Postulati se “drejtësia e vonuar, është drejtësi e mohuar”, është më i shpeshti që lexojmë në sallat e gjykatave.
Por prej vitesh tashmë, duket se sistemi jonë i drejtësisë vuan nga drejtësia e vonuar.
Të dhënat e siguruara nga Qendra “FOL” , gjatë monitorimit të sistemit të drejtësisë dhe konkretisht punës në Prokurorinë e Tiranës, treguan se kallëzimet në fushën e shkeljes së detyrës apo korrupsionit, mosfilloheshin, ose pasi regjistroheshin procedimet, ato merrnin një kohë të gjatë deri në konkludimin e tyre me pushim, apo marrje personash nën hetim.
Prokurorisë së kryeqytetit, iu deshën 4 vjet hetime mbi kontratën e projektit “Fuqizimi i programit të sigurisë në diga” për investimet në Hec-in e Ulzës dhe Shkopetit, për të konkluduar se zbatimi i kontratës ishte në përputhje me ligjin, ndryshe nga sa kallëzonte Kontrolli i Lartë i Shtetit.
KLSH-ja kishte kallëzuar drejtuesen e Njësisë së Zbatimit të Projektit për akuzën e “shpërdorimit të detyrës” pasi pagesat për këtë kontratë kishin vijuar edhe pas privatizimit të Hec-eve dhe të ardhurat nga projekti nuk i shkonin më shtetit.
Gjithashtu për pagesat e bëra ndaj punonjësve të kompanisë zvicerane nuk ishte paguar TVSH-ja, duke sjell sipas KLSH-së, dëm në buxhetin e shtetit.
Sipas të dhënave të siguruara nëpërmjet dokumenteve nga Qendra “Fol”, rezulton se Prokuroria administroi gjatë vitit 2015-2016, dokumentacionin e plotë nga institucionet shtetërore , dëshminë e të kallëzuarës dhe një punonjësi tjetër pranë KESH-it. 3 vjet më vonë, në vitin 2019 , prokuroria doli në përfundimin se kallëzimi që kishte referuar KLSH-ja nuk ishte vepër penale dhe se Njësia kishte detyrë funksionale të zbatonte vetëm kontratën.
Kontrata, sipas gjykatave , që më pas pranuan të pushonin hetimet, mund të prishej në bazë të rregullave të përcaktuara mes shtetit dhe kompanisë që kryente punimet dhe përsa kohë ishte në fuqi, Njësia vetëm ka respektuar ligjin.
Megjithë, kohën që pati në dispozicion, Prokuroria nuk rezulton të ketë sqaruar nga hetimet nëse mosprishja e kontratës nga ata që mund ta bënin, ishte apo jo shkelje e detyrës.
Në vitin 2019, Gjykata e Shkallës së Parë pranoi kërkesën për pushim hetimesh, një vendim që u ankimua nga KLSH-ja, që kërkonte më shumë hetime, por kjo kërkesë u rrëzua në Gjykatën e Apelit në vitin 2022, duke përmbyllur kështu 7 vjet hetime për zgjidhjen e një kallëzimi.