Shqipëria, vendi pa pemë, humbet çdo vit 20 mijë hektarë pyje

Të lënë në dorë të bashkive, pa një administratë të kualifikuar, me një shërbim të copëzuar zjarrfikës, me fonde minimale, pyjet janë kthyer në viktima të keq-menaxhimit. As moratoriumi nuk dha asnjë efekt pozitiv, përkundrazi, vëllimi i pyjeve u reduktua me 339 mijë m3 që nga viti 2016.

Autor: Ermelinda Hoxhaj

Zhurmat e motosharrave nuk kanë ndalur në pyjet e vendit tonë, edhe pse që prej shkurtit të vitit 2016 në vend ka hyrë në fuqi ligji “Për shpalljen e moratoriumit në pyje”, i cili ka efekt për një periudhë 10-vjeçare. Si pasojë e prerjes masive, në tri dekadat e fundit mijëra hektarë pyje janë zhdukur, duke i kthyer në djerrina.

Sëpatës nuk i ka shpëtuar as Parku Kombëtar i Zall Gjoçajt. Banorët rrëfejnë se si iu zhdukën para syve pyjet e lartë të fëmijërisë.

“Unë kam lindur, jam rritur dhe po plakem në këtë zonë, në fshatin Melth të Zall Gjoçajt, pjesë e parkut Lurë-Dejë dhe, ajo çfarë më kanë parë sytë, është shumë e rëndë. Kam parë si u shua Lura, pylli me pisha dhe bredha, që ka qenë një mrekulli në tokë dhe nuk besoj se ka patur një të dytë në Europë. Tani është djerrë. Dëmet më të mëdha nisin që nga vitit 1997 e mbrapa”, – tregon për Investigative Network Albania-n Adem Xhokola, banor i Zall Gjoçajt, pjesë e qarkut të Matit.

70-vjeçari Adem Xhokola merret me rritjen e bletëve dhe tregon se për një blegtor, njëkohësisht edhe bletërritës, pyjet kanë një rëndësi të madhe.

“Kosheret e bletëve, se kam 100 e ca koshere, i shëtis, sidomos gjatë verës i nxjerr më lart, në mal. E shoh Lurën si është lënë. Pas asaj masakre, që i është bërë, askush nuk ka vënë dorë për ta pyllëzuar”, – këmbëngul i zhgënjyer se si është lënë prej dekadash pas dore ky park i rëndësishëm, kombëtar.

Adem Xhokola, banor i Zall Gjoçajt

Përkundër kujdesit individual të banorëve, shifrat zyrtare tregojnë se masakra mbi pyje nuk është ndalur.

Më dramatik është fakti se edhe përgjatë 6 viteve të moratoriumit, jo vetëm që nuk ka përmirësim të situatës, por kemi një reduktim të sipërfaqes pyjore dhe të volumit të pyjeve.

Më konkretisht, të dhënat e INSTAT-it për vitin 2020 tregojnë se fondi pyjor dhe kullosor i Shqipërisë shtrihet në një sipërfaqe të përgjithshme prej 1.740.304 ha, duke përfaqësuar 60.5% të sipërfaqes së të gjithë vendit.

Por, nëse e krahasojmë këtë të dhënë me vitin 2016, kur edhe hyri në fuqi Moratoriumi për Mbrojtjen e Pyjeve, kjo e dhënë është reduktuar me plot 576 ha sipërfaqe pyjore dhe kullosore. Vetëm sipërfaqe pyjore, që nga fillimi i moratoriumit, kemi humbur plot 396 hektarë.

Fondi pyjor për vitet 2016-2020

Dëmet më të mëdha dëshmohen me reduktimin e vëllimit të pyjeve. Për vitin 2020 të dhënat tregojnë se vëllimi i përgjithshëm i pyjeve është 54.845.573 m³, duke u ulur me 1.113 m³, krahasuar me vitin 2019, ndërsa krahasuar me vitin 2018 humbjet janë rreth 32.429 m³.

Ekspertët e mjedisit dhe të pyjeve e konsiderojnë alarmante edhe një të dhënë tjetër. Sipas tyre, vetëm gjatë periudhës që nga hyrja në fuqi e ligjit deri në vitin 2020, që janë raportuar të dhënat e fundit zyrtare, kemi një humbje prej 339.000 m³ lëndë drusore.

