Masakra për inertet në lumin Mat, 90% e firmave punojnë në të zezë

Shtrati i lumit Mat është kthyer në “parajsën” e firmave të inerteve. 40 firma ushtrojnë aktivitetin në të zezë dhe pa leje shfrytëzimi. Si pasojë e kësaj babëzie, Ura e famshme e Zogut, Monument Kulture i Kategorisë së I-rë, është dëmtuar rëndë dhe rrezikon të marrë me vete edhe bazamentin e rrugës.

Autor: Sokol ÇOBO

Tre ekskavatorë po gërmojnë prej disa javësh në afërsi të Urës së Zogut, në Milot.  Ura, e shpallur Monument Kulture i Kategorisë së I-rë dhe e mbrojtur nga shteti, ka filluar të shkatërrohet. Njëra prej këmbëve është zhveshur krejtësisht dhe ka pësuar ulje, duke marrë me vete edhe trupin e urës shekullore. Ekskavatorët po mundohen që të ruajnë pjesën e dëmtuar, duke ndryshuar rrjedhën e lumit Mat.

Ndërhyrja po kryhet pas alarmit të dhënë në janar të këtij viti nga Prefektura e qarkut Lezhë, e cila konstatoi se dëmtimi i urës ishte aq masiv, sa rrezikonte të merrte me vete edhe bazamentin e rrugës.

“U evidentua gërryeje dhe shembje e paneleve deri afër bazamentit të rrugës, në një distancë deri në 1 metër në afërsi të saj. Situata paraqitet emergjente, pasi gërryeja kërcënon seriozisht shembjen e bazamentit të rrugës”, – thuhet në një raport inspektimi të Prefekturës Lezhë, që mban datën 25 janar 2021. Për të shmangur më të keqen, u sugjerua hapja e një kanali qendror në mes të aksit të lumit për devijimin e prurjeve.

Por, ndërsa ka nisur puna për të shpëtuar urën e famshme, që rrezikon të fundoset, ekspertët e lidhin rrezikun që i kanoset kësaj ure, me mënyrën se si po shfrytëzohet baseni lumor i Matit. “Erozioni dhe marrja e inerteve në afërsi të këtij monumenti po e shkatërron. Shteti nuk ka vënë dorë. Deri tani është mbrojtur vetëm me letra”, – i shpjegon Investigative Network Albania-s inxhinieri Xhevahir Ngjeqari. Për të përgjegjësia është e dyfishtë; e pushtetit lokal dhe qendror.

E konsideruar një xhevahir i rrallë i trashëgimisë sonë kombëtare, ajo është shpallur Monument Kulture i Kategorisë së I-rë në vitin 1999.

“Kjo urë madhështore u inaugurua më 26 maj të vitit 1927. Me një gjatësi prej 480 metrash dhe me 5 harqe, kjo urë cilësohet si një nga veprat e para inxhinierike, moderne të shekullit XX.

Kur u ndërtua, nuk kishte simotra në Ballkan dhe, përveç gjatësisë së konsiderueshme, veçantia e saj lidhet kryesisht me strukturën arkitekturore, stilin e harqeve dhe lokalitetin mjaft piktoresk në të cilin ndodhet”, – shpjegon Gjovalin Zefi.

Prej 30 vitesh shtrati i lumit Mat ka rënë pre e babëzisë për inerte. Si pasojë e shfrytëzimit pa asnjë kriter, madje edhe në zona të ndaluara, siç janë ato në afërsi të urave, nga shtrati i këtij lumi janë larguar përfundimisht miliona tonë inerte.

Për të kuptuar masakrën që është bërë mbi lumenjtë, ekspertët thonë se mjafton t’iu referohemi shifrave. Më konkretisht, studimet tregojnë se, nëse në vitet `90 rrjeti lumor dërgonte në det 60-80 milionë tonë inerte, aktualisht ata dërgojnë rreth 10 herë më pak. Pasojat janë alarmante. Për shkak të zbrazjes së shtratit dhe mungesës së inerteve ky lumë, jo vetëm shkakton përmbytje në të gjithë zonën, por është kthyer në kërcënim edhe për veprat e artit.

Pikë grumbullimi inertesh në lumin Mat

Pushteti lokal në Lezhë është vënë në alarm prej vitesh dhe i ka kërkuar Ministrisë së Kulturës, e cila është edhe “pronarja” me letra e këtij monumenti të rrallë, që të ndërhyjë. I zhgënjyer, Paulin Zefi, ish-drejtor i Monumenteve Kulturore në Bashkinë e Lezhës, aktualisht përgjegjës i Muzeut Etnografik dhe i Memorialit të varrit të Skënderbeut, shpjegon se, pavarësisht insistimit, kërkesat e tyre kanë rënë në vesh të shurdhër prej dekadash. “Kam 7 vjet që kërkoj të mirëmbahet ky objekt. Përgjatë këtyre 21 viteve, pasi u shpall monument kulture, Ministria e Kulturës nuk ka bërë asnjë ndërhyrje”, – sqaron ai, teksa “fajin” ia atribuon shfrytëzimit të inerteve në lumin Mat.

Babëzia për inerte, dhjetëra firma në të zezë

Thuajse 90% e firmave që punojnë për nxjerrjen dhe përpunimin e materialeve të ndërtimit përgjatë shtratit të lumit Mat, janë pa leje ose krejtësisht në të zezë, si dhe në kundërshtim me rregullat e shfrytëzimit teknik.

Dhe gjithçka në syrin e të gjithëve.

Gjokë Jaku, prefekti i Lezhës, thotë se nga fshati Skuraj deri në grykëderdhjen e këtij lumi në detin Adriatik, nga 40 firma që shfrytëzojnë lumin për inerte, ato që kanë leje, janë më pak se gishtat e njërës dorë.

“Vetëm 3 ose 4 janë me leje. 18 subjekte veprojnë pa leje, pasi iu është revokuar leja e shfrytëzimit. Dhjetëra të tjera janë në të zezë. Punojnë ditë e natë dhe askush nuk mban përgjegjësi”, – i shpjegon Jaku Investigative Network Albania-s.

Prefektura e Lezhës ka vënë alarmin prej kohësh për situatën në këtë basen ujor, por ajo vetë nuk ka kompetencë për të ndërhyrë. Në këtë situatë, kur i ka duart e lidhura, prefektura iu ka kërkuar që në fund të vitit që lamë pas institucioneve përgjegjëse të ndërhyjnë në mënyrë urgjente.

“Masakra mjedisore ndaj këtij baseni vazhdon të jetë e pranishme dhe nuk ka ndaluar për asnjë moment”, – thuhet në një dokument të datës 28 dhjetor 2020, ku prefekti i Lezhës, Gjokë Jaku, i “tërheq” vëmendjen Ministrisë së Mjedisit, Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore, SHÇBA-së, Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit dhe Ministrisë së Brendshme.

Shkresa e Prefektit te Lezhes, date 28 dhjetor 2020

Shkresa e prefektit të qarkut Lezhë, Gjokë Jaku, drejtuar disa institucioneve

“Shfrytëzimi i paligjshëm i inerteve nga subjekte pa leje ushtrohet hapur, pa u shqetësuar nga askush. Deri më sot nuk jemi informuar nga institucionet përgjegjëse për verifikimin e subjekteve pa leje që shfrytëzojnë inertet, që të jenë gjobitur apo ndëshkuar për gjithë këtë krim mjedisor përgjatë lumit Mat”, – vijon letra e Gjokë Jakut, drejtuar këtyre institucioneve.

Madje, bashkangjitur kësaj shkrese, janë edhe disa fotografi nga një inspektim i prefekturës në rrjedhën e këtij lumi.

