Autor: Ola Xama – MediaLook
Të dhënat e hulumtuara nga MediaLook zbulojnë se torta e prokurimeve publike që organizon Agjencia e Blerjeve të Përqendruara ndahet në pjesën më të madhe të fondeve te një numër i kufizuar shoqërish. Në tregun e ushqimeve dominojnë kontratat që përfitojnë vetëm disa kompani, një pjesë e të cilave vijojnë të marrin fonde publike edhe pse pronarët e administratorët e dikurshëm janë dënuar për afera korruptive me fondet publike. Përpunimi i të dhënave sugjeron se në dhjetëra raste Agjencia e Blerjeve të Përqendruara ka kualifikuar dhe skualifikuar shoqëri të njëjta në prokurime që kanë të njëjtin objekt, duke ngritur dyshime për shkeljen e barazisë në tendera duke sjellë fitim të kontratave me mbi 90% të fondit limit me të cilin është hapur gara.
Të paktën 2 milion dollarë fonde janë përdorur pa efikasitet për shkak të mungesës së unifikimit të kritereve që përzgjedhin kompanitë në tenderat publikë, në prokurimet e zhvilluara vitet e fundit nga Agjencia e Blerjeve të Përqendruara. Një audit i Kontrollit të Lartë të Shtetit i ushtruar mbi këtë institucion për periudhën 1 janar 2017 deri në fund të vitit 2019, nxjerr në pah mosfunksionimin si duhet të kësaj agjencie jo vetëm për rotacione të shpeshta dhe mungesë të pajustifikuar të stafit, por edhe sepse nuk ka arritur të vendosë një standard të njëjtë mbi kushtet që duhet të plotësojnë kompanitë që kualifikohen si të pëlqyeshme për të marrë një kontratë me fonde publike.
“Në disa procedura prokurimi janë skualifikuar operatorë, të cilët kanë pasur ofertat ekonomike në vlerë me të ulët se vlera e ofertave të operatorëve të shpallur fitues. Skualifikimi i këtyre operatorëve është bërë pikërisht për mos përmbushjen e disa prej kritereve të veçanta dhe për pasojë janë përdorur 207,191,000 lekë fonde buxhetore pa efektivitet dhe ekonomizim, duke i humbur efektet që kërkon ligji “Për prokurimin publik””, – thuhet në raportin përfundimtar të KLSH-së.
Kontrolli i Lartë i Shtetit e ka lënë pjesë të rekomandimeve krijimin e një standardi të vetëm kriteresh për prokurime që kanë të njëjtin objekt në mënyrë që të mos krijohet diskriminim i kompanive që përzgjidhen fituese: “Unifikimin dhe hartimin e një pakete kriteresh minimale të kualifikimit për procedura të prokurimeve të njëjta ose të ngjashme me kontratat që lidhen me teknologjinë e informacionit, shërbimet profilaktike për automjetet, blerjen e materialeve të kancelarisë për zyra, blerjen e uniformave, veshmbathjeve dhe këpucëve, karburanteve, mobilierisë, kontratat e shërbimit të gatimit dhe të shpërndarjes së ushqimit dhe kontratat për blerjen e materialeve të pastrimit.”
Ekspertët e ekonomisë sqarojnë se në fakt qëllimi i ngritjes së një njësie e cila bën blerjet në emër të institucioneve të tjera është bashkimi i produkteve me qëllim rritjen e sasisë dhe arritjen e një çmimi sa më të ulët, por duke unifikuar kriteret, pa përdorur standarde të ndryshme në prokurime për të njëjtin mall apo shërbim.
Zef Preçi, drejtor i Qendrës për Kërkime Ekonomike, thekson se “një nga funksionet bazë të Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara nga përvojat e mira të vendeve të OECD, është mundësia e standardizimit përballë kontratave të ndryshme”. Sipas tij edhe pse ofruesit janë të ndryshëm, interesi publik e do që për të njëjtin mall të ketë standarde të unifikuara: “Nëse për të njëjtin mall aplikohen standarde të ndryshme, le shteg për favorizim dhe klientelizëm apo përpjekje për të futur në këtë treg operatorë ku në thelb janë interesat korruptive dhe është një çështje që do të kërkonte investigim të mëtejshëm.” shprehet Preçi.
Edhe për administratorin e shoqatës “Konfindustria” synimi i themelimit të kësaj agjencie ishte pikërisht unifikimi i kritereve: “Ka një argumentim që në kushtet e ekonomisë të shkallës, duke përdorur blerje të përqendruara do të kemi çmime më të ulëta, se sa në rastet që do të bëheshin të copëtuara. Ai evidenton se standardet e unifikuara janë është shumë të rëndësishme: “Pasja e disa lloj standardesh dhe lënia shteg për përdorimin e standardeve të ndryshme për raste të ngjashme, është arsye shumë e madhe për subjektivizëm dhe ngre pikëpyetje për korrupsion.” – analizon Buxhuku.
