Fondi i Ekselencës, një program që synon të mbështesë studentët e shkëlqyer, është i mbuluar me hije dyshimi për favorizim e nepotizëm. Në listën e fituesve çdo vit klasifikohen fëmijë politikanësh, biznesmenësh apo njerëz të lidhur me pushtetin, edhe pse nuk përmbushin kriteret. Nga ana tjetër, Ministria e Arsimit ka nisur procedurat ligjore për kthimin e parave ndaj 18 kandidatëve, që përfituan deri në 50 mijë euro në vit, por ankohen se nuk gjejnë dot punë në Shqipëri.
Autor: Sabina Veizaj
Arian Bërdëllimës, studentit ekselent, iu desh të merrte borxhe nëpër familjarë e miq për të paguar studimet Master në Oksford.
I diplomuar në American University në Bullgari përgjatë viteve 2017-2011, në dy degë paralelisht, konkretisht Matematikë (3.96/4.00) dhe Ekonomi (3.70/4.00), ndonëse i plotësonte të gjitha kriteret për t’u mbështetur me bursë nga Fondi i Ekselencës, paradoksalisht iu mohua mbështetja.
Ariani, i cili aktualisht punon si profesor në Universitetin Teknik të Berlinit, tregon për Investigative Network Albania zhgënjimin nga skema e Fondit të Ekselencës.
Ai rrëfen se, pasi mbaroi studimet e larta në Bullgari, aplikoi dy vite radhazi, në vitin 2011 dhe në vitin 2012 për studime Master në Universitetin e Oksfordit dhe në të dyja rastet u pranua. Duke qenë se i plotësonte kriteret, aplikoi për bursë pranë Fondit të Ekselencës.
“Në vitin 2011 nuk e kapa dot datën për aplikim për bursë te Fondi i Ekselencës. Në vitin 2012, po. Në atë vit Universiteti i Oksfordit ishte një nga 15 universitetet më të mira në botë. Ky ishte dhe kriteri kryesor për Fondin e Ekselencës. I kalova fazat fillestare të plotësimit të dokumentacionit. U ftova edhe në intervistën finale, që u zhvilluan në muajin qershor 2012”, – shpjegon Bërdëllima, i cili ndërkohë ishte shpallur fitues nga Universiteti i Oksfordit për të nisur studimet Master në Ekonomi.
Përgjigjja përfundimtare doli në mars të vitit 2013, ku i njoftohej se nuk ishte shpallur fitues. Arsyeja kishte të bënte me një kriter shtesë, të vendosur në VKM-në nr. 875, të dhjetorit të vitit 2012, sipas të cilit “aplikuesi duhet të kishte një ndihmë financiare nga universiteti pritës”.
Bërdëllima e konsideron të padrejtë skualifikimin, duke qenë se ky kriter nuk ekzistonte, në kohën kur ai aplikoi për të përfituar nga Fondi i Ekselencës, por u vendos përgjatë kohës që po shqyrtohej dosja e tij.
Megjithatë ai i vijoi studimet pasuniversitare me shumë sakrifica. Gjeti një punë, ndërkohë që edhe studionte e pjesë të tjera të kostos së studimeve i mbuloi duke marrë hua nga familjarë. Në vitin 2014 ia doli të diplomohej për Master në Ekonomi në Oksford, një ndër universitetet më prestigjioze në botë.
I zhgënjyer, Arian Bërdëllima pohon se ka menduar ta ndjekë çështjen në rrugë gjyqësore, por “duhet të kesh njohjet e duhura në Shqipëri, që ta bësh këtë. Shto këtu që tërë këto vite kemi qenë pa gjykatë.”, – thotë ai.
Krejt ndryshe nga Ariani që u penalizua, Grei Muskaj përfitoi padrejtësisht një bursë të majme prej 200.5 mijë eurosh nga Fondi i Ekselencës.
Në vitin 2017 ai u shpall fitues në degën Stomatologji, në Universitetin Queen Mary në Londër të Mbretërisë së Bashkuar, por ky universitetet nuk ndodhej në listën e 15 universiteteve më të mira në botë, në vitin kur Grei u shpall fitues i bursës.
Megjithëse nuk përmbushte një ndër kriteret thelbësore, studenti Muskaj i kreu studimet nga viti 2012-2021, duke u financuar nga Fondi i Ekselencës që akordohet nga Ministria e Arsimit me rreth 50 mijë euro çdo vit, plus një biletë vajtje-ardhje.
