Kromi në Bulqizë nxirret pa leje mjedisore

Autor: All Green Centre – Ola MITRE

Pajisja me leje mjedisore është një kusht për të gjitha kompanitë që shfrytëzojnë burimet natyrore, por të dhënat e përpunuara nga emisioni “EkoSkaner” tregojnë se një numër shumë i madh i kompanive që nxjerrin krom në Bulqizë i shmangen këtij detyrimi, duke ushtruar aktivitetin në mënyrë të jashtëligjshme. Paralelisht, institucionet përgjegjëse për kontrollin e tyre nuk reagojnë, duke lënë të pashqetësuar mbajtësit e kontratave.
Në Bulqizë, që është një prej qyteteve më të pasur me mineralin e kromit në vend, operojnë 126 subjekte minerare, ndërkohë që “EkoSkaner” verifikoi të gjithë këto kompani pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit, nëse janë të pajisur me lejen mjedisore. Pas përpunimit të të dhënave rezultoi se 1 në 4 kompani apo rreth 25% e tyre nuk e zotërojnë këtë dokument, ndonëse mbajnë statusin aktiv.
Sipas ligjit” Për lejet e mjedisit” këto subjekte kanë detyrimin për t’u pajisur me leje të tipit B.
“Nga momenti që operatori mbart një kontratë me shtetin për shfrytëzimin e burimeve natyrore, atëhere ka për detyrë të nxjerrë lejet përkatëse dhe një nga këto leje është leja mjedisore. Sidomos kur flasim për minierat, pra shfrytëzimin e burimeve natyrore me karrierë të mbyllur”,-thotë Erinda Misho, eksperte e të drejtës mjedisore. ”Sa i takon aplikimit, ligji është shumë i qartë, është një ligj që ka transpozuar direktivën e Bashkimit Evropian. Nëse nuk e kanë lejen, por aktiviteti funksionon atëhere quhen aktivitete ilegale”,-shton ajo.
Një leje mjedisi përcakton kërkesa specifike për monitorimin e cilësisë së ajrit, nivelit të zhurmave dhe dridhjeve, matjet e cilësisë së ujit gjatë fazës së zhvillimit të projektit, ndërsa specifikon masat e menaxhimit dhe zvogëlimit të ndikimeve apo dëmeve në mjedis. Mbajtësi i lejes është i detyruar të përmbushë të gjithë kërkesat e përcaktuara në lejen mjedisore dhe të raportojë informacionin dhe monitorimin mjedisor pranë Agjencisë Kombëtare të Mjedisit.

Erinda Misho, eksperte e të drejtës mjedisore

“Leja mjedisore është një akt administrativ. Me fjalë të thjeshta shteti e di që operatori me atë instalim do të ketë impakt, do të ketë shkarkime në mjedis, por shteti vendos tavan për vlerat e shkarkimeve”,-shpjegon Misho. “Do të thotë, deri këtu, në këto lloj shkarkimesh unë të lejoj, por unë duhet të informohem për aktivitetin tënd dhe çfarë shkarkimesh ke patur, të cilat në rastin e lejeve minerare, që duhet të pajisen me leje mjedisi kanë impakt në ujërat nëntokësorë, në tokë dhe në ajër. Pra, dihet cilat janë dyshemetë dhe tavanet e shkarkimeve. Në momentin që kalojnë, aty jemi në pikë të nxehtë”,-shton ajo.

Për ekspertët e mjedisit, pajisja me leje mjedisore për subjektete që shfrytëzojnë burimet natyrore dhe rinovimi i saj është një kusht i panegociueshëm.

“Marrja e lejes mjedisore është një proces më vete, ku kompania paraqet një dokumentacion të qartë teknik për ndikimet e mundshme në mjedis dhe masat që ajo merr. Pra, praktikisht zbatimi i kushteve që leja mjedisore vendos është një detyrim i kompanive të shfrytëzimit të burimeve minerare, që nëse do të kryhej në mënyrën e duhur dhe sipas standardeve që përcakton leja do të shmangte ndotjet në mjedis”,-thotë eksperti i mjedisit, Mihallaq Qirjo. “Pra, unë gjykoj se ky është një element që më shumë kërkon një kontroll në terren për mënyrën e zbatimit të kushteve të lejes mjedisore dhe aspak në diskutim duhet ta kenë apo jo një leje të tillë”,-shton ai.

