Autore: Erisa Kryeziu | Citizens Channel
Ndue Marku dhe Edmond Çata jetojnë në skaje të kundërta të Tiranës, më shumë se 8 kilometra larg nga njëri-tjetri e nuk janë parë e takuar më parë. Të dy kanë një të përbashkët, prona dhe jeta e tyre ndryshoi në 16 dhjetor 2019, ditën kur qeveria shqiptare miratoi Aktin Normativ nr.9 përpërballimin e pasojave të tërmetit që goditi Shqipërinë në 26 nëntor të atij viti.
Një sërë vendimesh të qeverisë dhe Bashkisë Tiranë i shënjuan banesat e të dyve si subjekte të rindërtimit. Ndue duhej të humbiste tërësisht shtëpinë dhe pronën e tij pas një plani të detyruar vendor që synon të strehojë të pastrehët e zonave të goditura nga tërmeti, ndërsa Edmondi duhej t’i hapte rrugë shembjes së pallatit ku banon, me një akt ekspertimi që rezultoi i pavërtetë.
“Nuk jemi kundër zhvillimit. Ne jemi kundër vjedhjes. Këta po vjedhin…”,-shprehej Ndue Marku në datën 8 shkurt (shtëpia e tij u shemb pak javë më pas).Zona ku Ndue banon do të kthehet në një lagje moderne e quajtur “Tirana Riverside”, një projekt i studios arkitekturore Stefano Boeri, (që rastis të ketë projektuar edhe Masterplanin e qytetit “Tirana 2030”, miratuar shumë kohë para tërmetit, në prill të vitit 2017) dhe grupit SON. Ndërsa Edmondi, qëndron me frikën se mos ndoshta ai bashkë me banorë të tjerë të Kombinatit të prekur nga tërmeti do të zhvendosen në një tjetër lagje të re të quajtur “KombinArt”, projektuar nga një tjetër studio italiane e quajtur Archea , autore e projektit “Air Albania” dhe kullës “Forever Green”, në bashkëpunim me X-Plan Studio.
“Unë jam banor i Kombinatit që në vitet 1972. Kur unë kam ardhur këtu, Kombinati sa ka dalë nga faza e parë e ndërtimit të tij”, –rrëfen Edmondi.
Foto 1: Foto: Epiqendrat e reja dinamike – TR030
Të dyja këto projekte, “Riverside” dhe “KombinArt”, janë zona të parapërcaktuara në masterplanin e Tiranës TR030, si pjesë integrale e “Projektit Strategjik 06” të planit Urbanistik që synonte “Një identitet të ri për vendbanimet rurale”. Plani parashikon ndërhyrjen në një sipërfaqe prej 573 hektarësh ku “5 qendrat e reja të vendosura në 5 km nga qendra do të jenë qytete të mirëfillta brenda qytetit, të cilat do të identifikojnë dhe valorizojnë identitetet e ndryshme të lidhura mes tyre me qëllim tejkalimin e fenomeneve të izolimit dhe krijimin e getove.”
“Të pastrehët e rinj” mbingarkojnë skemën e brishtë të strehimit social
136 familje të zonës “5 Maji” dhe 1402 familje të Kombinatit i kanë humbur shtëpitë në rrethana shumë të ndryshme nga njëra tjetra. Megjithatë këto 1708 familje i janë shtuar qoftë edhe përkohësisht, numrit të lartë të familjeve që janë të pastreha apo kërkojnë strehim social në Tiranë.
Të dhënat e siguruara nga Bashkia Tiranë tregojnë se edhe pa këto dy ndërhyrje, Tirana e ka pasur problem ekzistues strehimin. Në katër vitet e fundit (2018-2022) vetëm 28% e 11,603 aplikuesve për strehim social e kanë përfituar atë. Një raport i Kombeve të Bashkuara tregon se edhe një vit para tërmetit (2018), vetëm 12% e aplikuesve arrinin të merrnin strehim social.
Ndërkohë që në Tiranë numri i ndërtimeve sa vjen e rritet, qyteti vazhdon prodhon të pastrehë të rinj. 953 leje të reja ndërtimi janë dhënë në Tiranë që prej vitit 2019, duke e shtuar me mbi 4.2 milionë m2 sipërfaqen e ndërtuar .
Strehimi social është ndër prioritetet e Planit të Përgjithshëm Vendor TR030 (PPV) dhe Strategjisë për Zhvillim të Qëndrueshëm (2018 – 2022) të Bashkisë Tiranë. Sipas PPV-së një nga pesë politikat që duhet të ndiqen nga bashkia lidhur me strehimin është blerja dhe përdorimi i godinave boshe të pranishme në territor. Megjithatë në korrespondencë zyrtare, Bashkia e Tiranës i tha Citizens Channel se nuk disponon stok banesash në pronësi.
