Të dhënat zyrtare tregojnë se janë me qindra policët dhe ushtarakët që joshen nga lidhjet me krimin. Madje, në shumë raste ata përfundojnë duke iu shërbyer si bodyguard-ë, duke komprometuar zbatimin e drejtë të ligjit. Ekspertët akuzojnë se “shumë policë, që janë bërë me krimin dhe njëherësh mbajnë të veshur uniformën, janë shtyrë në këtë situatë të pazakontë nga vetë shefat e tyre.
Autorë: Elton Qyno, Gazmend Myteberi dhe Besar Bajraktaraj
Zef Mirashi, ish-nënkomisar, i arrestuar nga kolegët e tij si i përfshirë në veprimtari kriminale, prej vitesh ka gjetur “strehë” si inxhinier gjeolog në një gurore të Fushë-Krujës, që administrohet nga biznesmeni Ndriçim Babasi.
Përpara se të arrestohej në vitin 2016 me drogë nga kolegët e tij të komisariatit të Shkodrës, Zef Mirashi shërbente si komandat i postës policore që kontrollonte një nga zonat më të kriminalizuara të vendit, Theth-Dukagjin. Ai ishte emëruar në këtë detyrë pas një karrierë të gjatë, të shoqëruar me shumë përplasje dhe stres, siç ishte shërbimi pranë sektorit të vrasjeve në Drejtorinë e Qarkut Shkodër; sektor, i cili konsiderohet nga më të vështirët në këtë zonë.
Krejt papritur ndershmëria e Zefit, besnikëria ndaj uniformës, besimi te kolegët dhe te publiku i Shkodrës u venit menjëherë pas mbi 13 vitesh shërbim brenda radhëve të Policisë së Shtetit.
12 mijë eurot që i duheshin për sëmundjen e rëndë të të birit dhe braktisja nga të gjitha institucionet, përfshirë edhe Drejtorinë e Policisë së Shtetit, ku kërkoi ndihmë, e bënë atë të “thyeshëm” përballë krimit.
“Unë isha zënë ngushtë financiarisht, pasi në prill të vitit 2016 duhet të operoja djalin 8-vjeçar për një problem shëndetësor, real në zemër. Operacioni kushtonte 12 mijë euro. Fillova të merrja lekë borxh nëpër miq e shokë, por shumën totale nuk e kisha plotësuar. I kam kërkuar ndihmë financiare Drejtorisë së Policisë, për t`i shpëtuar jetën djalit, por kërkesat e mia shkuan në vesh të shurdhër. Gjatë kësaj kohe as kisha menduar për diçka kriminale”, – rrëfen Mirashi për INA MEDIA-n.
“…halli më çoi te tundimi për të kryer një krim. Zoti më vuri në një sprovë të vështirë. Por, teksa isha duke bërë detyrën, një nga informatorët e mi më tha që të transportoja nga një shtëpi në tjetrën një sasi prej 6 kg hashash, duke më premtuar se do më jepte 2 mijë euro…”, – rrëfen për Investigative Network Albania ish-nënkomisar Mirashi.
Lënda narkotike në fakt ishte e një informatori policie, i cili shpeshherë bënte lojë të dyfishtë. Ky person ishte përdorur për informacione operative dhe nga vetë nënkomisar Zef Mirashi, me qëllim zbardhjen e ngjarjeve kriminale apo parcelave me drogë, që kultivoheshin në zonat malore të Dukagjinit dhe Thethit.
Teksa tymos cigaren dhe mediton për periudhën, kur ka punuar në policinë e Shkodrës si oficer krimesh dhe shef i postës policore Theth-Dukagjin, Zef Mirashi tregon një rregull të pashkruar, por ama shumë domethënës, që vijon të jetë ende në fuqi edhe sot në zyrat e Policisë së Shtetit.
“…në polici ka një rregull të pashkruar: Nëse ti si punonjës policie bën …urdhëro, si urdhëron…, aty bëhesh 100 vjeç, s’të prek njeri. Nëse i prish dikujt interesin, të shkatërrojnë me çdo formë dhe mënyrë të mundshme…”, – thotë Mirashi.