Standarde të ndryshme për kontrata të ngjashme
Të dhënat e përpunuara nga MediaLook zbulojnë se Njësia e Prokurimit e cila vendos kriteret mbi kualifikimin e kompanive për të qenë pjesëmarrëse në garë ka përdorur standarde të ndryshme në vendosjen e kritereve që kualifikojnë në garë operatorët ekonomikë, në prokurime për të njëjtat mallra e shërbime. Këto njësi që janë ngritur pranë Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara së bashku me Komisionin e Vlerësimit të Ofertave në dhjetëra raste kanë përjashtuar nga gara të njëjtët operatorë për mos përmbushje të kritereve dhe në raste të tjera i kanë kualifikuar ata duke i konsideruar si devijime të vogla.
Si rezultat i skualifikimeve, vetëm në procedurat e tenderave të ushqimeve dhe shërbimit katering gjatë vitit 2019, në 11 raste ka fituar oferta më e lartë se ajo që kanë dhënë kompanitë e skualifikuara dhe vetëm në 3 raste ka arritur të fitojë oferta më e ulët.
Edhe gjatë vitit 2020 në procedurat me këtë objekt ka vijuar të dominojnë tregun ofertat më të larta. Në 32 raste kontratat janë fituar nga kompanitë me ofertë më të madhe dhe në 28 raste nga ato me vlerë më të ulët. Ky raport rritet edhe në varësi të vlerës së fondit limit. Kështu, në procedura me vlerë prokurimi mbi 1 milion dollarë, vetëm në 1 rast tenderi është fituar nga operatori me ofertën më të ulët e në 3 raste të tjera kontrata i është dhënë kompanisë që ka dashur më shumë buxhet se të skualifikuarat për të realizuar kontratën.
Gjatë tenderit për shërbim gatimi dhe shpërndarje të ushqimit në Repartin Special për Kufirin dhe Emigracionin “DELTA”, rezulton se kompania “Nika” shpk është shpallur fituese e kontratës me vlerë 210 mijë dollarë duke përmbushur kriteret kualifikuese, e duke rezultuar si oferta më e ulët. Por për një tjetër garë të zhvilluar në të njëjtën datë, për blerje ushqimesh për autoritetet kontraktore Vlorë, kjo kompani rezulton të mos ketë përmbushur kriteret. Komisioni i Vlerësimit të Ofertave ka konstatuar se “Nika” shpk nuk ka paraqitur certifikatë ISO 9001, certifikatë ISO 14001 për prodhim dhe shpërndarje ushqimesh, dhe nuk ka paraqitur akt miratimi higjieno-sanitar për ambientin që do të përdoret për shërbim katering si dhe raportin fiziko -kimik. Gjatë vitit 2020, “Nika” shpk ka marrë pjesë 44 herë në garat me objekt shërbimin e ushqimit që ka zhvilluar Agjencia e Blerjeve të Përqendruara dhe në 42 raste është skualifkuar për mosplotësim të kritereve, ndërsa në 2 raste të tjera është shpallur fituese nga e njëjta agjenci. Në vitin 2019, “Nika” shpk ka marrë pjesë në 8 procedura prokurimi dhe është shpallur fituese në 2 prej tyre, ndërsa në 6 të tjera sipas vlerësimit të agjencisë rezulton të mos ketë përmbushur kriteret kualifikuese.
Në fillim të marsit të vitit të shkuar, në datat 6, 9 ,10 dhe 11 mars janë hapur disa procedura prokurimi për blerje ushqimesh, ku kompania “4S” rezulton të ketë fituar 3 kontrata pranë Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara për lotet “Blerje bulmet dhe nënprodukte të tij” duke dalë si oferta ekonomike më e suksesshme, ndërsa kompani të tjera janë skualifikuar. Për tenderin e datës 11 mars 2020, në një tjetër procedurë për blerje bulmeti, “4S” ka dhënë sërish një ofertë, por është skualifkuar nga gara pasi sipas raportit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave “nuk arriti të paraqesë në sistemin elektronik të APP-së Raport/ Fletë Analizë Fiziko-Kimike të lëshuar nga një laborator i referencës ose i akredituar sipas legjislacionit në fuqi, për artikullin , djathë i bardhë gjysmë i fortë lope, cilësi e parë.” Në total “4S” është skualifikuar 3 herë gjatë 20 procedurave që ka qenë pjesëmarrëse në vitin 2020, e në 15 raste është shpallur fituese, për një buxhet total prej 709 mijë dollarësh.