Strehimi vijon të mbetet problematik, pavarësisht se stoku i ndërtimeve bosh është i lartë. Strategjia e Zhvillimit të Qëndrueshëm thekson se 15.2% e banesave në zonën qendrore të Tiranës janë bosh, ndërsa në Kashar, Farkë dhe Dajt numri i apartamenteve që janë bosh arrin deri në 43%.
Foto: Grafika: STRATEGJIA E ZHVILLIMIT TË QENDRUESHËM TË BASHKISË TIRANË 2018 – 2022
Sipas “Ligjit për Strehimin Social”, institucioni duhet t’i marrë privatëve 3% të çdo sipërfaqe funksionale me mbi 2,000 m2 për çdo leje ndërtimi të re. Me një vendim të Këshillit Bashkiak, (nr.105, të datës 25.10.2019) Tirana i ka dhënë mundësi ndërtuesve që këtë hapësirë ta përkthejnë edhe në vlerë monetare.
“5 Maji”, shpronësimi për interes publik dëmton komunitetin
Më 19 janar 2022, në orët e para të mëngjesit, shtëpia tre katëshe e të moshuarës Liza Marku u shemb nga fadromat e Institutit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) para syve të saj. Ndue Marku, komshi prej më shumë se 20 vitesh me Lizën është dëshmitar i asaj dite e shumë të tjerave që vulosën zhdukjen përfundimtare të investimeve 30-vjeçare të 136 familjeve në lagjen “5 Maji” në Tiranë.
“E ndjej që po prishet ajo shtëpia atje e tani mendoj si do reagoj për vete kur të më vijë radha ”-shprehej Ndue Marku.
Dhjetëra policë të vendosur krah njëri-tjetrit krijuan një kordon trupash që ndau banorët të cilët mateshin të shkonin në shtëpitë e tyre, me buldozerët IMT-së që përplaseshin dhunshëm mbi shtëpitë. Kordoni i kuq me trupat e policësh u bë i përjavshëm në zonën e “5 majit”, deri në fund të muajit shkurt, kur komuniteti aty pari humbi një nga një shtëpitë e ndërtuara gjatë viteve të tranzicionit.
“Mua më prek, më copëton sepse unë këtu kam bazat. Jam me katër fëmijë, këtu dua të jetoj. Një jetesë të mirë. Mirë keq ajo kasollja ime aty është bërë me nder, nuk është me vjedhje. Janë shumë metra katrorë dhe është me dokumente të rregullta”,-tregon Ndue Marku, teksa qëndron në këmbë para banesës së tij pak përpara se ajo të rrëzohej, njëlloj si shtëpitë e fqinjëve.
Ndue rrëfen se një prej banesave të tij është legalizuar, ndërsa tjetra në proces legalizimi. Mirëpo përpos statusit të banesave, ai shprehet skeptik nëse do të mund të marrë sërish të drejtën për të pasur një banesë dhe shpërblim për investimin e tij të jetës, tanimë të lëshuar përtokë.
Bashkë me zonën e “5 majit” u shpallën për rindërtim edhe zona të tjera sikurse ajo e Kombinatit, e Zall-Herrit, e Pezës, e Baldushkut, e Ndroqit, e Kamzës dhe e Vaqarrit. Në listën e planeve të rindërtimit, është edhe Shkoza, por ai plan nuk është i paraqitur në portalin zyrtar të AKKP-së. Për zbatimin e këtij vendimi, u ngarkua bashkia Tiranë.
Më tutje, me një vendim të datës 22 shtator 2021, Këshilli i Ministrave vendosi shpronësimin për interes publik të banorëve të zonës ‘5 maji”, e gjitha kjo në funksion të procesit të rindërtimit. Ky shpronësim sipas vendimit do të realizohet në përputhje me planin e detyruar vendor, i cili i detajuar përcakton për zhvillim një zonë prej 187,246 m2 të konsideruar pronë private dhe 119,635 m2 pronë shtet, duke pasur kështu një sipërfaqe totale ndërtimi prej 306,883 m2. Ky projekt i njohur ndryshe si “Tirana Riverside” ose projekti i “Bregut të Lumit”, i konceptuar nga arkitekti italian Stefano Boeri, sipas qeverisë do të strehojë mbi 11 mijë banorë, kryesisht të prekur nga tërmeti.
Ndërsa sipas kryebashkiakut Veliaj, në këtë lagje do të strehohen jo vetëm familjet që kanë humbur banesat nga tërmeti, por edhe ato familje që kanë përfituar kredi të buta.
