Tregti me varret, paqartësitë ligjore sjellin lulëzimin e varrezave informale

Në Lezhë prej tre vitesh “nuk ka më vend për varre”, ndërsa në periferitë e Tiranës kanë lulëzuar varrezat informale. Si pasojë e zgjerimit gjatë pandemisë së Covid-19, në qytetin bregdetar të Durrësit varret kanë “rrethuar” shtëpitë e 300 banorëve. Mes kaosit dhe paqartësive ligjore, tregtia me një vend për në “botën e përtejme” varion nga 60-100 mijë lekë të reja për një varr.

Autor: Elvis Hila, Kloida Gjuzi dhe Esmeralda Hida

Bujari po prish varret e vjetra të Berishajve në Lezhë, për të siguruar një vend për ata, të cilët kanë ndërruar jetë kohët e fundit. Të gjesh një copë tokë për prehjen e përjetshme në varrezat publike të Lezhës, është thuajse e pamundur.

“Kena fillu, duke futur në varre nga dy veta. Pra, prishim varrim ekzistues dhe fusim persona të tjerë të familjes. Shumë raste kam pasur kohët e fundit dhe, te nëna e vet, që ka vdek, kemi futur djalin, kena fut babën te djali, në të njëjtin varr”, – i thotë Investigative Network Albania-s Bujar Berisha.

Bujar Berisha në varrezat publike të Lezhës

Bashkia e Lezhës po përballet me një situatë kritike. Prej 3 vitesh në varrezat publike të qytetit nuk ka më vend për varre të reja, madje janë shfrytëzuar edhe rrugicat brenda varrezave.

Rritja demografike e qytetit me 5 herë më shumë pas viteve `90 ka sjellë edhe pamundësinë për të gjetur një copë tokë për prehjen e përjetshme.

Në vitin 2019, Bashkia e Lezhës mori një sipërfaqe të madhe toke në fshatin Gocaj për ndërtimin e varrezave të qytetit, por investimi u la përgjysmë për shkak të përmbytjeve dhe ato varreza nuk janë funksionale.

“Në varrezat e reja buron ujë dhe është e pamundur të përdoren. Më mirë të na kishin bërë tunele se sa të fusim njerëzit tanë në ujë”, – thotë më tej Berisha.

Emergjenca për hapësira të reja në varrezat publike pranohet edhe nga Bashkia e Lezhës. Nënkryetari i bashkisë, Ermal Pacaj, premton se situata do të zgjidhet përfundimisht vitin që vjen, ku parashikohet të bëhen funksionale varrezat e ngritura në fshatin Gocaj.

“Me buxhetin e vitit 2022 kemi parashikuar që të investojmë atje. Do ndërtojmë urën, rrugën, si dhe do të bëjmë të mundur që ta çojmë nivelin e tokës e të hapim kanalet kulluese, me qëllim që toka të mos përmbytet. Ato ekzistueset normalisht që do t`i mbyllim. Mund t’i përdorin, vetëm ata që kanë varre familjare, që i kanë gati”, – sqaron Pacaj.

Kjo situatë ka sjellë lulëzimin e tregtisë me varret. Një qytetare pranon se iu desh të paguante, që të gjente një vend për një të afërm të saj.

“Është skandaloze, mos të kesh vend, ku të varrosësh të vdekurit. Na u desh të paguanim e të fusnim mik për të varrosur një të afërm tonin, këtu në rrugicë, afër derës kryesore. Bashkia duhet që me urgjencë të gjejë zgjidhje. Është turp!”, – thotë qytetarja në kushtet e anonimatit.

Pa një vendprehje për të vdekurit, banorët e fshatrave Grash, Gjadër dhe Zojz të Njësisë Administrative të Dajçit, në zonën e Zadrimës në Lezhë, po i shtyjë kufijtë e varreve drejt tokave bujqësore.