Burime për MediaLook pranë Prokurorisë së Posaçme për Krimet e Rënda bëjnë me dije se kjo shoqëri ndodhet nën hetim për deklarim të të dhënave fiktive gjatë marrjes pjesë në një garë të zhvilluar nga Agjencia e Blerjeve të Përqendruara, pjesë e dosjes ku janë arrestuar 9 zyrtarë të këtij institucioni si të dyshuar për afera korruptive me tenderin e uniformave të policisë.
Zyrtarisht të kontaktuar për këtë çështje SPAK nuk ka kthyer përgjigje deri në këto momente, po ashtu edhe kompania “4S” nuk e ka komentuar kërkesën për koment drejtuar asaj mbi këtë akuzë.
Një tjetër kompani, “Nelsa”shpk, rezulton të ketë fituar në 24 tendera vitin e shkuar, ndërsa në 5 raste të tjera është skualifkuar. E njëjta kompani nuk është kualifikuar në asnjë garë që ka marrë pjesë në tenderat e ushqimeve që ka organizuar Agjencia e Blerjeve të Përqendruara gjatë vitit 2019. I njëjti autoritet ka ndjekur të njëjtin standard edhe me kompaninë Sori-Al, e cila është skualifkuar në disa tendera në vitin 2018, por ka fituar shumicën e procedurave ku ka marrë pjesë në vitet 2019 dhe 2020, madje në disa raste në 99% të fondit limit. Për vitet 2019 dhe 2020, Sori -Al ka fituar në 8 prokurime në shërbimin me ushqime me vlerë totale 7.5 milion dollarë.
Pothuajse të gjitha kompanitë që kanë marrë miliona lekë kontrata për furnizimin me ushqime në disa raste janë konstatuar se mund të arrijnë standardet për të kryer këtë shërbim pranë institucioneve të rëndësisë së veçantë, e në prokurime të tjera jo. Nga skualifikimi i ofertave më të ulta rezulton se efektiviteti i procedurave të prokurimit publik për tenderat e ushqimeve të zhvilluara në vitin 2019 është në masën 97.6% e fondit limit, duke bërë që të kursehen vetëm 2.6% e fondit më të cilin është hapur gara, ndërsa për vitin 2020 procedurat e fituara në total arrijnë në 91% e fondit limit, duke sjellë kursim në masën 9% të fondeve.
Kompanitë të cilat në disa raste kanë fituar kontrata në 99% të fondit limit shprehen se në thelb duhet të qëndrojë cilësia e shërbimit dhe jo oferta më e ulët. “Synimi i kompanisë tonë është që të ruajmë cilësinë dhe standardet konform normave më të larta dhe sigurisë ushqimore. Mania për të parë vlerën e ofertave fituese, lë në hije standardin që ofrohet pas fitimit të kontratës publike. Sa më e ulët oferta fituese, aq më larg standardit në zbatim.”- shprehen zyrtarë të kompanisë “KPL”.
“Në gjykimin tonë, një ndër arsyet e humbjes së procedurave të prokurimit në vitet 2019-2020 është edhe presioni që ushtrohet vazhdimisht nga organet e specializuara të kontrollit dhe hetimit, që imponojnë strukturat tender-bërëse të shpallin fitues operatorët ekonomikë me ofertën më të ulët ekonomike dhe nga ana tjetër lihet në harresë monitorimi i zbatimit të kontratave (shërbimi, punime të ndryshme, furnizimi me mallra.)” – thotë në një përgjigje për MediaLook shoqëria “Sori-Al”.
Kjo panoramë për ekspertin Buxhuku është tregues i një ekonomie të dobët. Ai thekon se “Shqetësimi më i madh për tregun e prokurimeve në Shqipëri është se ne kemi një numër shumë të madh kompanish që varen nga tenderat publikë dhe kemi hapësirë të madhe për subjektivizëm, çka tregon që nuk ka konkurrencë”. Kjo varësi e kompanive nga paratë publike sipas tij “tregon dobësi të ekonomisë dhe hap shtigje të mëdha për korrupsion.”
Kompani të dënuara për afera me tendera vazhdojnë të dominojnë tregun e prokurimeve.
Ishte viti 2016 kur një hetim i Prokurorisë për Krimet e Rënda arrestoi ish-zv/drejtorin e përgjithshëm të burgjeve Iljaz Labi dhe administratorët e 4 kompanive private të cilët dyshoheshin se përmes një skeme korruptive fiksonin tenderat e ushqimeve që zhvillonte kjo drejtori. Procesi gjyqësor zgjati afro dy vjet, ku pas hekurave shkoi edhe ish -Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve Artur Zoto, ndërsa në fund, Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda e shpalli atë të pafajshëm duke dënuar zëvendësin e tij Iljaz Labi dhe administratorët e kompanive Dogel, Vllaznia, M.B. Kurti dhe Nelsa.
