Zvarritja e vetting-ut në polici, procesi mund të zgjasë një dekadë

Autor: Bleona Metushi

Ritmet e ngadalta, me të cilat po ecën vetting-u në polici, tregojnë se “pastrimi” i uniformave blu do të marrë më shumë kohë se vetting-u paralel në drejtësi. Ndërsa kritikët e konsiderojnë dështim mungesën e një afati për përmbylljen e procesit, të tjerë sugjerojnë se më e rëndësishme është që ky “skaner” delikat të mos ketë prapavijë politike.

Sipas përllogaritjeve, një vit punë e hetuesve të komisionit të përkohshëm i kushton buxhetit të shtetit 54 milionë lekë. Aktualisht, Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit, nga të dhënat e siguruara nga Investigative Network Albania, ka kaluar në sitë gjithsej 40 subjekte, nga të cilët 31 janë konfirmuar, 4 janë përjashtuar dhe 5 kanë paraqitur dorëheqjen. Nën proces hetimi administrativ (të shortuar), momentalisht janë gjithsej 112 subjekte të tjera.

Mes pritshmërive dhe pikëpyetjeve të mëdha, seanca e parë e vetting-ut në polici nisi me 5 nëntor 2019. Oltion Shehu, shefi i Sektorit të Ankesave në Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave, ishte zyrtari i parë që iu nënshtrua skanerit të vetting-ut. Shehu nuk arriti ta kalonte filtrin dhe u shkarkua për probleme me pasurinë.

Duke u bazuar në ritmet e deritanishme të procesit të vetting-ut në polici, si dhe vëzhgimit të Investigative Network Albania, ku gjatë dy muajve u zhvilluan vetëm 5 seanca dëgjimore, duket se procesi i rivlerësimit do marrë më tepër kohë sesa vetting-u tjetër që po kryhet ndaj njerëzve të pushtetit të tretë.

Rezulton se për 16 muaj Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit shpalli 40 vendime. Një rezultat i tillë, nëse llogaritet nën të njëjtat ritme, do të thotë se për vetting-un në nivelet e larta për gradat drejtuese dhe zyrtarët e SHÇBA-së do të duhen 120 muaj për 300 zyrtarët e policisë që mbajnë funksione drejtuese; çka do të thotë se duhen rreth 10 vite për të përmbyllur procesin e vetting-ut në radhët e policisë.

Thënë ndryshe, shpenzimet nga buxheti i shtetit do të kalojnë vlerën e 300 milionë lekëve, aq sa parashikohej se do të ishte kostoja e procesit të vlerësimit kalimtar.

Në një qëndrim zyrtar të Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit, më datë 1 mars 2021, thuhet se “KJV ka qenë në pritje për daljet në seanca edhe për subjekte të tjera, për të cilat, bazuar në kërkesat, ka patur zgjatje afati për prapësimet në rastet e kalimit të barrës së provës apo për problemet shëndetësore.”

Sipas të dhënave zyrtare të siguruara nga Investigative Network Albania, me anë të kërkesave për informim, numri total i punonjësve të Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit (KJV), është 30, ndërsa varianti i parë i ligjit parashikonte 135 punonjës. Nga të dhënat zyrtare, rezulton se qeveria, me anë të VKM-së Nr.14/2019, ka përcaktuar pagën për 15 anëtarë të KJV-së dhe 15 anëtarëve të Sekretariatit Teknik. Konkretisht, anëtari i Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit paguhet 190 mijë lekë, ndërsa anëtari i Sekretariatit Teknik, 110 mijë lekë në muaj. Ndërkohë, shpenzimet e tjera teknike mbulohen nga buxheti i Ministrisë së Brendshme.

Policia, në sitë

Kanabizimi i vendit dhe proceset hetimore të viteve 2017-2018 nxorën në pah implikimin e disa punonjësve të policisë në aktivitetin kriminal të prodhimit dhe trafikut të kanabisit.

Kulmi i këtyre implikimeve u arrit pas publikimit të përgjimeve italiane për grupin e pagëzuar “Habilaj”, të konkretizuara nga hetimet e ish-Prokurorisë për Krime të Rënda, që mori të pandehur drejtues të lartë të policisë. Ndër ta edhe drejtuesin e Vlorës, Jaeld Çela. Dyshimet çuan nën akuzë edhe ministrin e Brendshëm të kohës, Saimir Tahiri.

Këto zhvillime nxitën në opinionin publik zëra për nevojën e një kontrolli të eksponentëve të Policisë së Shtetit.

