Zaharia, “ferri” që mbylli portat, por edhe në Shënkoll, “trajtim çnjerëzor”

Mbyllja e burgut të Zaharisë nuk iu dha zgjidhje problemeve të të dënuarve-pacientë të këtij institucioni të veçantë. Zyra e Avokatit të Popullit, që e ka monitoruar burgun e ri të Shënkollit, ku ata u strehuan, konstaton se të dënuarit me “mjekim të detyrueshëm” ose “me mjekim të përkohshëm” janë ende në kushtet e trajtimit çnjerëzor.

Autor: Denis Tahiri

A jeni krejt shëndosh` e mirë? Zoti ju rujt!”, – këto fjalë, të përcjella nëpërmjet telefonit të vendosur në burgun e Zaharisë, janë me shumë mundësi fjalët e fundit që kanë dalë jashtë mureve të burgut famëkeq, përpara se të mbyllte dyert përgjithmonë, më 28 nëntor të vitit 2021.

Vetëm pak orë më pas, 15 automjetet e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve transportuan 319 të burgosurit e Zaharisë drejt bllokut 4 dhe 5 në burgun e Shënkollit, në një kohë që kapaciteti i Zaharisë ishte vetëm për 196 persona.

I hapur si spital psikiatrik që në vitin 1984 nën varësinë e Ministrisë së Shëndetësisë, Zaharia u shndërrua në vitet 2000 në burgun-ferr të të gjithë atyre, për të cilët gjykata jepte mjekim të detyruar.

Të sëmurë kronikë, persona me aftësi të kufizuara apo me probleme të shëndetit mendor “u strehuan” për vite të tëra në këtë institucion, në kushte të rënda higjieno-sanitare, në mungesë të kujdesit shëndetësor dhe në kushtet e mbipopullimit ekstrem.

Pikërisht në ditën kur po kryhej boshatisja e tij, Investigative Network Albania u fut në ambientet e këtij burgu, për të dokumentuar kushtet që çuan në mbylljen e këtij institucioni.

Pamjet e sjella nga Investigative Network Albania dëshmojnë një realitet dramatik, në të cilin ngrysnin ditët të burgosurit e Zaharisë.

Burgu i Zaharisë

Ambientet gjithë lagështirë e myk, ngrohja ende me furnela krejt minimaliste i kanë detyruar institucionet që të kërkojnë për disa vite me radhë mbylljen e menjëhershme të këtij institucioni.

E ndërtuar 36 vite më parë, në këtë godinë nuk është ndërhyrë asnjëherë për ta rikonstruktuar, duke sjellë amortizimin e saj, total; por më shqetësuese në këtë institucion ishte mungesa e stafit, e cila bëhet më dramatike në kushtet e mbipopullimit. Më konkretisht, një edukatori i duhej të punonte me rreth 100 pacientë, krejtësisht e pamundur për vetë specifikat e këtyre të dënuarve.

Mbipopullimi dhe organika kanë sjellë shumë vështirësi në punën e stafit, sidomos të stafit edukator. Në organikë ne kishim 4 edukatorë, por faktikisht kemi punuar me 3 edukatorë.

Pra, 1 edukator për 100 pacientë” – pranon për INA MEDIA-n Petrit Myslymi, drejtuesi i burgut të Zaharisë.

Ai shpjegon se kjo kategori të dënuarish mbart një ngarkesë të madhe dhe vetëm për stafin edukator duheshin minimalisht 8 edukatorë, për të siguruar akses të vazhdueshëm të të gjithë pacientëve.

Ardita Kolmarku, juriste dhe menaxhere projektesh pranë Komitetit Shqiptar të Helsinkit, një ndër organizatat që e ka monitoruar në vazhdimësi këtë institucion, thotë se vakancat mjekësore në Zahari kanë qenë shqetësim i vazhdueshëm.

Hyrja në ambientet e brendshme të Burgut të Zaharisë

Kur ne kërkonim informacion në rrugë zyrtare, nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe nga vetë institucioni na pohonin se ka dy mjekë të përgjithshëm dhe dy mjekë psikiatër, por në të 5 monitorimet që KSHH ka bërë në vitin 2019, në asnjë rast grupi i vëzhguesve nuk e pati të mundur të merrte takim me mjekët specialistë – psikiatër – mjekë specialistë që i nevojiteshin pjesës më të madhe të popullsisë që ishte akomoduar në këtë institucion”, – pohon Kolmarku.

Sipas saj, numri i mjekëve psikiatër është në disproporcion të madh me numrin e të dënuarve me vendim gjykate për mjekim të detyruar.