Nga hetimi i prokurorisë dhe provat e administruara gjatë procesit gjyqësor, rezultoi se pronarët e këtyre kompanive Elidjan Laskaj, Ylber Kalaja, Shemsi Sinani dhe Nexhmi Balla bënin marrëveshje me njëri – tjetri për të paracaktuar fituesin në procedurat e tenderimit të ushqimit që organizonte Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. Është konstatuar se në këto prokurime janë korruptuar zyrtarë të lartë të kësaj drejtorie ndërsa ata u dënuan për korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike në bashkëpunim nga Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda me 2 vjet e 6 muaj heqje lirie për Shemsi Sinanin dhe Elidjan Laskën, 2 vjet heqje lirie për Nexhmi Ballën dhe liri me kusht për Ylber Kalanë.
Disa muaj më pas, kompanitë e themeluara nga Ylber Kalaja, dhe Nexhmi Balla si dhe një tjetër që lidhet me të afërm të Shemsi Sinanit rezultojnë të kenë marrë pjesë në dhjetëra tendera, ku në një pjesë të mirë të tyre kanë rezultuar fitues, madje edhe në një që ka si objekt “Blerje artikuj ushqimorë, për Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve” fituesi i të cilës është shpallur në datën 22 qershor 2020.
Vetëm në procedurat e prokurimit për furnizimin me ushqim që ka zhvilluar Agjencia e Blerjeve të Përqendruara kompania “Nelsa” në vitin 2019 dhe 2020 ka marrë pjesë në 37 tendera dhe në 11 prej tyre është skualifikuar ndërsa në 24 procedura është shpallur fituese. Në dhjetor të vitit 2018, disa muaj pasi Nexhmi Balla u shpall fajtor nga gjykata, aksionet e kompanisë i kaluan bashkëshortes së tij, e në qershor të vitit 2020 kapitali u zhvendos në emër të vajzës Elsa Balla Kamberi. Deri në korrik të vitit të shkuar, periudhë kur kompania “Nelsa” kishte fituar 23 herë në tenderat e ushqimeve, emaili zyrtar i kompanisë vijonte të ishte në emrin e z. Nexhmi Balla. Gjatë kësaj periudhe kompania “Nelsa” ka fituar 740 mijë dollarë kontrata. Kompania “Nelsa” rezulton të jetë përjashtuar në shkrut 2021 për dy vjet nga pjesëmarrja në tendera publikë nga Agjencia e Prokurimit Publik, pas një hetimi administrativ të kryer nga një ankesë që u depozitua nga një operator ekonomik. Ky vendim është kundërshtuar në Gjykatën Adminsitrative dhe është pezulluar vendimi i përjashtimit, ndërsa çështja vijon në shkallën e dytë të gjykimit. Deri në këto momente kompania “Nelsa” nuk ka kthyer përgjigje për të komentuar vijimin e pjesëmarrjes në tendera.
Pas nisjes së hetimeve në vitin 2016, kompania “Vllaznia” ndryshon emrin në “Dajti Park 2007”, ndërsa pas lirimit me kusht nga gjykata Ylber Kalaja i dhuron 50% të aksioneve djalit të tij Desart Kalaja dhe gjysmën tjetër për llogari të Lulzim Qefalisë, vëllait të deputetit socialist Xhemal Qefalia. Kompania “Dajti Park 2007” rezulton të ketë fituar 5 kontrata në vitin 2019 dhe 1 në vitin 2020, për shërbimin e kateringut të ushqimeve në disa institucione gjatë procedurave që ka zhvilluar Agjencia e Blerjeve të Përqendruara për një vlerë totale prej 2.8 milion dollarësh. Deri në këto momente edhe “Dajti Park 2007” nuk ka komentuar një kërkesë për koment drejtuar nga “MediaLook”.
Edhe pse nuk ka fituar në asnjë garë, kompania Sinani Trading e cila deri në 2019-n ishte në pronësi të Shemsi Sinanit, ka vijuar normalisht të marrë pjesë në prokurimet publike që ka zhvilluar Agjencia e Blerjeve të Përqendruara, por në shumicën e rasteve nuk ka paraqitur ofertë financiare duke luajtur rolin e firmës që shton pjesëmarrjen në garë.
