim të zonave rurale, shërbime transporti, panaire dhe festat lokale etj.)
  3. Zhvillim i kapitalit social dhe njerëzor,(mbështetje për krijimin e rrjeteve rurale, grupeve lokale të veprimit si dhe shoqërinë civile në zonat rurale, trajnim profesional për të rinjtë dhe gratë, mbështetje të trashëgimisë kulturore, mbështetje për promovimin e traditave dhe jetesës në fshat, etj.)

Nga investigimi i Community Reporters nuk shihet ndonjë realizim i objektivave të sipërpërmendur qeveritarë. Madje banorët ironizojnë lidhur me këtë duke treguar se së fundmi vetëm dy llampa dritash janë vendosur në fshat.

Arben Shjaku – Banor i Gjinarit

Ka vetëm një dritë… jo dy drita ka..ja aty te qendra, kanë prurë dhe një internet falas që është i bashkisë këtu, për zonën këtu. Këto… asnjë gjë dy llampa ka vu bashkia këtu”, tha një banor i Gjinarit për Community Reporters. Po përveç dritave ai flet me ironi për 5 kazanët e plehrave për të grumbulluar mbetjet e kësaj zone. “Investimet vitet e fundit janë: kanë prurë 5 kazanë plehrash, kanë nja 2 muaj 3 muaj…t’i shikosh këtu ke investime, 4 kazanë plehrash, do t’i shikoni rrugës aty. Vetëm kazanët e plehrave, asgjë tjetër më”, tregon ai.

Realiteti përballë premtimeve të pushtetit lokal

Programi qeveritar filloi aplikimin  në vitin 2018 dhe përfundoi në 2020, por Gjinari i vitit 2021 duket shumë larg objektivave të përcaktuara.

Në 20 prill të vitit 2019 kryetari aktual i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja në një tëitter shkruante “Gjinari, një perlë turistike e Bashkisë Elbasan dhe pjesë e programit të 100 fshatrave do të marrë padyshim vëmendjen tonë kryesore për t’u shndërruar shumë shpejt në një atraksion të bukur turistik”.

Community Reporters u përpoq të kontaktonte me Kryetarin e Bashkisë nëpërmjet emailit dhe telefonatave për të marrë një koment lidhur me realizueshmërinë e planeve dhe projekteve për Gjinarin, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, nuk ka marrë një përgjigje.

Në një shkrim të medias “Faktoje” të datës 10 dhjetor 2020 në përgjigje të gazetarëve të cilët kishin pyetur për projektet e zbatuara në Gjinar në kuadër të projektit “100 fshatrat”, Bashkia Elbasan ishte përgjigjur se në këtë fshat ishin kryer ndërhyrje me karakter riparues dhe jo projekte të reja.

Rruga që lidh Gjinarin me Elbasanin, është e shkurtër, vetëm 24 kilometra nga qyteti i Elbasanit, por për shkak problematikave të rrugës të duhet rreth 1 orë për të mbërritur në destinacion. Në të mungon sinjalistika rrugore bazë, tabelat informuese dhe në shumë pjesë të saj hasen pirgje dheu të cilat bllokojnë aksin dhe tregojnë për mos mirëmbajtjen e saj.

Megjithatë, pas 1 ore nëse udhëton me kujdes, arrihet në atë që quhet “qendër turistike” e cila vetëm emrin ka të tillë. Vetëm pasi flet me banorët e zonës arrin të kuptosh që ke mbërritur në “qendrën turistike” të Gjinarit pasi pamja nuk dallon me hapësirat e zakonta që e gjen pothuajse në çdo fshat të Shqipërisë.

“Gjëja kryesore këtu ështe qendra, nëse bëhet qendra çdo gjë është okay, qendra e zonës turistike, Fusha e Kuqe quhet”, thotë Ardjan Bërdufi për Community Reporters, banor i zonës dhe menaxher i një bujtine. “Kur erdhe çfarë pe? Domethënë pe disa dyqane rrumpallë aty, pe një gjë të bukur, pe një njësi administrative e cila dhe ajo rrezik vjen një ditë që mund dhe të shembet nga këto lëvizjet…Pra nëse bëhet qendra jemi në rregull”, tregon ai.