Ai tregon se për një ditë të vetme ka prerë në Dukagjin plot 4500 rrënjë kanabis dhe që pas këtij operacioni presioni për ta goditur profesionalisht dhe në çdo formë, sa vinte e bëhej më i madh.
“Unë u arrestova më 12 prill të vitit 2016, ndërsa 19 ditë para ndalimit tim, me urdhrin e brendshëm nr. 32 të datës 23 mars 2016, unë isha një ndër 6 policët kryesorë të Shkodrës, që atë pranverë do merreshim vetëm me luftën ndaj kultivimit të drogës në këtë qark.”, – pohon ai.
Urdhri i brendshëm i Drejtorisë së Policisë së Shkodrës, që ngarkon Zef Mirashin si një nga 6 policët e Shkodrës, që do të merren me luftën ndaj kultivimit të kanabisit në këtë zonë
Nënkomisar Mirashi u arrestua, teksa ishte në detyrë, duke lëvizur me makinën e tij, personale në zonën e urës së Bunës në Shkodër. Oficerët e SHÇBA-së dhe strukturat e rendit, të vëna në dijeni nga informatori i dyfishtë, ngrenë një postbllok blic në dalje të Shkodrës.
Sapo afrohet mjeti që drejtohej nga Zef Mirashi, ata urdhërojnë që ai të ndalojë, me qëllim për t`u kontrolluar. Makina i është nënshtruar një kontrolli fizik, nga ku u gjet dhe sasia prej 6 kg lëndë narkotike e llojit hashash, ndërsa komandanti i postës policore në Theth shumë shpejt e pa veten të lidhur me prangat e kolegëve të tij.
“…kam hyrë në drejtori me kokën ulur dhe me pranga në duar. Askush nga kolegët dhe prokurorët që kisha punuar, nuk e ka besuar se kisha bërë një veprim të tillë, në një kohë që ankthi më kishte pushtuar për operacionin e djalit…”, – shprehet Mirashi.
Mirashi u dënua nga Gjykata e Shkodrës për akuzën e “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”, duke qëndruar 6 muaj e 19 ditë në burg.
“…unë s’kam bërë burg, por kam bërë izolim, se nja 30 vetë, mes tyre dhe Sokol Mjacaj, që vrau dy turistët çekë në Dukagjin, ishin aty në atë burg. I kisha hetuar dhe firmosur vetë letrat e arrestimit e disa prej tyre iu thoshin gardianëve të burgut: “Nxirreni njëherë atë shefin nga dhoma, nxirreni në oborr, ta shohim njëherë…”, – shprehet Mirashi.
Por, ky nuk është rasti i vetëm, që një punonjës policie përfshihet në veprimtari kriminale, kryesisht në komprometim me çështjet e drogës dhe çështje të tjera, të paligjshme, deri te shpërdorimi i detyrës.
Policë e ushtarakë nuk iu rezistojnë joshjeve nga krimi
Të dhënat zyrtare tregojnë se janë me qindra policët dhe ushtarakët që tundohen çdo ditë nga lidhjet me krimin e në shumë raste ata përfundojnë duke iu shërbyer atyre si bodyguard-ë.
Prej vitesh në Ministrinë e Brendshme vepron një strukturë hetimore që paradoksalisht ndryshon emrin, sa herë ndryshohen pushtetet. Dikur, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm (SHKB), sot është quajtur Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave (SHÇBA).
Kjo strukturë ka direkt varësi nga ministri i Brendshëm dhe ka si funksion të hetimit të përditshëm vetëm aktivitetin kriminal të punonjësve të Policisë së Shtetit.
Në një përgjigje zyrtare, të dhënë nga drejtori i kësaj strukture, Muhamet Rrumbullaku, tregohet se gjatë vitit 2019 SHÇBA ka hetuar 250 dosje, ndërsa ka çuar në arrestim 89 punonjës të përfshirë në veprime abuzive, kriminale; ndërsa bashkë me këta policë Rrumbullaku thotë se janë arrestuar dhe 43 qytetarë.