Megjithatë dokumentet shtesë tregojnë se një tjetër kompani e cila lidhet me djalin e Shemsi Sinanit, Xhino Sinani, rezulton të ketë fituar dhjetëra kontrata për shërbimin e furnizimit me ushqime gjatë vitit 2020. Shoqëria “4S” ka marrë pjesë në 20 procedura dhe është shpallur fituese në 15 prej tyre kundrejt një fondi prej 700 mijë dollarësh. “4S” nuk ka kthyer përgjigje e pyetur edhe mbi këtë çështje.
E arrestuar për një skemë mashtrimi me tatimin mbi vlerën e shtuar në shtator të vitit 2019, rezulton edhe Shpresa Joanidhi, pronare e disa kuotave të biznesit familjar “Shpresa” shpk. Kjo kompani ka arritur të fitojë në tregun e prokurimeve të furnizimit me ushqime 1.9 milion dollarë kontrata në vitin 2019 gjatë procedurave që ka zhvilluar Agjencia e Blerjeve të Përqendruara. Edhe në vitin 2020 shoqëria ka vijuar të fitojë 4.4 milion dollarë kontrata pasi ndryshoi emrin në “Dion Al”. Në një kërkesë për koment kjo kompani është shprehur se hetimet për znj. Joanidhi kanë përfunduar dhe çështja është pushuar nga organet e drejtësisë.
Në shumë raste Agjencia e Prokurimit Publik ka përjashtuar nga gara për disa vite pjesëmarrjen e kompanive me administratorë apo pronarë të dënuar dhe që kanë qenë nën hetim duke shfrytëzuar disa hapësira që i jep neni 45 i ligjit “Për Prokurimin Publik”. APP ka përjashtuar vetëm firmën “Nelsa” pas një ankese të depozituar nga një subjekt, ndërsa sqaron se për “Dajti Park 2007” nuk është depozituar asnjë ankesë nga palë të treta. Në një përgjigje për “MediaLook” ky institucion sqaron se me hyrjen në fuqi të ligjit të ri “Për Prokurimin Publik”, Agjencisë i shtohen kompetencat për të ndaluar marrjen pjesë në tendera të kompanive që kanë konflikt interesi me zyrtarët e lartë, si dhe për të përjashtuar operatorët e ekonomikë që kanë në përbërje të tyre persona të dënuar. “Në nenin 76/1 të Ligjit për Prokurimin Publik parashikohen rastet e skualifikimit të operatorëve ekonomikë, kur anëtarët e një organi administrimi, drejtues ose mbikëqyrës, aksionar ose ortak të operatorit, ose ka kompetenca përfaqësuese, vendimmarrjeje ose kontrolluese brenda tij, janë ose kanë qenë të dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë, për vepra penale të parashikuara nga kjo dispozitë.” – thotë APP.
E kontaktuar nga “MediaLook” zyra e shtypit në Ministrinë e Punëve të Brendshme nuk iu përgjigj një kërkese të drejtuar për koment lidhur me garat që ka zhvilluar Agjencia e Blerjeve të Përqendruara, institucion në varësi të saj.
“Është në diskrecionin publik, administrativ e penal të agjencive që përdorin fonde shtetërore që të bëjnë investigime të duhura përpara se të lidhin një kontratë”, – deklaron eksperti Preçi. Sipas tij “nevojiten ndryshime ligjore në rritjen e penaliteteve për zyrtarët që në emër ose për llogari të politikanëve të rëndësishëm shpenzojnë fonde buxhetore të qytetarëve shqiptarë dhe i japin mundësi të shëndoshen financiarisht me paratë që vijnë nga origjina kriminale dhe deformojnë tregjet.”
Nga ana tjetër Buxhuku analizon se “në momentin që problematikat për të cilat është shpallur fajtor pronari apo administratori nuk kanë lidhje me aktivitetin juridik të kompanisë, nuk ka pse e merr fajin entiteti, por nëse kanë lidhje, atëherë duhet të ndëshkohen duke u ndaluar pjesëmarrja në prokurime publike për disa vite apo forma të tjera”. Buxhuku vijon arsyetimin e tij duke thënë se “nëse kompania është në lojë, dhe ajo duhet të mbajë përgjegjësi. Në këtë rast duhet forcuar aspekti ligjor që dhe firmat të penalizohen pavarësisht pronarit apo administratorit.”
Si ndahet tregu 20 milion dollarë i tenderave të ushqimeve?
