Incenerimi i mbetjeve “gllabëron” buxhetet e bashkive, rrisin tarifat me 50%

Dhjetëra bashki dyfishuan tarifat e pastrimit dhe të gjelbërimit, për të përballuar kostot e dërgimit të mbetjeve në incenerator, megjithëse qeveria iu dha 5 milionë euro shtesë. Të dhënat e analizuara nga Investigative Network Albania, të vëna në dispozicion nga dokumentet zyrtare, bashkitë apo kontratat përkatëse, tregojnë se buxhetet e pushtetit lokal janë anemike për të përballuar kostot për incenerimin e mbetjeve.

Autor: Julian Hoxhaj

Vetëm pak metra nga hyrja e fshatit Marinzë në Roskovec, tonelata me mbetje urbane, të depozituara aty prej vitesh, dergjen të pakapsuluara dhe të patrajtuara. Prej disa muajsh në këtë vend-depozitim nuk hidhen më mbetje, pasi Bashkia e Roskovecit i dërgon në inceneratorin e Fierit.

Ish-fusha e grumbullimit të mbetjeve të Bashkisë së Roskovecit, në Marinzë

Por, dërgimi i mbetjeve në incenerator është shoqëruar me kosto shtesë për qytetarët e Bashkisë së Roskovecit, përfshi dhe banorët e Marinzës.

Në janar të këtij viti Bashkia e Roskovecit e rriti me 50% tarifën e pastrimit, me qëllim përballimin e kostos së dërgimit të mbetjeve në incenerator.

Së bashku me tarifat e pastrimit Bashkia e Roskovecit rriti edhe disa tarifa të tjera shërbimesh, të cilat rëndojnë mbi qytetarët.

Më konkretisht, në Njësinë Administrative Roskovec tarifa e pastrimit shkoi në 1800 lekë nga 1200 lekë që ishte përgjatë vitit 2021. Ndërsa për Njësitë Administrative Kurjan, Strumë dhe Kuman kjo tarifë nga 700 lekë shkoi në 1000 lekë të reja në vit.

Vendimi është marrë në errësirë të plotë dhe pa u konsultuar më parë me banorët, të cilët ende nuk e kanë të qartë se për çfarë bëhet fjalë konkretisht.

“Nuk jemi njoftuar për rritjen e tarifave. Kur shkova të paguaja lekët e tokës, mora vesh që duhet të paguaja dhe 30 mijë lekë të tjera. Më thanë që është taksë për Bankën Botërore”, – thotë një banor i Marinzës për INA MEDIA-n.

Banor i Marinzës (foto J. Hoxhaj)

“Plehrat kanë filluar t`i heqin, vijnë një herë në javë, i marrin, por nuk na kanë thënë që do rriten taksat. I paguajmë me faturën e ujit”, – thotë një tjetër banor i Marinzës.

Incenerimi, 5 milionë euro kosto shtesë

Njëjtë si Roskoveci, mijëra qytetarë të bashkive të tjera po përballen me rritjen e tarifës së pastrimit, që përdoret për të mbuluar kostot e transportit. Durrësi, Shijaku, Patosi, Vlora, Fieri apo Lushnja lidhën marrëveshje me inceneratorin e Fierit dhe të Tiranës për depozitimin e mbetjeve që prodhohen në territorin e tyre, duke rritur kështu barrën financiare të banorëve për pastrimin.

Të dhënat e analizuara nga Investigative Network Albania, të vëna në dispozicion nga dokumentet zyrtare, bashkitë apo kontratat përkatëse, tregojnë se kostot për incenerimin e mbetjeve në këto bashki u rritën deri në 50% në krahasim me vetëm një vit më parë.

Emergjencës së trajtimit të mbetjeve, me të cilën u përballën dhjetëra bashki gjatë verës së kaluar, bashkitë nuk iu përgjigjën dot, pasi shfaqën vështirësi financiare që në vitin e parë buxhetor, pas kërkesës së kryeministrit për t`i dërguar mbetjet urbane tek inceneratorët.

Në këtë situatë, Ministria e Financave iu shpërndau një fond prej 5 milionë eurosh 21 bashkive që u gjendën në vështirësi financiare, për shkak të kostove për dërgimin e mbetjeve tek inceneratorët.

“Shpërndarja është bërë duke përllogaritur volumin e mbetjeve në ton, si dhe largësinë e transportit të mbeturinave në pikën fundore, landfill apo incenerator”, – sqaron Ministria e Financave.

Përfituesja më e madhe e këtyre fondeve është Bashkia e Durrësit, së cilës i janë akorduar plot 2 milionë euro nga fondi total prej 5 milionë eurosh.

Bashkia e Durrësit lidhi kontratë me kompaninë “Integrated Energy BV SPV”, e cila menaxhon inceneratorin e Tiranës dhe që prej shtatorit 2021 i sjell mbetjet në Tiranë me një kosto prej 3500 lekësh/ton, pa TVSH.

Tabela 1: Shpërndarja e fondeve shtesë nga qeveria për menaxhimin e mbetjeve në 21 bashki/Siguruar nga INA MEDIA

Tabela e krijuar nga INA MEDIA/Treguesit e sigurimit të të ardhurave nga bashkitë për buxhetet e pastrimit gjatë vitit 2022

Por, pavarësisht mbështetjes së qeverisë, Bashkia e Durrësit sërish nuk ishte në gjendje të përballonte koston e incenerimit, ndaj mori vendimin për rritjen e tarifave për banorët e saj.

Kjo bashki prodhon rreth 75 mijë tonë mbetje në vit dhe fondi i miratuar për vitin 2022 është 1 miliard lekë ose 10 milionë euro. Një pjesë e konsiderueshme e këtyre shpenzimeve është siguruar nga mbështetja e qeverisë, ndërsa pjesa tjetër nga të ardhurat e veta.

Tarifa e pastrimit për qytetarët, që përdoret për të mbuluar një pjesë të kostove të inceneratorëve, është rritur me thuajse 40%, krahasuar me një vit më parë, ndërsa në total qytetarëve të Durrësit iu janë dyfishuar të gjitha tarifat.

Nga 2300 lekë, që ishte tarifa e pastrimit gjatë vitit të kaluar, këtë vit fiskal një familje në Durrës do të paguajë 3500 lekë vetëm për pastrimin ose disa herë më shumë se sa kostoja që një familje paguante një vit më parë për pastrimin, gjelbërimin dhe ndriçimin të marrë së bashku.

Rritje kanë pësuar dhe tarifat e gjelbërimit të qytetit, nga 200 lekë që ishte një vit më parë, këtë vit kjo tarifë është pesëfishuar, duke shkuar në 1000 lekë. Edhe tarifa e ndriçimit, e cila ishte 500 lekë, për këtë vit është bërë 1500 lekë. Në total, një familje në Durrës do të paguajë 6000 mijë lekë të reja gjatë vitit 2022 për pastrimin, gjelbërimin dhe ndriçimin e qytetit, nga 3000 mijë lekë që paguante një vit më parë, ose dyfish më shumë.

Shpenzimet buxhetore të Bashkisë së Durrësit për menaxhimin e mbetjeve urbane dhe dërgimin e tyre në landfill-in e Sharrës në Tiranë/Të dhëna të siguruara nga INA MEDIA

Tabela 3: Tarifat e pastrimit për familjet në Durrës gjatë vitit 2022/Të dhëna të siguruara nga INA MEDIA

As Bashkisë së Shijakut nuk i mjaftuan 20 milionë lekët që i dha qeveria si grant mbështetjeje për emergjencën e krijuar pas mbylljes së Porto Romanos.

“Mbetjet urbane të Bashkisë së Shijakut depozitohen pranë zonës së trajtimit të mbetjeve në Tiranë dhe kostoja e dërgimit është vetëm kostoja e transportit, e cila arrin vlerën 5.204.736 lekë”, – u shpreh Bashkia e Shijakut në përgjigje të kërkesës së dërguar nga INA MEDIA.

Zgjidhja për përballimin e kostove edhe për Bashkinë e Shijakut është gjendur te rritja e tarifave.

Më konkretisht, tarifa e pastrimit për familjet është bërë 2500 lekë nga 1500 lekë që ishte më parë, me një rritje që shkon deri në 70%.

“Kjo rritje e tarifës së pastrimit është bërë për një shërbim sa më cilësor”, – sqaron Bashkia e Shijakut.

Pano Soko, ekspert ekonomie, thotë se dërgimi i mbetjeve në incenerator ka kosto të lartë për buxhetet e varfëra të pushtetit lokal dhe asnjë bashki nuk i përballon dot kostot shtesë për dërgimin e mbetjeve në incenerator.

“Edhe pa këto kosto, buxhetet e bashkive shqiptare janë deficitare, që do të thotë se nuk arrijnë dot që vetëm me të ardhurat e tyre të përballojnë shpenzimet e domosdoshme”, – thotë Pano Soko për INA MEDIA-n.

Eksperti i pushtetit vendor, Agron Haxhimali, mendon se kostot për dërgimin e mbetjeve në incenerator do të vazhdojnë t’i paguajnë qytetarët.

“Ose qeveria për një kohë të caktuar të sigurojë mbështetje financiare, ose bashkia të rrisë tarifën e pastrimit për të dyja grupet paguese: për biznesin dhe qytetarin. Në këtë rast, sa kohë qeveria nuk ka ndërhyrë, bashkitë janë ato që duhet të vendosin për tarifat, që sigurisht rëndojnë mbi qytetarin”, – sqaron Haxhimali.

Incenerimi dyfishon kostot e bashkive

Një shkresë e tetorit 2021, që prefekti i Fierit, Baki Bala, iu dërgoi bashkive të qarkut “në lidhje me masat e marra për dërgimin e mbetjeve në Impiantin e Trajtimit të Mbetjeve Urbane dhe prodhimit të Energjisë në Fier”, i informonte bashkitë se depozitimi i mbetjeve për incenerim do të bëhej me kosto zero lekë.

Tabela e bërë nga INA MEDIA/Të dhënat e analizuara nga paketat fiskale të bashkive, duke nxjerrë në % rritjen e tarifave të pastrimit për këtë vit buxhetor

Por, krejt ndryshe nga shkresa e prefektit, Bashkia e vogël e Roskovecit, për shkak të distancës së largët të dërgimit të mbetjeve në këtë impiant, ka dyfishuar tarifat e pastrimit për qytetarët.

“Për këtë vit fiskal (2022), tarifat e pastrimit janë rritur në masën 50% referuar kostos që ka bashkia ndaj këtij shërbimi”, – i thotë Bashkia e Roskovecit INA MEDIA-s, e cila sqaron se këto të ardhura shkojnë për të përballuar kostot e shtuara nga incenerimi.

Pavarësisht kostove të shtuara, Bashkia e Roskovecit sqaron se “nuk ka lidhur kontratë me inceneratorin e Fierit” për dërgimin e mbetjeve, “pasi, pas një komunikimi elektronik me administratorët e inceneratorit është komunikuar që nuk është nevoja e lidhjes së një kontrate”.

Print screen i përgjigjes së Bashkisë së Roskovecit për INA MEDIA-n

Koston e lartë të incenerimit, që po rëndon qytetarët e Roskovecit, e tregojnë edhe bilancet e 5 viteve të fundit, 2017-2021, që kjo bashki ka shpenzuar për menaxhimin e mbetjeve, me një total prej 55 milionë lekësh të reja, me një mesatare prej 11 milionë lekësh në vit.

Për këtë vit fiskal buxheti për mbetjet ka pësuar rritje, duke shkuar në 37 milionë lekë të reja ose, thënë ndryshe, tri herë më shumë se një vit më parë, shumë larg nga mesatarja e shpenzimeve përgjatë viteve të kaluara.

Print screen: Tarifat e pastrimit në Bashkinë e Roskovecit për vitin 2022/Siguruar nga INA MEDIA
Print screen: Tarifa e pastrimit e Bashkisë së Roskovecit për vitin 2021

Ndryshe nga Roskoveci, bashkia fqinje, ajo e Patosit, ka lidhur kontratë me koncesionarët e inceneratorit të Fierit.

Referuar kësaj marrëveshjeje, që është lidhur në tetor 2021, mes Bashkisë së Patosit dhe shoqërisë “Integrated Technology Waste Treatment”, Fier, kontrata ka një afat pesëvjeçar.

Faksimile e kontratës që Bashkia e Patosit ka lidhur me shoqërinë koncesionare të inceneratorit të Fierit

“Kemi pak kohë që kemi lidhur kontratën dhe nuk mund të bëjmë një përllogaritje të saktë se sa mund të shkojnë kostot e transportit”, – thuhet në një përgjigje të kthyer për INA MEDIA-n.

Pavarësisht se ende nuk ka përllogaritur kostot, Bashkia e Patosit e ka të qartë se do t`i duhen fonde shtesë për t`i përballuar. Për këtë arsye, edhe kjo njësi e qeverisjes lokale vendosi të rrisë tarifat e pastrimit për qytetarët e saj, deri në masën 31%-50% krahasuar me një vit më parë.

“Për vitin 2022 e kemi rritur tarifën e pastrimit, duke e çuar në 2300-3000 lekë/vit për familjet me 3 ose më shumë anëtarë, sipas dy kategorive. Mesatarisht, bëhet fjalë për një rritje prej 650 lekësh/vit”, – sqaron INA MEDIA-n Bashkia e Patosit, e cila saktëson se përgjatë vitit 2020 dhe vitit 2021 tarifa e pastrimit ka qenë 2000 lekë/vit për familje.

Sërish kostot e transportit për incenerimin e mbetjeve nuk arrihen të mbulohen.

“Mbulimi është në masën 75%, duke bërë që bashkia të përdorë të ardhurat e tjera, për të mbuluar 100% koston”, – sqaron Bashkia e Patosit INA MEDIA-n.

Shpenzimet e Bashkisë së Patosit për menaxhimin e mbetjeve në pesë vitet e fundit

Bashkia e Patosit harxhon mesatarisht 32 milionë lekë të reja në vit për menaxhimin e mbetjeve urbane, ndërkohë për këtë vit buxhetor janë parashikuar 35 milionë lekë të reja për grumbullimin dhe transportimin e mbetjeve urbane të bashkisë në inceneratorin e Fierit.

“Kryesisht bashkitë e vogla kanë probleme të theksuara, financiare. Kjo situatë me patjetër çon në probleme ekonomike dhe mungesë shërbimesh në bashki”, – mendon eksperti i pushtetit vendor, Agron Haxhimali.

Bashkia e Lushnjës, pavarësisht kostove të larta, që dalin nga dërgimi i mbetjeve në incenerator, ka zgjedhur të mos i rrisë tarifat për qytetarët. Një zgjedhje me gjasë e ndikuar edhe nga fakti që Lushnja këtë vit iu nënshtrua zgjedhjeve të pjesshme, bashkiake.

Menjëherë pas emergjencës që e përfshiu verën e kaluar, për shkak se mbetjet urbane, të depozituara në landfill-in e vjetër, u përfshinë nga flakët, Bashkia e Lushnjës nisi dërgimin e mbetjeve në inceneratorin e Fierit, në shtator 2021.

“Në vitin 2022 kemi një rritje të kostos si rezultat i kalimit të mbetjeve në impiantin e trajtimit të tyre”, – thotë bashkia për INA MEDIA-n.

Për këtë vit buxhetor Bashkia e Lushnjës ka parashikuar një fond prej 60 milionë lekësh të reja për menaxhimin e mbetjeve, nga 56 milionë lekë që ishte një vit më parë.

Në total për këtë vit Bashkia e Lushnjës ka parashikuar një fond prej 87 milionë lekësh, pasi nga viti i kaluar ka detyrime të pashlyera.

Bashkia e Mallakastrës, pavarësisht se nuk ka as kontratë me inceneratorin dhe as mbetjet nuk dërgohen atje, ka dyfishuar kostot e menaxhimit të mbetjeve për ton.

Referuar përgjigjes zyrtare, nëse gjatë vitit 2020 një ton mbetje urbane, e menaxhuar nga Bashkia e Mallakastrës, kushtonte 1833 lekë, në vitin 2021 kjo shumë bëhet 3253 lekë.

Bashkia e Fierit është e vetmja që ka pasur ulje shpenzimesh për menaxhimin e mbetjeve. Ajo i dërgon mbetjet pranë inceneratorit të Vërrisë, që është në territorin e saj dhe prej vitit të kaluar grumbullon mbetje urbane, por ende nuk i djeg ato.

Por, as banorët e Fierit nuk i kanë shpëtuar rritjes së tarifave. Më konkretisht, tarifa e gjelbërimit dhe e ndriçimit është rritur me 400 lekë, duke u bërë 1000 lekë. Pra, nëse një familje në Fier paguante 3600 lekë në vitin 2021 për pastrimin, për gjelbërimin dhe për ndriçimin të marrë së bashku, për këtë vit fiskal do të paguajë 4000 lekë.

Vlora, 1 miliard lekë për landfill-in që s`ka përfunduar

Në vitin 2020, në Vlorë nisi puna për ndërtimin e landfill-it të Sherishtës, një projekt i zbatuar nga “Integrated Energy BV”, me pronar Klodian Zoton, i cili tashmë është në kërkim nga SPAK për aferën e inceneratorëve në Fier dhe në Elbasan.

Ndërtimi i landfill-it të Sherishtës është financuar nga KfW gjermane me një fond që shkon 20.8 milionë euro, të cilat ndahen në 12.5 milionë euro kredi dhe pjesa tjetër grant.

Punimet për landfill-in e Sherishtës duhet të kishin përfunduar në dhjetor të vitit 2021 dhe këtë fillim-viti duhet të kishte nisur depozitimi i mbetjeve urbane. Burime pranë Bashkisë së Vlorës bëjnë me dije se landfill-i nuk është bërë funksional dhe shkak për këtë vonesë është bërë shtyrja e punimeve gjatë pandemisë, ndaj Bashkia e Vlorës vazhdon t`i depozitojë mbetjet në vendgrumbullime të hapura.

Pavarësisht se impianti i ri nuk është vënë ende në punë, Bashkia e Vlorës për këtë vit buxhetor ka parashikuar rreth 1 miliard lekë fond për Ndërmarrjen e Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve. Kjo ndërmarrje parashikohet të ketë një staf me 39 punonjës dhe parashikon të menaxhojë depozitimin e mbetjeve në landfill-in e Vlorës.

Gjithashtu, në pjesën e fondit prej 1 miliard lekësh, që shkon për MIM, janë parashikuar pagesat e kredisë për huan që është marrë nga KfW, pagesat e punonjësve të ndërmarrjes dhe investime për riciklimin e mbetjeve dhe depozitimin e tyre në landfill-in e Sherishtës, pasi ky impiant të vihet në funksion.

Ndërkohë, vetëm për menaxhimin e mbetjeve Bashkia e Vlorës parashikon të shpenzojë, sipas dokumentit të vënë në dispozicion të INA MEDIA-s, rreth 125 milionë euro apo 1.2 miliardë lekë. Në total buxheti i pastrimit të këtij viti në Bashkinë e Vlorës është parashikuar të jetë 268 milionë lekë. Për përballimin e këtyre kostove Bashkia e Vlorës ka parashikuar rritje të tarifave të pastrimit vetëm për një kategori biznesi, të cilat shkojnë deri në 30%.

Faksimile e përgjigjes së Bashkisë së Vlorës për INA MEDIA-n në lidhje me rritjen e tarifave të pastrimit për një kategori biznesesh

Shpenzimet për Ndërmarrjen e Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve, Vlorë

Faksimile e shpenzimeve buxhetore të Bashkisë së Vlorës për vitin 2022, përfshirë pastrimin

Rriten kostot, reduktohen shërbimet

Rritjen e kostove të bashkive për incenerimin e mbetjeve ekspertët e shohin me skepticizëm, pasi sipas tyre do të sjellë reduktimin e shërbimeve të tjera për qytetarët.

Eksperti i mjedisit në qytetin e Elbasanit, Ahmet Mehmeti, i cili është marrë prej vitesh me menaxhimin e mbetjeve në këtë qytet, është i bindur se për bashkitë e vogla rritja e kostove të incenerimit të mbetjeve do ta përkeqësojë gjendjen e tyre, financiare.

“Për bashkitë e vogla dërgimi i mbetjeve për incenerim rrit kostot e pastrimit deri në dyfishim, duke rënduar gjendjen e tyre, të keqësuar financiare edhe ashtu siç është. Këto rritje shpenzimesh, jo vetëm që nuk e përmirësojnë problemin e menaxhimit të mbetjeve, por do të rëndojnë edhe më shumë financat e këtyre bashkive”, – thotë Ahmet Mehmeti.