Ndryshe nga sa e përcakton plani “Tirana 2030”, i cili e ka shpallur një zonë me lartësi maksimale 5 kate, sipas projektit “Tirana Riverside’ lartësia maksimale e ndërtesave do të jetë 30 kate, duke e lënë të paqartë nga institucioni bashkisë se cili do të jetë funksioni i këtyre ndërtesave të larta.
“Kombinat: Rindërtim mbi ekspertiza të rreme”
Tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019 shkaktoi dëme materiale edhe në zonën e Kombinatit në Tiranë. Si rrjedhojë, një sërë pallatesh u dëmtuan duke u bërë të pabanueshme, e një pjesë tjetër pësoi dëme të riparueshme. Bazuar në të njëjtin akt normativ si në zonën “5 Maji” autoritetet ndërmorën verifikime në terren, për të përcaktuar nivelin e dëmeve.
Deri më tani mbi 17 pallate janë shembur, ndërsa kanë marrë dritën jeshile për tu shembur në total 67 pallate. Vetë banorët kanë kundërshtuar procesin e verifikimit, i cili është provuar se të paktën tre herë ka qenë i pavërtetë.
“Kemi zhvilluar 8 seanca maratonë, ku çdo pallat është studiuar dhe prezantuar në mënyrë transparente nga inxhinierët, me të gjithë librat e kontrolleve dhe akt-konstatimet e projekteve inxhinierike”,- konstatonte kry bashkiaku Veliaj gjatë mbledhjes së këshillit bashkiak më 2020. Banorët shprehen se këto dëgjesa kanë munguar dhe nuk ka pasur informacion mjaftueshëm.
“Dëgjesat nuk u organizuan këtu, nuk erdhi njeri këtu. Dëgjesat i realizoi Erion Veliaj me të gjithë të punësuarit e vet ku merrte vendim për fatin tonë, për pallatin tim, duke thënë dëgjesë publike…pseudo-dëgjesa i kam quajtur unë”, –tregon Edmond Çata. Edmondi arriti të evidentojë se ekspertiza e kryer në pallatin 146, ku ai banon, kishte disa parregullsi që nisnin që me sipërfaqen e pallatit dhe numrin e kateve.
“Ishte fryrë në mënyrë të qëllimtë…pallati im nuk ka suva. Riparimi kishte thënë do ta risuvatojë, do të heq suvanë edhe do t’i bëj suva tjetër”, –tregon Edmondi ndërsa shton se kostot e ndërtimit ishin fryrë në mënyrë që kur të llogaritej të arrihej në atë që e quan “70 përqindëshi magjik”.
Ai iu drejtua Gjykatës Administrativem, ku e fitoi çështjen me ndihmën e avokatëve të qendrës ResPublika, duke paditur vendimin e Këshillit Bashkiak për shembjen e pallatit.
Avokatja Irena Dule nga Qendra ResPublica, e cila me mbështetjen e Lëviz Albania ka ndjekur padinë e banorëve të pallatit 146 në Gjykatën Administrative, argumenton si ekspertiza gjyqësore dhe ajo private “ishin kryekëput të ndryshme”. “
“Të dyja këto ekspertiza kanë qenë kryekëput me përfundime, me rezultate të ndryshme. Në qoftë se ekspertizat private rekomandonin prishjen e objekteve si të dëmtuara nga tërmeti, ekspertizat para gjykatës treguan që pallatet nuk ishin të dëmtuara dhe nuk duhet të prisheshin për këtë shkak”- sqaron avokatja Dule.
Edhe banorët e dy pallateve të tjera (157 dhe 159) kanë fituar gjyqin kundër bashkisë Tiranë, për të njëjtat arsye. Pas këtyre rasteve, 14 padi të tjera janë depozituar në gjykatë nga banorët e Kombinatit. Ndërsa enden gjykatave, 1187 familjet e Kombinatit po hasin vështirësi të strehohen.
“Bonusi i qirasë, por është 180 mijë lekë, unë e paguaj 250 shtëpinë atje”- u shpreh për Citizens Channel Zana Raxhimi, banore e Kombinatit gjatë një proteste që ata zhvilluan në 26 mars 2022.
Referuar nenit 38 të ligjit “Për strehimin social” pagesa që duhet të bëjë familja për diferencën ndërmjet qirasë së tregut dhe vlerës së subvencionit të qirasë nuk duhet ti kalojë 25% të të ardhurave të familjes. Ndërkohë, qiratë në Tiranë në zonat periferike vijojnë nga 25.000 deri në 30.000 lek, ndërsa në qendër kushtojnë më shumë se dyfishi i shumës prej 18.000 lekësh që ata përfitojnë.
Tërmeti dogji etapat ligjore të planit për Tiranën policentrike
Popullsia e Tiranës ka pësuar rritje të vrullshme vitet e fundit. Të dhënat e INSAT tregojnë se prej vitit 2016 deri më 2021, kryeqyteti ka 69,209 banorë më shumë.
Foto: Popullsia e Tiranes
Parashikime këto të trajtuara edhe në Planin e Përgjithshëm Vendor TR030 që parashikon se në vitin 2030, Tirana do të jetë shtëpi e 1.7 milionë banorëve.
Sipas planit vendor, zhvillimi i kryeqytetit me ardhjet e reja, e orientojnë Tiranën të kthehet nga monocentrike (me një qendër) në policentrike (disa qendra), duke nxitur kësisoj shtrirjen e zhvillimeve urbanistike edhe në zonat përtej qendrës.
“Tirana Riverside” dhe projekti “KombinArt” (i cili nuk gjendet i publikuar në asnjë portal zyrtar të qeverisë apo Bashkisë Tiranë) janë projektuar si dy nga 5 qendrat e reja të Tiranës, por mungesa e transparencës që në nisje ka krijuar përplasje me banorët ekzistues.
Për sa i përket zonave të tërmetit ka pasur një proces të përshpejtuar të vendimmarrjes të PDYV-ve, pra planeve të detyruara vendore. Dhe si rezultat i kësaj është anashkaluar dhe pjesa e konsultimit me publikun që është përsëri një hallkë që mungon, që përsëri shkon te transparenca.
Urbanisti Imeld Sokoli, argumenton se përshpejtimi i vendimmarrjes ka anashkaluar konsultimin publik duke sjellë pasoja: “Për sa i përket zonave të tërmetit ka pasur një proces të përshpejtuar të vendimmarrjes të PDYV-ve, pra planeve të detyruara vendore. Dhe si rezultat i kësaj është anashkaluar dhe pjesa e konsultimit me publikun që është përsëri një hallkë që mungon, që përsëri shkon të transparenca. E gjitha kjo e përkthyer në territor është e përkthyer në konflikt social. Që nesër pasnesër këto banorë detyrimisht janë njerëz që shkojnë drejt grupeve vulnerabël të qytetit sepse janë të pastrehë, quhen direkt të pastrehë dhe dakord duhet të aplikojnë një nga programet e strehimit social në bashki”.
Planifikuesi urban Artan Kacani sheh një mospërputhje mes situatës së emergjencës dhe ndërtimeve, veçanërisht në zonën e “5 Majit”. “Bashkia e Tiranës është duke i quajtur ndërhyrjet urbane të të dy llojeve: 1-emergjenca dhe 2-plane të pjesës së strukturës së planeve vendore. Në rast se duam të flasim për çështjet e emergjencave ato duhet të adresohen sipas planeve të emergjencave. Çka do të thotë që plani rregullues i bashkisë Tiranë duhet të ketë një plan të mirëfilltë emergjencash. Dhe kjo gjë duhet të ishte shumë e qartë dhe duhet të ishte adresuar nëpërmjet këtij lloj plani. Për momentin ne kemi të bëjmë me një zone, e cila nuk është subjekt i planit të emergjencave, por është subjekt i tratativave të shit-blerjeve dhe qirave, pra kontraktuale së pari”, -shpjegon arkitekti Artan Kacani, i cili ngre nevojën e një plani të mirëfilltë emergjencash në planin rregullues të Tiranës.
Nga ana tjetër Kacani thekson se ndërhyrjet e kësaj shkalle nuk mund të bëhen me plane të detajuara vendore: “Teknikisht ne sot kemi të bëjmë me një zonë, e cila është duke u transformuar jo për 5 hektarë, jo për 10 hektarë, por për 20-30 hektarë. Dhe kjo është sikur të shkepësh të gjithë qytetin njëherësh”.
Urbanisti Imeld Sokoli shprehet skeptik rreth ecurisë së Tiranës me shumë qendra: “ Ne praktikisht kemi sheshin Skënderbej, është sheshi kryesor i të gjithë Tiranës, por ne duhet të kemi në këto qendra së paku duhet të kemi nisma të tilla që të kemi zhvillime të tilla hapësirash publike ose infrastrukturore ose parqesh për të gjeneruar këto qendra të reja. Ne nuk e kemi akoma në Tiranë në praktikë këtë lloj mënyre ose këtë lloj qasjeje. Është në letra, por në praktikë është akoma as në hapat e para. Sepse ne edhe gjithë sistemin, si infrastrukturor, si të hapësirave publike, e kemi të organizuar në mënyrë të tillë rreth e rreth sheshit kryesor Skënderbej”.