 Shënkolli, godinë e re, por me probleme të njëjta

Shpresat për një trajtim më të mirë të këtyre të dënuarve u shuan shumë shpejt. Pas vitesh të tëra rekomandimesh për mbylljen e burgut të Zaharisë, në fund të nëntorit që lamë pas të dënuarit-pacientë, që ndodheshin në këtë institucion të vuajtjes së dënimit, u dërguan në ambientet e reja të burgut të Shënkollit në Lezhë.

Investimi prej 97 milionë lekësh në dy godinat e reja, përkatësisht ato me numër 3 dhe 4, ku u strehuan të dënuarit e Zaharisë, aktualisht është i mbipopulluar me deri 8 të burgosur-pacientë në një dhomë, ndërkohë që nuk ka pësuar ndryshim as aksesi i tyre ndaj shërbimeve shëndetësore.

Për Nertila Qafzezin nga Zyra e Avokatit të Popullit, që e ka monitoruar këtë institucion, të dënuarit me “mjekim të detyrueshëm” ose “me mjekim të përkohshëm” janë ende në kushtet e trajtimit çnjerëzor.

Ata kanë nevojë për ambiente të veçanta, spitalore, trajtime të veçanta psikologjike e terapeutike nga psikologë e psikiatër, që të mund të rehabilitohen dhe të kthehen në shoqëri”, – pohon ajo e pakënaqur nga ajo që po ndodh në Shënkoll.

Duket se me këtë lëvizje ata shpëtuan vetëm nga lagështira e mureve.

Nëse numri i shtretërve në projektim të godinës ishte vetëm 184, aktualisht numri i të burgosurve në godinat e reja ka shkuar në 349, nga 314 pacientë që u larguan nga Zaharia drejt Shënkollit më 27 dhe 28 nëntor 2021.

Kushtet e strehimit në Burgun e ri të Shën Kollit

Absurdi qëndron në faktin se maksimumi i atyre që mund të mbaheshin dhe të trajtoheshin në këto godina ishte 200 pacientë. Pra, vetë institucionet, edhe pse e dinin që në godinat e reja në Shënkoll do të kishte mbipopullim, sërish nuk morën masa për përmirësimin e kushteve dhe madje nuk ka ende as organikën e miratuar.

Shumica e dhomave janë me 5 shtretër, por ka edhe dhoma që janë me nga 6-8 shtretër”, – i pohon Investigative Network Albania-s drejtori, Petrit Myslymi.

Numri i lartë i të dënuarve, të cilët duhet të ndajnë dhomën me njëri-tjetrin, bëhet edhe më i pakuptueshëm, po të kemi parasysh se thuajse të gjithë këta të dënuar vuajnë nga sëmundje të ndryshme e një pjesë e konsiderueshme, nga çrregullime të shëndetit mendor.

“Kemi mbipopullim. Aktualisht aty ndodhen 350 persona dhe ka mungesë organike. Ne kemi përgatitur një rekomandim urgjent për kryeministrin dhe ministrin e Drejtësisë, ku kërkojmë shtimin organik të stafit të IEVP-ve. Ende nuk ka një organikë të miratuar për Zaharinë dhe personat që punonin në I.E.V.P., Krujë punojnë edhe në I.E.V.P., Lezhë”, – thotë Nertila Qafzezi, ndihmës/komisionere pranë Avokatit të Popullit.

Njësoj si në Zahari, edhe në Shënkoll mungesat në mjekë vazhdojnë të jenë drastike.

Për 350 pacientët, që ndodhen në burgun e Lezhës, janë në dispozicion vetëm dy mjekë psikologë dhe dy psikiatër.

Ekspertët gjykojnë se nevojat që kanë këta persona janë shumë të mëdha dhe stafi i vënë në dispozicion është tejet minimalist dhe e ka të pamundur t’iu përgjigjet nevojave të tyre.

Këta shtetas (të dënuar), duan një trajtim të individualizuar. Është e pamundur t’iu përgjigjen vetëm dy mjekë psikiatër dhe dy psikologë. Është një disproporcionalitet shumë i madh”, – thotë ajo.

Në një raport të tij Avokati i Popullit shprehet se mungesat në stafin e specializuar, mjekësor cenojnë standardin e shërbimit ndaj pacientëve të dënuar me vendim gjykate.

Mungesat në stafin specializuar mjekësor, si dhe ato në radhët e ekipit multidisiplinar (i cili, ose ka probleme me kualifikimin, ose është në numër të ulët), e bënin të pamundur respektimin e standardit të vendosur edhe nga institucionet ndërkombëtare”, – thuhet në raportin e Avokatit të Popullit mbi gjendjen e burgut të Lezhës.