Si ka ndryshuar vëllimi i pyjeve përgjatë viteve 2016-2020

 Inventari i fondit pyjor

Për herë të parë pas 14 vitesh Agjencia Kombëtare e Pyjeve ka kryer inventarin e fondit pyjor në vitet 2018-2020. Ndonëse ky inventar ende nuk është publikuar, Investigative Network Albania ka mundur të sigurojë disa prej gjetjeve më të rëndësishme të këtij dokumenti.

Referuar këtij skanimi, që i është bërë pyjeve të Shqipërisë, rezulton se kemi humbje të konsiderueshme të volumeve, që përfaqësojnë numrin e pemëve. Më konkretisht, sipërfaqja pyjore ka rezultuar 1.197 000 ha dhe volumi në këmbë rreth 57.7 milionë metra kub.

Inventari i fondit pyjor

Po t`i krahasojmë këto të dhëna me ato të Inventarit Kombëtar të Pyjeve të viteve 2002-2004, pavarësisht se nuk janë matur të njëjtat sipërfaqe prove, sipërfaqja pyjore ka qenë 942.100 ha dhe volumi në këmbë 73.5 milionë m³.

Pedagogu i Shkencave Pyjore pranë Universitetit Bujqësor, Elvin Toromani, thotë se situata është alarmante, pasi çdo vit humbasim mijëra hektarë pyje.

“Nga krahasimi i të dhënave të volumit të inventarëve të fundit kombëtarë rezulton se volumi në periudhën 2004-2020 është ulur me 15.8 milionë metra kub. Çdo vit kemi humbur mesatarisht rreth 987.500 m³, ekuivalentë me 20.153 ha”, – shpjegon Toromani.

Sipas tij, kjo do të thotë se mundësia për t`i shfrytëzuar pyjet zvogëlohet çdo vit, ndërsa shkaqet i gjen, jo vetëm si pasojë e reduktimit të numrit të pemëve, por edhe për shkak të ndryshimit të shpërndarjes së fondit pyjor sipas klasave të moshës. Për shkak të prerjeve dhe dëmtimeve masive aktualisht një pjesë e konsiderueshme e pyjeve janë në moshë të re, që nuk lejojnë shfrytëzim të tyre.

“Pjesa më e madhe e grumbujve pyjorë është e përqendruar në grumbujt me moshë të re deri mesatare dhe më pak në ata me moshë afër asaj të shfrytëzueshmërisë”, – sqaron për Investigative Network Albania-n pedagogu Elvin Toromani.

Me një hendek të thellë rezulton edhe raporti mes sipërfaqes së mbjellë në një vit me atë që humbasim kryesisht nga zjarret.

Drejtori i performancës së pyjeve, Kliti Starja, deklaron se gjatë një viti në 61 bashkitë e vendit mbillen rreth 500 mijë fidanë, që do të thotë rreth 200 ha, ndërkohë që djegim e humbim 20 mijë ha në vit.

Ky raport i thellë, 1 me 100, tregon se pyjet në vendin tonë gjenden në një situatë kritike.

Kliti Starja, Agjencia Kombëtare e Pyjeve

Starja i thotë INA MEDIA-s se të dhënat e nxjerra nga inventari i ri i pyjeve janë një dokument që i ndihmon institucionet përgjegjëse në politikëbërje.

“Një ndër gjetjet kryesore të inventarit të fundit është se Shqipëria është një vend i pasur me pyje të rinj. Klasat moshore, kryesore janë të reja, 20-40 dhe 60-vjeçare. Kjo i thotë politikës sonë se ne kemi pyje, por këto pyje do të duhet t`i mbështesim me proceset e trajtimit dhe nuk mund të marrim bazë drusore”, – sqaron Kliti Starja nga Agjencia Kombëtare e Pyjeve.

Mbipërdorimi

Zall Gjoçaj u shpall Park Kombëtar në vitin 1966. Është një zonë mjaft e thellë, malore dhe banorët e fshatrave ngrohen pothuajse vetëm me dru zjarri. Të vetëdijshëm për rëndësinë e pyllit, ata kanë qenë shumë të kujdesshëm në zgjedhjen e pemëve që do të priten, duke mos e dëmtuar pyllin, madje e kanë mbrojtur.

“Për ne pylli, ashtu si edhe uji, është jeta”, – rrëfen ndikimin e madh që ka pylli në jetën e këtyre banorëve Xhokola.