Trumbetuesi më i madh i këtyre zërave ishte pasardhësi i Saimir Tahirit, Fatmir Xhafaj.

Ky i fundit hodhi idenë e një vetting-u në radhët e Policisë së Shtetit, duke ideuar një proces të ngjashëm me vetting-un në sistemin e drejtësisë për të larguar nga radhët e policisë ata persona që ishin të lidhur me krimin. Ligji u miratua më 5 mars të vitit 2018, teksa projektligji ishte vendosur mbi tavolinë në dhjetor të vitit 2017.

Por, nxitimi i mazhorancës së kohës për pastrimin e Policisë së Shtetit, me të cilën deri para fenomenit të kanabizimit krenohej, duket se prodhoi një ligj të mirë në letra, por të vështirë për t`u vënë në jetë. Këtë e dëshmojnë ndryshimet e bëra në tri raste në vitin 2019, me argumentin se ligji fillestar do t’i kushtonte buxhetit të shtetit 300 milionë lekë, një kosto kjo e papërballueshme sipas Ministrisë së Brendshme, që në tetor të vitit 2018 ndryshoi drejtuesin.

Pas largimit të Fatmir Xhafajt pasardhësi i tij, Sandër Lleshaj, nuk pati të njëjtin vlerësim për ligjin dhe mënyrën se si duhej vënë në jetë. Për 8 muaj nisja e procesit të vetting-ut mbeti në pritje e kjo, sipas zyrtarëve të ministrisë, për shkak të buxhetit.

“Kjo skemë ka disa avantazhe dhe disavantazhe. Nga njëra anë garanton pavarësi, paanshmëri dhe pronësi të procesit të vlerësimit nga vetë strukturat, ndërsa nga ana tjetër kërkon impenjim domethënës të burimeve materiale dhe atyre njerëzore. Këto janë dy disavantazhet, pra fakti që kërkohet impenjim i konsiderueshëm i burimeve njerëzore të vetë strukturave, duke pasur parasysh se plot 240 punonjës të nivelit të lartë dhe të mesëm duhet të shkëputen nga detyrat e tyre funksionale dhe të kryejnë procesin e vlerësimit dhe sidomos aspekti financiar, ku sipas parashikimeve procesi i vlerësimit do të kushtojë rreth 300 milionë lekë ose rreth 3 milionë dollarë. Në këto kushte, duke pasur parasysh se vetë elementi financiar ishte një nga arsyet që solli vonesa në implementimin e procesit, Ministria e Brendshme, pas një analize të thellë dhe shumëplanëshe propozon një mekanizëm të ri për vlerësimin, i cili mund të arrijë po të njëjtat objektiva, pra të pavarësisë, paanshmërisë dhe objektivitetit të procesit, me më pak kosto për buxhetin e shtetit”, – shkruante ish-ministri, Sandër Lleshaj, në relacionin që shoqëronte projektligjin për ndryshime, duke pranuar se varianti i parë garantonte më shumë cilësi.

Sipas Lleshajt, ndryshimet do iu kursenin shqiptarëve 260 milionë lekë, duke llogaritur se për një vit punë të KJV-së do të shpenzoheshin rreth 40 milionë lekë.

Ndryshimet tkurrën komisionet e përkohshme, duke lënë në fuqi vetëm Komisionin e Jashtëm të Vlerësimit (KJV), që do mbështetej në punën e tij nga Sekretariati Teknik. Ndërkohë, për 12 mijë punonjës të tjerë të policisë vetting-u do të kryhej nga SHÇBA.

Ndryshimi i tretë, i bërë ligjit është heqja e afatit 1-vjeçar të punës së Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit, që deri në qershor të vitit 2020 duhet të kishte përfunduar vetting-un e 300 punonjësve të policisë me grada të larta dhe SHÇBA-së.

Në përfundim, me propozim të katër deputetëve, më 12 shkurt të vitit 2021 u kërkua pezullimi i procesit të vetting-ut për 12 mijë punonjësit e policisë deri në përfundimin e verifikimit të trupës së SHÇBA-së nga ana e Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit.

 Sadetin Fishta, kreu i Sindikatës së Punonjësve të Policisë

Mungesa e një afati për përmbylljen e procesit, përpos rritjes së kostos financiare, për kreun e Sindikatës së Punonjësve të Policisë, Sadetin Fishta, mund të konsiderohet dështim.