“Do e hap varrin në tokën time dhe do varros te shtëpia. Nuk ka rrugë tjetër, sepse nuk e kanë lënë një vend kund me e fut të vdekurin”, – thotë Gjovalin Hila, banor i Zojzit.

Gjovalin Hila

Si pasojë e mungesës së vendeve, varret pa kriter kanë mbirë edhe në vendet e shenjta, duke dëmtuar historinë e kishave qindravjeçare në zonën e Lezhës. Kisha, ku është mbajtur Kuvendi i Arbrit, është zaptuar e gjitha nga varret e banorëve përreth, duke vënë në vështirësi edhe zbatimin e projekteve për mirëmbajtjen e saj.

“Në Mërqi kanë zënë qelën e kishës dhe rrugët pranë territorit të kishës së vjetër. Tani ka ardhur projekti për të investuar për kishën, ku është mbajtur Kuvendi i Arbrit. Kemi vënë disa piketa këtu dhe do ta bindim popullin, që mos të ketë më varre pa kriter, derisa të hapen varrezat e reja më poshtë”, – i thotë Investigative Network Albania-s Preng Shtjefni, kujdestar i Kishës Mërqi.

Preng Shtjefni, kujdestar i Kishës Mërqi

Kleriku i kishës katolike dhe studiuesi Dom Nik Ukgjini thotë se mungesa e hapësirave për varre është kthyer në shqetësim dhe autoritetet duhet t`i japin zgjidhje kësaj problematike.

“Është e pakuptueshme se si bashkitë apo kishat katolike nuk mundësojnë që të ketë hapësirë të duhur e të bollshme për varreza”, – thotë Ukgjini, i cili bashkohet me Shtjefnin për dëmtimet që po iu bëhen objekteve të kultit.

“Varret janë bërë buzë monumenteve të vjetra, kulturore, duke dëmtuar, jo vetëm ato, por edhe arkeologjinë. Duke hequr varret e vjetra, janë dëmtuar edhe varret e personaliteteve të ndryshme”, – shton Dom Nik Ukgjini.

Tregti me varrezat informale në periferi të Tiranës

Në fshatin Bulçesh i Ri, pjesë e Njësisë Administrative të Zall-Herrit, prej disa vitesh funksionon një varrezë private. Pa asnjë dokumentacion, pa një listë të dhënash se kush prehet në këtë vend dhe ku, pa tarifa të përcaktuara, ajo ushtron aktivitetin në pronën e Idriz Sheftelisë. Sheftelia ka ndërruar jetë disa vite më parë, por prona administrohet nga i biri, Bajrami.

Varreza private e Bulçeshit

Ndonëse funksionon prej gati 7 vitesh, kjo varrezë nuk është e licencuar, megjithëse autoritetet janë në dijeni të aktivitetit që zhvillohet në këtë pronë.

Agjencia e Shërbimeve Funerale në Tiranë, e cila duhet ta kishte nën administrim këtë territor, është prej vitesh në verifikim të statusit të saj.

“Varreza është në proces të verifikimit të statusit juridik të pasurive të paluajtshme, për të gjitha njësitë administrative, sipas dokumentacionit të përcjellë nga këto njësi në funksion të këtij procesi”, – jep një përgjigje të vagullt Bashkia e Tiranës, pa sqaruar se çfarë do të ndodhë me të.

Njësia Administrative Zall-Herr, ku ndodhet kjo varrezë, ia ka përcjellë dokumentet Agjencisë së Shërbimeve Funerale, Tiranë që në vitin 2017, por ende nuk është verifikuar statusi juridik i pronës.

Që kjo varrezë ushtron aktivitetin prej vitesh në paligjshmëri të plotë, zbulohet edhe nga letërkëmbimet mes institucioneve që INA MEDIA i disponon.

Sipas shkresës me nr. protokolli 1847/1, datë 5 tetor 2017, z. Bajram Sheftelia është njoftuar nga Njësia Administrative Zall-Herr ta ndërpresë menjëherë ndërtimin e varrezave në pronën e tij, në të kundërt ajo do të ishte objekt i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit.

