Në planin e qeverisjes së PS për mandatin 2017-2021, u premtuan investime në arsimin profesional dhe se çdo bashki do të kishte shkollë profesionale. 4 vjet pas këtij premtimi, nga verifikimi i Faktoje rezultoi se vetëm 1/3 e bashkive kanë shkolla profesionale dhe një pjesë e tyre janë me financim privat. Edhe në ato bashki ku ofrohet ky lloj shkollimi, nxënës që kanë mbaruar shkollën profesionale e kanë pasur të vështirë gjetjen e një pune në zanatin e vet, ose në disa raste kanë gjetur punë jashtë vendit.
Autor: Qendra Faktoje!
Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi me nxënësit në mars të vitit 2018, deklaroi:
“Ne kemi qëllimin, t’i shtojmë, ideja jonë është që deri në fund të këtij katërvjeçari, ne të kemi një shkollë të arsimit profesional në çdo bashki të vendit.”
Ky zotim gjendet edhe në platformën elektorale të Partisë Socialiste 2017-2021.
Screenshot e platformës së Partisë Socialiste, 2017-2021
Faktoje vendosi të verifikojë nëse të gjitha bashkitë e vendit kanë shkolla profesionale, ashtu siç u zotua kryeministri rreth 4 vite më parë. Fillimisht iu drejtuam me një kërkesë për informacion Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë.
Kërkesë për informacion drejtuar Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, 3 qershor 2021
Pas tejkalimit të afateve dhe ankimimit te Komisioneri për të Drejtën e Informimit, MASR na kthehu këtë përgjigje:
“Duke qenë se arsimi profesional është në varësi të Ministrisë së Financave dhe Ekonomise (MFE) dhe MASR nuk e disponon këtë informacion, i kemi deleguar kërkesën tuaj për informacion instituacionit përkatës”.
Pas delegimit të kërkesës mbi numrin e shkollave profesionale në bashkitë e vendit, Ministria e Financave u përgjigj:
“Në lidhje me kërkesen tuaj mbi shkollat profesionale, ju sqarojmë se aktualisht në vendin tonë zhvillojnë aktivitetin e tyre 35 shkolla profesionale. Shkollat profesionale të cilat kryejnë aktivitetit e tyre janë 20, për secilën nga këto bashki:
-Shkodër -Rubik -Tiranë -Kamëz -Fier -Korcë
-Lezhë -Kukës -Kavajë -Elbasan -Lushjë -Pogradec
-Peshkopi -Durrës -Golem -Cerrik -Berat -Vlorë
-Gjirokastër -Sarandë
Përgjigje e Ministrisë së Financave, 29 qershor 2021
Bazuar në përgjigjen zyrtare të MFE, nga 61 bashki, vetëm 20 prej tyre ose 1/3 në rang vendi, kanë shkolla profesionale.
Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion edhe bashkive për të konfirmuar ekzistencën e shkollave profesionale në territorin që administrojnë, por vetëm disa prej tyre kthyen përgjigje.
Kërkesë për informacion drejtuar bashkive në vend
Bashkia e Korçës na u përgjigj se ky institucion nuk është kompetent për dhënien e informacionit të kërkuar dhe se atë duhet ta kërkonim tek Drejtoria Rajonale e Arsimit Parauniversitar Korçë.
Ndërkohë, Bashkia Kukës u përgjigj se në territorin e saj nuk ka shkollë profesionale të mirëfilltë.
“Para 3 vitesh ka ekzistuar pranë shkollës ‘Havzi Nela’ dega profesionale me disa nëndegë si: Elektrike, Përpunim Druri, Administrim Biznesi, me sistem 2+1 ose 2+2. Aktualisht, vazhdon vetëm dega TIK 2+2, me 57 nxënës gjithsej për katër vitet. Kjo shkollë vazhdon të funksionojë si degë pranë gjimnazit ‘Havzi Nela’ Kukës”- thuhet në përgjigjen e bashkisë.
Përgjigje nga Bashkia Kukës
Bashkia Fier na konfirmoi se funksionojnë dy shkolla profesionale, ajo “Rakip Kryeziu” në Fermë Çlirim dhe shkolla e mesme industriale “Petro Sota”.
Përgjigje e Bashkisë Fier për shkollat profesionale, 12 korrik 2021
Bashkia Lezhë, na konfirmoi se ka një shkollë profesionale që përgatit të rinjtë në 5 profile: Ekonomi Biznes, Teknologji Informimi dhe Komunikimi TIK, Hoteleri Turizëm, Shërbim Social dhe Shëndetësor, Teknologji Ushqimore.
Faktoje gjithashtu pyeti dhe nxënës nga ky qytet të cilët e kanë ndjekur shkollën profesionale dhe nëse kanë patur lehtësira në punësim apo ndjekjen e kualifikimeve të tjera.
A.L, nxënës që ka mësuar në këtë shkollë, thotë për Faktoje:
“Zgjodha shkollën profesionale, sepse më pëlqenin degët që kishin dhe zgjodha TIK-un, (informatika) pasi kisha prirje tek teknologjia dhe e kisha përcaktuar fushën që dëshiroja të ndiqja. Të mirat e shkollës janë të shumta, kam punuar në laboratore me kushte shumë të mira dhe kam përdorur teknologjitë e fundit, kam përfituar shumë njohuri të reja. Kam marrë pjesë në shumë trajnime dhe konkurse në Shqipëri dhe jashtë saj. Tashmë jam në universitet dhe studioj për Multimedia dhe TV Dixhital.”
Shkolla profesionale në bashkinë Lezhë, Kolin Gjoka
Edhe bashkia Mirditë konfirmon se ka 2 shkolla profesionale:
1-Shkolla e mesme Industriale Rubik
2-Shkolla e mesme (private) “Shen Jozefi Punetor”
Bashkia Pogradec, në përgjigjen për Faktoje konfirmon për një shkollë profesionale, “Enver Qeraxhi” që operon me dy mjedise mësimore, një në qendër të qytetit dhe një në fshatin Çerravë. Tek kjo e fundit, sipas bashkisë, janë vendosur nxënësit e profilit bujqësor.
Bashkia Berat, i konfirmoi Faktojes se ka 2 shkolla profesionale në territorin e administruar prej saj, shkolla profesionale “Stiljano Bandilli” dhe “Kristo Isak”.
Nga bashkia e Vlorës konfirmojnë për dy shkolla profesionale:
- Shkolla Industriale “Pavarësia”
- Shkolla Tregtare
Ndër bashkitë që kanë shkolla profesionale, ajo që ofron më shumë larmi në formimin profesional është Bashkia Shkodër. Në faqen zyrtare të këtij institucioni renditen 6 shkolla profesionale:
Shkolla Teknike Industriale “Arben Broci”, ajo e Ndërtimit “Kolë Idromeno”, Artistikja “Preng Jakova”, Gjimnazi Gjuhësor “Shejnaze Juka”, shkolla Teknike Pyjore “Kolë Margjini”, ajo Teknologjike “Hamdi Bushati” dhe shkolla private Austriake Teknologji-Informacioni “Peter Mahringer”.
Faktoje pyeti disa ish-nxënës të cilët kanë mbaruar formimin professional në këto shkolla.
“Unë kam mbaruar shkollën e mesme Teknike Pyjore “Kolë Margjini” Shkodër. Zgjodha një profil profesional pasi e mendova si më të favorshëm për të hyrë në tregun e punës. Të punësuarit në këtë profil nuk janë të shumtë në numër pavarësisht se kërkesa dhe nevoja për t’u kujdesur për pyjet është urgjente. Mospasja e një shkolle profesionale në bashkinë ku unë jetoj, bëri që unë të levizja në Shkodër dhe pavarësisht mundësive të pakta ekonomike, arrita ta mbaroj shkollën me rezultate shumë te mira. Megjithatë nuk gjeta punë këtu në Shqipëri dhe u detyrova të shkoj në emigrim.” -tha M.L. për Faktoje, një i ri nga Puka.
N.E. ka mbaruar studimet në shkollën profesionale “Arben Broci” në Shkodër, çka i shërbeu për t’u punësuar në Itali.
“Mbarova shkollën profesionale në degën Gjenerik-Motorist. Pasioni për makinat ka bërë që t’i përkushtohem kësaj dege. Kam kërkuar shumë të punoj në Shkodër dhe Tiranë dhe për një kohë të shkurtër kam punuar në një servis, por isha i pakënaqur me pagën. Tani punoj në Itali dhe shkolla më ka ndihmuar të gjej punë në profesionin tim.”- tha i riu për Faktoje.
Faktoje komunikoi edhe më ekspertin e arsimit Fatmir Vejsiu, i cili konfirmon se edhe ata nxënës që mbarojnë shkollat profesionale, në ato bashki ku ofrohet si mundësi, e kanë të vështirë ose të pamundur të gjejnë një punë.
“Shumë pak nga ato që mbarojnë shkollat profesionale ndihmohen për t’u tërhequr nga tregu i punës edhe si pasojë e moskoordinimit dhe marrëveshjeve me sektorin privat, i cili është punëdhënësi kryesor në vend.”- thotë ai për Faktoje.
Eksperti tërheq vëmendjen edhe për domosdoshmërinë e mirëkoordinimit mes shkollave profesionale dhe përshtatjen e praktikës në tregun e punës.
“Shkollat profesionale hapen konform kërkesave të tregut të punës në qytete, rrethe dhe në shkallë kombëtare, përpos faktit që janë shkolla që kanë një kosto financiare të konsiderueshme në kuptimin më të gjerë të këtij koncepti:
-Infrastruktura e nevojshme me laboratorë dhe baza prodhuese për kryerjen e praktikave.
-Parashikimi i fondeve për lëndë të parë, të nevojshme për kryerjen e praktikave profesionale.
-Gjetja dhe kualifikimi i mësuesve të lëndëve profesionale.
-Sigurimi i personelit ndihmës në bazat prodhuese.
Asnjë profesion nuk mund të mësohet vetëm në shkollë. Në të studenti merr njohuritë dhe shprehitë fillestare të profesionit të cilat me kalimin e viteve perfeksionohen në varësi të punës që bën dhe dëshirës e pasionit për punën që bën. Në disa vende, kryesisht në Gjermani funksionon sistemi dual, i cili bazohet në funksionimin e një pjesë në shkollë për njohuritë teorike të formimit të përgjithshëm dhe profesional (rreth 20% të kohës) dhe pjesën tjetër në ndërmarjet e kompanitë private kryesisht për zhvillimin e praktikave profesionale. Përveç uljes së kostove nga shteti për shkollimin e të rinjve, kjo mënyrë siguron edhe lidhjen e tyre me tregun e punës.
Tek ne, shkolla është e shkëputur nga tregu i punës dhe të rinjtë pas përfundimit të saj e kanë të vështirë të gjejnë veten si pjesë e saj.”- thotë Vejsiu.
Bazuar në të dhënat e institucioneve vendase dhe ato ndërkombëtare, Shqipëria ka nivelin më të ulët në Europë për financimin publik në përgjithësi. Edhe pse treguesit e INSTAT tregojnë se kategoria e të rinjve 15-29 vjeç, që nuk është as në punë dhe as në ndonjë trajnim profesional, shënoi ulje në krahasim me gjashtë vite më parë, ky komunitet që njihet ndryshe NEET përbën 27,9% të të rinjve në vend. Kjo shifër e rendit Shqipërinë ndër vendet e fundit, jo vetëm në Europë, por edhe në rajon.