“Heqja e afatit çoi në dështimin e tij të plotë. Ligji u hartua dhe u ndryshua pa konsultimin e organizatës policore, grupet e interesit dhe shoqërinë civile”, – tha Fishta në një intervistë për Investigative Network Albania.

Fishta më tej shton se heqja e afatit i shkon përshtat mazhorancës, duke ngritur dyshime për prapavijë politike dhe mbajtjen e punonjësit të policisë në presion të procesit. Për kreun e sindikatës ky presion ka ulur performancën e punonjësve të policisë në ushtrimin e detyrës.

Efektiviteti

Ritmet e ulëta të punës justifikohen nga Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit si pasojë e problematikave të hasura, administrative, ligjore, si dhe si pasojë e pandemisë së Covid 19.

Nga ana tjetër, në një komunikim zyrtar për mediat, KJV thotë se shpesh është i detyruar t`i shtyjë proceset në pritje të mbrojtjes së subjekteve apo edhe problemeve të tyre shëndetësore.

Ndërkohë, interesit të Investigative Network Albania në lidhje me një afat të mundshëm të përfundimit të procesit, duke u nisur edhe nga vlerësimi i punës së deritanishme, KJV theksoi se në bazë të ndryshimeve ligjore ata nuk kanë një afat, por janë duke punuar ta përmbyllin procesin në kohën më të shpejtë të mundshme.

Duke iu referuar të dhënave zyrtare, Komisioni ka në proces hetimi 112 subjekte, për 40 është përfunduar, ndërkohë ende nuk ka nisur hetimi për gjysmën e punonjësve të policisë.

Nga ana tjetër, diskutime ka pasur edhe për numrin e lartë të subjekteve, të cilët janë konfirmuar, duke ngritur dyshime, nëse hetimi i Komisionit është efektiv në kapjen e problemeve të punonjësve të policisë.

Vetting-un në polici e ka kaluar pothuajse e gjithë kupola drejtuese, duke nisur nga drejtuesi i saj, Ardi Veliu, Drejtori i Policisë Kriminale, Tonin Vocaj, drejtuesi i SHÇBA-së, Muhamet Rrumbullaku apo edhe Drejtor i Drejtorisë Kundër Krimeve ndaj Personit dhe Pasurisë, Arben Dashi, për të cilët nuk u konstatuan probleme në asnjë nga kriteret; por KJV do ta konsideronte drejtuesin e lartë të Policisë së Shtetit, Artan Shkëmbi, të përshtatshëm dhe të besuar në të tria kriteret, ndërsa nga leximi i vendimit të zbardhur u ngritën pikëpyetje vetëm sa i takon pasurisë së subjektit, e cila ishte justifikuar më tej nga Shkëmbi.

Por, pak muaj nga ky vendim, ish-numri dy i operacionit Forca e Ligjit, do të merrej nën hetim nga Prokuroria e Posaçme, SPAK, në dyshimin se ka nxjerrë sekrete hetimore nën ndikimin e vlerave monetare nga dy persona që hetoheshin nga autoritetet gjermane. Duke iu referuar vendimit të Gjykatës së Lartë, dy muaj pas konfirmimit në detyrë Shkëmbi dyshohet se informoi dy trafikantë droge në Gjermani se ishin vënë nën hetim. Gjithçka u zbulua nga autoritetet gjermane, që kuptuan se informacioni i përcjellë palës shqiptare kishte shkuar në duart e të hetuarve për trafik narkotikësh dhe pastrim parash.

Përgjatë muajve të punës së KJV-së, një prej akuzave më të shpeshta edhe politikisht, janë konfirmime të drejtuesve të policisë, që nga një raport i Autoritetit të Dosjeve janë konstatuar si pjesë e ish-Sigurimit të Shtetit, por nga analiza e këtyre tri vendimeve rezulton se në fakt subjektet, të cilët janë konfirmuar, edhe pse kanë rezultuar si pjesë e ish-Sigurimit, kanë ushtruar detyrën pas viteve 1990.

Konkretisht, nga vendimi i zbardhur i Komisionit, rezultoi gjithashtu se Artan Shkëmbi, por edhe subjekti tjetër, Gjovalin Loka, rezultonin të kishin mbajtur përgjatë viteve 1990 detyra në ish-Sigurimin e Shtetit. Në të dyja rastet, KJV nuk i penalizoi drejtuesit e lartë, me argumentin se “në kuptim të ligjit, që të përjashtohesh nga radhët e policisë, duhet që këto detyra të ushtroheshin para viteve 1990 dhe që subjekti të quhet ish-anëtar i Sigurimit të Shtetit, duhet të kishte pasur rol aktiv”.