Në qnedër të Gjinarit ka pesë lokale dhe restorate si dhe 2 markete të vogla me disa njerëz të mbledhur afër. Koha kalon ngadalë dhe bisedat me çdo banor vërtiten rreth të njëjtave çështje: probleme me ujin, me energjinë dhe më kryesorja me rrugët; rrugët që lidhin fshatrat me njëri – tjetrin dhe rruga që lidh zonën me Elbasanin.

Ndaj medias, kryesisht ka indiferncë – ndoshta ngaqë ka pasur një prezencë të madhe të mediave në zonë gjatë kësaj periudhe, për të raportuar për problematikat, por edhe për ta promovuar fshatin. Një nga banorët tregon gjithë krenari se një spot i një emisioni shumë të njohur dashurie në një televizion në Tiranë, ishte xhiruar, pikërisht në këtë zonë.

Gjinari është po ashtu pikë strategjike për zhvillimin e një turizmi të qëndrueshëm dhe gjatë stinës së verës dhe gjatë stinës së dimrit, kjo dhe për shkak të afërsisë relativisht të shkurtër dhe me Tiranën, kryeqendrën e vendit, ku banojnë dhe më shumë banorë në raport me të gjithë qytetet e tjera në Shqipëri. Kjo afërsi do të thithte sa më shumë banorë të Tiranës për të shpenzuar fundjavat në Gjinar apo për të eksploruar zonën përreth.

Community Reporters intervistoi kryetarin e njësisë administrative të Gjinarit, Irakli Toçi i cili tha se projektet për të cilat Bashkia Elbasan po punon në zonë, janë të fokusua në rregullimin e energjisë elektrike si dhe të ujit (kanalizimet) për ta bërë zonën turistike.

Irakli Toçi-Kryetari i Njësisë Administrative Gjinar

Investimi i dytë i madh që pritet të bëhet në Gjinar është rikonstruksioni i plotë i sitemit elektrik, për të cilin janë bërë dhe tenderat. Janë hapur dhe tenderat dhe kanë fillu punimet. Do të bëhet një ndërhyrje thuajse themelore për kanalin e ujrave të bardha dhe të zeza dhe ujin e pijshëm të Gjinarit. Se vërtet Gjinari ka ujë me bollëk por nuk e ka të sistemuar në nivelet që kërkon…kjo pastaj i ka hapur ose do t’i hapi rrugë dhe vizitave si qendër e mirë tursitike për zonën.” tha ai për Community Reporters.

Projektet dhe investimet e huaja në Shqipëri kanë ndikim në jetën e banorëve që jetojnë në fshatra , Community Reporters kontaktoi me Ambasadën e Gjermanisë për investimet që ka kryer në kuadër të projektit të “100 fshatrave”, përmës një komunikimi me email Ambasada Gjermanisë deklaroi se: “Bashkëpunimi Gjerman për Zhvillim i mbështetur – përmes projektit “Zhvillimi i Qëndrueshëm Rural” (SRD) i zbatuar nga GIZ (Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit) – ka investuar  në Bujtinën “Tre Bujtinat” në fshatin Gjinar, Elbasan.

Emigrim,  papunësi dhe jetë sociale e varfër

Fenomenit të emigrimit i cili vitet e fundit ka pësuar rritje masive, as Shpati nuk i ka shpëtuar. Mungesa e rinisë dhe e gjallërisë në rrugicat e fshatit, bie në kontrast me ato çka dëgjohen për këtë zonë kur promovohet si zonë turistike.

Nga problemi i rrugës pothuajse është shpopulluar fshati i gjithë që ka ikur se s’ka rrugë, se po të kishte rrugë nuk do kishte ikur fshati. Këtu s’ke nga ku ta nisësh po rruga është problem njëherë dhe energjia elektrike që një erë të fryjë ose një shi të bjerë… Këtu s’ke as rrugë dhe as drita dhe nuk do t’ia dijë njeri që të thuash “jo po do vejë dorë shteti”, ose do marësh dhe të vijë të interesohet njeri nga shteti”, tregon Agim Kushta, banor i zonës, i cili është gjithashtu dhe shofer i një linje furgoni.

