Landfilli Sanitar i Maliqit nuk frenoi abuzimin me menaxhimin e mbetjeve

Qendra AME

Ndërtimi i Landfillit Sanitar të Maliqit nuk ka zgjidhur situatën e menaxhimit të mbetjeve për asnjërën prej 6 bashkive të qarkut të Korçës. Pavarësisht investimit prej 14 mln eurosh për ndërtimin e tij, mbetjet organike dhe inerte mbeten të patrajtuara ndërsa venddepozitimet e hapura të mbetjeve urbane që duhet të ishin mbyllur dhe rehabilituar nga bashkitë, përdoren ende në mënyrë të jashtëligjshme.

Xhevahir Lika 20 vite më parë u zhvendos së bashku me familjen nga një zonë e thellë në qytetin e Korçës, ku ndërtoi shtëpinë e tij tek zona e ish- stallave, e cila është pak metër larg fushës së mbetjeve të ngurta. Ai ishte ndër të parët që u vendos në këtë zonë ku aktualisht jetojnë rreth 50 familje. Megjithëse kanë kaluar shumë vite banorët vuajnë mungesën e shërbimeve jetike siç janë infrastruktura rrugore dhe kanalizimet e ujërave të përdorura, të cilave ju shtohet edhe një nivel alarmant i ndotjes mjedisore për shkak të fushës së hapur të mbetjeve ku Bashkia Korçë për vite të tëra ka grumbulluar mbetjet e ngurta të qytetit.

“Kam ardhur me familjen time por edhe me motrat dhe vëllezërit nga fshati Lavdar 20 vite më parë. Pas nesh erdhën dhe shumë familje të tjera nga zonat rurale duke krijuar një lagje të tërë. Ka kaq vite që mbetet një zonë informale ku askush nuk ka vënë dorë. Me ndërtimin e landfillit të Maliqit shpresuam që ne nuk do të jetonim më mes plehrave dhe që situata do të përmirësohej por kjo nuk ka ndodhur. Mbyllja e fushës ekzistuese ka ulur sasinë e mbetjeve që depozitohen këtu por ende ka djegie të tyre dhe shkarkime nga makina të vogla gjatë natës.” – tregon ai.

Merita Zyka e shfrytëzon fushën e mbetjeve për të gjetur materiale të riciklueshme. Gruaja tregon se fusha e mbetjeve nuk është mbyllur plotësisht ndërsa herë pas here sidomos kur moti është me lagështirë ndihet era e padurueshme që vjen nga djegia e mbeturinave.

“Mbledhim kanaçe dhe plastikë dhe sigurojmë disa të ardhura por duke pasur shtëpinë këtu afër jetojmë çdo ditë mes erës mbytëse dhe ndotjes. Edhe pse kjo zonë është periferia e qytetit ne trajtohemi njësoj kur vjen puna tek taksat por shërbime nuk marrim.” – thotë ajo duke shtuar se aktiviteti i paligjshëm tek kjo fushë vazhdon edhe pse është më i rrallë.

Nga një vëzhgim në terren konstatohet se fusha është e rrethuar, ruhet përgjatë 24 orëve me roje por nuk është e rehabilituar. Për bashkinë e Korçës ndërtimi i landfillit të Maliqit ka zgjidhur menaxhimin e të gjitha mbetjeve në masën 100%. Në përgjigje të kërkesës për informacion bashkia e Korçës thotë se të gjitha fushat e fshatrave janë rehabilituar dhe vetëm fusha e madhe e qytetit është për t’u rehabilituar.

Fusha e mbetjeve Ravonik, Bashkia Korce

Por institucioni i prefektit jep një tjetër panoramë të situatës me fushat e mbetjeve në territorin e bashkisë së Korçës. Sipas të dhënave janë identifikuar 4 fusha të mëdha mbetjesh në 2 prej të cilave Bulgareci dhe Voskopoja vazhdojnë të hidhen mbetje ndërkohë që asnjë prej tyre nuk është rehabilituar.

