Hetimet për pastrim parash të Prokurorisë së Korçës kanë mbetur peng i letërporosive. Sipas të dhënave zyrtare, nga 620 letërporosi, që dërgoi pala shqiptare përgjatë vitit 2020, mori përgjigje vetëm për 25% të tyre, duke vënë në rrezik dështimi punën e të gjitha prokurorive të vendit.
Autor: Daniela Zisi
Tentativa e një biznesmeni grek në qytetin e Korçës për të transferuar shumën prej 400 mijë eurosh në një llogari në Zvicër, vuri në lëvizje organet ligjzbatuese, shqiptare.
Dyshohej se transaksioni financiar mund të ishte një rast i pastrimit të parave.
Rasti u referua në vitin 2019 në Prokurorinë e Korçës nga Drejtoria e Përgjithshme Kundër Pastrimit të Parave (DPPP), për hetimin e origjinës së kësaj shume.
Shtetasi grek, Th. V., që u vu nën hetim nga Prokuroria e Korçës për “Pastrim të Produkteve të Veprës Penale”, ishte regjistruar në QKB si pronar i një kompanie me objekt veprimtarie “Shërbime Mjekësore dhe Radiologjike”.
Biznesmeni grek kishte kryer disa operacione financiare me shuma të mëdha në banka të nivelit të dytë dhe më pas tentoi t`i transferonte në Zvicër, me argumentin se në Korçë nuk kishte siguri, veprime këto që shtuan dyshimet se mund të ishte një skemë për fshehjen e burimit të parave me qëllim pastrimin e tyre.
Veç procedimit për pastrim parash, Prokuroria e Korçës vendosi nën sekuestro preventive edhe shumat prej 355.093 eurosh, 144.646 dollarësh dhe 142.450 lekësh në bankat e nivelit të dytë në Shqipëri.
Verifikimi i bilanceve të shoqërisë tregtare që drejtohej nga shtetasi grek, me profesion mjek laborant, zbuloi se të ardhurat e siguruara nga ky aktivitet ishin më të ulëta në krahasim me qarkullimin e fondeve që ai kryente në bankat shqiptare.
Gjatë verifikimeve, biznesmeni grek pretendonte se 200 mijë euro i kishte sjellë nga Greqia nëpërmjet pikës kufitare të Kapshticës, pa i deklaruar. Kjo nuk e bindi Prokurorinë e Korçës, e cila me anë të një letërporosie kërkoi prova dhe të dhëna financiare nga autoritetet e Greqisë.
Por, edhe pse kanë kaluar tre vite, hetimi ndaj mjekut grek vijon të qëndrojë pezull, pasi provat e kërkuara nga Prokuroria e Korçës nëpërmjet letërporosive tek autoritetet greke dhe zvicerane, ku dyshohet se mjeku do të blinte aksione në bursë, ende nuk kanë marrë përgjigje. Vonesat janë në tejkalim të çdo afati të arsyeshëm kohor për prokurorinë, e cila vazhdon t`i mbajë të bllokuara edhe pasuritë e tij.
Po prej kaq kohësh vijon të mbetet në fuqi edhe sekuestro preventive mbi llogarinë e tij bankare, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të biznesmenit drejtuar Gjykatës së Korçës për heqjen e masës së sigurimit pasuror.
Drejtuesja e Prokurorisë së Korçës, Dhorina Theodhori, pranon se, në kushtet kur autoritetet e huaja nuk i kanë kthyer ende përgjigje letërporosive për këtë rast, shtetasi grek, i cili po hetohet në gjendje të lirë, ka nisur procedurat ligjore për t’i siguruar vetë përgjigjet e letërporosive nga Greqia dhe Zvicra.
“Marrja e letërporosive nga personat që janë nën hetim, të shoqëruara me vulën apostile, është konform legjislacionit shqiptar, pasi ky detaj është i parashikuar në konventat e bashkëpunimit dhe ndihmës juridike dhe si i tillë prevalon mbi ligjin vendas”, – pranon drejtuesja e Prokurorisë së Korçës, Dhorina Theodhori.
Por, ky nuk është rasti i vetëm, kur fati i hetimeve varet nga letërporositë.