Edhe në vitin 2020 janë arrestuar 74 punonjës të shërbimit policor dhe 41 qytetarë, që kanë qenë protagonistë me policët në kryerjen e një vepre penale.
Kurse për periudhën janar-qershor të vitit 2021, Rrumbullaku shton se struktura e tij ka arrestuar 29 punonjës të ndryshëm policie dhe 32 qytetarë.
Përgjigjja e SHÇBA, strukturës hetimore ndaj policëve
Por, SHÇBA gjatë kësaj periudhe 18-mujore, por edhe në periudhat e mëparshme, në asnjë rast nuk ka qenë e zonja të faktojë implikimin në veprimtari kriminale të një drejtori madhor policie, qoftë në qendër, qoftë në rang qarku. Të njëjtën gjë nuk e ka bërë edhe me shefat e komisariateve.
Ndërkohë, situata e statistikave duket më e qetë në radhët e ushtrisë, ku, edhe pse ka pasur raste të arrestimit të ushtarakëve si të përfshirë në krime me karakter të “Shpërdorimit të detyrës” apo “Shkelje të rregullave të shërbimit të rojës në objekte të rëndësisë së veçantë”, shifrat e implikimit të ushtrisë me elementët e krimit janë më të vogla.
Në një përgjigje zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes thuhet se gjatë 10 muajve të vitit 2021: “…në dhomat e ndalimit disiplinor të Policisë Ushtarake janë ndaluar 11 ushtarakë me afat kohor 48-72 orë me motivacion: Cenim të marrëdhënieve dhe shkelje të rregullave gjatë kryerjes së shërbimit të sigurisë dhe ruajtjes…”
“Në kuadër të cenimit të pronës ushtarake kemi pasur 18 raste, ku është cenuar prona ushtarake nga individë civilë, ndërsa nga Policia e Shtetit kemi pasur 13 raste ushtarakësh të arrestuar, konkretisht për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe mungesë dokumentacioni”, – thotë Ministria e Mbrojtjes.
Përtej statistikave, situata e implikimit të policëve në veprimtari kriminale duket se është bërë edhe më shqetësuese.
Arrestimi i dy ish-bodyguard-ëve të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, si të përfshirë në trafik droge dhe dy punonjësve të nivelit drejtues në Vlorë, Festim Lelaj dhe Ilirjan Balla, krijoi një pështjellim në radhët e policisë dhe vuri në pikëpyetje besimin e publikut te kjo strukturë.
Rasti solli dhe tri ngjarje të tjera, kur strukturat e SHÇBA-së kapën duke transportuar e shitur drogë, kokainë dhe heroinë, 3 efektivë të repartit special RENEA.
Një tjetër ngjarje, kur imazhi i “Policisë që duam” hyri në një situatë të mjegullt dhe zbehu besimin tek ata që kanë për detyrë të na ruajnë, ishte vrasja e të riut, Klodian Rasha, në Laprakë, nga punonjësi i patrullës së përgjithshme, Shqiponja, Nevaldo Hajdaraj.
Ish-drejtori i FNSH-së, Osman Levanaku, teksa bën një analizë të situatës, hedh akuza të forta, kur thotë se efektivë të RENEA-s, Gardës së Republikës dhe FNSH-së janë të dy apo tre-punësuar tek elementët e kriminalizuar, bizneset që ata përfaqësojnë apo çdo interesi që ata kanë.
“Kemi efektivë të RENEA-s, FNSH-së dhe Gardës së Republikës, që ditën shkojnë në punë, duke shërbyer në repart për shtetin dhe policinë dhe natën shkojnë sërish në punë, duke bërë bodyguard-in e shërbëtorin e të fortëve, trafikantëve apo dhe biznesmenëve të përlyer në afera të ndryshme. Dhe e gjitha kjo nuk vjen se ata kanë dëshirë të punojnë 24 orë, ditë-natë, por se kanë probleme dhe halle ekonomike”, – thotë Levanaku.
Mirëpo, sipas tij, “…kjo punë e dytë me këta personazhe dashur padashur sjell dhe krijimin e një raporti bashkëpunëtori, duke u vënë në shërbim total të atyre personave me precedentë penalë, që në fund të muajit i japin goxha rrogë”.
“Trajtimi financiar duhet të jetë në përputhje me nevojat jetike që duhet të ketë një punonjës policie për të mbajtur familjen, për të mbajtur veten dhe për të jetuar në kushte normale. Nuk bëhet fjalë për të krijuar një shtresë të pasur në polici, por për të krijuar një strukturë që futet në shtresën e mesme të qytetarëve të Shqipërisë”, – shprehet kreu i sindikatës së policisë, Satedin Fishta.
Kjo marrëdhënie e re pune me shkelësit e ligjit rrezikon të kthehet në fenomen dhe të rrisë mundësinë e joshjes së ruajtësve të ligjit.
Njohuritë dhe teknikat që ata mësojnë në instruksionet e përgatitjes në repartet shtetërore, këta punonjës policie dhe ushtrie i përdorin edhe jashtë orarit zyrtar të punës, duke u kthyer në shoferë-bodyguard-ë të personazheve që janë të skeduar nga policia si kontingjente kriminale apo të disa biznesmenëve që kanë probleme më ligjin.
I tillë ishte rasti i ish-komandos së ushtrisë, Merviol Bilo, i cili më 4 tetor të vitit 2018, u përfshi në një ngjarje të rëndë kriminale në Tiranë, teksa bënte bodyguard-in e një personi të njohur nga policia, ndërkohë që mjaft efektivë policie gjatë orëve të natës bëjnë rolin e bodyguard-it në lokalet e natës, kazinotë dhe diskotekat e qytetit.
“Unë punoj natën pranë kësaj kazinoje, ndërsa në mëngjes paraqitem në repartin e policisë. Kam dy vjet që jam pjesë e kësaj pune në qendër të Tiranës, duke punuar 6 orë, çdo 3 ditë të javës”, – shprehet në kushtet e anonimatit një punonjës i repartit RENEA.
Kushtet ekonomike “i shtyjnë” të lidhen me krimin
Më 15 gusht të vitit 2012, në Elbasan vriten brenda në shtëpinë e tyre babë e bir, Nezir dhe Gentian Beqiri. Ngjarja vuri me shpatulla pas murit policinë lokale, pasi Gentian Beqiri ndodhej në “Arrest shtëpie”, si i dyshuar në pjesëmarrjen e skuadrës që ekzekutoi në dhjetor të vitit 2005 Sokol Çapjan.
Dy punonjës të policisë së Elbasanit, Sami Derstila dhe Neshat Budani, ishin ngarkuar nga gjykata që të bënin shërbim roje në hyrje të pallatit, ku jetonte Gentian Beqiri, por një gjë të tillë ata nuk e bënë mëngjesin e 15 gushtit, kur dhe ndodhi ngjarja e rëndë.
Policia dhe Prokuroria e Elbasanit të parët që arrestoi për këtë ngjarje, ishin dy policët, Derstila dhe Budani, të cilët u dyshuan si bashkëpunëtorë në këtë krim, duke lënë dy personat të hynin në banesë dhe të vrisnin babë e bir.
Elvin Gogaj, ish-drejtuesi i Prokurorisë së Elbasanit në atë kohë, e kujton kështu ngjarjen e arrestimit të policëve.
“…unë isha me leje të zakonshme, për shkak të pushimeve të muajit gusht. Jam njoftuar për një ngjarje shumë të rëndë, pasi dhe një nga viktimat ishte i pandehuri jonë, që e akuzonim për vrasjen e Sokol Çapjes. Të parët që arrestuam ishin dy policët roje, pasi paraprakisht të gjitha dyshimet tona na çonin se ata kishin bashkëpunuar me vrasësit. Më vonë gjatë hetimeve në vijim ky bashkëpunim u shua dhe punonjësit e policisë janë arrestuar dhe dënuar nga gjykata për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”, – shprehet prokurori Gogaj.
Ndërsa pas 8 vitesh prokuroria mundi të zbardhë vrasjen e babë e bir, duke çuar sot 4 persona në burg dhe dy të tjerë janë arrestuar në Greqi dhe Dubai.
Implikimin e punonjësve të policisë në afera kriminale Satedin Fishta, kryetari i Sindikatës së Policisë, e lidh me faktin se në këtë proces ndikojnë një sërë shkaqesh që veprojnë të gjithë dalëngadalë me njëri-tjetrin.
“Janë shkaqe sociale, janë shkaqe që lidhen me përzgjedhjen në Policinë e Shtetit, ku nuk bëhet një kontroll i rreptë. Trajtimi financiar në marrëdhëniet e punës është shkaku kryesor”, – thotë Fishta.
Osman Levanaku, ish-komandant, që për 8 vite me radhë drejtoi Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, thotë: “Sot, realiteti në polici është shumë herë më i keq nga ç`duket. – Shumë policë, që janë bërë me krimin dhe njëherësh mbajnë veshur uniformën, janë shtyrë në këtë situatë të pazakontë nga vetë shefat e tyre. Nëse unë, si punonjës policie i nivelit bazë, shoh drejtorin që drekon dhe pret në zyra apo në kafene e hotele të fortin kriminel, që unë e kam në zonën time të kontrollit, atëherë mos prisni që unë të bëj detyrën, por dhe unë do shkoj te krimineli, siç bën shefi im apo ministri im…”.
Nga ana tjetër, B.P., një ushtarak i dalë në rezervë, i cili preferon të flasë në kushtet e anonimatit dhe që gjatë karrierës së tij ka drejtuar bazën e Flotës Luftarake Detare në Pashaliman, mendon se numri i ulët i ushtarakëve të përfshirë në krime konsiston në faktin se efektivët e Forcave të Armatosura janë më pak të ekspozuar në teren me elementët e kriminalizuar.
Por, në muajin maj të vitit 2021, 5 marinarë të anijes ushtarake “P116”, me emrin e koduar “Bora”, Sejfulla Beja, kapiteni i saj – Bledar Bufaj, Roland Cani, Ardit Alikaj dhe Besmir Meçe, u arrestuan për “Shpërdorim detyre”, 4 muaj pasi kishin përfunduar me sukses një operacion shpëtimi në det të 55 klandestinëve sirianë, iranianë dhe egjiptianë.
Ushtarakët shpëtuan nga mbytja edhe dy skafistët trafikantë, Emiljano Likaj, alias Gaçaj, dhe një person tjetër, të shpallur në kërkim. Por, teksa anija me klandestinë dhe dy skafistët afrohej në radën e Triportit, skafistët janë hedhur nga anija në det dhe janë larguar me not në breg, duke arritur t`i shmangen arrestimit nga policia.
I kontaktuar në telefon kapiteni i anijes ushtarake “P 116” tha se atë natë nuk ka bërë asgjë kriminale, veçse ka marrë pjesë në një operacion humanitar, duke shpëtuar nga mbytja në det jetë njerëzish dhe fëmijësh.
“…unë s’mund të flas me hollësira për këtë çështje, pasi jam në gjykim e sipër, por atë ditë s’kam bërë asnjë gjë kriminale, veçse kam shpëtuar njerëz dhe fëmijë, nga mbytja në det…”, – thotë kapiteni i anijes, Bledar Bufaj.
Ndërsa në dosjen hetimore të prokurorisë së Vlorës thuhet se: “…skafistëve iu janë dhënë jelekë shpëtimi nga ekuipazhi i anijes ushtarake, madje, para se të largoheshin, ata kanë qëndruar në kabinën e drejtimit të anijes dhe kanë biseduar me telefon me familjarët e tyre. Bisedat telefonike janë kryer rreth orës 2348 të datës së 8 janarit 2021, duke përdorur telefonin celular të anijes ushtarake…”.
Një rast tjetër, i regjistruar në qershor të vitit 2021, po që nuk është bërë publik asnjëherë në media, ishte arrestimi i një efektivi të ushtrisë, i quajtur Abdulla Gega, si i përfshirë në trafikun e klandestinëve sirianë dhe në shpërndarjen e lëndëve narkotike, të llojit kokainë.
Një oficer i Policisë Ushtarake i tha në kushtet e anonimatit njërit prej gazetarëve të këtij shkrimi se, Abdulla Gega ishte transferuar nga Tirana në Shkodër dhe pas një periudhe të shkurtër Gega është transferuar në repartin ushtarak të Bunavisë.
“Për disa teka të dikujt erdhi transferimi i oficerit Gega larg qendrës së banimit të familjes dhe deficiti i madh financiar që pësoi, e ktheu atë në një shërbëtor të kontingjentit kriminal në Vlorë, ku pas orarit të punës në Bunavi, transportonte klandestinë sirianë. Më pas u vu në shërbim të krimit edhe në Tiranë, ku shpërndante kokainë, derisa u kap nga agjentët e Antidrogës”, – shprehet ish-kolegu i tij.
Policët po i “ha” droga
Numri më i lartë i punonjësve të policisë, që janë proceduar, lidhet me faktin e përfshirjes së tyre në kultivimin e drogës. Ky fenomen vijon të krijojë probleme, jo vetëm për ata që i kanë hyrë këtij biznesi, por edhe për vetë policët, që tundohen nga kësti mujor që marrin, me qëllim mosprekjen e parcelave të mbjella me drogë.
Por, kjo mbyllje syri, duke mos bërë detyrën, ka sjellë inicimin e dosjeve penale për shumë prej tyre, të cilët e kanë parë veten, ose të pezulluar, ose të proceduar për “Shpërdorim detyre”.
Rasti i Vlorës, ku u zbulua një parcelë e madhe me 6790 rrënjë cannabis sativa gati për korrje, u bë shkak që në tetor të vitit 2020, Ardi Veliu të merrte masa disiplinore dhe të pezullonte nga detyra 22 punonjës të policisë së qarkut Vlorë.
Por, 5 muaj pas zbulimit të parcelës me drogë në Himarë dhe masave administrative të Veliut, Prokuroria e Vlorës i ka kërkuar ish-kryepolicit të pezullojë nga detyra punonjësit e policisë, Artur Veshaj, nënkomisar, përgjegjësi i krimeve pranë komisariatit të Himarës, Ilir Kadëna, nënkomisar, specialist për krimet në komisariatin e Himarës, Isa Jaçaj, specialist krimesh në komisariatin e Himarës, David Fakaj, oficer patrulle në Himarë dhe Arjan Tase, shef i komisariatit të Himarës.
Këta zyrtarë policie aktualisht janë marrë të pandehur nga prokuroria dhe dosja penale kundër tyre ndodhet në Gjykatën e Vlorës për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”, ndërsa në realitet vijojnë të jenë ende në detyrë dhe ushtrojnë funksionet, sikur të mos kishte ndodhur asgjë.
Pavarësisht kërkesës së prokurorisë se pezullimi i tyre lidhet me faktin e marrjes si të pandehur, ish-kryepolici, Ardi Veliu, nuk mori asnjë masë për ta dhe kërkesa e prokurorisë humbi mes shumë shkresave në tavolinën e punës së Veliut.
I vetmi punonjës policie i pezulluar në këtë dosje penale vijon të jetë Ilir Kadëna, i cili ndryshe nga të tjerët nuk mundi ta zëvendësonte masën e sigurisë, siç arritën ta bënin kolegët e tij në Gjykatën e Apelit Vlorë gjatë fazës së komunikimit të masës së kufizimit.
Juristi Arben Llangozi argumenton se në këtë rast personi më i varfër është dhe personi më i dëmtuar apo më i përndjekur nga drejtësia shqiptare.
“…në kohën ku po jetojmë, sot është më e lehtë të pezullosh nga detyra një prokuror ose gjyqtar me status magjistrat, sesa një polic me shkollë të mesme…”, – shprehet Llangozi.
Mandej, juristi Llangozi hoqi një paralelizëm duke shtuar se: “…për disa video TikTok-u një gjyqtare në Elbasan u pezullua brenda tri ditësh, ndërkohë kjo bandë policore, e cila kishte dijeni për kultivimin e parcelës me drogë dhe që aktualisht ka statusin juridik “të pandehur”, vijon sot e kësaj dite të jetë brenda radhëve të policisë…”.