“Ne nuk e mbrojtëm dot pyllin e Lurës, por ama kanë qenë banorët që kanë mbrojtur pyllin e Dejës dhe të Zall Gjoçajt. Gjithmonë banorët e zonës kanë zgjedhur pemë të dëmtuara, ato që kanë moshën për t`u prerë dhe ato që nuk kanë ndikim në pyll, për t`i përdorur për dru zjarri, sepse ne e dimë shumë mirë se çfarë rëndësie ka pylli”, – pohon Xhokola.

Prerja e pyjeve edhe për ngrohje është thuajse dy herë më e lartë se rritja e tyre, mesatare, duke sjellë një bilanc shumë negativ.

“Në vend rritja mesatare e pyjeve është 1.4 milionë m³, ndërkohë që prerja e tyre është gati dyfish, me rreth 2.5 milionë m³ në një vit. Dhe kjo ka bërë që ne të kemi një bilanc tmerrësisht negativ të fondit pyjor. Nga vitit 2010 e deri më sot ne kemi humbur 30% të volumit të biomasës pyjore, pikërisht për shkak të prerjeve dhe të zjarreve”, – thotë eksperti i mjedisit, Abdulla Diku.

Abdulla Diku, ekspert i pyjeve

Kjo gjë pranohet edhe nga drejtuesit e Agjencisë Kombëtare të Pyjeve (AKP).

“Nuk mund të presim më shumë se sa rritet në një pyll, për të pasur një menaxhim të tyre, të qëndrueshëm. Vetëm një shembull, për nevojat e qarkut të Korçës gjatë një viti duhen 150 mijë m³ lëndë drusore, por mundësitë e këtyre pyjeve janë 30-40 mijë m³, ndaj sasia e lëndës drusore është deficitare, sepse banorët nuk kanë alternativë tjetër për ngrohje”, – tha Kliti Starja.

Zvogëlimi i volumit tregon se sasia e prerë ka qenë më e lartë sesa mundësia vjetore e shfrytëzimit (prerja e lejuar, vjetore). Sipas pedagogut në Fakultetin e Shkencave Pyjore, Elvin Toromani, nëse do të respektohej ky kriter, volumi, jo vetëm që nuk do të zvogëlohej, por do të kishim një rritje të volumit në këmbë për shkak të shtesës natyrore të grumbujve pyjorë.

“Peshën kryesore në volumin e shfrytëzuar në Shqipëri e luajnë drutë e zjarrit. Sipas studimit të kryer nga FAO (2017), mesatarisht një familje në Shqipëri konsumon rreth 5.36 m³/vit, ku në zonat rurale familjet konsumojnë një sasi më të madhe (5.65 m³/vit) dhe këto vlera ishin më të larta se ato të deklaruara nga INSTAT (2014), i cili i referohej një vlere prej 4.5 m³”, – sqaron Toromani.

Sipas tij, shqiptarët përdorin 2.48 milionë m³/vit për ngrohje dhe gatim dhe kjo sasi e madhe vjen direkt nga pylli dhe në pak raste edhe nga tokat jo-pyjore.

Zjarret i zhdukën pyjet

Pa një administratë të kualifikuar pyjore, me një shërbim zjarrfikës të copëzuar dhe shumë herë jofunksional nëpër bashki, me mungesë totale të menaxhimit të fondit pyjor, sektori pyjor është shpeshherë viktimë e zjarreve.

Por, çfarë tregojnë shifrat e institucioneve zyrtare për sipërfaqet e djegura pyjore nga zjarret, ndërkohë që ekspertët e mjedisit dhe të pyjeve i klasifikojnë si një ndër shkaktarët kryesorë të humbjes së fondit pyjor?

Sipërfaqja e humbur pyjore në periudhën 1990-2020 sipas statistikave zyrtare është 67.860 ha, kurse numri total i zjarreve është 11.932.

Sipërfaqja e djegur, mesatare, vjetore është 2.340 ha, ndërsa numri mesatar i zjarreve llogaritet rreth 385 zjarre në vit. Zjarreve nuk i kanë shpëtuar edhe zonat e mbrojtura në Shqipëri. Nga të dhënat e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, gjatë periudhës 2015-2021, sipërfaqja e përshkuar nga zjarret ka qenë 7120.6 ha, kurse sipërfaqja e djegur ka qenë 4244.2 ha.

Shqetësimi që ngrenë ekspertët është mospërputhja e shifrave të raportuara nga INSTAT me ato të organizmave ndërkombëtarë, siç është Sistemi Europian i Informacionit të Zjarreve në Pyje (EFFIS).