Autoritetet shqiptare deklarojnë se ata mbeten për vite të tëra në pritje të letërporosive nga vendet e tjera, të cilat bëhen shkak për zvarritjen e hetimeve të dhjetëra procedimeve.
Policia e Korçës në harkun kohor 2019-2021 i ka referuar prokurorisë 45 raste për “Pastrimin e Produkteve të Veprës Penale”. Gjatë së njëjtës periudhë, Prokuroria e Korçës ka regjistruar 30 çështje, krahas çështjeve të mbartura nga vitet e kaluara, të cilat, pavarësisht shtrirjes në kohë të hetimit, ende nuk kanë përfunduar.
Më konkretisht, Prokuroria e Korçës deklaron se janë 15 çështje nën hetim, për të cilat janë dërguar letërporosi drejt Greqisë, Francës, Belgjikës, Gjermanisë, Italisë, Zvicrës, Libanit etj., të cilat nuk kanë marrë ende përgjigje dhe rrezikojnë të pushohen për mungesë provash.
“Asnjë prej hetimeve të filluara prej saj gjatë 3 viteve të fundit për pastrim të produkteve të veprës penale nuk është dërguar për gjykim”, – thotë për Investigative Network Albania Prokuroria e Korçës
Për gati gjysmën e dosjeve të pastrimit të parave hetimi vazhdon, ndërsa pjesa tjetër, ose janë pushuar, ose janë pezulluar.
Organi hetimor i Korçës bën me dije se në vitin 2019 janë pushuar 2 çështje, në vitin 2020, 3 çështje dhe po kaq në vitin 2021, ndërsa të pezulluara gjatë së njëjtës periudhë kohore rezultojnë 5 çështje.
Për ekspertin ligjor në qytetin e Korçës, Esmerald Xhafa, “fati” i një letërporosie lidhet me mënyrën se si hartohet ajo, ndërsa ia atribuon mungesën e përgjigjeve nga vendet e tjera mangësive në formulimin e kërkesave nga pala shqiptare.
“Ndodh që formulimi i kërkesave, arsyetimi i tyre dhe elementet udhërrëfyese, që prokuroria jonë vendos në dispozicion të organeve homologe, nuk i plotësojnë kriteret për aktivizimin e organeve ligjzbatuese të shteteve të huaja. Pra, mënyra se si kërkohet ndihma juridike apo formulohen kërkesat shënon edhe fatin e një përgjigjeje pozitive apo negative të autoritetit që paraqet kërkesën”, – shpjegon për INA MEDIA-n eksperti Xhafa.
Treguesit e Shqipërisë në lidhje me pastrimin e parave kanë pësuar luhatje me ulje dhe ngritje.
Edhe këtë vit Shqipëria zbriti në zonën gri të listës së FATF (një mekanizëm i Komisionit Europian që bën vlerësimin e riskut të pastrimit të parave). MoneyVal, raporti monitorues, i radhës për Shqipërinë, i publikuar gjatë muajit maj 2022, doli në përfundimin se vendi ynë nuk i ka përmirësuar në mënyrë të konsiderueshme masat për të luftuar pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit në përputhje me rekomandimet e FATF.
“Kjo rënie lidhet kryesisht me hetimet proaktive, me rritjen e numrit të konfiskimeve të pasurive që rrjedhin nga aktivitetet e paligjshme”, – sqaron eksperti i sigurisë, Fabian Zhilla.
Pa përgjigje 70% e letërporosive
Letërporositë pa përgjigje janë kthyer në “thembrën e Akilit” për prokuroritë në të gjithë vendin. Statistikat tregojnë se vetëm 1/4 e letërporosive marrin përgjigje, duke rrezikuar dështimin e hetimeve nga pala shqiptare.
Referuar raportit të Prokurorisë së Përgjithshme, për vitin 2020 janë dërguar për autoritetet e huaja gjyqësore 620 letërporosi.
Numri më i madh i kërkesave është dërguar drejt vendeve fqinje, si Greqia, me 128 kërkesa, Italia, 127, Kosova, 53, Gjermania, 44, si dhe drejt vendeve si Kameruni, Togo, Gana, India etj.
Por, shqetësues është numri i vogël i përgjigjeve, me vetëm 157 kërkesa ose vetëm 25% e tyre.
