Dënimet e gabuara të drejtësisë i kushtojnë miliona euro dëmshpërblime buxhetit të shtetit

Të dënuar gabimisht, qindra padi regjistrohen çdo vit në gjykatë për “Kompensim për burgim të padrejtë”. Këto “gabime” të drejtësisë shkaktojnë një dëm financiar që përllogaritet në miliona euro dëmshpërblime, ndërsa të dënuarit padrejtësisht vuajnë pasoja të rënda ekonomike, por edhe psikologjike.

Autor: Eni Ferhati

Emirjan Doçi, 31 vjeç, u arrestua nga agjentët e Antidrogës për shpërndarje heroine. Ngjarja u regjistrua më 15 nëntor të vitit 2018, në zonën e “21 Dhjetorit” dhe në momentin e arrestimit Emirjani ndodhej në tualetin e lokalit, vend ku u gjet një qese me lëndë narkotike.Gjatë këtij operacioni gjithashtu u gjeten të varura në mur, pas një dollapi, 22 doza heroinë, si dhe arrestua edhe shoku i tij E. D., të cilit iu gjet në xhup një dozë heroine, ndërsa pas kontrollit në automjetin e tij iu sekuestruan një peshore, një sasi kanabisi, 5 kapsolla detonatore, 2 pistoleta, pushkë sportive dhe dylbi.

Që në fillim të ndalimit i riu i mohoi akuzat, duke nisur kështu një betejë të gjatë me drejtësinë. Për më shumë se dy vite, ndërsa pretendimet e të riut ranë në vesh të shurdhër, ai qëndronte në paraburgim. Në dosjen hetimore, por dhe në vendimin e zbardhur të gjykatës, thuhet se ai bashkëpunonte me shtetasin E. D. Me arsim të mesëm dhe i padënuar më parë, Emirjan Doçi deklaroi se, në lokalin ku u zhvillua aksioni antidrogë, ai kishte lënë takim me shtetasin E. D., për shkak të një shume parash që i detyrohej këtij të fundit për punimet e duraluminit që i kishte bërë në banesë.

Në fashikullin e dosjes hetimore akuza ndaj Emirjan Doçit bazohej edhe te dëshmia e R. D., një përdorues heroine, po i arrestuar, që pohonte se në disa raste drogën ia kishte dhënë 31-vjeçari. Në dosjen hetimore, të udhëhequr nga prokurori Enklid Gjini, janë administruar edhe dëshmitë e oficerëve të Antidrogës E. D. dhe A. M., ndërsa nga ana e mbrojtjes së të pandehurit Emirjan Doçi u kërkua deklarimi i pafajshëm, pasi nuk u vërtetua përtej çdo dyshimi të arsyeshëm akuza e ngritur ndaj tij.

Pavarësisht provave të cunguara, më 6 maj të vitit 2020, trupa gjykuese, e kryesuar nga Ardian Kalia dhe Rexhina Merlika (anëtare) e Altin Abdiu (anëtar), vendosi dënimin me 7 vite burg për Emirjan Doçin, nën akuzën e “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim. Shoku i tij E. D., i akuzuar edhe për armëmbajtje pa leje të armëve dhe municioneve, u dënua me 8 vite burg.

U dënua padrejtësisht, kompensohet me 1.6 milionë lekë

Më 3 shkurt të vitit 2021, vetëm 10 muaj pas dënimit në Shkallën e Parë, trupa gjykuese, e përbërë nga Valdete Hoxha (kryesuese), Genti Shala (anëtar), Edlira Petri (anëtare), vendos prishjen e vendimit të Gjykatës së Tiranës dhe shpalljen të pafajshëm të Emirjan Doçit, duke urdhëruar lirimin e tij të menjëhershëm.

Në vendimin e zbardhur të Gjykatës së Apelit renditen një sërë shkeljesh që në fazat e para të hetimit dhe më tej, deri në dhënien e vendimit nga Shkalla e Parë, që çuan në këtë burgim të padrejtë të të riut.