Të dhënat e EFFIS për djegiet e pyjeve nga zjarret në Shqipëri për periudhën 2009-2021 janë 240,367 ha.

Të dhënat e raportuara nga EFFIS për humbjen e sipërfaqeve nga zjarret

Për ekspertin e pyjeve, Abdulla Diku, nëse do bëheshin llogaritjet e duhura, vlera e shkatërrimeve në fondin pyjor shkon sa 10% e prodhimit të brendshëm bruto (PBB) të vendit tonë, ndërsa pyllëzimi i sipërfaqeve të djegura kërkon miliarda lekë.

“Vetëm nga zjarret që nga vitit 2005 deri më tani Shqipëria ka humbur 400 mijë hektarë pyje. Kosto do të jetë mbi 1 miliard euro për ta ripyllëzuar këtë sipërfaqe prej 400 mijë ha, të djegur”, – sqaron eksperti i pyjeve, Abdulla Diku.

Sipas tij, mungesa e shifrave të sakta pengon edhe bërjen e politikave të qëndrueshme, zhvilluese në fushën e pyjeve.

“Deri tani nuk ka asnjë të dhënë të saktë (bazë të dhënash), lidhur me dëmin e zjarreve në pyje nga bashkitë. Nuk ekziston asnjë analizë në nivel kombëtar. INSTAT njofton se në vitin 2020 në Shqipëri janë djegur vetëm 339 ha, ndërsa Sistemi Europian i Informacionit të Zjarreve në Pyje jep shifrën 19.909 ha ose rreth 60 herë më shumë”, – vë në dukje kakofoninë me shifrat eksperti i pyjeve, Abdulla Diku.

Edhe gjatë vitit 2021, sipas EFFIS, Shqipëria ka patur 126 raste zjarresh masive (291 në total), dhe sipërfaqja e djegur është 29.057 ha ose rreth 3% e sipërfaqes pyjore të vendit.

Ndërsa Ministria e Mjedisit, në bazë të të dhënave të mbledhura nga bashkitë, na ka informuar se janë djegur vetëm 5.689 ha.

 

Menaxhimi dhe financimi

Të keqmenaxhuar ndër vite pyjet në Shqipëri po shkojnë drejt reduktimit dramatik. Me ndryshimet ligjore pyjet kanë kaluar në pronësi të bashkive, por në pjesën më të madhe bashkitë e vendit nuk i kanë strukturat e duhura profesionale, pra janë punësuar persona që nuk kanë mbaruar shkollën teknike të pyjeve apo studimet në Fakultetin e Shkencave Pyjore në UBT.

“Sipas ligjit, numri i personelit duhet të përcaktohet në përputhje me sipërfaqen pyjore të bashkisë (p.sh., 1 specialist pyjesh për 750-1000 ha pyje të lartë dhe 1 specialist pyjor për 1500-2000 ha në pyje të ulët dhe shkurre). Nga llogaritjet e bëra për numrin e nevojshëm të specialistëve të pyjeve, që duhet të punojnë në bashki, rezulton se nevojiten rreth 845 specialistë në 61 bashki”, – thotë Toromani.

Për ekspertin Diku, me përjashtim të 4-5 bashkive të mëdha, si Tirana, Shkodra, Vlora, Fieri, deri diku Elbasani dhe Korça, bashkitë e tjera janë inekzistente, nuk kanë struktura profesionale, ndërkohë që edhe investimet janë zero.

Sipas ekspertëve, ligji përcakton se të ardhurat nga të gjitha aktivitetet e mundshme në fondin pyjor duhet të përdoren 100% nga strukturat përgjegjëse për pyjet në bashki, kryesisht për investime në fondin pyjor, por kjo nuk ndodh, ndaj shumica e bashkive sot përballen me problemin e mungesës së planeve të mbarështimit dhe kjo i pengon strukturat e pyjeve që t`i planifikojnë aktivitetet në pyje. Kalimi i menaxhimit të pyjeve te pushteti vendor për ekspertët është i gabuar.

“Pyjet nuk duhet të menaxhohen nga bashkitë. Duhet të menaxhohen nga institucionet qendrore, ashtu sikundër ndodh në të gjithë botën, sepse pyjet janë aset kombëtar”, – thotë Abdulla Diku.

Sipas tij, çdo efekt negativ në pyje ndihet në mbarë vendin, pavarësisht se kush e ka certifikatën e pronësisë.

“Aq më tepër që 96% të sipërfaqes së pyjeve ne e kemi shtetërore. Duhet një institucion qendror që të merret me menaxhimin e pyjeve. E dyta, duhet edhe të investohet në pyje, sepse në Shqipëri kemi 30 vite që nuk investojmë në pyje, nuk bëjmë pyllëzime masive, nuk bëhen përmirësime të pyjeve, nuk bëhen studime”, – rendit disa nga problemet eksperti Abdulla Diku.

Moratoriumi

Kemi hyrë në vitin e shtatë të moratoriumit në pyje, por shifrat tregojnë se, jo vetëm që nuk ka përmirësim të situatës, por ka një përkeqësim të saj.

Ndikimi më i madh që ka sjellë moratoriumi i pyjeve është tek importi dhe eksporti i lëndës drusore. Viti 2016, i cili përkon edhe me hyrjen në fuqi të këtij ligji, tregon se eksporti i lëndës drusore u frenua. Sipas shifrave zyrtare, janë eksportuar 43% lëndë drusore më pak, ndërsa në vitet pasuese ka një qëndrueshmëri të eksporteve të drurit, por mbeten në nivele më të ulëta sesa përpara moratoriumit.

Eksportet e lëndës drusore përgjatë viteve 2015-2020

Ky nivel eksporti, sipas ekspertëve, mbetet i lartë, pasi janë disa kontrata koncesionare, të cilat nuk janë pezulluar, edhe pse ligji hyri në fuqi.

“Pavarësisht se ligji e lejonte pezullimin e të drejtave ekzistuese të shfrytëzimit, përsëri kompanitë, që kishin marrë me koncesion shfrytëzimin e pyjeve në disa ekonomi pyjore, vazhduan dhe vazhdojnë punën e tyre edhe sot. Asnjë nuk e di, nëse ka patur ndonjë auditim për këto kompani”, – thotë Toromani.

Drejtori i sektorit të performancës në pyje, Kliti Starja, konfirmon se kontratat koncesionare nuk janë ndërprerë.

“Kontratat koncesionare vijojnë, sepse, nëse do të ndërpriteshin, do duhet të përballeshim me vendime gjyqësore, që do shkaktonin efekt të madh, ekonomik për shkak të ndërprerjes së tyre, arbitrare”, – sqaron ai.

 

Shqipëria, vendi pa pyje

Shqipëria rrezikon të kthehet në vendin e parë në botë pa pyje, nëse fondi pyjor do të vijohet të menaxhohet në këtë formë.

Sipas ekspertit, Abdulla Diku, për 15 vite kemi humbur 30% të sipërfaqes pyjore ose, e thënë ndryshe, çdo vit kemi humbur 2% të fondit pyjor.

“I bie që pas 30 vitesh të mos kemi fare fond pyjor, nëse do të vazhdojmë t`i qeverisim pyjet me këtë lloj mënyre folkloriste dhe jo të bazuar në njohuri shkencore apo duke kopjuar për mirë vende të tjera europiane, duke marrë praktika të mira në qeverisjen e qëndrueshme të pyjeve, përndryshe jemi në dishezë të madhe”, – thotë Abdulla Diku.

Ekspertët sugjerojnë që institucionet t’i kthejnë sytë edhe nga projeksionet e ndryshimeve klimatike për Shqipërinë, sipas të cilave rrezikshmëria është edhe më e madhe, prandaj duhet të merren masa urgjente.

Rekomandimi për të dalë nga kjo situatë është që të shtohet sipërfaqja pyjore me të paktën 1000 ha çdo vit dhe të ndryshojë mënyra e menaxhimit të pyjeve, e cila është e gabuar

“Humbja e mëtejshme e sipërfaqes pyjore do të ndikojë në cilësinë e jetës së komuniteteve në zonat rurale, në humbjen e përfitimeve dhe në cenimin e shërbimeve që ekosistemet pyjore sigurojnë, p.sh., në uljen e kapacitetit të sekuestrimit të dyoksidit të karbonit, në uljen e prurjeve ujore dhe cilësisë së ujërave, në humbje të elementeve ushqyese për shkak të erozionit dhe në shtim të sedimenteve etj.”, – parashikon të ardhmen e zymtë pedagogu i pyjeve, Toromani.

SHARE THIS POST

Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin

RELATED POSTS