Që nga nisja e vitit shkollor, MASR asnjë të dhënë mbi efektivitetin e mësimit të kombinuar

Autor: Qendra FAKTOJE!

Qëkur ka nisur viti shkollor 2020-2021, Ministria e Arsimit nuk ka publikuar asnjë gjetje sesa produktiv ka rezultuar mësimi online. Publikimi i fundit zyrtar i përket një sondazhi të zhvilluar që në gusht 2020, ku thuajse 42 për qind e të anketuarve nuk ishin dakord me zhvillimin e këtij procesi. Komuniteti i nxënësve, prindërve dhe mësuesve që dëshmon për Faktoje se mësimi i kombinuar ka rezultuar jo produktiv, raporton se i është nënshtruar një sondazhi që në janar të këtij viti, por MASR nuk ka publikuar rezultatet. Mësimi në distancë edhe sipas parashikimeve të raportit të BB, llogaritet të përkeqësojë nivelin e mësimnxënies, i cili ende pa u shfaqur pandemia, në rajonin e Ballkanit e sidomos në Shqipëri, paraqitet në nivele alarmante.

—————————————————————————————————-

Një vit nga shfaqja e Covid-19 në vendin tonë, sistemi i arsimit rezulton një ndër fushat më të prekura nga pasojat e pandemisë.

Faktoje gjatë kësaj periudhe ka publikuar disa artikuj mbi nivelin e mësimdhënies dhe mësimnxënies, pas ndërprerjes së procesit mësimor fizik.

Ne iu drejtuam në mënyrë të përsëritur me anë të kërkesave për informacion Ministrisë së Arsimit në lidhje me gjetjet dhe rezultatet e hulumtimeve të kryera në gruet e interesit mbi efektivitetitin e mësimit onlinë dhe atij të kombinuar.

Kërkesë për informacion drejtuar MASR, 3 mars 2020

Pas ngulmimimit të vazhdueshëm për të marrë informacionin e kërkuar, Ministria e Arsimit na dha këtë përgjigje:

Përgjigje e Ministrisë së Arsimit, 24 mars 2021

Ne klikuam në sondazhin e parë të publikuar nga MASR që është kryer në mars 2020. Aty rezultojnë të jenë pyetur 178 096 nxënës, 118 376 prindër, 25 439 mësues. Ky sondazh është administruar kryesisht në arsimin publik, në total 321 911 kampione dhe 61 Bashki. Sipas MASR sondazhi nuk është aplikuar tek arsimi parashkollor dhe arsimi profesional.

“Një numër i konsiderueshëm i nxënësve, prindërve dhe mësuesve janë angazhuar në mësimet online: 96.8 për qind e nxënësve, 95.3 për qind e prindërve dhe 98.7 për qind e mësuesve. “RTSH Shkolla” ndiqen nga pjesa më e madhe e këtij sistemi, 84.1 për qind e nxënësve, 85 për qind e prindërve dhe 96.5 për qind e mësuesve. Kalimi nga shkolla te mësimi në kushte shtëpie, gjatë dy javëve të para është pritur mirë nga nxënësit dhe prindëritRreth 86.4 për qind e nxënësve shprehen se janë dakord dhe shumë dakord për të marrë mësimet përmes komunikimit online dhe 90.2 për qind e prindërve shprehen dakord dhe shumë dakord që janë pjesë e grupeve të komunikimit online me mësuesit.”-thuhet në gjetjet e publikuara nga MASR

Gjatë prillit 2020 Faktoje ka konstatua se mësimi online është një sfida e përbashkët nxënës-prindër-mësues. Verifikimet e Faktojes tregojnë një situatë krejt tjetër lidhur me pjesëmarrjen dhe produktivitetin e mësimit online në atë periudhë.

Ne klikuam edhe në Sondazhin për mësimin online në periudhën prill 2020, ku sipas MASR u përfshinë 219.590 persona. “Në mësimet online u angazhuan, përkatësisht: 96 për qind  e nxënësve, 95.2 për qind e prindërve dhe 96.4  për qind e mësuesve.

Rezultatet e MASR, përdorimi i platformave elektronike nga nxënësit, prill 2020

Edhe pse Ministria e Arsimit pohon se platforma elektronike Akademia.al se është përdorur nga nxënësit për të vijuar mësimin, ajo nuk dha efektivitetin në mësimdhenie.

Sondazhi për mësimin online në periudhën gusht 2020, kishte të bënte me gatishmërinë e komunitetit të arsimit parauniversitar për fillimin e vitit të ri shkollor online. Por gjetjet e tij shërbyen edhe si treges që kundërshtonte shifrat optimiste të sondazhe pararendëse, për një pjesëmarrje dhe shfrytëzim maksimal të platformave online.

Rezultatet e mësuesve për sondazhin, gusht 2020

“43.4 për qind mësues nuk ishin aspak dakord që shkollat të fillonin procesin mësimor online, 6.5 për qind nuk ishin dakord, 31 për qind pjesërisht dakord, 14 për qind dakord, 5.1 për qind shumë dakord”-citohet në gjetjet e sondazhit nga MASR.

Rezultatet e nxënësve për sondazhin, gusht 2020

“25.3 për qind nxënës nuk ishin aspak dakord që shkollat të fillonin procesin mësimor të kombinuar në klasë dhe online, 23.6 për qind nuk ishin dakord, 19.1 për qind pjesërisht dakord, 20.1 për qind dakord, 11.9 për qind shumë dakord”-citohet në gjetjet e sondazhit nga MASR.

Rezultatet për sondazhin e prindërve, gusht 2020

Nga të dhënat grafike të publikuara  nga kjo ministri, rezulton se 42, 4 për qind e prindërve të anketuar janë kundër mësimit të kombinuar (respektivisht 12,9 për qind aspak dakord dhe 29,5 për qind jo dakord).

40,6 për qind janë pro nisjes së mësimit të kombinuar (përkatësisht  23,3 për qind dakord dhe 17,3 për qind shumë dakord). Ndërkohë 17 për qind janë shprehur pjesëërisht dakord. Rezultati i sondazhit të tretë tregon po të mos llogarisësh pjesën e pavendosur prej 17 për qind, tregon se komuniteti që është kundër mësimit të kombinuar është pak më i madh se ai që ie dakord për zhvillimin e këtij procesi mësimor.

Të dhënat mbi efektivitetin e procesit mësimor nga muaji shtator 2021 e deri më sot, kur kanë mbetur vetëm 3 muaj nga përfundimi i vitit shkollor, mungojnë.

Faktoje është vënë në dijeni nga komuniteti i prindërve dhe mësuesve se sondazhi i 4 është zhvillar në muajin janar të këtij viti, por MASR nuk ka publikuar gjetjet, ndonës kanë kaluar 3 muaj. Ne u interesuam në zyrën e shtypit të MASR e cila na u përgjigj se rezultatet e këtij sondazhi nuk do të publikoheshin por do të përdoreshin së brendshmi.

Mungojnë të dhënat zyrtare, por jo pakënaqësitë e nxënësve, prindërve e mësuesve?

Problemi kryesor që ngrenë prindërit, kur ka kaluar më shumë se e jë vit nga aplikimi i mësimit online dhe atij të kombinuar ka rezultuar në dështim, për disa arsye. Ndërkohë, në raportin e publikuar nga ministria e Arsimit, pjesa më e madhe e prindërve të anketuar pranojnë se mund t’i ndihmojnë fëmijët e tyre, por dëshmitë e atyre që kanë folur për Faktoje nuk përputhen tërësisht me këto gjetje.

Faktoje komunikoi më disa nxënës, prinër dhe mësues në disa vende të ndryshme të në vend ku dhe treguan problematikat që kanë hasur dhe si ka vijuar mësimi online gjatë këtij viti.

A.M nxënës në klasën e 9-të shkolla “Ramazan Jonguzi” në Thumanë I tha Faktojes

“Në shkollën tonë ne bëjmë mësim të kombinuar, një javë mësim fizik dhe një javë mësim online. Mësimi online nuk funksionon, nuk i japim dum”. Tha A.M nxënës në klasën e nentë

L.S gjimnaziste pranë gjimnazit “Hydajet Lezha” u shpreh për Faktoje.

“Në gjimnazin tonë në bëjmë mësim online, më shumë përdorim Zoom për tu pyetur për vlerësimin e vazhduar dhe ëhatsapp për të dërguar materiale. Duhet të përdorim dhe Akademia.al sepse e kontrollon ministria por ka problematika sepse duhet të kesh shumë internet për tu futur, ndodh në të shumten e rasteve të kemi problem me logimin në program. Mësimi online në këtë periudhe nuk ka rezultuar produktiv sepse ikja e dritave është në mënyrë të vazhdueshme dhe në ato raste të tjera shumë lendë mësimore nuk arrihen të kuptohen kryesisht lëndët natyrore”.  Tha L.S gjimnaziste në Lezhë

Prindër “Unë si prind i dy femijeve i dy femijeve në shkollën 9-vjeçare, “Nik Tom Prela” në Laç jam i pakënaqur me këtë mënyre të mësimdhënies, sado që mësuesja i mëson dhe mundohet për të zhvilluar mësimin, ditët që është në shtëpi e konsideron ditë pushimi në shumë raste

kur ne jemi në punë, fëmijët na telefonojnë  dhe më kërkojnë t’u jap sqarime shtesë. I vetmi aplikacion ku e zhvillojnë mësimin është ëhatsapp”

“Unë jam mësuese në një gjimnaz të Tiranës, gjatë kësaj periudhe të vitit u hasem me vështirësi të shumta si për ne ashtu dhe për nxënësit dhe prinërit këto pasoja janë aktuale akoma sepse nxënësit e humbin fokusin e shpjegimit kur bëjmë mësim online, shpërqendrohen dhe nuk arrijnë të kuptojnë disa lendë. Problematikat e dritave, internetit dhe mjeteve elektonike vazhdojnë edhe sot pas një viti mësimi onlinë”.

Edhe sipas studimit përmbledhur në një Raport të Bankës Botërore, niveli i produktivitetit llogaritet të çojë në humbje të konsiderueshme të të nxënit.

Burimi: Eurydice dhe OECD

Ende përpara se të shfaqej pandemia, sistemet arsimore të Ballkanit Perëndimor përballeshin me sfida serioze. Mbi 78 për qind e 15-vjeçarëve në Kosovë, dhe mbi 50 për qind në Shqipëri, në Maqedoninë e Veriut dhe në Malin e Zi janë analfabetë funksionalë. Ndaj parashikohet që masat e të nxënit në distancë mund të mos jenë aq efektive sa mësimdhënia në klasë – veçanërisht nëse duhet të përdoren për një periudhë të gjatë (siç ka ndodhur për shkak të kufuzimeve nga pandemia).

Sondazhi i publikuar nga MASR në mars 2020- https://www.ascap.edu.al/wp-content/uploads/2020/03/Sondazhi-i-m%C3%ABsimit-online.pdf

Sondazhi i publikuar nga MASR në prill 2020- https://www.ascap.edu.al/wp-content/uploads/2020/04/Sondazhi-i-m%C3%ABsimit-online-2.pdf

Sondazhi i publikuar nga MASR në periudhën 2020-2021 https://www.ascap.edu.al/wp-content/uploads/2020/08/Sondazh.pdf

*Ky shkrim është një produkt i Qendrës Faktoje!, zbatues të projekteve të financuara në kuadër të programit Investigative Network Albania (INA), një iniciativë e përbashkët e Qendrës Shqiptare për Gazetari Cilësore, Institutit Shqiptar të Medias dhe Qendrës FOL, mbështetur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, e cila ka për qëllim rritjen e kapaciteteve të gazetarisë hulumtuese në nivel lokal dhe kombëtar. Për më shumë informacion mbi asistencën financiare në kuadër të kësaj iniciative vizitoni faqen www.ina.media

SHARE THIS POST

Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin

RELATED POSTS