Ahmet Mehmeti, Ekspert Mjedisi, Klubi Ekologjik, Elbasan

Ahmet Mehmeti, Ekspert Mjedisi, Klubi Ekologjik, Elbasan

Eksperti i pushtetit lokal, njohës i mirë i problemeve të bashkive në vend, Agron Haxhimali, tregon se, ndonëse ligjërisht bashkitë nuk mund të “falimentojnë”, do të ketë tkurrje të shërbimeve për qytetarët.

Agron Haxhimali, ekspert i pushtetit lokal

“Nga pikëpamja juridike nuk “falimenton” një institucion publik, por ka disa bashki, që janë realisht në vështirësi financiare, referuar raporteve për vitin 2021. Në këto bashki me vështirësi të thella financiare problemi është pamundësia për të përballuar shpenzimet dhe për të shlyer detyrimet”, – saktëson eksperti Agron Haxhimali për INA MEDIA-n.

Eksperti Pano Soko shton se, dhe paratë, që qeveria iu jep bashkive për të menaxhuar mbetjet, hiqen nga zëra të tjerë të buxhetit, duke u përkthyer në punë publike më pak apo më pak investime cilësore.

“Në një njësi ekonomike me bilanc me humbje, siç janë bashkitë tona, që të shtosh shpenzimet në një zë të caktuar, do të duhet të reduktosh shpenzimet në një zë tjetër. Edhe në rastet kur do të jetë qeveria, ajo që do të ndërhyjë me transferta nga buxheti i shtetit, këto lekë do të hiqen nga projekte të tjera, që do të shërbenin për investime të tjera publike apo shërbime të tjera më cilësore”, – thotë Pano Soko.

Riciklimi, zgjidhja që u harrua

Shqipëria ka përafruar kuadrin ligjor me vendet e Bashkimit Europian lidhur me menaxhimin e mbetjeve urbane, por riciklimi ka kaluar në fund të listës.

INA MEDIA i pyeti të gjitha bashkitë e përmendura në këtë shkrim, nëse riciklojnë mbetje urbane.

Asnjëra prej bashkive (Fier, Durrës, Vlorë, Patos, Shijak, Roskovec, Lushnjë apo Mallakastër), nuk riciklon mbetje urbane në territoret e tyre.

Dështimin me riciklimin e pranon edhe vetë qeveria në Planin e Menaxhimit të Mbetjeve, 2020. Madje, në këtë plan qeveria lë të kuptohet se bashkitë janë në shkelje të rregullave në fuqi, pasi asnjëra prej tyre nuk ka filluar grumbullimin e diferencuar të mbetjeve.

Print screen nga Plani Kombëtar, Sektorial i Menaxhimit të Mbetjeve në Shqipëri

“Deri më tani bashkitë nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre për arsye të ndryshme, duke përfshirë kapacitete dhe burime të pamjaftueshme financiare, të ardhura të pamjaftueshme, mungesë përvoje dhe pamundësi për të krijuar skema të grumbullimit të diferencuar apo për zbatimin e kërkesave ligjore. Për më tepër, autoritetet vendore kanë mungesë të ekspertëve të specializuar mjedisorë për çështjet e mbetjeve”, – thuhet në dokumentin zyrtar të qeverisë shqiptare.

Për ekspertët riciklimi mbetet e vetmja zgjidhje, qoftë edhe financiare.

“Kostot e riciklimit, për shkak të të ardhurave që prodhojnë, mund t`i reduktonin kostot e mbetjeve deri në 5 euro/ton, nga rreth 30 euro që janë sot mesatarisht me inceneratorët”, – thotë Pano Soko.

Eksperti i mjedisit, Ahmet Mehmeti, bën apel që bashkitë të mos pranojnë të jenë pjesë e praktikave korruptive të menaxhimit të mbetjeve.

“Bashkitë nuk investojnë dhe nuk përmendin as fjalën riciklim, pasi orientohen nga lart dhe udhëhiqen nga ide korruptive të fitimit të pamerituar në fushën e menaxhimit të mbetjeve. Asnjë bashki nuk duhet t`iu bindet këtyre urdhrave”, – përfundon Mehmeti.

SHARE THIS POST

Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin

RELATED POSTS