Për psikiatren Arjana Rreli stafi i këtyre institucioneve është krejt minimalist dhe nuk ka as kohë fizike për t’iu përgjigjur kaq shumë pacientëve. Ajo sugjeron se këta të sëmurë, edhe pse janë në institucione të tilla, duhet të mjekohen nga ekipe.

Këtu kemi një popullatë, që ka nevoja të ndryshme dhe me kaq pak staf, jo vetëm që nuk iu premton koha, por as intensiteti i punës, me të cilën duhet të përballen brenda një institucioni të tillë”, – thotë mjekja psikiatre, e cila shton se duhet mbajtur në konsideratë edhe burn-out-i i stafit, pasi, sa më shumë t`i ekspozosh ndaj një intensiteti pune nën presionin e kohës dhe të individëve brenda një institucioni, që lë edhe ai për të dëshiruar, aq më i madh do të jetë edhe ezaurimi i tyre.

Mungesa e një strukture unike, të miratuar për të administruar dhe për të trajtuar në kushte të përshtatshme shtetasit me masë mjekësore, si dhe mungesa e kushteve rekreative, sipas Avokatit të Popullit mbeten problematika që nuk kanë gjetur zgjidhje as në godinat e reja të Shënkollit, të përshtatura për personat me masë mjekësore.

Këta persona, jo vetëm që duhet të kishin kushte maksimale, por edhe shumë ambiente të hapura, ku të kishin mundësi që të merrnin maksimumin, pavarësisht sëmundjes që ndikon keq për ta”, – thotë mjekja psikiatre, Arjana Rreli, e cila shton se aktualisht kjo gjë mbetet një ëndërr.

Nga ana tjetër, përfaqësuesja e Avokatit të Popullit, Nertila Qafzezi, i konfirmon Investigative Network Albania-s se shteti shqiptar është duke i dëmtuar këta shtetas. Sipas saj, përderisa kemi vendime gjykatash për trajtime çnjerëzore, ne po e dëmtojmë shëndetin e këtyre shtetasve.

“Po e dëmtojmë shëndetin e tyre, po përkeqësojmë gjendjen e tyre dhe nuk po iu shërbejmë si duhet të ishte në një institucion të posaçëm, që këta persona të rehabilitoheshin dhe të ktheheshin në shoqëri dhe në familje”, – konfirmon ajo situatën dramatike.

Shteti mbyll sytë, të sëmurë dhe pa shërbime

Mungesa e trajtimeve të duhura kundrejt këtyre pacientëve rrezikon të rrisë faturën financiare të shtetit shqiptar.

Për avokatin Dritan Trifta rreziku nga paditë është diçka reale, pasi kjo kategori është e privuar, si nga gama e shërbimeve që iu ofrohen, ashtu edhe nga cilësia e shërbimit shëndetësor.

Aktualisht shteti nuk i garanton këtij kontingjenti kushtet e nevojshme. Ekziston rreziku për një dëm ekonomik prej padive që mund të ngrihen, pasi nuk iu jepet mundësia që të kurohen në format e kërkuara dhe të parashikuara nga ligji dhe në standardet europiane”, – thotë ai.

Sipas tij, ndryshe nga Shqipëria, vendet e rajonit e kanë zgjidhur këtë problem, duke ngritur institucione të posaçme.

Si pasojë e kësaj neglizhence tashmë Shqipëria ka paguar disa fatura të ngarkuara nga gjykatat ndërkombëtare. Më konkretisht, Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut në çështjen Strazimiri kundër Shqipërisë i dha të drejtë ankuesit, duke e detyruar shtetin shqiptar që t’i paguajë edhe dëmshpërblim.

Kushtet sanitare në Burgun e Zaharisë

Më 11 qershor 2016, Arben Strazimiri dorëzoi në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut aplikimin për akomodimin e tij nga autoritetet shqiptare, në kundërshtim me ligjin, në Qendrën Spitalore të Burgjeve dhe në institucionin e Zaharisë. Ky aplikim erdhi pas kundërshtimeve që Strazimiri kishte bërë në mënyrë të vazhdueshme në instancat gjyqësore, shqiptare të të gjitha niveleve.

Sipas ankuesit, vendosja e tij në këto institucione solli trajtimin çnjerëzor dhe degradues, si dhe privimin e paligjshëm të lirisë së tij, ndërsa institucionet shqiptare të sistemit të drejtësisë dështuan ta zgjidhnin konform ligjit në fuqi këtë situatë.