Investigative Network Albania hulumtoi se Universiteti Queen Mary në Londër, referuar klasifikimit të Times Higher Education në vitin 2017, kur edhe u dha mbështetja për kandidatin Muskaj, nuk ishte në listën e 15 universiteteve më të mira në botë.
Përkundrazi, nuk radhitej atë vit (2017-2018) as ndër 100 më të mirët.
Ministria e Arsimit e argumentoi vendimin e mbështetjes së kandidatit Muskaj me Fondin e Ekselencës me faktin se Universiteti Queen Mary është një nga 6 universitetet më të mira të UK në listën e Clinical, Pre-Clinical and Health. Por, ky vendim i ministrisë është në kundërshtim të hapur me Vendimin e Këshillit të Ministrave.
Urdhri që shpall fitues Grei Muskajn
Madje, sipas hulumtimit të INA MEDIA-s, ky universitet nuk ishte as ndër 15 më të mirët për degën e përzgjedhur nga kandidati për student, Muskaj (Stomatologji).
Universiteti Queen Mary renditet në botë ndër vite në vendin e mbi 100.
Vendimi i Këshillit të Ministrave i vitit 2014 saktëson se një nga kriteret bazë të përfitimit të shumës financiare nga shteti për të kryer studimet jashtë kufijve të Shqipërisë është “të jenë pranuar në njërin nga 15 universitetet më të mira të botës, sipas renditjes së përgjithshme për vitin përkatës të aplikimit dhe/ose asaj specifike, sipas fushave, nga “Times Higher Education”.
Në këtë situatë, vendimi i MAS për ta mbështetur me bursë ka qenë favorizues, pavarësisht se Grei Muskaj është një student i shkëlqyer.
Nga ana tjetër, Grei Muskaj është djali i ish-anëtarit të Gjykatës së Lartë, Aleksandër Muskaj, duke shtuar edhe më shumë dyshimet për favorizim. Ky i fundit, në 2017 njoftoi largimin nga detyra, pasi i mbaroi mandati.
Këshilli i Lartë Gjyqësor, KLGJ, i ofroi pozicione në Gjykatat e Apelit, por, për shkak se ai i kishte refuzuar pozicionet, u konsiderua si dorëheqje dhe u vendos deklarimi i mbarimit të statusit të magjistratit. Komisioni vlerësoi se ai refuzoi t’i nënshtrohej vetting-ut dhe vendosi ndërprerje të procesit të rivlerësimit, si dhe sanksionin për ndalimin e rikthimit të tij në sistemin e drejtësisë.
Ndërhyrjet pranohen edhe nga Fatos Tarifa, i cili ka qenë për disa kohë anëtar i komisionit përzgjedhës të Fondit të Ekselencës.
“Një ndër problemet që vura re, ishin ndërhyrjet. Mua më është ndërhyrë në dy raste dhe kam vënë re që, kur është ndërhyrë te të tjerë, kanë përfituar”, – thotë profesor Tarifa për Investigative Network Albania.
Dyshimet për favorizime dhe hijet e nepotizmit për Fondin i Ekselencës shtohen edhe më, po t`i hedhim një sy listës së fituesve.
Referuar kësaj liste, që Investigative Network Albania e verifikoi, rezulton se fitues ndër vite janë fëmijë biznesmenësh, politikanësh, gazetarësh apo njerëz të lidhur me qeverinë.
Si ka funksionuar Fondi i Ekselencës ndër vite?
I konceptuar në vitin 2007 nën qeverisjen Berisha për studentët e shkëlqyer, Fondi i Ekselencës synon të mbështesë nga buxheti i shtetit studimet Bachelor, Master apo Doktoraturë në universitetet e huaja, më të mira, me kushtin që pas përfundimit të studimeve të kthehen për të punuar në shtet ose në privat për një periudhë trevjeçare në Shqipëri.
Kriteri kryesor është nota mesatare (9,5 shkencat shoqërore dhe 9 shkencat ekzakte dhe natyrore) dhe universiteti, ku është përzgjedhur kandidati, duhet të jetë një nga 15 më të mirët në botë, i listuar për atë vit ose një nga 15 më të mirët në botë për degën përkatëse, të përzgjedhur.
Fillimisht të drejtën e përfitimit e kishin kandidatët për studentë të nivelit të parë Bachelor, Master, Doktoraturë dhe nëpunësit civilë. Mandej, me VKM-në e vitit 2020 u pa e arsyeshme që të përjashtoheshin nga ky përfitim studentët që do të hynin për herë të parë në universitet.
