Zonat e mbrojtura “pushtohen” nga aktivitetet e paligjshme, gurore dhe “sëpatë” mbi pyje shekullorë

Mali i shenjtë i Tomorit, Parku Kombëtar i Lurës, si dhe pyjet natyrorë të Shebenik-Jabllanicës nuk i kanë shpëtuar masakrës mjedisore, edhe pse kanë status të veçantë. INA MEDIA ka mundur të dokumentojë me foto e video se sëpata mbi pemët në parqet kombëtare nuk është ndalur për asnjë moment, ndërkohë që Tomori vazhdon e zhvishet nga pllakat e gurit, një aktivitet i ndaluar që në vitin 2019.

 Autorë: Erjola Azizolli, Neki Feta dhe Endi Olldashi

Asfaltimi i rrugës që të çon drejt malit të shenjtë të Tomorit i ka rritur shpresat e banorëve të zonës për rigjallërimin e jetës.

Myqerem Muço, banor i fshatit Kapinovë, që shet prodhimet e tij buzë rrugës, është i vetëdijshëm se zona ka një potencial të jashtëzakonshëm, turistik.

Në vitin 1973 në Kapinovë është inauguruar për herë të parë pika turistike në zonë, ku vinin sportistë, studentë, që shijonin bukuritë e rralla të Kapinovës dhe të malit të Tomorit”, – thotë Myqeremi.

Por, Myqeremi, ashtu si edhe banorët e tjerë të kësaj zone, që ka filluar e merr frymë, i trembet aktivitetit të nxjerrjes së gurit në malin e shenjtë të Tomorit, i cili vazhdon ende në mënyrë të paligjshme.

Myqerem Muço, banor i fshatit Kapinovë

Nxjerrja e gurit është një plagë e vjetër. Vazhdon të nxirret, edhe pse po mundohen ta ndalojnë. Një pjesë janë të pandërgjegjshëm, një pjesë thonë që kanë licencë”, – pohon Muço.

I shpallur Park Kombëtar për herë të parë në vitin 1956, për thuajse dy dekada me radhë mali i shenjtë i Tomorit iu nënshtrua një masakre agresive dhe të pashembullt për nxjerrjen e gurit dhe mermerit.

Fillimisht nga vetë banorët e zonës, e më pas mali i Tomorrit u pushtua nga dhjetëra kompani të ndryshme që gërmonin pa pushim për gurin e shenjtë.

Në vitin 2019 kufijtë e kësaj zone të mbrojtur u zgjeruan, ndaj u mor vendimi për mbylljen e të gjitha guroreve që zhvillonin aktivitetin brenda kufijve të rinj të Parkut Kombëtar të Tomorit.

Por, duket se “moratoriumi” ndaj guroreve nuk ka dhënë ende efekt.

Ndërsa i largohesh Kapinovës dhe përshkon fshatrat e tjerë për të mbërritur në mal, në të dyja anët e rrugës përballesh me pirgje pllakash guri, duke dëshmuar se puna në mal nuk ndalet.

Investigative Network Albania mundi të dokumentojë me foto dhe video se ka ende kantiere të hapura, që gërmojnë për nxjerrjen e pllakave të gurit.

Disa punëtorë, që po gërmojnë në gurore, fshihen pas karrierave të gurit, menjëherë sapo shikojnë lëvizje në rrugë.

Punëtorë duke nxjerrë gurë brenda Parkut Kombëtar të Tomorit

Kjo masakër mjedisore vazhdon të ndodhë, edhe 4 vite pasi ish-ministri i Mjedisit, Blendi Klosi, ndërmori një aksion të bujshëm për mbylljen e guroreve brenda zonave të mbrojtura dhe konkretisht në malin e Tomorrit dhe atë të Krujës.

 “As në malin e Krujës e as në malin e Tomorit nuk e ushtron aktivitetin asnjë gurore e palicencuar”, – rikonfirmoi ai gjatë një konference shkencore në vitin 2020, por të dhënat e grumbulluara nga Investigative Network Albania dëshmojnë se statusi i zonës së mbrojtur nuk i ka shpëtuar nga masakrat mjedisore parqet kombëtare.