Pas një shqyrtimi që zgjati 3 vite e gjysmë, Gjykata e Strasburgut vendosi më 21 janar të vitit 2020, se ndaj këtij shtetasi kishte patur shkelje të nenit 3 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut (ndalimi i trajtimit çnjerëzor dhe degradues), për shkak të kushteve të papërshtatshme të jetesës në spitalin e burgjeve dhe kujdesi mjekësor, psikiatrik ndaj tij ka qenë i pamjaftueshëm.

Gjithashtu, gjykata gjeti se ishin shkelur edhe nenet 1, 4 dhe 5 të Konventës Europiane (e drejta për liri dhe siguri/e drejta për të patur një burgim të ligjshëm, të vendosur në mënyrë të shpejtë nga një gjykatë/e drejta për të patur kompensim të ekzekutueshëm). Kjo gjykatë vendosi dëmshpërblimin e shtetasit Arben Strazimiri me 15.000 euro.

Në vendimin e dhënë për këtë çështje, Gjykata e Strasburgut konstaton se autoritetet shqiptare kanë dështuar për një kohë të gjatë në sigurimin e një institucioni të posaçëm, mjekësor për të dënuarit me sëmundje të shëndetit mendor, të cilëve iu është kufizuar liria mbi bazën e një vendimi gjyqësor për mjekim të detyruar.

 Ndërkohë, më 9 dhjetor 2021, komiteti me tre gjyqtarë i Gjykatës së Strasburgut vendosi të çregjistrojë kërkesën e ankuesit Fotaq Zaharia, i cili iu drejtua kësaj gjykate për shkak të mosgarantimit të gamës së nevojshme të pajisjeve/materialeve mjekësore nga autoritetet shqiptare. Prej më shumë se një dekade ai është në pritje për t’iu nënshtruar një operacioni kirurgjikal, pasi ka pranuar deklaratën e njëanshme të qeverisë shqiptare.

Në këtë deklaratë qeveria shqiptare shpreh keqardhjen që kërkuesi i është nënshtruar një trajtimi çnjerëzor dhe poshtërues, në kundërshtim me nenin 3 të Konventës, duke u zotuar ndër të tjera se:

“Autoritetet marrin përsipër që kërkuesi të ekzaminohet nga një ekip mjekësh specialistë, brenda tre muajve nga data e njoftimit të vendimit të Gjykatës Europiane, me qëllim rivlerësimin e gjendjes së tij aktuale, shëndetësore dhe dhënien e rekomandimit për ndërhyrjet kirurgjikale që mund të përmirësojnë gjendjen e tij, shëndetësore. Në përputhje me ligjin dhe procedurat e brendshme, aplikantit do t’i ofrohet mundësia që të caktojë një mjek të zgjedhur prej tij për t’u bërë anëtar i ekipit të mjekëve specialistë”.

Ndër të tjera në deklaratë shteti shqiptar zotohej se do t`i paguante edhe 13 mijë euro dëmshpërblim për dëm material dhe jomaterial, të shkaktuar ndaj zotit Fotaq Zaharia.

Pse u mbyll Zaharia?

 Mbipopullimi dhe degradimi i godinës ishin dy shkaqet kryesore që e çuan drejt mbylljes burgun e Zaharisë. I kthyer në vitin 2009 nga spital psikiatrik, në institucion të vuajtjes së dënimit për ata, për të cilët gjykata vendos mjekim të detyruar, çështjen e mbipopullimit të këtij institucioni e kanë evidentuar prej vitesh organizma ndërkombëtarë, por edhe kombëtarë. Më 6 tetor të vitit 2020, në një dokument për zgjerimin e Bashkimit Europian mbi Shqipërinë, që i ishte paraqitur Komisionit Europian, ndër të tjera ngrihej edhe problematika e burgjeve.

Popullsia e ndërtesës mjekësore, Zaharia, është e mbipopulluar rëndë me 284 të dënuar, kur kapaciteti është 188”, – shkruhej në dokument, ku ndër të tjera thuhej se Avokati i Popullit kishte kërkuar mbylljen e menjëhershme të Zaharisë, por edhe të burgut të Sarandës dhe atij të Burrelit për shkak të kushteve të këqija, duke përfshirë mbipopullimin dhe standardet e ulëta higjienike.

Faktin që në burgun e Zaharisë kishte mbipopullim e pranoi në një intervistë, të dhënë më 27 nëntor të vitit 2021, edhe drejtori i këtij institucioni, Petrit Myslymi.