“Nga data e njoftimit ju nuk duhet të lejoni ndërtim varresh në këtë parcelë, pa u pajisur me leje ndërtimi varresh nga Bashkia, Tiranë. Në rast se vazhdoni të kryeni ndërtim varresh, pa u pajisur me leje ndërtimi, do të përballeni me bllokim të kësaj pasurie nga IMT e Bashkisë, Tiranë”, – thuhet në shkresën e fillimit të tetorit të vitit 2017, që kjo njësi i ka dërguar pronarit të truallit, ku është ndërtuar kjo varrezë.

Shkresa paralajmëruese ndaj varrezës private në Bulçesh

Pavarësisht këtij “kërcënimi” Sheftelia e ka vijuar këtë aktivitet, ndërkohë që asnjë institucion nuk rezulton të ketë ndërhyrë deri më sot për bllokimin e kësaj varreze, që vazhdon aktivitetin pa leje.

I kontaktuar nga INA MEDIA, Bajram Sheftelia pretendoi se varrezat janë me letra të rregullta.

“Babai ka marrë në atë kohë një letër në komunë. Madje, atë letër e kam te shtëpia edhe sot e kësaj dite. Vetëm ajo ka qenë. Tani toka është zënë e gjitha e nuk shesim më”, – deklaroi Sheftelia, i cili premton se do na japë më vonë një kopje, por nuk u përgjigj më në telefon.

Ndërtimit të varrezave private i është hapur ligjërisht rruga që në vitin 2004, me anë të ligjit HYPERLINK “https://www.coursehero.com/file/65109266/Ligj-9220-15042004doc/”NrHYPERLINK “https://www.coursehero.com/file/65109266/Ligj-9220-15042004doc/”. 9220, “PËR SHËRBIMIN PUBLIK TË VARRIMIT” dhe ato ngrihen me vendim qeverie ose vendim Këshilli Bashkiak. Ligji përcakton se për njësitë bazë të qeverisjes vendore mund të ngrihet vetëm një varrezë private për 100 mijë banorë dhe me sipërfaqe jo më pak se 10 ha.

Nga informacionet rezulton se varreza e Bulçeshit ka një sipërfaqe prej 3300 metrash katrorë, pra shumë larg 10 hektarëve, siç e parashikon ligji, që përbën një tjetër shkelje.

Eksperti i pushtetit vendor, Agron Haxhimali, thotë se, ndonëse varrezat private ngrihen me vendim qeverie, kjo nuk i përjashton nga përgjegjësia autoritetet vendore.

“Në rastin që ju i referoheni, duhet që bashkia të kërkojë llogari për publikimin e tarifave të shërbimit. Duhet të ushtrojë kontrollin ligjor për procedurat se si administrohen. Administrata e varrezës është e detyruar të garantojë aksesin e plotë dhe në çdo kohë të publikut mbi informacionin përkatës”, – shprehet Haxhimali.

Skandali bëhet edhe më i madh, se kjo varrezë, duke mos qenë e kontrolluar, nuk ka një regjistër të personave që prehen në këtë truall, nuk ka një kujdestar apo mirëmbajtës të varrezës dhe çmimet i cakton pronari.

“Kam paguar mbi 500 mijë lekë të vjetra për varr, por shitja vazhdon, tani nuk e di nga kush, pasi persona të ndryshëm kanë blerë tokë dhe e shesin”, – shprehet banori, Vladimir Kaloshi, për INA MEDIA-n.

Vetë banorët nuk preferojnë të flasin, por thonë se shpeshherë kanë kontaktuar me Afrim Elqenin për të blerë varre, i cili, sipas të dhënave nga Njësia Administrative Zall-Herr, ka qenë investitor me Sheftelinë në aplikimin e bërë në vitin 2017.

I kontaktuar nga INA MEDIA, Elqeni deklaroi se nuk ka të bëjë me varrezat private.