Ekspertja e të drejtës mjedisore, Erinda Misho shpjegon se pas reformës në inspektorate, që u ndërmor gjatë vitit 2019, tashmë janë 2 institucione që kanë detyrimin për kontrollin e subjekteve minerare dhe impaktin që ato kanë në mjedis.

“Kemi inspektorët e mjedisit të cilët tashmë janë pjesë e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit dhe ata kontrollojnë shkarkimet, nëse i tejkalojnë vlerat e parashikuara në ligj. Sikurse është edhe një inspektorat i reformuar së fundmi, që është Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, që operon prej një viti dhe është nën përgjegjësinë e Ministrisë së Brendshme”,-bën me dije Misho. “Ky reformim, nga një trupë e mëparshme inspektorësh, tashmë ndahet në 2 ministri dhe mendoj se tashmë i kemi 2 instanca ku të ankohemi që gjërat të venë në vendin e vet, jo vetëm në zbatim të ligjit, por edhe të dimë se ku jemi dhe me impaktin që mund të ketë ushtruar ky subjekt i palicencnuar”,-shton ajo.

Kreu i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, Edison Konomi nuk iu përgjigj interesit të emsionit “EkoSkaner” se përse këto subjekte lejohen të ushtrojnë aktivitet në formë të jashtëligjshme apo nëse janë bërë verifike për impaktin që këto subjekte të palicencuar kanë shkaktuar në mjedis. Edhe kryeinspektorja e sapolarguar nga detyra e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, Dallëndyshe Bici refuzoi të përgjigjet. “Unë kam dhënë dorëheqjen nga detyra në datën 5 mars për shkak të kandidimit si deputete në zgjedhjet e 25 prillit”, -tha Bici, e cila mbante këtë detyrë prej 8 vitesh. Megjithatë, Bici pranoi që institucioni që ajo ka drejtuar, duhej të përgjigjej për këtë çështje dhe u zotua se do të autorizonte një ekspert nga IKMT, por në një komunikim të dytë, nuk pati asnjë reagim.

Impakti në mjedis dhe shëndet

Ekspertët thonë se impakti në mjedis nga industria minerare është i madh, sidomos kur aktiviteti ushtrohet në mënyrë të jashtëligjshme. “Mbeten po të njëjtët elementë të ndikimit, sikurse është shkarkimi i sterileve që dalin nga minierat në terrene të hapura, krijimi i dampave të ndryshme ose shkarkimet e ujërave nëntokësorë, të cilët në të gjitha rastet kanë ndotje të lartë me elemente kimikë të caktuar dhe në këtë mënyrë ndotin jo vetëm tokën, por edhe më tej”, -shpjegon Qirjo. “Zakonisht ato janë pjesë e baseneve ujore, shirat i marrin dhe përmes përrenjve, derdhen në lumenj dhe ndotja transferohet në mjedise të tjera”,-shton ai.

Stoqet e sterileve të kromit të depozituara në sipërfaqe

Sipas inxhinierit të mjedisit, Danjel Bica, “të gjithë ujërat që dalin nga minierat, grumbullohen në mes të qytetit”. “Diku aty është diga, që dalin poshtë, zbresin te Zalli i Bulqizës e ikin në lumin Drin. Ujërat që dalin nga galeritë nëntokësore lihen në gjendje të lirë. Nuk kanë ndonjë filtrim apo trajtim. Ujërat sjellin me vete materiale të rëndë që zbresin poshtë, kalojnë te fusha dhe zbresin te Zalli i Bulqizës”,-thotë ai.

Danjel Bica, inxhinier mjedisi

Aktiviteti minerar në Bulqizë kryhet nëntokë, por subjektet që operojnë depozitojnë jashtë minierave tonelata me sterile apo mbetje të kromit, që kthehen në burim ndotje për tokën. “Çfarëdolloj depozitimi i jashtëm duhet të jetë mjaftueshmërisht i kontrolluar sipas disa parametrave teknikë, në mënyrë që qoftë kromi apo streilet, që nxirren jashtë depozitohen edhe përkohësisht duhet të jenë në bazamente, që nuk lejojnë ndotjen e tokës sepse ata janë në mjedise të hapura, shirat mund ta shpëlajnë”, – thotë Qirjo.” Në pamje të parë mund të duken si ndotje në sasi shumë të vogla, por nëse ne marrim në konsideratë kohëzgjatjen e qëndrimit të tyre, kohëzgjatjen e funksionimit të aktivitetit minerar në atë zonë, në atë pikë atëhere ndotja bëhet e konsiderueshme”,-shton ai.