Aktualisht që flasim, kam rreth 319 pacientë, pra kemi mbipopullim, ku kapaciteti mbajtës i këtij institucioni është 196 vetë”, – u shpreh ai.

Dhomë izolimi / Burgu i Zaharisë

Por, ky numër ka qenë edhe më i lartë. Më 7 nëntor, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, në Komisionin e Ligjeve, ku do të bënte të ditur se Zaharia do të mbyllej brenda nëntorit, gjithashtu do të deklaronte:

“Më lejoni të jap shifrën e saktë të personave që ndodhen në institucionin e trajtimit të posaçëm: janë 329 persona në burgun e Zaharisë. Ka një rekomandim të Këshillit të Europës, që kjo kategori, persona me masë shëndetësore, do të duhet të kalojë në administrimin e Ministrisë së Shëndetësisë”.

 Rekomandohet mbyllja e menjëhershme e I.E.V.P., Krujë, si dhe sistemimi i menjëhershëm i personave me probleme të shëndetit mendor, që trajtohen në kundërshtim me ligjin në këtë institucion, në pavijone psikiatrike që administrohen nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, deri në ngritjen e institucionit të posaçëm mjekësor, sipas paracaktimit të ligjit nr. 44/2012 “Për Shëndetin Mendor”.

 Ky është rekomandimi i fundit, i dhënë nga Mekanizmi Kombëtar për Parandalimin e Torturës (MKPT) në Shqipëri, një rekomandim që gjeti rrugën deri në tryezën e ministres së Drejtësisë së kohës, asaj të Shëndetësisë, madje edhe kryeministrit.

Më tej, MKPT shprehej se mbyllja e Zaharisë ishte imediate, pasi kushtet e trajtimit në këtë institucion të personave të privuar nga liria janë tejet degraduese, jo-humane dhe në kundërshtim me standardet ndërkombëtare dhe kuadrin ligjor në fuqi; por ky rekomandim nuk ishte pjesë e raportit të fundit të Avokatit të Popullit mbi Zaharinë, por është një rekomandim që i është dhënë për vite me radhë institucioneve përgjegjëse, shqiptare.

E ndërsa I.E.V.P., Krujë i ishte dhënë statusi i institucionit të veçantë, Avokati i Popullit në raportet e tij i bënte me dije institucioneve se I.E.V.P., Krujë nuk ishte një institucion i posaçëm, mjekësor për trajtimin e personave me çrregullime të shëndetit mendor, që kanë kryer vepra penale. Ndër të tjera Zyra e Avokatit të Popullit theksonte se mbajtja e kësaj kategorie personash në I.E.V.P., Krujë përbënte shkelje të të drejtave të tyre kushtetuese dhe ligjore.

Depozitimi i ilaçeve mjekësore për të dënuarit në Burgun e Zaharisë

Një situatë e rëndë prej vitesh brenda burgut të Zaharisë do të përshkruhej edhe nga Komiteti për Parandalimin e Torturës në një raport të publikuar në vitin 2018.

Komiteti për Parandalimin e Torturës (CPT), shpreh shqetësim serioz, pasi, pavarësisht rekomandimeve specifike, të ripërsëritura, që prej vizitës së vitit 2000 dhe në kundërshtim me ligjet e vendit, pacientët psikiatrikë (në Zahari dhe në spitalin e burgut), vijojnë të mbahen në kushte, të cilat në pikëpamjen e CPT-së mund të konsiderohen lehtësisht si jo-humane dhe denigruese”, – thuhej në raport, ku shtohej se kushtet e jetesës kanë degraduar edhe më shumë, si dhe ka pothuajse një mungesë totale të ngrohjes dhe akses të limituar në ujë të ngrohtë.

 E kur janë kaq shumë dokumente, të cilat iu janë drejtuar institucioneve shqiptare, është qartësisht e dukshme që shteti shqiptar ka mbyllur sytë përballë kësaj kategorie të qytetarëve të tij. E pyetur zyrtarisht se çfarë shifre kapin investimet e kryera në godinën e Zaharisë gjatë dekadës së fundit, Ministria e Drejtësisë nuk ka një shifër të saktë, por shprehet: “Në 10 vitet e fundit janë bërë investime mirëmbajtjeje, por nuk ka patur investime me vlera të mëdha për zgjerim hapësirash apo ndryshime strukturore”.

 Po në të njëjtin reagim, duke iu referuar informacionit të marrë nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, Ministria e Drejtësisë thotë se vlera e këtyre investimeve është zero dhe nuk ka patur asnjë kontratë.

SHARE THIS POST

Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin