“Mjekimi i pakujdesshëm” lë dyerve të gjykatës pacientët, që kërkojnë drejtësi

Reformat gjysmake, mungesa e protokolleve të mjekimit për një sërë sëmundjesh dhe mungesat e vazhdueshme, me të cilat përballen spitalet shqiptare, e kanë bërë të paqartë kufirin se kur një rast me dëmtim apo pasojë vdekjen e pacientit vjen si pasojë e “neglizhencës në mjekim”. Për rrjedhojë familjarët zvarriten me vite të tëra nëpër gjyqe, me shpresën e vakët se do të ketë drejtësi për të afërmit e tyre.

Autore: Fjona Çela

Blerta Pepa ishte vetëm 16 vjeç, kur humbi jetën gjatë një operacioni në gju. Ngjarja ndodhi në vitin 2017, në një spital privat në kryeqytet. Autopsia deklaroi se shkaku i vdekjes ishte hipertermia malinje, një komplikacion i shfaqur gjatë operacionit, duke e njehsuar me atë që deklaruan mjekët e spitalit privat, por familja e Blertës pretendon se gjithçka ndodhi nga pakujdesia e bluzave të bardha. Raporti mjekoligjor po ashtu konstatoi se përpara ndërhyrjes kirurgjikale ishte përdorur dantrolen, një medikament që konsiderohet jetë-shpëtues në raste të tilla, por që nuk dha efekt te Blerta.

Aktualisht, çështja e vdekjes së 16-vjeçares është në Gjykatën e Lartë, ndërsa nëna e së ndjerës, Lindita Pepa, tregon për INA MEDIA-n se ka 5 vite që endet dyerve të gjykatave në kërkim të drejtësisë për vajzën.

“Nuk e prisnim kurrë të na ndodhte kjo. U nisëm për mirë. Borxh i mora ato lekë. Hakun e vajzës do ta marr, por kam 5 vite që s’kam besim te drejtësia. Nga 15 maji i vitit 2017 unë nuk fle dot natën, nuk di, ku të drejtohem që të gjej drejtësi”, – rrëfen për INA MEDIA-n Lindita, me zërin që i dridhet.

Avokati i çështjes e ka apeluar vendimin, duke hequr fill pas këtij veprimi dorë nga ky proces e duke e lënë Linditën me dilemat e mëdha se çfarë rruge do të marrë kjo çështje.

Njësoj si Lindita, çdo vit dhjetëra familjarë përplasen dyerve të gjykatës në kërkim të drejtësisë për humbjen e të afërmve të tyre brenda dyerve të spitaleve.

Faji i mjekut apo i sistemit shëndetësor?

Të dhënat e siguruara nga Investigative Network Albania tregojnë se, pavarësisht akuzave të shumta në media, pak çështje gjejnë rrugën deri te gjykata.

Në Gjykatën e Shkallës së Parë, Tiranë, ku ndodhen edhe spitalet më të mëdha publike dhe private, rezultojnë vetëm 3 çështje në gjykim dhe 2 vendime të shpallura. Bëhet fjalë për çështje penale me akuzën “Mjekim i pakujdesshëm”, për periudhën 2020-2022.

Më konkretisht, këto çështje gjyqësore janë finalizuar me 1 vendim pafajësie, sipas të cilit 6 të pandehur janë shpallur të pafajshëm dhe 1 vendim fajësie me një të pandehur të deklaruar fajtor.

Por, të dhënat e servirura nga Ministria e Drejtësisë paraqesin një tjetër realitet, me të cilin pacientët shqiptarë përballen nëpër spitale, teksa kërkojnë shërimin.

Sipas këtij institucioni, lidhur me akuzën “Mjekim i pakujdesshëm” përgjatë vitit 2020 në të gjithë vendin janë regjistruar 15 çështje. Nga këto vetëm 5 prej tyre kanë përfunduar dhe 10 prej tyre janë ende në proces gjykimi. Në përfundim të gjykimit të këtyre 5 çështjeve, vetëm 2 bluza të bardha janë dënuar, prej të cilëve, njëri me gjobë dhe tjetri, me pezullim të licencës.

Faksimile e ecurisë së gjyqeve për mjekim të pakujdesshëm përgjatë vitit 2020

Të dhënat dëshmojnë se, ndonëse kanë kaluar më shumë se dy vite, ende pjesa më e madhe e këtyre gjyqeve nuk ka përfunduar, duke lënë dyerve të gjykatave pacientë e familjarë, me shpresën e vakët se drejtësia do të veprojë. Por, numri i ankesave, që kanë pretendime ndaj mjekëve, është shumë më i lartë se ai që shkon në gjykatë, kjo pasi “gjykata” e parë, ku kalon shumica e rasteve që kanë pretendime për mjekim të pakujdesshëm, është Urdhri i Mjekut.

Në rast të shpalljes fajtor të mjekut, UMSH bën heqjen e licencës për një periudhë 4-mujore, si dhe jep vërejtje me paralajmërim për pezullim licence.

“Nga viti 2005 deri në vitin 2021 në Komisionin Kombëtar të Gjykimit Disiplinor, Profesional (Apeli), si organi më i lartë vendimmarrës mbi ankesat që kanë kaluar të gjitha shkallët e gjykimit, janë shqyrtuar dhe janë marrë 20 vendime, ku vetëm 3 prej tyre janë gjykuar për mjekim të pakujdesshëm apo neglizhencë në mjekim. Nga këto tri raste, 2 mjekë rezultojnë përgjegjës”, – i tha INA MEDIA-s në një përgjigje zyrtare Urdhri i Mjekëve të Shqipërisë.

Por, dhënia e një vendimi, nëse kemi të bëjmë me neglizhencë në mjekim apo jo, është tejet delikate dhe komplekse.

Reformat gjysmake, mungesa e protokolleve të mjekimit për një sërë sëmundjesh dhe mungesat e vazhdueshme, me të cilat përballen spitalet shqiptare, e kanë bërë të paqartë kufirin se kur një rast me dëmtim apo me pasojë vdekjen e pacientit vjen si rrjedhojë e “neglizhencës në mjekim”.

E njohur ndryshe si malpractice, në çdo rast, kur ka dëmtim të shëndetit apo vdekje të pacientit, janë ekspertët mjekoligjorë ata që duhet të vërtetojnë, nëse mjeku e ka përmbushur misionin apo e ka neglizhuar pacientin.

Mjekësia është një profesion që rregullohet nga Ligji nr. 10171/2009 “Për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë”, por në asnjë vend të botës nuk ka asnjë nen konkret që përcakton se si duhet të veprojë një mjek. Kjo rregullohet nga Kodi i Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore, i miratuar nga Urdhri i Mjekut të Shqipërisë, që vendos disa shina se si duhet të ushtrohet profesioni i mjekut. Megjithatë, në nenin 27 “Bibla” e mjekëve thotë se mjeku duhet të përshkruajë ato procedura diagnostikuese, “të cilat në gjykimin e tij i vlerëson si më të përshtatshme për rrethanat e të sëmurit, shkencërisht të provuara dhe bashkëkohore.”

“Ai duhet t’i formulojë përshkrimet e tij në përputhje me udhëzuesit klinikë dhe protokollet e miratuara, në mënyrë të qartë e të kuptueshme për pacientin dhe për të tjerët”, – thuhet më tej në nenin 27 të Kodit të Deontologjisë Mjekësore.

Mirëpo Shqipëria ka një sistem shëndetësor, anemik dhe të brishtë, me mungesa të shumta në aparatura apo terapi mjekimi, madje edhe të vetë udhëzuesve klinikë.

Si pasojë, Fatmir Brahimaj, president i Urdhrit të Mjekut të Shqipërisë, konsideron se në vendin tonë barra e një vendimi për neglizhencë në mjekim “komprometohet” nga shumë faktorë.

“Si fillim është aftësia e mjekut për të bërë diagnozën e saktë, pastaj janë kushtet, në të cilat punon mjeku, që do të thotë: A ka kushte që të bëjë protokoll diagnostik? Të bëjë analizat e nevojshme?

E treta, pasi bën protokollin diagnostik, a i ka mundësitë që të bëjë protokollim mjekues, (terapeutik)? D.m.th., siç thotë protokolli, zgjedhja e parë është ky medikament, zgjedhja e dytë është ky ilaç e me radhë. Padyshim që rol luan edhe mungesa e protokollove, që jo për të gjitha sëmundjet janë miratuar”, – shpjegon kompleksitetin e procesit Brahimaj për INA MEDIA-n.

Pavarësisht asaj që përcakton ligji, Brahimaj thotë se, kur gjykohet një mjek, duhet të kihen parasysh të gjithë këta faktorë. Sa më shumë t`i largohesh Tiranës, aq më të shumta janë mungesat nëpër spitale.

“Nëse bën një gjykim të saktë, nuk do t`i kërkosh të njëjtën gjë, edhe atij që është mjek në QSUT, edhe atij që punon në Tropojë apo Konispol, sepse kushtet janë të ndryshme, por ndonjëherë mungesa ka kudo, në të gjitha spitalet”, – pranon Brahimaj.

Gjetjen e fajit në rastin e një mjekimi të pakujdesshëm e bën më të vështirë edhe mungesa e autopsisë. Përpara viteve `90, çdo vdekje, që ndodhte brenda dyerve të spitalit, i nënshtrohej autopsisë, për të përcaktuar në mënyrë shkencore faktorët që çuan në vdekjen e pacientit. Pas viteve `90 kjo procedurë thuajse u harrua, në mjaft raste duke shtuar dyshimet edhe për shkaqet e vdekjes. Këtë procedurë duhet ta kërkojë i pari mjeku, në rastet kur ka dyshime, dhe më pas të miratohet nga familjari.

Presidenti i Urdhrit të Mjekut e konsideron të dëmshëm faktin që nuk kryhen më autopsitë, pasi sipas tij autopsitë janë edhe mënyra më e mirë për të mësuar nga gabimet.

“Ka ndryshuar në sensin negativ. Sigurisht që unë nuk mendoj se duhet për çdo vdekje në spital, pasi ka raste që janë shumë të qarta, – shpjegon Brahimaj. – Autopsia veç të tjerave ka edhe një qëllim, që të mësojmë nga gabimi, nëse është bërë një gabim. Vetëm kur e vërteton autopsia, pra kur ti e hap dhe e shikon se çfarë ka ndodhur, quhet plotësisht i vërtetuar”, – përfundon kreu i Urdhrit të Mjekut të Shqipërisë.

Kriminalizimi i “gabimit mjekësor” u kërkua me ngulm që të ndryshohej nga shoqatat mjekësore së bashku me Urdhrin e Mjekut përgjatë vitit 2016. Ata kërkuan që të ndahej “gabimi mjekësor” nga “mjekimi i pakujdesshëm” dhe nga “neglizhenca në mjekim”, si dhe të ulej dënimi nga 7 vite, siç e parashikonte Kodi Penal, në 2 vite, kur vërtetohej se mjekët kishin neglizhuar.

“Neglizhenca mjekësore është kur mjeku e di që duhet bërë një gjë dhe s`e bën ose bën një gjë që e di se do të dështojë, por prapë e bën, por, kur bën një procedurë që konsiderohet normale për ta bërë dhe dështon, ky është gabim i mjekësisë, jo i mjekut”, – sqaron Brahimaj.

“U fitua një gjë, të paktën tani mjekët nuk arrestohen me skuadër”, – përfundon Brahimaj.

Referuar ligjit nr. 44/2019, “Mjekim i pakujdesshëm” njihet si “Neglizhencë në mjekim” dhe parashikon dënimin me gjobë ose burgim, përkatësisht sipas nenit 9 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.

“Po kjo vepër, kur ka shkaktuar vdekjen e personit, dënohet me burgim deri në dy vjet”, – përcakton neni 9 i Kodit të ri Penal.

Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë deri në momentin e dorëzimit të këtij artikulli nuk dha asnjë përgjigje referuar kërkesës për informacion.

Në gjyq me mjekët

I veshur me shumë paqartësi, dyshimet për mjekim të gabuar çojnë pranë Urdhrit të Mjekut një duzinë rastesh. Një pjesë e tyre joshen nga dëmshpërblimi që mund të marrin, nëse vërtetohet se mjeku ka gabuar.

“Më shumë se gjysma e ankesave zgjidhen në përballje këtu te Urdhri i Mjekut. Në disa raste pretendimet e pacientëve janë të ekzagjeruara dhe e bëjnë për të marrë dëmshpërblim, në pak raste të tjera vërtetohet që mjeku ka neglizhuar”, – thotë Urdhri i Mjekut.

Në vendin tonë numërohen me gishtat e dorës rastet kur spitali është shpallur fajtor dhe është detyruar të dëmshpërblejë pacientët. Aktualisht spitali i Vlorës ka dëmshpërblyer në dy raste pacientët dhe në një rast ai i Lushjës për gabimet e mjekëve. Në të tria këto raste shuma e dëmshpërblimit është 31 milionë lekë të reja, parà që merren nga buxheti i spitalit.

Prej vitesh Ministria e Shëndetësisë dhe Fondi i Kujdesit Shëndetësor ka hedhur idenë e sigurimit të mjekut, në mënyrë që të jetë mjeku apo ekipi mjekësor, që gabon, ata që duhet ta paguajnë dëmshpërblimin dhe jo buxheti i spitalit, por ende asgjë nuk ka ndryshuar.

Por, ky nuk është rasti i tre pjesëtarëve të së njëjtës familje nga Kosova, të cilët ndërruan jetë në spitalin “Nënë Tereza” në Tiranë, në maj të vitit 2021. Raporti i Institutit Mjekoligjor doli në konkluzionin se 3 shqiptarët nga Kosova ndërruan jetë si pasojë e konsumimit të kërpudhave helmuese.

Ky përfundim i mjekësisë ligjore nuk u pranua nga djali dhe nusja e të ndjerëve, të cilët po e ndjekin çështjen në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë.

“Padia e familjes sonë është për 3 mjekët për veprën “Mjekim i pakujdesshëm”. Normalisht pas një çështjeje të tillë vetë shteti duhet të hapë proces kundrejt mjekëve. Ne do t’i shkojmë çështjes deri në fund në mënyrë absolute”, – tha për INA MEDIA-n djali i çiftit Haliti, Hakiu, i cili shprehet se, në përpjekje për t’iu shpëtuar jetën familjarëve të tyre, iu është dashur të shpenzojnë shuma të majme në QSUNT.

Në janar të vitit 2022, një tjetër vdekje në Elbasan bëri që të hidheshin të tjera akuza karshi bluzave të bardha. Babai i 3-vjeçares, Agim Islami, tregon se vajza ishte me një virozë prej disa ditësh dhe po kurohej në shtëpi në bazë të recetës së dhënë nga mjeku i spitalit të Elbasanit, por, kur u kthye dy ditë më vonë në spital, sapo i vendosën serumin, vajza ndërroi jetë.

“Pa u sëmurë asnjëherë, nuk e di si iku ajo vajza ime. Unë nuk isha në atë moment aty, se kisha shkuar të merrja ca ilaçe të tjera, që duheshin, në farmaci. Nuk dinim ç’të bënim, ishim të shtangur komplet nga ajo që ndodhi”, – tha ai i prekur.

Avokati i familjes, Eduart Musaraj, akuzon se çështja ndaj mjekut Gentian Alla është vonuar për shkak të burokracive dhe të korrupsionit.

Një tjetër rrjedhë ka pasur akuza e ngritur ndaj dy mjekëve të spitalit të Lezhës, ku humbi jetën një fëmijë 3 vjeç, në janar të vitit 2017, nga një virozë. Në dosjen hetimore thuhet se fillimisht fëmija u paraqit në spital me shenjat klinike të ipotonisë muskulare, gjendje kome e vështirësi në frymëmarrje. Pasi mori mjekim në spital për shenjat e mësipërme, fëmija u dërgua në shtëpi. Gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua dhe nga spitali Lezhës u dërgua në Tiranë, por pas disa orësh ndërroi jetë. Pas ngjarjes së rëndë familjarët paditën dy mjekë të Spitalit Rajonal të Lezhës, P. L. dhe K. K. Këta të fundit u morën të pandehur nga gjykata nën akuzën e mjekimit të pakujdesshëm, ndërsa dyshimet ishin se nuk i dhanë ndihmën e duhur mjekësore, çka u bë shkak për humbjen e jetës së 3-vjeçarit, në janar të vitit 2017.

Edhe pse të dy mjekët i mohuan akuzat, Gjykata e Rrethit Gjyqësor, Lezhë, në nëntor 2019 shpalli fajtor mjekun K. K., për “Neglizhencë në trajtimin mjekësor”, i cili u dënua me një vit heqje lirie, që u konvertua në shërbim prove për dy vite, duke iu hequr njëkohësisht edhe e drejta që të ushtrojë funksione publike për dy vite. Mjeku tjetër u shpall i pafajshëm.

Covid-19, lumë ankesash për mjekët

Pandemia e shkaktuar nga Covid-19 dhe mënyra e trajtimit të pacientëve shtoi dyshimet dhe akuzat ndaj mjekëve për mjekim të gabuar.

Vetë bluzat e bardha pranojnë se ka pasur mjaft prej tyre, që kanë abuzuar me medikamentet e dhëna, kjo për shkak të frikës së krijuar nga kjo pandemi.

“Për fat të keq pati shumë raste, ku me trajtimin me dexamethasone u abuzua, qoftë për shkak të dozës, qoftë për shkak të kohëzgjatjes së mjekimit. Nuk u kontrollua, nëse ky trajtim me kortizon vërtet mund të përmirësonte gjendjen e pacientit me Covid, por mund të rëndonte situatën nga ana e sëmundjeve të tjera, kryesisht diabetit dhe hipertensionit”, – pranon mjeku Florian Toti për INA MEDIA-n. Megjithatë, ai thotë se nuk ka shifra të sakta lidhur me mjekimin e gabuar, edhe pse nga konstatimet në terren dhe nga akuzat ky numër rezulton të jetë rritur.

Trajtimi në shtëpi i të sëmurëve me Covid dhe recetat e fryra janë vetëm maja e ajsbergut e asaj që ndodhi gjatë pandemisë. Me një vendim qeverie mjekët e familjes u përfshinë në skemën e trajtimit të Covid-19 dhe iu njoh e drejta që të lëshonin receta medikamentesh anti-Covid për trajtimin ambulator në kushte shtëpie.

Receta përfshinte dy antibiotikë shumë të fortë të gjeneratës së tretë, kortizone, (dexamethasone), hollues gjaku, kryesisht xarelto, dhe vitamina. Kishte mes tyre që përshkruanin edhe antiviralë, si favira, deri në 200 € kura disaditore apo remdesivir, deri në 500 € një dozë. Këto medikamente në Europë u cilësuan joefikase në vitin e dytë të pandemisë.

Por, çudia më e madhe e recetës së përcaktuar ishte se këto medikamente të forta i jepeshin pacientit që në ditën e parë të infektimit ose edhe më shpejt akoma, që në shenjën e parë, pa pritur përgjigjen e tamponit, me argumentin: “Ta parandalojmë sëmundjen në kohë”.

“Qindra-mijëra të sëmurë u trajtuan me WhatsApp, virtualisht, duke marrë plot antibiotikë, antiviralë e plot barna të tjera. Personalisht njoh plot raste të sëmurësh që janë trajtuar jashtë shtetit për dëmet nga antibiotikët që kanë marrë “me grushte” në Shqipëri”, – pohon mjeku i urgjencës, Ilir Allkja.

Edhe mjekët nga brenda mureve të Infektivit sot e shohin ndryshe atë që ndodhi me pandeminë.

“Kur filluan të qartësohen gjërat dhe të lëshoheshin antibiotikët, pati abuzivitet. Mjekët e familjes duket sikur shkuan drejt marketingut, pasi rekomandonin gjeneratat e fundit, edhe pse i kishin provuar më parë dhe nuk kishin dhënë efekt. Habitesha me dozën dhe mënyrën e përdorimit”, -thotë një mjek i Infektivit në kushtet e anonimatit.

Madje, edhe për vetëvrasjet e ndodhura në spital mjeku, përveçse te psikologjia e rënduar, e gjen fajin edhe te kortizonikët dhe mënyrën e tyre të përdorimit.

Dexamethasone, i cili u përdor dhe në fakt ka dhënë rezultate pozitive në spital, duhet thënë se jep edhe efekte anësore, kur përdoret në doza të larta. Një prej këtyre efekteve është edhe krijimi i halucinacioneve”, – shpjegon mjeku.

“P.sh., te Sanatoriumi përdornin kortizon 2×2 dhe duhet shpjeguar se cortisol-i është i lartë në mëngjes dhe bie në darkë. Por, kur ti e furnizon me kortizon 2×2 gjatë ditës, niveli i cortisol-it në darkë është shumë i lartë dhe stresi është shumë i madh. Rrjedhimisht kjo ka bërë që ata pacientë të shkojnë drejt vetëvrasjes dhe rastet, për kujtesë, kanë qenë natën vonë dhe në mëngjes herët” -shprehet për INA MEDIA-n mjeku, i cili dëshiron të mbetet anonim.

Aurora Meta Dollenberg, mjeke nga Federata e Mjekëve Shqiptarë në Europë, thotë se pandemia nxori në pah deficitet e shumta të sistemit shëndetësor, shqiptar. Ajo rrëfen se ka ndjekur disa raste të pacientëve në Shqipëri dhe hedh akuza të rënda ndaj mjekëve.

“Nga monitorimi i pacientëve, që kam pasur në trajtim në komunitetin shqiptar në Gjermani, jemi hasur me të dyja ekstremet, ose neglizhencë trajtimi, ose mbidozim me medikamente jo të përshtatshme, shumë të shtrenjta dhe me efekte të rënda, anësore”, – sqaron ajo për Investigative Network Albania-n.

Sipas saj, ky “eksperiment” i madh ka shkaktuar dëme të mëdha të shëndetit të popullatës, si në jetët e humbura, edhe në pasojat afatgjata nga mjekimi i gabuar, që kanë nisur të shfaqen dukshëm.

Vetë mjekët janë të shqetësuar për rastet në rritje të neglizhencës nga bluzat e bardha, por një pjesë të madhe të fajit e ka sistemi shëndetësor.

“Shqipëria ka patur, por edhe ka një sistem shëndetësor, anemik. Ekzaminimet kushtojnë, “mjekësia falas” është një premtim jashtë realitetit, kështu mjekët detyrohen të mjekojnë apriori”, – përfundon Allkja.

SHARE THIS POST

Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin

RELATED POSTS