Këto të dhëna u gjetën për subjektin Edmond Papa, me detyrë Shef Sektori i Sigurisë së Personelit, Drejtoria e Analizës dhe Kartotekës, SHÇBA. Ai u shkarkua, pasi u gjet me probleme në dy kritere, atë të pasurisë dhe figurës. Sipas dokumentacionit, Papa rezultonte si pjesë e ish-Sigurimit të Shtetit që prej vitit 1984 deri në vitin 1990, ku me firmën e tij janë konstatuar nga Autoriteti i Dosjeve një sërë dokumentesh dhe rekrutimesh, duke çuar në vendimin e shkarkimit për Edmond Papën.

Problemet e ligjit

Për kreun e Sindikatës së Policisë, Sadetin Fishta, procesi nuk ka qenë eficient, duke u nisur nga numri i subjekteve të vlerësuara, por sipas tij edhe trajtimi me dy standarde të subjekteve.

“Procesi nuk ka qenë eficient, oficerët janë trajtuar nga Komisioni i Jashtëm me dy standarde”, – tha Fishta për Investigative Network Albania. Për këtë të fundit duhej një proces vetting-u i njëjtë me atë të Reformës në Drejtësi e që i përafrohet variantit të parë të këtij ligji.

Shpëtimi, në gjykatë!

Punonjësit e Policisë së Shtetit, të cilët janë shkarkuar nga detyra, kanë ngritur pretendime në Gjykatën Administrative në lidhje me kompetencën, duke pretenduar se në momentin e shortimit ata kanë pasur funksion tjetër e nuk duhet të hetoheshin nga KJV. Ndërsa subjekte të tjerë kryesisht kanë ngritur pretendime për gjetjet e Komisionit sa i përket 3 kritereve.

Investigative Network Albania komunikoi me punonjësin e policisë, Arben Frashëri.

Ky i fundit prej disa muajsh ka ankimuar në Gjykatën Administrative vendimin e KJV-së për shkarkimin. Nga të dhënat e siguruara nga Investigative Network Albania, padia ka kaluar fazën përgatitore dhe është në gjykim, por ende pa vendim. Në padinë e ngritur, Frashëri nëpërmjet avokatëve të tij ka pretenduar se gjetjet e Komisionit, sa i takon pasurisë, ku nuk janë pranuar si të ligjshme të ardhurat nga emigracioni në vitet 1990, duhet të rrëzohen, ashtu sikurse mohohet të ketë pasur kontakte të papërshtatshme. Për Frashërin ligji për vetting-un në polici duhet të ishte rishikuar dhe përshtatur me kushtet ekonomiko-sociale të vendit tonë, në kushtet e një informaliteti të gjerë në ekonomi.

 Arben Frashëri në seancën dëgjimore të KJV

GRECO…

Dyshime mbi përshtatshmërinë e ligjit dhe efikasitetin e tij ngriti edhe raporti i GRECO, një mekanizëm i rëndësishëm i Strasburgut kundër korrupsionit. Sipas këtij raporti, në faqen 43 të tij, ka dyshime, nëse vlerësimi pasurisë dhe ligjshmërisë së saj është duke u kryer siç duhet, kjo për shkak se nuk kryhet nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit (ILDKPKI), por nga një staf i saj i shkëputur.

Për GRECO edhe kontrolli i dy kritereve të tjera, profesionalizmi dhe integriteti, nuk po trajtohen në mënyrën e duhur.

“GET është i shqetësuar se procesi kalimtar i vlerësimit nuk trajton në mënyrën e duhur të gjitha rreziqet e mundshme të integritetit, të tilla si ato që lidhen me abuzimin e substancave, bixhozin, etj. Rreziqe të tilla mund të dalin gjatë procesit fillestar të rekrutimit në Akademinë e Sigurisë, por asnjë proces i rregullt kontrolli nuk zhvillohet më vonë gjatë karrierës së një punonjësi policie. GET gjithashtu mendon se vlerësimi i kualifikimeve profesionale dhe vlerësimi i integritetit duhet të jenë dy procese të ndara”, – shkruhet në raport.

Në përfundim, GRECO vlerësoi se ky proces, për shkak se do një kohë të gjatë të përfundojë, por edhe për faktin se nuk jep garanci për efikasitetin, duhet të zëvendësohet me një mekanizëm të rregullt kontrolli, duke i mëshuar vlerësimit të figurës dhe integritetit të punonjësit të policisë.