Edhe sipas Bicës, “grimcat e vogla që kanë mbetjet që mund të jenë deri në 10 PM, i merr uji dhe zbresin sipër shtëpive dhe tokave që janë toka shfrytëzimi me ndonjë kopsht të vogël ose ndonjë frut”.

Mihallaq Qirjo, ekspert mjedisi

Efekti negativ nga këto shkakrime të pakontrolluar nuk është vetëm në mjedis, por edhe në shëndetin e njerëzve. “Përgjithësisht kromi, nikeli, plumbi në disa raste, bakri, zinku përbëjnë metale të rëndë, të cilët futen brenda organizmit të gjallesave dhe nuk jashtëqiten prej tyre. Për rrjedhojë krijojnë një efekt kumulativ dhe në kohë dhe pas një farë kohe mund të kalojnë në efektet e shfaqjes së sëmundjeve”,-thotë Qirjo. “Për më keq kur ne usheqemi me produkte që vijnë nga mjedise të ndotur, siç mund të jenë peshq në rezervuaret ku shkarkohen ujëra të tillë të ndotur. Por pse jo edhe nga bimët që të kenë shtesa të metaleve të rëndë, ato depozitohet te njerëzit dhe drejtpërsëdrejti përbëjnë një problematikë me shëndetin e tyre”, -shton ai.

Vetë Agjencia Kombëtare e Mjedisit i rendit aktivitetet idustriale si një nga burimet e ndotjes së tokës, teksa e konsideron ndotjen e tokës nga metalet e rënda, si një nga çështjet mjedisore më të mprehta në nivel lokal dhe global që sjell efekte negative mbi botën dhe shëndetin e njerëzve. Në raportin vjetor “Për gjendjen në mjedis” 2019, që është i fundit i disponueshëm, AKM liston efektet që sjellin në shëndet metalet e rëndë, duke filluar që nga bronkiti, pezmatimi i lekurës, helmimi, sëmundje të mushkërive, kanceri i mushkërive, deformimi i kockave, shtypja e lartë e gjakut, dëmtimi i veshkave, dëmtim i sistemit nervor, etj.

Asnjë kontroll mjedisor

Mungesa e lejes së mjedisit, përveçse tregon se subjektet minerare operojnë ilegalisht dhe pa kritere në drejtim të mbrojtjes së mjedisit, bën që këto kompani t’i shmangen edhe detyrimit ligjor për të kryer automonitorime e më pas t’i raportojnë pranë Agjencisë Kombëtare të Mjedisit. Kjo pasi legjislacioni aktual detyron operatorët e veprimtarive që zotërojnë leje të tipit B, të monitorojnë shkarkimet e veprimtarisë së tyre.

“Sigurisht që ka impakt sepse kemi të bëjnë me një aktivitet ilegal. Operatori, subjekti që ushtron këtë aktivitet në mënyrë ilegale fiton të ardhurat, nuk paguan taksat, nuk është regjistruar, nuk dihet cili është situacioni i gjendjes mjedisore”,-thotë Misho.

Fakti që automonitorimet mungojnë vërtetohet edhe nga të dhënat zyrtare të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit. Sipas raportit “Për gjendjen e mjedisit”, ky dikaster raporton numrin e subjekteve që kanë dorëzuar matjet e shkarkimeve pranë AKM. Për vitin 2019, për Qarkun e Dibrës, në total kanë dorëzuar raporte vetëmonitorimi të shkarkimeve në mjedis 68 subjekte. Në këtë shifër përfshihen të gjitha instalimet që disponojnë leje të tipit A dhe B, ndërkohë që në Bulqizë, vetëm numri i subjekteve minerare është 126.

Automonitorimet janë të vetmet mundësi për AKM-në që të ketë një informacion në lidhje me shkarkimet e kompanive të kromit. Kjo pasi, aktualisht ky dikaster nuk kryen asnjë monitorim të gjendjes në mjedis në këtë territor, pavarësisht aktivitetit të lartë industrial. Kjo praktikë do të jetë e njëjtë edhe në vitin 2021, pasi në Programin Kombëtar të Monitorimit të Mjedisit, AKM nuk ka asnjë stacion monitorimi të ajrit dhe tokës në Bulqizë. Ndërkohë që, në basenin e lumit Drin, ku edhe derdhen ujërat që dalin nga miniera, monitorimi hidrokimik kryhet në zonën e Shkodrës.

Mungesa e monitorimeve dhe të dhënave mjedisore u konstatua edhe nga organizata EcoPartners për Zhvillimin e Qëndrueshëm, që zbatoi një projekt 3-vjeçar në zonën e Bulqizës. “Nuk ka si të ketë një rehabilitim mjedisor, nëse nuk ka një monitorim të mirëfilltë të biznesit sesi perfomon dhe në Shqipëri ky monitorim është i pjesshëm ose mungon fare në disa raste”,-thotë Entela Pinguli, drejtore ekzekutive e organizatës. “Pa monitorim, as ne si komunitet, si shoqëri civile nuk jemi në gjendje ta evidentojmë problemin në gjykatë. Kur flasim për gjykatën, gjykata do të marrë vetëm evidenca të besueshme në lidhje me përshkrimin dhe evidecat e zonës apo territorit që është i dëmtuar”,-shton ajo.

Entela Pinguli, organizata EcoPartners për Zhvillim të Qëndrueshëm

Sipas Pingulit, shteti shqiptar ka mungesë të theksuar edhe në drejtim të ekspertizës së mirëfilltë, jo vetëm në burime njerëzore, por edhe në laboratorë të certifikuar apo specializuar. “Shteti shqiptar duhet të vendosë fonde të caktuara për këto matje, që gjithmonë janë quajtur lukse sepse janë jashtë të përditshmes”,-thotë Pinguli. Ajo nuk përjashton mundësinë që mungesa e investimeve në këtë drejtim të jetë e qëllimshme. “Për të gjithë burimet natyrore, ne e kemi thënë gjithmonë që pasurohet pakica në kurriz të shumicës, kështu që a ka gjëra të qëllimshme në këtë mes?! Sigurisht që janë disa njerëz që janë ulur në karriget e duhura dhe kanë përfitimet e tyre në këtë rast, por problem është në këto përfitime janë kaq të vogla në raport me mungesat dhe me dëmtimet dhe mosmonitorimin dhe me mos rehabilitimin e mjedisit nga ana tjetër sepse kjo është vjedhje e mjedisit”,-thotë ajo.

Të merren masa!

Aktiviteti minerar në Bulqizë

Ekspertët kërkojnë ndërmarrjen e një sërë masash për ndryshimin e kësaj situate, ndërsa shenjëstrojnë Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, që pavarësisht reformës, duket se nuk ka dhënë rezultatet e pritshme. “Uroj të forcohet puna e inspektoratit. Puna e inspektorëve nuk është nëpër zyra, duhet të jenë sa më shumë në terren dhe sidomos ndaj sinjalizimeve që edhe emisione si ky apo nga shumë organizata të ndryshme të shoqërisë civile, të shkojnë në terren e të bëjnë verifikimet. Duhet të dalin nga rutina burokratike e zyrave”,-thotë Erinda Misho. Ndërkaq, inxhineri Danjel Bica kërkon trajtimin e ujërave të minierës dhe mosdepozitimin e stoqeve të sterileve në sipërfaqe, ndërsa sipas Qirjos, “zbatimi i ligjit është hapi kryesor”. “Hapi i parë është marrja e një lejeje mjedisore të qartë, me kushte teknike të përcaktuara që të ndiqet me rigorozitet dhe që të ndiqet në monitorim të vazhdueshëm”,-thotë Qirjo. “Monitorimi, më pas i cilësive të mjedisit: të ujit të lumenjve (që kryhet) apo edhe të cilësisë së tokës që ka problematika të theksuara, por me prioritet në zonat e nxheta ku ka aktivitet industrial apo bujqësor është hapi tjetër që na tregon dhe shkallën e zbatimit të ligjit dhe shkallën e zbatimit të detyrimeve që këto kompani kanë”,-përfundon ai.

SHARE THIS POST

Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin

RELATED POSTS