Megjithatë edhe në kushtet aktuale, Gjinari ngjall interes dhe nga turistët e huaj dhe vendas ka kuriozitet, pasi natyra e bukur, ajri i pastër dhe uji i kulluar janë asete të lakmuara. “Fillon që te drutë e pishës, ahut, dushkut, shkoza, kafshët e egra, ujku, ariu, shpendët e egra, mëllënja, thëllënxa, lloj – lloj..” thotë një banor i zonës duke nxjerr në pah shumëllojshmërinë e florës dhe faunës në këtë zonë.

Rrugë në fshatin Gjinar

Community Reporters intervistoi gjithashtu menaxherin e një bujtine të vogël në Gjinar, i cili tregoi se infrastruktura e dobët dhe problemet me energjinë elektrike janë faktorë kyç që nuk ndihmojnë në zhvillimin e turizmit.

Gjëja e parë që duhet bërë këtu është qendra, është qendra ta thamë dhe njëherë se qendra ka indikacion pozitiv zhvillimi i zonës se këto banorët këtu që marin gjalpin, gjizën që kanë… është një gjalp që është i mrekullueshëm. Ndodh kjo sepse duke mos pasur rrugë, nuk ka dhe transport, pra mjetet nuk e marin këtë riskun e lëvizjes, se shkatërrohet mjeti. Rruga është mizerabël. Janë nja 2000 banorë këtej, të Zavalinës, që ata e dinë se si vijnë deri në Gjinar, pastaj në Elbasan më ndryshe sepse është asfalti deri në Gjinar, po dhe ai asfalt ka mbaru, ju e patë dhe vetë. Nuk është se po e them unë, është degraduar” tha Ardjan Bërdufi për Community Reporters. Sipas tij problematike është dhe çështja e ujit. “Ujë ka, po ujë s‘kaËshtë një pompë e mbarume këtu totalisht. Gjithë verën ajo rrjedh, këtu te unë svjen ujë. Ujë ka sa të duash, po këta nuk…nuk është problemi i menaxhimit ose i dy punëtorëve që janë aty, s‘kanë të bëjnë fare ata, thjesht është nga drejtoria poshtë që nuk meren të bëjnë një tub, të bëjnë një pusetë të fuqishme që të furnizojnë gjithë zonën”, tregon ai më tej.

Agim Kushta thotë se rrugët e parregulluara kanë kosto shumë të madhe edhe për të përsonalisht, pasi e dëmtojnë furgonin e tij i cili shërben për të transportuar banorët e fshatrave nga një zonë, në tjetrën, duke i shkaktuar kosto shtesë që prekin në mënyrë direkte cilësinë e jetës së tij.

Ato lekët ç‘a marrë ia fus makinës të tëra vetëm nga rruga, pa llogaritur taksa të tjera të shtetit që as nuk është duke pyetur se çfarë bën..se ku punon, vetëm taksa dinë të marrin, se çfarë bën nuk do të dijë njeri, fare, vetëm vijnë kërkojnë vota…rrugën…kur vijnë kërkojnë vota ooo rrugën do e bëjmë ne edhe absolutisht asnjë send send tjetër, fare fare. Fare nuk kanë vënë dorë. Quhen që paguajnë punëtorë për mirëmbajtje po faktikisht vetëm nja 2 shoh unë këtu”, tregon ai duke mos e fshehur irritimin.

*Ky shkrim është një produkt i @CommunityReportersAlbaniaa, zbatues të projekteve të financuara në kuadër të programit Investigative Network Albania (INA), një iniciativë e përbashkët e @QJournalism, @albanianmediainstitute dhe @Qendrafol.al, mbështetur nga @usembassytirana, e cila ka për qëllim rritjen e kapaciteteve të gazetarisë hulumtuese në nivel lokal dhe kombëtar. Për më shumë informacion mbi asistencën financiare në kuadër të kësaj iniciative vizitoni faqen www.ina.media

SHARE THIS POST

Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin

RELATED POSTS