Aurel Tepexhiku, i cili është duke kullotur një tufë me gjedh afër shtëpisë thotë se veç djegies së mbeturinave në fushën e mbetjeve përbri saj digjen edhe goma makinash të cilave ju merret materiali metalik për skrap. “Na mbyti era e keqe dhe tymi. Nuk mjafton fusha e mbetjeve ku digjen çdo lloj mbeturine madje edhe kafshë të ngordhura por edhe tymi dhe era e gomës së djegur vazhdon sistematikisht. Jemi ankuar në bashki disa herë por nuk na dëgjon njeri.” – thotë ai. Eksperti mjedisor Kristi Bashmili shpjegon se problematikat në menaxhimin e mbetjeve janë të ndryshme por ndër kryesoret mbetet depozitimi i jashtëligjshëm dhe djegia e mbetjeve në fusha të hapura, të cilat nuk janë përcaktuar as në VKM për menaxhimin e mbetjeve, as nga Këshillat Bashkiakë, të cilët nuk e kanë më tagrin të legjitimojnë këto fusha që janë josanitare.

“Ndër problematikat kryesore është djegia e mbeturinave në fusha të hapura që kanë shkarkime të jashtëzakonshme dhë të dëmshme në prishjen e cilësisë së ajrit. Gjithashtu si pasojë e shpëlarjes së këtyre mbeturinave mund të shkaktohen ndotje në ekosistemit ujore lumore apo bregliqenore ku shpeshherë gjenden këto depozitim të jashtëligjshme”- thotë ai.

Ministria e Mjedisit në përgjigjen e kërkesës për informacion sqaron se bashkitë kanë reaguar pozitivisht ndaj apelit për zbatimin e kërkesave ligjore për menaxhimin e mbetjeve ndërkohë janë marë masa administrative për subjektet që shkelin lejen mjedisore.

Fusha e mbetjeve Ravonik, shkurt 2022

“Në zonën e Korçës, subjekti privat i cili kryen shërbimin e grumbullimit, transportit dhe depozitim të mbetjeve të ngurta urbane në landfillin Maliq për Bashkinë Korçë, kryhet nga subjekti “Korsel” Sh.p.k. Për mos zbatimin e kushteve të detyrimeve të lejes mjedisore, ndaj këtij subjekti janë marrë edhe masa administrative.” – sqaron ministria.

Me një gjobë prej 500 mijë lekësh ARM Berat ka ndëshkuar vitin e kaluar subjektin “Korsel” për shkak të konstatimit të një sasie gomash të grumbulluar në ambjentet e kompanisë. Gjatë inspektimit u konstatua se subjekti nuk kishte asnjë kontratë të lidhur me kompanitë e riciklimit në vend, por as leje për t’i asgjesuar ato.

Drejtori i ARM Berat Dritan Metaj sqaroi se aktualisht kompania e ka ankimuar masën administrative në gjykatë.

“Është bërë inspektimi vitin e kaluar dhe në ambientet e kompanisë u gjetën një sasi gomash. U mbajtën procesverbalet e konstatimit dhe u shoqëruan me fotografi por nuk është ekzekutuar ende gjoba për shkak se subjekti i është drejtuar gjykatës. Sa i takon kontrolleve në vazhdimësi nuk kemi ushtruar për shkak se jemi në ristrukturim prej disa muajsh.”- përfundon ai.

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit në përgjigjen e kërkesës për informacion thotë se menaxhimi i mbetjeve është detyrë e bashkive. “Në zbatim të ligjit nr. 10463, datë 22.09.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve” i ndryshuar, ligjit nr. 139/2015 “Për Vetëqeverisjen Vendore” i ndryshuar si dhe akteve të tjera ligjore në fuqi, grumbullimi, ndarja në burim, transportimi, trajtimi dhe asgjesimi i kontrolluar sanitar në lendfill, është përgjegjësi e pushtetit vendor.” – sqaron ministria.