Prej gati 14 vitesh më shumë se 500 studentë shqiptarë kanë përfituar për shkollimin e tyre në 15 universitetet më të mira të botës me shumën e mbi 2.1 mld lekëve (ose 150 mln lekëve në vit) nga buxheti i shtetit.
Aktivisti Endri Shabani është një tjetër ish-student i shkëlqyer, të cilit iu refuzua bursa. Në vitin 2013 ai u pranua për të kryer studimet Master në Universitetin e Oksfordit, ndaj menjëherë aplikoi për Fondin e Ekselencës.
Shabani rrëfen se, megjithëse i plotësonte kriteret, si të notës mesatare, si të universitetit ku ishte përzgjedhur të niste studimet, sërish nuk përfitoi nga Fondi i Ekselencës.
“Mesataren e kisha 10, ndërkohë që Universiteti i Oksfordit është renditur i pari në botë për më shumë se katër vite radhazi, – tregon Shabani. – Mua nuk më ftuan as në intervistë, që do të thotë se as më kanë short-listuar.”, – shpjegon ai.
Ai nuk u tërhoq dhe aplikoi sërish, histori, e cila përsëritet për herë të dytë si një déjà vu.
“Këtë herë ishte viti 2014 dhe isha pranuar për të vazhduar Doktoraturën sërish në Universitetin e Oksfordit. Sërish rezultatet ishin maksimale, pasi Masterin në Oksford e përfundova me rezultate të shkëlqyera (mora ‘distinction’ – student i dalluar). Por, edhe këtë herë nuk arrita ta bind panelin përzgjedhës të Ministrisë së Arsimit.”, – rrëfen Shabani.
Ai thotë se ka qenë me fat që Universiteti i Oksfordit ka një sistem më të drejtë se sa ministria e Shqipërisë. “Për pasojë, në të dyja herët, – shpjegon Shabani, – përfitova nga bursat e universitetit.”
Për studimet Master universiteti i mbuloi tarifën universitare, ndërsa për Doktoraturën fitoi bursën Clarendon, e cila është një ndër bursat më prestigjioze në botë.
Marrin lekët, por nuk kthehen për të kontribuuar
Përfitimi nga Fondi i Ekselencës vjen së bashku me detyrimin për të dhënë së paku për tri vite kontributin në vendin tonë.
Në bazë të VKM-së së vitit 2014, “përfituesit që pas përfundimit të studimeve nuk provojnë të kenë aplikuar për punë në Shqipëri dhe të jenë regjistruar si të papunë në zyrat e punës, detyrohen t`i kthejnë Ministrisë së Arsimit shumën e marrë në formë burse nga Fondi i Ekselencës brenda 6 muajve”.
Burime pranë Ministrisë së Arsimit tregojnë për Investigative Network Albania se të diplomuarit në universitetet më të mira në botë përmes Fondit të Ekselencës ndër vite, në 90% të tyre nuk e kanë zbatuar aktmarrëveshjen me Ministrinë e Arsimit për të kontribuuar tre vite në Shqipëri pas përfundimit të studimeve.
Një pjesë e madhe e tyre, edhe pse të pavërtetuara përmes sistemit TIMS apo Institutit të Sigurimeve Shoqërore, pasi nuk ka një bazë ligjore që e kërkon këtë gjurmim, kanë nënshkruar kontrata fiktive, me rroga minimale me kompani të vogla në periferi të vendit, me qëllim që të mos detyrohen të kthejnë shumën e parave që i detyrohen shtetit, si rezultat i moszbatimit të aktmarrëveshjes ose deklarohen si të papunë në zyrat e punësimit të qyteteve nga janë, duke qenë se ligji ua njeh papunësinë si kohë të shlyerjes së detyrimit.
Investigative Network Albania disponon një memo të brendshme të institucionit, ku shprehet shqetësimi në lidhje me 18 studentë që sipas dokumentacionit janë diplomuar dhe duhet të kishin aplikuar për punë në Shqipëri, por nuk janë kthyer.
Ky kontingjent, sipas memos, është për çeljen e proceseve gjyqësore.
Memoja, e cila mban datën 4 nëntor 2020 dhe i drejtohet ministres së Arsimit, Evis Kushi, nxjerr në pah një tjetër skandal të Fondit të Ekselencës. Një pjesë e kandidatëve, në kundërshtim me marrëveshjen dhe VKM-në, vijojnë praktikën në vendet e huaja, ku janë diplomuar, një pjesë tjetër kanë lidhur kontrata konsulence me kompani shqiptare, periferike dhe vijojnë të jetojnë jashtë; disa syresh dërgojnë vërtetime papunësie, ndërkohë që nuk vërtetojnë se kanë aplikuar gjetkë për punë.
“Është totalisht e papranueshme, – thuhet në memo, – që të pranohet si shlyerje e detyrimit papunësia vullnetare e disa aplikantëve, të cilët marrin vërtetime papunësie e ndërkohë mund të jenë jashtë vendit”.
Referuar memos, 18 kandidatë, konkretisht: Arsela Istrefi, Ervin Duva, Egi Bendo, Joris Gjata, Orjola Shahaj, Erjona Topalli, Gerta Malaj, Daniela Muhaj, Klea Matia, Klevis Tefa, Rei Rrëmbeci, Eneos Çarka, Iva Ballvora, Anisa Lulo, Keidi Kapllani, Ilena Meçe, Megan Gjuraj, Patris Pustina, nuk kanë përmbushur detyrimin për t`i kthyer paratë e përfituara, por japin argumente nga më absurdet, që nga mosgjetja e një pune në Berat apo të tjerë që ankohen për situatën e krijuar nga Covid dhe iu është dashur të kujdesen për familjarët.
E gjithë kjo listë me 18 kandidatë, sipas burimeve të Investigative Network Albania është duke u ndjekur në procese gjyqësore për kthimin e shumës së parave.
Zyrtarisht, Ministria e Arsimit thotë se po verifikon të gjitha procedurat e kandidatëve.
“Aktualisht, – thotë ministria, – Sekretariati teknik i Fondit të Ekselencës është duke shqyrtuar dosjet përkatëse të studentëve për të evidentuar numrin e saktë të tyre, të cilët, pas përfundimit të universitetit, duhet të rikthehen në Shqipëri, për t’u punësuar, si dhe të atyre, të cilët kanë mangësi në dokumentacionin e depozituar. Në përfundim të këtij shqyrtimi, MASR do të vijojë me ndjekjen e procedurave ligjore për kthimin e shumës së përfituar nga Fondi i Ekselencës”.
Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Arsimit tregojnë se “në vitin 2018 nuk ka studentë që e kanë kthyer mbështetjen financiare. Në vitin 2019 ka patur dy studentë që e kanë kthyer mbështetjen financiare, përkatësisht: Gersi Legisi, Jona Hoxha. Në vitin 2020 Enid Lucaj ka kthyer mbështetjen financiare.”
Nisur nga kjo problematikë e thekshme, në VKM-në e vitit 2020 është vendosur që të gjithë përfituesit e Fondit të Ekselencës në përfundim të studimeve të tyre duhet të kthehen në Shqipëri dhe të punojnë në shtet për dy vite.
Ekspertët sugjerojnë se shteti duhet të vendosë mekanizma më të rreptë për të gjurmuar përfituesit e fondeve publike.
Profesor Tarifa këmbëngul që me këto fonde duhet të inkurajohen dhe nxiten shkencëtarët për Doktoraturë dhe kërkuesit shkencorë, të cilët, kur të kthehen, të kontribuojnë në vend, ku të punësohen me rroga të nivelit perëndimor.
Të dhënat e përpunuara nga Investigative Network Albania referuar listës së MAS, që ka mbështetur me bursë kandidatët prej vitit 2014-2021, nga 217 studentë të financuar, vetëm 9 prej tyre kanë qenë Doktoratura.
Mes doktorantëve të financuar vërehet Joniada Bajraba, 2014-2015, Doktoraturë për studime migracioni në Universitetin e Sussex-it, Mbretëri e Bashkuar. Universiteti nuk i plotëson kriteret si një nga 15 më të mirët në botë dhe as për profilin e përzgjedhur. Joniada Bajraba është vajza e Kosta Bajrabës, këshilltar në Partinë Socialiste.
Rastet flagrante, që ka arritur të zbulojë Investigative Network Albania, tregojnë që mungesa e transparencës, që përshkon këtë hallkë të zinxhirit të arsimit elitar, që financohet nga shqiptarët e varfër, është burim shkeljesh të rënda dhe ka nevojë emergjente për t`u riparë si proces.
Shumë lekë, pak informacion
Për ish-anëtarin e komisionit të përzgjedhjes, Fatos Tarifa, Fondi i Ekselencës ka shumë probleme dhe nuk shkon atje ku duhet.
“Kur vjen puna për të dhënë një fond kaq të madh për një vend të vogël dhe të varfër, kushdo mund të aplikojë, por jo të gjithë kanë patur mundësi të informohen. Dhënia e informacionit ka qenë diskrete dhe rrjedhimisht kanë aplikuar ata njerëz, që kanë qenë të lidhur me sistemin. Numri i studentëve ka qenë i paktë dhe pothuajse, kush aplikonte, fitonte, sepse buxheti ishte”, – thotë Tarifa.
Po ashtu, ai mendon se mbështetja për studimet Bachelor është e pajustifikuar.
“Financimi i nivelit Bachelor me 90 mijë USD p.sh., në vit, ku me këtë shumë mund të bëhej një Master dyvjeçar në SHBA ose në universitetet më të mira në Europë dhe në një degë që ka nevojë vendi, nuk duhet të shkojë për formimin Bachelor. Këto studime nuk duhet të inkurajohen me paratë e shtetit, sepse janë të nivelit të ulët dhe shoqëria shqiptare nuk përfiton. Të jepet rrallë për Master dhe të investohet në kërkime shkencore.”, – thotë profesor Fatos Tarifa, i cili, për një periudhë kohe, kur ministrinë e ka drejtuar Lindita Nikolla, ka qenë anëtar në Komisionin e Fondit të Ekselencës.
Taulant Muka, i cili vetë është përfitues i një tjetër burse prestigjioze, si Erasmus, thotë se ka shumë pak informacion rreth Fondit të Ekselencës.
“Si shpërndahen këto bursa? Kush i merr dhe a kthehen në vend studentët që përfitojnë nga këto bursa në fund të programit të studimeve? Nëse nuk kthehen, është një investim i çuar dëm nga qeveria shqiptare”, – argumenton studiuesi në fushën e mjekësisë, Taulant Muka, i cili për një periudhë të shkurtër në vitin 2018 ka qenë zëvendësministër Arsimi.
Ai ngul këmbë se bursat duhet të jenë në bazë të prioriteteve që vendi ynë ka për t`u zhvilluar në vitet e ardhshme.
Muka thotë se, gjatë kohës që ka mbajtur këtë pozicion, ka kërkuar informacion, por të paktën gjatë kohës së qëndrimit të tij në ministri nuk mund të kishe akses te këto të dhëna.
“Kam përshtypjen që kjo çështje ishte pak diskrete.”, – shpjegon ai.
Ajo që vërejnë ekspertët si problematikë të thekshme lidhur me Fondin e Ekselencës, është mungesa e theksuar e transparencës, si në informacion dhe proces, po ashtu edhe ndërhyrjet dhe nepotizmi.
“Fondi i Ekselencës duhet të funksionojë si një ‘hardship fund’, i cili iu jepet atyre që kanë më tepër nevojë. Kam parë fëmijë, që vijnë nga familje të pasura, fëmijë ministrash, deputetësh, gazetarësh apo biznesmenësh, që e kanë marrë këtë fond, megjithëse në bindjen time ata janë në një nivel ekonomik që nuk kanë nevojë për ‘ndihmë’ nga buxheti i shtetit. Përveç meritës, duhet domosdoshmërisht marrë në konsideratë edhe nevoja ekonomike e studentit, duke iu dhënë prioritet atyre që vijnë nga familje me të ardhura të kufizuara financiare. Janë pikërisht ata që e kanë jetike këtë mbështetje. E dyta, këto bursa financohen nga paratë publike, prandaj ka nevojë për një transparencë shumë herë më të lartë.”, – sugjeron Endri Shabani.
Kurse për Taulant Mukën thelbësor është një buxhet më i madh për këtë zë.
“Kostot e një Doktorature në Zvicër e kalojnë shumën 130,000 euro. Shuma e vënë në dispozicion nga qeveria shqiptare nuk mjafton të diplomosh 10 doktorantë në 3 vite në një vend të zhvilluar. Së dyti, bursat duhen dhënë në fusha studimi që janë prioritet për të zhvilluar sektorë të rëndësishëm në vendin tonë”, – sugjeron Muka, ndërsa shton se ky proces ka nevojë për më shumë transparencë e meritokraci.