“Unë kam vetëm punishten e mermerit për varre, nuk kam lidhje me varrezat private që janë aty”, – tha ai në linjë telefonike për INA MEDIA-n.

Por, Bulçeshi i Ri nuk është e vetmja zonë në Tiranë, ku ka lulëzuar tregtia e varreve informale.

Paskuqani është një tjetër zonë, ku varret po shiten privatisht.

Për t’i dhënë zgjidhje mijëra banorëve të kësaj zone, në vitin 2015 qeveria shqiptare miratoi vendimin 452, datë 27.05.2015 “Për ngritjen e varrezave private në Njësinë Administrative Paskuqan, Qarku Tiranë”, vendim, i cili u shfuqizua pesë vite më vonë, konkretisht në janar të vitit 2020.

Ministria e Infrastrukturës e justifikoi asokohe anulimin e këtij vendimi me mungesën e investimeve nga ana e privatit.

“Si rrjedhojë, MIE kërkoi shfuqizimin e kësaj VKM nominative, për t’i dhënë rrugë investimeve të tjera, private, që mund të jenë të interesuara për ta zhvilluar këtë projekt”, – deklaroi asokohe MIE.

Por mos-ngritja e një varreze të licencuar, private ka vënë në vështirësi banorët, për të gjetur vende në varrezat publike. Si pasojë, ata drejtohen te njerëzit që bëjnë tregti me varret.

“Nuk ka më varreza, e kanë bllokuar krejtësisht. Një varr kushton 60 mijë lekë të reja”, – shpjegon Hekuran Koçi, banor i Paskuqanit, i cili shton se, investitori, që erdhi, nuk bëri gjë, por tashmë kanë vënë një tjetër.

Karaman Hoxha, një tjetër banor i Paskuqanit, tregon se shumë veta kanë zënë vend në tokë private për varreza.

“Kanë zënë vend atje, në kodër, afër varrezave të Babrrusë. Ka disa vende bosh te varrezat publike, por i kanë rrethuar për të vetët. Të them të drejtën, vendi për një varr ka shkuar deri në 800 mijë lekë të vjetra këtu”, – shpjegon Karaman Hoxha.

Varreza private në Paskuqan

Si në Bulçesh, ashtu edhe në Paskuqan, varrezat private janë hapur kryesisht pranë varrezave publike, ku banorët, që kanë tokën pranë tyre, e kanë shitur për varre në informalitet të plotë.

Për ekspertët kjo situatë informaliteti dhe e paqartë me varrezat nuk është vetëm shqetësim për sigurimin e një vendi për prehjen e përjetshme, por është e mbushur me shkelje ligjore.

“Shkelja e parë fillon që nga fakti se ka persona, të cilët e shesin tokën për varreza. Në çdo vend të botës kryhet studim më parë në atë pronë dhe më pas jepet vendimi, nëse jepet leja për t’u përdorur toka për shërbime varrimi apo jo. Një person, që lëshon pronën për këtë shërbim, duhet të marrë leje, që këto varreza do të mirëmbahen, nuk do të shitet hapësira pa kriter, sepse ka një rregull se sa larg duhet të jenë varret nga njëri-tjetri”, – rendit disa shkelje avokati Romeo Kara.

“Së pari, për ta vazhduar këtë aktivitet duhet leje mjedisore. Së dyti, duhet të jetë bashkia dhe institucione të tjera vendore që të shohin se si ky fenomen po kthehet në një çështje biznesi”, – këmbëngul avokati Romeo Kara.

Avokati Kara mendon se sidomos gjatë pandemisë tregtia me varret lulëzoi.

“Duhet parë me seriozitet fakti që vendi për varre u kthye në biznes të vërtetë gjatë pandemisë”, – shprehet Kara.

Nga ana tjetër, ekspertët e urbanistikës ia atribuojnë këtë kaos edhe me “botën e përtejme” mungesës së strategjive nga pushteti vendor.