Nga monitorimi 2-vjeçar i kontratave që janë dhënë në blerjen e ushqimeve dhe kateringut të institucioneve të rëndësisë së veçantë si spitale, burgje, reparte ushtarake dhe forcat speciale të policisë, rezulton se pothuajse çdo vit janë të njëjtat kompani të cilat fitojnë këto prokurime në Agjencinë e Blerjeve të Përqendruara. Përqendrimi i tregut shihet edhe te blerjet e karburanteve, tonerave, riparimit të automjeteve, profilaktikës, pajisjeve laboratorike, mobilieve, botimeve, mirëmbajtjeve ndërtimore dhe uniformave. Në vitet 2018, 2019, 2020 dhe gjatë gjysmës së këtij viti, rezultojnë të njëjtat kompani që marrin pjesë në procedurat e prokurimit, ndërsa mund të numërohen me gishtat e dorës pjesëmarrjet e firmave të reja të cilat të kenë arritur të fitojnë ndonjë kontratë.
Torta e tregut të kateringut dhe blerjes së ushqimeve prej 14.4 milion dollarësh në vitin 2019 u nda mes firmave “Sori -Al”, “Dion-Al”, “KPL”, “Nika” shpk dhe “Dajti Park 2007” (ish-“Vllaznia”). Dokumentet zyrtare tregojnë se pjesën më të madhe të fondeve, afro gjysmën e vlerës, e kapi në vitin 2019 kompania “KPL” për kontratën e fituar për shërbimin e furnizimit me ushqime të Qendrës Spitalore “Nënë Tereza”. “KPL” në të shkuarën rezulton në pronësi të Alma Tafanit, administratore dhe pronare e një tjetër kompanie të rëndësishme në këtë treg, Sori-Al. Përmes disa kontratave qiraje por edhe adresës së selisë qendrorë që “KPL” ka përdorur disa kohë, duket se lidhjet me firmën Sori-Al kanë vijuar edhe pas shitjes së aksioneve.
Në vitin 2020, “KPL” zë 5.5% të këtij tregu me dy kontrata të fituara me vlerë 1.2 milion dollarë. Sori-Al nga ana tjetër ka fituar 7.5 milion dollarë kontrata në vitet 2019 dhe 2020, e ndjekur nga “Shpresa” shpk (sot Dion Al) me 6.3 milion dollarë dhe “Dajti Park 2007” me 2.8 milion dollarë kontrata. Në një kërkesë për koment të dyja shoqëritë si “KPL” dhe “Sori-Al” mohojnë lidhjen e pronarëve dhe thonë se kompanitë kanë ortakë të ndryshëm.
“Nënshkrimi i kontratave të qirasë mes dy subjekteve të ndryshme të së drejtës tregtare, nuk nënkupton se subjektet janë të lidhur me njëri-tjetrin. Shoqëritë, janë 2 subjekte të ndryshëm të së drejtës tregtare, që ushtrojnë veprimtari të pavarur ekonomike, që kanë Ortakë të ndryshëm dhe që përfaqësohen nga Administratorë të ndryshëm.”- thotë në një përgjigje “Sori-Al”, ndërsa pronari i “KPL” shton se “prej vitit 2007 jam Ortak i vetëm dhe Administrator i shoqërisë time. Kontratat e qirasë që nënshkruhen në varësi të nevojave dhe natyrës së aktivitetit që shoqëria ushtron, nuk “nënkuptojnë” se shoqëria është e lidhur me një subjekt tjetër të së drejtës tregtare.”
Ekspertët kërkojnë të merren masa të menjëhershme për të shmangur monopolet që janë krijuar në fushën e prokurimeve publike. Për Buxhukun “mungesa e konkurrencës është tipike për të gjithë tregun e tenderave në Shqipëri. Ka kompani që zotërojnë për disa vite tregun unik pa konkurrencë. Kjo tregon se kemi probleme me ligjin dhe mënyrën se si zbatohet ky legjislacion”. Administratori i “Konfindustrias” rekomandon një rishikim të thellë dhe serioz të legjislacionit. Sipas tij kjo “lidhet jo vetëm me faktin se çmimet mund të jenë të fiksuara dhe kompanitë të mbajnë marzhe shumë të larta fitimi, por i krijojnë vetes situata monopoli dhe kjo ndikon në tregjet e tjera, sepse ato mund të kalojnë në tregje të tjera me çmime “dumping” dhe t’i shkatërrojnë.”
Nuk kanë qenë të pakta edhe rastet e ofertave financiare me zero lekë, apo tërheqjes nga gara të ofertuesit që ka dhënë çmimin më të ulët, duke shpallur fitues kompaninë me çmim më të lartë. Në një tender të shpallur në shkurt të vitit 2019 me objekt “Shërbim gatimi dhe shpërndarje ushqimi për Repartin e Ndërhyrjes së Shpejtë Fier” ka patur dy ofertues, “Shpresa” shpk dhe “Dajti Park 2007”, ku kjo e fundit është tërhequr nga gara pasi kishte dhënë ofertën me çmimin më të ulët e duke lënë fituese “Shpresa” shpk me vlerë 95 mijë dollarë më të lartë se oferta e dhënë prej saj.
Janë gjashtë kompani: “Gerti 1987”, “Sinani Trading”, “Luan Rrushi”, “IN-MA”, “EMKO” dhe “Silver” shpk të cilat në total kanë ofertuar 47 herë gjatë vitit 2020 rezulton të kenë dhënë ofertë financiare zero. Rastet e pjesëmarrjes në prokurime pa dhënë ofertë financiare apo pa paraqitur dokumentacion teknik nuk mungojnë edhe në tenderat me objekte të tjera si pastrimi dhe mirëmbajtja ndërtimore, me 6 oferta bosh në 2020-n apo tonerave dhe automjeteve.
Zef Preçi thotë se këto oferta janë raste tipike të përdorimit të firmave që kanë njohje me njëra – tjetrën për situata “collusion”. “Në shumë raste janë autoritetet kontraktore dhe operatorët ekonomikë që ndodhen në një pozitë “collusion”, ku merren vesh me njëra-tjetrën për të bërë një garë formale, bëjnë ofertë teknike dhe nuk bëjnë ofertë financiare. Kjo dëmton tregun sese çon në përfitime për zyrtarë apo ndërmjetës që mundësojnë futjen në treg të këtyre operatorëve, nga ana tjetër rritet kostot e mallit dhe shërbimit për njësi, pra nuk maksimizohet e mira publike që blihet.” sqaron ai.
Autoritet “lëshuan dorën” gjatë pandemisë për të lidhur kontrata afatgjata.
Të dhënat e hulumtuara nga “Medialook” tregojnë se në total nga 230 kontrata të lidhura nga Agjencia e Blerjeve të Përqendruara në periudhën e pandemisë mars 2020 – qershor 2021, 180 prej tyre, ose 78%, kanë marrë angazhime buxhetore më të gjata se 1 vit. Zyrtarët kanë shfrytëzuar hapësirat ligjore që lejojnë marrëveshjet kuadër në një kohë kur në këtë periudhë ligji i buxhetit të shtetit ka ndryshuar 8 herë. Edhe gjatë vitit 2019, autoriteti qendror blerës ka ndjekur të njëjtën praktikë, ndërsa në vitin 2018 marrëveshjet kuadër me afat më të gjatë se 12 muaj janë përdorur në raste të rralla.
Ndalimi për disa muaj i zhvillimit të prokurimeve publike gjatë emergjencave që shkaktoi në mars të vitit të kaluar pandemia e Covid-19 nuk e ndaloi funksionin e Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara për të zhvilluar prokurime për llogari të autoriteteve kontraktore qeverisëse, disa prej të cilave të domosdoshme, por në shumicën e rasteve duke marrë angazhime afatgjata që tejkalonin vitin buxhetor.
Në një monitorim të kontratave të shpallura fituese nga Agjencia e Blerjeve të Përqendruara që prej marsit 2020 dhe deri në fund të vitit rezulton të jenë lidhur në total 159 kontrata, 22 prej të cilave janë marrëveshje kuadër me afat 12 muaj, 13 kontrata për blerje malli me afat të përcaktuar brenda vitit, ndërsa pjesa tjetër, 124 kontrata, kanë marrë angazhime buxhetore 2 vjeçare e në disa raste 3 dhe 4 vjeçare.
Të njëjtën praktikë autoriteti qendror blerës ka ndjekur edhe gjatë gjysmës së parë të këtij viti, duke lidhur 71 kontrata prokurimi në total, 51 prej të cilave rezultojnë marrëveshje kuadër me afat nga 2 deri në 4 vjet. Në thelb, ligji i prokurimit publik nuk ndalon lidhjen e kontratave të autoriteteve kontraktore me afat deri në 4 vjet duke shfrytëzuar marrëveshjen kuadër. Këto lloj kontratash nuk përcaktojnë sasinë e saktë të mallit dhe kohën kur një institucion ka nevojë për atë produkt apo shërbim, por rekomandimet që japin manualet dhe praktikat e vendeve të BE-së këshillojnë përdorimin e tyre vetëm në disa raste të veçanta, dhe në produkte ku nuk ka luhatje çmimesh. Mbi të gjitha përdorimi i marrëveshjeve kuadër me afat më të gjatë se 12 apo 24 muaj, në çdo rast rekomandohet që të përzgjidhen disa operatorë dhe jo një i vetëm. Në periudhën mars 2020 – qershor 2021, nga 180 kontrata në formën e marrëveshjeve kuadër me afat më të gjatë se 1 vit, vetëm në 4 raste procedura është kryer me më shumë se 1 operator ekonomik.
Sipas rekomandimeve të manualit të Agjencisë së Prokurimit Publik, marrëveshjet kuadër duhet të studiohen mirë se cilat raste do të kenë afat më të gjatë se 1 vit, si për të mos kufizuar konkurrencën, edhe për të mos bërë autoritetet kontraktore të varura nga luhatja e çmimeve, si dhe për të marrë sa më pak angazhime afatgjata përtej vitit buxhetor.
“Një faktor i rëndësishëm për t’u marrë parasysh është nëse duhet zgjedhur opsioni i Marrëveshjeve Kuadër me një apo me shumë furnizues. Nëse zgjidhet sistemi me një furnizues të vetëm, mund të jetë e këshillueshme që të kufizohet kohëzgjatja e tyre në një ose maksimumi dy vjet për të mbajtur një situatë tregu të shëndoshë̈ dhe konkurruese.” – rekomandon Agjencia e Prokurimit Publik.
“Prokurimi i një Marrëveshje Kuadër në përgjithësi është një proces shumë më i komplikuar sesa një procedurë prokurimi normale për të njëjtat produkte, për shkak të një procesi më kompleks të zbatimit të kontratës, që mund zgjasë deri në katër vjet. Një tjetër pengesë mund të gjendet në ligjin e buxhetit i cili mund të përbëjë një problem.” – shkruhet në manualin e agjencisë.
Për ekspertët e ekonomisë dhe shoqatat e bizneseve ndjekja praktikave të marrëveshjeve kuadër nuk bie ndesh me ligjin e Prokurimeve Publike, por zgjatja në shumë vite mund të sjellë përqendrim edhe më të madh të tregut të prokurimeve në dorën e disa kompanive.
“Marrëveshjet kuadër nuk janë praktika të panjohura, por problem është kur merren angazhime që e kalojnë dy herë vitin financiar normal pasi nuk përkon me ligjin dhe praktikën buxhetore, pra çalon., – thekson Gjergj Buxhuku. Ai shton se “ajo që ne kemi konstatuar gjatë këtyre viteve është se kuadri ligjor në përgjithësi dhe Agjencia e Blerjeve të Përqendruara në veçanti ka hapësira ligjore që mund të shfrytëzohen për subjektivizëm.”
Nga ana tjetër, drejtori i Qendrës për Kërkime Ekonomike analizon se “në vendet me institucione të dobëta dhe me përfshirje të jetës politike në veprimtari korruptive me sistem gjyqësor jo funksional, blerjet e përqendruara lenë shteg për favorizime dhe për fat të keq në vlerësimin tim ndodh në një rast të tillë”. Sipas tij përpara se të diskutohet për një produkt të caktuar duhet të analizohet gjendja e këtij tregu. Preçi shpjegon se “në Shqipëri është treg i vogël, afilacioni politik luan rolin e vet dhe mund të ndodhesh në situata ku për një produkt të caktuar mund të kesh një shkallë përqendrimi që në mënyrë të natyrshme të çon drejt një kompanie. Angazhimet afatgjata në blerje duhet të kenë në thelb çmimin, sa e ble dhe sa konkurrues është në treg për sa kohë zgjat marrëveshja.”
Gjatë vitit të pandemisë qeveria ndryshoi katër herë buxhetin e shtetit dhe po aq herë ligji për buxhetin ka ndryshuar edhe gjatë gjysmës së parë të këtij viti, ku në disa raste ka patur shkurtime rrënjësore të fondeve publike në zërin e shpenzimeve operative, të cilat përfshijnë edhe mallrat dhe shërbimet që blihen nga Agjencia e Blerjeve të Përqendruara.
Një burim tha për MediaLook se në periudhën e kulmit të pandemisë në institucionet shqiptare kishte mbërritur një kërkesë përmes postës elektronike nga Drejtoria e Zhvillimit të Prokurimeve pranë Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara ku kërkohej përllogaritja e shpenzimeve për një periudhë 2-vjeçare si dhe vinin kërkesa të vazhdueshme nga Drejtoria e Buxhetit dhe Borxhit Publik në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë për shkurtim fondesh.
“Në shumicën e rasteve kërkesat mbërrinin në agjenci apo autoritete të cilat kishin shumë pak investime kapitale dhe zërat që duhet të shkurtonim ishin ato të karburanteve, udhëtimeve, eventeve apo dhe kontratave që lidheshin për furnizimin me ushqime për shkak të zhvendosjes së punës nga shtëpia të një pjese të stafit për shkak të pandemisë.” – sqaroi burimi