Fshati Fishtë, një model i agroturizmit dhe kulinarisë

Një fshat i vogël i shtrirë në kodrat e buta të Zadrimës në Lezhë është shndërruar në vitet e fundit në destinacionin e preferuar të shumë familjeve nga Tirana, Durrësi, Shkodra, madje edhe nga Kosova për të kaluar një fundjavë ideale. Fjala është për fshatin Fishtë, që me bujtinat, ushqimin e mirë, ajrin e pastër dhe mikpritjen shumë bujare, ka marrë formën e një pikë të mirëfillitë turistike për ata që duan t’i ikin zhurmës dhe pa pasur nevojë që të shkojnë në bregdet.

Shumë lehtë i aksesueshëm nga Tirana, Fishta përveç se ofron një natyrë mbresëlënëse, dhe kuzhinë tradicionale, është një fshat me “peshë të rëndë” edhe në rrafshin kulturor, pasi aty ka lindur dhe ka jetuar “homeri i letrave shqip”, At Gjergj Fishta.

Rruga që të çon nga Tirana drejt fshatit Fishtë është e asfaltuar mirë dhe nuk të merr më shumë se një orë. Fishta është vetëm 17 kilometra larg nga qyteti i Lezhës, duke pasur kështu mundësinë që të kthehet në një pikë strategjike për agro-turizmin e qëndrueshëm.

Fishta ishte pjesë e projektit qeveritar “100 fshatrat” i cili synonte të kthente 100 fshatra shqiptar në qendra të rëndësishme të turzimit e të zhvillimit ekonomik, ripërtëritjen e trashëgimisë kulturore si dhe inkurajimin e banorëve të fshatrave për të mos u larguar e për të punuar tokën.

Fishta nuk ngjason shumë me fshatrat tipik shqiptar, ku beteja e përditshme është për ujin, energjinë elektrike, mungojnë rrugët lidhëse me qytetet dhe emigrimi është i përhershëm e masiv për shkak të papunësisë së lartë. Në këtë fshat, nuk shikon shumë njerëz rrugëve, të gjithë i ke në punë. Shumë prej tyre janë të angazhuar në bizneset e reja të zonës, bujtinat. Ndërsa të tjerët i shërbejnë tokës për të nxjerrë prodhimet, të cilat gjithashtu i vënë në dispozicion të këtyre bizneseve që janë hapur rishtas gjatë viteve të fundit.

“Mrizi i Zanave”

Altin Prenga pronarit i lokalit me nam ndërkombëtar tashmë, “Mrizi i Zanave”, i tregoi Community Reporters se si është të bësh biznes në një fshat si Fishta. Duke qenë se është i pari që nisi këtë lloj biznesi në Fishtë, për të hapur një agroturizëm, Prenga thotë se në fillimet e tij, investimi dhe sipërmarrja në fshat ishte konsideruar si aventurë.

Altin Prenga, Mrizi i Zanave

“Ka qenë me thënë të drejtën sfidë shumë e bukur, ne kena fillu që në vitin 2010. Kur e kena fillu ne të bëjmë agro – turizëm të mirëfilltë, ishte një “donkishotizëm” dhe njerëzit gati – gati na shihnin me çudi, na thoshin “ça dun me bo këto në fshat?”, tregon Prenga për Community Reporters.

Por, ai shton se për fat të mirë, iniciativa rezultoi e sukseshme dhe klientela e synuar është ajo që quhet “nostalgjikët e fshatit” dhe njerëz që përgjithsisht janë lodhur nga luksi.

Sot, që ai është shumë i suksesshëm dhe për të kaluar një drekë apo darkë me familjen në agroturizmin e tij, duhet të prenotosh ditë më parë, Altin Prenga ka edhe një sfidë, të cilën në fakt e konsideron si më të madhen. “Për mu sfida është që bashkëfshatarët t’i kem klientë për drekë… Domethënë që të vijnë të festojnë ditëlindjen e tyre ato të parët, pastaj turistët nga i gjithë vendi dhe bota”, thotë ai për Community Reporters.

Duke na treguar me pasion gjithë evoluimin e fermës së tij që tashmë është e shtrirë në disa hektarë, Altin Prenga ndalet për të nënvizuar se ka pasur disa lehtësira kur është miratuar ligji i agroturizmit dhe biznesi i tij u çertifikua si agroturizëm i mirëfilltë.

“Edhe nga ana e tatimit, por dhe nga ana e konsideratës shtetërore se çfarë është agroturizmi, të paktën njihesh me ligj për punën që bën”, thotë ai.

Ndërtimi i rrugës kryesore që lidh fshatin dhe krejt zonën e Zadrimës me Lezhën është një investim që ka çliruar shumë energji pozitive në këtë fshat dhe ka hapur perspektiva të reja dhe mundësi të pafundme zhvillimi.

Por ka edhe një prolem, i cili edhe pse është futur në rrugën e zgjidhjes, ende përbën një shqetësim për banorët dhe bizneset e Fishtës, sic është energjia elektrike e dobët. Altin Prenga na tregon se me përmbylljen e restaurimit të rrjetit elektrik, në këtë fshat, do të jenë kushtet dhe infrastruktura ideale që turizmi të zhvillohet edhe më tej.

I pyetur se çfarë pret më shumë, për Altin Prengën e ardhmja është që të të fillojë zhvillimi turistik si komunitet. Ai tregon se marrëdhënia me banorët e zonës është e ndërsjelltë dhe se komuniteti është një faktor shumë i rëndësishëm në mundësimin e ushqimeve bio dhe të freskëta në biznesin e tij.

“Po të mos ekzistonin fermerët, janë 40 familje që mua më sjellin qumësht, po të mos ekzistonin këto 40 familje që mua më sjellin qumësht unë nuk do kisha arsye ekzistence, por në fakt dhe ato, po të mos kishim qenë ne ndoshta, do ta ndërprenin punën. Kështu që me thënë të drejtën është diçka zinxhir që na lidh bashkë. Po rritemi bashkë të gjithë duke punuar”, tregon Altin Prenga për Community Reporters.

“Oazi i Fishtës”

Përveç “Mirizit të Zanave” që është pioner i agroturizmit në zonë, dhe ndër të parët në gjithë Shqipërinë, një tjetër destinacion që tërheq shumë vizitorë në Fishtë është edhe “Oazi i Fishtës”. Ne takuam pronarin e këtij restoranti Angjelin Koleci, i cili na foli për ndikimet e projektit “100 fshatrat”, duke thënë se kjo iniciativë ka qenë motivuese për disa sipërmarrës në zonë, sidmos për rastin e tij personal. Ai ka jetuar për shumë vite në emigrim në Itali dhe vetëm në vitet e fundit është rikthyer në fshatin e Fishtës për t’u marrë me agroturizëm dhe për t’ju dedikuar restorantit në buzë ujëmbledhësit në këtë fshat.

Angjelin Koleci, Oazi i Fishtës

“Ne duhet të shfrytëzojmë bukurinë natyrore që Fishta ofron”, thotë ai për Community Reporters. “Unë Fishtën e shoh në të ardhmen një mrekulli, sinqerisht. Fishta ndodhet në zonën e Zadrimës, ku Zadrima është e njohur ndër shekuj për mikpritje, për kulturë, për traditë, por mbi të gjitha Fishta ka një privilegj të jashtëzakonshëm: ka lindur Homeri, poeti At Gjergj Fishta, kjo është një diçka madhështore plus që Fishta ka”, përfundoi Angjelin Koleci.

Shtëpia e Fishtës dhe projektet

Shtëpia e At Gjergj Fishtës, u restaurua rreth një vit më parë nëpërmjet një investimi nga Ministria e Kulturës me një fond prej 5.5 milion lekë. Në përurimin e restaurimit të saj ishte edhe Kryeministri Edi Rama i cili u shpreh se “prej sot ka një arsye më shumë për t’u ndaluar e shijuar ajrin e natyrës dhe historisë shqiptare” duke e cilësuar At Gjergj Fishtën si “një ëndërrimtar dhe një usta”.

Frano Kulli

“Ka qenë një zonë mjaft e zhvilluar, e zhvilluar në kuptimin e jetesës. Bashkëngjitur me të, sigurisht që ka pasur një zhvillim domimant dhe në kuptimin e kulturës pastaj”, thotë Frano Kulli për Community Reporters.

Si njohës i mirë i jetës dhe veprës së Fishtës, ai na tregon se poeti ka banuar në rininë e tij të hershme në banesën e restauruar rishtazi.

“Pra në këtë shtëpi, Fishta ka banuar në vitet e hershme të fëmijërisë së tij, nga mosha 3-4 deri në 6-7 vjeç kur një françeskan me shërbesë ne dioqezën, Leonardo di Martino, një françeskan arbëresh, e kërkon nga familja që ta tërheqë bashkë me 5 fëmijë të tjerë të krahinës dhe I merr për studime. Në fillim i dërgon në Shkodër, pastaj mbas 3-4 viteve që bëjnë mësimet në një shkollë për të varfrit…pastaj i rikthen për studime më të kualifikuara në Kuvendin e Troshanit”, tregon ai për historinë e jetës së hershme të At Gjergj Fishtës.

I pyetur nga Community Reporters se nëse godina është hapur sërish që nga mbarimi i rikonstruksionit të saj ai thotë: “Unë këtu kam një moment ndoshta përjetimi dëshpërues, rastësia më ka sjellë që në ditën e inagurimit ku ka asistuar dhe zoti Kryeministër, mua më është dhënë rasti të mbaj atë fjalën e përshëndetjes….dhe e kam theksuar atë ditë dhe si shqetësim dhe si thirrje që urojmë që mbas ditës së sotme, kjo shtëpi të kthehet në një qendër e pelegrinazhit kulturor, sepse kjo është efekti i saj. Për fat të keq ka funksionuar ndoshta në disa ditët e fillimit dhe tani akoma është e pazgjidhur, ja ju tani e patë vetë që këtu ishte një familje nga Kosova” tregon Frano Kulli

Ai thotë se kontaktohet nga njerëz që kanë interes për ta vizituar shtëpinë, por mënyra se si ajo ndërtesë është e organizuar deri më tani lë shumë për të dëshiruar. Sipas Frano Kullit, shtëpia duhet të ishte funksionale dhe në shërbim të gjithë vizitorëve që duan të hyjnë aty dhe të marrin më shumë informacione për At Gjergj Fishtën.

Përveç restaurimit të shtëpisë së Gjergj Fishtës, falë programit “100 fshatrat”, fshati Fishtë ka përfituar edhe 2 rrugë të rinovuara, falë të cilave është lehtësuar ardhja e turistëve vendas dhe të huaj. Aksi “Rruga Nacionale-Fishtë, Bashkia Lezhë” dhe kryqëzimi i rrugës Nacionale Lezhë-Shkodër me rrugën e fshatit Fishtë, janë dy projekte infrastrukturore që kanë sjellë frymëmarrje për këtë zonë, e cila pret edhe përmirësimin e elektrifikimit, për të përmbyllur çështjen e infrastrukturës bazike që nevojitet për zhvillimin e turizmit. Community Reporters foli dhe me nënkryetarin e Bashkisë Lezhë, Ermal Pacaj i cili e vuri theksin tek tradita e kulinarisë së kësaj zone si një element kyç në zhvillimin e sektorit të agro-turizmit në Fishtë.

SHARE THIS POST

Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin

RELATED POSTS