“Gjatë procesit për zhvillimin e qyteteve është vënë re një mungesë vëmendjeje ndaj projektimit të zonave të destinuara për varreza. Të konsideruara si hapësira publike me funksion të veçantë, është pushteti vendor ai, i cili ngarkohet me përgjegjësi sipas legjislacionit në fuqi”, – shprehet Doriana Musai, aktiviste e urbanistikës.

Durrës, varrezat mbërrijnë te shtëpitë

Vdekjet e shumta, të shënuara nga Covid -19, e futën në kolaps qytetin bregdetar të Durrësit, për sigurimin e një hapësire në të dyja varrezat publike.

Para pandemisë mesatarja e varrimeve në këtë qytet ishte 3-4 varrime në ditë gjatë muajve të verës dhe 6-8 persona në ditë në dimër, gjatë pandemisë arriti shifrën rekord, me 12 varrime në ditë.

Në këtë situatë, Sektori Funeral pranë Ndërmarrjes së Shërbimeve Komunale gjeti si zgjidhje provizore hapjen e varreve të reja, publike në një parcelë jashtë murit rrethues.

“Rreth 1 vit më parë konstatuam që parcela e fundit, që kishim ne në pronësi përpara murit rrethues, po ezaurohej me ritme të shpejta. Menjëherë ne i bëmë një kërkesë Bashkisë së Durrësit, ku i kërkuam shtesë sipërfaqeje për vitet e ardhshme dhe për ta zgjidhur këtë problem për një periudhë afatgjatë”, – sqaron nëndrejtori i Bashkisë së Durrësit, Soren Dedja.

Mirëpo kjo zgjidhje provizore nuk i dha një zgjidhje përfundimtare problemit. Duke qenë se edhe kjo parcelë e re po shkonte drejt ezaurimit, Bashkia e Durrësit gjeti sërish si zgjidhje marrjen e një sipërfaqeje të re toke, ngjitur me varrezat aktuale, por zgjerimi i varrezës ka shqetësuar rreth 300 banorë që jetojnë në këtë zonë, të cilët ankohen se varret iu kanë mbërritur në oborret e shtëpive.

“Ka banorë që iu kanë hyrë varrezat në dritaret e shtëpisë, 5 metra nga shtëpia. Është rrëqethëse, sepse ka njerëz që vijnë që në 5 të mëngjesit dhe qajnë të afërmit e tyre, kurse ne normalisht jemi në gjumë dhe rrimë dëgjojmë britmat e njerëzve. Është shumë e rëndë”, – thotë për INA MEDIA-n Ervis Nurqellari, një banor i zonës.

Banesa e Gjergj Gjokës, e ndërtuar në vitin 2000, me këtë ritëm që po rriten varrezat, për pak kohë do të gjendet e rrethuar me varre nga të katërta anët.

A është legjitim zgjerimi pakufi i varrezave, aq sa t’iu shkojë në prag të shtëpisë qytetarëve? Përgjigjen e gjejmë te ligjet shqiptare.

Neni 4, pika 1 e Ligjit për Shërbimin Funeral thotë se varrezat duhet të jenë të izoluara nga zonat e banimit nëpërmjet zonës së rezervuar.

Pika 2 e këtij neni vijon me distancat.

“Kur komuniteti ka mbi 10 mijë banorë, distanca nga varrezat duhet të jetë 100 metra. Kur banorët janë më pak se 10 mijë, distanca e banesave nga varret duhet të jetë 50 metra”, – specifikohet më tej në ligj.

Nga vëzhgimi në terren, rezulton se pas çarjes së dy mureve rrethuese, asnjë mur tjetër nuk është ngritur më me justifikimin e mungesës së fondeve.