Të dhëna zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme
Sipas të dhënave të Prokurorisë së Përgjithshme në vitin 2020, përkundër 286 rasteve të pastrimit të parave, që u referuan në organin e akuzës, totali i të dënuarve për pastrim parash në vitin 2020 është ulur me 30% krahasuar me vitin 2019.
Në vitin 2020 ka pasur vetëm një të dënuar për pastrim parash me llogari anonime. Në vitin 2019 nuk ka pasur asnjë të dënuar për këtë vepër penale; në vitin 2018 janë dy të dënuar dhe në vitin 2017, asnjë i dënuar.
Prokuroria e Përgjithshme deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi nuk i është përgjigjur kërkesës për informacion në lidhje me analizën e arsyeve të dështimit të letërporosive.
Megjithatë, një burim konfidencial i tha INA MEDIA-s se ngërçi qëndron te marrëveshjet që pala shqiptare ka me vendet e tjera.
“Marrëveshjet janë përgjithësisht të natyrës penale, ndërkohë që shumica e letërporosive janë çështje administrative, ndaj ka kaq pak kthim letërporosish”, – sqaroi burimi në kushtet e anonimatit.
Ndërsa Ministria e Drejtësisë, që është autoriteti përmes të cilit dërgohen letërporositë dhe priten përgjigjet e tyre, kërkesës për informacion në lidhje me arsyet e mosfunksionimit të bashkëpunimit ndërkombëtar, iu përgjigj me argumentin se duhej një kohë më e gjatë për mundësimin e këtij informacioni.
Edhe pse kanë kaluar thuajse dy muaj nga kjo kërkesë, dikasteri i drejtësisë ende nuk ka kthyer përgjigje, deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi.
Nga ana tjetër, organet ligjzbatuese, shqiptare duken më të gatshme për të kthyer përgjigje, duke vënë në dispozicion të autoriteteve të huaja provat e kërkuara.
Nga 550 letërporosi, të ardhura nga jashtë përgjatë vitit 2020, pala shqiptare iu është përgjigjur 296 prej tyre ose 53% të tyre.
Arben Lena, kryetar i Dhomës së Avokatisë në Korçë, konstaton se mungesa e përgjigjeve vjen edhe për shkak të pasaktësive në hartimin e kërkesave nga organet ligjzbatuese, shqiptare.
“Jo se nuk kthejnë përgjigje, por nuk përjashtohet mundësia që të ketë gabime dhe të mos gjenden të dhënat. Mjafton një shkronjë gabim dhe kjo nuk del në sistem. Pra, prokuroritë mund të dështojnë në marrjen e të dhënave apo provave nga vendet e tjera edhe për një gabim banal, çfarë mund të çojë në mungesën e përgjigjes”, – argumenton për INA MEDIA-n Belishta.
Ish-kryegjyqtari i Korçës, Admir Belishta, njëkohësisht ekspert i së drejtës penale, rendit edhe disa arsye që çojnë drejt dështimit të hetimeve dhe pengojnë finalizimin e procedimeve për pastrimin e parave.
“Informaliteti i veprimeve hetimore, specializimi i pamjaftueshëm i strukturave që merren me gjurmimin, operativitetin dhe hetimin e këtyre çështjeve, si dhe një vëmendje më e shtuar e strukturave shtetërore ndaj këtyre komponentëve, do ta bënte bashkëpunimin ndërkombëtar më efektiv dhe lufta ndaj krimit të organizuar do të kishte rezultate pozitive”, – përfundon ai.
Eksperti Fabian Zhilla mendon se ndryshe nga sa ka ndodhur me vendet e BENELUX-it, ku bashkëpunimi është shumë i mirë, me disa vende të rajonit dhe përgjithësisht ato kufitare, si p.sh., Greqia, ky bashkëpunim nuk është efektiv.
“Problemi kryesor lidhet me format e komunikimit, burokracitë, por edhe me mungesën e besimit midis agjencive partnere”, – thotë Zhilla.
“Ngërçi” me disa prej vendeve sa i përket letërporosive është ndjerë edhe në sallat e gjyqit.
