Një ton drogë në vit, si u kthye Durrësi në portin e kokainës

Me 1 ton kokainë të sekuestruar vetëm përgjatë këtij viti, porti i Durrësit është kthyer në portin e kokainës. Përllogaritet se 650 milionë dollarë, që do të ishte vlera, nëse kjo drogë do të dilte në treg, iu hoqën krimit të organizuar. Porti më i madh në vend ka kapacitete të limituara për të mbajtur në kontroll këtë derë të rëndësishme.

Autor: Ermal Vija

Altin Myslihaka, punëtor pastrimi i anijeve të peshkimit, dhe Ardian Bega, roje sigurie në portin e Durrësit, ishin të vetëm në kafazin e qelqtë të Gjykatës së Posaçme, kur ndaj tyre u dha dënimi për trafik droge dhe grup të strukturuar, kriminal.

Në shtator të vitit 2019, në portin e Durrësit, përmes 2 konteinerëve të kompanisë “Alba Exotic Fruit”, e cila kishte porositur banane për llogari të Gentian Malindit, mbërriti një sasi prej 137 kg kokainë, me anë të atij që njihet si dorëzim i kontrolluar. I dyshuari kryesor, Malindi, një biznesmen në tregtinë e peshkut, që operonte në portin e Durrësit, u shpall në kërkim me urdhër të prokurorisë në të njëjtën ditë.

Droga e kapur në konteinerët e “Alba Exotic Fruit”

Droga ishte nisur nga Ekuadori dhe u zbulua në portin e Pireut në Greqi, me destinacion final portin e Durrësit. Autoritetet greke, pasi vunë në dijeni palën shqiptare për ngarkesën, i lanë kamionët të ndiqnin trajektoren e tyre.

Por, duke qenë se kishin dyshime për rrjedhje informacioni nga pala shqiptare, hoqën kokainën dhe e zëvendësuan atë me oriz.

Brenda saj instaluan GPS për të gjurmuar lëvizjet dhe për të zbuluar trafikantët, por pa vënë në dijeni palën shqiptare për zëvendësimin. Policia dhe prokuroria, së bashku me drejtuesit e portit të Durrësit, ndonëse kishin informacion, dështuan ta finalizojnë këtë operacion, edhe pse “ngarkesa” ishe pajisur me GPS.

Operacioni “u finalizua” me arrestimin e rojës së sigurisë së portit dhe një punëtori të anijes së peshkimit, që nxorën pakot nga konteineri.

Paradoksalisht, Gentian Malindi, që cilësohet si organizatori i trafikimit të kokainës nga Ekuadori drejt vendit tonë, mundi të arratisej.

Malindi, pasi mori në makinë pakot me oriz, ku ishte vendosur edhe gjurmuesi, arriti t’iu zhdukej forcave të policisë që e kishin nën vëzhgim. Ai ende është i lirë.

INA MEDIA mundi të sigurojë fotot e pakove me oriz, si dhe GPS që u përdorën nga autoritetet greke, duke dëshmuar pafuqinë e institucioneve shqiptare.

Fotot e pakove me oriz, si dhe GPS, që u përdorën nga autoritetet greke

Për ekspertët e kësaj fushe, veprimet e palës greke, të cilët zëvendësuan kokainën me oriz, tregojnë se nuk kanë besim të plotë tek autoritetet shqiptare, përderisa nuk japin informacion të saktë.

“Zëvendësimi i kokainës me oriz nga autoritetet greke tregon se, nëse do të kishin besim te ne, që nuk do të humbte kokaina, do e kishin lënë këtë sasi.”, – thotë Përparim Kulluri, ish-prokuror i Krimeve të Rënda për Investigative Network Albania.

Por, kjo ngarkesë ishte vetëm një sasi e vogël e lumit të kokainës që kalon në portin e Durrësit.

Shifrat tregojnë se vetëm në muajt e fundit të këtij viti, në portin më të madh në vend është sekuestruar një sasi prej rreth 1 toni kokainë.

 

Tonelatat me kokainë në Durrës

Nga të dhënat zyrtare, në 3 vitet e fundit në portin e Durrësit janë trafikuar rreth 1.5 tonë kokainë. Nëse do të arrinte të dilte në treg, do të kapte vlerën e më shumë se 400 milionë eurove. Sasitë e mëdha të kokainës vijnë në Shqipëri kryesisht të fshehura në konteinerët, që më së shumti transportojnë fruta ekzotike.

Më 18 qershor u kapën në portin e Durrësit 325 kg kokainë që kalonte transit në territorin shqiptar me destinacion Italinë. Droga u gjet në serbatorin e një kamioni me targa të huaja. Më 10 prill, një tjetër sasi prej 134 kg u gjet në një konteiner të mbushur me banane për llogari të kompanisë “Masabi Fruits” me seli në kryeqytet. Ngarkesa u gjet në anijen “Dance”, që u nis nga Ekuadori.

Në datën 1 prill u kap një sasi prej 49 kg kokainë, që vinte nga Amerika Latine në një konteiner me banane në pronësi të Selim Çekajt.

Në datën 17 maj një tjetër sasi prej 400 kg kokainë, e futur nga porti i Durrësit, u sekuestrua në Kosovë.

Ndërsa sasia më e madhe e sekuestruar deri më tani është ajo e 27 shkurtit të vitit 2018, ku në konteinerët me banane, në pronësi të Arbër Çekajt, u gjetën 613 kg kokainë.

Në një analizë për situatën ish-prokurori i Krimeve të Rënda, Eugen Beçi, thotë se grupet kriminale, shqiptare janë forcuar shumë vitet e fundit. Ato kanë shtrirë aktivitetin përtej Europës, duke zbarkuar drejt vendeve të Amerikës Latine, që janë furnizueset kryesore të tregut me pluhurin e bardhë.

“Krimi i organizuar shqiptar ka kaluar kontinentin e po bëhet çdo ditë e më i rrezikshëm”, – konfirmon ish-prokurori, Eugen Beci.

 

“Kontrollorët”, pika e dobët e portit

Për ekspertët çelësi i të gjithë trafikut që zhvillohet nëpërmjet këtij porti, qëndron në njësinë e kontrollit të konteinerëve.

Sipas tyre, ndryshimi i vazhdueshëm i administrimit të hapësirës portuale ul vigjilencën dhe rrit mundësinë për “blerjen” e zyrtarëve nëpërmjet korrupsionit.

Me një mesatare prej 6800 konteinerësh, që futen çdo muaj në portin e Durrësit, Njësia e Kontrollit të Konteinerëve, në përbërje të së cilës ka përfaqësues të Doganave dhe Policisë Kufitare, duket se mbetet ende një strukturë delikate.

Terminali i Konteinerëve që prej marsit të vitit 2021 menaxhohet nga operatori privat, “Mariner Adriatic”, dhe përbëhet nga 86 veta personel, prej të cilëve 82 janë personel operacional, që ndjekin përpunimin e ngarkesave dhe 4 të tjerë staf menaxherial.

Ndërsa Policia e Shtetit zyrtarisht thotë se në port ushtrojnë detyrën 80 punonjës, nga të cilët 2 punonjës me detyrë ndihmës-kontrollor janë pjesë e strukturës së Njësisë së Përbashkët të Kontrollit të Konteinerëve.

Megjithatë, Njësia e Përbashkët për Kontrollin e Konteinerëve është një bërthamë mjaft e rrudhur. Ajo përbëhet nga dy punonjës të Policisë Kufitare, dy efektivë të sektorit kundër narkotikëve, 2 doganierë të terminalit të konteinerëve, nga një punonjës, sipas strukturës, në turn, ku përgjegjës i kësaj njësie është dega doganore, Durrës.

Për ish-prokurorin e Krimeve të Rënda, Përparim Kulluri, kjo njësi është “thembra e Akilit” në këtë port.

“Ndryshimi i administrimit, herë në dorë të shtetit, herë nga kompani private, normalisht sjell rënien e vigjilencës së autoriteteve”, – tërheq vëmendjen ai.

Sipas tij, grupet më të mëdha të trafikimit të drogës gjenden në Durrës, pavarësisht se për kë vjen droga.

“Për këtë janë të detyruara të gjitha grupet kriminale, siç janë ato të Elbasanit, që merren me heroinë, po ashtu edhe grupet e tjera të Tiranës, Fierit e Vlorës, që merrem me kokainë, të sigurojnë garanci për trafikimin e lëndëve narkotike. Garancia jepet nga doganierët, nga kontrollorët dhe nga punonjësit e shtetit”, – pohon Kulluri.

Kjo hallkë e dobët pranohet edhe nga ish-drejtori i portit të Durrësit, Bujar Dhima. Madje, sipas tij, grupet kriminale, përveç kapjes së strukturave ligjzbatuese, kanë lidhje deri në nivele të larta të politikës.

“Pothuajse në të gjitha rastet kanë raporte të të gjitha mënyrave me eksponentë të Policisë së Shtetit. Mendoj se grupet kriminale kanë lidhje të ngushta me politikanë të niveleve të larta.”, – sqaron Dhima.

Dhima ka drejtuar për 8 vite portin e Durrësit dhe sipas tij institucionet duhet të ndryshojnë qasjen për të luftuar trafikun e kokainës, që është kthyer në një fenomen shqetësues.

“Duhet një reagim energjik dhe struktura të pavarura, që kjo situatë të ndryshojë dhe, më e rëndësishmja, qasja e qeverisë dhe e ligjbërësve ndryshe nga ç`ka ndodhur deri tani”, – sqaroi Dhima për INA MEDIA-n.

Në gamën e madhe të konteinerëve që vijnë në Durrës, Policia e Shtetit në një përgjigje zyrtare për INA MEDIA-n konfirmon se, të gjithë ata që mbërrijnë nga Amerika Latine, i nënshtrohen skanimit dhe kontrollit. Në këtë situatë ekspertët sugjerojnë të ndiqet praktika e vendeve të tjera, siç janë Holanda apo Belgjika, ku bëhet vazhdimisht ndërrimi i zyrtarëve të portit, me qëllim që të mos korruptohen nga grupet kriminale.

“Zyrtarët përgjegjës për skanimin e konteinerëve në portin e Roterdamit nuk qëndronin në detyrë më shumë se 6 muaj. Në muajt e parë të ndërrimit të zyrtarit forca zbuluese rritej me 90%. Në muajt në vijim ajo binte deri në 30%. Trafikantët kanë sensorë shumë më të ndjeshëm në vlerësimin e situatës dhe seriozitetit në luftën e shtetit kundër trafikut të narkotikëve”, – thotë Eugen Beçi, ish-drejtues i Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin prej vitit 2013 ka nisur zbatimin e Programit të Kontrollit të Konteinerëve, që aplikohet në 21 porte të ndryshme të botës, përfshirë edhe portin e Durrësit. Brenda një viti nëpër botë qarkullojnë për qëllime tregtare rreth 500 milionë konteinerë dhe vetëm 2 për qind e tyre arrin të kontrollohet. Ata që kontrollohen, përzgjidhen duke u bazuar te vendet e origjinës, por, nëse vijnë nga Amerika Latine, janë me “pullë të kuqe” dhe i nënshtrohen kontrollit.

Nga të dhënat rezulton se deri më tani në vendin tonë nga kontrollet e ushtruara në portin e Durrësit gjatë këtyre viteve, iu hoqën krimit të organizuar rreth 650 milionë dollarë, që do të ishte vlera, nëse kjo drogë do të dilte në treg.

Last Snow

Në shkurt të vitit 2018 në portin e Durrësit u sekuestrua sasia më e madhe e kapur ndonjëherë nga autoritetet tona, plot 613 kg kokainë. Në sajë të operacionit policor, të koduar me emrin “Last Snow”, në pranga u vunë Arbër Çekaj, Donaldo Lushaj dhe Armando Pezaku.

Me vendim të Gjykatës së Posaçme të Apelit Kundër Krimit dhe Korrupsionit që INA MEDIA e disponon, Çekaj u dënua me 14 vite burg. Gjyqtarët, Dhimitër Lara, Saida Dollani e Valdete Hoxha, në vendimin me numër 16, në qershor të vitit 2021, argumentuan se Çekaj, Donaldo Lushaj dhe Armando Pezaku vepruan si grup i strukturuar kriminal.

Faksimile e vendimit të gjykatës për Arbër Çekajn

“Arbër Çekaj ka bashkë-organizuar transportimin apo zhvendosjen nëpërmjet rrugës detare nga Kolumbia në Shqipëri të një sasie lënde narkotike, të llojit kokainë, me peshë të përgjithshme 613 kg e 350 gramë. Në marrëveshje me një grup të mirë-strukturuar, të cilët morën përsipër, pas sigurimit të lëndës narkotike në territorin e shtetit kolumbian, të realizonin paketimin dhe fshehjen e saj, duke e maskuar në konteinerin e destinuar për të sjellë mallin e ligjshëm – banane – për llogari të porosisë së firmës “Arbri Garden”, – thuhet në këtë vendim.

Në të dyja shkallët e gjykimit Arbër Çekaj e ka kundërshtuar vendimin e gjykatës, duke kërkuar pafajësi. Madje Çekaj e ka cilësuar operacionin e ndërhyrjes së policisë të qëllimshëm, për të mos zbuluar porositësit e vërtetë.

Avokati Dritan Jahaj

“Prokuroria nuk ka kryer asnjë hetim të thelluar për çështjen, pasi nuk është administruar asnjë provë apo informacion nga vendet ku është nisur droga. Gjithashtu, nëpërmjet veprimit hetimor për dorëzimin e kontrolluar, ku qëllim primar dhe fundor është gjetja dhe zbulimi i organizatorit dhe pritësve të lëndës narkotike, nuk është shkuar deri në fund, por është ndërprerë, duke mos arritur qëllimin hetimor”, – pretendon avokati i Çekajt, Dritan Jahaj.

Ndërsa 3 vite më vonë në të njëjtën mënyrë u futën në vendin tonë 49 kg kokainë dhe në këtë rast u arrestua babai i tij, Selim Çekaj. Ish-prokurori i Krimeve të Rënda, Përparim Kulluri, ka sqaruar për Investigative Network Albania se nga eksperienca e tij si hetues 3 persona nuk mund ta bëjnë të vetëm trafikimin e një sasie kaq të madhe kokaine.

Sipas tij, edhe në këtë rast autoritetet shqiptare dështuan, pasi, edhe pse kjo sasi kokaine ndiqej me dorëzim të kontrolluar, nuk u bë e mundur prangosja e të gjithë trafikantëve të përfshirë.

“Sasia prej 613 kg kokainë është kapur me informacion nga shtetet partnere, jo nga një informacion i joni. Organet tona, nëse do të bashkërendonin, do të kishin bërë punë më të mirë”, – pranon ish-prokurori, Kulluri.

 

Alba Exotic Fruit harron “misionin”

Pas 2 vitesh pune në heshtje, e njëjta kompani, “Alba Exotic Fruit”, kapet sërish me lëndë narkotike, kokainë. Skema duket e njëjtë, sasia futet në pjesën frigoriferike, ku mund të merret në port, pa nxjerrë konteinerin. Në pranga këtë herë ranë dy administratorët, të cilët, për shkak të një hetimi me ndjekje të kontrolluar, dolën të pastër 2 vite më parë, ku kokaina u zëvendësua me oriz.

Avokati i dy administratorëve të kompanisë “Alba Exotic Fruit”, duke mohuar akuzat, kërkon hetime më të thelluara për të zbardhur emrat e personave të tjerë, të përfshirë.

Për 4 muaj në konteinerët e “Alba Exotic Fruit” janë kapur 6 ngarkesa me kokainë, me peshë rreth 43 kg në total. Në kërkim është shpallur pronari, Eduart Dauti, ndërsa janë arrestuar dy administratorët, Bajron Gumeni dhe Ermal Arapi.

Në tetor të këtij viti Prokuroria e Posaçme me vendim të gjykatës vendosi nën sekuestro kompaninë “Alba Exotic Fruit”.

Turistët maqedonas e kosovarë

Më herët në portin e Durrësit janë kapur sasi edhe më të mëdha kokaine, si ajo e 18 qershorit të këtij viti, ku brenda një kamioni, që udhëtoi nga Maqedonia e Veriut në drejtim të Italisë, u sekuestruan 324 kg kokainë.

Kokaina ishte fshehur në serbatorin e kamionit, i cili transportonte hekur drejt Italisë.

Kokaina që vinte nga Maqedonia e Veriut

Krahas sekuestrimit të drogës, policia ka arrestuar shoferin, shtetasin Nazif Ajrofski, nga Struga. Ai ka deklaruar se ishte vetëm shofer dhe kishte për detyrë që mjeti të mbërrinte në destinacionin final, në Napoli të Italisë.

Droga ishte e ndarë në disa pako dhe ishte e mbështjellë me natriban, me mbishkrime dhe logo të ndryshme, si PSGChicago BullsDior apo edhe pije alkoolike e whisky-t të famshëm brazilian, “Velho Barreiro”.

Me të njëjtën logo ishte edhe një pjesë e sasisë prej 400 kg kokainë, që kaloi transit në portin e Durrësit me një kamion që transportonte pula nga Brazili dhe u kap në Lipjan të Kosovës.

Shqiptarët, vëllezër me amerikano-latinët

Shqipëria është njohur për herë të parë me trafikimin e kokainës nga vendet e Amerikës Latinë në vitin 2001. Në atë kohë në pranga u vunë 7 anëtarë të grupit, mes të cilëve Frederik Durda, Arben Bërballa e Sokol Koçiu, ky i fundit në atë kohë ishte oficer në Prokurorinë e Përgjithshme. Operacioni, “Operation Journey”, i agjencisë amerikane kundër drogës, DEA, vërtetoi se ky grup kishte pasur që prej vitit 1999 kontakte me kartelin kolumbian të Medellin-it dhe ishte pjesë e një rrjeti të trafikut të kokainës.

Durda kishte rolin kryesor në trafikimin e kokainës. Ai iu kishte premtuar menaxhimin e tonelatave me drogë, që do të nisnin rrugëtimin nga Kolumbia në Venezuelë, për të përfunduar në Spanjë e madje kishte planifikuar ndërtimin e një laboratori në Shqipëri.

“Mbreti” i kokainës

Ekuadori është një nga furnizuesit kryesorë me kokainë për vendet e Bashkimit Europian, edhe pse nuk është një vend prodhues.

Nga ky shtet nisen anijet me konteinerët që më së shumti transportojnë fruta ekzotike, siç është edhe banania, që kultivohet masivisht në këtë vend.

Gazetari Julian Kasapi në korrik të këtij viti ka udhëtuar drejt Ekuadorit, ku ka qëndruar në portin më të madh të qytetit të Guayaquil-it për të investiguar mbi trafikun e kokainës drejt Shqipërisë.

“Për të kuptuar mënyrën se si operonin grupet kriminale të trafikut të kokainës, po sjell shembullin e Arbër Çekajt, që u dënua për trafikun e 613 kg kokainë. Çekaj në vitin 2008 ka jetuar në Peru, ku u shpall në kërkim për trafik kokaine, më pas u largua drejt Ekuadorit, ku vazhdoi të njëjtin aktivitet. Përmes parave ai ndërhynte në disa biznese të vogla në shtetin ekuadorian, duke korruptuar biznesmenë të transportit dhe eksportit të bananeve. Pasi siguronte kokainën në vendet e origjinës, ai e transportonte atë drejt Ekuadorit dhe më pas e magazinonte kokainën në banane, në biznesin ku ato paketoheshin. Më pas konteinerët shkonin në afërsi të bizneseve dhe në rrugë detare hynin në port. Atje ka persona që paguhen deri në 3 mijë dollarë për të bërë të mundur mos-hapjen e konteinerit të vulosur dhe që ai të mos i nënshtrohet skanerit”, – shpjegon skemën Julian Kasapi, gazetar pranë A2CNN.

“Agjentët me katër këmbë”

Aron është agjenti më i mirë në akademi dhe instruktori ka zgjedhur këtë emër për shkak të të vëllait, Moisiut, që në Bibël njihet si i përzgjedhuri i Zotit.

“Agjenti” Aron me instruktorin

Instituti i qenve në Policinë e Shtetit, i themeluar që prej vitit 1950, përgatit “agjentë” në mbështetje të operacioneve të ndryshme, duke nisur nga ndërhyrja për lirimin e pengjeve, deri te operacionet e kërkim-shpëtimit apo edhe ato të zbulimit të lëndëve narkotike. Përmes këtij instituti, që momentalisht ka më shumë se 100 qen të trajnuar, furnizohen të gjitha pikat e kalimit kufitar, Garda e Republikës dhe burgjet në vend.

Vendqëndrimi i qenve

“Inspektorët e akademisë trajnojnë 5 lloje qensh, qen për kërkim-zbulim lëndësh narkotike, qen për kërkim-zbulim lëndësh eksplozive, qen gjurmues-patrullues, qen për kërkim-zbulim të njerëzve të gjallë dhe të vdekur. Për zbulimin e lëndëve narkotike, eksplozivëve dhe trupave nën rrënoja kurset e trajnimit janë 4-mujore, ndërsa për gjurmues-patrullues shkojnë deri në 6 muaj. Qeni antidrogë, kur zbulon drogën, qëndron ulur në vendin ku e ka gjetur.”

Shkencërisht një qen e ka nuhatjen 40 herë më të lartë se njeriu dhe kjo shfrytëzohet nga policia për të zbuluar lëndën narkotike apo edhe për gjurmimin e personave që pas krimit janë larguar nga vendngjarja.

Burime konfidenciale nga Policia e Shtetit sqaruan për INA MEDIA-n se, për shkak të ngarkesave të mëdha me kokainë që kanë hyrë përmes portit të Durrësit, atje është dislokuar një njësi speciale, e përbërë nga qentë antidrogë dhe instruktorët.

“Xibraka” prodhon kokainë

Më 15 janar të vitit 2015 në Xibrakë të Elbasanit do të shkatërrohej një laborator kokaine. Lënda narkotike vinte nga Kolumbia në disa produkte dhe më pas ndahej në këtë laborator.

Grupi kriminal kishte sjellë në Tiranë edhe dy kolumbianë, të cilët bënin ndarjen e kokainës. Walter Moreno dhe César Ávila u prangosën së bashku me 9 shqiptarë si pjesë e një grupi kriminal, ndërsa policisë arriti t`i shpëtonte një nga drejtuesit e grupit, Genci Xhixha.

Në gjyq përfunduan 9 të pandehur dhe Gjykata e Shkallës së Parë i dënoi me 104 vite burg. Çështja shkoi në Gjykatën e Apelit, pasi u ankimua nga të arrestuarit, por jo nga prokuroria.

Në Apel ata u dënuan në total me 69 vite heqje lirie. Hetimi për grupin e Xibrakës nisi në vitin 2014 nga Prokuroria e Krimeve të Rënda pas një informacioni të mbërritur nga Gjermania.

“Ne ende nuk e kemi të përcaktuar sasinë e drogës, kemi vetëm ekstraktin, por nuk e dimë ende sasinë e kapur. Mos u nxituam me operacionin e ndërhyrjes në Xibrakë? Mos ka patur persona të tjerë, të fshehur pas lëndës narkotike?!”, – ngre dyshime ish-prokurori, Përparim Kulluri.

SHARE THIS POST

Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin

RELATED POSTS