Muri rrethues në juglindje

“Kam kërkuar që të bëhet muri rrethues, por më thanë që s’kanë fonde, por s’ka as 20 ditë, që edhe pse s’kishte fonde, bashkia bëri një rrugë me beton te varret. Pse nuk u bë njëherë muri rrethues dhe pastaj rruga e brendshme, po duhet të bëjmë biznes sa më tepër?!”, – akuzon Jurgen Rica, banor i zonës, teksa mban në dorë kërkesën drejtuar bashkisë.

Muri rrethues në jugperëndim

Jurgeni dhe babai i tij, Lleshi, jetojnë prej shumë vitesh këtu. Pronën e tyre nga varret e ndan një distancë jo më shumë se 5 metra. Llesh Rica mban në duar dokumentet e banesës, në të cilën jetojnë 3 kurora.

“Ju lutem dhe i kërkoj shtetit që të gjejë zgjidhje kjo punë”, – thotë i trishtuar ai.

Llesh Rica

Nga ana tjetër, Bashkia e Durrësit shuan shpresat e banorëve për shpronësime.

“Të gjitha tokat, që Agjencia Kombëtare e Shpronësimeve ka shpronësuar, kanë qenë tokë arë dhe vresht. Asnjë nga banesat, që janë afër varrezave të reja, nuk preket nga ky shpronësim”, – sqaron nëndrejtori i NSHK-së në Durrës, Soren Dedja.

Të pashpresë dhe të braktisur banorët e kësaj zone apelojnë që së paku të vendoset muri rrethues.

“Kam ardhur për një jetë më të mirë këtu dhe jo për të bërë varrezë fushat, aty ku jetojnë 15 fëmijët e mi. Ju lutem shumë, të vendoset një mur rrethues, të jetë një kufi i rregullt dhe të mos më trishtohen fëmijët! Kaq i kërkoj shtetit”, – tha për INA MEDIA-n Rica.

Banor prej 25 vjetësh në këtë zonë, Gjelal Markaj ngre akuzat për abuzime për interesa vetjake.

Gjelal Markaj, banor i zonës

“Erdhën, na e prishën rrethimin, për interes parash, këtu luhet paraja, jo jeta e njeriut. Na i sollën mu në derë të shtëpisë, nuk kemi as ku të dalim, prandaj shteti le të gjejë zgjidhje, ose të vijnë të na ngrenë ne, ose të ngrenë murin rrethues”, – përfundon Markaj.

Zgjidhja, e vështirë

Pa rregulla të qarta dhe të mirë-përcaktuara për ta administruar këtë proces kaq delikat, ekspertët e shohin të vështirë gjetjen e një zgjidhjeje, aq më pak kur tashmë mijëra qytetarë iu janë drejtuar varrezave “ilegale” për strehën e përjetshme të familjarëve të tyre.

“Ajo çka unë nuk e gjej të elaboruar në ligj, ka të bëjë me faktin se sa i plotë dhe i qartë është ligji që të mos ketë abuzivitet dhe shpërdorim. Aktet nënligjore, që unë pashë, nuk caktojnë një tavan (kufi) për tarifat e varrimit ose indikatorë që shmangin tarifat abuzive”, – shprehet Erida Skëndaj, drejtuese e Komitetit Shqiptar të Helsinkit.

Të tjerë mendojnë se situata “nuk ka më vend për varre” do të marrë fund, vetëm pas një debati të hapur me komunitetet fetare kryesisht, për të aplikuar edhe alternativa të tjera.

Të gjendur papritur mes varresh banorët e zonës akuzojnë Bashkinë e Durrësit për braktisje ndaj këtij komuniteti.

“Ne jemi midis varrezash. Më mirë shteti të vijë të na groposë, se njëjtë si kanë vdekur këta, jemi të vdekur dhe ne, që jemi gjallë nëpër shtëpia, se, derisa përditë shoh duke qarë nënë, babë, vajzë, edhe unë, ndonëse jam brenda, do qaj, sepse është shumë trishtim”, – pohon Gjelal Markaj, një ndër më të vjetrit në këtë lagje.

SHARE THIS POST

Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin