Pa ujë dhe ndotje të lartë, Laknasi nuk përfitoi nga projekti “100 fshatrat”

Autor: Community Reporters Albania

Pjesë e bashkisë Kamëz, fshati Laknas është shembulli më i drejtpërdrejtë se si projekti “100 Fshatrat” nuk ka lënë gjurmë, duke mos gjetur zbatim në praktikë.

Fshati ka “fatin e keq” që përshkohet nga lumi i Lanës, i cili në fakt vetëm emrin ka lum, pasi çdo gjë tjetër e bën që të quhet veçse një rrjedhë mbetjesh urbane që shkojnë drejt detit. Me erën e rëndë që e ka pothuajse gjatë gjithë rrjedhës së tij, lumi Lana dëmton banorët e Laknasit duke i vështirësuar aktivitetet e tyre në të gjitha fushat e jetës, që nga bujqësia e deri tek njësitë e vogla tregtare.

Laknasi është një fshat i qetë, i cili në sezonin e verës mirëpret emigrantët. Janë emigrantët ata që duket se i japin një lloj gjallërie vendit. Gjithashtu edhe rruga që përdoret për të kaluar drejt Rinasit është një element që i jep jetë këtij fshati.

Sipërfaqja e fshatit është 4,714,303 metër katrorë. Rreth 70% e kësaj sipërfaqe është tokë arë ku mund të zhvillohen aktivitetet bujqësore, ndërsa pjesa tjetër është e zënë nga ndërtimet dhe veprat infrastrukturore.  

Bazuar në dokumentet që Community Reporters ka aksesuar nga Bashkia Kamëz, deri në vitin 2017 Laknasi kishte 2069 familje, duke e bërë atë një nga fshatrat më të mëdhenj në Shqipëri me rreth 10 880 banorë.

Problemet infrastrukturore

Duke mos preferuar të identifikohet, një banor i tha Community Reporters se rruga që të çon nga Laknasi në aeroportin e Rinasit është problematike për shkak të shtyllave të shumta që gjenden aty këtu. Banorët thonë se ato shtylla në rrugë janë aty prej një kohe të gjatë, që në vitet kur Shqipërinë e qeveriste Partia e Punës dhe nuk janë lëvizur për më tepër se 30 vite me radhë. Sot, këto shtylla janë një rrezik i madh për të gjitha makinat që kalojnë, e në fakt aksidentet nuk kanë qenë të rralla.

Sapo hyn në fshat, një tabelë punimesh bie në sy. Investitor është Bashkia Kamëz dhe tabela na tregon për ndërtimin e rrugës “Adem Jashari, Muharrem Bajraktari, Orikumi”.

Nga një vëzhgim që Community Reporters bëri në terren për të pare ecurinë e punimeve për rrugën, që kanë filluar në vitin 2019 me afat përfundimi 92 muaj, gjendja nuk duket e optimale. Shumë pjesë të rrugës paraqiten të lëna përgjysëm, dhe me manësi. Mungojnë trotuarët si dhe ndriçimi.

Projekti i rindërtimit të infrastrukturës rrugore

Teorikisht fshati është i pasur me burime ujore, por për shkak të lumit të Lanës dhe Lumit të Tiranës, ato janë të papërdorshme për banorët. Megjithëse është një zonë e favorshme për zhvillimin e bujqësisë, Laknasi nuk dallohet për një bujqësi intensive. Shkak për këtë gjendje shikohet mungesa e infrastrukturës.

Suela, një banore e Laknasit, i tha Community Reporters, se për të mbajtur pastër ambientin rreth e rrotull saj, ishte detyruar që ta merrte vetë fshesën në dorë dhe të pastronte.

Aroma e rëndë e lumit Lana e bashkuar me plehërat e hedhura kudo, krijojnë një atmosferë mbytëse për banorët e Laknasit. Community Reporters vëzhgoi vendin ku supozohet të grumbullohen plehrat, pranë varrezave të fshatit dhe keqmenaxhimi është lehtë i dallueshëm.

Mbetje urbane të pasistemuara   

Plani i Menaxhimit të mbetjeve , kontrata Koncesionare

Disa kosha plehrash të mbushur përplot, shkaktojnë shqetësim për banorët dhe ndotje të ambjentit. Banorët e cilësojnë si një nga shqetësimet kryesore që ka nevojë për adresim nga institucionet përgjegjëse. Edhe pse Bashkia Kamëz, pastrimin e qytetin e ka dhënë me koncesion për kompaninë “ALKO-IMPEX General Construcion & 2 T” për një përiudhë 12-vjeçare, ata kanë si përgjegjësi vetëm pastrimin e një lagjeje të Laknasit sipas “Planit të Menaxhimit të Mbetjeve të Bashkisë Kamëz.

Që nga viti 2018, fshati Laknas është pjesë e listës së “100 Fshatrave”, një projekt ambicioz në letër që synonte të kthente në pika turistike 100 fshatra të Shqipërisë.

Por në Laknas, veçse për zhvillimin e turizmit nuk mund të mendohet!

Problemet në këtë fshat janë ato më baziket për një jetë qytetare në shekullin e 21. Banorët me të cilët Community Reporters foli, ende kanë pretendime për ujin dhe rrugët.

Pa këto të dyja, sipas tyre nuk mund të mendohet zhvillimi i qendrueshëm i bujqësisë, e cila shikohet si sektori bazë, ku mund të mbështetet ekonomia e kësaj zone.  “Ujin e nxjerrim me puse”, konfirmuan disa banorë të Laknasit.

Projekti “100 Fshatrat” parashikonte që të ndihmonte Laknasin për t’u zhvilluar në aspektin ekonomik, social, kulturor e sportiv. Mbrojtja e monumenteve të kulturës dhe mbështetja e agroturizmeve ishin disa pika të tjera që Laknasi do duhej t’i kishte përfituar falë projektit “100 fshatrat”.

Por 3 vite që nga fillimi i zbatimit të tij dhe rreth 1 vit pas përfundimit, në Laknas projekti në rastin më të mirë përmendet me mosbesim, por ka raste kur edhe ironia nuk mungon.

Në një vëzhgim të bërë nga Community Reporters, problem për banorët e Laknasit por dhe të Bërxullës, 2 fshatra ngjitur me njëri – tjetrin është një rrugë e pambaruar…pjesa e rrugës që i takon fshatit të Laknasit është e pashtruar me asfalt, ndërsa pjesa e fshatit të Bërxullës është e shtruar. Gjatësia e rrugës së pa rregulluar nuk është shumë e madhe, mirëpo paraqet shqetësim për banorët të cilët duhet ta përdorin shpesh.

“E kemi kërkuar me vite…i thonë 17 vjet që e kemi kërkuar, për t’u lidh ajo rruga me rrugën e asfaltit… nuk ka dalë Bashkia e Kamzës”, thotë një banor i zonës për Community Reporters, duke treguar se 2 rrugët që përshkrojnë fshatrat iu përkasin 2 bashkive të ndryshme, asaj të Kamzës dhe pjesa e rrugës së rregulluar asaj të Vorës.

Investimet

Bazuar në të dhënat e dokumenteve që Community Reporters ka aksesuar nga bashkia Kamëz, këto janë projektet që ishin planifikuar per tu zhvilluar  në fshatin Laknas:

-Rivitalizimi i qendrës së Laknasit, me një vlerë përafërisht 1 208 310 100 lekë, ku përfitues janë banorët e Laknasit dhe të fshatrave pranë. Bazuar në dokument, theksohet se ky projekt do të nxiste në zhvillimin e shërbimeve publike, hapjen e bizneseve dhe përmirësimin e tyre, punësimin e të rinjve si dhe përmirësimin e infrastrukturës nëntokësore.

-Mbrojtja e brigjeve të lumenjve: Lumi i Tiranës, Lumi i Lanës me një vlerë përafërsisht 70 462 912 lekë, me përfitues banorët e fshatit të Laknasit dhe të fshatrave të tjerë. Ky projekt synonte përmirësimin e mjedisit urban dhe natyror në zonë.

-Zhvillimi i Agrobiznesit dhe Marketingu i Destinacionit, projekt me vlerë përafërsisht 424 000 000 lekë. Ky projekt synon të ndihmojë fshatin në prizmin e zhvillimit të infrastrukturës në agrobiznes dhe turizëm rural për të ndihmuar banorët vendas dhe të huaj të vizitojnë 3 destinacione: Blerina Farm, Uka Farm si dhe Stallat Italiane.

Po ashtu ky projekt kishte dhe si qëllim që të nxiste punësimin e banorëve vendas dhe zhvillimin e bizneseve të vogla dhe të mëdha. Edhe në këtë rast përfituesit e projektit do të ishin banorët e fshatit Laknas si dhe banorët e fshatrave përreth.

Largësia Laknas – Tiranë është 8.9 kilometra, për të dalë në autostratën Tiranë –Durrës duhen vetëm 2 kilometra, për të shkuar në aeroportin e Rinasit duhen 9.4 kilometra dhe për të shkuar në qendrën e Kamëz vetëm 3.4 kilometra.

Kjo pozitë gjeografike Laknasit i shtron shumë mundësi, të cilat deri më tani kanë mbetur të pashfrytëzuara në maksimumin e tyre. Është e paqartë se sa ndikon kjo pozitë e favorshme gjeografike në mirëqënien e përgjithshme ekonomike dhe sociale të fshatit si njësi.

Pyetur nga Community Reporters se cilat ishin projektet që ishin zhvilluar specifikisht në kuadër të “100 fshatrave”, Bashhkia Kamëz tha “Bashkia Kamëz është në proces aplikimi për thirrjen e projektit për “100 Fshatrat”.

Mungesa e ujit dhe ndotja

Banorët e Laknasit kur flasin me Community Reportes lidhur me përditshmërinë dhe nevojat e tyre, ku, si problematikë kryesore veçojnë, mungesën e ujit, të cilin e konsiderojnë parësor për mbarëvajtjen e punëve në bujqësi. Banorët i thanë CRA se ende janë duke përdorur metodën e vjetër të nxjerrjes së ujit me puse. Kjo metodë nuk është efektive si për shkak të kostove të larta, por edhe për shkak se uji i pusit nuk është i përeferueshëm për vaditje.

Po ashtu, temperaturat e larta këtë verë, e kanë dëmtuar jo pak zhvillimin e bujqësisë në këtë fshat, me fermerët që në ditët e nxehta të korrikut dhe gushtit mbeten me shpresat nga qielli. Ata pohojnë se linja e ujsjellësit është rregulluar mirëpo nuk është funksionale për ta.

Luca i ardhur nga Kukësi rreth 20 vjet me parë na konfirmon se gjatë gjithë këtyre viteve që ai banon në këtë fshat, uji ka qenë problem i vazhdueshëm.

Banor i fshatit Laknas duke folur për Community Reporters

“Ujë s’kemi, e kemi ujin me puse. Asnjëherë s’kemi pasur, s’ka ardhur ndonjëherë. Kurrë unë nuk mbaj mend që të ketë ardhur uji këtu…”, thotë ai i revolutuar me situatën.

Lumi i Lanës që përshkon fshatin, po ashtu ndikon për keq në cilësinë e jetës dhe dukshëm është një pengesë për zhvillimin e fshatit. Bizneset e vogla dhe banesat pranë tij, janë “viktimat” kryesore të ndotjes që vjen nga lumi, i cili përveç se është i papërdorshëm, sjell dhe aromën e keqe të mbetjeve që mbart.

“Erë të keqe ka shumë, është e padurueshme. S’është pastruar asnjëherë këtu. Asnjëherë, deri tek Instituti Teknik”, tha një banor tjetër i cili ka që nga viti 1993 që jeton në Laknas.

Bujari, banues në Laknas që nga viti 1995, i tregon Community Reporters se një nga shqetësimet më të mëdha për komunitetin e zonës është ndotja e lumit Lana.

Banor i fshatit Laknas duke folur për Community Reporters

“Është i mbushur plot e përplot me mbeturina që njerëzit e papërgjegjshëm i hedhin. Gjatë kësaj kohe, janë përdorur struktura po dhe strukturat nuk ndikojnë, nuk i pastrojnë… gjithë kohës vjen kjo erë, kjo erë është e papërballueshme, sidomos familjet që janë afër Lanës mezi rezistojnë”, thotë për Community Reporters.

Në këto kushte, perspektiva dhe vizioni për një pikë tursitike në këtë fshat duket shumë e largët, dhe njerëzit që jetojnë aty, ngrenë supet duke rreshtuar një sërë problematikash që kanë nevojë për zgjidhje fillimisht.

SHARE THIS POST

Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin

RELATED POSTS