U ndërtuan nga themelet përgjatë dy dekadave të fundit, por dhjetëra ambulanca në Bashkinë e Bulqizës, Tiranës dhe Tepelenës janë degraduar krejtësisht, ndërsa dhjetëra të tjera funksionojnë pa ujë dhe pa drita. Me një vlerë investimi minimale, prej 1 milion lekësh të reja, në zona të veçanta janë fondacionet humanitare apo individë të veçantë që mbajnë në këmbë shërbimin parësor.
Autore: Dritan Kurti, Endri Arizi dhe Emirjada Muço
Banorët e Lladomericës, një fshat i vogël, malor në Njësinë Administrative Ostren, në Bulqizë, duhet të udhëtojnë rreth dy orë për të bërë një injeksion (gjilpërë). Qendra ambulatore, e ndërtuar pak vite më parë, nuk u vu kurrë në funksion. Si pasojë, banorët shkojnë në Peshkopi për të marrë një shërbim shëndetësor.
“Katastrofë! E hoqën mamijen (infermieren), para nja tre a katër muajsh. Për një gjilpërë po vdesim. Për një gjilpërë shkojmë nga këtu në Peshkopi. Ajo ambulancë atje është ndërtuar për formë, sepse nuk ka funksionuar kurrë. Do t’i shkoj direkt Edi Ramës për këtë punë” , – thotë i irrituar për INA MEDIA-n 77-vjeçari Izeir Halili.
Ngjitur me Maqedoninë e Veriut dhe i zhytur në harresë, banorët e këtij fshati kërkojnë që së paku t`iu hapej dogana dhe t`iu krijohej mundësia të trajtoheshin atje.
“Doganën që kemi këtu afër nuk e hapin që të shkojmë në Maqedoninë e Veriut. Çfarë të thuash më për fshatin Lladomericë?! Ata lart punojnë për interesat e veta, jo për neve”, – thotë më tej i moshuari.
Foto: Dritan Kurti
Si pasojë e mungesës së shërbimit parësor, banorët e Lladomericës ankohen se, kostot që duhet të paguajnë, janë tejet të larta për ta.
“Dy herë kam qenë për urgjencë dhe kam paguar makinën deri në Shupenzë. Godinën e bënë në përrua, e bënë për veten e tyre e nuk e pyetën fshatin”, – thotë Fatime Manaj, një tjetër banore e këtij fshati.
Foto: Dritan Kurti
E ndërtuar në vitin 2001 me një fond prej 988.548 lekësh të reja, pra afro 10 milionë lekë të vjetra, ambulanca e fshatit Lladomericë nuk u vu asnjëherë në punë, për shkak të cilësisë së dobët të punimeve.
Lehtësia e abuzimit me fondet publike pranohet edhe nga Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor në Bulqizë.
“E ndërtuar në vitin 2001 në një terren (përrua), të papërshtatshëm për përdorim e aksesim nga banorët dhe personeli, dëmtimi i saj ka nisur ende pa u dorëzuar, në periudhën e ndërtimit”, – sqaron NjVKSh Bulqizë në një përgjigje zyrtare për Investigative Network Albania dhe pohon se, pas djegies së shkollës së fshatit po përpiqen që të gjejnë një zgjidhje tjetër.
Foto: Dritan Kurti
Pa asnjë lloj shërbimi shëndetësor gjenden edhe banorët e fshatit Lubalesh, në Njësinë Administrative Gjoricë.
Foto: Dritan Kurti
Pa një vend ku të ushtrojë profesionin, infermierja është e detyruar të kryejë shërbimin derë më derë për 300 banorët e këtij fshati.
Isuf Muha, ish-kryetari i fshatit Lubalesh, rrëfen për Investigative Network Albania se ambulanca u ndërtua e re rreth 10-12 vite më parë, ndërsa aktualisht është degraduar totalisht.
“Mund të ketë funksionuar nja 4 vite, pastaj nuk funksionoi më. Me sa mbaj mend, mund të ketë kushtuar rreth 10 milionë lekë të vjetra, – rrëfen për INA MEDIA Muha. – Degradoi krejtësisht, pasi askush nuk u kujdes për mirëmbajtjen. Infermierja sot vjen shtëpi më shtëpi. Ajo udhëton me kilometra larg, natën e ditën, në shi e në borë. S’ka çfarë bën, se kjo godinë është totalisht jashtë funksioni”, – thotë në prononcimin e tij ish-kryetari i fshatit Lubalesh, Isuf Muha.
Pa një vend ku të ushtrojë profesionin, infermierja është e detyruar të kryejë shërbimin derë më derë për 300 banorët e këtij fshati.
Isuf Muha, ish-kryetari i fshatit Lubalesh, rrëfen për Investigative Network Albania se ambulanca u ndërtua e re rreth 10-12 vite më parë, ndërsa aktualisht është degraduar totalisht.
“Mund të ketë funksionuar nja 4 vite, pastaj nuk funksionoi më. Me sa mbaj mend, mund të ketë kushtuar rreth 10 milionë lekë të vjetra, – rrëfen për INA MEDIA Muha. – Degradoi krejtësisht, pasi askush nuk u kujdes për mirëmbajtjen. Infermierja sot vjen shtëpi më shtëpi. Ajo udhëton me kilometra larg, natën e ditën, në shi e në borë. S’ka çfarë bën, se kjo godinë është totalisht jashtë funksioni”, – thotë në prononcimin e tij ish-kryetari i fshatit Lubalesh, Isuf Muha.
Foto: Dritan Kurti
Mustafa Jana akuzon se ndërtimi i këtij objekti i shërbeu vetëm atij që e ndërtoi e jo komunitetit.
“Dikush duhet të mbajë përgjegjësi për këto lekë të shkuara dëm. Ata që e ndërtojnë, fusin lekët në xhep e zhduken, por askush nuk interesohet se si u ndërtua”, – deklaron Jana.
Zyrtarisht NjVKSh Bulqizë vë në dijeni se kjo ambulancë doli jashtë përdorimit për shkak të problemeve me çatinë.
NjVKSh Bulqizë sqaron më tej se një vit më parë u miratua projekti dhe u gjet edhe financuesi, por ndërtimi i ambulancës së Lubaleshit ka ngecur për shkak të problemeve me pronësinë.
“Jemi në përpjekje me bashkinë për të gjetur një zgjidhje për këtë problem”, – thotë për INA MEDIA-n NjVKSh Bulqizë.
Fondacionet humanitare mbajnë në këmbë ambulancat në Bulqizë
Përtej motos “Shëndetësia falas” të qeverisë shqiptare, Investigative Network Albania ka zbuluar se shërbimi parësor në Bashkinë e Bulqizës mbahet në këmbë nga organizatat humanitare dhe donatorë privatë.
Nga 45 ambulanca dhe qendra shëndetësore që ndodhen në këtë bashki, 17 prej tyre janë rikonstruktuar apo pajisur me infrastrukturë shëndetësore me fonde që vijnë jashtë buxhetit të shtetit, ndërkohë që 6 prej tyre janë krejtësisht jashtë funksionit.
Më konkretisht, referuar përgjigjes së NjVKSh, 7 ambulanca kanë shpëtuar nga mbyllja falë donacioneve të dhëna nga individë të veçantë dhe biznese të zonës.
5 ambulanca u ndërtuan të reja nga themelet dhe u pajisën me të gjithë infrastrukturën e domosdoshme falë fondacioneve humanitare “Gjysmë Hëna e Kuqe”, fondacioni “Mirësia” dhe ai i Katarit, “Islamic Reliev”.
Falë bashkëpunimit me projektin HAAP, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, janë drejt përfundimit procedurat për ndërtimin dhe rikonstruksionin e 5 ambulancave të tjera, ndërkohë që vetë Ministria e Shëndetësisë ka vënë dorë vetëm në 4 prej tyre, përgjatë këtyre 4 viteve të fundit, duke ndërhyrë në rikonstruksionin dhe mobilimin e tyre.
Të ndërtuara nga e para përgjatë dy dekadave të fundit, sipas Njësisë së Kujdesit Shëndetësor Vendor Bulqizë, nga 37 godina ambulancash janë krejtësisht jashtë funksionit 6 prej tyre. Në pjesën më të madhe të tyre dëmtimi ka ardhur si pasojë e problemeve me soletën, ndaj Ministria e Shëndetësisë ka sugjeruar që ato të zëvendësohen me çati me tjegulla.
Por, banorët e Bashkisë Bulqizë vuajnë edhe mungesën e infermierëve dhe mjekëve. Ndonëse sipas ligjit duhet një mjek për 3000 banorë, në shumë zona raporti shkon 1 mjek për 8000 banorë.
Sipas autoriteteve shëndetësore, kjo mungesë vjen si pasojë e braktisjes së vendit, por edhe faktit se disa mjekë të rinj kanë nisur specializimet.
Dëfrim Zenelit, infermier, i duhet të mbulojë me ndihmë mjekësore banorët e tri fshatrave, Tërnovë e Madhe, Tërnovë e Vogël dhe Smollik në Njësinë Administrative Zerqan, në Bulqizë.
Ambulanca e këtij fshati u ndërtua në vitin 2006 dhe kushtoi 1.496.170 lekë, por aktualisht ka dalë jashtë funksionit për shkak të problemeve me soletën.
Foto: Dritan Kurti
Zeneli është ndër të paktët punonjës të shërbimit parësor që pranon të flasë publikisht dhe të tregojë absurdin, në të cilin i duhet të ushtrojë profesionin.
“Nga Tërnova e Madhe në të Vogël duhet një orë e gjysmë në këmbë, ndërsa në Smollik, 1 orë. Terreni është shumë i vështirë, sidomos në stinën e dimrit. Kur kemi terapi, është më e vështirë puna, pasi duhet të shkosh te pacienti dy herë në ditë. Në dimër bllokohen të gjitha rrugët e makinave, ndërsa shërbimi i vetëm shëndetësor për të gjithë banorët mbetem unë”, – tregon ai.
Ai iu shërben rreth 400 banorëve, ndërsa për pagesën thotë se nuk ia vlen të punosh.
“Pagesa bëhet në bazë të numrit të banorëve, por ne punojmë për humanizëm, se për rrogën nuk ia vlen. I di kushtet dhe nevojat e njerëzve dhe jam i detyruar t’iu shërbej. Për mua nuk ka orar puna. Më vlerësojnë njerëzit e kjo më frymëzon akoma më shumë në punën time.”, – pohon për INA MEDIA-n Dëfrim Zeneli.
Foto: Dritan Kurti
Edhe këtu banorët janë falënderues ndaj infermierit, i cili iu shkon në shtëpi për çdo nevojë.
“Ia dimë për nder infermierit të fshatit, i cili është i papërtueshëm. Edhe kur bora shkon në 1.5 metra, ai na vjen në shtëpi. Sa i përket asaj qendrës shëndetësore, nuk ia kemi pa hairin asnjë ditë.”, – tregon Shemsi Xhafa, banor i Tërnovës së Madhe.
Në fshatin Godvi të Zerqanit, ambulanca është kthyer në depo drush zjarri. Kjo godinë është ndërtuar në vitin 2003 dhe i ka kushtuar buxhetit të shtetit 995.767 lekë. Sipas NjVKSh Bulqizë, “dëmtimi i soletës solli edhe dëmtimin serioz të armaturës, ndërsa aktualisht shërbimi ofrohet në një godinë të ndërtuar si kopsht dhe ambulancë për fshatin e tij nga baba Ismail Jangulli”.
“Funksionoi disa kohë, pastaj soleta nisi të pikonte dhe nuk funksionoi më. Aktualisht nuk kemi fare shërbim shëndetësor, pasi infermierja që kishim, iku në Bulqizë. Jemi rreth 100 banorë që nuk kemi ku të bëjmë qoftë edhe një gjilpërë”, – thotë 68-vjeçari Hasan Seiti.
Përveç amortizimit, NjVKSh Bulqizë pranon se në disa ambulanca mungon edhe uji i rrjedhshëm dhe energjia elektrike.
NjVKSh Bulqizë pranon se ka probleme edhe me personelin. Për rreth 40 mijë banorë që ka kjo bashki, në Shërbimin Shëndetësor Parësor duhej të kishte në detyrë 13 mjekë, por aktualisht ka vetëm 7 mjekë, duke bërë që tre njësi, si Zerqan, Trebisht dhe Ostren, të jenë pa mjekë familjeje.
Në këto njësi mjeku i qendrave të njësive të tjera shkon 1 herë në muaj. Po ashtu, nga 108 personel infermieror të domosdoshëm, vetëm 100 janë në detyrë.
Paradoksi në rrethinat e Tiranës, të braktisura krejtësisht
Ndryshe nga shkëlqimi i kryeqytetit, hulumtimi i Investigative Network Albania nxori në dritë se banorët e rrethinave të Tiranës vuajnë prej dekadash të njëjtin realitet të hidhur: braktisjen totale të shërbimeve shëndetësore.
Në fshatin Bastar i Mesëm, në të cilin banojnë rreth 300 familje, ambulanca është kthyer në dyqan mishi dhe nuk funksionon fare.
Paradoksalisht, godina e ndërtuar në vitin 2015, me vlerë 983,971 lekë, nuk ka asnjë amortizim.
Banorët rrëfejnë se ajo shërben vetëm për të mbajtur mishin kasapi i fshatit, i cili ka vendosur një frigorifer brenda ambulancës, duke qenë se ngjitur ka thertoren.
Foto: Endri Arizi
“Ambulanca nuk funksionon, mjek familjeje nuk ka. Nuk paraqitet asnjëherë. Për çdo hall e problem që kemi me shëndetin, ne drejtohemi në Tiranë. Unë e kam nënën 86 vjeç dhe ka nevojë për serum. I marr mjek për të bërë serum, se s’kam ku ta çoj”, – thotë për INA MEDIA-n Vehbi Kurti, i cili sqaron se situata është edhe më dramatike për shkak të rrugës.
“Kemi vështirësi për të shkuar dhe në Tiranë, se nuk kemi, as rrugë, as makina. Pjesën e dimrit nuk funksionon fare. Është e bllokuar totalisht”, – ankohet ai.
Probleme me Shërbimin Parësor Shëndetësor ka dhe në Njësinë Administrative të Baldushkut.
Në fshatin Koçaj ambulanca e ndërtuar disa vite më parë nuk funksion. Godina është e rrethuar nga ferrat e shkurret, ndërsa xhamat janë thyer, pavarësisht se brenda janë të gjitha pajimet mjekësore.
Foto: Endri Arizi
Banorë të zonës thonë se nuk e kanë përdorur asnjëherë ambulancën, pasi infermieri ua jep shërbimin nëpër shtëpi. Nga ana tjetër, ata thonë se godina degradoi më shumë gjatë pandemisë.
“Kjo këtu ka qenë funksionale deri vjet, pavarësisht se ne nuk e përdornim shumë, se shkonim te doktori poshtë. Kur e kërkojmë, vjen nëpër banesa, vjen gjithmonë”, – pohon për Investigative Network Albania i riu Klevis Kasa, banor i fshatit Koçaj.
Jashtë funksionit është dhe qendra ambulatore e fshatit Vishaj në Njësinë Administrative të Vaqarit, edhe pse shumë afër me kryeqytetin.
Në përgjigjen e saj zyrtare Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor Tiranë nxjerr në pah vetëm objektet, në të cilat është investuar në tre vitet e fundit, por nuk jep asnjë të dhënë për vlerën e ndërtimit të godinave të qendrave shëndetësore apo ambulatore.
Nga lista e gjatë e qendrave shëndetësore dhe ambulancave që kanë përfituar rikonstruksion dhe janë pajisur me orenditë e nevojshme përgjatë viteve 2018-2020, duket se Bashkia e Tiranës ka marrë fonde të majme edhe për shërbimin parësor, duke përmirësuar infrastrukturën në 38 prej tyre.
Ndërkohë që 20 të tjera janë pajisur me mobilie dhe bazë materiale përgjatë vitit 2021.
Bashkia e Tiranës thotë se objektet në fjalë nuk janë të përfshira në inventarin e objekteve publike në pronësi të bashkisë, ndërsa më poshtë sqaron se godina ambulatore e fshatit Bastar i Mesëm ka kushtuar në ndërtim 983.971 lekë të reja, duke krijuar një kontradiktë me vetveten.
Memaliaj braktiset krejtësisht, në punë mjekë pensionistë
Në Bashkinë Memaliaj situata është edhe më e rëndë. Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor Tepelenë, e cila mbulon edhe këtë bashki, sqaron zyrtarisht se nga 48 qendra ambulatore që duhej të kishte kjo bashki, 28 prej tyre, ose nuk janë funksionale, ose nuk ekzistojnë fare.
Paradoksi vazhdon edhe me ato që janë funksionale.
“Në 20 të tjera, që janë funksionale, mungon uji, se nuk ka rrjet ujësjellësi dhe janë pa energji elektrike, pasi, që kur janë ndërtuar, nuk ka pasur një pikë lidhjeje”, – thuhet në përgjigjen zyrtare të NjVKSh Tepelenë.
Të gjendur në këtë situatë absurde, duket se kjo njësi kujdeset të nënvizojë se, ndryshe nga ambulancat, qendrat shëndetësore kanë ujë dhe drita.
“5 qendrat shëndetësore funksionojnë në kushte të mira me ujë dhe drita”, – thuhet në përgjigjen zyrtare për INA MEDIA-n, kur furnizimi me ujë edhe drita është detyrim ligjor.
NjVKSh Tepelenë i shmanget përgjegjësisë mbi objektet, duke ia faturuar pushtetit vendor në Memaliaj.
Me mungesë të theksuar të personelit mjekësor në Bashkinë e braktisur të Memaliajit shërbimi shëndetësor parësor mbahet në këmbë nga mjekë të dalë në pension.
Informacioni i NjVKSh Tepelenë është dhënë vetëm për qendrat shëndetësore, të cilat janë funksionale, ndonëse me probleme të ndryshme edhe këto, ku në disa prej tyre mungon mjeti autoambulancë për transportimin e të sëmurëve.
Edhe Bashkia Memaliaj nuk ka inventar të investimeve, ndonëse çdo dokument i ish-komunave iu ka kaluar bashkive me Reformën Administrative Territoriale të vitit 2014.
Në fshatrat Anë Vjosë e Zotaj të Njësisë Administrative Qesarat nuk ekziston qendra ambulatore. Infermierja, që mbulon këto dy fshatra, Adelina Shehu, e ka kthyer njërën dhomë të banesës së saj në qendër dhe farmaci për të mbajtur medikamentet.
Foto: Emirjada Muço
“Kam hapur dhomën që pres pacientët. S’kam asnjë dollap, as mjete, as dorashka, asgjë. Çdo gjë e mbaj në një çantë këtu në shtëpi. Këto kushte s’janë normale, por s’kam ç’bëj. Kam kërkuar aktivizimin e qendrës shëndetësore. Këta banorë s’kanë asnjë shërbim”, – tregon Adelina për Investigative Network Albania.
Foto: Emirjada Muço
Situatë problematike është edhe në fshatin Koshtan. Nurie Resuli thotë se iu duhet të paguajnë mjetet private për çdo shërbim shëndetësor deri në Gjirokastër, i cili kushton 3 mijë lekë të reja.
“Godina e shërbimit shëndetësor është e shkatërruar. Unë vetë jam e sëmurë dhe në këto kushte jam e detyruar të lëviz nëpër fshatra me këmbë dhe me mjete private për të bërë një gjilpërë. Fshati është harruar nga qeveria. Sot, që të përfitojmë shërbim shëndetësor, jemi të detyruar të paguajmë privatisht një makinë për ta patur në dispozicion, e cila kushton 3 mijë lekë të reja.”, – shprehet Resuli.
Hetem Zholaj thotë se godina ambulatore është “zaptuar” nga një banor dhe në fshat nuk ka fare shërbim shëndetësor. Për çdo nevojë i drejtohen Tepelenës, duke paguar privatisht.
“Qendra shëndetësore është prishur komplet, është zaptuar nga një person. Jemi munduar me forcat tona ta rregullojmë deri diku, që të vijë infermierja. Sot është jashtë funksionit. U ankuam edhe në Tepelenë e Vlorë, por nuk u zgjidh si problem.”, – thekson Zholaj.
Për ish-ministrin e Shëndetësisë, Petrit Vasili, ofrimi i shërbimit në banesa është në dëm, jo vetëm të pacientit, por edhe të personelit shëndetësor që e ofron.
“Në mënyrë absolute shërbimi duhet të ofrohet në një strukturë të dedikuar. Një strukturë, qoftë edhe ajo më e vogla, ka një strukturë sterilizimi, ka mjetet e mbrojtjes së personelit, por edhe të pacientit; ka mënyrën se si do vendoset një pacient, që do marrë shërbimet, në një shtrat të zakonshëm, ambulator. Të gjitha strukturat e tjera nuk kanë për të qenë kurrë një shërbim i mirë, do mbartin rreziqe të tjera dhe pasojat bien mbi pacientin, por jo të pakta janë këto pasoja edhe për personelin”, – analizon situatën ish-ministri Vasili.
Shërbimi parësor, asnjë lek për vitin 2021
Në kulmin e pandemisë shërbimi parësor përballoi një fluks të madh të pacientëve me Covid 19, por, megjithatë, duket se në përballjen me sëmundjen e shekullit, fondet që jepen për këtë zë, janë tejet minimaliste krahasuar me nevojat.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale sqaron në përgjigjen e saj për Investigative Network Albania se ka parashikuar rreth 2 milionë euro (235 milionë lekë), për investime në objekte dhe pajisje në sektorin e Shërbimit Parësor Shëndetësor.
Kjo shifër është afro 20% e buxhetit total prej afro 84 milionë eurosh që ministria i ka ndarë këtij shërbimi.
Por, nga këto pará vetë ministria pranon se nuk i ka akorduar asnjë qindarkë për investime NjVKSh Tiranë, Bulqizë e Tepelenë (NjVKSh Tepelenë mbulon Bashkinë Memaliaj).
“NjVKSh Tiranë, Bulqizë dhe Tepelenë iu është alokuar vlera buxhetore totale për vitin 2021 në shumën 59.918.879 lekë. Në këtë vlerë përfshihen vetëm shpenzimet aktuale, për arsye se nuk kanë qenë parashikuar investime për vitin 2021”, – sqaron Ministria e Shëndetësisë në një përgjigje për informacion për INA MEDIA-n.
Përkundër premtimeve të shumta, shëndetësia vazhdon të mbetet një prioritet vetëm në letra.
Buxheti i Shqipërisë për shëndetësinë është tejet minimalist krahasuar edhe me vendet e rajonit tonë të varfër.
Përgjatë vitit 2021 qeveria shqiptare i ka akorduar këtij sektori të shëndetësisë 13.7 milionë euro më pak se Kosova, e cila në të njëjtin vit ka ndarë për shërbimin parësor plot 97.7 milionë euro.
Krahasuar me numrin e popullsisë të të dyja vendeve, buxheti i Kosovës që shkon për këtë sektor, është afro dy herë më i madh se ai i Shqipërisë.
Mali i Zi, i cili ka një popullsi prej afërsisht 700 mijë banorësh, i ka vënë në dispozicion Shërbimit Shëndetësorë Parësor 46 milionë euro ose 65 euro/person.
Në krahasim me numrin e popullsisë, Shqipëria e ka fondin dy herë më pak për këtë shërbim sesa Mali i Zi, që ndau një buxhet 34.8 euro/person.
Mali i Zi i ka akorduar sistemit shëndetësor në tërësi një buxhet prej 304 milionë eurosh, Kosova 240 milionë euro dhe Shqipëria, në dukje me buxhet më të madh, 682 milionë euro, por që pjesa më e madhe e këtij buxheti është për skemat e mbrojtjes sociale, si ndihma ekonomike apo pagesa e personave me aftësi ndryshe.
I pakënaqur me vëmendjen që po tregohet ndaj kujdesit parësor, ish-ministri Vasili sugjeron se, në vende të varfra si ky i yni është emergjencë rritja e kapaciteteve të sistemit parësor.
“Sa më i varfër të jetë nga ana financiare sistemi në tërësi, aq më tepër sistemi parësor bëhet zgjidhja e tij. Rritja e kapaciteteve të shërbimit parësor bën të mundur që shumë probleme të kapen shumë më shpejt, të mos agravohen, që të rëndojnë kostot e sistemit, i cili, duke qenë i varfër, nuk i përballon dot. Pra, për ne si vend zhvillimi i shërbimit parësor dhe lulëzimi i tij, investimi për të praktikisht do të thotë të mbash në këmbë sistemin shëndetësor”, – sugjeron Vasili.