Të njëjtin argument mbështet edhe eksperti i mjedisit Bashmili, i cili shprehet se bashkitë kanë detyrimin ligjor për të hartuar planet e menaxhimit të mbetjeve në nivel lokal në të cilat përcaktohet qartë skema që do të ndjekë bashkia për menaxhimin e mbetjeve të ngurta urbane.  “Është detyrim ligjor që në këto plane të përcaktohet dërgimi i mbetjeve në venddepozitimin rajonal.  Pra, bashkia duhet të dërgojë mbetjet që gjenerohen çdo ditë në landfillet e përcaktuara, gjithashtu të bëjë edhe mbylljen e fushave të hapura të cilat janë jashtë standardit sanitar apo kanë ndikim të jashtëzakonshëm në mjedis.” – pohon ai.

Pavarësisht ndërtimit të landfillit sanitar të Maliqit jo të gjitha bashkitë përballojnë financiarisht koston e transportit dhe depozitimit të mbetjeve sidomos bashkitë e vogla.

Bashkia e Pustecit e cila është e vetmja bashki që ende nuk ka nisur depozitimin e mbetjeve në Landfillin Sanitar të Maliqit e konsideron të pamundur që koston të mund ta mbulojë nga tarifat e pastrimit duke u detyruar që ta financojë me buxhetin e saj. Të njëjtën vështirësi has edhe bashkia Devoll e cila në përgjigje të kërkesës për informacion tha se kostoja për largimin e mbetjeve paraqet vështirësi në likujdimin e këtij shërbimi.

Edhe pse Bashkia e Maliqit e ka landfillin në territorin e saj dhe i duhet të shpenzojë më pak për transportin e mbetjeve përsëri kostot e këtij shërbimi mbeten të papërballueshme.

“Kjo kosto na vendos në vështirësi financiare dhe mendojmë se duhet të jetë më e ulët vëçanërisht për Bashkinë Maliq pasi landfilli është në territorin e kësaj bashkie.” – thuhet në përgjigjen e bashkisë e cila ka parashikuar në buxhetin e saj për vitin aktual vlerën prej 14 milionë lekësh për transportin dhe përpunimin e mbetjeve.


Për shkak të vështirësive financiare jo të gjitha bashkitë e qarkut kanë mundësi të dërgojnë mbetjet në Landfillin Sanitar të Maliqit. Sipas prefekturës së Korçës, nga 19 vend-depozitime të identifikuara në Qarkun e Korçës, janë funksionale dy venddepozitime në Leskovik dhe Pustec.

Bashkia e Pustecit në përgjgje të kërkesës për informacion sqaron se në territorin e Bashkisë Pustec janë dy fusha të hapura për depozitimin e mbetjeve mikse, ndërsa tre fusha janë mbyllur. Buxheti i vendosur në dispozicion të menaxhimit të mbetjeve nga kjo bashki për vitin e kaluar ishte 3,817,411 lekë ndërsa për vitin aktual është 5,645,935 lekë.

“Landfilli i Maliqit për Bashkinë Pustec është një mundësi për një menaxhim më të mirë të mbetjeve, por gjithashtu edhe sfidë financiare me pasoja në koston e menaxhimit të mbetjeve dhe në tarifat e pastrimit.” – thuhet në përgjigjen zyrare të bashkisë.

Në anë të lumit Devoll që përshkon fshatin Miras të kësaj bashkie syri të ze një sipërfaqe të konsiderueshme me mbetje të llojeve të ndryshme. Prej vitesh banorët e kësaj zone e përdorin si venddepozitim edhe pse është ilegal dhe shkakton ndotje të lartë mjedisore.

Lumi Devoll, Miras

Dritan Sina i kthyer pak vite më parë nga emigracioni kujton se rrjedha e lumit ka qenë përherë e pastër por pas ndryshimit të sistemit mbushet vazhdimisht me mbeturina nga banorët. “Mbetjet e plehut i hedhim këtu, mbetjet e shtëpive po ashtu, të ndërtimit apo çdo gjë që të mundemi derisa bëhet një mal i madh dhe vjen bashkia i pastron. Në fshat nuk kemi kontenierë, na vendosën disa fuçi të cilat i vodhën. i nxjerrim plehrat e shtëpisë në dera dhe po nuk erdhi makina e bashkisë t’i marrë i hedhim në lumë”- tregon ai.

Banorët e Mirasit, një prej fshatrave më të mëdhenj të bashkisë Devoll tregojnë se mungesa e menaxhimit të mbetjeve vazhdon të krijojë fusha ilegale ku grumbullohen mbetjet e fshatit. Maria Kaso thotë se edhe banorët janë përgjegjës për ndotjen e mjedisit pas i hedhin mbeturinat vend e pa vend.

“Pak metra larg shtëpisë sime është krijuar një fushë. Çfarë nuk gjen aty, nga mbetjet e bagëtive e deri tek kufomat e kafshëve. Plastikë, beton, rroba çdo gjë të mundshme. Nuk hapim dot dritaret nga kutërbimi”- thotë gruaja e cila sapo ka mbyllur ditën e punës në fushë.

Eksperti mjedisor Mihallaq Qirjo thotë se përgjegjësia për menaxhimin e mbetjeve nuk është vetëm e bashkive por edhe e komunitetit.

“Vetë bashkitë dhe komunitetet nuk janë kaq reflektive në kohë për atë çka kërkon menaxhimi i integruar i mbetjeve. Ligji i detyron bashkitë që të bëjnë menaxhimin e integruar të mbetjeve sipas asaj radhe që tashmë e njeh edhe një publik i gjerë. Pra, niset me evitimin e prodhimit të mbetjeve, vijon me ripërdorimin , vazhdon me mbledhjen e ndarë dhe riciklimin e më pas vazhdohet me procesin e neutralizimit të mbetjeve të rrezikshme dhe në fund arrihet në venddepozitimin final ku mbetjet lihen deri në dekompozimin e plotë por ky proces është shumë i vështirë të zbatohet në mënyrë korrekte” – përfundon argumentin eksperti.

Stacioni i transferimit te mbetjeve, Devoll

Ndryshe nga bashkitë e Devollit dhe Kolonjës ku për uljen e kostove të menaxhimit të mbetjeve janë ndërtuar stacionet e transferimit të mbetjeve, Bashkia e Pogradecit ende nuk e ka një të tillë për shkak të kundërshtimit të fortë të banorëve të fshatit Gështenjas, të cilët protestuan disa herë pasi sipas tyre stacioni do të ndërtohej në afërsi të zonës së banuar.

Për shkak të këtij ngërçi Bashkia e Pogradecit nuk i grumbullon fillimisht mbetjet sipas procedurës por sjell direkt në landfillin e Maliqit çka edhe sipas ekspertëve është një kosto financiare tepër e lartë për bashkinë por që gjithashtuu le hapësira për abuzime. Në mungesë të stacionit të transferimit fusha e mbetjeve në fshatin Peshkëpi që është brënda peizazhit ujor – tokësor të mbrojtur, vijon të qëndrojë e hapur dhe jashtë çdo kriteri sanitar. Bashkia e Pogradecit në përgjigje të kërkesës për informacion sqaron se në territorin e saj nuk ka asnjë fushë të hapur për depozitimin e mbetjeve duke pohuar se asnjë nga fushat e mbyllura nuk është rehabilituar.

Eksperti mjedisor Mihallaq Qirjo ndalet tek problematika e bashkisë së Pogradecit e cila ende nuk e ka caktuar stacionin e transferimit të mbetjeve çka krijon hapësirë për shkeljen e ligjit dhe abuzime.