Vetë Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit, me anë të një komunikimi për mediat, shprehet se është duke kryer një hetim të hollësishëm dhe duke punuar që të përfundojë hetimi për 300 subjektet.

“Në të gjitha vlerësimet e trupave janë zhvilluar hetime dhe konkluzione të hollësishme dhe të argumentuara për të tri komponentët. Ligji 12/2018 për vlerësimin kalimtar, në dallim nga ligji 84/2016 për vetting-un e gjyqtarëve dhe prokurorëve, kërkon detyrimisht vlerësimin kumulativ të tri komponentëve, pavarësisht se si mund të kenë rezultuar dukshëm gjatë mbledhjes paraprake dhe vlerësimit të të dhënave. Vendimi përfundimtar kërkon qëndrimin e çdo komponenti të arsyetuar sipas rezultateve të shqyrtimit dhe hetimit të kryer”, – njofton KJV, që në përfundim të njoftimit pretendon se rekomandimet e GRECO janë keqinterpretuar në lidhje me efikasitetin.

“Përmbajtja dhe qëllimi i tij merren të shkëputur, duke mos parë në thelb qasjen që ka shprehur raporti në tërësi të të gjithë procesit të vlerësimit kalimtar dhe jo vetëm për 300 gradat dhe funksionet e larta drejtuese, por për të gjithë organizatën prej 12 mijë punonjësish me grada të mesme dhe të ulëta”,  – replikohet nga KJV.

Vazhdimi i procesit

Juristi Arbër Hoxha, në një intervistë për INA, vlerësoi se procesi i vetting-ut në radhët e Policisë së Shtetit ishte i nevojshëm, për shkak të dështimit të strukturave të tjera që duhet të verifikonin punonjësin e policisë.

“Në Policinë e Shtetit ishte më se i nevojshëm procesi i vetting-ut, normalisht kjo e paraprirë dhe me ligjin për vetting-un në polici, si rezultat i mosfunksionimit normal të strukturës së ish-Shërbimit për Kontrollin e Brendshëm, aktualisht Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Administratës për këto 30 vitet e fundit. Normalisht, policia, duke qenë në kontaktin e parë me kriminalitetin si fenomen social, ka pasur për detyrë që ta luftojë atë, por disa apo shumë anëtarë të saj, që nga pozicioni bazë deri në nivele drejtuese, s’kanë mundur dot t’i bëjnë ballë tundimit të korrupsionit dhe është normale që këta individë duhet të “pastrohen” nga radhët e Policisë së Shtetit”, – tha Hoxha.

 Arbër Hoxha, jurist

Për juristin procesi duhet të vazhdojë, duke bërë disa ndryshime në shtimin e burimeve njerëzore pranë KJV.

“Pavarësisht procesit jashtëzakonisht të ngadaltë, të ndjekur nga Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit, jemi të mendimit që procesi nuk duhet të ndalet. Mund të bëhen disa ndërhyrje në ligjin aktual, duke shtuar me të paktën dyfish numrin e komisionerëve dhe për pasojë edhe të komisioneve, pra aktualisht nga 15 komisionerë në 30 komisionerë”, – tha ai.

Edhe për Hoxhën ligji duhet të ishte përshtatur në kushtet ekonomiko-sociale të vendit, kjo për të pasur një rezultat më real, sa i takon vlerësimeve të kryera nga KJV.

“Informaliteti i ekonomisë shqiptare në çdo qelizë të saj, në masën pothuajse 40%, edhe sipas INSTAT, do të jepte rezultate të pasakta në vetting-un në Policinë e Shtetit; fakt që në radhë të parë duhet të mbahet në konsideratë nga legjislatori dhe në radhë të dytë edhe nga komisionerët përkatës. Mund të themi se, pavarësisht përpjekjeve për ta përshtatur me realitetin shqiptar, ato deri diku kanë dështuar. E rëndësishme është që mos të përdoret vetting-u si një instrument procedural për të larguar nga radhët e policisë ata elementë që politika nuk i dëshiron apo që nuk konvenojnë me interesat e tyre. Kjo do minonte që në themele këtë proces aq delikat”, – përfundon Hoxha, i cili shprehet gjithashtu se heqja e një afati për përfundimin “në vetvete prodhoi edhe një faktor më tepër për zvarritjen e procesit”.

SHARE THIS POST

Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin

RELATED POSTS