Autoritetet: Vetëm 3 kompani me leje shfrytëzimi

Nga një vëzhgim i thjeshtë, duke kaluar te mbikalimi Milot-Skuraj apo tek ura e re, Shën Koll, në drejtim të zonës së mbrojtur, Laguna e Patokut, janë me dhjetëra pika që shesin inerte.

Ato kanë formësuar “male” me inerte, të nxjerra nga lumi Mat, teksa aktualisht shumica e këtyre firmave po e përdorin materialin e nxjerrë për shitje.

“Në territorin e basenit ujor Mat rezultojnë të disponojnë leje për shfrytëzimin e materialeve inerte 3 subjekte”, – i shpjegon INA Media-s Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore dhe Zyra e Administrimit të Basenit Ujor Ishëm-Erzen-Mat.

Tabela e lejeve aktuale

Lejet aktuale, sipas AMBU, të shfrytëzimit të inerteve në lumin Mat

Sipas AMBU, aktualisht ka leje shfrytëzimi kompania Salillari, me objekt shfrytëzim të materialeve inerte për realizimin e kontratës “Për ndërtimin, përmirësimin, shfrytëzimin dhe mirëmbajtjen e autostradës Milot-Morinë”, sipas marrëveshjes koncesionare.

Leja është dhënë në njësitë administrative Rubik dhe Milot.

Gjithashtu, edhe kompanitë BARDH KONSTRUKSION dhe A.N.K. CONSTRUCTION kanë leje me objekt shfrytëzim të materialeve inerte për realizimin e kontratës “Projektim-Ndërtim-Mirëmbajtje e segmentit rrugor Milot-Balldren”. Këto leje janë dhënë në njësinë administrative Zejmen dhe në njësinë Shën Koll.

Për ironi, ndërsa Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore deklaron se vetëm 3 subjekte kanë leje, prefektura e Lezhës ka kohë që ka dhënë alarmin për dhjetëra firma që punojnë pa leje ose në të zezë.

“Siç duket qartë, janë mbi 30 subjekte që shfrytëzojnë inertet e shtratit të lumit Mat”, – thuhet në dokumentin e datës 28 dhjetor 2020, që prefekti iu dërgoi institucioneve.

Por, 5 muaj më pas, gjërat duket se janë përkeqësuar dhe oreksi i firmave që shfrytëzojnë pa asnjë leje inertet në këtë shtrat lumor, ka ardhur duke u rritur.

“Aktualisht janë rreth 40. Punojnë ditën dhe natën dhe askush nuk i ndalon”, – pohon ai, teksa shton se duhet një koordinim i institucioneve për ta ndalur këtë masakër.

Nga ana tjetër, AMBU mjaftohet me sqarimin se ka pasur revokime lejesh, por “revokimet e lejeve për shfrytëzim të materialeve inerte në basenin e lumit Mat i përkasin vitit 2018”.

Tabela e kompanive te cilave u eshte shfuqizuar leje per inertet

Tabela e kompanive të cilave iu është revokuar leja e shfrytëzimit

Sipas këtij dokumenti, janë 18 subjekte, të cilave iu është revokuar leja nga Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore. Në lidhje me shfrytëzimin e materialeve inerte, Zyra e Administrimit të Basenit Ujor Ishëm-Erzen-Mat ka kryer komunikime të vazhdueshme. Konkretisht, AMBU dërgon periodikisht pranë IKMT-së dhe Policisë së Shtetit, për dijeni Ministrisë së Brendshme, në varësi të së cilës janë dhe këto institucione, listën e përditësuar të subjekteve që disponojnë leje aktive për shfrytëzimin e materialeve inerte”, – thuhet në përgjigjen e AMBU.

Referuar kësaj përgjigjeje, leja e shfrytëzimit për kompanitë Elvisi 03Klosi 09Ardi&OrgitaKleit MarviBeato AnnibaleLissus AlANKPrendi 02Kompleksi KlodiRafaelo 2002Gjoka 2002Dejvis BAVegaBIVBeton EkspresPaluca SAT.E.H ConstructionPreng Pashk Shkurti dhe Kotica 2007 është shfuqizuar, por kjo nuk i ka penguar të vazhdojnë normalisht aktivitetin, pa asnjë ndëshkim.

“Edhe pas revokimit, firmat kanë vazhduar aktivitetin e tyre duke marrë inerte nga lumi Mat në çdo orë të ditës dhe të natës”, – thotë prefekti Jaku.

Tri ura rrezikojnë shembjen nga marrja e inerteve

Por, paralajmërimi i Gjokë Jakut nuk është marrë parasysh nga asnjë institucion.  Më 25 janar 2021, pas shirave të rrëmbyeshëm që mbërthyen Shqipërinë, Jaku ka bërë një raport për verifikimin e problematikave të shfaqura në infrastrukturë për shkak të reshjeve prej datës 22-25 janar 2021.

Teksa referon dëmtimet serioze që kanë pësuar veprat e artit, ai kërkon goditjen e firmave që ushtrojnë aktivitetin pa leje.  Sipas dokumentit, zbrazja e lumit nga inertet ka prekur edhe urën e re të autostradës.  Më konkretisht, në këtë vepër, në urën e autostradës, u evidentua si problem serioz zhveshja e këmbës së urës, e shkaktuar prej rënies së bazamentit të shtratit të lumit. “Problematika ka qenë evidente prej disa kohësh dhe është adresuar disa herë për marrje masash, si dhe për goditjen e shfrytëzimit të paligjshëm të materialeve inerte në këtë zonë”, – thuhet në këtë dokument.

Problematika vazhdon të jetë e njëjtë, edhe nëse kalon aktualisht në këtë urë. Në të dyja anët e urës janë disa firma që kanë shfrytëzuar lumin Mat dhe kanë mbledhur mijëra metra kub inerte.

Rruga nacionale Milot-Lezhë, pika inertesh në të dy krahët e këtij aksi

Një inspektim tjetër ishte në Urën e Re të Milotit ose, siç njihet ndryshe, në Urën e Trenit.

“Edhe në këtë pikë u evidentua problemi i zhveshjes së këmbëve të urës, i shkaktuar prej rënies së bazamentit të shtratit të lumit, si rezultat i shfrytëzimit të paligjshëm të materialeve inerte në këtë zonë”, – thuhet në këtë raport. Por, problematika më e rëndë, e konstatuar në janar 2021, ishte degradimi i Urës së Zogut.

Raporti i prefektit, pas shirave 3 ditore 22- 25 janar 2021 per rrezikun e urave

Raporti i Prefektit, pas shirave 3 ditorë 22-25 janar 2021

“U evidentua rënia e këmbës së dytë të urës, në pozicionin verior, me të njëjtën problematikë si në urat e tjera. Rënia e shtratit të lumit, që ka ulur këmbën e urës, është shkaktuar nga marrja e inerteve jashtë kritereve teknike dhe ligjore”, – thuhet në këtë raport.

Për Paulin Zefin, ish-kreun e Monumenteve, mosndërhyrja në kohë në këtë monument solli edhe shkatërrimin e tij. “Mbi 60 vite pa iu nënshtruar ndonjë ndërhyrjeje serioze, konsoliduese, restauruese e konservuese dhe rreth 30 vite shfrytëzim pa kriter i materialeve inerte në shtratin e lumit Mat; normalisht që do të përfundonin me dëmtimin e këtij aseti kaq të çmuar të trashëgimisë sonë kulturore, kombëtare dhe asaj europiane”, – shkruan Zefi.

Ura e Zogut, mbi lumin Mat, pas dëmtimeve nga shirat e janar 2021

Situata ishte paralajmëruar edhe nga inxhinieri Xhevahir Ngjeqari. “E kam paralajmëruar në vitin 2019 se, nëse nuk vihet dorë në këtë vepër, do të shkatërrohet. Duhet të kishte një konservim nga Ministria e Kulturës, më pas, restaurim. Tani kostoja do të jetë shumë herë më e madhe”, – pohon ai. Ekspertët ua adresojnë përgjegjësinë për këtë masakër mjedisore dhe dëmtimeve të monumenteve kulturore apo veprave të artit drejtpërdrejt firmave që veprojnë në zonë.

Kush duhet ta ndalojë masakrën mjedisore?

Më 8 janar 2021, Prefektura e Lezhës i ka dërguar një informacion Drejtorisë së Policisë, Lezhë “mbi shfrytëzimin e paligjshëm të inerteve në shtratin e lumit Mat”. Po ashtu, një informacion i detajuar i është drejtuar edhe Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në Lezhë.

“Shfrytëzimi i paligjshëm i inerteve nga subjekte pa leje ushtrohet hapur, pa u shqetësuar nga askush. Deri më sot nuk jemi informuar nga institucionet e Drejtorisë vendore të Policisë së Lezhës dhe IKMT-së Lezhë, të cilat janë përgjegjëse për verifikimin e subjekteve pa leje që shfrytëzojnë inertet, që të jenë gjobitur apo ndëshkuar subjekte për gjithë këtë krim mjedisor përgjatë lumit Mat”, – thuhet në këtë dokument.

Përballë heshtjes së institucioneve, prefekti Jaku kërkoi edhe marrjen e masave ndaj personave që i drejtojnë ato.

“Të merren masa urgjente nga çdo institucion që ngarkohet me ligj që të reagojë ndaj këtij problemi me pasoja të pariparueshme, si dhe të merren masat e duhura ndaj çdo nëpunësi apo institucioni, që me mosveprimet e tij bëhet shkak për katastrofën ekologjike që po ndodh me lumin Mat”, – vijon ai, teksa në fund shkruhet se është vënë në dijeni edhe SHÇBA për mosveprimet e punonjësve të policisë dhe IKMT-së.

Por, pavarësisht këtyre paralajmërimeve, nuk ka pasur asnjë ndërhyrje, por vetëm komunikime shkresore.

“Për raste specifike është komunikuar edhe me prefektin e qarkut Lezhë, IKMT-në, Drejtorinë vendore të Policisë, si dhe me Autoritetin Rrugor Shqiptar për shkëmbimin e informacionit për subjektet me leje, si edhe për problematika të shfrytëzimit pa leje”, – thotë zyra e Basenit Ujor, Mat.

Paradoksalisht, Ministria e Mjedisit thotë se, “për një kohë të gjatë Drejtoritë Rajonale të Mjedisit kanë qenë në ristrukturim, pasi janë bashkuar me Inspektoratet Mjedisore”. Si pasojë, kjo periudhë është shoqëruar edhe me mungesë ligjesh e udhëzimesh e për rrjedhojë këto drejtori apo inspektorate nuk kanë kryer asnjë inspektim, pasi kishte mangësi në organizim dhe duhej të ndryshonte ligji. Megjithëse krimet mjedisore i kaluan për kompetencë IKMT-së, sërish kjo e fundit vihet në lëvizje nga IMT-të vendore. Dhe, në të tilla raste, institucionet vetëm shkëmbejnë letra, duke ia kaluar përgjegjësinë njëra-tjetrës.

Nga 12 referime të policisë, 2 dosje në Prokurorinë e Lezhës

Institucionet shkruajnë në letra se çështjet duhet të hetoheshin nga organet ligjzbatuese. Prefekti thotë se ka bërë dhjetëra referime. Po ashtu, edhe AMBU pretendon se ka lajmëruar Policinë e Lezhës. Kjo e fundit pohon se ka bërë inspektime, sa herë është kërkuar ndihma e saj. “Nga strukturat e Drejtorisë vendore të Policisë së Lezhës dhe komisariateve në varësi janë hartuar plane masash, si dhe janë ushtruar kontrolle të vazhdueshme për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e të gjitha rasteve të shfrytëzimit pa kriter të inerteve në shtratin e lumit Mat. Gjatë periudhës 01.01.2020-30.04.2021, si rezultat i kontrolleve të ushtruara nga shërbimet e policisë, janë konstatuar dhe referuar pranë prokurorive 12 raste, si dhe janë proceduar penalisht 16 shtetas”, – thuhet në këtë përgjigje.

Por, sa çështje janë në hetim? Sipas Prokurorisë së Lezhës, “nga verifikimet e mundshme, të kryera në regjistrat fizikë të procedimeve penale, rezulton të jenë regjistruar 2 procedime penale”. Sipas saj, procedimi penal me numër 235 i vitit 2021, i regjistruar pas kallëzimit të Prefektit të qarkut Lezhë; si dhe procedimi penal me numër 255 i vitit 2021, i referuar nga Drejtoria vendore e Policisë Lezhë. “Çështjet janë aktualisht në hetim”, – thotë prokuroria, pa dhënë më shumë detaje.

Miliona euro të shpenzuara për përmbytjet

Rrësheni dhe fshati Skuraj mbulohen nga uji, sa herë që ka prurje të shumta lumi ose hapen portat e hidrocentraleve të Ulzës e Shkopetit. Prefekti i Lezhës thotë se, edhe për përmbytjet shkak është sërish marrja e inerteve. “Nëse devijohet rrjedha natyrale e lumit, do ketë rrëshqitje dhe përmbytje”, – shpjegon Jaku, ndërsa inxhinieri i Mjedisit, Sazan Guri, ka një kërkesë të thjeshtë.

“Mos e prekni natyrën. Nëse e prekni, do të keni pasoja, – thotë ai. – Pasojat mund të vijnë në të dyja lagunat: Kune Vain dhe në Patok”. Ndërhyrjet ndër vite kanë ndryshuar disa herë rrjedhën e lumit, çka, sipas ekspertëve, mund të rrezikojë edhe Parkun e Bregut të Matit, zonë e mbrojtur nga shteti.

Pak ditë më parë Ministria e Bujqësisë lajmëroi se ka përmbyllur projektin “Për mbrojtjen nga përmbytjet e lumit Mat”. “MBZHR dhe AMBU, me mbështetjen e BE dhe WBIF, sapo ka përfunduar projektin e zbatimit për mbrojtjen nga përmbytjet të zonës së poshtme të Matit”, – thotë AMBU. Por, rezulton se grantet, donacionet dhe investimi i qeverisë shqiptare kap shifrën e 11.2 milionë eurove.

“Projekti filloi në janar të vitit 2020 dhe përfundoi në prill të vitit 2021. Vlera totale e vlerësuar e projektit të përgjithshëm është 11.2 milionë €. Për 210.000 banorë që jetojnë në këtë zonë, masat mbrojtëse do të përmirësohen dhe rreziku i përmbytjeve do të ulet ndjeshëm, duke parandaluar kështu dëmtime serioze njerëzore dhe materiale”, – thuhet në përfundim të këtij projekti.

Por, nëse nuk do të merreshin inerte nga lumit Mat, a do të ishte e nevojshme të shpenzohej kjo shumë?! Për inxhinierët përgjigjja është jo. Madje, ata sqarojnë se do të duhen ende edhe dhjetëra miliona euro të tjera vetëm për normalizimin e situatës. Pyetjes se kur do të kthehet në gjendjen natyrale, inxhinier Ngjeqari i përgjigjet: “Nëse nuk ndërhyn dora e njeriut, do të duhet 1 shekull”.

SHARE THIS POST

Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin

RELATED POSTS