“Në praktikën e gjyqësorit, – argumentin Belishta, – kemi konstatuar se bashkëpunimi ndërkombëtar nuk ka qenë efektiv me të gjitha shtetet. Mund të them që me Greqinë ne kemi pasur probleme në drejtim të kthimit të përgjigjeve të letërporosive, të cilat janë vonuar në kohë. Kjo problematikë nuk është evidentuar me shtetet e tjera, madje edhe ato që janë shumë larg prej Shqipërisë, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, – saktëson ai.
Edhe drejtuesja e Prokurorisë së Korçës, Dhorina Theodhori, ankohet se si pasojë e mungesës së bashkëpunimit ndërkombëtar puna e tyre rrezikon të hidhet në “erë”.
“Mungesa e përgjigjeve nga shtetet e tjera ka bllokuar hetimet, duke na penguar vazhdimësinë e veprimeve. Greqia dhe Maqedonia e Veriut, por edhe vendet e Lindjes së Mesme janë ato më problematiket, sa i takon kthimit të përgjigjeve të letërporosive”, – thekson ajo.
Përgjatë vitit 2020 Prokuroria e Korçës ka dërguar 63 letërporosi, ndërsa në 3 vitet e fundit është vënë në sekuestro preventive një llogari me vlerë 55 milionë lekë.
Prokuroria e Korçës ka hasur të njëjtën vështirësi edhe për konfiskimin e pasurive të vëna nën sekuestro preventive, të cilat kanë mbetur peng i letërporosive të shteteve të tjera.
Llogaritë bankare, vlera e të cilave arrin në miliona euro apo pasuri të tjera, të dyshuara se janë ngritur me të ardhura nga aktivitete kriminale, nuk janë finalizuar me kalimin e tyre në favor të shtetit dhe prokuroria ka qenë e detyruar t`i çlirojë pasuritë e vëna nën sekuestro preventive.
Biznes për pastrim parash
Një prej mënyrave më të zakonshme për pastrimin e parave në Shqipëri nga shtetasit e huaj është ajo e hapjes së bizneseve, pas të cilave qëndrojnë persona të përfshirë në aktivitete kriminale. Ata synojnë të fshehin prejardhjen e parave nëpërmjet transaksioneve financiare drejt Shqipërisë ose nga Shqipëria.
Rajoni juglindor, edhe për shkak të pozicionit të tij kufitar, është më i favorshëm për krijimin e kontakteve dhe hapjen e bizneseve nga të huajt, kryesisht nga vendet fqinje, Greqia dhe Maqedonia e Veriut. Disa prej tyre Prokuroria e Korçës ndër vite i ka hetuar për pastrim parash.
“Duke qenë zonë kufitare, Korça hyn në hartën e informalitetit të lartë dhe transferimit të parave kryesisht nga emigracioni, ndaj meriton vëmendje në lidhje me pastrimin e parave dhe format e ndryshme të pastrimit të tyre”, – mendon Fabian Zhilla, ekspert i krimit të organizuar.
Ngjashëm me rastin e parë, një tjetër shtetas grek me inicialet Th. M., u vu nën hetim nga Prokuroria e Korçës për pastrim të produkteve të veprës penale për shkak të transaksioneve në vlera të mëdha nga Greqia në Shqipëri.
Hetimi nisi, pasi u konstatua se nga llogaria e një biznesi në Qipro u transferua në llogarinë e tij personale, pranë një banke të nivelit të dytë në Bilisht, shuma prej 28.342 eurosh. Pas disa ditësh, nga e njëjta kompani u transferuan 79.775 euro.
Shtetasi grek, i cili pretendoi se kishte një biznes për shitjen e skrapit, për të justifikuar transaksionet paraqiti një kontratë huaje, të hartuar vetëm dy ditë para se të bëhej pagesa e parë.
Nga hetimet e prokurorisë rezultoi se kompania e regjistruar me seli në qytetin Belize, Qipro, kishte rënë dakord që t’i japë hua shtetasit grek, të vënë nën hetim për pastrim parash, një shumë prej 250 mijë eurosh, me 3% interes. Shuma do t`i lëvrohej në një bankë të nivelit të dytë në Shqipëri.
Veç kësaj kontrate, shtetasi grek i deklaroi prokurorisë, që me të njëjtën kompani kishte nënshkruar edhe 2 kontrata të tjera huaje në vlerat 300.000 euro dhe 120.000 euro.
Por hetimi provoi se pavarësisht kontratës nuk ishte bërë asnjë transaksion nga kompania qipriote. Gjithashtu, nga verifikimet e prokurorisë rezultoi se Th. M., nuk kishte asnjë biznes të regjistruar në QKB.
Skema e përdorur në këtë rast nga shtetasi grek për pastrimin e parave me origjinë të dyshimtë, konsistonte në tërheqjen cash të parave nga banka shqiptare dhe më pas kalimin e tyre dorazi drejt Greqisë, së bashku me dokumentacionin shoqërues të bankës përmes pikës kufitare të Kapshticës, por pa i deklaruar ato sipas ligjit.
Në një rast Th. M., mundi t’i shpëtonte kontrollit të autoriteteve doganore, shqiptare dhe kaloi në anën tjetër të kufirit me shumën prej 40.000 eurosh dhe do të vazhdonte të ndiqte të njëjtën skemë deri në zbrazjen e llogarisë bankare, në rast se Prokuroria e Korçës nuk do të ndërhynte, duke nisur hetimet për pastrim parash.
Pas disa kërkesave drejtuar Gjykatës së Korçës për heqjen e sekuestros preventive biznesmeni grek arriti t`i çlirojë llogaritë e tij bankare dhe të njëjtin fat pati edhe procedimi penal për pastrim parash, i cili u pushua nga gjykata.
Organet ligjzbatuese të Greqisë dhe Qipros edhe në këtë rast nuk iu përgjigjën letërporosive për më shumë se 3 vite, duke bërë që autoritetet shqiptare t’i kenë duart e lidhura dhe të jenë të pafuqishme për ta çuar para togave të zeza biznesmenin e dyshuar për pastrim parash.
Arben Lena, kryetar i Dhomës së Avokatisë së Korçës, thotë se skema e pastrimit të parave nëpërmjet transaksioneve nga jashtë është më e thjeshta për t’u zbuluar, duke patur parasysh sistemin fiskal në BE, ku çdo qindarkë është e deklaruar.
Ai rendit si problematike rastet, kur paratë hyjnë të padeklaruara në Shqipëri dhe më pas kthehen në investime në formë biznesi.
“Këto biznese të fushave të ndryshme arrijnë të krijojnë një volum fiktiv pune, të atyre përmasave që në aspektin ekonomik është i pamundur, ndërsa në këndvështrimin e ligjit është një skemë e qartë e pastrimit të parave”, – sqaron Arben Lena.
Ngërçin e krijuar me palën greke Zhilla e shikon të lidhur me pikat e kontaktit, ndaj sugjeron që të gjenden mënyra për të forcuar lidhjet.
“Duket që me shtetin grek nuk kemi pika të mira kontakti. Këto dy raste tregojnë që duhet patjetër të bëhen takime dhe të zhvillohen në nivel partneriteti individual, pra agjenci me agjenci dhe jo të lihen në rrugën normale”, – sugjeron Zhilla.
Pastrimi i parave, lumë denoncimesh
Të dhënat e Prokurorisë së Përgjithshme tregojnë se veprat që lidhen me pastrimin e parave kanë pësuar rritje, ashtu siç ka pësuar rritje edhe numri i të pandehurve, por statistikat tregojnë se kurba e të dënuarve për këtë vepër penale është shumë më e ulët se referimet; çka do të thotë se prokuroritë nuk arrijnë të sigurojnë prova të mjaftueshme për të plotësuar dosjet hetimore, një pjesë e të cilave duhet të vijnë nga shtetet e tjera.
Referuar të dhënave nga raportet vjetore të Drejtorisë së Përgjithshme Kundër Pastrimit të Parave (DPPP), pastrimi i parave tentohet të bëhet nëpërmjet: investimeve në pasuri të paluajtshme me burim të panjohur fondesh, përgjithësisht kredituar në pará fizike; investime në mallra luksi nga persona, të cilët nuk e justifikojnë burimin e fondeve apo persona me precedentë; transferta të dyshimta në mbërritje apo në dalje, edhe në tentativë me përfshirje të subjekteve – shtetas të huaj – dhe të pajustifikuara me dokumentacion mbështetës; sponsorizime, dhënie hua nga dhe për të tretë, pa konstatuar lidhje të mundshme mes palëve, dhurata.
Kështu, në vitin 2019 janë bërë 25 raportime në prokurori, ndërkohë që në DPPSH janë bërë 241 referime. Nga totali i 266 referimeve për vitin 2019, për 151 referime nuk dihet origjina e veprës penale, nga e cila kanë rrjedhur paratë e pista.
Shifrat kanë njohur një trend rritës përgjatë vitit 2020, përgjatë të cilit janë raportuar 1424 raste të aktivitetit të dyshimtë. Pjesën më të madhe, me 703 raporte, e zënë bankat.
Përgjatë kësaj periudhe doli në pah edhe një fushë tjetër e pastrimit të parave, duke e përdorur pandeminë e Covid-19 si një mundësi për të siguruar të ardhura të jashtëligjshme apo për të mundësuar procesin e pastrimit të parave.
Përgjatë vitit 2020 janë raportuar raste, që lidhen me transaksione të dyshimta apo edhe mashtrim për shitblerje produktesh mjekësore apo përfitim të paligjshëm të ndihmave, ndërkohë që vetëm pak ditë më parë Italia finalizoi pikërisht një operacion për një skemë mashtrimi mes mjekëve shqiptarë dhe italianë, me miliona euro dëm.
Edhe përgjatë vitit 2021 shifrat kanë mbetur të larta dhe janë dërguar në prokurori 50 raste, ndërsa në polici, 208 raste. Ajo që vihet re është se 21 raste janë referuar për mashtrim kompjuterik dhe financiar dhe 21 raste të tjera për shpërdorim të detyrës.
Megjithëse Shqipëria ka bërë disa hapa shumë cilësorë në lidhje me forcimin e legjislacionit, ekspertët mendojnë se pika e dobët mbeten asetet apo paratë që vijnë nga korrupsioni.
“Nuk kemi asnjë kërkesë në juridiksionet e huaja në lidhje me asetet që vijnë nga vepra penale që lidhen me korrupsionin. Pra, asetet që vijnë nga vepra penale që lidhen me korrupsionin janë në nivel të ulët, ndërsa me asetet, që rrjedhin nga veprat penale që kryen nga krimi i organizuar, Shqipëria ka bërë disa hapa cilësorë”, – sqaron Fabian Zhilla.
Sipas Zhillës, raporti i aseteve të sekuestruara me ato të konfiskuara deri tani është 1 me 2, “i cili nuk është raport i keq, krahasuar me vendet e rajonit”.
Pastrimi i parave të emigrantëve nga familjarët e tyre
Një 64-vjeçare nga Erseka u vu nën hetim nga Prokuroria e Korçës pas 2 transaksioneve të dyshimta, bankare nga Belgjika në shumën 13 mijë euro. Gruaja pretendoi se vlerat monetare ia kishte dërguar vajza e saj nga Belgjika, por në të vërtetë transaksioni rezultoi të ishte bërë nga llogaria e një kompanie që prodhonte litarë.
Hetimet më tej zbuluan se përfituesi i parave do të ishte një person i deportuar 18 herë nga Greqia, me të cilin vajza e 64-vjeçares kishte udhëtuar disa herë jashtë Shqipërisë.
Emigracioni ekonomik ka shërbyer në mjaft çështje të ngjashme, të hetuara nga Prokuroria e Korçës si alibi e personave të hetuar për pastrim parash për të përligjur pasurinë e tyre. Edhe në këtë rast marrja e provave, nga shtetet ku ata kanë jetuar, mbetet problem.
“Tipologjia e hetimit të këtyre veprave penale është e tillë që e bën të pamundur verifikimin e lidhjes shkakësore mes pasurisë së evidentuar dhe produktit të veprës penale, për të cilën është dyshuar personi nën hetim”, – thotë drejtuesja e Prokurorisë së Korçës, Dhorina Theodhori.
Sipas saj, shumica e të proceduarve për pastrim parash janë persona të dënuar brenda dhe jashtë vendit dhe më pak janë shtetas të huaj.