Ermelinda Mahmutaj, botaniste, e ka studiuar malin e Tomorit edhe nga pikëpamja e qëndrueshmërisë, por edhe nga ajo e shfrytëzimit.

Sipas saj, tentativa e Ministrisë së Mjedisit për të bllokuar lejet mjedisore rezultoi e dështuar, sa kohë që leja e shfrytëzimit ka një afat që shkon deri në 30 vite.

Është e pamundur t`i ndalosh, por ama këto leje mbi 30-vjeçare të shfrytëzimit mineral duhet të inspektohen: Sa është sipërfaqja? Ku është sipërfaqja dhe pse shtrihen ato në zonat buferike të Parkut Kombëtar të Tomorit?”, – argumenton ajo.

Duke qenë se e kishin aktive lejen e shfrytëzimit, subjektet zgjodhën rrugën ligjore, duke paditur në Gjykatën Administrative vendimin për ndalimin e aktiviteteve dhe njëra pas tjetrës disa fituan, disa janë ende në procese, ndaj ekspertja shpjegon se aktiviteti i tyre vijon, për aq kohë sa nuk iu është ndaluar leja e shfrytëzimit.

Sipas saj, ajo që po ndodh me malin e Tomorit, është tejet shqetësuese dhe e ka dëmtuar ekosistemin në mënyrë të pakthyeshme.

Në Parkun Kombëtar të Tomorit kemi një masakër, një krim mjedisor, i cili nuk ngjason me asnjë tjetër në të gjitha parqet kombëtare të vendit. Në Parkun Kombëtar të Tomorit nuk kemi një aktivitet gur-nxjerrës, por mbi 12 aktivitete gur-nxjerrëse”, – thotë Ermelinda Mahmutaj, botaniste dhe aktiviste mjedisore.

Gurore brenda Parkut Kombëtar të Tomorit

Masakra mjedisore në malin e Tomorit konfirmohet edhe nga institucionet ligjzbatuese.

Administrata e Zonave të Mbrojtura në Berat, që administron edhe zonën e Parkut Kombëtar të malit të Tomorit, pranon se gjatë inspektimeve dhe monitorimit nga rojet mjedisore janë konstatuar me dhjetëra raste të nxjerrjes së pllakave të gurit në mënyrë të paligjshme.

“Për ndalimin e abuzimit me nxjerrjen e pllakave të gurit janë mbajtur gjithsej 49 proces-verbale konstatimi kundërvajtje. Nga këto, në vitin 2019 janë mbajtur 8 proces-verbale; në vitin 2020 janë mbajtur 27 proces-verbale; në vitin 2021 janë mbajtur 14 proces-verbale”, – ishte përgjigjja e Administratës së Zonave të Mbrojtura për INA MEDIA-n.

Masat administrative për subjektet e nxjerrjes së gurit nuk kanë munguar ndër vite edhe nga institucione të tjera që lidhen me mjedisin.

Edhe Inspektorati Shtetëror i Mjedisit, Pyjeve, Ujërave dhe Turizmit (ISHMPUT), në Berat, konfirmon se ka konstatuar shkelje me lejet mjedisore nga subjektet që kryejnë aktivitetin e shfrytëzimit dhe nxjerrjes së guroreve, si dhe të shfrytëzimit të karrierave të gurit.

 “Në zonën e Novajt, Bashkia e Skraparit, janë vendosur ndër vite 10 masa administrative dhe pezullim”, – tha zyrtarisht ISHMPUT, Berat.

Edhe policia vendore është e përfshirë në aksionin kundër prerjeve të paligjshme të pyjeve dhe aktivitetit të nxjerrjes së gurit, ndërsa organi i akuzës në Berat bën me dije se ka regjistruar disa procedime.

Lidhur me abuzimet në zonat e mbrojtura, gjatë vitit 2021, janë referuar pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor, Berat 48 materiale për veprën penale “Dëmtim i habitateve në zonat e mbrojtura, mjedisore”. Këto materiale referuese kanë si objekt dëmtimet e mundshme në zonën e mbrojtur të malit të Tomorit”, – sqaron Prokuroria e Beratit, e cila saktëson se 4 procedime penale janë dërguar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Berat dhe janë ende në gjykim, ndërsa procedimet e tjera janë ende në hetim.

Si zgjidhje të situatës Mahmutaj shikon vetëm ndalimin e aktivitetit, duke gjetur mundësi për të mos i rënduar palët, por për të gjetur zgjidhje për të shpëtuar Parkun Kombëtar të malit të Tomorit, që përfshin një sipërfaqe prej 26106.27 hektarësh.

Duhet ndaluar aktiviteti që sjell dëmin. Nuk jemi për një ndalim të aktivitetit që sjell dënim në kurriz të palëve, prandaj është shumë e mirë që palët dhe gjithë faktorët e interesit të ulen dhe të shikojnë, ku qëndron problemi”, – thotë ajo.

Lura, e zhveshur nga bukuritë e saj

Dikur një parajsë e vërtetë, sot Parku Kombëtar i Lurës është shkretuar nga prerja e pemëve, që vazhdon prej 3 dekadash.

Me një sipërfaqe prej rreth 1280 hektarësh, e lënë në harresë dhe në mëshirë të fatit, banorë të zonës, por edhe qindra kompani të paligjshme nuk i kanë kursyer sëpatat mbi pyjet e rrallë të Lurës.

Masakra mjedisore në Lurë 

Me një rrugë të pashtruar, e cila përshkohet vetëm me një makinë të destinuar për terrene të vështira, në vend të Lurës magjike të kartolinave përballesh me trungje të tëra pemësh të prera dhe të djegura dhunshëm.

Shteti vetë i ka prishur pyjet. I shkatërroi vetë me njerëzit e vet, pasi nuk i ruajti. Abuzim në të gjitha llojet e drejtimeve”, – thotë një nga banorët e zonës, i cili nuk ka dëshirë të identifikohet.

Por, ndryshe nga realiteti i dhunshëm që shpërfaqet në Lurë, autoritetet lokale pretendojnë se në këtë park e kanë shtuar sipërfaqen e mbrojtur dhe prerjet e paligjshme janë pothuajse inekzistente.

Parku Kombëtar i Lurës, sot Parku Kombëtar Lurë-Mali i Dejës, i ka zgjeruar kufijtë i tij, nga 1280 ha që ishte, në 20242 ha. Prerjet e paligjshme në Parkun Kombëtar Lurë-Mali i Dejës janë pothuaj inekzistente dhe ndërkohë ne po punojmë edhe me projekte të tjera, që të shtojmë numrin e mbjelljeve me fidanë pyjorë/frutorë, për të kontribuuar bashkë me rritjen natyrale që vjen nga mbrojtja e tyre”, – deklaron Agjencia Rajonale e Zonave të Mbrojtura, Dibër.

Madje, Zonat e Mbrojtura në Dibër pretendojnë se nga viti 2015 deri në vitin 2021 rezultojnë aktivitete të paligjshme në pyje/kullota 6 raste gjithsej.

Kemi të evidentuar vetëm një procedim penal, të regjistruar për “Prerje të paligjshme pyjesh”, ku janë arrestuar në flagrancë dy shtetas dhe janë me masë sigurimi “Arrest me burg” dhe një tjetër është proceduar në gjendje të lirë”, – deklaroi Prokuroria e Dibrës për INA MEDIA -n.

Por, të dhënat e Zonave të Mbrojtura të Dibrës në lidhje me numrin e stafit dhe logjistikës, që iu duhen për ta monitoruar këtë zonë, i zbehin shifrat optimiste të institucioneve lokale për shkelësit e ligjit.

ADZM, Dibër shpjegon se në strukturat e saj janë vetëm 7 punonjës, konkretisht, përgjegjësi i monitorimit, 3 specialistë dhe 6 rangers (roje mjedisore), të vendosur në zonat e mbrojtura të këtij qarku dhe veçanërisht në Parkun Kombëtar Lurë-Mali i Dejës.

Për vetë sipërfaqen që ka Parku Kombëtar Lurë-Mali i Dejës dhe terrenit të vështirë që ka ky park, do të ishte e nevojshme të kishte shtesa stafi, pasi një ranger nuk mund të mbulojë më shumë se 2000 ha, kjo referuar normativave për monitorimin dhe mbrojtjen e pyjeve në terrenet malore. Në Parkun Kombëtar Lurë-Mali i Dejës aktualisht kryejnë funksionin vetëm 2 ranger”, – shprehet ADZM, Dibër.

Sipas përllogaritjes së bërë prej vetë atyre, rezulton se këta 2 ranger mund të kontrollojnë vetëm 1/5 e sipërfaqes së këtij parku.

E gjendur në këtë situatë, Bashkia e Dibrës po i jep një dorë ADZM, ndonëse nuk është në detyrat e saj, funksionale mbrojtja e parqeve kombëtare.

Punonjësit e strukturës kontrolluese dhe inspektuese, të krijuar në bashki, pavarësisht ekonomive pyjore që kanë në ruajtje, janë urdhëruar që të veprojnë edhe për rastet e konstatimit të ndërhyrjeve të kundërligjshme në tërësi në zonat e mbrojtura, duke bashkëpunuar me Drejtorinë e Policisë dhe ADZM rajonale, Dibër”, – shpjegon Ramazan Zili, drejtori i Bujqësisë në Bashkinë e Dibrës.

Kurse për drejtorin e Pyjeve në Bashkinë e Dibrës situata në pyje është kritike dhe ka ardhur koha që të vëmë alarmin.

Sidomos në kushtet kur popullsia e zonës e përdor për ngrohje dhe kërkesa është shumë e lartë, strukturat ligjzbatuese e kanë shumë të vështirë ta përballojnë”, – shprehet drejtori Tafa.

Ened Mato, aktivist, i cili në vitin 2015 nisi një fushatë pyllëzimi, Të gjithë për Lurën, duke mbjellë deri më tani mijëra fidanë, thotë se ndërhyrja e shtetit është inekzistente.

“Institucionet nuk janë ndërgjegjësuar, pasi ne nuk kemi asnjë buxhet vjetor mbjelljeje, ndryshe nga Kosova. Vendi fqinj buxheton çdo vit rreth 8 milionë euro për mbjelljen e parqeve dhe pyjeve”, – thotë ai.

Në kushtet ku ndodhen pyjet dhe zonat e mbrojtura të vendit, sipas Matos, institucionet vendore dhe qendrore duhet të bëjnë më shumë.

“Nuk ka asnjë nismë nga shteti shqiptar për fidanishte shtetërore dhe programe të mbjelljes vullnetare. Kjo do i shërbente në afatgjatë vendit, si për edukimin e brezave, edhe për pasjen në gjendje të pemëve kryesore që kërkon ekosistemi ynë”, – sugjeron ai.

Drejt shkatërrimit edhe parku Shebenik-Jabllanicë

Prerja masive e pemëve në Parkun Kombëtar të Shebenik-Jabllanicës, me një sipërfaqe prej afro 34 mijë ha, po shkatërron pyllin natyror, të mbrojtur nga UNESCO.

Masivi Shebenik-Jabllanicë e ka marrë statusin e Parkut Kombëtar në vitin 2008, duke u bërë kështu parku më i ri, por edhe më i madhi në vend. Ai është pjesë e brezit të gjelbër të Europës dhe ka një sipërfaqe prej 33.900 hektarësh.

Ndërsa në korrik të vitit 2017 rreth 2 000 hektarë me pyje të moçme dhe të virgjëra ahu, me vlera të mëdha biologjike, të njohura si pyjet e Rrajcës, u përfshinë në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.

INA MEDIA udhëtoi pikërisht në brendësi të këtij parku, ku u përball me një masakër mjedisore, me trungje të prera e të stivuara në mes të pyllit. Banorët thonë me frikë se ato priten, me pretekstin për të pastruar pyllin.

Ka filluar që në kohën e moratoriumit kjo formë e prerjes së pyjeve. Vijnë kompani dhe i presin të reja e të vjetra, të thata e të njoma. Ne nuk na lë njeri t’i presim, se na thonë jeni të krahut tjetër. Nuk ma merr mendja se jep njeri leje, se është pyll, por sebepi se do marrin dru pishe… e marrin dru lisi”, – shpjegon një banor i Kostenjës së Librazhdit.

Të gjitha pyjet tona janë dëmtuar. Pas prerjes i vinin zjarrin. E njëjta situatë është edhe në pjesën e pyllit të bashkisë”, – denoncon një ish-punonjës i pyjores, i cili tregon se me drutë e tyre mbushen kamionët që shiten në Tiranë.

Kjo, sipas banorëve, ndodh, si ditën ashtu, edhe natën, madje edhe nën hundën e policisë, e cila ishte e pranishme në zonë edhe gjatë vizitës sonë në këtë park kombëtar, ndërsa kamionët e kompanive private shtrojnë rrugë të reja për të kaluar në drejtim të pyjeve.

Siç duket edhe nga këto pamje të fiksuara nga Investigative Network Albania, në mes të ditës dhe pa droje kamionët vazhdojnë e ngarkohen me drutë e rrallë të parkut natyror Shebenik-Jabllanicë për të përfunduar më pas, ose si dru zjarri, ose në tregun e zi të përpunimit të drurit.

Kamionë të ngarkuar me lëndë drusore brenda Parkut Kombëtar Shebenik-Jabllanicë
Lëndë drusore gati për transport brenda Parkut Kombëtar Shebenik-Jabllanicë

Dëmtimi i parkut kombëtar pranohet edhe nga specialistët e mjedisit, të cilët shprehen se, megjithëse është krijuar një bazë ligjore, sërish ka probleme, sidomos për shkak të mungesës së personelit.

Në Parkun Kombëtar Shebenik-Jabllanicë nuk vazhdon të bëhet me seriozitet puna e organeve kompetente. Atje kanë ndodhur shumë dëmtime, sidomos me prerje, por ka edhe ndonjë zjarr”, – shprehet eksperti i mjedisit, Ahmet Mehmeti.

Kamionë të ngarkuar me lëndë drusore brenda Parkut Kombëtar Shebenik-Jabllanicë

Ndërsa prokuroria pretendon se po heton rastet e referuara nga organet e tjera, ligjzbatuese.

Nga verifikimi i bërë rezulton se për periudhën janar-tetor 2021 janë regjistruar 4 procedime penale, ku 1 është referuar nga Drejtoria e Policisë, Elbasan dhe tri të tjerat nga subjekte apo shtetas. Të 4 procedimet penale janë në fazën e hetimit”, – shprehet Prokuroria e Elbasanit.

Ndërsa akuzon për neglizhencë, eksperti i mjedisit, Ahmet Mehmeti, thotë se stafet gjenden në vështirësi të madhe, pasi është e pamundur të mbulosh një sipërfaqe kaq të madhe.

“Kemi neglizhencë totale të vetë stafit atje, por nga ana tjetër çfarë mund të bëjnë 10 vetë, që kanë një makinë, përballë një sipërfaqeje prej 300 hektarësh”, – shprehet Mehmeti.

Mungesa e stafit pranohet edhe nga ADZM Rajonale e Elbasanit, e cila kërkon personel shtesë për të mbajtur nën kontroll shkatërrimin e parkut kombëtar.

Për vetë sipërfaqen e madhe që ka Parku Kombëtar Shebenik-Jabllanicë, do të ishte e nevojshme të kishte shtesa stafi (pasi në park aktualisht kryejnë funksionin 8 ranger), sepse terreni është shumë i vështirë dhe një ranger nuk mund të mbulojë më shumë se 2000 ha. Ndërkohë, në parkun kombëtar çdo ranger mesatarisht mbulon dyfishin e normativës së parashikuar”, – shprehet ADZM, Elbasan.

Madje, këta punonjës edhe janë kërcënuar me armë herë pas here.

Ndaj personelit të ADZM shpesh është qëlluar edhe me armë, por nuk shikoj një reagim për përmirësimin e gjendjes, ajo thjesht përkeqësohet. Është për të ardhur keq që pushteti qendror nuk po e merr seriozisht këtë punë”, – shpjegon eksperti Mehmeti.

Ndërkohë, pikërisht këto probleme kanë shkaktuar dhe uljen e numrit të zbulimit të rasteve.

Nga viti 2015 deri në vitin 2021 në Shebenik-Jabllanicë janë konstatuar aktivitete të paligjshme në pyje/kullota gjithsej 102 raste, ku janë 31 raste me autor dhe 71 pa autor. Konkretisht, 86 raste kanë qenë për prerje pyjesh, 14 raste për zjarre, 1 rast për gërmime dhe 1 rast për gjueti”, – shpjegon Agjencia Rajonale për Zonat e Mbrojtura.

Rreziku që iu kanoset zonave të mbrojtura

Ekspertët mendojnë se në disa raste ndërhyrja ka qenë aq drastike, saqë disa zona nuk e meritojnë më statusin Park Kombëtar.

  “Parku Kombëtar Lurë-Mali i Dejës është shkatërruar me kohë nga prerjet e paligjshme dhe për mendimin tonë kjo zonë nuk e meriton statusin e Parkut Kombëtar. Zona e malit të Dejës dhe veçanërisht zona e mrekullueshme e Zall Gjoçajt vazhdojnë të kërcënohen nga prerjet e paligjshme dhe nga ndërtimi i hidrocentraleve”, – thotë Genti Kromidha, president i Institutit për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri (INCA), duke theksuar se problemi kryesor është indiferenca dhe mospërfshirja e disa institucioneve kryesore në adresimin e këtyre problemeve.

“Në shumë raste kundërvajtësit e identifikuar nga rangers-at e AKZM nuk ndiqen dhe nuk procedohen nga policia dhe/ose nga Inspektorati i Mjedisit”, – shprehet eksperti i zonave të mbrojtura.

Ish-kreu i Emergjencave Civile, Shemsi Prençi, tha për INA MEDIA-n se qeveria nuk duhet të ishte mjaftuar me moratoriumin, ndërkohë që pyjet po shfrytëzohen në mënyrë barbare.

“Qeveria shqiptare mjaftohet me një moratorium, por ndërkohë atje bëhet kërdia. Ka njerëz që favorizohen nga politika dhe i shfrytëzojnë për qëllime përfitimi. Ne kemi kompanitë e mëdha të ndërtimit, që shfrytëzojnë në mënyrë barbare guroret. Asnjë gurore nuk është kthyer në normalitet, që të mbillen pemë për t`u mbrojtur ndaj erozionit”, – artikuloi Prençi.

Pamje nga Mali i  Tomorrit

Por krejt ndryshe mendon Ministria e Turizmit dhe Mjedisit. Në përgjigje të një shkrese për informacion dërguar nga INA MEDIA, kjo ministri tha se zonat e mbrojtura, jo vetëm që nuk po tkurren, por madje po rriten. Sipas këtij institucioni, gjendja e tyre është shumë e mirë dhe institucionet po kujdesen t`i mbrojnë, si nga aktivitetet e paligjshme, ashtu edhe nga ato të lejuara.

 “Ju bëjmë të ditur se territori (sipërfaqja) i sistemit të zonave të mbrojtura nga dita në ditë po rritet, duke përfshirë brenda tyre zona me vlera të larta natyrore, kulturore, historike e trashëgimore dhe me llojshmëri të pasur në biodiversitet”, – shprehet Ministria e Mjedisit.

Sa i përket zonave të mbrojtura, që janë në rrezik aktualisht, Ministria e Mjedisit thotë se është zhvilluar një studim i hollësishëm, ku në fund janë vlerësuar 8 zona, të cilat kanë humbur mjaft nga vlerat natyrore, biologjike dhe të biodiversitetit dhe janë propozuar që t’iu hiqet statusi aktual, por të mbeten zona natyrore dhe të punohet për shëndetësimin e tyre.

Rishikimi i fundit i kufijve të zonave të mbrojtura nga qeveria nuk është pritur mirë nga shoqëria civile.

“Procesi nuk është bërë konform kuadrit ligjor, përkatës dhe shkeljet këtu janë të shumta; duke nisur nga fakti që rishikimi i zonave të mbrojtura është bërë me një vendimmarrje të vetme dhe jo me vendime zonë më zonë, pa studime të mirëfillta, duke anashkaluar konsultimin publik, i cili në fakt është zëvendësuar me takime publike. Rishikimi i kufijve të zonave të mbrojtura, siç është bërë, është i dëmshëm në përgjithësi për zonat e mbrojtura dhe nuk e ka realizuar synimin fillestar që ishte mbrojtja më e madhe e tyre”, – u shpreh juristja e ResPublika, Irena Dule.

SHARE THIS POST

Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin

RELATED POSTS