“Bashkitë janë vetë të interesuara të çojnë sa më pak mbetje për shkak të kostove mirëpo duke qenë në presion financiar natyrisht ato nuk janë ëngjëj dhe një kategori mbetjesh që ato nuk arrijnë ta futin në kanalet e ripërdorimit, riciklimit apo kompostim. Ato mundohen ti hedhin edhe në vende të paautorizuara dhe kjo është e konstatuar” – sqaron Qirjo duke shtuar se në bashkitë e qarkut Korcë mund të shohësh mbetje të depozituara rishtaz në vendet e vjetra të depozitimit të mbetjeve. “Fenomeni ekziston sidomos për bashkinë Pogradec ku kompania duhet të përshkojë një distancë të gjatë sepse nuk ka ende të bërë stacionin e transferimit.  Ky është neglizhim ndaj ndodh edhe ky fenomen i paligjshëm që lidhet me distancat e gjata por edhe me koston” – shton më tej ai.

Ndërhyrja për zgjdhjen e këtij problemi sipas ekspertit është e lehtë dhe mund të arrihet përmes funksionimit si duhet të hallkave të kontrollit.

“Eleminohet shumë lehtë me inspektoratet e specializuara për këtë punë me kompetencat që ju jep ligji për ta gjurmuar këtë fenomen të paligjshëm dhe ta ndëshkojnë institucionin apo personin përgjegjës. Në qarkun e Korçës rruga është shtruar për menaxhimin e mbetjeve por ka neglizhencë. Vendepozitimi i Pogradecit në qarkun e Korçës është më kritiku për mosplotësim kushtesh minimale. Bashkia thotë se nuk e përdor më por nëse do të kishte stacion transferimi asnjë mbetje nuk do të çohej atje” – përfundon Qirjo.

Ekzistenca e Landfillit Sanitar të Maliqit pritej të zgjidhte përfundimisht problematikën e menaxhimit të mbetjeve për banorët e qarkut të Korçës dhe sidomos për ata që jetojnë në afërsi të vendgrumbullimeve por kjo ende nuk ka ndodhur dhe lagje të tëra në fshatrat apo qytetet e 6 bashkive të qarkut përballen me ndotjen. Në fshat Maliq, i cili ndodhet vetëm pak kilometra në distancë nga landfilli banorët jo vetëm jetojnë çdo ditë erën e keqe që çlirohet nga mbetjet por edhe kanë pësuar dëme në pemëtari apo kulturat e tjera të mbjella për shkak të insekteve dhe shpendëve që vijnë si pasojë e ndotjes.

“Nuk hapim dot dritaret nga era që kutërbon këtu. Na shpronësuan, na lanë pa tokë për të ndërtuar landfillin dhe tani na e bënë edhe fshatin të pajetueshëm. Këtë vit nuk morëm asnjë kokërr qershie sepse të gjitha i hanë gargujt” – thotë Lirie Arapi një prej banoreve të fshatit.

Valentina Hysenllari thotë se përveç banorëve të këtij fshati edhe ata të Maliqit kanë të njëjtin shqetësim. “Nuk është normale, sidomos në ditët kur ka lagështi era e keqe është disa herë më e madhe. Kam punuar në shëndetësi gjithë jetën dhe e di shumë mirë që këto gazra që çlirohen nga mbetjet janë të dëmshme për njeriun”- tregon ajo.

Administratori i Landfillit Sanitar të Maliqit Nikolin Balli pranon se nga aktiviteti i landfillit çlirohet erë e keqe, por kjo sipas tij ndodh në situata të veçanta atmosferike gjatë vitit, si pasojë e ndryshimit të presionit të ajrit, erës së fortë dhe ndryshimit të drejtimit të saj, faktorë që bëjnë përqëndrimin e aromave të rënda në intervale të caktuara kohore. “Deri tani impianti i trajtimit të gazrave nuk është vënë në punë pasi nuk prodhohet ende sasi e madhe gazi që ka nevojë tē trajtohet” -thotë Balli.

Sa i takon shqetësimit të banorëve për erēn e keqe Balli shton se për të eleminuar çdo ndotje mjedisore bëhen mbulime periodike me dhe dhe tallash druri,e cila bën të mundur izolimin e vendit ku punohet. “90% e sipërfaqes së qelizës së parë është e mbuluar me shtresë 30 cm dhe dhe vetëm 10%, e cila është sipërfaqe operacionale nuk është e mbuluar në këtë mënyrë. Disa herë, për shkak të plotësimit të kuotave teknike mbulimi vonohet me disa ditë.  Sipas lejes mjedisore përkatëse ne kryejmë çdo tre muaj analiza periodike të ujrave nëntokësorë, sipërfaqësorë, gazra, aroma, zhurma dhe dispersion ajri të cilat i raportohen AKM. Deri tani nuk kemi pasur asnjë problematikë në lidhje me standartet mjedisore” -përfundon Balli.

Inertet zaptojnë sipërfaqe të konsiderueshme toke por për to nuk ka asnjë lloj vëmendje institucionale


Fushe me inerte, Ravonik, Korce

Në anë të fushës së hapur të mbetjeve të Korçës gjendet një sipërfaqe po aq e madhe me inerte, të cilat sipas banorëve janë të depozituara aty vit pas viti. E njëjta situatë është edhe në fshatin Barç të Korçës, në fshatin Tren të Devollit e po ashtu edhe në fshatrat e Pogradecit, Kolonjës, Maliqit e Pustecit.

Ndërtimi i Landfillit Sanitar të Maliqit parashikon vetëm menaxhimin e mbetjeve urbane duke lënë të parajtuara mbetjet organike të cilat sipas ekspertëve zenë 50% të masës së prodhimit të mbetjeve të juglindjes. Nga ana tjetër përgjatë dekadës së fundit volumi i lartë i ndërtimeve kryesisht në qytetet e Korçës dhe Pogradecit është shoqëruar edhe me sasi të lartë mbetjesh inerte të cilat gjenden të depozituara jo vetëm në sipërfaqe tokash bujqësore apo truall por edhe në anë të rrugëve e lumenjve.

Nga 6 bashkitë e qarkut jo të gjitha kanë përmbushur detyrimin minimal për të pasur të paktën një fushë inertesh të miratuar me vendim të Këshillit Bashkiak çka do të thotë se menaxhimi i tyre është jashtë kontrollit ndërkohë që ndotja e shkaktuar sipas ekspertëve është shqetësuese.

Për ekspertin mjedisor Mihallaq Qirjo shpesh ato bashkohen me mbetjet e ngurta çka e bën të pamundur menaxhimin e tyre dhe dërgimin në landfill ndërsa në rastet kur janë të grumbulluara në një fushë bashkitë nuk kanë parashikuar zgjidhje për administrimin e tyre duke bërë që të rritet nevoja për sipërfaqe të reja ku grumbullohen inertet.


Fushe me inerte, Pogradec

“Kompania e menaxhimit të mbetjeve e ka jashtë detyrave të veta menaxhimin e mbetjeve inerte. Ligji e specifikon shumë qartë, mbetjet inerte depozitohen në vende të caktuara të ndryshme dhe larg vendepozitimit të mbetjeve familjare. Është detyrë e bashkive! Nga praktika dimë që mbi 80% e tyre ripërdoren, dhe ngelet një pakicë minimale për t’u depozituar afatgjatë.” – thotë Qirjo duke sqaruar se në mënyrën sesi veprojmë ne në Shqipëri problemi është shumë kritik dhe do vijë shumë shpejt koha që qeveria do të tërheqë vëmendjen ndaj menaxhimit të kësaj kategorie mbetjesh.

“Ajo çfarë ndodh është që bashkitë caktojnë një vend dhe ai vend kthehet në mal shumë shpejt e kështu me radhë caktohen vendet njëri pas tjetrit ndaj shumë shpejt vendi ynë do të kthehet në një mal me inerte, tulla, tjegulla, gurë, llaç dhe dhe’. Kjo nuk është zgjidhje pasi pushton gjithmonë e më shumë sipërfaqe trualli apo më keq ende sipërfaqe të tokës bujqësore që ne nuk e kemi kaq të shumtë në këtë vend” – përfundon ai.

Sipas ekspertit Kristi Bashmili ajo që mbetet më shqetësuese është prezenca e tyre në zonat e mbrojtura apo në afërsi të lumenjve ku edhe dëmi mjedisor është disa herë më i lartë.

“Sa i takon mbetjeve inerte është një çështje që nuk është trajtuar me përparësinë e duhur prej vitesh pra, nuk ka patur vëmendje nga institucionet sidomos nga ato vendore.  Trajtimi i tyre nuk është konsideruar si mbetje që krijon problematika të caktuara në natyre apo ekosisteme të ndtyshme. Mbetjet inerte shkaktojnë dëme të jashtëzakonshme sidomos në peizazhet natyrore. Aktualisht i gjejme në ekosistemit lumore që ndotin edhe rrjedhat e lumit si pasoje e shpëlarjes së elementeve ndotës që gjenden aty” – thotë Bashmili.

Zgjidhjet e ekspertëve për problemin e inerteve fokusohen tek ripërdorimi i tyre çka do të reduktonte sasitë aktuale të grumbulluara vend e pa vend, do të ulte nevojën për sipërfaqe të reja depozitimi  dhe nga ana tjetër do të ulte kostot e bashkive për kryerjen e disa punimeve.

Sipas ekspertit Mihallaq Qirjo menaxhimi i mbetjeve inerte kërkon një vlerësim, një strukturë siç janë Ndërmarrjet e Shërbimeve Publike pranë bashkive të cilat mund ta kenë brenda detyrave të veta krijimin e vend depozitimeve të inerteve dhe menaxhimin e tyre.

“Të ndahen materialet e padëmtuara gurë, tjegulla të çohen për ripërdorim dhe i gjithë materiali i copëtuar nga prishja e ndërtimeve mund të shkojë si shtresë e parë e poshtme e rrugëve rurale. Pra, fusha të jetë e tillë që këto materiale të jenë të përdorueshme çka ul dhe kostot. Duhet vullneti i bashkive dhe angazhimi i pak forcave pa rritur kostot. Kjo është 100% në dorë të bashkive, ato duhet ta kenë këtë horizont. Përderisa ne nuk evitojmë dot prodhimin duhet të gjejmë mjete dhe mënyra që atë ndotje që krijojmë tja marrim atmosferës sidomos të gazit karbonik. Ne menaxhimin e mbetjeve inerte duhet ta futim patjetër në këtë rrugë” – sqaron ai.

Eksperti mjedisor Kristi Bashmili shkon edhe më tej duke theksuar se për këtë kategori mbetjesh duhet të ndërtohen landfille të veçanta të cilat në shqipëri nuk ekzistojnë.

“Për mbetjet inerte është i rëndësishëm përdorimi i tyre kur këto mbetje konsiderohen të sigurta.  Pra konsiderohen si mbetje por qe nuk mbartin ndotës qe shkaktojnë probleme të ndryshme pra të ripërdoren kryesisht në trashe rrugësh apo përdorime të tjera që konsiderohen të sigurta. Nga ana tjetër këto mbetje duhet të dergohen në një landfill për këtë lloj mbetjesh.  Deri më tani në Shqipëri nuk ka një landfill mbetjesh që pranon inertet për trajtimin e tyre”.

SHARE THIS POST

Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin

RELATED POSTS