Sipas vendimit të Apelit, që Investigative Network Albania e disponon, “gjykata e rrethit për të pandehurin Emirjan Doçi nuk ka analizuar në mënyrë të plotë në vendimin e saj dhe nuk ka marrë parasysh provat dhe faktet e mëposhtme: Mungesa e gjurmëve papilare të të pandehurit në lëndën narkotike, të gjendur në ambientet e lokalit ku është kryer arrestimi në flagrancë; Nuk ka ushtruar kontroll në banesën e të pandehurit, duke mos vepruar në mënyrë analoge; Sipas aktit të ekspertimit toksikologjik, Emirjan Doçi nuk është përdorues i lëndës së sekuestruar narkotike në vendngjarje; Dëshmitë kontradiktore të punonjësve të policisë në proces, ku kanë deklaruar se nuk kanë marrë pjesë në kontrollin e tualetit; Vlerësimi në mënyrë sipërfaqësore i deklarimeve të dëshmitarit R. D.”, – rendit disa nga “shkeljet”, Gjykata Administrative, teksa argumenton vendimin për lirimin e të riut.

I dënuari padrejtësisht, Emirjan Doçi 

Menjëherë pasi doli nga burgu, Emirjan Doçi, ku qëndroi për 2.2 vite (26 muaj), iu drejtua me padi gjykatës kompetente, (Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë), për burgim të padrejtë. Aktualisht, ai ka përfituar 1.6 milionë lekë të reja dëmshpërblim për çdo ditë qëndrimi në paraburgim, por në një rrëfim për INA MEDIA-n thotë se ndihet i dhunuar dhe i pashpërblyer për burgun e padrejtë që bëri.

“Qëndrova 2 vite e 2 muaj ose 811 ditë në paraburgim, – rrëfen për Investigative Network Albania Emirjan Doçi. – Isha i stresuar, për shkak se akuzohesha për një vepër penale që s`e kisha bërë. Unë jam punëtor, shtroj parkete si profesion. Nuk kam lidhje fare me këtë histori, ishte fati im i keq që u gjenda me njerëzit e gabuar, në vendin e gabuar”, – tregon i riu.

“Kërkova 3 mijë lekë/dita kompensim, por gjykata më caktoi vetëm 2 mijë lekë. Do bëj padi tjetër për dëm psikologjik, dëm imazhi etj. Jam shumë i pakënaqur me këtë dëmshpërblim, kaq kam shpenzuar brenda në burg dhe me avokatët. Ndërsa unë humba gjithçka, punën, lidhjet që kisha dhe tani vështirë se më merr njeri në punë… Duhet të ketë ligj penal për ata që shkelin të drejtat e njeriut”, – përfundon intervistën e tij Emirjan Doçi, që për shkak të kësaj historie ka nisur të interesohet se si funksionon sistemi i drejtësisë.

Saimir Vishaj, kreu i Dhomës së Avokatëve Penalistë, mendon se Gjykata Administrative mban një qëndrim diskriminues, jo vetëm sa i përket rastit të Emirjanit.

“Nuk ka lidhje që gjykata të bëjë interpretime, kur ligji ta njeh ndërkohë, që pasojat janë të pariparueshme, – sqaron kreu i Dhomës së Avokatëve Penalistë, Saimir Vishaj. – Të qëndrosh 2 apo 3 vjet në paraburgim apo burgim, do të thotë që jeta është shkatërruar”.Që në momentin që prokuroria kërkon apo gjykata vendos një masë sigurie “Arrest me burg” apo “Arrest në shtëpi”, kjo ka të bëjë me privimin e lirisë, që do të thotë se personi në hetim apo i pandehuri nuk mund të kryejë dot asnjë lloj pune, edhe pse kanë nevojë, edhe pse janë të martuar apo janë kryefamiljarë”, – sqaron më tej avokat Vishaj, ndërsa shton se hetimet për këto dy masa zgjasin nga 3 muaj deri në 3 vite.

Qindra raste në gjykata me pafajësi, miliona euro dëmshpërblim

Emirjani, i cili është dënuar dhe ka bërë burg në mënyrë të padrejtë si pasojë e “gabimeve të drejtësisë”, nuk është një rast i izoluar. Ministria e Drejtësisë pranon se çdo vit janë me qindra rastet që kërkojnë kompensim për burgim të padrejtë.

Për vitin 2020, në Gjykatat Administrative të Shkallës së Parë janë regjistruar gjithsej 214 çështje me objekt “Kompensim për burgim të padrejtë”. Rezulton se 110 çështje kanë përfunduar së gjykuari dhe 104 janë ende në proces gjykimi”, – sqaron për Investigative Network Albania Ministria e Drejtësisë në një përgjigje zyrtare.

Të dhënat e Ministrisë së Drejtësisë për “kompensim për burg padrejtësisht” për vitin 2020

“Lumi” i çështjeve që marrin pafajësinë dhe kërkojnë dëmshpërblim për burgim të padrejtë i kushton çdo vit miliona lekë buxhetit të shtetit. Rezulton se vetëm për tre vitet e fundit këto dënime të gabuara i kanë kushtuar 161 milionë lekë të reja ose 1.3 milionë euro buxhetit të shtetit. Më konkretisht, sipas të dhënave që Investigative Network Albania mblodhi nga Ministria e Financave dhe degët e Thesarit në vend për pagesat që janë alokuar nga buxheti i shtetit “Për vendime gjyqësore të formës së prerë, “Për kompensim për burgime të padrejta”, për vitin 2018 është alokuar fondi prej 70,199,594 lekësh; për vitin 2019 ky fond është 62,236,386 lekë; ndërsa për vitin 2020, kur edhe gjykatat kanë qëndruar mbyllur për një kohë të gjatë për shkak të rregullave të diktuara nga pandemia Covid-19, vlera e dëmshpërblimit të alokuar është 28,725,281 lekë”, – thotë Ministria e Financave për INA Media-n.

Drejtësi e vonuar, kompensim pas vdekjes

Beteja për kompensim për burgun e padrejtë rezulton shpeshherë të jetë një betejë jo fort e lehtë, madje ka raste kur kompensimi vjen pas vdekjes.

Referuar ligjit, personi, që është deklaruar i pafajshëm ose për të cilin është pushuar çështja penale me vendim gjykate të formës së prerë apo të prokurorit, ose është mbajtur në burg tej kohës së caktuar në vendimin e dënimit, gëzon të drejtën e kompensimit për burgimin e vuajtur.

Kristjan Preçi, paradoksalisht vuajti padrejtësisht plot 132 ditë burg, por, ndërsa akuzat nuk u vërtetuan asnjëherë, gjykata e shpalli të pafajshëm. Ironikisht, masa e dëmshpërblimit prej 1.5 milionë lekësh i doli, pasi ai humbi jetën.

Avokati Kondi Ilia, nga Dhoma e Avokatisë, Tiranë, i cili ka marrë përsipër disa çështje të kësaj natyre, akuzon se gjykatat shpeshherë tregohen “kokëforta”, edhe pse provat e fajësisë mungojnë.

Avokat, Kondi Ilia

“Ne, si zyrë, në këto raste kemi konstatuar si problematik faktin që organi i akuzës, edhe pse ka qenë i bindur që në krye të herës se i pandehuri nuk e ka kryer veprën penale, ka patur provat e mjaftueshme, sërish në gjykatë me “kokëfortësinë” më të madhe dhe në mënyrë abuzive ka kërkuar lënien në fuqi të masës “Arrest në burg”, në rastet kur mbrojtja ka kërkuar të paktën një masë më të lehtë, atë të “Arrestit në shtëpi”, parashikuar në nenin 232 pika D e Kodit të Procedurës Penale, – thotë për INA MEDIA, avokat Kondi Ilia. – Një nga këto raste, që unë përfaqësoj, u shqyrtua nga Gjykata Administrative e Shkallës së Parë, Durrës, ku gjykata pranoi padinë për “Kompensim burgimi të padrejtë” në vlerën maksimale që parashikon ligji për trashëgimtarët e të ndjerit Kristjan Preçi. Ky i fundit asokohe u la në “Arrest në burg” për 132 ditë padrejtësisht e më pas fitoi pafajësinë. Fatkeqësisht, Kristjani nuk jeton më, pasi ai humbi jetën nga tërmeti i nëntorit 2019”, – thotë avokat Ilia.

Të arrestuarit e “bujshëm” fitojnë kompensim për burgim të padrejtë

I arrestuar dhe i dënuar për gjobëvënie në vlerën e 100 milionë lekëve ndaj një biznesmeni, ish-gardisti, Fatos Skeja, fitoi pafajësinë në Gjykatën e Lartë në vitin 2017, e cila e rrëzoi dënimin e dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë dhe ajo e Apelit për Krime të Rënda. Për 360 ditë paraburgim dhe 435 ditë burgim, Gjykata Administrative e Apelit vendosi më 16 dhjetor 2020 kompensimin e ish-gardistit, Fatos Skeja, në vlerën e 1.6 milionë lekëve.

Gjykatës me padi për kompensim për burgim të padrejtë i është drejtuar edhe ish-sportisti i njohur shkodran, Armir Grimaj. Ish-portieri i “Vllaznisë”, aktualisht trajner i ekipit kombëtar të futbollit për femra, u arrestua në shtator të vitit 2018 gjatë operacionit të koduar “Oaz” si pjesë e një grupi kriminal, që trukonte ndeshje.

Kompensim për ditët e qëndrimit në burg për Teodor Mërtirin

Por, pasi iu veçua dosja, Grimaj u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Shkodrës në nëntor të vitit 2019 dhe tashmë ai kërkon kompensim për 119 ditë paraburgim dhe 229 ditë arrest në shtëpi. Për rastin e tij, çështja e kompetencës se cila Gjykatë Administrative do e shqyrtonte padinë, shkoi deri në Gjykatën e Lartë, e cila vendosi Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë, Tiranë si gjykatë kompetente.

Aktualisht, Grimaj është në pritje të vendimit të dëmshpërblimit.

Teodor Mërtiri është një tjetër i dënuar që ka fituar dëmshpërblim për dënimin e padrejtë. Gjyqtari i Gjykatës Administrative të Apelit, Ardian Dvorani, caktoi më 10 mars 2021 kompensimin me 440 mijë lekë të reja për 441 ditë paraburgim ose, e thënë ndryshe, 10 mijë lekë (të vjetra) për 1 ditë në qeli.

Edhe gjyqtarja Alkelina Gazidedja ka vendosur më 8 prill 2021 kompensimin e shtetasit Laurenc Kazazi në vlerën e 270 mijë lekëve për 277 ditë paraburgim të padrejtë (pra 1 mijë lekë për një ditë në qeli).

Kompensim diskriminues, të rishikohet ligji

Masa e kompensimit përcaktohet në bazë të ligjit Nr. 9381, datë 28.4.2005 “Për kompensimin e burgimit të padrejtë”. Sipas dispozitave ligjore, çdo i dënuar padrejtësisht ka të drejtë të dëmshpërblehet maksimalisht 2 000 lekë për një ditë burgim dhe 3 000 lekë për një ditë paraburgim.

Avokatët thonë se ka ardhur koha që ky ligj të rishikohet, për faktin se e kanë lënë në “dëshirën” e gjyqtarit se sa lekë do të vlejë një ditë burg i padrejtë dhe në shumë raste ata e zbresin këtë shifër në 1 mijë lekë të reja në ditë, shifër që për avokatët është diskriminuese.

“Konkretisht, neni 5/2, ligji i ka lënë diskrecion gjykatës në përcaktimin e masës së kompensimit, ku shprehet me termin “deri në 2 000 (dymijë) lekë dhe 3 000 (tremijë) lekë”. Thënë me fjalë të tjera, ka përcaktuar shumën maksimale në mënyrë shteruese, por gjykata mund të vendosë një shumë më të vogël/diskriminuese për shkak të termit “deri në…” e për pasojë kompensimi në vlerë minimale nuk është një kompensim i drejtë, duke dëmtuar direkt qytetarin, – thotë avokati Kondi Ilia.

Ekspertët argumentojnë se pasojat që sjell burgimi i padrejtë janë të shumta dhe në disa drejtime, duke shkaktuar vështirësi ekonomike, probleme psikologjike, madje në shumë raste personat kanë shkuar drejt divorcit, për shkak edhe të mentalitetit që kanë familjet shqiptare.

Saimir Vishaj, kreu i Dhomës së Avokatëve Penalistë

“Gjykata ka harruar edhe një qëndrim të sajin, që duhet të mbajë lidhur me dëmin moral, dëmin fizik apo çdo lloj dëmi që ka pësuar i pandehuri; nuk është thjesht vetëm se ka qenë i izoluar dhe ka mbetur pa punë, por edhe dëmi fizik dhe psikologjik që ka shkaktuar apo rastet që kanë shkuar deri në zgjidhjen e martesës. Këto janë dëme që gjykata duhet t’i rikualifikojë në pagesën e dëmit të shkaktuar, jo vetëm ditët e qëndrimit në burg”, – shprehet avokati penalist, Saimir Vishaj.

“Praktika ka treguar se drejtësia gabon dhe, nëse gabon, pasojat rikuperohen me vështirësi dhe kosto të mëdha për qytetarin”, – shton për Investigative Network Albania avokat Kondi Ilia.

Juristi Alfred Bari mendon se ligji i kompensimit për burgim të padrejtë “çalon” në disa pika.

“Përcaktimi i kompensimit është bërë sipas pagës minimale të kohës, më konkretisht, ajo e vitit 2005, kur është bërë ligji, ndërsa sot paga minimale ka pësuar rritje. Dhe, së dyti, ka një disbalancë të madhe ndërmjet një dite paraburgim për t’u kompensuar (që është maksimumi 3000 lekë) dhe pagesës së një dite burgim, si dënim alternativ (që është 5000 lekë)”, – sqaron juristi Bari.

Ai e konsideron absurde edhe mungesën e marrjes së përgjegjësisë nga ana e organeve kompetente, në rastin konkret, prokurorisë.

“Nëse këto të ardhura do t’i merreshin organit kompetent dhe jo buxhetit të shtetit, a do të ishin me strikt në kërkesat për caktimin e masave “Arrest ne burg” ?!”, – pyet me të drejtë ai.

Megjithëse ligji për kompensim për burgim të padrejtë, sipas juristëve, ka nevojë për rishikim, Ministria e Drejtësisë thotë për INA-n se një gjë e tillë nuk është në plan të ndodhë.

“Nuk janë planifikuar nisma ligjore që prekin ligjin nr. 9381/2005 “Për kompensimin e burgimit të padrejtë”, – shprehet Zyra e Shtypit në Ministrinë e Drejtësisë për Investigative Network Albania. Paradoksalisht, me dëmin e madh që shkakton, në zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë nuk ka ende asnjë ankesë të evidentuar deri më tani për burgim të padrejtë.“Pas verifikimit të kujdesshëm që u bë në dosjet që janë në proces (1080 të tilla nga 3780 në total, e shifrat ndryshojnë çdo ditë), nuk rezulton asnjë rast ankese pranë ILD, në lidhje me kompensim financiar për burgim të padrejtë”, – shprehet Zyra e Shtypit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për Investigative Network Albania.

Dëmi psikologjik, ekspertët ngrenë alarmin

Cenimi i shëndetit mendor është një ndër pasojat më të shpeshta dhe afatgjata që një dënim i padrejtë mund të lërë.

Aurela Agalliu, psikologe, e shikon më problematike situatën, në ato raste kur, ata që bien në pranga, janë përgjithësisht respektues ndaj ligjit dhe mendon se vlerësimi i pasojave psikologjike fillon që nga profili që ka individi i gjykuar padrejtësisht e deri tek elementet kulturore dhe sociale.

“Ata nuk kanë personalitet kriminal dhe si pasojë ndihen të gjykuar dhe lënduar nga akuzat e padrejta. Kjo ngjarje për ta konsiderohet traumë, e cila shoqërohet me pasojat psikologjike të çrregullimit të stresit post-traumatik. Humbasin besimin, mund të përjetojnë gjendje shoku si pasojë e frikës dhe mungesës së sigurisë”, – sqaron psikologia Agalliu.

Megjithatë, për të rreziku më i madh nga një dënim i padrejtë është frika e krijimit të një profili jo-dashamirës ndaj ligjit.

“Risku tjetër shumë i lartë është mundësia që në të ardhmen këta njerëz të jenë devijantë të rregullave. Është shumë e mundur që një njeri social dhe jo devijant ta bëjmë me profil kriminal, por është e pamundur plotësisht që një profil kriminal ta bëjmë social dhe respektues të ligjit”, – përfundon psikologia Aurela Agalliu për INA MEDIA-n.

“Ishte një periudhë shumë e errët për mua, – pranon për Investigative Network Albania Emirjan Doçi. – Humba punën, humba gjithçka. Në opinion e kam të vështirë, pasi të gjithë e dinë se kam qenë në burg dhe kjo për mua është e rëndë. Po përpiqem ta marr veten, por është shumë e vështirë. Më besoni, më është shembur krejt bota!”, – përfundon rrëfimin Emirjani, që ende është në kërkim të një pune.

SHARE THIS POST

Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin

RELATED POSTS